01 March 2016

......mbi gotat me verë / si një puthje intime: Gëzuar! Gëzuar, ditëlindja ime!

1 MARS - XHEVAHIR SPAHIU

 

 

TE "GUVA"

 

Pi me ditën time te "Guva".

 

Gurët një dritë të fshehtë lëshojnë

të ndriçojnë terrin brenda meje.

 

O shtjellë e ngurosur:

Pranë Orës së qytetit të absurdit,

ma shuaj këtë etje burri.

 

Rrëkëllej kujtime.

Çikënganjëçikë.

Një gllënjkë, një vit.

 

Pi me një gotë antike

kapërthyer nga gjarpri.

A thua me të të ketë pirë Homeri?

A ta kete mbushur Baku vete?

Një gotë verë:

hardhi Ilirie – kokolobo, baliska, serini.

Gëzuar!

Vete e djeshme, e sotme, e tejshme.

Gëzuar!

Dy duar, dy buzë, dy gjethe ulliri.

Gëzuar!

Mes gurëve

sytë e Papa Vojtilës

si puse të thellë;

humboj,

pres të rrahin krahët pëllumbat

në shpellë.

 

Mu në mes të Tiranës, qytet i absurdit.

 

Hesht siç dinë të heshtin shpellat, shpella.

Asnjë Amaltea.

 

Për pakëz tambël mbi buzët e çara,

të merrte arratinë shtara.

 

E dini? Si s'e dini.

Nga shpella në shpellë udhëton njerëzimi.

 

Pika e gjakut rrëzohet

nga zemra në humbellë,

gurët si gurë Sizifi mbi krye.

 

Dashamiri zgjat duart

mos na bjerë guri mbi kokë,

si Pirros.

 

Ki mëshire, o grua botërore.

Na hidh ca fletë trëndafili,

në vend të gurit

mbi gotat me verë.

 

Si një puthje intime.

 

Gëzuar!

Gëzuar, ditëlindja ime.

 

1 mars 2004

Total Pageviews