17 August 2020

POETEKA në përvjetorin e lindjes së shkrimtarit të shquar Luan Starova

Përshëndetje dhe urime të përzemërta nga larg, në nderim të shkrimtarit të shquar shqiptar, LUAN STAROVA, në përvjetorin e tij të lindjes, vepra e shumëvlerësuar ndërkombtarisht e të cilit është sjellë e do vijojë të publikohet në gjuhën e tij amtare nga Botimet POETEKA. Jetë të gjatë e vepra të çmuara!

ADONIS: Në të dukshmen, Luan Starova vëzhgon të padukshmen. Cila është më e vërtetë: e dukshmja apo e padukshmja? Në përpjekjen ose orvatjen për t'i gjetur një përgjigje kësaj pyetjeje, mishërohet fryma tragjike e ekzistencës dhe e poezisë njëherësh. Kartagjena, qyteti, a është ai simbol i kësaj pranie-mungese? Në labirintin e tij, labirintin e Mesdheut, Luan Starova e vështron historinë dhe atë që është përtej saj, udhëtar në vende dhe në kohë. Kështu flet poeti nëpërmjet Kartagjenës dhe simbolikës së saj të atdheut-nënë, të atyre gjërave që i ka të afërta, ndonëse jeton në çuditshmëri. Ai flet për të tanishmen, duke përsiatur mbi të kaluarën. Identiteti i këtyre brigjeve është pra një horizont i hapur për të pambarimshmen. Ky identitet krijohet ashtu si krijohet dashuria, në një harmoni të ngjashme me atë të valëve të detit: vala është një njësi, por nuk shihet ndaras dhe e njohim vërtet vetëm në kontekstin e harmonisë me valët e tjera. Ndërsa identiteti, këtu, nuk vjen nga ajo që na paraprin, por nga ajo që është para nesh. Ai nuk vjen nga e kaluara, por vjen nga e ardhmja. Unë shoh te poezia e Luan Starovës frymëmarrjen e këtij identiteti. Poetikisht ai e shndërron çuditshmërinë në afërsi dhe e sheh njërën te tjetra. E largëta duket e afërt, e afërta e largët; që të dyja metamorfozohen dhe përzihen. Poezia e Luan Starovës trishtohet, por nuk vajton. Dhe po qe se ndonjëherë i ndodh kjo punë, në një çast pakujdesie, do të gjejmë në indin e saj dorën e një gëzimi të fshehtë e cila sakaq do t'i fshinte lotët. Ngase çdo poemë duket si një feniks që i mbledh shkëndijat e zjarrit, futet ndërmjet tyre, shkëlqen dhe ngrihet e rilindur si një flakë e re në natën e tokës. 

ÉRIC FAYE: "Emigrimi i ngjalave" është një metaforë metafizike, metaforë politike; Ky emigrimi pushon pak nga pak së qeni rrugëtimi i disa njerëzve të veçantë, për t'u shndërruar në një udhëtim të njerëzimit me zgjedhjet e tij, me ngurrimet e tij, me gabimet e tij.

EDGAR MORIN: "Emigrimi i Ngjalave", vepra e shkrimtarit shqiptar të Maqedonisë Luan Starova, ndjek historinë e familjes së autorit në brigjet e liqenit të Ohrit, të ndarë sipas dëshirave të jetës dhe të vdekjes të perandorive të ndryshme që kanë ardhur njera pas tjetrës mbi brigjet e tij. 

VICTOR A. FRIEDMAN: Zëri letrar i Starovës është thellësisht kozmopolit duke qenë edhe
veçanërisht Ballkanik dhe, ngandonjëherë në mënyrë specifike
shqiptar. Identiteti shqiptar i Starovës është i butë, por i
qëndrueshëm, dhe ka finesa me të cilën ai e pohon atë identitet
dhe siguron një kuptim shumë më të pasur dhe më të përmbajtur të asaj që është dhe nuk është "kombi".

PREDRAG MATVEJEVIĆ: "Emigrimi i Ngjalave", vepër e Luan Starovës është një prej ndihmesave më të mira për studimin e kufijve balkanikë dhe të paarsyeshmërisë së ekzistencës së tyre, në një mënyrë të tillë sa, simbolika e mërgimit të ngjalave, e njohur që prej lashtësisë, tashmë, falë kësaj vepre, zë një vend të rëndësishëm në historinë e kufijve. Ai që e braktis Ballkanin e di se nuk do të rreshtë pa e marrë atë brenda vehtes – kjo është njëherësh edhe arsyeja e ikjes edhe arsyeja e rikthimit. 

JEAN-MARC MORANDINI: Në këtë roman autobiografik,
Luan Starova vazhdon botimin e "Sagës ballkanike", që
tashmë është pjesë e romaneve të mëdhenj
europianë. Ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, fashizmit dhe stalinizmit, një familje kërkon ashtu si ngjalat rrugën e lumejve drejt deteve të largët.

HENRY-NOËL GELINAU: Një këngë alegorike shumë e
bukur kjo simbolikë, midis kërkimit mitik që prej errësirës
së kohëve, e ngjalave në kërkim të rrugës së jetës dhe e
popujve të Ballkanit, në kërkim të rrugës që do t'i çojë drejt
botës së lirisë. Përmes këtyre pelegrinazheve familjare, Luan Starova tregon historinë e një populli të tërë, i
cili në rrjedhën e shekujve ka mbartur mbi vete gjurmën e
rëndë dhe shkatërrimtare të perandorive të ardhura njera
pas tjetrës sipas një skeme: madhështi, fuqi e verbër e
lidhur me despotizmin dhe pastaj rënie.

PIERRE-ROBERT LECLERCQ: Nuk mund të gjendet një
përfytyrim më i mirë për përcaktimin e një romani, të cilit do të mund t'i vihej si nëntitull "Saga e një mërgimi nëpër Ballkan, Shqipëri dhe Maqedoni".









Total Pageviews