27 May 2016

REtyping te Reja e Tiranës: DEJAN ČANČAREVIĆ: MES KAFKËS E PUNËTORIT TË DALLUAR

Nga: Fatmira Nikolli

 

DEJAN ČANČAREVIĆ: MES KAFKËS E PUNËTORIT TË DALLUAR

 

Nuk e kam ditur se edhe fryti trembet për shkak të trazirave. Hapësira të shtuara. Në kopsht. Dhe pëshpërimë. Ishte verë. Mbizotëronte paqja. Uniformat po shëtisnin si rastësisht. Bisedohej për fitoret. Të vdekurit nuk kanë rëndësi. As s'janë harruar. Tani është qetë. Çelën qershitë. Ndër fytyra. Teksa heshtim. Ne ëndërrojmë udhëtimin. Kufijtë janë zgjeruar. Befas. Shpërthimet e gjakut nëpër baltëra. Plane të mëdha për të ardhmen. Rreth saj shumë flitet. Ndërsa po përgatitin pistoletën. Nga fshehtësia e re". Autori i këtyre radhëve është në të dyzetat dhe vjen nga Pancevo, një qytezë afër Beogradit, që përfshihet në atë që njihet si Vojvodina. Mësues letërsie, poet dhe muzikant, Dejan Cancarevic mban veshur një xhup pranvere në ngjyrë ushtarake. Në anën e majtë të kraharorit, qëndrojnë ngjitur një stemë dhe një dekoratë(e trashëguar nga gjyshi dhe origjinale), Franc Kafka dhe dekorata e punëtorit të dalluar në ish-Jugosllavi. I ardhur në Tiranë në fillim të majit përmes Programit Rezidencial "POETEKA – TIRANA IN BETWEEN", Dejan shpjegon se si qëndrojnë bashkë figura e një shkrimtari si Kafka dhe nderimi i një 'punëtori' që në një sistem tjetër politik kur tejkalonte normën njihej me termin stakonovist.

"Është dekoratë për punëtorin e dalluar që u jepej punëtorëve që punonin shumë në Jugosllavi gjatë socializmit. Ndërsa Kafka simbolizon burokracinë që jetojmë sot, çka e parashikoi, sepse Kafka i parashikoi ato që do të ndodhnin pas luftës", shpjegon Dejan. Kur e pyet se si qëndrojnë bashkë dy teori të kundërta Cancarevic bën një shpjegim më të hollësishëm. "Qëndrojnë. Politikisht unë jam i majtë. Është zgjedhja ime politike dhe kjo i referohet bindjeve të mia. Ndërsa Kafka është një kontrast, një paralajmërim për botën ku jetojmë. Njëra është utopi, tjetri distopi. Nuk ka realitet në mes".

Në këtë që jetojmë, nuk është realiteti ynë, atëherë ç'është kjo kohë pyes ndërsa pres me kërshëri një përgjigje, që vjen, duke ngërthyer në bisedë fizikë. "Nuk mund ta themi në mënyrë precize. Kam takuar dikë që më tha se nuk jemi të vërtetë. Jemi vetëm ngjashmëri të diçkaje. Fizika tani po risheh teorinë që mbase ne jemi asimiluar nga dikush më lart se ne, ose ne jemi të paaftë të perceptojmë se çfarë është realiteti me senset tona".

Ish-Jugosllavia,

nostalgji?

Në ditët e qëndrimit të tij në Tiranë, Dejan Cancarevic ka folur disa herë për harmoninë mes popujve në atë që ishte ish-Jugosllavia. Më shumë se nostalgjik i atij sistemi të perënduar, Cancarevic e sheh veten ndryshe. "Kam lindur më 1975 dhe jam rritur në atë që ishte Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Aty kam kaluar fëmijërinë dhe rininë, deri në rënien e Jugosllavisë, ku tashmë jetojë në atë që sot quhet Serbi. Koncepti i Jugosllavisë është i dashur për mua sepse jam edukuar në atë mënyrë, jam rritur ashtu. Jugosllavia ishte kulturë. Gjyshi im ishte pilot në ushtri edhe në familjen time ishte gjithnjë kjo dashuri për Jugosllavinë, për kulturën e saj". Dejan mban mend se atë kohë, si fëmijë ka udhëtuar shumë, në çdo zonë të ish-federatës. "Kam udhëtuar atëherë dhe sot flas ende atë gjuhë që quhej serbokroatisht- ndërsa Jugosllavia është edhe një fushë kulturore e gjuhësore që i përkas. Është hapësira e gjerë. Përveç kësaj, Jugosllavia bëri disa gjëra të rëndësishme, në shekullin '20 me letërsinë e artin: dhe pas rënies se saj nuk e ke më fuqinë që kishe. Ti përkasësh diçkaje të madhe është më mirë se ta ndrydhësh atë. Është mirë ta prezantosh veten si një artist që vjen nga hapësira e madhe kulturore siç ajo ishte".

