15 June 2016

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG - Reportazhi për vendin e vogël të shpresave të mëdha ka protagonist kryesor shkrimtarin Arian Leka.

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG

 - reportazh nga Shqipëria - 10.06.2016

Nga Roman Deininger (teksti) dhe Jakob Berr (fotografitë)

VEND I VOGËL, SHPRESË E MADHE - 

Kësaj vere futbolli zor se prek ndokënd më shumë se shqiptarët. Të shpjegosh botën me anë të futbollit? Çfarë është suksesi? Në plazh të Durrësit, shkrimtari Arian Leka më thotë se nuk ka shumë rëndësi sesi do të përfundojë ndeshja me Zvicrën, Francën, apo Rumaninë. 

Por që ndoshta ZDF ose BBC ose televizioni islandez do të tregojnë disa pamje nga Shqipëria, nga një vend, ku malet mund të shërbejnë si trampolinë për t'u kredhur në det, në të cilin minaret dhe kullat e kishave puthin qiellin, disa pamje nga një vend që e meriton të zbulohet. 
Të shpjegosh botën me anë të futbollit? Çartje.Ta kuptosh më mirë të vuajturën, të paepurën Shqipëri me anë të futbollit? Le të bëjmë një provë. Një rrugëtim nëpër një vend që prej shumë kohësh pret të zbulohet. 


Arian Leka, flokët ngjyrëargjendi, të gjata që teksa nget makinën nganjëherë i bien mbi sy, vetulla, që Theo Waigel do t'i kish qethur në çast, ka qenë fëmijë në komunizëm, këtu në qytetin port të Durrësit. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte varianti evropian i Koresë së Veriut, diktatorit, Enver Hoxha, në fillim iu dukën sovjetikët tepër liberalë, pastaj edhe kinezët. 
Në portin e Durrësit anijet vetëm natën fikeshin, për të ruajtur terrin, izolimi ishte i plotë. "Por unë kisha një dritare për të parë botën", thotë Arian Leka duke shtyrë me forcë derën e makinës. "Një dritare gjigande"....


Arian Leka pyet: "Çfarë mendojnë gjermanët, kur mendojnë për shqiptarët?" 
Obobo. Mirë atëherë: "Azilkërkues, për të cilët kemi ngritur ca qendra dëbimi të shpejtë, fringo fare. Korrupsion. Tregti me njerëz. Krim përgjithësisht. Varfëri. Gjakmarrje. Karl May natyrisht, "Toka e Skipetarëve", një tokëzë e mjerë. Diçka të këndshme? Hëm. Altin Rraklli, trupvogli nga Unteraching! Igli Tare, trupmadhi nga Kaiserslautern! 
"E sheh", thotë Arian Leka butë. "Futboll." Sytë e tij pushojnë mbi valë. "Ne kemi pritur të na zbulonin. Por askush nuk edhi. Ende jemi në pritje." 

(vion)

Përktheu nga gjermanishtja  Anila Shuka


Të shpjegosh botën me anë të futbollit? Çartje. Ta kuptosh më mirë të vuajturën, të paepurën Shqipëri me anë të futbollit? Le të bëjmë një provë. Një rrugëtim nëpër një vend, që prej shumë kohësh pret të zbulohet, shkruan prestigjiozja gjermane "Suddeutsche Zeitung".

Reportazhi për vendin e vogël të shpresave të mëdha ka protagonist kryesor shkrimtarin Arian Leka.

"Gazetari gjerman i ka lidhur këto dy tekste, çështjen e eksodit si ikje dhe çështjen e vendosjes së Shqipërisë në një vëmendje pak më të posaçme për shkak të kampionatit europian", thotë Leka.

Ndërsa dikur futbolli shërbente për të përligjur botën, eksodi erdhi si nevojë hapjeje ndaj saj.

"Futbolli si lojë ishte një nga mjetet më të rëndësishme për të parë që ka diçka edhe përtej izolimit", thotë më tej shkrimtari Leka.

Të flasësh për imazhin e shqiptarëve te të huajt duhet të flasësh edhe për korrupsionin, varfërinë, gjakmarrjen, por sot flitet edhe për një kampinat europian.

"Nuk është e lehtë që një vend i vogël, për të cilin nënvizohet gjithmonë gjakmarrja apo burrneshat, befas të zhvendosen nga këto klishe dhe të hidhet pak dritë mbi anët e mira të njerëzve", shton gjithashtu Arian Leka.

Ndërkohë që, përveç eksodit, ne kemi pritur që të tjerët të na zbulonin, sipas Lekës duhet tashmë t'iu gëzohemi atyre që para se të ikin, zgjedhin të qëndrojnë.

"Prej 500 vitesh kemi vetëm këtë kënaqësi që ka pak perversitet brenda, që krenohemi me ata që na ikin. Ndërkohë që duhet të krenohemi me ata që janë këtu dhe të krijojmë kushte për një vend me kushte më t
ë mira zhvillimi dhe vëmendje ndaj artistëve të vërtete që jetojnë në Shqipëri. Ndryshe fenomeni 'nizam kulturor, tanimë, do të vazhdojë...'".

http://www.sueddeutsche.de/…/reportage-aus-albanien-kleines…

http://www.dw.com/…/emocionet-i-mposhtën-shqipta…/a-19326453

http://www.gazetadita.al/emocionet-i-mposhten-shqiptaret-e…/

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=329084

06 June 2016

BOGOMIL GJYZEL në rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Between”

Bogomil Gjuzel (Maqedoni) është autori fitues i Rezidencën letrare "POETEKA – Tirana in Between 2016" për muajin qershor, rezidencë kjo  e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, e cila ka zhvilluar veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, duke u ofruar mundesi krijuese dhe bashkëpunimi 22 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë dhe duke sjellë përmes tyre pasurimin e jetës dhe skenës kulturore shqiptare.

Bogomil Gjuzel është poet, prozator, skenarist, eseist dhe përkthyes. 

Ka lindur në vitin 1939 në Shaçak të Serbisë. Në vitin 1963 diplomohet për gjuhën angleze në Universitetin e Shkupit dhe kalon një vit akademik në Universitetin e Edinburgut si bursist i British Counsil. Ai ka punuar si dramaturg në teatrin Dramski të Shkupit në periudhat 1966-1971 dhe 1985-1998. Ka qenë pjesëmarrës në Programin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve në Iowa, SHBA dhe në një sërë festivalesh si ai i Roterdamit (1978 & 1996), San Francisco-s (1980), Herleen-it (1991) si dhe Mastrihtit dhe Valencias (2000).

Bogomil Gjyzel është një prej themeluesve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Pavarur të Maqedonisë dhe kryetar i parë i saj. Që prej vitit 1995 ai punoi si kryeredaktor i revistës periodike Nashe Pismo.  Që prej vitit 1999 ai mbajti funksionin e drejtorit artistik të Festivalit  ndërkombëtar  Mbrëmjet e Poezisë, Strugë.

 

Botime poetike:

Livadhi (1962 & 1971), Trëndafili alkimik (1963), Mbajtësit e libacioneve (1966) – laureuar me çmimin "Vëllezërit Miladinov" si libri më i mirë i vitit, Odisea në ferr (poezi të zgjedhura, 1969), Pusi i kohës (1972) - laureuar me çmimin "Vëllezërit Miladinov"; Rrota e vitit (1977), Realiteti është gjithçka (1980), Shtetrrethimi (1981), Hapësirë boshe (1982), Errësirë dhe qumësht (1986) -  laureuar me çmimin "Aleksa Santić" për periudhën 1985-88, Duke rrëzuar murin (1989), Poezi të zgjedhura (1991), Jetë e zhveshur (1994), Kaos (1998), Ajo/Atë (poemë e gjatë, 2000), Poezi të zgjedhura - 1962-2002 (2002).

