02 August 2017

POETEKA Tirana in Between: Daim Miftari​ në site e TRADUKI-t

This year's first guest of the writers in residence program Tirana in Between, organized by Poeteka and supported by TRADUKI, was the Albanian poet Daim Miftari from Macedonia. During his stay, he emerged into the cultural life of Tirana. Students of the Faculty of Dramaturgy performed his poetry. Together with Arian Leka, who teaches at the Arts Academy, he held two lectures on cross-border cultural identity of Albanians.

He spent his time in Tirana also to write new poems, some of which have been published in the literary supplement Milosao. He give an interview for the newspaper Shqip and wrote an article on the euphony of Xhevahir Spahiu's poetry for the spring edition of the cultural newspaper Poeteka. Media from Skopje and Pristina also reported on Daim Miftari's residence in Tirana.

29 July 2017

Jasna Šamić - POETEKA - TIRANA IN BETWEEN - Writer in Residence Programme - TRADUKI

Jasna Šamić

 

QYTETI  I  LINDJES

 

Duket sikur çdo gjë kalbet

Dhe mendja jote rëndon

Thithur nga kujtesa

E qytetit të transformuar

Në një pus ku

Dukatët e hajdutëve dhe

Lakenjtë e së keqes shkëlqejnë

Ku martirët krekosen

Për burgun e tyre të dhimbjes

 

Shpirtra të përgjakshëm

Kqyrin në heshtje

Lakenjtë e së Keqes

Dhe dukatet e tyre

 

Duket se çdo gjë kalbet

Përveç:

Lakenjve e së Keqes

Dhe dukateve të tyre

 

                        (Sarajevë)

 

 

  

URA

 

Para se të ishte e bardhë, ishte gri

Para se të ishte e fortë, ishte si një valë

Përa se të ishte një ylber, ishte një shteg i dallgëzuar mes dy fortesash

Dhe shtatëmbëdhjetë shtëpi ku jetuan

Një beqar dhe Mostari

 

Sulltani i ofroi qytetit një urë -

Një ylber -

francezi tha: Është më madhështore se Harku i Triumfit

italini: Është më e fortë se Rialto

turku: Është më e lartë se një minare

Dhe arabi tha: Kjo është një deve e bardhë

 

Poeti shkroi: Kjo është një mjellmë me qafë të përkulur

Një pulëbardhë me krahë të hapur

Mali me borë

Mbi lumë

 

Për shekuj me radhë pulbardhat ulen

Në shpinën e devesë, ngjyra e borës,

Për shekuj  pulëbardhat ngrihen

Nga shpina e devesë drejt Narentas

Përkunden nën devenë e bardhë

qetë dhe etshëm

Ngjyrë nefriti

 

Kur barbarët e sulmuan

Ylberi u bë pasqyrë e thyer

Shpina e devesë - anije e mbytur

Harku – pishtar akulli

Krahët e pulëbardhave - dy duar të prera

Midis dy anëve:

Një plagë



RAPSODIA E NJU JORKUT

 

Gjatë asaj vjeshte

Nju Jorku u spërkat

Nga zjarri

Dhe ketrat në Central Park

U pagëzuan nga ndryshku

Ndërsa po shkoje në pelegrinazhin

E Bukurisë

 

Ti po zbuloje të shkuarën tënde -

Natyrën tënde, të cilën tashmë e njihje-

dhe që e kishe shtypur me këmbë.

 

Gëzimi derdhet nga pemët

Zhytur në flakë

Dhe shpërndahet si një ylber mbi qiell

Mbi degët dhe mbi

Shtigjet e Parkut

Njëlloj si një urë përmes oqeanit

Dhe kohës

 

Si Gruaja me të Zeza e

John Singer Sargent

Ti ishe shekullore

Ndezje zjarre teksa ecje

Mbytur mes gjethesh të thara si

si mbi qilimin e butë të lutjes

 

Kalimi përmes shtegut

Kur shkuat në pelegrinazh

Për t'ju përulur

Bukurisë

 

Dhe për të takuar

Rioshin Bronzino

Para se t'i bashkohej ishullit Böcklin

Ndërkohë që Mezzetin këndonte

Serenatën e tij për ju mbi një stol

Duke vështruar qiellin blu

Dhe Louise de Broglie ishte

Veshur me të njëjtën blu

Duke të t'vështruar ngado që shkoje

 

Nëse ke qenë vetëm

Apo me mikun tënd

- Që gjithashtu dukej

i larë me zjarr -

Nëse je në West Village

Apo në East Village

Duke darkuar së bashku

Nën flakën dridhëruese

Të qiririt

Magjia ju mëkon me gji

Qumështi i saj

Pikuar nga perëndimi shumëngjyrësh

 

Edhe sot ndonjëherë

Kur je e vetmuar

Ti thith kujtimin e

Rapsodisë së Nju Jorkut

Të cilën ai ta kushtoi ty,

Me sytë e tij të trishtë

 

Ti përhap muzikën e tij

Në vende të fshehta të

Ditës

Duke menduar fytyrën e tij

Të hollë si një shpatë dhe

Përkëdhel me sytë tu

Sytë e tij

Mbushur me dëshirë

Nën flakën drithëruese

Të qiririt

 

Kur prerja e mjegullës

Me këmbët tuaja

Pamjen e Parisit

Rishfaqen para teje

 

 

 

 PARISI

Paris ndonjëherë të kujton

një lak të padukshëm

fshehur pas perdeve

të ndjesive të trazuara

e buzëqeshjeve të brishta

           

Vërtetë shpirti im

është dënuar nga kjo?