Ndërsa shpërbërja e Jugosllavisë u dha të drejtën shumë popujve për vetëvendosje dhe shtet formim, e pyes Dejanin nëse ajo nostalgji që ka për ish-Jugosllavinë ndikon edhe në lirinë e të tjerëve. Pyetjes: "Por a besoni ju në të drejtën e njerëzve për të qenë të lirë" dhe të kenë të drejtën për të?", ai i përgjigjet: "Patjetër. Por kjo është e drejta ime ta deklaroj veten jugosllav. E ke këtë mundësi. Jugosllavët erdhën nga martesa mikse, kishin gjuhë e kulturë të përbashkët". Mandej pyetja shtrohet në një tjetër trajtë: "Nëse ju doni Jugosllavinë, që ishte bashkim kombesh, ç'mendim keni për të drejtën e kombeve për të vendosur, për të qenë të lirë dhe për të pasur shtetin e tyre". Në këtë pikë Dejan thotë se "se sigurisht që ke të drejtën të kesh shtetin tënd, por kjo nuk është diçka që shpjegohet në 5 minuta. Ajo që ndodhi në Jugosllavi është e komplikuar dhe është me rrënjë të thella të histori. Para luftës njerëzit jetonin të lumtur në Jugosllavi dhe ajo ishte një vend me prosperitet". Ai pranon se ka pasur njerëz që dënoheshin që dërgoheshin në një ishull, një burg për ata që kundërshtuan sistemin politik, por mendon se në të gjithë vendin e tij, flitej një gjuhë, pavarësisht besimit apo të tjerave. "Njerëzit jetuan 50 vjet pa bërë diferencën kush është kush. Dhe më pas dikush vendosi diçka gabim. Ish-Jugosllavia u themelua nga artistë e shkrimtarë",- shprehet Dejan.

Kur pyes nëse mendon se këta artistë e shkrimtarë po i shërbenin ideologjisë dhe politikës jugosllave, pra, nuk ishin të lirë, Cancarevic pyet nëse ne duhet tashmë të diskutojmë historinë e Jugosllavisë? "Për 50 vite ne kishim një gjuhë ndërsa tani ka disa gjuhë, çfarë ndodhi? Nga një gjuhë që flisja-serbo-kroatisht- tani flas 7 gjuhë. Kjo është politika, në mënyrë që të bësh një vend duhet të kesh një gjuhë kombëtare. Globalizmi e sulmoi Jugosllavinë në vitet 1990", thotë ai dhe biseda merr tashmë një rrjedhë letrare, mbasi tema politike dhe historia ende dhembin. Ai thotë: – Unë jam jugosllav. Ndërsa në një nga poezitë e tij shkruan: Dikur nënat lindnin fëmijë, tani lindin flamuj, duke kundërshtuar me këto radhë idetë nacionaliste dhe ato të kufijve.