 

Përzgjedhje në gjuhën serbe dhe kroate: Qielli, toka dhe dielli (1963), Livadhi (1972) - botuar në dy gjuhë, Poema (1981). Përzgjedhje në gjuhën sllovene: Peshku i shqisës (1985).

 

Përzgjedhje në anglisht: Tre (1972), Mbetjet e rishqyrtuara (Chattanooga Chapbooks, Tennesse, 1997), Ujku tek porta (Xenos Books, California, USA, 2001). Që nga viti 1963 Bogomil Gjyzel, ka qenë pjesë e të gjitha antologjive për poezinë jugosllave dhe maqedonase.   

 

Libra në prozë:

Historia si njerkë (Esse, 1969), E gjithë bota është shtëpi (kujtime udhëtimesh nga Irlanda dhe SHBA, 1975), Histori mitike (tri pjesë teatrale, 1982), Legjenda (tregime, 1984), Legjenda dhe histori të tjera (2011), si edhe  Vandaku (ese – në process botimi).

Si bashkautor me Ljubisha Geiorgievski ka botuar E zeza (një farsë tragjike, 1989).

 

Një përzgjedhje e poezisë së Bogomil Gjyzel është botuar në serinë 130 autorë maqedonas (An Island on Land, 44) në gjuhën maqedonase (2009) dhe në anglisht (2011); vepra e tij e zgjedhur (Bogomil Gjuzel: Vëllimi I dhe II).

Poezitë e tij janë përfshirë në të gjitha antologjitë me poezi maqedonase dhe jugosllave, botuar që prej vitit 1965 në më shumë se 20 gjuhë të huaja. Me poezinë e tij Lech Miodynski mbrojti dhe botoi disertacionin e doktoratës: "Bogomil Guzel, Poetycki dialog z naturan I kulturan (WYDAWNICTWO Universytetu Slanskiego, në Katowice 1994), përkthyer dhe botuar në gjuhën maqedonase, 1999.

Bogomil Gjyzel përzgjodhi antologjinë e poezisë bashkëkohore maqedonase publikuar në Belgjikë (në frëngjisht dhe në flemisht - Poètes Dix-Sept macedonnienes (L'arbre a Paroles, 1993).

 

Përkthime:

Bogomil Gjyzel ka përkthyer 15 vepra nga Shakespeare, mes të cilave: Makbethi (1969), Mbreti Lir (1972), Hamleti (1980), Jul Çezari (1981), Ëndrra e një nate vere (1984), Nata e Dymbëdhjetë (1985), Shtrëngata (1992), Tit Androniku (1994) etj.

 

Po ashtu, Bogumil Gjuzel ka përkthyer dhe përshtatur një mori veprash të tjera dramaturgjike nga anglishtja si dhe poezi të përzgjedhura nga T. S. Eliot (1965), W. H. Auden (versionin dygjuhësh - 1971 dhe edicionin e dytë në vitin 2011), Charles Simić (1984), Emily Dickinson (1986), Seamus Heaney (2001), Walt Whitman (në proces botimi) si veprat skenike të S. Beckett, H. Pinter, E. O'Neil, S. Sheppard, E. Bond, B. Shaw etj.

Në vitin 1978 ai ka përkthyer dhe redaktuar (së bashku me Louis Simpson dhe Serge Fauchereau) një Antologji të Poezisë Bashkëkohore Amerikane (edicioni i dytë dhe i riparë i së cilës është ribotuar më 1999) 

 

29 May 2016

Dejan Čančarević - POETEKA - Tirana in Between -

 Nga Suadela Balliu  - gazeta MAPO 28 maj 2016

 

Dejan Čančarević: Të shkruarit është dhimbje

  

Poeti dhe eseisti serb, rezidenti i muajit maj në "Tirana in Between" flet për rolin e rëndësishëm që ka poezia për të arritur në një kohë më të shkurtër në vetëdijen e lexuesit. Për fat të keq mendon ai, rryma e përgjithshme e letërsisë e fokusuar më shumë në zhanret narrative, e ka lënë mënjanë poezinë pa ia kuptuar realisht pushtetin. Čančarević flet për letërsinë e tij e cila nuk është fiction dhe angazhimin qytetar për të kritikuar ato që nuk shkojnë në shoqëri, veçanërisht politikën… Ai thotë se është e mundur që mes dy vendeve mund të ngrihen ura të forta bashkëpunimi 

 

Një ekran i madh që bombardon me vargje të shpejta në gjuhën angleze dhe serbe, një tingull përsëritës që ngjan me një gërvishtje nga tastet e një makine shkrimi "Olivetti" dhe goditja e pjatave të një baterie herë pas here për të lajmëruar se një punë sapo përfundoi dhe një muzikë trazuese në sfond …ishin ato që shoqëruan performancën e poetit dhe eseistit serb, Dejan Čančarević, e cila mbështillej nga audienca e zhytur në Re; instilacionin e artistit Fujimoto vendosur në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Ishte pikërisht kjo ngjarje kulturore që gërshetoi në një poezinë, artin konceptual dhe muzikën që çeli edhe sezonin artistik brenda kësaj vepre, e cila do të qëndrojë për dy vite e stacionuar në kryeqytetin shqiptar. Čančarević, është i treti fitues i bursës "Tirana in Between" , Rezidenca Letrare e organizuar nga Poeteka në Bashkëpunim me Rrjetin "Traduki" Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane dhe Ambasadën Austriake në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, që për të katërtin vit pret shkrimtarë nga rajoni dhe Europa Juglindore. Performanca RE-typing, siç autori e ka pagëzuar këtë lloj prezantimi që i bën poezive të tij në lexime publike prej afro gjashtë vitesh, është një shpërfaqje e i të ri-përjetuarit të procesit të krijimit të poezisë që, nga një akt intim dhe vetjak, shndërrohet në përvojë që ndahet në mënyrë të aktualizuar me publikun. Qëllimi është që audienca, ajo që duron deri në fund mërzinë që shkaktohet nga pritja për një kohë të gjatë e shkrimtarit që i rishtyp poezitë e tij në makinën e shkrimit, të kuptojë se të shkruash nuk është ideja klasike e të zbrazurit të frymëzimit, porse një proces i dhimbshëm e për pasojë kjo e bën shkrimtarin të mblidhet në vetminë e tij. Ideja e fundme është që e gjithë audienca të largohet duke e lënë krijuesin vetëm.

Poezitë e autorit, të shkruara dhe të shtypura përmes kompjuterit, rishtypen duke përdorur daktiloshkrimin e makinës, në mënyrë që, duke u kthyer pas në kohë, te shkrim-përjetimi i dikurshëm, të provokohet një formë e re, unike për kujtesën e tekstit, autorit dhe të pranishmëve.

Teksti pëson ndryshim grafik, pasi mundësitë "e kufizuara" të daktiloshkrimit të makinës, zgjerohen përmes leximit të autorit dhe shkrimit digjital, që ndryshon formë vazhdimisht në sytë e publikut. Vetë autori, i lindur në Pancevo të Serbisë, ku edhe zhvillon aktivitetin e tij letrar e muzikor si themelues i bandës "Transeen" është i interesuar kryesisht ndaj poezisë dhe mundësive multimediale të saj, ndaj dhe prezantimet letrare të tij priren drejt kërkimit të ideve të reja dhe përvojave bashkëkohore në këto fusha.

