Revista gjermane - Arian Leka: Kufoma e kapitalizmit mban erë të mirë
,
Revista gjermane e përtremuajshme që i kushtohet historisë dhe politikës bashkëkohore, dhe që ka në vëmendje trashëgiminë historike evropiane të shek. XX, rivlerësimin e proceseve historike në Gjermani, dhe të diktaturave në Evropën Juglindoren, por në këtë numër i kushtoi vëmendje tematikave që lidhen me vitin 1968, ku në këtë kontekst boton edhe artikullin "Bakër Spaçi për antena", të Arian Lekës
Revista "Gerbergasse 18" që botohet në qytetin universitar të Jenas në Gjermani ka publikuar një ese të shkrimtarit shqiptar, Arian Leka me titull "Bakër Spaçi për antenna, dhe pushkë erotike". Në gjuhën shqipe kjo ese politico-kulturore është botuar në 2016, ndërsa është përkthyer në gjermanisht nga Zuzana Finger. Kjo revistë e përtremuajshme që i kushtohet historisë dhe politikës bashkëkohore, ka veçanërisht në vëmendje edhe trashëgiminë historike europiane të shekullit XX, rivlerësimin e proceseve historike në RDGJ dhe të diktaturave në Europën Juglindore, por në këtë numër i kushtoi vëmendje tematikave që lidhen me vitin 1968. Vëmendja kryesore e këtij numri i përket "Pranverës së Pragës", por tematikat zgjerohen drejt protestave të rinisë në mbarë botën, vrasjet politike në SHBA, përfaqësimin e Gjermanisë me dy ekipe sportive të ndara në Olimpiadë, lufta në Vietnam, pjesë e së cilës bëhet edhe tematika shqiptare përmes artikullit "Kupfer aus Spaç für Antennen und erotische Ëaffen – Schizophrenes aus einem untergehenden Staat", i cili shoqërohet nga foto dokumentare nga arti shqiptar i realizmit socialist, skulptura e mozaik, si dhe slogane murale të Shqipërisë nën diktaturë, të cilat ishin në fokusin e punës së artistit austriak Christian Thanhauser dhe të Neviana Dostit.
Artikulli i Arian Lekës "Bakër Spaçi për antena dhe pushkët erotike" shqyrton të kaluarën komuniste në Shqipëri, por nuk ndalet vetëm aty. Autori lidh vitin e tij të lindjes (1966) me lëvizjen ateiste dhe antiklerikale shqiptare (1967), me daljen e Shqipërisë nga "Traktati i Varshavës" (1968), me liberalizimin jetëshkurtër të jetës në Shqipërinë diktatoriale, me kujtesën rreth "Pranverës së Pragës", kur ambasada e Shqipërisë në Çekosllavaki, siç kujtojnë, përdesh u pushtua nga trupat sovjetike, gjë që në gjuhë simbolike donte të thoshte pushtim në distancë edhe i Shqipërisë. Pjesë e kësaj ese bëhen gjithashtu edhe kampet, vendinternimet dhe burgosjet politike, sidomos të artistëve, të shkrimtarëve dhe të përkthyesve, të cilat vendosen në kontekstin e eksodeve masive të viteve 1990-1991, kur portet u pushtuan jo nga ushtria e NATO-s, po nga shqiptarë që lanë shpresëhumbur vendin e tyre. Në teskt gjen jo thjesht kujtime, por refleksione ndaj asaj kohe kur "…në revistat me humor politik shihje karikatura mbi kapitalizmit, me trupin kufomë, një përplasje përfytyrimesh, pasi sendet-simbole që detarë sillnin prej perëndimit kapitalist mbane aromë të mirë. Kufoma e kapitalizmit mbante aromë të mire". Për të shtjelluar përfytyrimin e tij nga ajo kohë Arian Leka përdor mineralin e bakrit që të burgosurit politikë nxirrnin nga thellësia e minierave dhe antenat me te cilat kapeshin sinjalet televizive të Perëndimit. "Por, teksa kërkoja nëpër natë imazh të qartë televiziv, unë nuk e dija. As nuk e merrja me mend se bakri prej nga prodhoheshin tubat e antenave, prodhohej nga minerali që nxirrnin në Spaç të burgosurit politikë. Takon absurdin po ta ndjekësh këtë përfytyrimin", shkruan Leka. Pjesë e këtyre vëzhgimeve bëhen edhe rrezikimi i demokracisë nga autoritarizmi dhe dhuna në kushtet e një shoqërie që funksionon jashtë kornizës së ligjit dhe të një shteti me institucione të personalizuara. Më herët, krijimtaria e Arian Lekës është botuar edhe në anglisht. Në vitin 2011 tregimi i tij me titull "Vëllezër në brisk" (Brothers of the Blade) përkthyer nga Sara Lynn Smith, është bërë pjesë e antologjisë "Tregimi më i mirë europian" (Best European Fiction, Dalkey Archive Press), përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon me parathënie nga romancieri irlandez Colum Mçann.
