17 August 2020

Arian Leka botohet në gjermanisht - ENVER UND SEIN PARADIES: Illusionen und Propaganda im kommunistischen Albanien

GJERMANIA

"Si peshku me grep" - Arian Leka botohet në gjermanisht

Esetë e këtij libri duket sikur formojnë së bashku një rrugëtim imagjinar në kërkim të një origjine të humbur, që rikrijohet përmes teksteve. Të humbur? Apo ndoshta të grabitur, qysh në zanafillë?

    
Schriftsteller aus Albanien Arian Leka (Jacob Berr.)

Ardian Christian Kyçyku, një ndër autorët më të njohur shqiptarë të kohërave të sotme, prej shumë vitesh edhe vetë në mërgim në Rumani, e ka quajtur Arian Lekën dikur „përfaqësues të plotë të mërgimit të brendshëm në letrat shqipe". Eseja e Kyçykut për kolegun e tij nga Shqipëria ishte një recension për librin "Në kërkim të këmishës së humbur" (Botimet Poeteka), libër që në vitin 2018 ishte finalist i konkursit te eseistikës. Ese të zgjedhura nga ky libër janë botuar tani në një përmbledhje në gjermanisht, përkthyer kujdesshëm nga Loreta Schillock. Botimi i librit është mbështetur nga Fondi i Përkthimit të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. 

Drejtori  i Botimeve "Anthea" në Berlin, Detlef Stein, i ka vënë vëllimit të botuar në gjuhën gjermane një titull provokues: "Enver und sein Paradies" - (shq.: Enveri  dhe Parajsa e tij) dhe si nëntitull shoqërues: Illusionen und Propaganda im kommunistischen Albanien – (shq.: Iluzione dhe propagandë në Shqipërinë komuniste.) 

Buchcover Schriftsteller aus Albanien Arian Leka

Edhe pse, sigurisht, termi "Parajsë" është përdorur në mënyrë sarkastike, duhet thënë, ndoshta që në fillim, se në tekstin e përzgjedhur për botimin në gjermanisht, diktatori vetë përmendet shumë më pak se sa premton titulli. Por jo vetëm kaq. Edhe libri, për nga forca poetike dhe thellësia e mendimit, ofron më tepër nga sa sugjerohet në titull. Detlef Stein, i cili së bashku me të shoqen drejton prej shumë vitesh në Berlin Qendrën e Evropës Lindore (Osteuropa-Zentrum), i tha DW, se titulli u zgjodh "për të joshur më shumë vëmendjen e lexuesit gjerman, i cili ende nuk e njeh Shqipërinë, edhe pse Shqipëria është një nga vendet që aspirojnë për të hyrë në BE." 

Damarë mesdhetarë

Ç'është e vërteta, libri i Arian Lekës është mëse i përshtatshëm për të kuptuar disi më qartë mendësinë e banorëve të asaj zone buzë Adriatikut, prej nga vjen edhe vetë autori. Në shtatë esetë e librit "Enver und sein Paradies" pikënisjet janë gjithmonë autobiografike, prej nga ndërtohet fakt-fictioni. Janë pikërisht ato burime prej nga rrjedhin më pas mendimet, të cilat Leka, me një finesë gjuhësore arrin t'i derdhë suksesshëm në diskurset filozofike-estetike, (si për shembull, kur flet për karakterin paradoksal të Provincës si zonë gjeoemocionale dhe sociolinguistike, kur hulumton terminologjinë detare në regjistrin e përditshëm, kur flet për hartat e psikës, hartat e kujtesës dhe hartat meteorologjike). 

Arian Leka u lind në Durrës, një "Provincë të zhvirgjëruar" - siç e quan ai -"që e ka njohur me kohë shijen e të qenit kryeqytet", së cilës i dallohen "ende në fytyrë tiparet e prindërve kulturorë: damari mesdhetar dhe vena ballkanike" (Lindur në Provincë). Ai u rrit në periudhën e izolimit kolektiv komunist, ku vetëm natyra e paprekur (në rastin e tij, nëndeti) ta rikthente atë individualitet të vetëkuptueshëm, që ia kishte grabitur diktatura ("bota nëndetare ishte vendi ku fëmijëria strukej e strehohej për t'u mbrojtur" (Det mosbesimi). 

