22 April 2026

Arian Leka në CreativeMornings

Tema globale e CreativeMornings për muajin prill është EMBER (Prush, Thëngjill), rreth së cilës do të flitet në 256 qytetet në botë, që aplikojnë këtë projekt që prej vitit 2008.

Në Tiranë është ftuar shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka, i cili do të ndajë me ne eksperiencën e tij krijuese dhe profesionale rreth kësaj teme.

“Koncepti PRUSH, në vështrimin tim, është transformimi pa zhdukje. Në botën e sotme, që shtiret se zgjohet pa të kaluar, nocioni prush vjen bashkë me hirin. Hiri qetësohet, por nuk harron zjarrin. Prushi, nën sipërfaqe, pret rastin e vet. Njëri ruan nxehtësinë, tjetri dëshminë. Venitja është mënyra e prushit për të jetuar në forma që s’kërkojnë vëmendje. Nuk fillojmë asgjë nga asgjëja, ecim me të shkuarën në xhepa. E dimë. Përmes artit, gjithë sa dukej e fikur, rindezet. Të magjepsur nga kjo lojë e përjetshme, krijojmë kuptime nga mbetjet e zjarrit, hirit dhe prushit, duke i kthyer ato në shkëndijën, që dikush tjetër, pas nesh, do e quajë fillim.”



Arian Leka, lindur në Durrës, është ndër përfaqësuesit e brezit avangardë pas hapjes së kufijve. Autor i poezisë, prozës, eseve dhe monografive shkencore, ai është vlerësuar me 6 Çmime Kombëtare dhe 4 ndërkombëtare, përfshirë “Tudor Arghezi – Opera Omnia 2022”. Proza e tij është përfshirë në Best European Fiction 2011, ndërsa veprat janë përkthyer në shumë gjuhë. Letërsia e tij ndërthur kujtesën historike me përvojën personale përmes simbolikës detare dhe teknikave fakt-fiction, të cilat e bëjnë të pangatërrueshëm zërin e këtij autori me gjuhë të veçantë estetike. Arian Leka mban titullin Prof. Asoc. Dr. dhe është kërkues shkencor pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku dhe ka botuar libra studimorë si dhe mjaft artikuj mbi artin dhe letërsinë shqiptare të viteve 1930-1940, realizmin socialist dhe filozofinë e artit.

Për t’u bërë pjesë e takimitt, mjafton të regjistroheni FALAS në linkun:
https://creativemornings.com/talks/arian-leka-about-ember
24 prill, ora 10:00, te COD.

https://creativemornings.com/talks/arian-leka-about-ember


#creativemornings #cmember

Total Pageviews