Gjatë muajit tetor 2025 shkrimtarja dhe analistja austriake Theresia Töglhofer do të qëndrojë në rezidencën letrare "POETEKA - Tirana In Between", si fituese e bursës për autorë e përkthyes letrarë dhe si pjesë e bashkëpunimit kulturor që POETEKA ka prej vitesh me Ambasadën e Austrisë në Tiranë.
Theresia Töglhofer është specializuar në politikën e jashtme dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ajo ka studiuar Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Graz e Paris dhe ka punuar në Beograd, Bruksel, Vjenë, Osijek e Berlin. Romani i saj i parë, "Tatendrang" u botua në vitin 2024 nga shtëpia botuese Residenz Verlag.
Ajo është vlerësuar me disa çmime dhe nderime letrare, përfshirë Çmimin e Jurisë për Prozë në edicionin e 23-të të Open Mike (2015), një bursë nga Kursi i Letërsisë në Klagenfurt (2017), pjesëmarrjen në Workshop-in e Shkrimit të Fondacionit Jürgen Ponto (2019), si dhe një nominim për Çmimin Wortmeldungen për Zëra të Rinj (2023).
Gjatë qëndrimit të saj njëmujor në rezidencën shqiptare Töglhofer do t'i përkushtohet krijimtarisë letrare dhe do të marrë pjesë në aktivitete publike - lexime autori, bashkëbidesime apo veprimtari letrare në Tiranë dhe Shkodër — të organizuara nga POETEKA në kuadër të Javës Kulturore Austriake 2025.
Në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Shqipëri, POETEKA ka sjellë prej më shumë se një dekade në Tiranë autorë, përkthyes e artistë të shumtë, si Robert Menasse, Erwin Einzinge, Christian Thanhauser, Ilir Ferra, Laura Freudenthaler, Evelyn Bubich si dhe ka realizuar programe të larmishëm kulturorë, si PostCard: "From Austria With Love", Festivali DADA, etj.
POETEKA - Tirana in Between është një nga projektet kryesore të shoqatës POETEKA, përmes së cilës realizohet Programi Rezidencial për Shkrimtarë, Përkthyes Letrarë dhe Artistë. Që nga themelimi i saj, në vitin 2013, kjo rezidencë pritur më 61 shkrimtarë, përkthyes letrarë dhe artistët, duke u bërë një hapësirë unike në Shqipëri për shkrimtarët, përkthyesit dhe artistët e vendeve të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Programi "POETEKA - Tirana in Between" është zbatuar në kuadër të projekteve "Reading Balkans" dhe "Translation in Motion" të bashkëfinancuar nga TRADUKI, rrjeti europian për letërsinë dhe librat dhe Programi i "Europës Krijuese" të Bashkimit Evropian, si dhe nga Ambasada. të Gjermanisë, Goethe Zentrum Tirana, Ambasada e Austrisë dhe më hershëm edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Së fundmi, "POETEKA - Tirana in Between" është përfshirë në Hartën e Rrjetit Europian të Rezidencave të Përkthimeve Letrare (RECIT – Réseau Européen des Centres de Traducteurs).