Letërsia

Gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë është marrë me redaktimin e disa teksteve të shkruara me kohë, që kanë një gjenezë interesante. Ato bazohen mbi disa tekste të Ivo Andriç. "Kam kombinuar ato që unë mbaj mend nga tekstet e Ivo Andriç me një narrativë të re. Ndërsa për Tiranën, mbase kur të kthehem atje, mund të shkruaj diçka. Këtu jam ende i tejmbushur nga ato që shoh e nga ata që takoj". Ka vizituar Tiranën dhe Durrësin, ndërsa shpreh keqardhje se maji ishte një muaj me shi, gjatë të cilit mundi të shohë shumë pak. Libri i tij i parë ka titullin "Graviteti". Poezitë janë shkruar në fillim të shekullit të ri, në vitet 2000-2005 dhe portretizojnë situatën e një 35-vjeçari në Serbi. "Depresioni dhe sanksionet gjatë kohës që jetonim në luftë. Është një lloj libri për muret që janë rreth nesh", thotë ai. Më pas ishte libri tjetër në vitin 2007 që titullohet '1871 patriotizëm', vazhdim i narrativës së librit të parë. "Një grup poezish merren me ironi se çfarë patriotizmi është. Patriotizmi shpesh është përdorur për të prodhuar luftë dhe kaos, nën ideologjinë e një kombi të madh dhe nuk solli asgjë të mirë, ndaj nuk besoj se ai lloj patriotizmi është i shëndetshëm për atë që e propozon. Patriotizmi në libër shihet me ironi. Janë gjashtë poezi dhe njëra prej tyre thotë: 'Uau çfarë rruge kemi përshkuar. Nga varri blu në varre masive'. Varri blu është një metaforë për detin Jon, sepse ushtria serbe erdhi në Shqipëri gjatë Luftës së Parë dhe shumëkush vdiq. Ata u varrosën në det. Dhe një poet i asaj kohe shkroi një poemë të quajtur 'Varri Blu' si një varr në det. Poezia tregon përpjekjet heroike të ushtrisë serbe për të mbijetuar. Poezia glorifikon ushtrinë serbe. Dhe e shihni paradoksin tani? Nga kohët e lavdishme, erdhëm në atë që është një varr masiv", thotë Dejan. Poezitë e tij, në fakt shkojnë edhe më tej, tek një botë pa kufij, tek pasaportat si rrugë e si ndalesë, sepse Dejan nuk beson në kufij. "Pse duhet të besoj në kufij? Nëse je astronaut, nuk sheh kufij politikë, sheh gjeografi nga lart. Në vitet 1980 njerëzit shkonin kudo. Ndërsa sot ka kufij për kulturat e vogla, nën politika që tregojnë se s'ka kufij. Njerëzit duhet të kuptojnë se vijmë nga planeti tokë, që po e vrasim atë dhe se kjo është gjëja kryesore me të cilën duhet të merremi".

Muzika

Një mësues letërsie, që shkruan tregime e poezi, që flet për një botë pa kufij, për lirinë dhe për ish-Jugosllavinë, ka përtej të gjithave një dashuri të madhe për muzikën dhe luan disa instrumente. "Jam rritur në një familje ku nëna ime dëgjonte muzikë rock. Im atë më bleu kitarën e parë kur isha ende i vogël. Filloi që atëherë dashuria për muzikën. Në fillim doja të isha rokstar e të bëja atë lloj jete. Ajo erdhi si një reagim ndaj asaj që po ndodhte rreth nesh. Punk dhe rock and roll sollën anarki dhe për mua përfaqësojnë nevojën e vazhdueshme për të mos qenë si të gjithë të tjerët. Është liria e zgjedhjes. Brezi im e ka nevojë organike për të mos qenë si të tjerët. Sot njerëzit dëgjojnë turbofolk. E mendoni dot?". Dejan flet me përçmim për turbofolkun dhe shton se "e ka nga nëna e cila nuk dëgjonte asnjë radio që kishte muzikë të tillë". Po a është 'punk' një përfshirje në globalizmin që ai mban larg? "Jo, sepse për mua është model jetese. Nuk shoh shumë njerëz ta bëjnë. Për mua punk të vënë të ngresh pyetje, jo të marrësh ç'të serviret, nuk është pasion- është zgjedhje. Është nevoja për të menduar me kokën tënde, të mos lësh askënd sidomos qeverinë të të thotë se çfarë të bësh. Kjo është PUNK. Këto nuk bëhen nëse bën atë që të thonë të tjerët. Për mua muzika është mënyrë çlirimi nga ankthi e stresi. Të luash muzikë do të thotë të projektohesh në një dimension tjetër. Luaj disa vegla, por e kam nisur nga kitara".

