06 May 2018

Emina Žuna - READING BALKANS-2018 - TIRANA's WRITERS IN RESIDENCE

Emina Žuna është autorja që vijon Programin READING BALKANS-2018, që organizohet nga POETEKA me mbështetje nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian dhe TRADUKI. Ky program mirëpret dhe bashkon në një platformë të vetme poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Europa Juglindore (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia.

Emina Žuna lindi në vitin 1981 në Jajcë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo shkruan prozë, ese, dramaturgji dhe artikuj mbi letërsinë dhe kinematografinë. U diplomua në Sarajevë për Psikologji, sudime të cilat i kreu në vitin 2005. Nje vit më pas, gjatë vitit 2006 ajo përfundoi studimet edhe për Letërsi Krahasimtare, përfshi edhe Studime mbi Bibliotekat.

Në vitin 2004 Emina Žuna u bë fituese e çmimit "Karim Zaimović", si meritë për studime të suksesshme në Kolegj. ​ Në vitin 2011 ajo fitoi bursën dyvjeçare Erasmus Master Mundus, falë së cilës kreu studime dhe specializime të thelluara Master mbi Kulturën Letërsinë dhe Europiane,  pranë Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të e Strasburgut.

Emina Žuna ka fituar disa çmime për prozën dhe tekstet e saj skenike. Tregimet e saj janë përkthyer në gjuhën angleze dhe në sllovenisht. Romani "Planjax" (2016) fitoi u bë fitues i konkursit të Fondacionit për Botimet në (2015), duke u cilësuar si një prej dorëshkrimeve më të mira vendase. Gjatë vitit 2016, krijimtaria e saj u përzgjogj për dy çmime rajonale: "Mirko Kovač", në kategorinë e autorit të ri dhe çmimin "Meša Selimović, në kategorinë e romanit më të mirë. Romani i saj i dytë, "Njeriu i së Ardhmes", është në përgatitjet e tij përfundimtare përpara botimit.

Emina Žuna publikuar shpesh në revista kombëtare dhe rajonale për letërsinë dhe kulturën (Sarajevske sveske, Zarez, Odjek, Tema, Bosna franciscana, Avlija, Behar, Treća, Polja, Zeničke sveske, Idiot, Ne-ma, etj). Ajo është gjithashtu aktive në mjaft revista online apo në portalet në internet (Afirmator, Etna, portal Strane, voxfeminae, e-novine etj), duke bashkëpunuar gjithashtu edhe me emisione radiofonike si Da sam Šejn - Zagreb, Tragovima bosanskog kraljevstva - Zenica, Zabilježene – Sarajevo.

Emina Žuna punon gjithashtu si psikologe dhe gazetare e pavarur. Pjesa më e madhe e artikujve të saj në gazetari përfshijnë komentet, rishikime mbi median, shqyrtimet letrare dhe filmike.

Programi READING BALKANS 2018 i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë.

 

25 April 2018

Një kartolinë nga nobelistja Elfriede Jelinek për lexuesin shqiptar në Ditën Botërore të Librit

Një kartolinë nga nobelistja Elfriede Jelinek për lexuesin shqiptar

Prej ditës së djeshme, një kartolinë me tregimin e nobelistes Elfriede Jelinek qarkullon në mjediset letrare si gjest i veçantë për këtë autore. Ky është programi nga "Nga Austria me dashuri" që vjen në "vitin kulturor" mes Austrisë dhe Shqipërisë; një muaj më parë nga revista shqiptare "Fryma" u zbulua përkthimi i parë nga gjuha austriake, që mbante firmën e Arshi Pipës

Ditën Botërore të Librit, 23 prill 2018, Poeteka e ka përkujtuar me një gjest të veçantë letrar, duke publikuar për lexuesit një kartolinë me portretin e nobelistes austriake Elfriede Jelinek dhe një tregim të saj. Në këtë mënyrë vijon bashkëpunimi mes Poetekës, Ambasadës së Austrisë në Tiranë dhe partnerëve të tjerë, vendës dhe të huaj. Ky program nisi një muaj më parë, më 20 Mars, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë, duke çelur "Vitin kulturor" mes Austrisë dhe Shqipërisë.