Qëllimi mbetet jo prodhimi, por krijimi i një poezie, që është në të njëjtën kohë origjinal dhe kopje e vetvetes, krijim dhe rikrijim i një autori të vetëm dhe një veprim i ndodhur në të shkruarën dhe po aty, në çast dhe përballë lexuesit.

 

Ç' kuptim ka për ju, si poet "Retyping performance" dhe cili është mesazhi që

përcjell te publiku? 

Retyping është i bazuar në një koncept që së pari përpiqet të portretizojë punën e vështirë të një shkrimtari dhe ideja është ta përballë auditorin me domethënien e të shkruarit. Besoj se për shumë njerëz të shkruarit nuk është çështje frymëzimi në kuptimin tradicional si perceptohet një shkrimtar. Së dyti Retyping është përpjekje për të bërë një mbrëmje letrare për të prodhuar një mbrëmje letrare që u jep diçka fizike pjesëmarrësve në audiencë, sepse ndërsa rishtyp poemën i vë datën dhe e firmos. Fizikisht bëhet një vepër arti në kohë e lidhur me një moment të veçantë. Përdorimi i makinës së shkrimit është i rëndësishëm, sepse sjell praninë fizike të një autori. Unë i printoj poemat përmes një printeri dhe më pas i rishtyp duke përdorur makinën e shkrimit, gjë që na sjell pas te diçka fizike dhe jo digjitale . Në nivelin artistik të kuptimit Retyping ka dëshirën të prodhojë një vepër arti në një moment të dhënë me një vend të dhënë dhe me një audiencë të dhënë. Retyping është një koncept multimedial, gjë që përfshin pritjen, për sa është e interesuar audienca, leximin përmes video projektorëve dhe të kesh një shkrimtar në skenë që ka nevojë për kohë për të rishtypur apo shkruar poemën.

 

Pra është ta shohësh live këtë proces të krijimit…

Po, simbolika është portretizimi i këtij procesi të të shkruarit që për shumë nga ne, mesa di unë, nuk është i lehtë. Asnjë krijim nuk është. Nuk besoj në asnjë lloj të krijimit të lehtë. Është proces i dhimbshëm dhe ideja e kësaj performance është të detyrojë audiencën të ndjejë nevojën për të qenë e pranishme në diçka që aktualisht është e mërzitshme.

 

Mendon se procesi i të shkruarit është i mërzitshëm? 

Epo, jetojmë në shoqërinë e spektaklit. Nëse vjen në performancën e një poeti që rishtyp poemat dhe i shfaq në një video-projektor pa thënë asgjë për rreth pesë apo më shumë minuta rresht, do të mërzitesh. Jemi mësuar të ndjekim imazhet, dinamikat e fotografive që ndryshojnë. Njerëzit janë mësuar të shohin filma. Thelbi i performancës është t'i detyrojë njerëzit të jenë diku, ku poezia po ndodh, por kur e percepton, në fakt asnjë nuk po ndodh. Të shohim kush është i aftë të luajë me këtë lloj dinamike.

 

Ky efekt shqetësues që krijohet gjatë performancës shkaktohet prej tingujve që shoqërojnë performancën apo prej pritjes? 

Prej pritjes. Sepse njerëzit sot janë programuar të argëtohen nga vizualizimi, jetojmë në shoqëri të imazheve e nëse detyron dikë të mbyllë sytë e të dëgjojë, si diçka thellësisht e harruar , e çon te Radioja . Duke qenë se kam punuar në radio për më shumë se 15 vjet, besoj shumë se radioja si një media elektronike ka aftësinë të zhvillojë aftësinë për  të vizualizuar gjëra. Dhe nëse mund të vizualizosh gjëra, atëherë hyn në botën tënde. Kur lexon një libër ke një lloj situate me imazhe, ke foto, ke skenografi, je thuajse regjisor. Sa më shumë lexues të ketë një libër po aq edhe filma ka prej këtij libri, nëse e vizualizon. Ideja është të bëjmë një kontrast mbi atë që është prezantimi i realitetit në një botë komerciale.

 

Kur e ke nisur me këtë lloj performance? 

E kam nisur para gjashtë vitesh ndërsa isha i lidhur me një artiste konceptuale të quajtur Tanja Juričan dhe ky është produkti i bashkëpunimit tonë dhe produkti i dashurisë sonë. Ajo më ndihmoi. Ishte aq e thellë sa më bëri sot ky që jam.

 

Prej asaj kohe, këto performanca i shfaq si brenda ashtu dhe jashtë Serbisë? 

Kryesisht po, por kam përdorur edhe një performancë tjetër duke luajtur në kitarë bass. Përdor shtampa muzike nga një regjistrues ku kam regjistruar tinguj e më pas i riprodhoj nga regjistruesi në magnetin e bass-it dhe kështu prodhohet një lloj atmosfere muzikore. Më pas luaj muzikë dhe nis të lexoj poezi. Retyping lidhet me artin konceptual. Ideja e Tanjës ishte: "Përse nuk bën një artefakt?". Mendova: "si të lë një shenjë, si ta lidh poezinë me artet e tjera?". Ky ishte diskutimi me të dhe më pas makina e shkrimit u bë instrumenti i kundër-digjitalizimit të shkrimtarit.

 

Nuk të pëlqen të të etiketojnë si artist modern, por pa dyshim thua se nuk je tradicional e megjithatë përdor një mjet aq tradicional si makina e shkrimit…

Po, në fakt po rikonceptualizoj pozicionin. Po privatizoj atë çka është digjitale. Keni imazhin tim digjital, sepse kur shkruaj përdor kompjuterin, por ky është imazhi digjital, nuk është ai real.

 

Po çfarë është reale?

Realja bazohet në shtypjen, në gjurmën. Mund të thuash çfarë është reale i bazuar në kufizimin e pesë shqisave, që janë të kufizuara në disa frekuenca , por mund të luash me këto kufizime, mund të këmbehesh mes tyre. Kur përdor diçka që është tradicionale në një shoqëri thellësisht digjitale dhe moderne, atëherë bën komente nga një lloj pozicioni: "Le të mos jemi çka na është thënë të jemi!". Dhe kjo është thellësisht Punk. Le të mos jemi kurrë çka na e servirin. Le ta marrim makinën e shkrimit, ta bëjmë markë dhe t'i prezantojmë audiencës një objekt fizik, sepse poezia e shkruar në kompjuter dhe e rishtypur me makinën e shkrimit dhe e firmosur nga autori bëhet vepër arti, të cilën mund ta vendosësh në kornizë. Është vetëm ai moment dhe nuk mund të vësh një kopje të atij momenti, sepse kur shtyp unë mund të bëj gabime, mund ta përsëris disa herë performancën por në çdo rast efekti mund të jetë i ndryshëm. Mund të rishtyp katër poema, por gjithmonë do të ketë një gabim të ndryshëm, për shkak të makinës së shkrimit që nuk ka "delete" mënyra sesi i fshin është të shtypë Esc, Esc, Esc, që grafikisht është gjithashtu art vizual.

 

Mendon se në këto momente letërsia ka nevojë për arte të tjerë? 

