04 October 2017

Vladimir Vojinović - në Tiranë

Nga Arian Leka

 

Një ëndërrimtar zgjedh ecjen në vend të fluturimit

  

Tregimet nga Montanari të shkrimtarit Vladimir Vojinović, botuar në  Shkodër nga "Fiorentia", 2016, mbahen të lidhur mes tyre përmes aspekteve çehoviane mbi jetën dhe përgojimet e njeriut futur në këllëfin ballkanik, duke shfaqur sakaq larminë dhe vogëlsitë provinciale, jetën e shtirur, që fshihet pas shenjtërisë false, pikërisht siç është në tregimin "Ikona". Pra asgjë më pak se pamjet e asaj amze më madhe, që gëlon në jetën plot luftë, urrejtje dhe dashuri të ballkanasve.

Ky format jete vjen si përzierje e formave të një qytetërimi të ri. Ishte më i ftohtë se Lufta e Ftohtë që kaloi duke lë vraga, më e ashpër se luftërat ndëretnike, që i ndau njerëzit që deri asokohe nuk kishin patur kufinj mes tyre, që nuk kishin patur himne të ndryshëm, që nuk kishim njohur flamuj me simbole të tjerë, që kishin besuar se kishin të njëjtën gjuhë, që kishin krijuar të njëjtë kulturë të përbashkët, të njëjtin ekip përfaqësues dhe të njëjtën pasaportë.

Skizma politike, sociale, fetare e gjuhësore ishte futur midis tyre si një gërshërë jo për t'i bërë njerëz të tjerë, as njervz më të mirë, por për t'i ndarë në humbës dhe fitues, në të varfër dhe në të pasur. Këto shprehen qartë dhe haptazi në Tregimet nga Montanari.

Kjo "botë e re" u shfaq befas dhe i zuri të papërgatitur të gjithë personazhet që lexojmë në "Tregime nga Montanarit". Secili prej atyre që ndeshim ato proza ngriu aty ku u gjend.

Dikush ngriu në burg, dikush u shtang në rrugë, dikush tjetër ngeci në një festë. Dikush nga personazhet ngriu duke bërë kryqin, teksa mendoi një blasfemi, dikush duke bërë betim të rremë.

Dikush mes fletëve te librit nuk doli më dot nga ëndrrat që iu kthyen në makth, një tjetër ngeci në një post a në një vend ku nuk do të kishte dashur të ndodhej, duke përfytyruar karrierë në bankë e dikush, edhe pse dëgjoi haré dasme, kishte tinguj funebër në shpirt. Një tjetër mbeti në një zyrë e dikush u shtang, duke menduar se çfarë do të ishte më mirë: – të bënte shkencë apo tregti (!?).

Vendimet ishin marrë.

Të gjithë ata kanë ngecur brenda këtij qytetërimi. Nuk lëvizin dot më prej tij edhe pse e kuptojnë se ai qytetërim ruan ndaj tyre vetëm dy ndjenja: shpresa të kota dhe mëshirë. Kjo është pakashumë galeria e personazheve të Vladimir Vojinović-it.

Në këto tregime është një përzierje e jetesës në kushtet e shpresës së humbur, një mënyrë të jetuarit të dyfishtë, siç ndodh në shtetet ballkanikë multiklturorë dhe multietnikë, ku gjithçka sillet mes besimit pagan, ndërthurur me interesin ndaj zotërve të rinj politikë.

Është kjo që i bën të dallueshëm edhe nga larg këta personazhe levantinë të Vojinović-it, që u shmangen detyrimeve dhe që nxitojnë t'i largohen jetës që bëjnë, pa ngulmuar ta ndryshojnë atë.

Por ndërkaq kjo galeri përfaqësohet nga njerëz të thjeshtë, të zhveshur nga pushteti dhe përgjegjësitë e tyre, janë thjesht njerëz në punë dhe në hall të vet, që  detyrohen të bëjnë luftë për fitore të vogla. Kështu i ndeshim edhe në tregimin "Demantet".

Ngjajnë si mbetje të jetës, si njerëz që idealizojnë madje edhe burgun, që krijojnë idhujtari ndaj proletarëve të qelive dhe filozofëve të "universiteteve të jetës" dhe që ngatërrojnë mjaltin me mutin, suksesin me dështimin, ikjen me qëndresën, siç ndodh në tregimin "Ikja" apo në prozën "Tregimi i Vitit të Ri". Gjendet te këta njerëz diçka nga afmosfera e filmit Birdman of Alcatraz, me Burt Lancaster dhe John Frankenheimer, ku të burgosurit e vërtetë dhe të burgosurit në atë formë të ngurtë jete çfarë nuk sajojnë për te thyer monotoninë. Disa prej tyre madje, njëlloj si birdman kërkon të shkruajë një libër dhe ëndërron ta quajnë gjeni. Ato personazhe janë të dënuar të kalojnë nga një formë burgu i sigurisë së lartë, në formën e burgut të jetës që nuk ofron siguri.

Ky lloj sjelljeje i bën ata të duken edhe komik, teksa e fshehin dramën e vet.

Por në thelb të krijohet përshtypja se prozat e këtij libri kanë vetëm një personazh- nomadik. Ai është arketipi që shtegton duke kërcyer nga tregimi në tregim, duke na shfaqur gjendje të shumta të të njëjtit portret.

Herë është i humburi, herë është plot shpresa, herë është një tuhaf, një gjynahqar dhe një ëndërrues që në vend të lakmojë fluturimin, zgjedh ecjen brenda së ardhmes së karrierave të mbyllura.

Njollat e jetës së dikurshme, krimet dhe fajet e pandëshkuara, jeta dhe varri, gota e zbrazur me shokë dhe fishekzjarrët e festave boshe në familje dhe në qytet. Është rekuizita shoqëruese e asaj që të mbetet në mendje kur prozave të mësipërme u shton edhe leximin e tregimit  "Ëndrra" apo të tregimit "Refleksion".

Megjithse autori përdor disa herë edhe gjuhën alegorike, madje edhe stilin relatues-eseistik, atmosfera dhe ndikimi i fakteve reale të një jete të zbrazur, por njëkohësisht të vrazhdë e të kotë, ndihet.

Personazheve u duhet të kalojnë përmes ndryshimeve që nuk i kishin çuar as nëpër mend, i duhet të jetojnë ndryshimin e sistemeve. Dhe sistemi, siç besonte Niklas Luhmann, pulson pak a shumë duke krijuar vazhdimisht tepricë dhe përzgjedhje. Është e qartë. Personazhe të tillë janë gjithmonë përzgjedhje dhe jo tepricë.

Njerëz të tepërt, që nuk i hyjnë askujt në punë, veç letërsisë.

Këtyre personazheve u duhet të bejnë restart, të riformatohen. Për të mbijetuar u duhet të deformojnë karakteret. U duhet të marrin vendime të padrejta, të bëjnë zgjidhje të gabuara.

Jo për t'ia dalë jetës, por që të vazhdojnë tranzicionin.

Ky tipar i të qenit tranzit, përveç aspekteve të njeriut në këllëfin ballkanik, është një tjetër fill-bashkues për tregimet e librit "Tregimet nga Montanari" të shkrimtarit malazez Vladimir Vojinivić. Ky fill i bashkon subjektet dhe personazhet e prozave të sipërcituara me tregimet "Tranzicioni", "Hotel Grand" dhe "Montanaro jazz".


http://www.mapo.al/2017/09/nje-enderrimtar-qe-zgjedh-ecjen-ne-vend-te-fluturimit/1

 

Total Pageviews