Dashuria

Është pyetje e vështirë për të, megjithëse thotë se kur je i ri, mendon se dashuria është të biesh në dashuri me shpirtin binjak e të jetosh i lumtur gjithnjë. "Por dashuria është një punë e vështirë mes dy njerëzve që kanë vendosur të rrisin afeksionin që ndjejnë mes tyre. Dashuri është të bësh kompromise, të jesh gjithnjë për dikë që, është të jesh i ndërgjegjshëm se nuk mund të jesh tjetri, është respekti, ndaj tjetrit. Tani, 40 vjeç nuk besoj shumë gjëra. Është tjetër të biesh në dashuri e tjetër të jesh në një lidhje, tjetër ta jetosh. Dashuria është dëshira për të qëndruar krah për krah me dikë dhe vendimi që të lidhësh jetën me një njeri me të cilin ndan vlera të përbashkëta, pëlqime të përbashkëta, me të cilën flet dhe zhvillon veten përmes marrëdhënies".

Performanca

Programi Rezidencial "POETEKA – TIRANA IN BETWEEN" që, prej katër vjetësh fton shkrimtarë dhe përkthyes nga rajoni dhe Europa, në bashkëpunim me "REJA – Pavijoni Serpentine", organizuan të mërkurën, dt. 25 maj 2016, ora 20.30, performancën poetike "RE-typing", të autorit serb Dejan Cancarevic, i ftuar në Rezidencë gjatë muajit maj. Konceptues dhe moderator i performancës është Arian Leka, bashkëbisedimi me poetin Dejan Cancarevic u realizua nga gazetari Ben Andoni e përkthyesi Filip Vukadinovic, bashkëorganizator e projektit Silvana Leka.

"RE-typing" shënoi aktivitetin e parë në re dhe arriti të sillte "çmendurinë" dhe vuajtjen e shkrimtarit gjatë procesit të krijimit. Disa ikën, disa qëndruan- sepse procesi i krijimit është i lodhshem. Dhe ideja qe kjo- njerëzit duhet të iknin që ta linin shkrimtarin ne vetmine dhe çmendurine e tij.

24 May 2016

RE-typing > Dejan Čančarević > “POETEKA - TIRANA IN BETWEEN”

Info: Programi Rezidencial "POETEKA - TIRANA IN BETWEEN" që, prej katër vjetësh fton shkrimtarë dhe përkthyes nga rajoni dhe Europa, në bashkëpunim me "REJA – Pavijoni Serpentine", organizon të mërkurën, dt. 25 maj 2016, ora 20.30, performancën poetike "RE-typing", të autorit serb Dejan Čančarević, i ftuar në Rezidencë gjatë muajit maj.

Konceptues dhe moderator i performancës është Arian Leka, bashkëbisedimi me poetin Dejan Čančarević do realizohet nga gazetari Ben Andoni e përkthyesi Filip Vukadinović, bashkëorganizatorë të projektit janë Edit Pula dhe Silvana Leka.

 

Koncepti: Performanca RE-typing projektohet si një demonstrim i të ri-përjetuarit të procesit të krijimit të poezisë që, nga një akt intim dhe vetiak, shndërrohet në përvojë që ndahet në mënyrë të aktualizuar me publikun.

Përpjekja për të portretizuar përvojën artistike të të shkruarit poezi në "kohë reale" ofron njëherazi estetikën e mundësisë dhe estetikën e së pamundurës, si grishje e publikut drejt këtij përjetimi dhe ftesë për pjesëmarrje në artin që ndodh aty dhe për ta.

Poezitë e autorit, të shkruara dhe të shtypura përmes kompjuterit, rishtypen duke përdorur daktiloshkrimin e makinës, në mënyrë që, duke u kthyer pas në kohë, te shkrim-përjetimi i dikurshëm, të provokohet një formë të re, unike për kujtesën e tekstit, autorit dhe të pranishëmve.

Teksti pëson ndryshim grafik, pasi mundësitë "e kufizuara" të daktiloshkrimit të  makinës, zgjerohen përmes leximit të autorit dhe shkrimit digjital, që ndryshon formë vazhdimisht në sytë e publikut.   