Në periudhën e tranzicionit të përhershëm postkomunist, Arian Leka zhvendoset në Tiranë, ku jeton edhe sot, duke punuar si studiues i letërsisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Por "njëlloj si salmonët", ai i rikthehet vendlindjes, e cila është jo thjesht vend i kujtimeve, por edhe i kujtesës. Esetë e këtij libri duket sikur formojnë së bashku një rrugëtim imagjinar në kërkim të një origjine të humbur, që rikrijohet përmes teksteve. Të humbur? Apo ndoshta të grabitur, qysh në zanafillë?

Në fillim ishte kryqi

Në fillim është një kryq, një suvenir sjellë prej të atit, dhuratë e një argjendari shqiptar me banim në Kroaci. Kryqi, që do të zinte vendin e parë mbi gjithë rekuizitat e tjera që shpëlante deti, si shishet plastike CocaCola, apo ndonjë pako Marlboro, mbeti dëshmi e vetme origjinale për ekzistencën e një bote tjetër jomateriale të Perëndimit përqark. Qyteti vetë, sikurse dhe gjithë Shqipëria asokohe, kjo "kështjellë e pamposhtur e komunizmit në brigjet e Adriatikut", siç lexohej në sloganin më masiv shkruar përballë detit, ishte lënë në harresë nga Perëndimi, por "ishte bekuar me kujtesë", siç shkruhet në libër. 

Në kujtesë ishin memorizuar madje edhe ëndrrat e prijësve të dikurshëm, si ajo e Skënderbeut, që donte të ndërtonte një Durrës me rrugë ujore, të ngjashëm me Venecian. (Në kërkim të këmishës së humbur). Por "etnografia e pritjes, e dyshimeve, ëndrrave dhe shpresave" nuk prek vetëm të kaluarën e qytetit, pasi sot, edhe emrat e shesheve e rrugëve, ndërtesat historike të shkatërruara për shkaqe ideologjike, të mbishkruara për shkaqe politiko-partiake, të prishura përfundimisht për të kënaqur ndonjë makutëri të tepruar tranzicioni, janë ruajtur në atë kujtesë kolektive, që Leka e quan "hartën e rrudhosur të psikës". 

"Mos e humbisni kohën e vyer duke kërkuar gjurmët e ndërtesës së zhdukur të Princ Wied-it, kërkoni ndonjë foto ose gjeni te koleksionistët ndonjë kartolinë të kohës së mbretërisë dhe mjaftohuni me aq"(Lindur në Provincë). "Këtu çdo gjë krijohet për t'u bërë foto", shkruan Leka duke iu drejtuar turistit perëndimor, ndoshta gjermanishtfolës, por dhe si qortim ndaj vendasve, të cilët, të vetmen gjë "që nuk e kursejnë, por e bëjnë kurban e sakrificë, është trashëgimia historike, duke e lënë veten si një kafkë të zbrazur nga kujtesa." Lexuesit shqiptar do t'i ndërmendet me dhimbje ndoshta një nga episodet e trishta të trajtimit të trashëgimisë kulturore, shembjen e bujshme të Teatrit Kombëtar, por eseja "Teatri si formë ndëshkimi", që Leka kishte shkruar për ruajtjen e ndërtesës dhe që ishte pjesë e vëllimit në shqip, nuk është përzgjedhur nga Detlef Stein në përkthimin gjermanisht.

Albanien Nationaltheater in Tirana gilt nach 70 Jahren als europäisches Kulturerbe (DW/A. Ruci)

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar, shkatërruar përfundimisht në maj 2020.