Fragmente nga eseja "Bakër Spaçi për antenna":
- "Ç'eksportohej si mineral, rikthehej në formë tubash në Shqipëri. Cikli i jetës përfundonte mbi tarraca e apartamenteve të njerëzve të tjeshtë, ku antenat futnin klandestinë në shtëpi. Ishin sinjalet televizive të Perëndimit. Ishte evolucioni i grimcave prej bakri që, përmes të burgosurve politikë, na ndihmuan të shihnim përtej. Por hera-herës ekrani mjegullohej. Në shtëpi mbërrinin zhurma që të kujtonin ngashërimet. Shfaqeshin fasha dhe rripa të zinj, si veshjet e të burgosurve, të kohës së Chaplin-it. Sot duhet kthjelltësi mendore, jo ekzotikë, për ta besuar se nuk mund të kenë qenë të tjera duar veç duarve të poetëve, të artistëve, të piktorëve, të klerikëve, të përkthyesve dhe të mendimtarëve të burgosur ao që zgjateshin nga galeritë për të rrotulluar antenat drejt sinjaleve të qartë. Ishin ato duar që nuk bënë sa ne dëshironim, por bënë sa mundën që, antenat e drejtuara ditën nga Tirana dhe natën nga stacionet e Perëndimit – prej nga mbërritën pamje të klonuara të Shqipërisë bahçe me lule dhe të parajsës së reklamave – të ktheheshin drejt asaj që ndodhte në kampe, në burgje dhe nëpër të gjithë Shqipërinë. Ata e kishin bërë pjesën e tyre të mundimit. Në kohën e Perdes së Hekurt, u përpoqën të na hiqnin perden nga syri."
- "Por me gjithë mundimin, grykat e galerive nuk i vështruam dot kurrë grykat prej nga buron drita dhe as si ekrane prej nga mund të shihej më thellë dhe më mirë. Tek tunelet e nëndheshëm dhe te galeritë nuk dalluam tejqyrat për të parë më larg. Burgjet politikë u hapën në të njëjtën kohë kur u thyen portet, kur filluan eksodet, kur ajo që ishte rrënuar u shthur dhe, kur ata që duhet të rrinin në vend, ikën larg. Me të rënë perdja, dalluam se të gjithë kishim qenë brenda të njëjtës zonë përndjekjeje dhe keqtrajtimi. Kemi jetuar të gjithë në të njëjtin kamp përqendrimi, dëgjoj të thonë. Ndoshta po, ose po. Por kishin qenë jo pak ata që "kampi" vetiak i përqëndrimit i kishte qëlluar me pamje nga deti apo me pamje nga bota. Po. Brenda këtij hapësire të rrethuar me tela gjemborë, nga porti tek piramida më e fundit në kufi, mund të kishim përjetuar ndjesinë e të burgosurit, por vetë pak kishin qenë ata që provuan burgimin dhe jo të gjithë të burgosurit vuajtur të njëjtin burg."
- "Me gjithë ndonjë regëtimë dhe përpjekje për t'i bërë bërë ekzotike dhe të jetueshme fundin e viteve '60, ne shqiptarët nuk u bëmë dot pjesë e Pranverës së Pragës dhe as e lëvizjeve studentore të Parisit 1968, që filluan me tri fjalë: Egalité! Liberté! Sexualité! Jazz. Seks. Drogë. Këto ishin fjalët që pëshpëriteshn te ne, duke ndryshuar liberalizimin e jetës me lirinë. Këto tri fjalë gjuha shqipe nuk i shqiptonte dot, sidomos në publik. Kaq për në tokë. Në det nuk kishte fjalë: ishin tri linja fuçish. Fuçia e parë. Fuçia e dytë. Fuçia e tretë. Askush nuk u ikte dot. Ishin kode të një alfabeti minimalist. Fuçitë ishin gjuha e parë e huaj që kam mësuar. Shkronjat latine të alfabetit shqip dhe notat muzikore i mësova më vonë. Fuçitë të para, që ndodheshin vetëm pak metra larg bregut, ishin "fuçitë këshilluese". Fëmijët, por dhe ata që notonin disi, mund të shkonin, madje mund të çlodheshin duke u kapur pas tyre. Ajo ishte zona komforte e notimit – hapësira e pëlqyer. Gjithçka në rregull me çdo gjë dhe me të gjithë.Rreshti i "fuçive të dyta" ndodhej disi më thellë. Kordoni i tyre ishte rreshti i "fuçive paralajmëruese". Pluskonin rreth 200 metra larg bregut dhe ishin për notarët e mirë. Deri aty lejohej. Për të sfiduar veten, por jo tjetërkënd. Por më e rëndësishmja mes radhëve të fuçive ishte rreshti i tretë. Pakkujt i shkonte mendja ta shpërfillte këtë radhë fuçish. Ata që i kapërcyen guxuan, por nuk patën fat të mirë. Asgjë nuk e pasqyronte më qartë izolimin e Shqipërisë se ato fuçi të vetmuara, mbërthyer pas fundit ranor të detit. Prania e tyre ishte e frikshme, agresive, si të luaje mbi mina detare. Përtej "fuçisë së tretë" ishte deti i hapur dhe se pas detit të hapur ishin "botët e lira" të cilat, si të ishin vise përrallash, shfaqeshin në ekran vetëm pas mesnate, kur kthenim antenat prej bakrit drejt detit.