Qëllimi mbetet jo prodhimi, por krijimi i një poezie, që është në të njëjtën kohë origjinal dhe kopje e vetvetes, krijim dhe rikrijim i një autori të vetëm dhe një veprim i ndodhur në të shkruarën dhe po aty, në çast dhe përballë lexuesit.

Poezitë janë fragmente nga një libër ende dorëshkrim, copëza të botuara dhe të pabotuara tekstesh të autorit, që vijnë si formë eksperimentale e artit të pakryer, që fton të pranishmit të bëhen pjesë e një procesi ars combinatoria që ndodh enkas për ta dhe aty.

Gjatë performancës, si ndërveprim, të pranishmit i lexojnë vargjet në ndryshim përmes video-projektorit.

_____________________

 

Rezidenca letrare "POETEKA- Tirana in Between", e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, dhe e zhvillon veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane dhe Ambasadën Austriake në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, duke u dhënë mundësi krijuese dhe bashkëpunimi 24 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë dhe duke sjellë gjithashtu përmes tyre pasurimin e skenës kulturore shqiptare.

17 May 2016

Dejan Čančarević në rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Between”

Dejan Čančarević lindi Pančevo (1975) është i ftuari më i ri në Rezidencën letrare "POETEKA – Tirana in Between". Ai është poet dhe prozator serb, i diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në Beograd (ku ka kryer edhe master në letërsi - 2008). Ai ka gjithashtu një diplomë-master në teorinë e artit dramatik dhe të mediave, pranë Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd (2013). Prej dhjetë vjetësh Dejan Čančarević i është bashkëngjitur dhe jep kontribut pranë një reviste për art dhe letrërsi (Kvartal Pančevo).


Ky autor është i interesuar kryesisht ndaj poezisë dhe mundësive multimediale të saj, ndaj dhe prezantimet letrare të tij priren drejt kërkimit të ideve të reja dhe përvojave bashkëkohore në këto fusha.


Veprat e këtij autori janë promovuar në takime të rëndësishme letrare në Serbi dhe rajon në  rajon si dhe në veprimtari poetike në Austri, Suedi, etj.

Dejan Čančarević si mësues i letërsisë në një shkollë të mesme në qytetin e tij dhe si koordinator i veprimtarive në OJQ "Omnibus".

Nga viti 2005 deri në 29012 Dejan Čančarević ka botuar 4 libra. Krijimtaria e tij është prezantuar në disa antologji, të publikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mal të Zi dhe Serbi. Pjesë nga kjo krijimtari është publikuar në shumë revista letrare të rajonit dhe është promovuar në festivale dhe rezidenca letrare europiane.

Mes viteve 2001 dhe 2005 ai ka realizuar disa dokumentarë mbi fëmijët në medie dhe i mjaft radiodramave.

Për më shumë mbi krijimrarinë dhe aktivitetin e tij letrar ndiqni:

www.insomnija.blogspot.com (translations, video, audio & photo links).

_________

Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between", e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, e ka zhvilluar veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, u ka ofruar mundesi krijuese dhe bashkëpunimi 22 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë, duke sjellë gjithashtu përmes tyre pasurimin e skenës kulturore shqiptare.

 

09 May 2016

POETEKA sërish në EUROZINE 's Newsletter - It's something new

POETEKA No. 38 - Spring Issue

 "The Cold War in the library" - Arian Leka:

In Poeteka (Albania), editor-in-chief Arian Leka recalls assembling his personal book collection during the communist period, in an essay titled "The Cold War in the library". Leka's maternal uncle sought to influence him with Russian literature exclusively, while his father fed him western literature. Most western literature available in Albanian at the time consisted of classics, particularly authors critical of the bourgeoisie and capitalist society. Nevertheless, Leka explains that the battle between the two literatures was widespread at the time, characterizing it as one of the most rarified conflicts in world history: "Western literature against eastern! People's democracies of the East fighting against progressive western writers!"

Gateway to literary Albania - Dasa Drndic

Following a recent spell in Tirana as Poeteka's writer in residence, the Croatian author Dasa Drndic has extracts published in Albanian from two of her best known novels: Trieste (2007), which is soon to be published in Albanian in full, and Belladonna (2012). Both works deal with the fates of Jewish families fleeing Italian fascism during World War II and embarking on journeys that lead either to settling in or passing through Albania.

