31 July 2018

POETEKA: Letërsi në kartolinë - Nga Austria drejt Shqipërisë

Nga Austria drejt Shqipërisë – Letërsi në kartolinë

Hedh sytë prapa, në fëmijërinë time dhe shoh si u zgjua kureshtja ime për të huajën dhe se si u skicua rruga ime nga Austria veriore për në Shqipëri. Një ditë Maji me diell në vitet 70-të isha në lundrim mes Patras dhe Brindizit, në ngushticën detare mes Korfuzit e Butrintit dhe, pashë për herë të parë Shqipërinë. Bregdeti më la një përshtypje përrallore .Atëherë vendi për ne ishte i paarritshëm, por unë e dija se më vonë do ta shkelja atë vend….Ky fragment i shkëputur nga eseja  "Vetëm kufijtë e luhatshëm nuk janë mure" e shkrimtarit austriak Christian Thanhäuser, sjellë në shqip nga përkthyesja Oriona Kraja Zylja është pjesa e pasme e një kartoline, të sapodalë në qarkullim. Për të gjithë ata që do qeshnin apo do të mendonin se bëhet fjalë për ndonjë gabim, ku në këtë sezon veror vizituar aq dendur nga turistë – të huaj apo shqiptarë jashtë trojeve –kartolinat më të kërkuara mund të ishin ato me pamje të qyteteve bregdetare, kështjellave historike apo peizazheve nga natyra e Shqipërisë.

Por, 'Poeteka' dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë kanë menduar të sjellin  një kartolinë të një forme tjetër; për të promovuar kulturat përmes teksteve letrare.  Programi "Poetry Card – From Austria to Albania with Love"  ka nisur në fillim të vitit, cilësuar si viti kulturor  mes Austrisë e Shqipërisë  me kartolinën e parë kushtuar Reiner Maria Rilkes dhe poezisë "Vjeshta" Kjo kartolinë e parë ku edhe u trupëzua nisma, solli të shtypur ballinën e  e revistës "Fryma", (1944)  ku edhe ishte botuar më së pari poezia e  Rilkes, përkthyer nga Arshi Pipa i cili do të firmoste asokohe me emrin e artit,  Ars.

Formati i letërsisë në kartolinë u zgjodh mes revistës kulturore e letrare 'Poeteka' dhe përfaqësisë diplomatike të Vjenës, duke qenë se Austria njihet si prej atyre shteteve që i përdorën kartolinat si mjet komunikimi mes kulturave që herët. Komunikimi përmes imazhit dhe tekstit, që ofron kartolina, përbën një traditë të gjerë dhe të pasur 115-vjeçare. 

Autorë, përkthyes dhe lexues komunikojnë mes tyre me ndërmjetësinë e kartolinave. Kartolina si fjalë fluturake, rreket të rivendosë marrëdhënien e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe më leximin. Jo thjesht portrete poetësh e prozatorësh, por edhe një shije nga krijimtaria e tyre përkthyer në gjuhën shqipe, ndërsa ata që njohin gjuhën gjermane  mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale.

Christian Thanhäuser është autori i pestë i këtyre botimeve letrare në kartolinë, ndërsa krijimtaria e tij dallohet   veçanërisht për punimet grafike realizuar përmes teknikës së gdhendjes  së dru. Ai është gjithashtu ilustrues i shquar librash dhe botues. Veç këtyre Christian Thanhäuser vijon të japë  kontribut të përmes leksioneve të hapura nëpër Europë dhe Kinë, ku bashkëpunon me studentë mbi teknikat e artit grafik, bashkë-organizon workshop-e apo master class-e mbi ilustrimin e librave, një të tillë e ka mbajtur  edhe në Universitetin e Arteve të Tiranës, kur arriti ta shkelë njëmendi vendin të cilin së pari e kundroi në ngushticën mes Korfuzit e Butrintit.

Të tjerë autorë që janë sjellë në vëmendje të publikut këtë vit kulturor mes dy shteteve, kartolina të cilat ata që duan t'i dhurojnë apo mbajnë për vete si suvenire të artit të të shkruarit i gjejnë në libraritë e kryeqytetit, kanë qenë nobelistja austriake  Elfriede Jelinek (2004),  kartolina me një tregim nga  krijimtaria e  saj u botua në Ditën Botërore të Librit, më 23 Prill. Më tej ishte kartolina e shkrimtarit dhe gazetarit austriak, Joseph Roth, i njohur për tekstet e tij kushtuar Shqipërisë në periudhën mes dy luftërave ku shfaqet i veshur me kostum tradicional shqiptar e po ashtu edhe  shkrimtarit dhe përkthyesit Ilir Ferra, me origjinë shqiptare, por që e zhvillon karrierën e tij në Austri e po ashtu shkruan në gjuhën austriake. Kartolina e tij erdhi e shoqëruar me një poezi në të dy gjuhët, ku autorësia dhe përkthimi mbante të njëjtin emër.

Të tjerë shkrimtarë e poetë që pritet të dalin të shtypur në formën e një kartoline janë edhe shkrimtarja për fëmijë Christine Nöstlinger,  apo edhe autorë të botuar në gjuhën shqipe, si Andrea Grill apo shkrimtarë si Karl Markus Gauß, që do të jetë në Tiranë gjatë muajit tetor 2018 si fitues i rezidencës letrare "Poeteka -Tirana in Between".

Nisma nxit jo vetëm njohjen dhe leximin e autorëve austriakë në Shqipëri, por edhe paraqet krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri dhe që shkruajnë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën gjermane. Nga ana tjetër programi "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love ", bën të njohur edhe punën e shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë që kanë sjellë në gjuhën shqipe këta autorë, të tillë si Arshi Pipa, Lindita Arapi, Admira Poçi, Oriana Oriona Kraja Zylja, Majlinda Cullhaj në vijim e të tjerë që do të vazhdojnë programin.


https://gazetasi.al/nga-austria-drejt-shqiperise-letersi-ne-kartoline/

Total Pageviews