SONTE: 31 korrik 2026, ora 20:00, në shëtitoren “Taulantia”, Durrës, shkrimtari Arian Leka, regjisorja Driada Dervishi dhe Klubi i Librit "Gjergj Vlashi" ju ftojnë në një mbrëmje ku poezia e librit “Hartë memece për të mbyturit” bëhet dëshmi, kronika - aktakuzë, ku kujtesa ka emër dhe deti i shqiptarëve zë vend mbi skenën e madhe të fatit njerëzor.
Pyetjes "Pse ikëm atëherë?" i kemi dhënë tashmë njëfarë përgjigje. E sistemuam në analiza, në statistika dhe, herë pas here, e shpallëm të zgjidhur - ose të paktën kështu na pëlqen të besojmë. Tani na mbetet të përballemi me pyetjet që vazhdojnë të na përndjekin: "Pse vazhdojmë të ikim? Çfarë na largon nga vendi ynë? Ikim, apo na dëbojnë?"
Arian Leka - një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare - vjen në qyetin e Durrësit me universin e tij poetik, aty ku fjala, deti, kujtesa dhe historia ndërthuren në një performancë të ndjerë, me fuqinë e fjalës artistike.
Shkrimtar, studiues i letërsisë dhe profesor universitar, Leka ka ndërtuar një krijimtari që kalon përtej kufijve të zhanreve, duke bashkuar poezinë, prozën, esenë, kronikën, dokumentin dhe reflektimin filozofik.
Pas suksesit në Tiranë e në disa skena teatrore të Europës, si në Berlin, Këln, Helsinki, Vjenë etj., vepra “Hartë Memece për të Mbyturit” dhe poema Auschwitz detar", e përkthyer në 12 gjuhë të botës - kthehet në vendlindjen e poetit, në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, për të risjellë në kujtesë ata që deti i mbuloi me heshtje e dallgë, por jo me harresë