22 July 2024

Jovan Nikolaidis: Shqiptarët dhe ne, ata të dikurshmit jemi ne tani!

Shqiptarët dhe ne, ata të dikurshmit jemi ne tani!

Duke lexuar "11 ese akustike", shkruar në mënyrë të jashtëzakonshme e plot dhimbsuri të trishtë nga Arian Leka, një prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, nuk mund të mos e kthej kokën pas, në faktet e dukshme sot në Malin e Zi, Malin tim të Zi. Janë tekste simbolike dhe metaforike, dhe, për Zotin, po aq sarkastike e tragjike. Bëhet fjalë për përçarjen tonë, tashmë proverbiale, të qytetarëve të Malit të Zi, përkundrejt përparimit aktual të shqiptarëve.
Në përmbledhjen e sipërpërmendur të eseve ngjarjet e nxjerra nga errësira e së shkuarës janë rrenditur duke sjellë një rrëfim madhështor mbi një komb të shëndoshë. Epoka e vdekur e mbretërimit të terrorit monstruoz i përshkruhet lexuesit me një stil të përsosur.
Arian Leka ndriçon epokën e vdekjes të një sistemi shoqëror pa shpirt e zemër. Është pena qetësisht monastike, intelektualisht e palëkundshme e një shkrimtari-dëshmitar të shkëlqyer: përgjatë detit Adriatik e Jon dhe në zonën e maleve verilindore mbi to, toka e lashtë u çlirua dhe një gëzim i ri jete u përhap midis të afërmve tanë - fqinjëve. Jo pa dhimbje, por sigurisht në mënyrë të dobishme, botëkuptimi i tyre ndryshoi nga dëshpërimi në shpresë. Hidhërimi u la pas, besimi në një jetë të re gdhendur në zemrën e çdo shqiptari.
Lexuesit të interesuar nuk i duhet të konsultojë enciklopedi dhe e të përcjellë analiza socio-historike mbi rënien e totalitarizmit shqiptar. Të gjitha mund t'i gjeni në "11 ese akustike" të Arian Lekës (Arian Leka: "Jedanaest akustičnih eseja", Plima 2016; "Ceremonial Flowers, Political Animals And Weather-Pholyphobias In Albanian Socialist Realism", Taylor & Francis Group 2017; "Secret side of Albanian Socialist Garden", 2018; "Jedanaest akusticnih eseja", Artistikum, 2023). Nevoja njerëzore për të qenë njeri i lirë, përballë sfidave që, pas shembjes së një ideologjie, iu shfaqën Shqipërisë dhe popullitë të saj, për autorin janë të qarta.
Veçanërisht lexuesi malazez ka nevojë për këtë libër hollak. Çdo qytetar i Malit të Zi do të gjejë në këtë libër pasqyrën e fytyrës së tij aktuale përballë pasqyrës së klerofashistëve, pushtuesve që kontrolluan fatet tona. Thënë ngrohtësisht dhe shkurt, me intelektin e një shkrimtari të pjekur, tekstet e zotit Arin Leka, nisur nga ky libër, do të na shërbejnë për të kujtuar dhe për të dashur përsëri atë që kemi harruar.
Në kohën për të cilën shkruan eruditi shqiptar, Shqipëria nuk ishte aspak një vend i ngjashëm me Jugosllavinë dhe demokracinë e saj socialiste. Ishte një kohë e errët për mbarë popullin shqiptar. Shqiptarët ishin skllevër në vendin e tyre, ne gëzonim një shkallë të lartë lirie të përgjithshme në bashkësinë e popujve të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ata vuajtën, ne u gëzuam, ndiheshim rehat dhe ishim jo të vetëdijshëm për mirëqenien në të cilin jetonim. Ata ëndërronin lirinë, ne deheshim nga bollëku: arrogantë, dembelë, të llastuar, ja ç'ishim ne. Për shqiptarët, rënia e Murit të Berlinit hapi perspektivën e çlirimit, ndërsa për ne lindi shfaqi natyrën shkatërruese të njerëzve: u bëmë lehtësisht hajdutë, gënjeshtarë dhe vetëvrasës. Shqiptarët filluan të ndërtojnë vendin e tyre, ne vazhdimisht e çmontuam tonin - në modelin e ujqërve të tërbuar që, në shkumëzimin e infeksionit, fillojnë çmendurisht të hanë pasardhësit e tyre. Ne kemi bërë dhe po bëjmë gjithçka ndryshe nga shqiptarët. Të padenjë për atë që kemi fituar, gjithnjë e më shumë të urryer nga bota, ne krenohemi me epitete të fryra se jemi liderë në Ballkan. Sot bota pushoi së habituri nga mendjemadhësia jonë, duke na pyetur: a nuk jeni serbë ju, malazezët?! Kemi ardhur deri në atë pikë sa nuk na vjen më turp të rrokullisemi në gropë, në strofkën e vetëbesimit dhe të paranojës. Syleshë ndaj së shkuarës, të pafuqishëm ndaj së ardhmes. Realiteti malazez është një slitë e çmendur. Ja pse lexuesi malazez ka nevojë ta lexojë këtë libër jo voluminoz, që çdo qytetar i Malit të Zi të shohë aty fytyrës së tij...

