14 April 2019

Romani “E përdhunuara” e Jutta Treiber: urë komunikimi prind-fëmijë, mësues-nxënës

Gazeta SI: Beteja e një të përdhunuare për t'iu kthyer jetës së mëparshme: Intervistë me Silvana Lekën 

Franka mund të ishte vajza ime, mund të jetë motra apo shoqja jote e klasës. Franka është secila prej 17-vjeçareve të ditëve të sotme… Në fillim Franka është një vajzë e guximshme, plot energji dhe vetëbesim. Ecën përpara me këmbëngulje. Hedh hapa të pjekur dhe energjikë. Asaj nuk i intereson shumë se çfarë ndodh përreth, por  jeton jetën e saj. Miq, shkollë, festa, herë pas here edhe ndonjë punë, për t'i treguar prindërve se  është e zonja. Pra, jeta normale e një vajze të moshës së saj…., deri në çastin kur, një mbrëmje, teksa kthehej nga puna, rrugës për në shtëpi, një i panjohur e sulmon dhe e përdhunon. Prej asaj dite asgjë nuk do të jetë si më parë… Ç'mund t'i shkojë më keq në jetë një vajze 17-vjeçare, të dashuruar me jetën, e lirshme, e sigurt dhe që gëzon e jeton çdo ditë?! 

"Nuk është fort e lehtë për një prind të bisedojë me fëmijën e tij për një temë siç është përdhunimi. Por, me fëmijën duhet biseduar edhe për këtë", thotë botuesja e Botimeve POETEKA, Silvana Leka, ndërsa flet për romanin më të ri, "E përdhunuara" të sjellë në shqip nga kjo shtëpi botuese, me përkthimin e Admira Poçit. "Romani "E përdhunuara" e autores austriake Jutta Treiber thyen pikërisht këtë hendek, krijon një urë komunikimi prind-fëmijë, mësues-nxënës, madje edhe mes shokësh."

Një libër me një titull të rëndë…, por kush tha se jeta është e lehtë? Ajo që i ndodh Frankës në këtë roman, mund t'i ndodhë kujtdo në këto kohë kaq pak të sigurta. Në pjesën e parë të librit, shkrimtarja Jutta Treiber përdor të gjithë energjinë që mund të përcjellin fjalët për të treguar natyrën e shpenguar e të gjallë të Frankës. Por, pas përdhunimit, ajo  nuk ka lidhje me vajzën e dikurshme.

Në këtë pjesë të librit janë prindërit e saj ata që marrin të gjithë situatën në dorë. Një nënë sa e ndjeshme, aq edhe e fortë. Një baba i tronditur nga dhimbja dhe pushtuar nga ndjenja e fajit, por i kthjellët për të kuptuar se çfarë është më e rëndësishme në një situatë të tillë. Natyrisht, përballimi i asaj që ndodhi dhe kthimi i të bijës në normalitet mbetet gjëja më e rëndësishme.Me një stil energjik dhe mjaft bindës, shkrimtarja e njohur austriake Jutta Treiber i jep rëndësi në mënyrë të veçantë jetës dhe gjendjes shpirtërore të viktimës, duke treguar qartë se sa e vështirë është ta fitosh luftën e kthimit në "normalitet".

Në këtë roman me një histori tronditëse, autorja nuk fokusohet tek gjetja e fajtorit, madje, për të, ai është periferik. Dhimbja e ndjenja e fajit nuk i verbojnë prindërit e saj, për të harruar vajzën dhe të rendin në kërkim të fajtorit. Është e vështirë të lësh pas krahëve një ndodhi të tillë, por Franka ia  del  falë prindërve të saj. Libri, i botuar në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI  është i përshtatshëm   për adoleshentët dhe të rriturit, zbulon Leka. 

Shkrimtarja e njohur austriake Jutta Treiber ka shkruar romane për të rinj e të rritur, libra për fëmijë, poezi, drama dhe tregime. Krijimtaria e saj është nderuar nga Bashkia e Vjenës me Çmimin Libri më i mirë për Fëmijë si dhe Çmimin Libri më i mirë për të Rinj. Ajo është nderuar edhe Çmimin mbarëaustriak për Librin më të mirë për të Rinj."Krijimtaria e shkrimtares Jutta Treiber e ka pasuruar ndjeshëm letërsinë në gjuhën gjermane dhe ka kontribuar shumë në vendin kulturor që zë Austria në botë", është shprehur Presidenti Federal Dr.Heinz Fischer. Deri më sot librat e Jutta Treiber janë përkthyer në 25 gjuhë të botës. 

https://gazetasi.al/beteja-e-nje-te-perdhunuare-per-tiu-kthyer-jetes-se-meparshme-%EF%BB%BF/

Total Pageviews