22 August 2017

MAPO: Një zë i vrazhdë e sfidues nga Kosova - Shpëtim Selmani - POETEKA TIRANA IN BETWEEN

Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between", që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit europian për letërsinë dhe librat Traduki, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendës dhe ka ftuar për qëndrim njëmujor 32 shkrimtarë dhe përkthyes nga rajoni dhe Europa. Ky program mirëpriti gjatë muajit gusht autorin nga Kosova Shpëtim Selmani.

I vendosur në kohën e tij, Shpëtim Selmani shfrytëzon të gjitha mjetet e ndjeshmërisë individuale duke tërhequr vëmendjen si një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar në Kosovë. Ndoshta për këtë brez s'është e lehtë të thyhen kanonet e letërsisë, por Selmani si duket ka ndryshuar rregullatorin personal të arkitekturës krijuese. 

Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë por luan edhe në teatër. Me këtë përballje të re, ky autor është përzgjedhur nga Poeteka – Tirana Between të jetë në programin e rezidencës për muajin gusht. I cilësuar si një zë i vrazhdë, i thellë e sfidues për individin dhe kolektivin përmes të cilave Selmani realizon katarsisin për lirinë e shprehjes

I lindur në Kosovë, 1986, Shpëtim Selmani ka studiuar sociologji në Universitetin e Prishtinës, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë dhe luan gjithashtu në teatër. Më 2006 Shpëtim Selmani botoi librin me poezi "Brenda Gucës", në 2011 botoi edhe përmbledhjen tjetër me titullin "Poezi", ndërsa "Shënimet e një Grindaveci" u botuan nga "Qendra Multimedia" në vitin 2015 dhe u përurua në Tiranë, në qendrën kulturore "Tulla". 

I vlerësuar si një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar të Kosovës, në tekstet e tij ai ndjek një frymë avangardiste, që shkëputet në përmbajtje dhe stil nga kanonet e letërsisë tradicionale, e cila orientohej ose me ide iluministe, romantike e progresiste të jetës kombëtare, ose me një modernizëm të tipit hermetik dhe simbolist.

"Duke qenë i frymëzuar nga letërsia bitnike dhe adaptimi i saj për nënqiellin e Kosovës që e ka bërë Arben Idrizi në fillim të këtij shekulli, Selmani në shkrimet e tij sjell fjali, ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës…", thuhet në paraqitjen e këtij autori nga "Poeteka". 

Ndërsa publicisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se nga ky autor marrim "ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes".

"Unë e admiroj këtë zhabë unike në një pellg të harruar. Unë e admiroj kreativitetin, inteligjencën dhe veçantinë e tij, pa dyshim. Unë e admiroj disiplinën e tij, njohuritë dhe shumëllojshmërinë e talentit të tij, natyrisht. Por para së gjithash – unë e admiroj atë si një qenie me të vërtetë të mrekullueshme…", ka shkruar shkrimtari Vladimir Arsenijevic.


/Mapo.a/


https://www.mapo.al/2017/08/nje-ze-i-vrazhde-e-sfidues-nga-kosova/1

Total Pageviews