 

Ndonjëherë është burg

me porta të hapura

drejt vetmisë

drejt erërave të gjuhëve

që ulërijnë si çakejtë.

Dhe shirat që shfryjnë si erërat

teksa një fjalë e ashpër

krijon oden e trishtimit.

 

Shkojnë (kalojnë) fantazmat e të vdekurve të mi

përgjatë deteve imagjinare

para syve gjysmë-mbyllur

si veliera

të zymta e të qelbura

rënduar nga shpresa të rreme

duke më kujtuar qytetet antike

dhe jetët e mia të shkuara.

 

A ka gjë më të trishtë se të sjellësh ndërmend gëzimet?

 

Më imazhet e gëzimit përzihet

ajo e djaloshit me qafë të prerë

e një gruaje me trupin e coptuar

e një njeriu që si një buall ripërtyp

jashtëqitjen e tij

Ky planet

kjo anije mostrash

këndon psalme funebre

dhe këlthet si një zog grabitqar.

 

Qytete e mia janë në zi

Parisi herë është burg

e herë harè

që thyen zinxhirët e trupit

dhe harbon

 

Herë bëhet ëndërr

mes goditjes së kambanave

si një tufë e macesh të lagura në lumin

mbushur me fekale.

 

 

 

QYTETI DHIMBJE

 

 

Në të dy anët e qytetit dhimbje

ngrihen

dy shkurre gjigande

e mes gardheve të gjelbër

të zgavrave pa sy janë shtëpitë

 

Një plak një burrë një qen dhe një nuse plot nur

e thërrmojnë dhimbjen

për të bërë përpara

 

Papritur dëgjohet

një e qeshur

 

E qeshura e ndonjë të huaji

larë më lotët

e të masakruarve

 

                        (në kujtim të Srebrenicës, 2016)

 

 

Përktheu Silvana Leka

 

 

 

28 July 2017

Vlerësim për antologjinë letrare Glückliche Wirkungen (Berlin 2017) ku është botuar edhe tregimi "Qeli prej letre” i Arian Lekës

Vlerësim për antologjinë letrare Glückliche Wirkungen (Berlin 2017) ku është botuar edhe tregimi "Qeli prej letre" i Arian Lekës (në gjuhën gjermane ky tregim është përkthyer nga Zuzana Finger dhe mban titullin "Die Zelle aus Papier"). 
Hartues të antologjisë: Alida Bremer dhe Michael Krüger
________
Glückliche Wirkungen (Berlin 2017) was recommended by Tip Berlin magazine. 
It says: "Literary travels in possibly better worlds, in any case divers worlds with authors from 57 OSZE States: Essays, stories, Lyrics. Great! "
________
Träumt noch irgendjemand von einer besseren Welt? Diese Frage stellt Alida Bremer zusammen mit dem früheren Hanser-Verleger Michael Krüger für das Buch „Glückliche Wirkungen. Eine literarische Reise in bessere Welten". 57 Autoren aus den 57 KSZE-Staaten erzählen von ihren Träumen, ihren Hoffnungen und ihrer oft großen Skepsis, wenn es um eine bessere Welt geht.

Das Buch ist auch eine Reise durch die enorme Vielfalt Europas und dafür ist die Autorin und Übersetzerin Alida Bremer die geborene Reiseleiterin.

18 July 2017

Përurohet në Rumani antologjia poetike e Arian Lekës "Biblioteca plutitoare" / Biblioteka lundruese


Mes datave 6 dhe 9 korrik 2017, në qytetin Bistrița të Rumanisë u zhvillua Festivali Ndërkombëtar i Poezisë dhe Muzikës së Dhomës (edicioni IX), që tashmë vlerësohet si njëri ndër festivalet më të rëndësishëm të Evropës.

- "Në antologjinë që ne kemi botuar, - tha poeti i shquar rumun dhe njëri ndër organizatorët e Festivalit, Dan Coman u shpreh: Arian Leka ka si kafshë shoqëruese një det. Një det që mbushet me tjetër det: pamje, ndjesi, nipër, stërnipër, mendime, dhimbje, shpresa, dëshpërime...

Ky njeri ka krijuar me poezine e tij një det më vete, një det për veten dhe një det tjetër për vendin e tij.
Në këtë det të gjerë e të thellë letrar ai na fton herë pas here edhe ne, lexuesit e tij.
Dhe ne, ndonëse e dimë që ky det nuk ekziston në asgjë hartë gjeografike, e besojmë aq shumë se ky det i tij dhe i yni ekziston, saqë shkojmë ta vizitojmë, e lexojmë dhe e përkthejmë, madje kridhemi në këtë det që Arian Leka krijoi edhe për lexuesin e tij në Rumani. "

- I ftuar për të paraqitur Revistën Haemus, shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku, - që është edhe përkthyesi i "Bibliotekës lundruese" në rumanisht, - u shpreh për shtypin: "Nuk ndodhemi para një poezie kryengritëse, apo gjoja-profetike që rropatet të ndreqë të shkuarën dhe të ardhmen duke dënuar apo përçmuar të tashmen, e as para ndonjë liste me pakënaqësi, ankesa, qarje, por para një dëshmie të patundshme se edhe në këtë epokë të pragmatizmit batërdisës mund të jetohet poetikisht, lart, në mënyrë klasike, në harmoni."