(fragment)

Botuar në Bosnjë dhe Hercegovinë - "http://xn--tano-hua.net/", Kultura, 29.06.2024.
https://tacno.net/albanci-i-mi-nekad-oni-mi-sada/?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR2gG6Rk4yW3jf69yV3TeVvsSLIWSNLL5kL9tl_Vl7ZCd3av71yg3hfleRU_aem_kHEhvtfsjSPsCyHEc2SH4g

Botuar në Mal të Zi - "Antena M" , 29.06.2024.
https://www.antenam.net/stav/329495-albanci-i-mi-nekad-oni-mi-sada-skica

_______________

ĐORĐE KRAJIŠNIK: Letërsia e Arian Lekës na tregon se në Shqipëri ekziston një shkrimtar që është zëri të gjithëve ne, zëri i gjithë atyre që në tmerret e botës së sotme mëtojnë të gjejnë përgjigje për çështjet thelbësore të ekzistencës sonë. I gjithë mikrobotëve që, në epokën e kompjuterizimit asfiksues dhe cunamit globalizues, mbijetojnë në kërkim të vendit të vet nën diell, në kërkim të të drejtës së vet për të mbijetuar dhe fisnikëruar planetin. Mund të themi më tepër akoma që ai është një autor përçues, që me letërsinë e vet sjell atë pikë kyçe të persistencës universale kozmike, që gjithsesi është strehë për njeriun, pavarësisht pikës gjeografike të globit ku gjendet ai. Thelbësore është kjo: Leka, në letërsinë e tij, gjurmon ekzistencën autentike njerëzore, që nuk është shndërrruar në robot të epokës së materializmi neoliberal, por mbetet një lëvizje çliruese e pandalshme energjie, që ekziston si një proces i papërfunduar në kohë (...)

https://www.bokus.com/bok/9789198686074/jedanaest-akusticnih-eseja/?fbclid=IwAR2m4Q-iNOxboawlvFMhcEN3bjy-FgR9bcUnqqIhBNPCtQ4SLBmtGXMN36s

IVANA GOLJANIN: Në njëmbëdhjetë esetë e tij, njëmbëdhjetë rreshta nga jeta e shoqërisë shqiptare dhe europiane, Arian Leka përmbledh dhe konfirmon përfundimin e arritur edhe nga Žarko Paić, në tekstin e tij "Stinë në ferr: Refugjatët, Terrori, Europa", lidhur me krizën e përhershme të veprimit etik dhe politik të humanitarizmit, pasi tashmë jemi përballur me trashëgiminë e asaj që vetë e krijuam: "globalizimi i indiferencës" (term i marrë nga Zygmunt Bauman).
Esetë e botuara në librin "Njëmbëdhjetë ese akustike" janë fokusuar në tematizimin e historisë (socialiste) të Shqipërisë, prangat e së tashmes europiane, të shprehura përmes potencialit simbolik dhe real të detit. Në esetë e Arian Lekës, deti shihet shpesh si një vend qytetërimi e strehimi, por edhe totalitarizmi. Ai përcaktohet nga paqëndrueshmëria, nga njëra anë, por Leka shkruan gjithashtu për "mbytjet shqiptare", për largimin e njerëzve nga vendi, për ikjet e tyre drejt një vend tjetër, ku "ujërat janë të qeta, më të pastra e më transparente", por nga ana tjetër për detin shkruhet edhe si një shembull i rëndësishëm i identitetit dhe kulturës së një vendi si Shqipëria. Prandaj, libri i shkruar nga Arian Leka mund të shihet edhe sot si jashtëzakonisht aktual - si udhëzime për gjykimin përfundimtar që një ditë do të na duhet të shqiptojmë mbi realitetin e vrenjtur të Europës.

https://www.oslobodjenje.ba/magazin/kultura/knjizevnost/knjiga-jedanaest-akusticnih-eseja-ariana-leke-refleksije-o-sumraku-evropejstva-771747?fbclid=IwAR2C_o31g7JIZQZPBwKyZeOSTC8YbZOhyR3GLW8ejDZduOKHzMqjFShafKM

Total Pageviews