Jo, besoj se letërsia ka nevojë të promovojë më shumë poezinë, sepse gjithmonë kam ndjerë dhe kam besuar se poezia është më e aftë për të ndarë përvojat në kohë të shkurtër, më shumë sesa proza. Letërsia pavarësisht formës; dramë prozë, vargje etj., ka nevojë për kohë . Është arti që ekziston në kohë. Lexuesit janë njerëzit që kanë vullnet ta angazhojnë veten e tyre në kohë. Me vullnet për të gjetur një rrugëdalje nga jeta e tyre , një dalje nga përvoja e tyre, apo çdolloj gjëje që mund të përjetojnë në jetë dhe të angazhohen në diçka që është përvoja e Tjetrit. Ky është akti i leximit. Me dëshirë pranoj botën e dikujt tjetër si të ishte e imja. Besoj thellësisht se poezia, që është harruar krejt në letërsinë përgjithshme të ditëve të sotme, sepse kemi këto libraritë neo-liberale e ultramoderne dhe nëse e vë re poezia është diku poshtë, nuk është në këndin e shikimit. Besoj thellë se poezia është më e aftë të ndajë në kohë.

 

Kur e ke kuptuar fuqinë e poezisë, pasi ti thua se poezitë e tua janë krijuar prej eseve esetë që ke shkruar fillimisht. Pra e ke nisur me prozë…

Kur isha student- nuk shkruaja gjatë asaj kohe, të paktën jo në vitin e parë – mendoja: "Poezia është gjëja më e mirë që mund t'i lejosh një lexuesi që po udhëton me një metro, për shembull në Nju Jork, mes disa stacionesh. Është mënyra më e shpejtë për të bërë mik lexuesin, për ta prekur atë. Edhe nëse shkruan poezi narrative, poezia ka nevojë për melodi. Edhe proza po ashtu, por poezia ka nevojë për këtë ngopje me ritëm, theksim të ritmit, melodisë. Duhet të këndosh me poezinë.

 

Shkruan poezi narrative, por poezitë e tua, të paktën ato që kam lexuar në gjuhën angleze kanë një ritëm të brendshëm…

Ato në gjuhën anglez që i kam përkthyer vetë, po ndiqja melodinë më shumë sesa kuptimin.

Doja që përkthimi t'i përngjante melodisë, sepse besoj se melodia është e vetmja thërrmijë në këtë kozmos që mund të prekë dikë që nuk kupton gjuhën origjinale. Kjo është arsyeja pse melodia është shumë e rëndësishme në poezi. Besoj ashtu si Hegeli, se muzika është maja. Unë vij nga muzika, ajo më ka formësuar.

 

Ritmi është i rëndësishëm për shkak se së pari je muzikant? 

Jo, sepse përpiqem të jem një qenie njerëzore që i dëgjoj njerëzit. Më pëlqen të dëgjoj mënyrën sesi dikush tingëllon. E vlerësoj kur njoh dikë që është shumë i vetëdijshëm që tingëllon në një lloj mënyre. Sot ke shumë njerëz që nuk i vënë rëndësi këtij niveli "bontoni" . Mund të jem i pirë, por është e rëndësishme për mua sesi tringëlloj dhe sesi e menaxhoj veten përmes tingullit . Sepse tingullin dhe aromën do ta mbash mend gjatë. Të shkruash poezi është një lloj zgjedhjeje e melodisë.

 

Pra, një mënyrë alternative për t'u shprehur përmes muzikës?

Po sigurisht, poezia është muzikë. Gjithçka është muzika. Një gjë që i bashkon të gjithë artet është ritmi, Mund të shtrihesh në bar dhe të shohësh një gjethe që lëviz me ritëm. Por kush e bën ritmin? Era. Mënyra sesi ajo lëviz është mënyra sesi është lidhur me degën. Gjithçka është e lidhur dhe gjithçka është ritëm. Arti nuk mund të ekzistojë pa ritmin. Nëse nuk e ke ritmin, nuk ke art. Mund të kesh kotësi. Kemi nevojë për ritëm.

 

E keni kuptuar qysh në fillim të karrierës suaj?

Nuk kam një karrierë, thjesht ekzistoj..

 

Por ke botuar katër libra… 

Në fakt janë katër, por i treti është një introdukt i të katërtit, ndaj në të vërtetë kam botuar vetëm tre.

 

Si e keni jetuar këtë muaj në Tiranë? Kam parë foto të tuat nga qyteti të postuara në Facebook që duken pak politike, duket sikur ke fotografuar vetëm reminishencat e diktaturës komuniste…

Jo, nuk janë politike. Postova në Facebook foto të Stalinit dhe Leninit , por komentet ishin "Më në fund gjeta bandën e vjetër!". Është deklaratë ironike, por çfarë mendoj rreth Shqipërisë…

 

A kemi të përbashkëta? 

Po jemi sunduar nga Otomanët, historia jonë ka qenë e ngjashme deri në një moment të 1912-ës, Lufta e Parë Ballkanike, për të cilën nuk isha informuar përmes arsimimit tim. Kam qenë injorant dhe më vjen keq dhe nuk e dija që më 1912-ës ushtria serbe pushtoi Shqipërinë. Ishte një program zyrtar i shtetit se shqiptarët duheshin injoruar. Më befasoi shumë dhe më bëri të shkruaja këtu një poezi  dhe fsheha në titullin e poemës 1912- ën; ka kllapa dhe shenja pikësimi, por titulli i referohet atij viti. Është një çështje në shoqërinë moderne globaliste që propozon bashkim, por dua të theksoj që përmes globalizmit kemi kthimin te tradicionalizmi, veçanërisht në Ballkan. Nuk mund të harrojmë Teksasin. Teksasi duhet të thotë se nuk është Amerikë, e përse kur Amerika mbështet pavarësinë në të gjithë globin nuk e lejon Teksasin të jetë shtet i pavarur? Niveli i madh i hipokrizisë. Nuk kemi nevojë për këtë dhe kapitalizmi është ai që imponon kufijtë përmes njerëzve dhe i verbon ata.

 

Mendon se mund ta luftosh këtë hipokrizi me art? 

Po e luftoj tani. Po është e mundur dhe më beso kur të kthehem në shtëpi do të bëj gjithçka që mundem, çka është në fuqinë time humaniste, fuqinë e shoqërisë civile, fuqinë time anarkike , fuqinë anarkike-komuniste për t'i sjellë njerëzit nga Beogradi, Pancevo, Novi Sad, Serbia në tiranë , njerëzit që kanë lidhur dhe janë rritur me rock and roll të vijnë dhe të miqësohen me njerëz në Tiranë. Vij nga një grup njerëzish që nuk besojmë se vijmë nga shtetet. Së pari besojmë se vijmë nga qytetet dhe para së gjithash vijmë nga nënat tona. ky është sfondi nga vij unë. Nuk përfaqësoj shumicën e serbëve dhe duhet ta vendos këtë mes kllapash, por shpresoj se njerëzit që besojnë te kultura, te ndarja e vlerave, te gjërat e përbashkëta do të bëhen bashkë në Ballkan. Ndoshta nuk jemi ende të pjekur për ta bërë tani, por duhet të rritemi dhe – diçka që bëri Tito- t'i themi Amerikës, Rusisë, Bashkimit, Europian Turqisë të shkojë në djall dhe të shohim ç'kemi të përbashkët. Mendoj se kemi shumë, jo vetëm në kulturë, por edhe ekonomi, gjeografi, shumë-shumë gjëra. Gjëja që nuk më pëlqen është se globalizimi ka fitua terren. Çfarë mund të ndajmë nëse bëhemi të gjithë anglosaksonë, gjermanë, amerikanë, njerëz të coca-cola apo pepsi? Të ndash ndodh kur kemi diçka të përbashkët dhe diçka të ndryshme. Mes të përbashkëtave ndërtojmë ura për ato çka janë të ndryshme mes nesh.

 

Mendon se letërsia dhe kultura mund t'i ngrejë këto ura? 