"Është një poezi që, pa bujë, nderon thellësisht vuajtjen, dhimbjen dhe mundimet e shpirtit njerëzor, por edhe shpirtin e botësi si krijim të Zotit, duke nxjerrë nga të gjitha dritë të kulluar arti. (...) "

"Rrallëherë ndodh që e njëjta poezi, e lexuar pa zë dhe me zë, në publik, të ketë të njëjtin ndikim. Ky lloj poezie, - që shmang çdo element spektakli, - siç edhe u pa këto ditë, është në gjendje ta shndërrojë mbarë bashkësinë e larmishme dhe shumëgjuhëshe të dëgjuesve në një lexues të vetëm, dhe sallën e madhe – në një dhomëze të vetme, apo në një cep vetmitar leximi".

Disa nga organet e shtypit kulturor rumun shkruan për praninë dhe suksesin e veprës poetike të Arian Lekës në këtë forum të lartë të poezisë evropiane. "Arian Leka… emri që më zgjonte më tepër interes nuk më zhgënjeu, - shënon revista e njohur kulturore Alecart. E si mund të më zhgënjente njeriu, deti i të cilit i përket atij dhe vetëm atij?

______________________

Kronika:

Qendër e poezisë evropiane (The international poetry and chamber music festival 2017) AL

Mes datave 6 dhe 9 korrik 2017, në qytetin Bistrița të Rumanisë u zhvillua Festivali Ndërkombëtar i Poezisë dhe Muzikës së Dhomës (edicioni IX), që tashmë vlerësohet si njëri ndër festivalet më të rëndësishëm të Evropës. Organizuar nga Qëndra për Kulturë Bistrița-Năsăud, Shoqata e Koncerteve Bistrița, mbështetur nga Administrata e Fondit Kulturor Kombëtar të Rumanisë, Instituti Kulturor Rumun, Flemish Literature Fund, Qendra Evropiane Direct Bistriţa, Radio România Cultural etj, me drejtor festivali dr. Gavril Ţărmure dhe përgjegjës shkrimtarët Dan Coman dhe Marin Mălaicu-Hondrari, Festivali „Poezia është në Bistrița" fton çdo vit përfaqësues të shquar të poezisë botërore në gjuhë të ndryshme. Njëri ndër të ftuarit e këtij edicioni ishte poeti, prozatori dhe botuesi Arian Leka, i cili pati lexime dhe takime letrare gjatë 4 ditëve të festivalit.

Në „Qendrën Multikulturore Sinagoga Bistrita" lexuan krijimet e tyre, u paraqitën dhe ishin të pranishëm poetja dhe aktorja e shquar rumune Ioana Crăciunescu, poetët Ion Mureșan dhe Caius Dobrescu, prozatori Ioan Groșan, poetët Gökçenur Celebioğlu (Turqi), Pablo Garcia Casado (Spanjë), Lies Van Gasse (Belgjikë), Alexandru Vakulovski (Republika e Moldavisë), Denes Krusovszky (Hungari), si dhe disa nga zërat më të fuqishëm të poezisë rumune bashkëkohore. Leximet publike u shoqëruan me muzikë nga trupat e njohura „Trigon", „Liviu Mărculescu Jazz Unit" dhe „ArgEn Tango", dhe me poezi të interpretuara nga aktorja Dorothea Petre.

Revistat Haemus dhe Poeteka 

në stendën e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, Bistrița, Rumani

Centrul Multicultural Sinagoga Bistrița

Në ditën e fundit të festivalit, në restorantin Rapsodia, u zhvillua një dialog rreth shtëpive botuese dhe revistave bashkëkohore të poezisë dhe u paraqitën botimet e freskëta të shtëpisë botuese Charmides; revistat „Alecart", „Haemus", „Poeteka", „Observatorul Cultural", „Infinitezimal", si dhe Plarforma „RomanianLiterature Now" (realizuar nga Cezar Gheorghe dhe Emanuela Ignăţoiu).
Veç leximeve dhe takimeve, shkrimtari Arian Leka mori pjesë në paraqitjen e vëllimit të tij antologjik në gjuhën rumune "Biblioteka lundruese" (Biblioteca plutitoare) botuar nga Editura Charmides. Nuk është libri i parë i Arian Lekës në rumanisht. Plot 10 vjet më parë, Librarium Haemus botonte në Bukuresht "Anija e Gjumit" (Nava Somnului) në përkthimin e Kopi Kyçykut.

Biblioteca plutitoare / Biblioteka lundruese - rumanisht
Disa nga organet e shtypit kulturor rumun shkruan për praninë dhe suksesin e veprës poetike të Arian Lekës në këtë forum të lartë të poezisë evropiane. "Arian Leka… emri që më zgjonte më tepër interes nuk më zhgënjeu, - shënon revista e njohur kulturore Alecart. E si mund të më zhgënjente njeriu, deti i të cilit i përket atij dhe vetëm atij? Dan Coman-i u kujdes të na parapërgatiste: ky njeri ka si kafshë shoqëruese një det. Një det që mbushet me tjetër det: pamje, ndjesi, nipër, stërnipër, mendime, dhimbje, shpresa, dëshpërime... Poeti ndalet para mikrofonit. Një çast heshtjeje. Salla pret me kurreshtje të dëgjojë. Dhe fillon. Shqipton vargje në një gjuhë të cilën ti nuk e njeh dhe që tingëllon si incantatio mistike, e thellë dhe turbulluese, që rrjedh plot peshë, gjithnjë e më afër teje dhe që ka një muzikalitet të veçantë. Sheh djathtas drejt tablosë ku jepen vargjet e përkthyer, i lexon dhe nuk di nëse pika ku ke mbëritur ti është edhe pika ku ka mbërritur poeti... Ishte fjalë dhe emocion, teksa gjuha u bë e të gjithëve, sepse këtu në Bistrița, poezia, ashtu si edhe deti, u përket të gjithë atyre që duan ta hapin shpirtin dhe... të dëgjojnë".

