22 August 2022

Vjen në shqip Wolfgag Hilbig – i panjohuri i madh i letërsisë gjermane

Botimet POETEKA hedhin së shpejti në qarkullim krijimtarinë e poetit dhe shkrimtarit të mirënjohur gjerman Wolfgag Hilbig (Meuselwitz, 31 gusht 1941 / Berlin, 2 qershor 2007). Vepra me titull "Gjethet dhe hijet", që mbështetet nga rrjeti letrar TRADUKI, vjen e përkthyer prej origjinalit nga Anna Kove, për t'iu bashkuar gjerdanit "Poezi e zgjedhur europiane", seri kjo e konceptuar nga Silvana Leka ku, më herët, janë publikuar edhe emra të tjerë të shquar, mes të cilëve Tomaž Šalamun, Tadeuš Ruževič, Rose Ausländer  etj.

 

Dy fjalë për autorin: Asgjë më të fuqishme se krijimtara e Wolfgang Hilbig nuk prodhoi RDGJ-ja letrare në vitet e ekzistencës së saj. Përveç romaneve dhe tregimeve autorin e shoqëruan deri në fund poezitë e bukurisë së errët dhe ëndërrimtare; ato ishin fillimi dhe fundi i shkrimeve të tij.

Mbështetur në traditat e romantizmit, simbolizmit, ekspresionizmit dhe i formuar nga përvojat e përditshme të jetës së punës në RDGJ, Hilbig krijoi gjuhën e tij: pasionante dhe plot dëshirë të zjarrtë, elegjiake, të menduar, të butë, rebele, kundërshtuese; duke folur përmes poezive herë si qëndrestar, herë si i plagosur; herë si humbës ëndrrash, por assesi i shpresës.

Ai, punoi kaldajist, lexoi me etje poezinë e letërsisë moderne botërore dhe, në ballafaqim me të, gjeti gjuhën dhe formën mes të cilave mundi t'u flasë njerëzve për veten e tij (me ritëm të lirë, në sonete klasikë apo në lirika të gjata e të shkurtra).

Poezitë e Wolfgang Hilbig orientohen tematikisht drejt krizës artistike dhe ekzistenciale. Butësia e imazheve të autorit qëndron në kontrast me trishtimin e thellë e të pamatë që përhapin tekstet e tij. Me motive që të kujtojnë romantizmin dhe surrealizmin, me tone të thyera himnesh, Holbig përshkruan realitetin e ftohtë, në të cilin dyshimi, mosbesimi dhe lufta kundër mungesës së vlerave janë vendimtare. Poezitë e tij këmbëngulin në shpresën e patundur për një realitet tjetër "pa hijet e përndjekjes", që e shndërrojnë individin në mungesor, si edhe në mallin e zjarrtë për praninë.

Ndryshe nga bashkëkohësit e tij dhe shkrimtarët e tjerë, si Volker Braun, Heiner Müller apo Christa Wolf, Wolfgang Hilbig në asnjë çast të jetës së tij nuk besoi në reformimin e socializmit të praktikuar në RDGJ. Ai ishte dhe mbeti jokonformist, pasi nuk arriti të familjarizohej as me sferat utopike të socializmit shtetëror, ku premtimet largoheshin gjithnjë e më shumë nga realiteti, por as me sallat e një bote perëndimore të konsumit, që dinin të kënaqnin të gjitha nevojat, por jo ato që i jepnin kuptimin e plotë vlerave jetësore të individit, siç Hilbig i kërkonte dhe që i gjeti përfundimisht vetëm në tryezën e tij të shkrimit.

Wolfgang Hilbig është nderuar me dhjetëra çmime të rëndësishme letrare për veprat e tij të cilat, që nga fillimet e deri në fund, janë botuar nga S. Fischer Verlag. "Gjethet dhe hijet", është publikimi i parë poetit Wolfgang Hilbig në gjuhën shqipe, sjellë nga Botimet POETEKA me rastin e përvjetorit të lindjes së autorit.

 

Wolfgag Hilbig

Gjethet dhe hijet

 

Udha prej nga nisesh jo s'është e re

ç'të është dhënë kahmot e rimerr

dhe e përcjell:

si në dashurinë që tash më mungon

në çdo shqisë: e kuqe si gjethet e ahut të hapërdara

pirgje skaj rruge, ku ecja pa zbardhur drita...

shtegut që s'e njihja

dhe ende s'e njoh

ku s'e njoh as fëmijën e hijes që rend para meje

asgjë s'di për diellin, ari i praruar i të cilit

digjet në gjeth.

Asgjë s'di më as për vjeshtën

që shpinës më çapitet hijerëndë - hija e saj

isha: hije e ngjizur gjithmonë njësoj vjeshtash pambarim.


Total Pageviews