30 September 2018

Sandra Hoffmann në rezidencën letrare POETEKA Tirana in Between

Shkrimtarja e njohur gjermane Sandra Hoffmann mbërrin në Tiranë, falë bashkëpunimit mes Goethe-Zentrum Tirana dhe POETEKA. Kjo romanciere e suksesshme do të bëhet pjesë e muajit të veprimtarive "Tetori Gjerman", i cili këtë vit zhvillohet nën moton "Frymëzuar nga njerëzit".


Në kornizën këtyre veprimtarive shkrimtarja Sandra Hoffmann do të bëjet pjesë e leximeve publike në Tiranë dhe në Shkodër, do të përfshihet në jetën kulturore të kryeqytetit, do të japë intervita dhe do të kryejë udhëtime për njohjen më të mirë e më të thellë të realitetit shqiptar.


Gjatë kohës së qëndrimit të saj në Shqipëri do të botohet gjithashtu edhe romani "Paula" i Sandra Hoffmann-it, përkthyer në gjuhën shqipe nga Sokol Mici. Ky roman i shtohet gjerdanit të botimeve nga letërsia bashkëkohore europiane të "Botimeve "POETEKA".


Romani "Paula" është vlerësuar me Çmimin Hans Fallada, 2018. Aty rrëfehen histori familjare-autobiografike, ndërkohë që teksti i romanit është shkruar "me intensitet të dhimbshëm", siç thuhet në deklaratën e jurisë dhe ofron "një pjesë prekëse të historisë bashkëkohore, në të cilën autorja ndërthur realitetin dhe fiction".


Paula" është një vepër e mirëpritur nga kritika letrare e cila, mes të tjerash, ka shkruar: "Është një tekst i pasur! I pasur me figura, tragjikë dhe guxim, i pasur me gjetje dhe me trillime, i pasur me tmerre dhe ngushëllime, zgjuarsi dhe ndjenjë." (Alissa Walser.) 


Për romanin e saj "Çfarë do t'i mungojë kur të vdesë" (2012) Sandra Hoffmann u vlerësua me Çmimin Thaddäus Troll.


Pjesë e programit të Sandra Hoffmann-it në rezidencën letrare do të jenë edhe takime me studentë të Departamentit të gjermanishtes pranë universitetit të Tiranës, të interesuar veçanërisht në letërsinë bashkëkohore gjermane dhe në atë që është përkthyer në gjuhën shqipe.


Sandra Hoffmann (1967) studioi për Letërsi, Studime Mesjetare dhe Studime Italiane në Universitetin e Tübingen-it, ku mbrojti masterin. Prej vitit 1998 deri në vitin 2002 ajo ka qenë asistente e hulumtimit shkencor pranë Katedrës për Letërsi Krahasuese në Tübingen. 

Që prej vitit 2003 ajo jeton si shkrimtare në profesion të lirë. Në vitin 2004 ajo mori pjesë në konkursin letrar Ingeborg Bachmann në Klagenfurt. Prej vitit 2010 është pedagoge në Qendrën për Studime të Aplikuara Kulturore dhe Studiume të Pëgjithshme pranë Institutit të Teknologjisë në Karlsruhe. Sandra Hoffmann jeton në Mynih.

Total Pageviews