Sot në Shkodër: KAREN KÖHLER
Pas veprimtarisë së suksesshme në Tulla Center, shkrimtarja gjermane KAREN KÖHLER është sot pasdite në qytetin e Shkodrës.
Veprimtaria zhvilohet në Qendrën Rinore ARKA.
Dr. 19 tetor 2015, ora 19.00
Rr. Gjuhadol, 27
_____________
Në program do të lexohen fragmente nga vëllimi me tregime "Ne kemi kapur raketa me grep" (Botimet 'Dudaj', 2015 përktheu Sokol Mici) si dhe bashkëbisedim me lexuesit.
Karen Köhler është fituese e bursës së qëndrimit në Rezidencën e Shkrimtarit dhe Përkthyesit letrar "TIRANA IN BETWEEN", si pjesë e programeve "Tetori gjerman", realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë dhe në bashkëpunim me projektin POETEKA.
_____________
KAREN KÖHLER dëshironte shumë të bëhej kozmonaute. Ka mësuar të hidhet me parashutë dhe ka studiuar për aktore në Zvicër. Pas dy vjetësh punë në teatër, ajo tani shkruan prozë dhe pjesë teatrale. I pëlqen matematika dhe hapësira."Wir haben raketen geangelt" / "Ne kemi kapur raketa me grep" është libri i saj debutues. Ai është publikuar në Gjermani nga shtëpia e njohur botuese "Hanser", ndërsa në shqip nga "Dudaj". Libri u mirëprit nga lexuesi dhe u vlerësua lart nga kritika. Më pas, ky libër u bë fitues i disa çmimeve letrare në Gjermani.
Nëntë tregimet e Karen Köhler janë shkruara në formë kartolinash, në formë ditari, si miniatura apo letra të thjeshta, si copëza të ndryshme universi brenda të njëjtës kornizë. Tregimet e saj, megjithëse kryesisht trajtojnë aspekte dramatike të jetës, si vdekja, abuzimi seksual apo vetëvrasja, janë sa tragjik aq edhe të mbushur me humor e ngrohtësi.
Ajo është përkthyer në holandisht, nga Gerrit Bussink dhe botuar nga shtëpia botuese "Podium", nga shtëpia botuese "Actes Sud".
Çmime Letrare:"Schubart" të qytetit të Aalen në 2015
Çmimi Letrar "Rauris", 2015
Çmimi "Otfried Preußler", 2013
Çmimin Letrar të qytetit të Hamburgut, në 2011
Pjesa teatrale "Pornorama. Ein Männermärchen" ka marrë cmimin e Ministrisë së Artit dhe Kulturës së Austrisë, në 2011.