03 November 2021

TRANSLATION in MOTION - Eleana Zhako në Rezidencën e Përkthyesit Letrar Tiranë

Eleana Zhako është fituesja e bursës së programit kulturor TRANSLATION in MOTION (TiM), për qëndrim një mujor në Tiranë, si pjesë e projektit CREATIVE EUROPE, mbështetur nga BE dhe realizuar nga POETEKA.

Eleana Zhako është përkthyese e spikatur dhe mjaft aktive e dygjuhësisë, pasi vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit ajo ka dhënë kontribute të çmuara në përcjelljen në greqisht të autorëve shqiptarë, bashkëkohorë dhe të traditës letrare, sikurse ka sjellë nga greqishtja në shqip emra të njohur të letërsisë greke, duke kontribuar kështu në pasurimin e fondit letrar e kulturor të të dy vendeve.

Mes përkthimeve të saj nga shqipja në greqisht përmenden veprat: "Ndërhyrjet e Z. Shyti", Ardian Vehbiu, (Plethora, 2018), "Fluturimi mbi Teatrin Kombëtar të Kosovës", Jeton Neziraj, (Plethora, 2019), "Më kujtohet", Ylli Demneri, (Plethora, 2020), "Tregime të moçme shqiptare", Mitrush Kuteli, (Ministria e Diasporës, 2021) apo më herët "Virgjëresha e betuar", Elvira Dones, (përkthyer për Festivalin Kulturor të Athinës, korrik 2017). Përkthyer nga Eleana Zhako nga shqipja në greqisht, në proces botimi janë edhe veprat "Heronjtë janë të uritur", nga Gëzim Qëndro, (Euroasia), "Ridënimi", Fatos Lubonja, (Plethora), "Spectrum", Elona Gjergo, (Literatus) etj.

Ndër veprat e autorëve grekë, përkthyer nga Eleana Zhako përmenden: "Vdes siç vdes një vend" me autor Dimitris Dimitriadis, (Zenit, 2015), që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, në shtator të 2017-ës në regji të Rozi Kostanit, "Erotika" e Janis Ricos, (Dituria, 2019), "Apokalipsi i Kasandrës", Dimitris Dimitriadis (Albas, 2019), "Asketika", Niko Kazanxaqis, (Zenit, 2021). Në proces botimi apo pune janë edhe disa vepra të tjera, mes të cilave janë "Balta", Kristo Armando Gjezo, (Pika pa sipërfaqe - në proces botimi), "Epitaf", Janis Ricos, (Albas - në proces botimi), "Jazra Grozny", Jazra Khaleed, (Multimedia Center - në proces përkthimi), "Hedh rrënjë", Kristina Frangeskaki (në proces përkthimi), "Pavdekësia e qenve", Kostas Mavrudhis (në proces përkthimi).

Eleana Zhako është diplomuar për Studime Europiane e Ndërkombëtare në Universitetin "Panteion" të Shkencave Sociale e Politike të Athinës si dhe për Gjuhë shqipe e Letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Ajo është specializuar gjithashtu për të Drejtën e Mjedisit e të Energjisë nga Universiteti Katolik i Leuven-it në Belgjikë si dhe për Pedagogji Teatri nga Universiteti i Hapur i Qipros. 

Prej shumë vitesh Eleana Zhako jeton në Bruksel dhe ka punuar për një periudhë kohe në institucionet e Bashkimit Europian, si specialiste në fushën e mjedisit dhe energjisë, të diplomacisë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë viteve të fundit ajo është angazhuar edhe me projekte kulturore e mjedisore në Shqipëri dhe Greqi. 



#CreativeEurope4Books

#PoetekaAlbania

#TranslationinMotion

#Everything is translation

 

Total Pageviews