"Në antologjinë që ne kemi botuar, - tha poeti i shquar rumun dhe njëri ndër organizatorët e Festivalit, Dan Coman, - Arian Leka ka krijuar me poezine e tij një det më vete, një det për veten dhe një det tjetër për vendin e tij. Në këtë det të gjerë e të thellë letrar ai na fton herë pas here edhe ne, lexuesit e tij. Dhe ne, ndonëse e dimë që ky det nuk ekziston në asgjë hartë gjeografike, e besojmë aq shumë se ky det i tij dhe i yni ekziston, saqë shkojmë ta vizitojmë, e lexojmë dhe e përkthejmë, madje kridhemi në këtë det që Arian Leka krijoi edhe për lexuesin e tij në Rumani".

I ftuar për të paraqitur Revistën Haemus, shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku, - që është edhe përkthyesi i Bibliotekës lundruese në rumanisht, - u shpreh për shtypin: „Nuk ndodhemi para një poezie kryengritëse, apo gjoja-profetike që rropatet të ndreqë të shkuarën dhe të ardhmen duke dënuar apo përçmuar të tashmen, e as para ndonjë liste me pakënaqësi, ankesa, qarje, por para një dëshmie të patundshme se edhe në këtë epokë të pragmatizmit batërdisës mund të jetohet poetikisht, lart, në mënyrë klasike, në harmoni. Është një poezi që, pa bujë, nderon thellësisht vuajtjen, dhimbjen dhe mundimet e shpirtit njerëzor, por edhe shpirtin e botësi si krijim të Zotit, duke nxjerrë nga të gjitha dritë të kulluar arti. (...) Rrallëherë ndodh që e njëjta poezi, e lexuar pa zë dhe me zë, në publik, të ketë të njëjtin ndikim. Ky lloj poezie, - që shmang çdo element spektakli, - siç edhe u pa këto ditë, është në gjendje ta shndërrojë mbarë bashkësinë e larmishme dhe shumëgjuhëshe të dëgjuesve në një lexues të vetëm, dhe sallën e madhe – në një dhomëze të vetme, apo në një cep vetmitar leximi".
Duke zhvilluar përvit Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë dhe të Muzikës së Dhomës, Festivalin e Prozës së Shkurtër dhe të Leximit dhe Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, qyteti Bistrița është kthyer tashmë në një qendër evropiane artesh.

Pamje nga qyteti Bistrița dhe zona turistike Colibița, ku u zhvillua një private reading i Festivalit. Photo: HaemusPress

16 July 2017

Literary Residence Korrik / July 2017 - Jasna Šamić : “POETEKA – Tirana in Between” - TRADUKI

Rezidenca e autorëve "POETEKA – Tirana in Between" mirëpret një autore të vlerësuar dhe një mike të veçantë gjatë muajiit korrik 2017: Jasna Šamić, shkrimtare, studiuese, autore e 16 librave në frëngjisht, e 21 librave në gjuhën boshnjake, realizuese e 10 filmave dhe dokumentarëve si dhe e mjaft dramave e cila, që prej vitit 1977, jeton midis Sarajevës dhe Parisit.

Programi i qëndrimit të Jasna Šamić në Rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë (i cili mbështet autorë nga rajoni dhe Europa dhe zhvillohet prej 5 vjetësh në Tiranë dhe qytete të tjerë të Shqipërisë, vjen si bashkëpunim me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kultures dhe disa prej Ambasadave të shteteve të ndryshme me qendër në Tiranë) i ofron edhe kësaj autoreve mundësi të gjera për t'u përpërfshirë në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar dhe të disa qyteteve të tjerë, që kanë tërhequr vëmendjen e kësaj autoreje lidhur me traditat kulturore, të tillë si Durrësi, Berati, Kruja, Gjirokastra. Veç kësaj, Jasna Šamić po përgatitet të japë kontribut dhe të përfshihet në veprimtari letrare publike.

Veprimtaritë lidhen me specifika e shkrimeve, studimeve dhe filmave të realizuar nga ajo, që nga shkrimi i një romani epistolar e deti tek një teks mbi suveniret dhe shkrimtarët. Interesa të autores janë gjithashtu trashëgimia artistike dhe joartistike e totalitarizmit (për këtë qëllim ka patur tërheqje nga Pavioni i Realizmit Socialist në Galerinë Kombëtare të Arteve). Përpos këtyre janë edhe historia e besimeve dhe e kulteve, tema e mistikës dhe e sufizmit (për këtë ajo ka vizituar dhe krijuar kontakte me Muzeun Kombëtar si dhe me Muzeun Bektashian, Tiranë).
Këtyre interesave i shtohen edhe veprimtari si ajo e datës 21 korrik 2017, në nderim të Hemingway, ku Jasna Šamić, si autore që ka vizituar Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Kubën di dhe ka shkruar mbi Hemingway-n, do të japë kontributin e saj dhe intervista për mediet.

Jasna Šamić ka lindur në Sarajevë (1949), qytet ku dhe ajo ka filluar shkollimin e më pas ka kryer studimet e larta në sistemin liceum, konservator, shkollë muzike dhe në vijim në Universitetin e Sarajevës, ku studioi gjuhë dhe literaturë orientale: gjuhë dhe letërsi perse, arabe dhe turke.