"Edhe në rastin e publikimit të kartolinës letrare "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love ", me portretin dhe tekstin e Jelinek, u zgjodh një ditë me vëmendje të plotë ndërkombëtare, siç është Dita Botërore e Librit, 2018 e cila, përveçse hedh edhe një hap tjetër domethënës për vijimësinë e programit, ruan edhe kuptimësi të tjera që e përfshin këtë ngjarje letrare të organizuar nga POETEKA në kalendarët e tjerë që nder të Ditës së Librit që organizohen kudo nëpër botë", thotë Arjan Leka ideatori i këtij programi.
Kartolina e dytë letrare me Elfriede Jelinek pason botimin e ballinës së revistës "Fryma" ku u botua një poezi e Rainer Maria Rilkes, nën përkujtimin e Ars, u botua në numrin 7 dh 8 të revistës, në vitin 1944. Por kartolina me portretin e Elfriede Jelinek vjen jo vetëm si ftesë dhe nxitje ndaj lexuesit, por edhe si një format i leximeve shëtitëse në Ditën Botërore të Librit. Teksti letrar i Elfriede Jelinek, që i ofrohet lexuesit, së bashku me kartolinën "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love " është një prozë e shkurtër, me titullin "Paula, gjatë leximit të një libri, ku historia zhvillohet në fshat dhe ku ajo luan rolin kryesor". Teksti, që përmban tipare të spikatura të prozës së Elfriede Jelinek, është përkthyer nga origjinali nga Admira Poçi. Formati i përurimit të letërsisë përmes kartolinave, siç është bërë e njohur nga Leka, ka lidhje me faktin se Austria dëshmohet si një prej atyre vendeve ku kartolina u përdor hershëm për komunikim ndërkulturor. Kartolina për Austrinë ka një traditë 115-vjeçare. Por përparësi e kartolinës letrare në rastin e programit "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love" është ndërthurja e imazhit-portret autori me tekstin letrar. "Poeteka e rikthen këtë traditë përballë publikut shqiptar në një format të ri, kushtuar promovimit të kulturave përmes teksteve leximit, dhurimit të teksteve letrare, si një nxitje në përkthim dhe ftesë në njohjen e kulturave të tjera përmes letërsisë, si në rastin mes autorëve austriakë dhe shqiptarë". Sipas organizatorëve lexuesit njihen jo thjesht portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtarinë e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanishten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit.

Përveç Rilkes dhe Jelinek, autorë të tjerë që do të përurohen muaj pas muaji në formatin "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love" do të jenë Joseph Roth, Christine Nöstlinger, Christian Tanhäuser, Ilir Ferra, Andrea Grill apo Karl Markus Gauß, autori fitues i Rezidencës Letrare "Poeteka" – Tirana in Between" gjatë muajit tetor 2018.













Paula, gjatë leximit të një libri, ku historia zhvillohet në fshat dhe ku ajo luan rolin kryesor