Lore and law: - Uran Butka

The Albanian writer, historian, and a former MP Uran Butka publishes a short story that he wrote during the communist period, when literature that went against the party line was considered a traitorous act and condemned.One of a series of such literary works now being published by the journal for the first time, the story recounts the fate of the protagonist, Syrja Qafëzezi, who fought for the Nationalists against the Italians during World War II, and is therefore blacklisted by the Albanian communists after the war. Syrja is forced to flee his village and go into hiding in the nearby woods, only for his fate to be sealed a few months later while attending his father's funeral. It is here that the local commander, assisted by soldiers, rushes to capture him – an unprecedented violation of the local burial customs. Yet Syrja promises to surrender once the ritual is over. The story closes with the commander handcuffing Syrja in front of the police station and reflecting: "Had he not turned up, they would have handcuffed me."

http://www.eurozine.com

http://www.eurozine.com/articles/2016-05-04-eurozinerev-en.html


08 May 2016

LETËRSIA E ARIAN LEKËS NË GJERMANI - 3 dhe 4 maj 2016

PËRUROHET NË STUTTGART DHE LUDWIGSBURG 

LETËRSIA E ARIAN LEKËS


Akademie für gesprochenes Wort 

http://gesprochenes-wort.de/215-0-Veranstaltung.html&…

TË IKURIT, REGJISTRI I TË MBYTURVE TANË…

Shkrimtari Arian Leka është ftuar në dy veprimtari letrare, që promovojnë krijimtarinë në prozë dhe në poezi të këtij autori, aktivitete këto që zhvillohen në datat 3 dhe 4 maj në Shtutgart (Akademie für gesprochenes Wort - 3 maj; Stadtbibliothek Ludwigsburg - 4 maj) të fokusuara në temën e arratisë-ikjes dhe detit-deti si një hapësirë shpëtimi, si dhe shpresat dhe frika e të ikurve.

Ikja, mbytja, harresa, dhembja, emigrimi, eksodet. Deti: i bukur, i mirë dhe armik-deti si arenë e përgjakshme për mbijetesë, deti si varr dhe njerëz, imazhe njerëzish që mbathin varka/këpucë-anije për të ikur. Mandej, një tufë e përbindshme imazhesh që të vijnë prej tyre: njerëz që i mbathën varkat për të ikur-njerëz që nuk e morën anijen e kthimit, njerëz që nuk mbërritën kurrë, as nuk u kthyen kurrë/njerëz që u shuan me shpirtrat mbetur pezull në det, në ujërat e askujt, të harruar prej gjithkujt-në net të frikshme dimri/njerëz që ende shohin mes atdheut të nëmur e tokave të premtuara, pa mundur të lëvizin prej askundit që ne gënjejmë dhe e quajmë 'parajsë', ata, të mbyturit-njerëzit e tepërt. (Nga Fatmira Nikolli - "Gazeta Shqiptare)

http://www.balkanweb.com/…/te-ikurit-letersia-e-lekes-ne-g…/

Akademie für gesprochenes Wort 

http://gesprochenes-wort.de/215-0-Veranstaltung.html&…

http://www.stuttgart.balassiintezet.hu/…/856-03-05-2016-di…/


25 April 2016

ERVINA HALILI - performART - TIRANA in BETWEEN

POETEKA ju fton në performART 

Në program poezi të Ervina Halilit dhe poetry film mbi krijimtarinë e kësaj poeteje, realizuar nga Trëndelinë Halili.

Moderimi Silvana Leka

HEMINGWAY BAR – Tirana
e mërkurë 27 Prill, 2016, ora: 20.00

____________________

CONFUSIO
ka me ardhë vjeshta njeriu im
e gjethet kanë me i fshi vijat e kufijve në asfalt
gjithçka ka me ngja në
erosin e nji bote tjetër
e nji ditë kur s'mbetet gja tjetër për me u shkundë
kanë me ra puplat nga krahët e tu
mbi vajin e bebeve qe lindun s'janë...ende
mu gjithmone ka me qene tue m'mungu diçka
që s'e njoh
( E.H.)

