Fituesi i parë i bursës për qëndrim një mujor në Rezidencën e Shkrimtarëve "Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA, është shkrimtari Petar Denchev. Ai do të qëndrojë në kryeqytetin shqiptar gjatë muajit qershor 2022.
Ai është prozator, poet, regjisor teatri, studiues dhe publicist nga Bullgaria. U diplomua për regji skenike në vitin 2010, pranë Akademinë Kombëtare të Arteve të Teatrit dhe Filmit në Sofje dhe më pas përfundoi edhe Programin Master për Artet Teatrore (2017). Në vitin 2021 Petar Denchev mbrojti tezën doktorale me titullin "Hapësira në shfaqjen teatrale" (Akademia e Shkencave të Bullgarisë - Instituti i Studimeve të Artit).
Gjatë vitete 2007-2021 Petar Denchev ka shkruar katër romane, "Siç një burrë puth gruan që do" (2007), "Dielli i heshtur" (2012), "Zoti i vogël i tërmetit" (2019) dhe "Kthimi" (2021) , për të cilin është vlerësuar me çmime letrare.
Ai është gjithashtu autor i përmbledhjes me tregime "Tregime në të shkuarën " (2011). Vepra letrare e Petar Denchev është përkthyer në anglisht, gjermanisht, maqedonisht, sllovenisht, serbisht dhe farsi. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare për letërsinë, përfshi edhe një dorëshkrim romani, për prozë të shkurtër dhe disa çmime për poezie.
Si regjisor ai ka vënë në skenë shfaqje në pjesën më të madhe të teatrove kryesore bullgare, duke përfshirë vepra të Anouilh, Dreyer dhe Euripidi, Edward Albee, Marc Crehuet, Sarah Ruhl, Maja Pelević, Alejandro Jodorowski.
Gjatë periudhës 2017-2018 ka qenë dramaturg në teatrin shtetëror në Varna dhe, që nga viti 2020 është regjisor i Teatrit Dramatik Shtetëror "Stefan Kirov", Sliven.
Petar Denchev është gjithashtu lektor i ftuar për regjinë teatrore në Akademinë Kombëtare të Arteve të Bukura në Sofje.
Rezidenca letrare për shkrimtarë e përkthyes "Tirana in Between", funksionon që nga viti 2013. Falë bashkëpunimeve me Tradukin dhe Creative Europe të BE-së, si programet Reading Balkans, Translation in Motion, si dhe me Ambasadën e Gjermanisë, Goethe Zentrum, Ambasadën e Austrisë dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, për më shumë se një dekadë, duke mirëpritur 48 shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e BE-së kanë vizituar kryeqytetin shqiptar si miq në rezidencën letrare "Tirana in Between", organizuar nga POETEKA ndër vite.