(Gjakovë 28 Gusht, 1942 / Lodeve 21 Korrik, 2012)
Tristan Sherifi © Poeteka
|
Unë, biri yt Kosovë
Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.
Ura e Artës
Ti na qenke ajo ura që në heshtje të vdekshme
Të kohëve të serta kënduar të ka im atë
Bjeshkëve të Namuna e krahasuar me Urë të Shenjtë
Urë moj Urë e Artës
Deri të guri yt i latuar nga mjeshtrit epirotas
Udhë bëra vite e vite
Po Hamzë Podrimja nga Gjakova ku arriti
Urë moj Urë e Artës
Lumit tim sa vjet i duhen
Nëpër ty të kalojë me një lulëkuqe në dorë
Apo historia jonë shtangu në sqep korbi
Urë moj Urë e Artës
Me një krah në qiell me tjetrin në mishin tim
(Artë, 1986)
Një dru digjet në fushë të shurdhët
(mn)
Ti je një bishë e vogël e llastuar e llahtarshme
Një macë e egër që vetëm grith në murin e
padukshëm
Ti je një tmerr që të ka dërguar djalli në
planetin tim
Të rri zgjuar mbi të keqen mbi ferrin
Fatkeqësi që mund të ketë edhe emër
Ajo që nuk bën të jesh
Nëpër malin tim të prerë kërkoj udhën time të humbur
ku do vritem apo dal fitues
Por ti je ore një bishë e urtë dukat
Nën këmbët e zbathura mban edhe malin nën frerë
dhe gjahtarët i shastis
me zërin tënd
që bashkon Ujë e Zjarr
në një shuplakë të gurtë
Dëgjo, bishë e maleve të Arbërisë je Ti
Ku sëpatë e mjeshtrit
nuk di ç’pret e ç’gdhend nga trupi yt i
qelibartë
nuk di ç’mbledh e hedh
se gjithçka fillon e përfundon me ritmin
tënd që dikton
Udhëtimi yt mbyllet me klithma me ardhjevajtje
marramendëse me humbje
Ku rrënohet harmonia jote
Shtanget dora ime
se këmbë të reja më qite
hije që robëron një planet që shkakton
katastrofa
Digjet një dru e sheh në fushën e shurdhët
të dëborës së Bjeshkëve të Nemuna
Lutje për Kosovën apo nën lëkurën tënde
të tejdukshme
ajo që vdes mes brigjeve pikëlluese
Bishë e vogël e llastuar e llahtarshme mbyllesh
në fundin tim të marrë
Pret Ujin e Vdekjes të na shpëlajë
nga të gjitha mëkatet e uratat për zotin
nuk e patëm