Njerëzit duhet të udhëtojnë para së gjithash dhe ky është paradoksi. Ke internet, por vijmë nga shoqëri pa të ardhura për të siguruar një udhëtim si duhet, siç bëjnë njerëzit e Perëndimit, për shembull. Ke rininë që është e edukuar në internet, por nuk e përdorin si një mjet kulturor apo informimi, por siç ua kanë mësuar, si diçka argëtuese dhe jetojmë në një shoqëri që prodhon spektakël ,ndjenja false se je i kënaqur me jetën tënde, gjë që nuk është e vërtetë. Nëse udhëton në Beograd tani, do të shohësh të njëjtat gjëra; rrugët kryesore janë të globalizuara dhe rrugët e vogla të lëna pas dore. Kjo është ana e trishtuar.

 

A i reflekton këto ide edhe në poezitë, apo prozën tënde? 

Përpiqem t'i reflektoj. Kam ardhur në Tiranë për t'iu arratisur problemeve të Serbisë, që po më largojnë nga të kuptuarit e vetes si dikush që ka nevojë të shkruajë. Sepse në një pikë nuk ke kohë të mendosh aspektin krijues të jetës tënde, gjë që gjithashtu është pasoja individuale e globalizimit. Kapitalizmi po na detyron të punojmë, punësojmë ,punojmë… dhe të flemë, duke hequr të drejtën e atyre orëve për të lexuar, për t'u çlodhur. Pra nuk e kam këtë në Serbi dhe Rezidenca Letrare është një lloj arratisjeje, një kohë për t'u kthyer te vetja. Poeti antik romak, Horaci ka thënë se Arti ka lindur në kohë limontie. Njerëzit që u duhet të punojnë nuk janë artistë. Por përgjegjësia artistike është t'u referohesh gjithmonë njerëzve që janë punëtorë. Nuk po flas për artin soc-realist, por punëtori dhe artisti janë të barabartë; punëtori mund t'i japë bukë artistit dhe artisti mund t'i rrëfejë një histori dhe ta bëjë të çlodhet.

 

Cilat janë temat kryesore të letërsisë suaj? Çfarë ju shqetëson?

Nuk jam një shkrimtar fiction. Nuk i shpik gjërat. E nis me çka po ndodh në jetën time dhe të miqve të mi. Jam politik. Me një lloj angazhimi. Kritikoj shtetin, kritikoj këto narrativa të mëdha që strukturojnë politikën, por në thelb përfundon sesi unë dhe miqtë e mi ndihemi duke pasur këtë jetë, në këtë hapësirë të caktuar. Çfarë bëjmë dhe si ndihemi. Është një dokument narrativ e asaj çka është duke ndodhur.

 

Nuk je tradicional dhe të pëlqen të thyesh rregullat, por gjithashtu je një mësues në gjimnaz dhe të duhet t'u mësosh nxënësve të tu traditat apo bazat mbi të cilat qëndron letërsia…

Po kam shumë probleme në shkollë. Të jesh mësues do të thotë gjithashtu të mos ndjekësh rregullat. Kemi poemën më të bukur epike të të gjitha kohërave e cila titullohet "Bano Strahinja", një poemë  e cila flet për faljen. Shtëpia e një burri shkatërrohet nga ushtritë turke, e ëma e tij turpërohet dhe gruan ia rrëmbejnë, ndërsa ai po feston me kushërinj në një qytet tjetër. Në një pikë të poemës ai përpiqet të pyesë kushërinjtë nëse do e ndihmojnë të marrë mbrapsht gruan e tij dhe ata nuk pranojnë, madje i thonë se turqit e kanë prekur atë dhe ajo nuk është më e tyrja. Por ky njeri është përfaqësimi i kalorësisë. Ai shkon vetëm kundra ushtrisë turke, bën duel dhe fiton me ndihmën e qenit të tij dhe e merr mbrapsht gruan dhe e fal, në sy të të vëllezërve që duan t'ia nxjerrin sytë dhe ta fusin në manastir. Ai u thotë "Nuk do ta bëni sepse ajo është gruaja ime". Mënyra sesi unë ua mësoj letërsinë, sipas kësaj narrative është: "Ku shkuan ata të dy? Që e deshën njëri-tjetrin, të mohuar nga prania të afërmve? Emigruan diku? Ku shkuan këta dy njerëz që besonin te dashuria? Kush u bënë? Kjo është një pikëvështrimi i dikujt për të bërë një film. Askush nuk ka bërë  një film se ç 'ndodhi me këta të dy. Kështu më pëlqen ta mësoj letërsinë.

 

A je ti një kalorës që shkon kundër rrymës? 

Jo, unë jam një askush që përpiqet të mbetet askush.

 

Përse? 

Ç'do të thotë të jesh dikush? Dikush do të thotë status, status do të thotë nivel, nivel do të thotë piramidë. Nuk besoj te piramidat. Nuk vij nga ky sfond human sapo politik. Nuk besoj te klasat.

Por a mund të mbetesh një askush kur je një shkrimtar që i boton librat e tij?

Po. Nëse takon një shkrimtar dhe nëse i bën këtë pyetje do të thotë se do të jetë askushi, sepse është si të gjithë njerëzit. Por unë bëj një ndryshim të vogël sepse dua të angazhohem në deklarata apo bërje. Nuk ka pse të jetë poezi, mund të jetë film, fotografi, arte të tjera, art tradicional, konceptual… por gjëja kryesore e të bërit ndryshim është të mendosh "ku dreqin jemi tani dhe kush prej vetes do të bëhet më mirë? Çfarë është shoqëria ku jetojmë dhe nëse shoqërisë i lejohet të ketë këtë emër; shoqëri?". Nuk besoj se jetojmë në shoqëri, po jetojmë në një xhungël kapitaliste. Njerëzit nuk socializohen me zemër. Të gjithë vishen sipas diçkaje… Por disa njerëz, artistë apo quaji si të duash, refuzojnë të vishen sipas… Këta njerëz janë askushë. Dhe e di pse Askush? E di çfarë i tha Odiseu Ciklopit kur e pyeti si quhej? Ai iu përgjigj: "Quhem askush." Nëse je dikush shkon të flesh në hotelet më të mira, por kur je askush mund të flesh në rrugë. Nuk është e rrezikshme të jesh i pastrehë. Askush nuk të prek as të flet nëse je askush.

27 May 2016

REtyping te Reja e Tiranës: DEJAN ČANČAREVIĆ: MES KAFKËS E PUNËTORIT TË DALLUAR

Nga: Fatmira Nikolli

 

DEJAN ČANČAREVIĆ: MES KAFKËS E PUNËTORIT TË DALLUAR

 

Nuk e kam ditur se edhe fryti trembet për shkak të trazirave. Hapësira të shtuara. Në kopsht. Dhe pëshpërimë. Ishte verë. Mbizotëronte paqja. Uniformat po shëtisnin si rastësisht. Bisedohej për fitoret. Të vdekurit nuk kanë rëndësi. As s'janë harruar. Tani është qetë. Çelën qershitë. Ndër fytyra. Teksa heshtim. Ne ëndërrojmë udhëtimin. Kufijtë janë zgjeruar. Befas. Shpërthimet e gjakut nëpër baltëra. Plane të mëdha për të ardhmen. Rreth saj shumë flitet. Ndërsa po përgatitin pistoletën. Nga fshehtësia e re". Autori i këtyre radhëve është në të dyzetat dhe vjen nga Pancevo, një qytezë afër Beogradit, që përfshihet në atë që njihet si Vojvodina. Mësues letërsie, poet dhe muzikant, Dejan Cancarevic mban veshur një xhup pranvere në ngjyrë ushtarake. Në anën e majtë të kraharorit, qëndrojnë ngjitur një stemë dhe një dekoratë(e trashëguar nga gjyshi dhe origjinale), Franc Kafka dhe dekorata e punëtorit të dalluar në ish-Jugosllavi. I ardhur në Tiranë në fillim të majit përmes Programit Rezidencial "POETEKA – TIRANA IN BETWEEN", Dejan shpjegon se si qëndrojnë bashkë figura e një shkrimtari si Kafka dhe nderimi i një 'punëtori' që në një sistem tjetër politik kur tejkalonte normën njihej me termin stakonovist.