Më pas ajo ka kryer specializime dhe teza pasuniversitare për Gjuhësi të Përgjithshme dhe Turkologji, duke u thelluar me mbrojtjen e tezës doktorale pranë Fakultetit Filozofik të Sarajevës (1977), në Universitetin e Parisit - Sorbonne Nouvelle, ku ajo paraqiti Doctorate d'Etatès Lettres (1984) me temën e saj mbi Sufizmin dhe Historinë.

Jasna Šamić ka qenë Profesor i Letërsisë Orientale në Universitetin e Sarajevës (përjashtuar pa arsye bindëse nga Fakulteti në vitin 1992). Në vitin 1992 ajo ushtroi detyrën  si Drejtor i Kërkimeve Shkencore lidhur me CNRS (Qendra Kombëtare Franceze e Kërkimit) dhe më pas si Profesor i Gjuhëve, Letërsisë, Historisë dhe Qytetërimit të Ballkanit pranë Universitetit "Marc Bloch" të Strasburgut, ku dhe bashkëpunoi me programet e Radios franceze: "Radio France Internationale" dhe "France Culture".

Që nga viti 1974 Jasna Šamić ka qenë anëtare e Bashkimit të Shkrimtarëve të Bosnjës. Duke filluar nga viti 1996 ajo është gjithashtu anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Francës. Në vitin 2006 ajo u pranua anëtare e Klubit Ndërkombëtar PEN për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Në të shkuarën dhe sot Jasna Šamić ka bashkëpunuar me revista letrare të njohura në rajonin tonë dhe në Europë, ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare në shumë qendra studimore të botës dhe ka dhënë leksione në mjaft universitete të ish-Jugosllavisë dhe Europës. Jasna Šamić është Drejtor i Književna sehara (www.balkan-sehara.com) për shqyrtimet letrar.

Si autore e shumë librave (poezi, romane,) ajo ka botuar në gjuhën frënge dhe në gjuhën boshnjake. Shkruan gjithashtu edhe filozofi dhe ese.
Në vitin 2008 Jasna Šamić fitoi Çmimit Letrar "Stendhal" (Lauréate du program Missions Stendhal). Në vitin 2014 fitoi Çmimi "Gauchez-Pillippot". Gjatë viteve 2014 dhe 2015 ajo është vlerësuar me Çmimin e Botuesve Boshnjakë.




01 July 2017

ARIAN LEKA BOTOHET NE RUMANI – Biblioteka lundruese / Biblioteca plutitoare

Një antologji autori e poetit Arian Leka botohet në gjuhën rumune me titullin "Biblioteka lundruese" (Biblioteca plutitoare).

Libri është botuar Editura Charmides, e mirënjohur tashmë në Rumani për serinë e poezisë dhe për autorët e përzgjedhur në botimet e veta. 

Libri poetik shoqërohet me një ese të autorit, titulluar "Nevoja për të shpikur". Poezitë dhe eseja janë përkthyer në rumanisht nga Ardian Kyçyku. 
Libri do të përurohet në Fevtivalin poetik në Bistrița, 6-9 korrik 2017. 

Pas "Nava Somnului" (Edicionit Haemus, Bukuresht, 2007, përktheu Kopi Kyçyku), ky është botimi I dytë I Arian Lekës në Rumani. 

Antologia de autor a lui Arian Leka, "Biblioteca plutitoare" (tradusă din albaneză de Ardian Kyçyku) apărută la Editura Charmides din Bistrița.

24 June 2017

Letërsi e panjohur nga Shqipëria në Beograd - Sharing the same shelf. We’re not sharing the same dreams. Anymore...

Libraria e rajonit: 

Letërsi e panjohur nga Shqipëria në Beograd

Postuar më: 24 June 2017 14:16










Ditët e fundit në Beograd u organizua takimi "Letërsia e panjohur nga Shqipëria". I ftuar ishte Arian Leka, shkrimtar, editor i revistës "Poeteka" dhe profesor në Fakultetin e Artit në Tiranë, i cili bashkëbisedoi me poetin e njohur Miloš Živanović dhe kritikun letrar Saša Cirić, gjithashtu redaktorë të elektroportalit dhe suplementit të angazhuar letrar "Beton".

Ditët e fundit në Beograd u organizua takimi "Letërsia e panjohur nga Shqipëria". I ftuar ishte Arian Leka, shkrimtar, editor i revistës "Poeteka" dhe profesor në Fakultetin e Artit në Tiranë, i cili bashkëbisedoi me poetin e njohur Miloš Živanović dhe kritikun letrar Saša Cirić, gjithashtu redaktorë të elektroportalit dhe suplementit të angazhuar letrar "Beton". Arsyeja e realizimit të kësaj veprimtarie ishte e veçantë, pasi edicioni i qershorit të suplementit letrar "Beton" iu kushtua tërësisht letërsisë bashkëkohore nga Shqipëria dhe prurjeve më të reja të saj. Materiali letrar i kësaj paraqitjeje u përzgjodh nga Arian Leka, i cili e shoqëroi botimin me  parathënien me titullin: "Sharing the same shelf. Ëe'are not sharing the same dreams. Anymore…!"Në këtë edicion u paraqitën 6 autorë dhe 2 përkthyes, u botua prozë e shkurtër nga, Ardian Kuçuku, Mira Meksi dhe Ylljet Aliçkaj, përkthyer nga Anton Berisha, si edhe poezi nga Sabina Veizaj, Lindita Arapi dhe Mariklena Niço, me përkthimin e Shkëlzen Maliqit. Si parafjalë u përdor prania e mëhershme në përkthimet në gjuhën serbe të autorëve modernë shqiptarë, të tillë si Ismail Kadare, Bashkim Shehu, Ridvan Dibra, Luljeta Leshanakut, Zija Çela, Anilda Ibrahimi e të tjerë, duke vërejtur gjithashtu se me gjithë një lloj lëvizjeje, letërsia shqipe dhe autorët shqiptarë, nuk kanë zënë ende vend në stendat e librarive, se edhe me ndonjë përjashtim  të rrallë, ata nuk janë bërë ende pjesë e veprimtarive kulturore a si festivalet apo rezidencat letrare.

