POETEKA përkujton shkrimtaren e shquar austriake për fëmijë Christine Nöstlinger (1936 – 2018), përmes kartolinës letrare të muajit shtator.
Kartolina me portretin e kësaj shkrimtareje të dashur për miliona lexues në botë, i bashkohet programit letrar "Nga Austria me Dashuri… From Austria with Love…"
Edicioni i ri i kartolinës letrare boton gjithashtu edhe një fragment nga vepra e mirënjohur e kësaj autoreje, romani "KONRADI ose djali i kutisë së konservës", përkthyer në shqip nga Admira Poçi.
Ky edicion, që ka në qendër shkrimtaren Christine Nöstlinger dhe që është i shtati në radhën e botimeve, vazhdon të përurojnë kulturën përmes kartolinave letrare, si pjesë e Programit "PoetryCard" 2018.
Nisma origjinale e komunikimit letrar përmes kartolinave është ideuar dhe ealizuar nga POETEKA, duke gjetur mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në Tiranë (Austrian Embassy Tirana) si dhe të partnerëve të tjerë, si ADD Albania, Ama Caffè, Rauch Albania.
Nisma ka gjetur përkrahje dhe është bërë e kërkuar në mjediset publike të leximit si dhe në vende të tjera ku njerezit takohen apo edhe në mjedise universitare.
Nisma nxit njohjen përmes leximit të autorëve austriakë në Shqipëri, por edhe paraqet krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri, që shkruajnë në gjuhën shqipe e në gjuhën gjermane, duke vijuar fenonenin e bilinguitetit në letrat shqipe.
Programi "Poetry Card – Nga Austria me dashuri - From Austria to Albania with Love 2018", bën të njohur edhe punën e shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë që kanë sjellë në gjuhën shqipe këta autorë, mes të cilëve Arshi Pipa, Lindita Arapi, Admira Poçi, Oriona Kraja Zylja, Majlinda Çullhaj etj.
Pas suksesit me edicionet pararendëse të kartolinave letrare, ku u publikuan ballina e revistës "Fryma", 1944, në të cilën u paraqit një poezi e Rainer Maria Rilke-s, përkthyer nga Ars, botimet vijuan me nobelisten austriake Elfriede Jelinek (2004), e më tej me me kartolinën e shkrimtarit dhe gazetarit të mirënjohur austriak, Joseph Roth, veshur me kostum tradicional shqiptar, me krijimrarinë poetike në dy gjuhë të shkrimtarit dhe përkthyesit Ilir Ferra, me esenë e artist austriak Christian Thanhäuser, kushtuar multikulturalizmit dhe arsyeve që e nxisin atë të kthehet vazhdimisht në Shqipëri, me tregimin "Hallë Lulja në Europë" (Tante Lulja in Europa), të autores Andrea Grill, përkthyer në shqip nga Majlinda Çullhaj dhe, më së fundi, edhe me fragmentin nga krijimtaria e Christine Nöstlinger.
Romani "KONRADI ose djali i kutisë së konservës" (Konrad oder Das Kind aus der Konservenbüchse) do të vijë së shpejti edhe në gjuhën shqipe, nga "Botimet POETEKA", përkthyer nga Admira Poçi