23 April 2016

ERVINA HALILI - Rezidenca letrare "Tirana in Between" Prill 2016

ERVINA HALILI  


Macet


macet që pikturon ajo kanë shprehjen e fytyrës 
së tij kur hapë sytë n'mëngjes

në barkun e maceve lundrojnë peshq të artë
edhe nji kopsht me lule në natë rri stolisun nga yjet
e ajo aty pushon kruspullitun

ma tha që në yje dëgjon përhershëm nji tingull që pergatitet me ra n'tokë
si diamant që provon me u thy

të nesërmen ai nuk u kthy ma
ajo vari pikturat e maceve në mur
si diamante që provohen me u thy



Zonjë


zonjë, unë
kisha me ikë me të në diejt xheloz të gjumit
në lumenjtë e heshtjes kisha me ia la kryet me ujë të vakët
flokët kishin me iu ngjitë në ballin e menduem
une pandalë buzët e qulluna kisha me ia puthë
e ai kish më m'shiku me faj
unë jam nji fëmijë
i sapodalë nga veza e peshkut të bronztë
ai kish me m'shiku me faj
unë jam nji tel i çakorduem harpe
e ai kish me m'shiku me faj
unë jam udhëtare treni
e binarët i kanë thy
e binaret janë thy

zonjë, unë
do të ngjitesha në trupin e tij të djersitun
derisa kangë perëndish të baheshin frymë e pakontrollueme qenësie 
derisa shiu të harrojë të përplaset mbi çatinë time
e ai kish me m'shiku i trishtuem
se kisha me i ngja e humbun nga jetë kambësorësh
se kisha me i ngja në kllapi eternale muzash
se kisha me i ngja e zbehun
e sëmurë mbi gjoksin e tij
me ethe mbi ramjen e ngadalshme të yjeve

e qielli kish me bubulli me të madhe, zonjë
e qentë nuk kishin me e ndalë lehjen deri n'agun e purpurt
kisha me i dëgju ninullat e frymëmarrjeve të tij të randa,
gumëzhitjen e çarçafëve të lagun
dhe nji za kumbues prej nëntokës së vdekun
kish me ma thirr emnin
unë nuk kisha me qenë aty
me gishtërinjt n'flokët e tij të vajosun
kisha me qenë tue beku mirazhin tim
e ai kish me u habitë me zhdukjen time t'ngadaltë
kish me e pa hijen time rrëshqitun nga duart bashkue hanës

me thonjtë e mi të mprehtë zonjë
në shpinën e tij të rrëshqitshme
kisha me e vargëzu poezinë ma të përshpirtshme
nuk kisha m'e lendu
betohem
nuk kisha m'e lëndu
por ai kish me lëngu
për dhimbjen e tij të ambël

e qielli po bubullinë me t'madhe sot
edhe qentë nuk po ndalen së lehuni deri n'ag t'purpurt
mos e kërko ma te unë zonjë
njeriu yt iku me gjethet
provo me e ba atë që unë kisha me e ba
ndoshta ka me t'shiku me faj
i trishtuem
i habitun
se... ke me i ngja në mu

më fal o gru …



Mosdita tjetër



diku mes njerëzish ai mbështeti kryet n'gjoksin e saj
ajo ia ledhatoi flokët

diku mes njerëzish ajo çkopsiti pullat
ai i futi kryet mes gjinjëve dhe mbylli sytë
pâ andërr
të gjithë njerëzit faniteshin me perëndimin
pos saj

kur u çu diku mes njerëzish
ajo kurrë nuk kishte qenë



Në pyll

 

Në pyll âsht nji kangë
unë nuk e kuptoj
ajo më thërret pameshirshem
në ritëm
trokaik
unë vallëzoj
halucinante
askush nuk më sheh
vec pasqyrave varun drunjeve
në pyll âsht nji mur
edhe tre të tjerë
formojnë nji kub
unë rri aty
në mes
bashkë me nji flutur
që nuk do
krahët m'i çelë
dremit mbi gjunin tim
pylli ka nji za
unë nuk e kuptoj
ai më lutet
më lutet
'hapi sytë
më nxirr prej teje
Le të fërfëllijmë të dy në erë"
unë hapë sytë
dhe pylli
bahet