Paneli mes ligjëruesve Arian Leka, Miloš Živanović dhe Saša Cirić u ndoq nga studentë të Katedrës së Albanologjisë, të Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd, drejtuar nga Profesor Naile Imami, nga përfaqësues të ambasadës shqiptare në Serbi, nga përkthyes të tillë si Hamdi Ukaj, i cili ka përkthyer krijimtari nga Kim Mehmeti dhe Fatos Kongoli, por edhe nga shumë vizitorë të interesuar në marrëdhëniet serbo-shqiptare në kulturë.

Takimi u zhvillua në Qendren e Kulturës "Parobrod" dhe u organizua nga Lëvizja Evropiane në Serbi, si pjesë e projektit të "Qendrës së Përbashkët për marrëdhëniet shqiptaro-serbe",  me të cilën bashkëpunuan Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare në Tiranë me mbështetjen e granteve të Republikës Federale të Gjermanisë. Përtej këtyre, u trajtua historiku rreth vendit që zenë dhe rolit që luajnë përkthimet e autorëve shqiptarë dhe serbë në kulturat përkatëse, u prek tema e gjendjes së sotme të përkthimeve nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas, si dhe fenomene të hasura në praktikën përkthimore dhe editoriale. Gjatë bashkëbisedimit, të intervistuarit përmendën edhe ecurinë dhe hapjen e letërsisë shqiptare përmes revistës "Poeteka" dhe partnerëve të saj, e cila, në krye të 3 vjetëve, prej vitit 2014, kur Klubi letrar "Booksa" në Zagreb, botoi antologjinë e prozës dhe poezisë shqiptare dhe më pas botimi i plotësuar me autorë dhe parathënie në deri në "Kaplje", (botim i "OKF", Mal të Zi, 2017) dhe së fundmi me "Beton", ka paraqitur lexuesit  27 autorë shqiptarë të letërsisë bashkëkohore.

Debati: Në fokus të debatit letrar mes Arian Lekës, Miloš Živanović-it dhe Saša Cirić çështjet që i prekin të dyja letërsitë, të tilla si fenomeni i rikthimit të klisheve dhe stereotipeve, prirjet dhe format e letërsisë bashkëkohore në Shqipëri dhe në Serbi, përfaqësimi i letërsive  të dy vendeve sot, përpunimi i një "strategjie" letrare që mban parasysh jo lexuesin vendas apo lexuesin si të tillë, në përgjithësi, por kryesisht lexuesin e huaj, atë perëndimor. Bashkëbisedimi u ndal edhe në çështjet e kundërshtimit të trashëgimisë së drejtpërdrejtë letrare të së "kaluarës së afërt" të realizmit socialist dhe refuzimit të "modeleve patronimikë" – të pronësisë së trashëguar nga "etërit letrarë" dhe nevojës së krijimit të një kundërkulture brenda letërsisë shqiptare.

Me poetin Miloš Živanović, Arian Leka bisedoi edhe mbi tendencën për zgjerimin e zonës së vetmisë brenda letërsisë shqiptare për shkak të pamjaftueshmërisë së përkthyesve dhe të politikave ngulmuese në këtë fushë, por edhe një lloj "kredhjeje" të autorëve në zbulim të unit ekzistencial. Kjo gjë, siç u nënvijëzua, jo në pak raste ka krijuar lidhje me "kujtimin e turbullt" të letërsisë me direktivë, ku "ideologjia e konsumit" ka zëvendësuar "ideologjinë  politike", duke pretenduar se ka gjetur të vërtetën me argumentin e shitjes në shkallë të gjerë të librit dhe duke barazuar kriterin e të qenit "i përkthyer" me kriterin "vlerë letrare".

Arian Leka ndau gjithashtu me publikun mendime rreth përjetimit të asaj forme jete kaluar në një "provincë të kuqe", pjesë e një "Perandorie të Kuqe". Ai u ndal në faktet e pengimit të lirive nën diktaturë, ku shqiptarët, me gjasë kanë provuar ndëshkimin më të rëndë edhe nga vendet e tjera të kampit socialist. Kjo për shkak se Shqipëria ishte pjesë  zonës "as / as", ajo ndodhej jashtë çdo vëzhgimi, jashtë kontrollit dhe monitorimit, larg përgjegjësive ndaj institucioneve ndërkombëtare, nuk i përkiste dhe nuk i bindej as "juridiksionit" të Bllokut Lindor dhe as marrëveshjeve të të drejtave njerëzore që buronin nga Perëndimi. Duke u shprehur për këto, Arian Leka vuri theksin edhe tek "angazhimi" apo përfshirja e artistëve në shoqërinë e shkuar dhe ngjashmëritë e këtij rreshtimi në shoqërinë e sotme.