Elfriede Jelinek

më parë bëja ende gjimnastikë që shërbente për të pasur bark të sheshtë dhe të fortë dhe për ta mbajtur atë. më pas ndjeva një shtatzëni që po afronte dhe hoqa dorë sërish nga këto ushtrime të rëndësishme, të cilat i kisha prerë nga një revistë. isha si e krijuar për t'u bërë nënë, kështu isha një njeri i plotë. kështu thonë, një shtatzëni kërkon një njeri të plotë. ndoshta bëra gabim që i lashë ushtrimet, kur e ndjeva se po bëhesha nënë, sepse nuk duhet t'i lësh ushtrimet, madje kur e ndien se po bëhesh nënë, duhet t'i bësh ato. përndryshe, në vend të një njeriu të plotë, je më shumë një gjysmak apo i ndarë. ndoshta kjo ndikoi disi që nisa të bëhesha e huaj për burrin tim, çka u shpreh me një krizë martesore. druaj se e lashë veten pas dore, kur e ndjeva se në mua po rritej një jetë e re. nuk duhet të përqendrohesh aq shumë te jeta e re që po rritet në ty, duhet t'i përkushtohesh edhe burrit, sepse përndryshe ai ndihet i lënë pas dore. ai nuk duhet të mendojë se tani ai luan rol dytësor e jo më parësor. jeta e re në mua rritej pra dhe rritej, ndërsa unë shpërfytyrohesha gjithnjë e më shumë, në përpjesëtim të drejtë me jetën e re që rritej. shto dhe detyrën e vështirë të kursit që në fakt nuk e pengonte jetën e re të rritej, mua ama më mbante larg e më larg kujdesit të përditshëm minimal që duhet të kryeja. unë s'isha as 16 vjeçe, por sa më e madhe bëhej jeta e re në mua, aq më shumë flokë dhe dhëmbë më binin nga koka, çka nuk do të kishte ndodhur nëse do t'i kisha ndjekur ato hilet e vogla të kozmetikës që duhen ndjekur për t'i mirëmbajtur flokët dhe dhëmbët. nuk isha fare e shpërfytyruar. isha përpjekur gjithmonë për shembull ta mbaja në punë trurin nëpërmjet programeve televizive, por tani më duhej që në kohën kur mund të shihja televizor, gjithnjë e më shpesh të merrja bashkëshortin tim nga kafeneja e ta sillja në shtëpi, në kohën e programit të mbrëmjes, ai ishte gjithmonë tapë. rruga nga kafeneja në shtëpi ishte rrugë e vështirë, shpesh binim bashkë mbi pengesat e rrugës ose ai ma fuste me grusht e më rrëzonte përdhe. megjithatë isha e lumtur që e kisha sjellë në shtëpi shëndoshë e mirë. nëse do të ishte dehur më vonë, nuk do ta kisha ngritur dot nga krevati për të shkuar në punë në mëngjes. ndërsa kështu të paktën ai ia dilte ta kryente këtë hap të vështirë. edhe unë duhet t'ia dilja së shpejti të bëja hapin e vështirë drejt spitalit, për të kryer lindjen. në kohën kur ndjeja se po bëhesha nënë, nisi pra largimi nga burri im që shtohej me hapa gjigantë dhe përfshiu të gjitha fushat e jetës së përditshme. sepse kapitali im i vetëm, trupi im që dikur ishte i hollë dhe për këtë arsye lehtësisht i kontrollueshëm, si nga ana kozmetike ashtu dhe për sa u përket veshjeve, nuk po më bindej më. domethënë s'kishte më elegancë. gjëja më e rëndësishme është gjithmonë që të ketë të paktën një bazë, mbi të cilën të ndërtohet, në rastin tim kjo bazë ishte trupi im i hollë që tani nuk ishte më. burri im nisi të më godiste, herë atje e herë këtu. ndonjëherë kisha fat, ai gjente ndonjë pjesë të trupit që dhembte më pak, si kofshët apo të ndenjurat, por ndonjëherë nuk kisha fat dhe ai më gjuante në ndonjë pjesë që më dhembte shumë, jashtë mase shumë, për shembull barkun. madje edhe gjatë shtatzënisë sime, barku im nuk ishte diçka e shenjtë për të me sa dukej, që në fakt duhej të ishte, por ishte diçka jo e shenjtë që mund të goditej. megjithatë shtatzënia nuk u ndërpre. gjimnastika duhet vazhduar me çdo kusht. 

Përktheu nga origjinali: Admira Poçi.

11 April 2018

‘Reading Balkans’ në Tiranë: Marko Pogačar - Arian Leka

'Reading Balkans' në Tiranë: Intelektuali në kushtet e "hapësirës nën thonj"

Intervistoi: Violeta Murati

Po të huazojmë përballjen që poeti kroat Marko Pogaçar vendos individin, poezia e tij është një histori sipas të cilit çdo individ lufton, historia është një gjë intime, është "hapësira nën thonj". Në këto kushte shfaqet intelektuali që fiton lirinë e tij. Në këtë hapësirë sollëm një figurë kyçe në skenën poetike të Evropës Juglindore, ku Pogaçar pritet të jetë i pari në projektin Reading Balkan, dhe hera e dytë që viziton Tiranën, ku në fillim të këtij muaji nisi rrugëtimin programi letrar Reading Balkans 2018. Ky program, që do të zhvillohet gjatë këtij viti në kryeqytetin shqiptar, i bashkohet projektit që sapo ka nisur njëkohësisht edhe në disa kryeqytete të tjerë të Europës Juglindore.

Projekti përmban lexime publike, leksione, urdhëtime në krijim të hartave letrare, ëorkshop dhe masterclass mbi shkrimin krijues, do të drejtohet nga shkrimtari Arian Leka dhe të ftuarit e tjerë që do të vizitojnë Tiranën, emra të njohur të skenës letrare të rajonit, të tillë si Marko Pogaçar, Lidija Dimovska, Emina Zuna etj. Programi Reading Balkans 2018  i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë. Reading Balkans organizohet nga Poeteka, si pjesë e Programit "Creative Europe" të Bashkimit Europian, duke vazhduar traditën që Poeteka vijon prej gjashtë vjetësh me rezidencen për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë "Tirana in Betëeen", mbështetur nga rrjeti Traduki. Projekti Reading Balkans 2018, dhe rezidencat letrare në kuadër të programit Reading Balkans 2018 vijnë si bashkëpunim i Shtëpisë Botuese Goga (Slloveni), Goten Publishing (Maqedoni), Udruženje Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Croaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), PEN Qendra (Bosnjë-Hercegovinë) dhe partnerë të tjerë. Në intervistën e mëposhtme Leka tregon kontekstin e "Reading Balkans", si raporti me lexuesin dhe autorin kanë krijuar një hapësirë të re marrëdhënie, edhe pse rajoni nuk ka luftra, urrejtje por vazhdon të përcjellë më hezitim njëri tjetrin.

