06 July 2020

ARIAN LEKA: Hartë Memece për të mbyturit

Në librin e Arian Lekës "Hartë Memece për të mbyturit", poezisë, që është lënda kryesore e përmbledhjes, i bashkohen zhanre e teknika të larmishme shkrimore, si kronika, ditari e proza poetike. 


Këto shoqërohen gjithashtu edhe me teknikën factfiction, që sjell ndodhi nga jeta e autorit apo e njerëzve të njohur prej tij, në të cilat, faktet kalojnë përmes mënyrës se si autori i ka parë ato dhe ka komunikuar me to në një dialog të heshtu e intim. Brenda këtyre gjenden esse dhe fabula tregimesh shkruar në vetën e parë, formë ligjërimore kjo që e shton praninë e zërit intim dhe lidh më fort poezinë me pjesët në prozë. 


"Hartë Memece për të mbyturit", që ka sërish fokus detin – epistemë e Arian Lekës  tanimë – të mbyturve historikë dhe aktualë në Adriatik e Jon, në Mesdhe, në Mare Nostrum/në Detin Tonë, por edhe atyre që, edhe pse janë ende gjallë, janë mbytur së paku një herë të vetme në jetë: në borxhe, në lot, në punë a në faj, nga gazi në kampe, nga pluhuri në rrugë, nga pikëllimi i thellë, mbytur nga malli, mbytur në gjak, mbytur me një pikë ujë apo mbytur nga shtëngimi i kopsës së jakë. 


Qoftë në poezi ashtu edhe në tekstet e tjera që e shoqërojnë poezinë, autori nuk është ndaluar vetëm te Deti–si MUNDËSI apo te Deti–si PENGESË që, nga rrugë komunikimi mes kulturave u shndërruan në ndërprerje, duke u shndërruar Detin në një kombinat të prodhimit të tragjedive të reja dhe të tragjedive, kur besohej se tragjeditë mund t'i shohësh vetëm mbi skenat e teatrove e jo në jetë. 


Përmes përdorimit të gjuhës metaforike, metonimisë e simbolit, autori dekonstrukton mitin e detit heterotipik, që lag Durrësin dhe detet e Shqipërisë (fu)turistike, duke na sjellë përballë pamjet e vrazhdta të një deti që fle në të njëjtin shtrat me trafikantët. Për t'i sjellë më të qarta këto pamje të pashkyeshme autori ndryshon mjetet e shprehjes dhe përdor një instrumentar të drejtpërdejtë.  


Realitetit të Shqipërisë së izoluar nën diktaturë i vihen përballë pamjet e realitetit tëri,  të cilat bëjnë që deti t'i ngjalë një kampi përqendrimi në shekullin XXI, në të cilin nuk izolohen më hebrejtë dhe komunistët, por të varftërit e Mesdheut, të pashpresët dhe njerëzit pa mbrojtje. 


Skajet e lirisë për ata që i jetuan të dy kohët janë kufizuar në dy: "i mbyllur" (në diktaturë) ose "i mbytur" (në shoqëritë neoliberale e autokratike, ku jeta e individit kontollohet dhe është nën mbikëqyrjen e plotë të shtetit dhe njerëzve të zgjedhur e të pëlqyer prej tij.  


"Hartë Memece për të mbyturit" nuk kufizohet vetëm brenda "detin etnik" dhe  nuk sjell në kujtesë vetëm "ritualet e puberttit e të adoleshencës", ku dëshira për arrati është thelbësore e shpesh ngatërrohet me rebelimin a ndjenjën kundërshtare përballë regjimit. 


Harta e të Mbyturve del jashtë kufive të "detit shqiptar" dhe, përmes këtij patchwork-u teksturash plot trille, ofron pamje të çrregullta e të qëndrueshme të vendeve të Mesdheut, të prekura nga luftërat, konfliktet dhe emigracioni i injerëzve të pashpresë që, në vend të një Europe pune, një Europe- shtëpi a të një Europe si Disney Land, gjetën një varr masiv nën det.


Në këtë vepër dialog poetik e filozofik mbi shoqëritë e djeshme e të sotme, që e shfrytëzuan dhe e shpërdoruan Detin, vend të rëndësishëm  zë jo vetëm teksti, por edhe parateksti. Ky paratekst e pasuron poezinë me interpretime vetiake mbi faktet që lanë shenjën e tyre në jetën dhe përjetimet e autorit, vendlindjes së tij dhe të Shqipërisë që falë propagandës dhe ideologjisë zuri në hartë një vend më të gjerë sesa territori. 


Përdorimi i paratekstit në formën e hyrjeje, mbylljeve,shënimeve, shpjegimeve apo referencave ofrojë një pasuri të rrallë informacioni të qëmtuar me kujdes e në  shumë burime historike, filozofike e letrare, që nga Eposi i Kreshnikëve, te autorët e vjetër të gjuhës shqipe, referuar tematikës së detit, eksodeve, emigrimeve e mbytjeve në det e deri te shkrimtarët, filozofët e filologët bashkëkohorë. 


E gjithë kjo energji krijuese i përcillet lexuesit, duke i dhënë veprës vlerën e një libri    që, përveç kredhjes në një det poetik, të krijon edhe ndjesinë e "zhytjes" në një "det leksikor".

_______________

Autori: Arian Leka

Titulli: Hartë Memece për të mbyturit

Shtëpia botuese: Botimet POETEKA

Viti i publikimit: 2019

ISBN: 9789928230355

Numri i Faqeve: 184

Çmimi: 1000 lekë

Total Pageviews