Intervista: Ndërkohë, në intervistën me kritikun Saša Cirić, dhënë për radion "Beograd 2", Arian Leka ndau përshtypje rreth temave dhe motiveve të shfaqura në dy libra të tij me ese botuar në gjuhën serbe dhe malazeze, respektivisht "Dolap" (botuar nga "Književna Radionica Rašić", 2015) dhe "Jedanaest akustičnih eseja" ("Plima", 2016).

Duke i dhënë një përgjigje pyetjes së kritikut serb, se si qëndron çështja e qartësimit të marrëdhënies me të shkuarën, Arian Leka nënvijëzoi "motivin e thuprës", shfaqur në esetë e tij, duke u shprehur se vetëm fshikullimi, vetëm përqeshja e së kaluarës dhe izolimi i së keqes vetëm brenda zonës së socializëm-komunizmit, siç po ndodh në mjaft tekste të sotëm të letërsisë shqiptare, është i pamjaftueshëm.

Në intervistë Leka theksoi se ka një anashkalim të qëndrimeve të qarta, që nga historiografia e deri te krijimtaria letrare, të cilat i kanë ende të pashlyera llogaritë jo vetëm me socializmin dhe me strukturat e tij në kulturë, por edhe me e trajtimin e së kaluarës, si Lufta e Dytë Botërore, fashizmi e nazizmi, bashkëpunimet, disidencat dhe pengimet etj. Po ashtu, në këtë intervistë u theksua se vërehet vonesë në përjetimin ekzaltues, pa qëndrim kritik ndaj "sistemit të ri" kapitalist.

Në të njëjtën marrëdhënie rri sentimentalizimi i së kaluarës, sidomos në tekstet e poezisë dhe prozës, ku shfaqet "fëmijëria nën diktaturë". Ky lloj i nostalgjisë së "fëmijërisë socialiste", që e ka gjetur "bukurinë estetike" në oborret e shtëpive, në rrëfenjat e mençura të gjyshërve, te "liria" e ëndërrimeve, te arratia e përkohshme përmes ekraneve të ndaluara të shteteve fqinjë. Këto vepra "të gatshme për eksport letrar" paraqesin ekzotikën e një të kaluare që kaloi pa trauma, që nuk e dalloi dhunën, por që përtej përshkrimeve, nuk analizon domethënien e jetës në një vend të mbyllur, të izoluar që, si kufi skajor me botën e lirë kishte piramidat beton-arme në tokë, antenat e Radio-TV Tiranës në kokë dhe tri radhë me fuçi lundruese në det. Për këtë lloj fëmijërie të idealizuar nostalgjia është e mangët dhe vajtimet nuk mjaftojnë.

Bashkëbisedimi me Saša Cirić ndalet gjithashtu edhe në mënyrën se si shqiptarët e kanë vëzhguar Europën dhe Perëndimin, duke marrë shkas nga përfytyrimi i "europianit dhe i kontinentit të tij" parë nga jo vetëm nga vrima çelësi, por edhe dritarja e gabuar e gabuar herë-herë, duke iu referuar këtu valëve dhe sinjaleve të televizionit jugosllav dhe të "desantimit të imazhit të jugosllavit si i dashur armik". Dialogu preku edhe temat e "mbivendosja e realiteteve false" në të dyja kulturat, mashtrimi i të dy shoqërive, një herë me socializmin dhe më pas me modelin e një demokracie të deformuar, ndërthurur me nacionalizmin, anarkinë e tregut, që në jetën e popujve që përjetuan post-totalitarizmin solli shumë zhgënjim. Këto çështje, siç u shprehën bashkëbiseduesit, nuk kanë gjetur ende vendin dhe vëmendjen në tekstet letrare, që shfaqin pak qendrime kritike ndaj demokracisë dhe kapitalizmit.









Arian Leka: 

Sharing the same shelf. We're not sharing the same dreams. Anymore...

Letërsia shqipe - në cilën librari?! 

Europiane, apo as Lindje as Perëndim?

Në libraritë e qyteteve tona nuk luftohet për hapësira kulturore. Në këto librari luftohet për influencë dhe me gjeopolitikë.Në libraritë e Ballkanit lufta bëhet për ekzistencë dhe të qenit faktor. Thënë thjesht: në libraritë e Europës Juglindore, ku bëjnë pjesë edhe dy vendet tona, luftohet për zaptim territoresh

Lista e Michel Focault mbi hapësirat heterotopike – në të cilën ai përfshin anijet dhe bibliotekat, muzetë dhe spitalet, motelet dhe burgjet, shtëpitë publike të pushimit dhe varrezat, saunat nordike apo një hamam oriental – mund të pasurohet me libraritë. Kjo pasi edhe libraritë janë gjithashtu projekte utopike. Pavarësisht se ku ndodhen, në një provincë ballkanase apo në një qytet të madh europian, libraritë janë zona ku dualitetet e hapësirave, të marrëdhënieve dhe të kuptimeve kërleshen mes tyre, ku koha fizike e jetës dhe koha mendore e përjetimit ndeshin për të qenë realë, njëlloj si imazhi i pasqyrës me njerun.

