04 October 2024

Arian Leka në "Origins and Futures" - Universiteti Baptist, Hong Kongut.

Arian Leka në përmbledhjen "Origins and Futures", botim jubilar i Universitetit Baptist të Hong Kongut. Ky botim përfshin krijime të autorëve-alumni të këtij universiteti, në 20 vjetorin e themelimit të Programit "International Writers' Workshop".
Si bursist i këtij programi universitar në vitin 2008, Arian Leka paraqitet në antologji me "In the Beginning...,Before Pluto". Duke marrë si shkas interesimin dhe trashëgiminë albanologjike të eruditit Gottfried Wilhelm Leibniz mbi një gjuhë si shqipja, pak e njohur asokohe (gjuha epirotike), interesimin e filozofit mbi astronominë dhe bindjen e tij se teologjia, metafizika dhe shkenca mund të pajtoheshin mes tyre, Leka sjell për lexuesin të dhëna mbi kultuën shqiptare, dokumetet gjuhësore e letrare të kësaj "gjuhe të vogël" si dhe lidhjen e tyre me botën gjermane të studimeve, që nga përkthimet e "Historisë së Skënderbeut" të Barletit (1533), Fjalorthi i Arnold von Harff-it, mbledhur në Durrës më 1496 e fakte e dokumente të tjerë në vijim.

Antologjia "Origins and Futures" sjell autorë të zgjedhur me kujdes të veçantë për mënyrën se si kanë shkruar mbi tema thelbësore dhe jetike për artin dhe shoqërinë gjatë njëzet viteve të fundit, duke bërë bashkë me shkrimtarët më të shquar të botës dhe ata që lexuesi nuk i ka hasur ende.

Siç theksojnë editorët e botimit, ajo që, së pari, i bën përshtypje lexuesit në këtë antologji është gjeografia e gjerë e shkrimeve, ardhur nga të gjitha kontinentet e botës, përfshi madje edhe Antarktidën, siç përmendet figurativisht në tekstin e nobelistes polake Olga Tokarczuk, pjesë e këtij botimi.

Në parathënien e botimit, shkruar nga profesorët Janice Pan Patrick Holland, veçohen mes të tjerëve, krijimtaria e Tokarczuk-ut, që rrëfen gjendjen e një gruaje, teksa ëndërron se është kukull, duke zbuluar veten nëpërmjet prekjes, veçohet teksti i "mitorealistit" të shquar satirik Yan Lianke, kushtuar luftës së dikujt për të qenë njeri 'i mirë' apo 'i keq'; shqyrtohet meditimi i Gary Snyder-it, një legjendë e poezisë së "Beat Generation", që shkruan mbi dritën nga perspektiva e kafshëve, bimëve dhe gurëve dhe xhevahire të tjera, siç i cilësojnë editorët që, falë antologjisë, i ofrenë lexuesit, përshkrimin mistik të vietnamezo-amerikanes Violet Kupersmith, kushtuar një vajze të zhdukur, fabula e gjallë e Li Zishu-t, lindur në Malajzi, e cila shkruan për rëndësinë e një dite në rritjen e një fëmije dhe proza Arian Lekës, me titullin "In the Beginning...,Before Pluto" ku dialogohen fatet e vonesave groteske të vendit të tij, Shqipërisë dhe të një trupi të vogël qiellor, të humbur, si Plutoni, planetit xhuxh, sipas Johannes Kepler-it, të cilit i duhet plot 248 vjet për për t'u rrotulluar rreth Diellit të cilet, flakur në universet e tyre, mbeten të paklasifikuar dhe të paklasifikueshëm lehtësisht, me gjithë dashamirësinë e Gottfried Wilhelm Leibniz-it dhe zellit mbledhës të Arnold von Harff-it...

Total Pageviews