"Përkthimi dhe botimi i vëllimit me tregime të Arian Lekës, Shpina e burrit (Partizanska Knjiga, Beograd, 2018), nuk mund të merret asesi ekskluzivisht si sipërmarrje botuese, por edhe si akt politik par excellence, si akt i ndërmarrë në emër të prishjes së qetësisë të diktuar nga e njëjta politikë. Nuk jam i sigurt nëse botimi i këtij libri do të jetë i mjaftueshëm për
ndryshimin e një narrative përmbysëse, që shoqëron në përgjithësi marrëdhëniet serbo-shqiptare. Por në emër të mirësjelljes elementare njerëzore dhe letërsisë së vërtetë jam i sigurt që Shpina e burrit i Arian Lekës është një prelud tejet i mirë i asaj çka letërsia shqiptare përshfaq sot, mbi çdo bazë dhe mbi çdo kriter." (Srdjan Srdić)
Janë përzgjedhur 22 tregime, shkruar në 10 dhjetë vjet krijimtari, (1994 - 2004), nga koha kur Arian Leka botoi librin e parë me tregime "Ky vend i qetë ku s'ndodh asnjë", deri kur u botua përmbledhja me tregime "Shpina e burrit". Shënimet kritike që kanë shoqëruar botimin kanë theksuar se Arian Leka në këtë libër përdor teknika postmoderne, metafizikën, fiction-dokumentar, përdor paranojën kolektive, euforinë e masës, si dhe një dozë realizmi magjik, mbërritur më fort nga fabulat përrallore të vendit të tij se sa nga shkolla amerikanolatine.
"Arian Leka shfaqet si shkrimtar që tërhiqet nga marrëdhëniet
familjare në një mënyrë jo të përditshme, nga marrëdhënie
të mbrujtura në përditshmërinë shqiptare dhe nga errësira e tranzicionit, mbajtur në ekuilibër mes çështjes universale të organizimit shoqëror dhe shtegut lokal të kohës historike", shkruan Srdjan Srdić në pasthënien e botimit në Serbi.
Ndërkaq, njëra nga gazetat më të njohura në Bosnjë-Hercegovinë, në shkrimin kritik të Đorđe Krajišnik shkruan: "Arian Leka është autori që na ndriçon madhërisht kontekstin e letërsisë shqiptare. Ndonëse përkthimi i një libri të vetëm nuk do të thotë zbulim i gjithë letërsisë, gjithsesi, e nënvijëzoj, pa librin "Shpina e burrit" do të kishim mbetur sot e gjithë ditën padyshueshmërisht më të varfër me një zë të fuqishëm tregimtar, i cili, në një formë a në një tjetër, me siguri na përket të gjithëve ne. "Shpina e burrit" na tregon padyshueshmërisht se Arian Leka është një autor ndërmjetësues, që e kapërcen dukshëm një kulturë të vetme, autor që me talentin dhe vrullin e vet hyn në aradhën e mjeshtrave të mëdhenj të kohës sonë."
Shkrimtari dhe kritiku Srdjan Srdić vëren gjithashtu se...: "
Që nga tregimi i parë, "Prej nga vjen drita", e deri tek tregimi i njëzet e dytë, ai që mbyll librin "Shpina e burrit" dhe që titullohet "Arma misterioze", Arian Leka shfaqet si shkrimtar i obsesionuar nga marrëdhëniet familjare në një mënyrë jo të përditshme, sot në dukje arkaike, alla Danilo Kish.
Ato janë marrëdhënie të mbrujtura në përditshmërinë shqiptare, nga ato që kanë prapa figurën monolite të Enver Hoxhës, tek ato të errësirës së tranzicionit në ndërkohë vështirësisht të përcaktueshme, deri në ato të ditëve tona.
Me këtë Arian Leka ia ka dalë të ruajë një ekuilibër mes çështjes universale të organizimit shoqëror dhe shtegut lokal të kohës historike. Tregimet e shkruara me këtë çelës familjar ("Album me Xhabir dhe Xhebrail", "Brisk", "Zogjtë e pikturave"...) përbëjnë shpesh dëshmi mbi misteret e kompleksitetit të këtyre marrëdhënieve, mistere apo sekrete që duhet të qëndrojnë aty ku misteret qëndrojnë, tek trysnitë dhe mbingarkesat që burojnë në thelb apriori nga konstruksioni i komunitetit njerëzor.
Në këtë korpus tregimesh Arian Leka i rezervon vetes të drejtën për një farë indulgjence si mospranim të thekave të rënda të ironisë, pjellë e një të kuptuari që vjen nga shfaqja e tij, nga një mungesë simpatie tek acarime radikale.
Krejt ndryshe duken tregimet që merren me fatin e emigrantëve shqiptarë pas vitit 1991, të atyre që masivisht braktisin një nga vendet më të varfra të Europës në fund të shekullit të shkuar, në kërkim të strehës përtej Atlantikut, por edhe në Italinë fqinje.
Cikli emigrant i tregimeve ndërtohet me tekste pakrahasimisht më të dhimbshëm, të tillë që shkaktojnë hidhësi dhe ngarkesë leximi, për shkak të identifikimit të drejtpërdrejtë dhe të papenguar me viktimat historike të padyshimta, nga të cilat nuk ka pak anekënd Ballkanit.
Dy janë tregimet nga ky korpus tematik më sinjifikativë, "Academic Orgasm", por në radhë të parë "Pema", tregimi im favorit në gjithë librin e Arian Lekës dhe prej ku, nga perspektiva e një fëmije, duken vuajtjet e emigrantit dhe tmerri që i ndjek ata, çka i kontribuon drejtpërdrejtshmërisë, por edhe zmadhimit të mundimeve para tablove të natyrës njerëzore, të pandreqshme dhe të keqe. Në fund, por jo më pak të rëndësishme, qëndrojnë tregimet e tipit eksperimental ("Krijimi i njeriut të ri", "Ftesa", "Dritare nga fusha"...), ku vërehet aspirata e Arian Lekës ndaj veprimit, të cilin mund ta quajmë metafiction të metafiction-it, një lojë për llogari të postmodernes, epokës së mbyllur në qorrsokakun e veprimeve të vdekura, të pakuptimta."