Por ti lexues, që vjen nga trashëgimia e zymtë totalitare, që je velur nga keqpërdorimi i ekzotikës së dhunës, të gjakut e përdhunimit dhe që kërkon të lexosh letërsi të mirë, pavarësisht se nga cili vend i botës vjen ajo, mos i idealizo libraritë e Europës Juglindore, të Ballkanit apo të Haemusit, siç quhej dikur. Lërua të tjerëve padjallëzinë. Përfytyrimi i librarive tona si hapësira brenda dhe njëkohësisht jashtë kohe përmban naivitet të shtirur po aq sa pijet dietike përmbajnë sheqer të fshehur dhe kalori. Libraria në hapësirat publike të qyteteve të Ballkanit nuk shpiku asgjë të re. Pas luhatjes mes formës së muzeut dhe shëtitores peripatetike, ajo përforcoi modelin e vendit ku njerëzia mblidhen jo për të rrahur mendime. Libraritë tona janë hapësira kulturore e politike brenda hapësirës tregtare. Asgjë tjetër nuk ka ndodhur, përveç evolucionit kapitalist. Ata që nuk rrinë bashkë në jetë, takohen në librari. Le Livre Noir du Capitalisme. The Black Book of Communism. Enver Hoxha në një raft me Marshallin Tito. Shihe të vërtetën në sy, homo balkanicus. Jemi apo nuk jemi fëmijë të distopive? Mes gjithë llojeve të librarive të shpikur, libraritë tona janë ndryshe, apo jo? Bashkë me idealizmin, konsumizmi fertilizoi edhe iluzionin tonë të ri. Ti e di. Në libraritë e qyteteve tona nuk luftohet për hapësira kulturore. Në këto librari luftohet për influencë dhe me gjeopolitikë.Në libraritë e Ballkanit lufta bëhet për ekzistencë dhe të qenit faktor. Thënë thjesht: në libraritë e Europës Juglindore, ku bëjnë pjesë edhe dy vendet tona, luftohet për zaptim territoresh.

Këto mendoja para disa ditësh, teksa ecja përmes rafteve të njërës prej librarive të mëdha në Tiranë. U gjenda aty më 23 prill, Ditën Botërore të Librit dhe, teksa ecja mes imitimit të kolonave korintike dhe pasqyrave që shumëfishojnë blerësit, pyeta nëse kishte patur ndonjë interesim të shtuar mbi librat që ne kishim botuar së fundmi? Autorë nga rajoni ynë – malazezë, serbë, maqedonas, boshnjakë, sllovenë, kroatë… Dialogu me librashitësin dashamirës ishte siç dramaturgjia klasike e kërkon: Unë: Ku mund t'i ekspozojmë pak më dukshëm, pak më mirë librat tanë? Ai: Në ekspozitorin e librit të ri. Unë: Zakonisht si i ndani? Si e gjen lexuesi letërsinë ballkanike, që ne botojmë? Ku i drejtoni lexuesit, kur ju kërkojnë autorë nga rajoni ynë? Ai: Letërsinë e ndajmë sipas vendeve dhe gjuhëve? Letërsi franceze. Letërsi italiane. Letërsi angleze. Unë: Po letërsinë e rajonit, ku? Kur rri letërsia ballkanike? Ai: E kemi bashkuar me letërsinë ruse.

Të gjithë autorët që kishim botuar ishin strukur brinjazi në territorin rus. Madje disa prej tyre ishin futur thellë në sqetullën e hapësirës heterotopike të asaj stende të letërsisë ruse brenda një librarie shqiptare. Brothers in Arms with Russina Literature. Sharing the same shelf. We're not sharing the same dreams. Anymore.Ky ishte përfytyrimi. Perandoria e munguar rikrijohej në raftet e librarisë. Shkrimtarë të të gjitha vendeve me trashëgimi dhe të kaluar të përbashkët, "inxhinierë të shpirtrave", siç ju quante Stalini, bashkohuni në hapësirën utopike. Kriza. Divijimi. Rituali. Purifikimi. Nostalgjia më e rëndësishme se harta letrare dhe se territori. E shkuara më e rëndësishme se e ardhmja. Realiteti është shumë më i pasur se fantazia.

Kjo ishte panorama e një librarie në Tiranë. Po në një librari të Beogradit, në Sarajevë, në Podgoricë, në Zagreb, në Shkup a në Ljubljanë, nën sqetullën e cilës letërsi do të futej ajo pak letërsi e përkthyer prej letësisë shqiptare? Bëhej letërsia shqipe "republikë e shtatë letrare" e ish-Jugosllavisë? Ishte europiane apo as Lindje as Perëndim?

Përdorur në kontekstin e njohjes së letërsive tona tek fqinjët, do të pohoja se, edhe 10 vjet pas vdekjes, Jean Baudrillard ka të drejtë. Fqinjësia nuk qenkësh gjë tjetër pëveçse një zonë mbrojtëse – një rimodelim, dezinfektim, një projekt snob dhe spastrues – por mbi të gjitha, në një kuptim figurativ, fqinjësia qenkësh një makinë për të krijuar dhe prodhuar zbrazëti, mungesën e tjetrit, që na rri përballë e përbri.

*Fragment nga parathënia; titulli është redaksional, origjinali është: Sharing the same shelf. We're not sharing the same dreams. Anymore…

(Burimet: Beton: http://www.elektrobeton.net/vreme-smrti-i-razonode/sharing-the-same-shelf-were-not-sharing-the-same-dreams-anymore/ http://www.rts.rs/page/radio/sr/story/24/radio-beograd-2/2759143/oko-balkana.html)

http://www.mapo.al/2017/06/libraria-e-rajonit-letersi-e-panjohur-nga-shqiperia-ne-beograd/1

Total Pageviews