15 August 2016

POETEKA + 40 - një histori vetmitare...

POETEKA + 40 - një histori vetmitare 


(fragmente të tekstit nga Ben Andoni & Arian Leka me rastin e botimit të No. të revistës "POETEKA)

...Vetëm keqdashjes, mosvlerësimit dhe padijes nuk i duhet vënë lupë zmadhuese për t'i bërë të dukshme në Shqipëri. Ato i sheh haptasi me sy të lirë, siç mund të vëresh kudo triumfin dhe dhunën e injorancës së veshur me xhaketë, jelek dhe kravatë. 

Në krye të themelimit të një reviste letrare asnjë nuk duket e zorshme, madje ka dyndje dhe eufori. Por më pas vëren se thuajse gjithçka ështe e vrerosur, e helmuar, që të kall të keqtë. Vëren autorët, të rinjtë dhe më të vjetrit që janë të prekur nga i njëjti çregullim: deliri i personalitetit narciz, mitomanisë, arroganca, megalomania dhe krijimin e personalitetit përmes profilit mediatik dhe përbuzjes së skenës që nuk ka në qendër atë vetë. 

- Më pas vëren se "I poeti laureati", që përmend Montale në poezinë "Limonët", të mbuluarit me dafinat që zunë ndryshk mbi metalet e çmimeve letrarë të së kaluarës sonë aspak të ndritur, mbi të cilat vërej se janë rehatuar dhe ndihen mirë pothuajse të gjithë, duke përfshirë vetë autorët, botuesit, botën akademike dhe medien, që i shumëfishon ata që kërkojnë të ruajnë me çdo kusht "terrenet letrare", edhe pse si trashëgim lanë ngecjen në klasicizëm apo modernizëm të vonuar, konformizmin dhe flirtimin me pushtetet... 

- Pastaj mëson se ata që mund të mbështesin një revistë letrare i garantojnë asaj vështirësi dhe mosbesim, por jo mbështetje, sidomos mbërshtetje pa kushte, pa kërkuar "haraç", që nënkupton heshtje, flirt, shërbime... 

- Pas këtyre, dikush që merret me botimin e një periodiku letrare, nuk ndjen më vështirësi, por ndihet i tradhtuar, prej të gjithëve

nga pak. Sigurisht që është përshëndetur dhe do të jetë e mirëpritur sa herë të ofrohen nisma si ato të Ministrisë së Kulturës, që

mbështesin revistave letrare, një prej të cilave është edhe "Poeteka". Veçse ky bashkëpunim nuk mund të jetë i vetmi, nuk

mund të vijë i pakoordinuar me institucionet e edukimit dhe fondet nuk mund të dhurohet pa e vëzhguar dhe ndjekur ecurinë e ndikimin e këtyre revistave mbi krijuesit dhe publikun.(Arian Leka) 

- ...Le të mos tremben dhuruesit. Për të mbajtur një revistë letrare nuk lipsen fonde marramendëse. Siç e ka pikasur editori i revistës "Sodobnost", Evald Flisar, fondi për 60 revista letrare në Slloveni është thuajse sa kostoja e ndërtimit 1 kilometri rruge - jo rrugë tepër moderne dhe jo shumë të gjerë – vetëm me dy korsi. Kjo kosto është thuajse sa paga e dy ushtarëve paqeruajtës në zona konflikti. Në Shqipëri revistat letrare nuk janë 60. Ato numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë. 100 metra rrugë do të mjaftonin. Por edhe 10 goma rezervë të makinave të luksit bëjnë punë... (Arian Leka)

____________________

 

"Poeteka" e ka bërë këtë rrugë e vetme prej më shumë se 10 vitesh ekzistencë. Falë orientimit të duhur, por edhe përshtatjes me

nevojat e kohës dhe mbi të gjitha bashkëkohësisë së ideve. Dhe, vërtet, "Poeteka" ka meritën sesi askush e ka drejtuar me tematika prurjen e saj. Në përvjetore të caktuara kemi pasur prurjet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore; kemi pasur krahasimin e përkthimeve me origjinalin; të ashtëquajturën: e ndaluara në letërsinë shqipe - dossier Et'hem Haxhiademi, Robert Prifti, Jamarbër Marko, Visar Zhiti, Pano Taçi, Kasëm Trebeshina, Frederik Rreshpja; Fati i avantgardave letrare në globalizëm; Dialog mes fqinjësh në Ballkan; Meta(L)f(L)ora - fati i keq i lirikës në letërsinë e Realizmit Socialist e shumë e shumë tematika të tjera...

- Falë bashkëpunimit të gjerë dhe hapjes pa komplekse, POETEKA ka përfshirë rreth 8 mijë faqe botim dhe mbi 200 autorë, të cilët i kanë dhënë jo vetëm frymëmarrje por edhe gjeografi idesh dhe tematike "Poetekës". Një cak i mirë i saj ishte përfshirja në Eurozine, kurse sot, është vazhdimësia e punës. Kurse sfida mbetet mbijetesa, por më shumë se kaq apeli për krijuesit vendas për bashkëpunim dhe respekt të letërsisë së vendit...

- Mbase duket e thjeshtë, por është krejt e vështirë në mjedisin tonë të vogël, mbushur me gjoks-rrahës, kinse dhe megalomanë

pafund...

- Revista letrare "Poeteka" ka ardhur në ditët e fundit me numrin e saj të 40-të. Një histori e tërë, përgjatë të cilës, ajo ka përcjellë një larmi tematikash, por më shumë se kaq tema-linjash, një risi e këndshme në historinë e revistave letrare. Sot, ajo, është pjesë e EUROZINE, një rrjeti ndërkombëtar European periodikësh kulturorë... (Ben Andoni) 

_____________

 

Artikujt e plotë mund t'i lexoni në "Milosao" 14 gusht 2016

Total Pageviews