Shkrimtar në Rezidencën letrare
"POETEKA - Tirana in Between" - Maj 2017
Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between - 2017" gjatë muajit Maj mirëpret tregimtaren dhe kritiken letrare Jasna Dimitrijević.
Ky program mbështetet nga rrjeti europian për letërsinë dhe librat - TRADUKI, në të cilin marrin pjesë Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtajn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.
Prej një jave qëndrimi në Tiranë, ajo ka ndjekur veprimtaritë kulturore të kryeqytetit, është bërë pjesë e jetës urbane dhe e veprimtarive të ndryshme artistike.
Gjatë ditëve në vijim Jasna Dimitrijević do të përfshihet në lexime publike, do të japë intervista për mediet, do të jetë e ftuar për leksion në Universitetin e Arteve si dhe do të bashkëpunojë për projekte të ardhshme me përkthyesin Ben Andoni.
Jasna Dimitrijević (1979, Negotin, Serbi), ka studiuar Letërsi të Përgjithshme dhe Teori Letërsie. Ajo është kritike letrare dhe autore tregimesh të cilat janë publikuar në revista dhe antologji të botuara të rajonit tonë dhe Europës (Liceulice, Poučak o nizovima, Booksa, Beton, Ulaznica, Zarez, Beležnica, Novi kaos, Arteist, Urbani vračevi, Literatura, Lichtungen).
Tregimet e Jasna Dimitrijević janë shpallur fitues në konkurse të ndryshme të prozës së shkurtër (në Vranac, Beležnica, Ulaznica), ndërkohë që libri i saj me tregimeve "Prepoznavanja" (Recognitions, 2015) u botua pasi u shpall fitues i vendit të parë në konkursin e krijimtarisë në dorëshkrim, organizuar nga Biblioteka Karlo Bijelicki (Sombor), si dhe u përzgjodh në shortlist-ën e librave më të mirë që konkuronin për çmimin kombëtar Biljana Jovanović dhe Dušan Vasiljev (2015), e prej këtej më pas u bë fitues i çmimit Mirko Kovač për shkrimtarët e rinj ( në hapësirën e ish- Jugosllavisë).
Jasna Dimitrijević është bashkëorganizatore e konkursit të parë Biber, mbi tregimin më të mirë shkruar rreth pajtimit, konkurs i organizuar për tregimet e shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, malazeze, kroate dhe serbe. Ajo është bashkëhartuese e përmbledhjes shumëgjuhëshe me tregime të zgjedhura.