06 July 2022

Adina Popescu në rezidencën letrare POETEKA Tirana in Between.

Shkrimtarja  dhe regjisorja Adina Popescu është fituesja e dytë e bursës për qëndrim në Rezidencën e Shkrimtarëve "Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA. Ajo do të qëndrojë në kryeqytetin shqiptar gjatë muajit qershor 2022.

E lindur në Bukuresht të Rumanisë, në vitin 1978, Adina Popescu u diplomua për regji filmi. Ajo e filloi punën si gazetare kulturore që në moshën 18 vjeçare, duke shkruar për revistën "Dilema Veche", që është një nga botimet më të rëndësishme të Rumanisë përsa i përket analizimit të jetës sociale, politike dhe kulturore.

Libri i parë i botuar prej Adina Popescu-t ishte libri për fëmijë, me titull "Vetëm një fluturim mbi botë", duke e dëshmuar që herët interesin e saj për këtë zhanër të letërsisë. Ky botim u pasua nga libra të tjerë, kryesisht me tregime të shkurtra komike. Në vitin 2015 Popescu botoi "Tregime nga Calea Moşilor", një libër i shkruar fillimisht për të rritur, por që grishte edhe fëmijët për të gjetur një makinë kohe e për të kryer një udhëtim përgjatë viteve 1980, në regjimin komunist.

Libri "Historia sekrete e vendit të vampirëve", shkruar nga Adina Popescu është një trilogji e zhanrit të letërsisë fantastike, që fitoi "Trofeun Arthur" në konkursin letrar kombëtar rumun. Libri i parë i kësaj trilogjie, kishte sukses të madh dhe u shit në një tirazh me mbi 15.000 kopje. Libri i dytë i trilogjisë u botua ë vitin 2019, ndërkohë që i treti është ende në proces .

Shkrimi i kësaj trilogjie kërkoi prej autores rreth 10 vjet punë por, ndërkohë, Adina Popescu botoi edhe disa libra të tjerë, mes të cilëve vëllimet "Pritja" - tregime të shkurtra për të rritur (Herg Benet, 2018) dhe "Pse rumunët nuk janë si gjermanët?" (Curtea Veche, 2019) – një libër ky i shkruar në bashkëpunim me shkrimtarin gjerman Jan Cornelius (i përkthyer dhe botuar edhe në gjermanisht, Weisar Verlag, 2021.)

Libri më i fundit i Adina Popescu-t "Festa po vjen me tren nga Franca" (Editorial Art, 2022) është një radiografi e detajuar e pushimeve socialiste në vitet 1980 në Rumani. Ky është një "libër familiar", që mund të lexohet nga fëmijët së bashku me prindërit e tyre, që fëmijërinë e kaluan në regjimin komunist.

Adina Popescu është gjithashtu autore e "Manuali i Rryshfetit" − raporte hetimore mbi korrupsionin e vogël, pjesë e lëvizjes "Mos jep ryshfet!" fushatë kjo e financuar nga Programi PHARE-Shoqëria Civile. Aktualisht ajo është redaktore e lartë në "Dilema Veche", për të cilën shkruan editoriale javore dhe bën filma dokumentarë. Artikujt e shkruar nga Popescu janë vlerësuar me çmime të rëndësishme, një prej të cilëve është Çmimi i OKB-së për mass-mediat.

Rezidenca letrare për shkrimtarë e përkthyes "Tirana in Between", funksionon që nga viti 2013. Falë bashkëpunimeve me Tradukin dhe Creative Europe të BE-së, si programet Reading Balkans, Translation in Motion, si dhe me Ambasadën e Gjermanisë, Goethe Zentrum, Ambasadën e Austrisë dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, për më shumë se një dekadë,  duke mirëpritur 49 shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e BE-së kanë vizituar kryeqytetin shqiptar si miq në rezidencën letrare "Tirana in Between", organizuar nga POETEKA ndër vite.

 

#traduki

#writersINresidence

#poeteka

www.traduki.eu

www.facebook.com/traduki.eu

 

 

Total Pageviews