– Ç'është programi "Reading Balkans", ky term do një shpjegim; si është përfshirë në këtë hartë kryeqyteti shqiptar?

Siç edhe shpallet dukshëm që në titull, programi kulturor e letrar "Reading Balkans" përfaqëson një projekt kulturor që zhvillohet përmes shkrimtarëve dhe letërsisë. Ky zhvillim i ri ka dy njësi vepruese. Së pari dhe më kryesorja, mbetet prania e gjallë e shkrimtarëve në shtatë kryeqytete dhe qendra kulturore të rajonit tonë. Së dyti, por jo me më pak rëndësi, krijimi i një platforme digjitale përmes së cilës autori komunikon jo vetëm me ata që ndodhen pranë por, falë teknologjisë edhe përmes komunikimit të audienceve në distancë. Çdokush që interesohet se cili autor ndodhet në Tiranë, Split, Beograd apo Prishtinë, për shembull, mund të informohet rreth tij, të marrë informacione, por edhe të hyjë në komunikim. Projekti është një formë propozimi që letërsia e Jugut dhe Lindjes europiane të shkojë drejt njëra tjetrës dhe njëkohësisht të takohet me Perëndimin. Kjo platformë promovon idenë e letërsisë me prani, pra jo vetëm të njohim librat, por edhe autorët dhe përkthyesit e tyre. "Reading "Ballkans" i kushtohet autorëve dhe letërsive të shoqërive pas konfliktit. Ky trem kërkon një  shpjegim. Duket sikur rajoni ynë  i ka lënë pas konfliktet e hapura, nuk ka më luftra, dhunë, vrasje, varre masive. Sigurisht që të tilla nuk ka më, por konflikti ka mbetur, madje është po aq i mprehtë dhe shkatërrues, pasi konflikti është drejtuar në kulturë. Mospranimi i tjetrit, shpërfillja kulturore, keqkuptimet stereotipet dhe klishetë me prirje nacionaliste janë të pranishme në rajonin tonë. Forma më e dukshme e tyre është mosbesimi se në kulturën fqinje, të kulturën e "tjetrit", mund të ketë letërsi të mirë. Ky konflikt mban në këmbë mitet kulturore, ushqen modelet e superioritetit në kulturë dhe trajtimit të tjetrit si kulturë inferiore. Të gjitha këto dhe format e tyre të ngjashme bëhen parakushte për rikrijimin e konflikteve të dhunshme. Programi është i hapur dhe ka mirëpritur shkrimtarë, poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Shqipëria, të cilët, falë konkurimit, tashmë kanë filluar të jetojnë në "shtëpinë e tjetrit".

Rezidencat letrare të programit të lexojmë Ballkanin dhe shkrimtarët ballkanikë ka futur në bashkëpunim elementë të pasur të skenës alternative kulturore dhe kjo është me mjaft rëndësi. Pra nuk kemi të bëjmë me një program të "privatizuar nga shteti", siç ndodh shpesh  me shtetin a me qeveritë në vendet e rajonit tonë, të cilët pushtojnë dhe zhdukin çdo hapësirë publike dhe alternative. Programi "Reading Balkans" ka bashkuar në një platformë disa shtëpi botuese, si "Goga" në Slloveni dhe "Goten" në Maqedoni, Qendrën Multimedia në Kosovë, e njohur për kontributin e vet në botime, festivalin "Polip" dhe sidomos në punën me teatrin si mjet i drejtpërdrejtë komunikimi, PEN Qendra në Bornjë dhe Hercegovinë Shoqatën kulturore "Krokodil" në Serbi dhe "Kurs" në Kroaci, dhe "Poeteka" në Shqipëri. Bëhet i rëndësishëm edhe fakti se autorët e fitues të bursës për rezidencën letrare dhe ata që do të fitojnë, do të kenë një agjent letrar, që do t'u krijojë atyre mundësi komunikimi, kontakte dhe publikimi. Ky element, përveçse është risi dhe koncept lehtësues për autorët, bëhet edhe ndihmë për të kuptuar se si mund dhe duhet të funksionojë një skenë e pavarur letrare, e pasponsorizuar dhe e painvestuar nga kontribute jashtëletrare.

