Shkrimtari dhe gazetari i njohur kroat, Jerko Bakotin, ka përmbyllur qëndrimin e tij në Rezidencën Letrare "POETEKA - Tirana in between", bashkëorganizuar dhe mbështur nga rrjeti TRADUKI. Gjatë kësaj periudhe ai iu përkushtua krijimtarisë së vet letrare, njohjes së jetës sociale dhe kulturore të qytetit, si edhe zhvilloi takime me kolegë e përfaqësues të skenës letrare dhe mediatike shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bakotin publikoi gjithashtu edhe artikullin me titull “Pandershmëri në Fakultetin e Shkencave Politike – Nečastivi na politološkom fakultetu”, duke vijuar angazhimin e tij në trajtimin kritik të çështjeve politike dhe shoqërore.
Jerko Bakotin është një nga emrat më të vlerësuar të gazetarisë dhe letërsisë bashkëkohore kroate. Aktualisht ai mban postin e redaktorit për politikën ndërkombëtare në javoren kroate Novosti, ku trajton tema që lidhen me politikën ndërkombëtare, migrimin, shoqëritë pas konflikteve dhe zhvillimet gjeopolitike. Në punën e tij gazetarie ai ka raportuar nga vende të ndryshme të Europës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine.
Për kontributin e tij profesional, Bakotin është vlerësuar me disa çmime prestigjioze, mes të cilave “Çmimi i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë” dhe çmimi holandez “De Tegel” për gazetari investigative. Ai është gjithashtu autor i librit "Bratstva i ubojstva, gajđin" dhe bashkautor i serialit "Kurdi"