Shkrimtari Arian Leka botohet në "Neuma", njëra nga revistat letrare më të vlerësuara në Rumani. Shkrimi "UN ALEF LA ZAGREB" është pjesë e rubrikes 'Eveniment' / 'Shkrimtarët e botës / (Nr. 9-10 (83-84) | 2024, fq. 33-37). Teksi u përkthye nga anglishtja prej autores së mirënjohur Ioana Diaconescu e cila, në shënimin hyrës, shkruan: "Arian Leka është një nga shkrimtarët më thelbësorë shqiptarë, me një personalitet artistik të hapur ndaj kulturës europiane, letërsia e të cilit përmban shenjat e përsosjes stilistike, gjithnjë në kërkim të kuptimit të fjalës dhe përdorimit të saj pa artificialitet.
Poezitë e Arian Lekës, të lidhura me një muzikalitet tronditës, janë të ngjashme me instrumentet e së njëjtës orkestër, që interpreton një simfoni të vetme (apud Liliana Qafa).
I njohur në Rumani vitet e fundit përmes përkthimeve të poezisë së tij, eseve dhe shënimeve magjepsëse të udhëtimit, Arian Leka është laureat i çmimit prestigjioz "Tudor Arghezi", me të cilin u kurorëzua në vitin 2022, si vlerësim për një karrierë të gjatë letrare. Ai është i vlerësuar edhe në Europë përmes përkthimeve të poezive të tij në disa gjuhë të huaja.
Në shënimet e udhëtimit, që ai më dërgoi së fundmi, unë gjeta poetin dhe muzikantin, njoha bujarinë, dashamirësinë, humorin e mjeshtrit, informacione të panumërta për kulturën, gjeografinë, historinë dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, profesionistin e jashtëzakonshëm si shkrimtar. Me kënaqësi ia besoj këtë risi letrare revistës "Neuma" dhe lexuesve të saj."
Foto: Johan Berr (Süddeutsche Zeitung)