14 April 2019

Botimet POETEKA & TRADUKI: Romani “E përdhunuara”: të fitosh luftën e kthimit në normalitet

"E përdhunuara", të fitosh luftën e kthimit në normalitet

Një libër me një titull të rëndë…, por kush tha se jeta është e lehtë? Ajo që i ndodh Frankës në këtë roman, mund t'i ndodhë kujtdo në këto kohë kaq pak të sigurta. Franka mund të ishte vajza ime, mund të jetë motra apo shoqja jote e klasës. Franka është secila prej 17 vjeçareve të ditëve të sotme.
E, Franka në roman, përjeton tmerrin e përdhunimit… Ç'mund t'i shkojë më keq në jetë një vajze 17 vjeçare, të dashuruar me jetën, e lirshme, e sigurtë dhe që gëzon e jeton çdo ditë?!

Miq, shkollë, festa, herë pas here edhe ndonjë punë, për t'i treguar prindërve që është e zonja. Pra, jeta normale e një vajze të moshës së saj…., deri në çastin kur, një mbrëmje, teksa kthehej nga puna, një i panjohur e sulmon dhe e përdhunon.
Deri në këtë pjesë të librit shkrimtarja Jutta Treiber përdor të gjithë energjinë që mund të përcjellin fjalët për të treguar natyrën e shpenguar e të gjallë të Frankës. Por, pas përdhunimit, Franka nuk ka lidhje me vajzën e dikurshme.

Në këtë pjesë të librit janë prindërit e saj ata që marrin të gjithë situatën në dorë. Një nënë sa e ndjeshme, aq edhe e fortë. Një baba i tronditur nga dhimbja, por i kthjellët për të kuptuar se çfarë është më e rëndësishme në një situatë të tillë. Natyrisht, përballimi i asaj që ndodhi dhe kthimi i të bijës në normalitet mbetet gjëja më e rëndësishme.

Në këtë roman me një histori tronditëse, autorja nuk fokusohet tek gjetja e fajtorit, madje, për të, ai është periferik. Dhimbja e ndjenja e fajit nuk i verbojnë prindërit e saj, për të harruar vajzën dhe të rendin në kërkim të fajtorit.

Është e vështirë të lësh pas krahëve një ndodhi të tillë, por Franka ia doli falë prindërve të saj.
Tërheqëse dhe jashtëzakonisht e ndjeshme në rrëfim, Jutta Treiber përshkruan efektet e përdhunimit të një vajze. Shkrimtarja nuk e shmang kërkimin e fajtorit dhe të shkaqeve të përdhunimit, por ajo përqendrohet tërësisht te Franka dhe prindërit e saj, si dhe te fazat e ndryshme shpirtërore që ajo kalon pas përdhunimit, si dhe vështirësitë e kthimit në "normalitet".
Ky libër është i përshtatshëm për adoleshentët dhe të rriturit.

Franka është vajzë e guximshme, plot energji dhe vetëbesim. Franka ecën përpara me këmbëngulje. Hedh hapa të pjekur dhe energjikë. Nuk i intereson shumë se çfarë ndodh përreth. Franka jeton vetëm jetën e saj, takimet me miqtë, shkolla, vallëzimi dhe një punë si dado-kujdestare fëmijësh. Gjithçka duket normale deri kur një natë, Franka 17 vjeçare, sulmohet dhe përdhunohet nga një i panjohur në rrugën e shtëpisë së saj. Prej asaj dite asgjë nuk do të jetë si më parë…

Me një stil energjik dhe mjaft bindës, shkrimtarja e njohur austriake Jutta Treiber i jep rëndësi në mënyrë të veçantë jetës dhe gjendjes shpirtërore të viktimës, duke treguar qartë se sa e vështirë është ta fitosh luftën e kthimit në "normalitet". 

Shkrimtarja e njohur austriake Jutta Treiber ka shkruar romane për të rinj e të rritur, libra për fëmijë, poezi, drama dhe tregime. Krijimtaria e saj është nderuar nga Bashkia e Vjenës me Çmimin Libri më i mirë për Fëmijë si dhe Çmimin Libri më i mirë për të Rinj. 

Ajo është nderuar edhe Çmimin mbarëaustriak për Librin më të mirë për të Rinj. "Krijimtaria e shkrimtares Jutta Treiber e ka pasuruar ndjeshëm letërsinë në gjuhën gjermane dhe ka kontribuar shumë në vendin kulturor që zë Austria në botë", është shprehur Presidenti Federal Dr.Heinz Fischer. 

Ky roman në gjuhën shqipe erdhi falë përktimit të Admira Poçit. Deri më sot librat e Jutta Treiber janë përkthyer në 25 gjuhë të botës. Libri u botua në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI.

http://www.gsh.al/2019/04/10/e-perdhunuara-te-fitosh-luften-e-kthimit-ne-normalitet/


Total Pageviews