Vena ballkanase 

Arian Leka ka zgjedhur reflektimin e butë. Ai ende është në kërkim "të diçkaje"që shpreson ta gjejë diku, në "Provincën" e tij, të cilën e quan "perëndi hakmarrëse, që vonon, por nuk e harron ndëshkimin e që nuk ta kthen kurrë dashurinë ... sikurse i vdekuri, që nuk ta kthen kurrë puthjen e fundit".Gjuha dhe përfytyrimet e librit janë poetike dhe madje relaksuese për lexuesin e lodhur nga narrativa e krijuar nga frazat kyçe të algoritmeve tinëzare në botën virtuale. Arian Leka, i cili ka hyrë në art përmes muzikës - flauti – "gjuha e parë e huaj që kam mësuar" – i përpunon ndjenjat, emocionet dhe pështjellimet e tij me një elegancë stilistike, që nuk lë vend për impulse të pa-reflektuara të infektuara nga "virusi i çorbës ballkanike", prej të cilit, siç thotë ai vetë "as shkrimtarët nuk janë të vaksinuar"

Dhe për këdo që e ka harruar se si gatuhet "çorba ballkanike", Leka i kujton recetën..: "një luhare keqkuptim, një garuzhdë alumini me përbuzje, një qepshe nacionalizëm, një lugë gjelle fyerje, dy-tre llokma shovinizëm përvëlues, një sasi ekstremizmi, bashkë me dy maja gishtash egoizëm kombëtar, pak marrëzi kolektive dhe intolerancë e skajshme, ca paradokse, të nevojshëm në vend të erëzave si dhe ca fantazma - kutërbuese apo taze". (Çorba) 

Mërgimi si mbijetesë 

Arian Leka përpiqet prej dekadash që t'i kundërvihet këtij "virusi të urrejtjes dhe moskuptimit të Tjetrit në Ballkan". Ai boton përkthime të autorëve ballkanas në Poeteka dhe është ndër botuesit e vetëm që i prezanton vazhdimisht lexuesit shqiptar shkrimtarë nga vendet fqinje, të cilët ai i pret çdo vit në Shtëpinë e Shkrimtarëve "Poeteka-Tirana in Between".

Albanien Arian Leka (Privat)

Arian Leka në Shkup, ceremonia e marrjes së Çmimit Ndërkombëtar 

për Poezinë, "Skeptri Letrar 2019" 

Kjo punë urëlidhëse të kujton pak Kështjellën e Rozafës, që ngrihet në diell e prishet në terr, në tryeza të errëta, në takime të fshehta me "harta", që krejt papritur nuk ia njohin ekzistencën fqinjit, të cilin, në makthe nacionaliste kërkojnë ta "zhdukin edhe nga harta e shirave dhe reve, si formë elegante meremetimit të urrejtjes" (Zhdukja e Tjetrit nga Harta meteorologjike). Por ajo që mbetet nga kjo punë ka një përparësi, përkujdeset për pasurimin e hartës së kujtesës, e vetmja që ruan vijimësinë në Ballkan.

"Nëse jeton pa kujtesë dhe e humb pavarësinë e mendjes" (Monopoli i Barbarisë), artisti e ndien veten "si peshku me grepin në gojë", të cilin mund ta tërheqë gjithkush. Kjo është ndoshta një nga figurat më të forta të librit, që tregon se përse është aq jetik ai mërgim, qoftë i jashtëm, si në rastin e Kyçykut dhe gjithnjë e më shumë krijuesve në letrat shqipe dhe qoftë i brendshëm, si në rastin e Lekës, dhe - mjerisht - gjithnjë e më pak bashkudhëtarëve të tij. 

 ENVER UND SEIN PARADIES: Illusionen und Propaganda im kommunistischen Albanien (German) Paperback, Berlin 2020

_____________

https://www.dw.com/sq/si-peshku-me-grep-arian-leka-botohet-në-gjermanisht/a-54573092?maca=sq-Facebook-sharing&fbclid=IwAR1TAXJWB8NkDLu1aISxHSHZW8XKFi4PlNBpBG8_1glL_6angCJ_O_Pq5A4

https://gazetamapo.al/si-peshku-me-grep-arian-leka-botohet-ne-gjermanisht/

https://diasporashqiptare.al/2020/08/15/si-peshku-me-grep-arian-leka-botohet-ne-gjermanisht/?

fbclid=IwAR0awjxMwWZtDrMoCBtwVZlyWFVpunBUb0nTkhVttF6dAldR24tmR_8QJi4

https://fjala.al/2020/08/16/si-peshku-me-grep-arian-leka-botohet-ne-gjermanisht/



Total Pageviews