28 September 2019

ROBERT MENASSE dhe ARIAN LEKA, një bashkëbisedim mbi Europën dhe letërsinë

Pasditja e datës 26 shtator 2019 mblodhi miq të Klubit të Leximit të Letërsisë Gjermanishtfolëse të cilët, për rreth një orë e gjysëm ndoqën bashkëbisedimin e shkrimtarit austriak Robert Menasse dhe shkrimtarit shqiptar Arian Leka.

Veprimtaria u zhvillua në sallën gjermane të leximit, pranë Bibliotekës Kombëtare. Përveç pjesëmarrësve të shumtë, në takim morën pjesë dhe mbajtën fjalë përshëndetëse edhe Shefi i Misionit në Ambasadën Austriake Dr. Christian Steiner dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Z. Piro Misha.

Tema të bashkëbisedimit ishin Europa dhe Bashkimin Europian, vështruar në optikën e një prozatori, që jetoi 4 vjet në Bruksel, brenda dhe pranë zyrave ku janë marrë dhe vazhdojnë të merren vendime mbi të tashmen dhe të ardhmen vendeve anëtare dhe kandidatëve, ashtu siç paraqiten në romanin „Kryeqyteti" të shkrimtarit Robert Menasse, vlerësuar si "Libri më i mirë në gjuhën gjermane për vititn 2018".

Kësaj tematike qëndrore të bashkëbisedimit iu bashkuan edhe tema të tjera si ajo e shkrimtarëve "misionarë", të cilët udhëtojnë për të hetuar se si po shkon bota e sotme, Europa kryesisht, siç dikur kanë bërë edhe Robert Mussil, Stefan Zweig, Karl Gauß apo edhe Joseph Roth i cili, kur vizitoi Ballkanin dhe Shqipërinë e vititt 1927, mes të tjerash shkroi: "Vend i korruptuar, të shkolluarit nuk dëgjohen!?"

Interes të veçantë në këtë takim ngjalli edhe çështja mbi drojën e ringjalljes së "demoneve austriakë" si dhe përballjen me të kaluarën e Austrisë, që ka preferuar të quhet viktimë e parë e pushimit/aneksinit, sikur të mos kenë ekzistuar kurrë bashkëpunëtorët e diktaturave.

Kjo tematikë u zhvendos edhe në kontekstin shqiptar, ku shoqëria nuk e ka kryer ende ndarjen me të kaluarën dhe duket jo fort e interesuar të veçojë viktimat nga fajtorët dhe dëshiron ta mbyllë këtë kapitull të palavdishëm thjesht me anestezinë e përkujtimit të ngjarjeve përmes organizimit të disa shfaqjeve artistike në vendin e krimit, në burgje e kampe, njëlloj si "festa me tematike nga Aushvici", me rastin e 50 vjetorit të Komisionit Europian, njëlloj siç ndodh edhe në romanin "Kryeqyteti" të Robert Menasse-s, si për ta shndërruar tragjedinë në parodi.

Debat zgjoi edhe trajtimi i çështjes së "shthurjes dhe zhbërjes" ku, përtej veç sloganeve "të bashkuar në diversitetet tona", Bashkimi Europian, nga një projekt i përbashkët për shmangur gabimet dhe tmerret e së kaluarës së afërt të kontinentit, rrezikon të marrë format e "një projekti burokratik", që e shndërron idenë e etërve themeltarë në një luftë mes pragmatistëve dhe ëndërrimtarëve.

Robert Menasse iu përgjigj pyetjeve të Arian Lekës lidhur me me se çfarë do të thotë të ushqesh ëndrrën e një bashkësie kombesh europiane pasi janë bërë parashikimet mbi dështimin e projektit, kur Britania, një nga instrumentistët me peshë të "filarmonisë europiane" e ka brantisur orkestrën për të luajtur solo, kur Italia e këtyre viteve të fundit nuk e shpalos më "të mirënjohurin humanizëm europian", kur Portugalia e Spanja dhe Greqia duket sikur vetëm prodhojnë kriza dhe shtojnë barrat ekonomike, kur Hungaria dhe Polonia duan grantet e mirëqenies europiane, por jo edhe dorëzimin e autoritarizmit dhe neo-nacionalizmit të tyre e kur pro-europianistë të pakushtëzuar duket sikur kanë mbretur vetëm në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor.

Bashkëbisedimi preku edhe tema letrare, si formimi prej prozatorëve të mëdhenj europianë si Dickens, Èmile Zola, Balzac, Hugo, apor edhe autorë të Amerikes Latine, të cilët kanë ndikuar në krijimtarinë e Robert Menasse-s dhe nevojen e shkrimit dhe leximit të romaneve të llojit të "komedisë njerëzore" kur, paradoksalisht, bota lexon gjithmonë e më pak në mënyrë të thelluar, si të pohonte tezat e shkollës së mendimit kritik të Fraknfurtit, të Adorno-s dhe Markuse-së mbi nevojat e rreme, kënaqësitë sipërfaqësore që krijon konsumerizmi, të cilat janë bërë normë në Europën perëndimore të shekullit XXI.

Ardhja e shkrimtarit Robert Menasse në Rezidencën Letrare "POETEKA - Tirana in Between" u bë e mundur falë ftesës dhe bashkëpunimit me Ambasadës së Austrisë në Tiranë dhe mbështetjen e Reiffeisen Bank.

Total Pageviews