Graz, Schlossbergplatz 10, Mars 2016


Merkuri


tokë e rrahun pikash strukun nën shputat e mia drojshëm
drojshëm
njerëzit e ngulun n'drrasë t'thyeme
gozhda t'dryshkuna prej lashtësie krylshëm pushojnë
mendueshëm

dikush be ka zanë se
jam shtrigë e m'ka thirrë n'andërr e unë paskam shku
e n'andrra t'mia moti shkue s'jam
veç shkallë ka
lart poshtë lart
mjellmë e zezë lundron n'kryet tem
e ha gjumin
dikush be ka zanë
unë qenkam vetë mjellma e zezë n'kryet tem lundrue

ti ke shku
toka rrahet prej pikave
që shtrengojnë mallin si gishtat e tu 
gërvishtin mbi shpinën time
fytyrën e imagjinatës së zotit

dikush be ka zanë
jam shtrigë e m'paska thirre n'andërr e unë paskam fluturu
për mos m'u kthy kurrë
mes diejsh


* * *

ka me ardhë vjeshta njeriu im
e gjethet kanë me i fshi vijat e kufijve në 
asfalt
gjithçka ka me ngja në
erosin e nji bote tjetër
e nji ditë kur s'mbetet gja tjetër për me u 
shkundë
kanë me ra puplat nga krahët e tu
mbi vajin e bebeve qe lindun s'janë…ende
mu gjithmone ka me qene tuj m'mungu 
diçka
që s'e njoh

19 Janar 2016


Confusio


ka me ardhë vjeshta njeriu im
e gjethet kanë me i fshi vijat e kufijve në asfalt
gjithçka ka me ngja në
erosin e nji bote tjetër
e nji ditë kur s'mbetet gja tjetër për me u shkundë
kanë me ra puplat nga krahët e tu
mbi vajin e bebeve qe lindun s'janë...ende
mu gjithmone ka me qene tue m'mungu diçka
që s'e njoh


Foto: Brigitte Hamadey

_____________

Rezidenca letrare "Tirana in Between", e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, e ka zhvilluar veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, u ka ofruar mundesi krijuese dhe bashkëpunimi 22 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë, duke sjellë gjithashtu përmes tyre pasurimin e skenës kulturore shqiptare.


04 April 2016

WRITER & LITERARY TRANSLATORS IN RESIDENCE - Ervina Halili

Ervina Halili (Prishtinë),poete, eseiste dhe hulumtuese e rrymave kulturore. Ka vazhduar studimet për Letërsi Krahasimtare në Universitetin e Vilniusit për ta përfunduar hulumtimin e saj me temen Surrealizmi Automatizmi në letërsi/Martin Camaj, në Universitetin e Prishtinës.

Që nga viti 2012 ajo është në kërkim të hapjes së letërsisë ndaj mediumeve dhe arteve tjera. Në vitin 2012 ajo ishte  shkrimtare rezidente në Vjenë dhe performoi në Teatrin Popullor të Vjenës. Ndërsa në vitin 2014 ajo ishte shkrimtare mysafire e Pen Qendrës në Sarajevë, Krokodilit në Beograd dhe në 2016 në shtëpinë internacionale të shkrimtarit në Grac.

Është aktive ne diskutimet socio-kulturore në Europe dhe Ballkan dhe pjesë e rrjetit të shkrimtarëve eksperimentalë Evropianë.

Është laureuar me çmimin vjetor "Ali Podrimja" për librin më të mirë në poezi  me librin "Amuletë" të botuar në vitin 2015.

Në vitin 2016 libri i saj "Gjumi i Oktopodit" është botuar në Vjenë në gjuhën Gjermane nga Edition Korrespodencen.

________________

Rezidenca letrare "Tirana in Between", e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, e ka zhvilluar veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, u ka ofruar mundesi krijuese dhe bashkëpunimi 22 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë, duke sjellë gjithashtu përmes tyre pasurimin e skenës kulturore shqiptare.    

Total Pageviews