"Është dekoratë për punëtorin e dalluar që u jepej punëtorëve që punonin shumë në Jugosllavi gjatë socializmit. Ndërsa Kafka simbolizon burokracinë që jetojmë sot, çka e parashikoi, sepse Kafka i parashikoi ato që do të ndodhnin pas luftës", shpjegon Dejan. Kur e pyet se si qëndrojnë bashkë dy teori të kundërta Cancarevic bën një shpjegim më të hollësishëm. "Qëndrojnë. Politikisht unë jam i majtë. Është zgjedhja ime politike dhe kjo i referohet bindjeve të mia. Ndërsa Kafka është një kontrast, një paralajmërim për botën ku jetojmë. Njëra është utopi, tjetri distopi. Nuk ka realitet në mes".

Në këtë që jetojmë, nuk është realiteti ynë, atëherë ç'është kjo kohë pyes ndërsa pres me kërshëri një përgjigje, që vjen, duke ngërthyer në bisedë fizikë. "Nuk mund ta themi në mënyrë precize. Kam takuar dikë që më tha se nuk jemi të vërtetë. Jemi vetëm ngjashmëri të diçkaje. Fizika tani po risheh teorinë që mbase ne jemi asimiluar nga dikush më lart se ne, ose ne jemi të paaftë të perceptojmë se çfarë është realiteti me senset tona".

Ish-Jugosllavia,

nostalgji?

Në ditët e qëndrimit të tij në Tiranë, Dejan Cancarevic ka folur disa herë për harmoninë mes popujve në atë që ishte ish-Jugosllavia. Më shumë se nostalgjik i atij sistemi të perënduar, Cancarevic e sheh veten ndryshe. "Kam lindur më 1975 dhe jam rritur në atë që ishte Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Aty kam kaluar fëmijërinë dhe rininë, deri në rënien e Jugosllavisë, ku tashmë jetojë në atë që sot quhet Serbi. Koncepti i Jugosllavisë është i dashur për mua sepse jam edukuar në atë mënyrë, jam rritur ashtu. Jugosllavia ishte kulturë. Gjyshi im ishte pilot në ushtri edhe në familjen time ishte gjithnjë kjo dashuri për Jugosllavinë, për kulturën e saj". Dejan mban mend se atë kohë, si fëmijë ka udhëtuar shumë, në çdo zonë të ish-federatës. "Kam udhëtuar atëherë dhe sot flas ende atë gjuhë që quhej serbokroatisht- ndërsa Jugosllavia është edhe një fushë kulturore e gjuhësore që i përkas. Është hapësira e gjerë. Përveç kësaj, Jugosllavia bëri disa gjëra të rëndësishme, në shekullin '20 me letërsinë e artin: dhe pas rënies se saj nuk e ke më fuqinë që kishe. Ti përkasësh diçkaje të madhe është më mirë se ta ndrydhësh atë. Është mirë ta prezantosh veten si një artist që vjen nga hapësira e madhe kulturore siç ajo ishte".

Ndërsa shpërbërja e Jugosllavisë u dha të drejtën shumë popujve për vetëvendosje dhe shtet formim, e pyes Dejanin nëse ajo nostalgji që ka për ish-Jugosllavinë ndikon edhe në lirinë e të tjerëve. Pyetjes: "Por a besoni ju në të drejtën e njerëzve për të qenë të lirë" dhe të kenë të drejtën për të?", ai i përgjigjet: "Patjetër. Por kjo është e drejta ime ta deklaroj veten jugosllav. E ke këtë mundësi. Jugosllavët erdhën nga martesa mikse, kishin gjuhë e kulturë të përbashkët". Mandej pyetja shtrohet në një tjetër trajtë: "Nëse ju doni Jugosllavinë, që ishte bashkim kombesh, ç'mendim keni për të drejtën e kombeve për të vendosur, për të qenë të lirë dhe për të pasur shtetin e tyre". Në këtë pikë Dejan thotë se "se sigurisht që ke të drejtën të kesh shtetin tënd, por kjo nuk është diçka që shpjegohet në 5 minuta. Ajo që ndodhi në Jugosllavi është e komplikuar dhe është me rrënjë të thella të histori. Para luftës njerëzit jetonin të lumtur në Jugosllavi dhe ajo ishte një vend me prosperitet". Ai pranon se ka pasur njerëz që dënoheshin që dërgoheshin në një ishull, një burg për ata që kundërshtuan sistemin politik, por mendon se në të gjithë vendin e tij, flitej një gjuhë, pavarësisht besimit apo të tjerave. "Njerëzit jetuan 50 vjet pa bërë diferencën kush është kush. Dhe më pas dikush vendosi diçka gabim. Ish-Jugosllavia u themelua nga artistë e shkrimtarë",- shprehet Dejan.

Kur pyes nëse mendon se këta artistë e shkrimtarë po i shërbenin ideologjisë dhe politikës jugosllave, pra, nuk ishin të lirë, Cancarevic pyet nëse ne duhet tashmë të diskutojmë historinë e Jugosllavisë? "Për 50 vite ne kishim një gjuhë ndërsa tani ka disa gjuhë, çfarë ndodhi? Nga një gjuhë që flisja-serbo-kroatisht- tani flas 7 gjuhë. Kjo është politika, në mënyrë që të bësh një vend duhet të kesh një gjuhë kombëtare. Globalizmi e sulmoi Jugosllavinë në vitet 1990", thotë ai dhe biseda merr tashmë një rrjedhë letrare, mbasi tema politike dhe historia ende dhembin. Ai thotë: – Unë jam jugosllav. Ndërsa në një nga poezitë e tij shkruan: Dikur nënat lindnin fëmijë, tani lindin flamuj, duke kundërshtuar me këto radhë idetë nacionaliste dhe ato të kufijve.

Letërsia

Gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë është marrë me redaktimin e disa teksteve të shkruara me kohë, që kanë një gjenezë interesante. Ato bazohen mbi disa tekste të Ivo Andriç. "Kam kombinuar ato që unë mbaj mend nga tekstet e Ivo Andriç me një narrativë të re. Ndërsa për Tiranën, mbase kur të kthehem atje, mund të shkruaj diçka. Këtu jam ende i tejmbushur nga ato që shoh e nga ata që takoj". Ka vizituar Tiranën dhe Durrësin, ndërsa shpreh keqardhje se maji ishte një muaj me shi, gjatë të cilit mundi të shohë shumë pak. Libri i tij i parë ka titullin "Graviteti". Poezitë janë shkruar në fillim të shekullit të ri, në vitet 2000-2005 dhe portretizojnë situatën e një 35-vjeçari në Serbi. "Depresioni dhe sanksionet gjatë kohës që jetonim në luftë. Është një lloj libri për muret që janë rreth nesh", thotë ai. Më pas ishte libri tjetër në vitin 2007 që titullohet '1871 patriotizëm', vazhdim i narrativës së librit të parë. "Një grup poezish merren me ironi se çfarë patriotizmi është. Patriotizmi shpesh është përdorur për të prodhuar luftë dhe kaos, nën ideologjinë e një kombi të madh dhe nuk solli asgjë të mirë, ndaj nuk besoj se ai lloj patriotizmi është i shëndetshëm për atë që e propozon. Patriotizmi në libër shihet me ironi. Janë gjashtë poezi dhe njëra prej tyre thotë: 'Uau çfarë rruge kemi përshkuar. Nga varri blu në varre masive'. Varri blu është një metaforë për detin Jon, sepse ushtria serbe erdhi në Shqipëri gjatë Luftës së Parë dhe shumëkush vdiq. Ata u varrosën në det. Dhe një poet i asaj kohe shkroi një poemë të quajtur 'Varri Blu' si një varr në det. Poezia tregon përpjekjet heroike të ushtrisë serbe për të mbijetuar. Poezia glorifikon ushtrinë serbe. Dhe e shihni paradoksin tani? Nga kohët e lavdishme, erdhëm në atë që është një varr masiv", thotë Dejan. Poezitë e tij, në fakt shkojnë edhe më tej, tek një botë pa kufij, tek pasaportat si rrugë e si ndalesë, sepse Dejan nuk beson në kufij. "Pse duhet të besoj në kufij? Nëse je astronaut, nuk sheh kufij politikë, sheh gjeografi nga lart. Në vitet 1980 njerëzit shkonin kudo. Ndërsa sot ka kufij për kulturat e vogla, nën politika që tregojnë se s'ka kufij. Njerëzit duhet të kuptojnë se vijmë nga planeti tokë, që po e vrasim atë dhe se kjo është gjëja kryesore me të cilën duhet të merremi".

Muzika

Një mësues letërsie, që shkruan tregime e poezi, që flet për një botë pa kufij, për lirinë dhe për ish-Jugosllavinë, ka përtej të gjithave një dashuri të madhe për muzikën dhe luan disa instrumente. "Jam rritur në një familje ku nëna ime dëgjonte muzikë rock. Im atë më bleu kitarën e parë kur isha ende i vogël. Filloi që atëherë dashuria për muzikën. Në fillim doja të isha rokstar e të bëja atë lloj jete. Ajo erdhi si një reagim ndaj asaj që po ndodhte rreth nesh. Punk dhe rock and roll sollën anarki dhe për mua përfaqësojnë nevojën e vazhdueshme për të mos qenë si të gjithë të tjerët. Është liria e zgjedhjes. Brezi im e ka nevojë organike për të mos qenë si të tjerët. Sot njerëzit dëgjojnë turbofolk. E mendoni dot?". Dejan flet me përçmim për turbofolkun dhe shton se "e ka nga nëna e cila nuk dëgjonte asnjë radio që kishte muzikë të tillë". Po a është 'punk' një përfshirje në globalizmin që ai mban larg? "Jo, sepse për mua është model jetese. Nuk shoh shumë njerëz ta bëjnë. Për mua punk të vënë të ngresh pyetje, jo të marrësh ç'të serviret, nuk është pasion- është zgjedhje. Është nevoja për të menduar me kokën tënde, të mos lësh askënd sidomos qeverinë të të thotë se çfarë të bësh. Kjo është PUNK. Këto nuk bëhen nëse bën atë që të thonë të tjerët. Për mua muzika është mënyrë çlirimi nga ankthi e stresi. Të luash muzikë do të thotë të projektohesh në një dimension tjetër. Luaj disa vegla, por e kam nisur nga kitara".

Dashuria

Është pyetje e vështirë për të, megjithëse thotë se kur je i ri, mendon se dashuria është të biesh në dashuri me shpirtin binjak e të jetosh i lumtur gjithnjë. "Por dashuria është një punë e vështirë mes dy njerëzve që kanë vendosur të rrisin afeksionin që ndjejnë mes tyre. Dashuri është të bësh kompromise, të jesh gjithnjë për dikë që, është të jesh i ndërgjegjshëm se nuk mund të jesh tjetri, është respekti, ndaj tjetrit. Tani, 40 vjeç nuk besoj shumë gjëra. Është tjetër të biesh në dashuri e tjetër të jesh në një lidhje, tjetër ta jetosh. Dashuria është dëshira për të qëndruar krah për krah me dikë dhe vendimi që të lidhësh jetën me një njeri me të cilin ndan vlera të përbashkëta, pëlqime të përbashkëta, me të cilën flet dhe zhvillon veten përmes marrëdhënies".

Performanca

Programi Rezidencial "POETEKA – TIRANA IN BETWEEN" që, prej katër vjetësh fton shkrimtarë dhe përkthyes nga rajoni dhe Europa, në bashkëpunim me "REJA – Pavijoni Serpentine", organizuan të mërkurën, dt. 25 maj 2016, ora 20.30, performancën poetike "RE-typing", të autorit serb Dejan Cancarevic, i ftuar në Rezidencë gjatë muajit maj. Konceptues dhe moderator i performancës është Arian Leka, bashkëbisedimi me poetin Dejan Cancarevic u realizua nga gazetari Ben Andoni e përkthyesi Filip Vukadinovic, bashkëorganizator e projektit Silvana Leka.

"RE-typing" shënoi aktivitetin e parë në re dhe arriti të sillte "çmendurinë" dhe vuajtjen e shkrimtarit gjatë procesit të krijimit. Disa ikën, disa qëndruan- sepse procesi i krijimit është i lodhshem. Dhe ideja qe kjo- njerëzit duhet të iknin që ta linin shkrimtarin ne vetmine dhe çmendurine e tij.

24 May 2016

RE-typing > Dejan Čančarević > “POETEKA - TIRANA IN BETWEEN”

Info: Programi Rezidencial "POETEKA - TIRANA IN BETWEEN" që, prej katër vjetësh fton shkrimtarë dhe përkthyes nga rajoni dhe Europa, në bashkëpunim me "REJA – Pavijoni Serpentine", organizon të mërkurën, dt. 25 maj 2016, ora 20.30, performancën poetike "RE-typing", të autorit serb Dejan Čančarević, i ftuar në Rezidencë gjatë muajit maj.

Konceptues dhe moderator i performancës është Arian Leka, bashkëbisedimi me poetin Dejan Čančarević do realizohet nga gazetari Ben Andoni e përkthyesi Filip Vukadinović, bashkëorganizatorë të projektit janë Edit Pula dhe Silvana Leka.

 

Koncepti: Performanca RE-typing projektohet si një demonstrim i të ri-përjetuarit të procesit të krijimit të poezisë që, nga një akt intim dhe vetiak, shndërrohet në përvojë që ndahet në mënyrë të aktualizuar me publikun.

Përpjekja për të portretizuar përvojën artistike të të shkruarit poezi në "kohë reale" ofron njëherazi estetikën e mundësisë dhe estetikën e së pamundurës, si grishje e publikut drejt këtij përjetimi dhe ftesë për pjesëmarrje në artin që ndodh aty dhe për ta.

Poezitë e autorit, të shkruara dhe të shtypura përmes kompjuterit, rishtypen duke përdorur daktiloshkrimin e makinës, në mënyrë që, duke u kthyer pas në kohë, te shkrim-përjetimi i dikurshëm, të provokohet një formë të re, unike për kujtesën e tekstit, autorit dhe të pranishëmve.

Teksti pëson ndryshim grafik, pasi mundësitë "e kufizuara" të daktiloshkrimit të  makinës, zgjerohen përmes leximit të autorit dhe shkrimit digjital, që ndryshon formë vazhdimisht në sytë e publikut.   

Qëllimi mbetet jo prodhimi, por krijimi i një poezie, që është në të njëjtën kohë origjinal dhe kopje e vetvetes, krijim dhe rikrijim i një autori të vetëm dhe një veprim i ndodhur në të shkruarën dhe po aty, në çast dhe përballë lexuesit.

Poezitë janë fragmente nga një libër ende dorëshkrim, copëza të botuara dhe të pabotuara tekstesh të autorit, që vijnë si formë eksperimentale e artit të pakryer, që fton të pranishmit të bëhen pjesë e një procesi ars combinatoria që ndodh enkas për ta dhe aty.

Gjatë performancës, si ndërveprim, të pranishmit i lexojnë vargjet në ndryshim përmes video-projektorit.

_____________________

 

Rezidenca letrare "POETEKA- Tirana in Between", e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, dhe e zhvillon veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane dhe Ambasadën Austriake në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, duke u dhënë mundësi krijuese dhe bashkëpunimi 24 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë dhe duke sjellë gjithashtu përmes tyre pasurimin e skenës kulturore shqiptare.

17 May 2016

Dejan Čančarević në rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Between”

Dejan Čančarević lindi Pančevo (1975) është i ftuari më i ri në Rezidencën letrare "POETEKA – Tirana in Between". Ai është poet dhe prozator serb, i diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në Beograd (ku ka kryer edhe master në letërsi - 2008). Ai ka gjithashtu një diplomë-master në teorinë e artit dramatik dhe të mediave, pranë Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd (2013). Prej dhjetë vjetësh Dejan Čančarević i është bashkëngjitur dhe jep kontribut pranë një reviste për art dhe letrërsi (Kvartal Pančevo).


Ky autor është i interesuar kryesisht ndaj poezisë dhe mundësive multimediale të saj, ndaj dhe prezantimet letrare të tij priren drejt kërkimit të ideve të reja dhe përvojave bashkëkohore në këto fusha.


Veprat e këtij autori janë promovuar në takime të rëndësishme letrare në Serbi dhe rajon në  rajon si dhe në veprimtari poetike në Austri, Suedi, etj.

Dejan Čančarević si mësues i letërsisë në një shkollë të mesme në qytetin e tij dhe si koordinator i veprimtarive në OJQ "Omnibus".

Nga viti 2005 deri në 29012 Dejan Čančarević ka botuar 4 libra. Krijimtaria e tij është prezantuar në disa antologji, të publikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mal të Zi dhe Serbi. Pjesë nga kjo krijimtari është publikuar në shumë revista letrare të rajonit dhe është promovuar në festivale dhe rezidenca letrare europiane.

Mes viteve 2001 dhe 2005 ai ka realizuar disa dokumentarë mbi fëmijët në medie dhe i mjaft radiodramave.

Për më shumë mbi krijimrarinë dhe aktivitetin e tij letrar ndiqni:

www.insomnija.blogspot.com (translations, video, audio & photo links).

_________

Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between", e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, e ka zhvilluar veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, u ka ofruar mundesi krijuese dhe bashkëpunimi 22 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë, duke sjellë gjithashtu përmes tyre pasurimin e skenës kulturore shqiptare.

 

09 May 2016

POETEKA sërish në EUROZINE 's Newsletter - It's something new

POETEKA No. 38 - Spring Issue

 "The Cold War in the library" - Arian Leka:

In Poeteka (Albania), editor-in-chief Arian Leka recalls assembling his personal book collection during the communist period, in an essay titled "The Cold War in the library". Leka's maternal uncle sought to influence him with Russian literature exclusively, while his father fed him western literature. Most western literature available in Albanian at the time consisted of classics, particularly authors critical of the bourgeoisie and capitalist society. Nevertheless, Leka explains that the battle between the two literatures was widespread at the time, characterizing it as one of the most rarified conflicts in world history: "Western literature against eastern! People's democracies of the East fighting against progressive western writers!"

Gateway to literary Albania - Dasa Drndic

Following a recent spell in Tirana as Poeteka's writer in residence, the Croatian author Dasa Drndic has extracts published in Albanian from two of her best known novels: Trieste (2007), which is soon to be published in Albanian in full, and Belladonna (2012). Both works deal with the fates of Jewish families fleeing Italian fascism during World War II and embarking on journeys that lead either to settling in or passing through Albania.

Lore and law: - Uran Butka

The Albanian writer, historian, and a former MP Uran Butka publishes a short story that he wrote during the communist period, when literature that went against the party line was considered a traitorous act and condemned.One of a series of such literary works now being published by the journal for the first time, the story recounts the fate of the protagonist, Syrja Qafëzezi, who fought for the Nationalists against the Italians during World War II, and is therefore blacklisted by the Albanian communists after the war. Syrja is forced to flee his village and go into hiding in the nearby woods, only for his fate to be sealed a few months later while attending his father's funeral. It is here that the local commander, assisted by soldiers, rushes to capture him – an unprecedented violation of the local burial customs. Yet Syrja promises to surrender once the ritual is over. The story closes with the commander handcuffing Syrja in front of the police station and reflecting: "Had he not turned up, they would have handcuffed me."

http://www.eurozine.com

http://www.eurozine.com/articles/2016-05-04-eurozinerev-en.html


08 May 2016

LETËRSIA E ARIAN LEKËS NË GJERMANI - 3 dhe 4 maj 2016

PËRUROHET NË STUTTGART DHE LUDWIGSBURG 

LETËRSIA E ARIAN LEKËS


Akademie für gesprochenes Wort 

http://gesprochenes-wort.de/215-0-Veranstaltung.html&…

TË IKURIT, REGJISTRI I TË MBYTURVE TANË…

Shkrimtari Arian Leka është ftuar në dy veprimtari letrare, që promovojnë krijimtarinë në prozë dhe në poezi të këtij autori, aktivitete këto që zhvillohen në datat 3 dhe 4 maj në Shtutgart (Akademie für gesprochenes Wort - 3 maj; Stadtbibliothek Ludwigsburg - 4 maj) të fokusuara në temën e arratisë-ikjes dhe detit-deti si një hapësirë shpëtimi, si dhe shpresat dhe frika e të ikurve.

Ikja, mbytja, harresa, dhembja, emigrimi, eksodet. Deti: i bukur, i mirë dhe armik-deti si arenë e përgjakshme për mbijetesë, deti si varr dhe njerëz, imazhe njerëzish që mbathin varka/këpucë-anije për të ikur. Mandej, një tufë e përbindshme imazhesh që të vijnë prej tyre: njerëz që i mbathën varkat për të ikur-njerëz që nuk e morën anijen e kthimit, njerëz që nuk mbërritën kurrë, as nuk u kthyen kurrë/njerëz që u shuan me shpirtrat mbetur pezull në det, në ujërat e askujt, të harruar prej gjithkujt-në net të frikshme dimri/njerëz që ende shohin mes atdheut të nëmur e tokave të premtuara, pa mundur të lëvizin prej askundit që ne gënjejmë dhe e quajmë 'parajsë', ata, të mbyturit-njerëzit e tepërt. (Nga Fatmira Nikolli - "Gazeta Shqiptare)

http://www.balkanweb.com/…/te-ikurit-letersia-e-lekes-ne-g…/

Akademie für gesprochenes Wort 

http://gesprochenes-wort.de/215-0-Veranstaltung.html&…

http://www.stuttgart.balassiintezet.hu/…/856-03-05-2016-di…/


Total Pageviews