-Ju jeni drejtues i këtij projekti, dhe mund të themi një  nga njerëzit që në përpjekjet tuaja lexojmë një veprimtari dinamike për njohjen reciproke të autorëve, letërsive në rajon. Ne këtë, si lexues shqiptarë e ndjejmë, mbase jemi vend i vogël, ose kryeqyteti është një rreth i qendërzuar sa njihen më shpejt njerëzit e marrin më shumë rëndësi. Si ka qenë kjo ndërsjellje letrare, pritshmëria në vendet ku ka shkuar letërsia shqipe?

E kemi shqiptuar tanimë se, me gjithë një hapje paksa më të madhe dhe përpjekjet me ngulmim që kemi bërë, letërsitë e rajonit tonë ende pak të njohura, për shkak të botimeve të kufizuara edhe mungesave që i kemi përmendur, qoftë mungesa e prkthyesve të shumtë, qoftë mungesa e mendimit. Por mbi këto fakte unë do të theksoja fort se letërsia e rajonit tonë mund të jetë e palexuar, por jo e palexueshme, pasi prej kësaj letërsie, vetëm kohët e fundit janë botuar kryevepra të mirëfillta letrare.

Një rast i tillë, ndër më të fundit, është ai i autores kroate Daša Drndić, prej të cilës është botuar vepra e shquar "Sonnenschein" dhe është në projekt "Belladona", që pasi ka hyrë në listën e ngushtë prej 3 kandidatë, vetëm pas pak ditësh, më 10 Prill 2018, mund të shpallet autore fituese për veprën më të mirë letrare të përkthyer nga gjuha origjinale në anglisht dhe të botuar nga një botues në Mbretërinë e Bashkuar.

Me këtë dua të them se nuk ka "letërsi të vogla dhe të mëdha", "kultura të vogla dhe të mëdha", "gjuhë të vogla dhe të mëdha", ka vetëm autorë, botues, përkthyes dhe lexues të mirë, që "përgjojnë" kryeveprat letrare dhe që e kthejnë në qëllim futjen e këtyre kryeveprave në fondin e artë të letërsisë së një vendi. Letërsia shqiptare, larg çdo entusiazmi dhe euforie, por merr pak më shumë vëmendje, pra nuk është një ishull utopik, por po zë pak më shumë vend në hartën reale të përkthimeve.

Në perceptimin e lexuesit të huaj  ajo mbetet e lexuar pak dhe vetëm përmes disa emrave që, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthore, falë rrugëve institucionale dhe punës gjurmuese të shtëpive botuese apo saje njohjeve njerëzore të llojit shortcut, ka mundur të përkthehet në gjuhë të ndryshme të Europës. Ka ftesa dhe lëvizje, por letërsia që shkruhet në gjuhën shqipe duket si e gozhduar (jo e kryqëzuar, se nuk e ka mbërthyer kush, siç edhe nuk na ka shenjtëruar) në termat "e vogël" / "e panjohur".  Pra, lutje për më pak eufori për përpjekjet e pamjaftueshme, por sidomos më pak zhurmë e zulmë, por sidomos për arritjet e pakta, të cilat bëjnë më shumë zhurmë sesa punë.

– Creative Europe, Traduki, apo çmimet letrare që vijnë nga Europa si projekte të BE-së, a nuk "selekton" letërsinë, nuk i jep liri lexuesit, ose dyshoj se bëhet më politike?

Çdo iniciativë, çmim e vlerësim është dhe do të mbetet e mirëpritur, përderisa prej nesh, pra prej faktorit shqiptar që merret me to në nivelin e partnerit lokal, do të ketë përkushtim, sinqeritet dhe marrëdhënie të sinqertë me veten dhe jo me çmimin letrar, me bursën a me projektin. Të gjitha këto janë rekomanduese, jo detyruese, lexuesi nuk futet në asnjë shtrëngim të lexojë një autor me çmim prej stukturave të tilla apo të marrë pjesë në një veprimtari të mbështetur nga rrjete si këto.  Letërsia shqiptare, nuk është, por bëhet e padukshme. Ajo demonstron sjellje asociale, mungesë vetëvlerësimi e përfaqësimi dhe vazhdon të rrijë e strukur brenda zonës së saj gjuhësore, duke mos marrë pjesë sa duhet dhe sa mundet në përfaqësimet që zhvillohen në rajon dhe në Europë. Në këtë lëvizje, rrjeti Traduki dhe iniciativat "Creative Europe" kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë dhënë ndihmesë domethënëse, pa shpërfillur nisma të brendshme, si ajo Ministrisë së e Kulturës mbi përkthimin e letërsisë shqiptare, që po zë vend.

– Përkundër letërsisë që përpiqet të gjejë të ngjashmit mes vendeve të Ballkanit, politika sheh në të kundërt, dhe roli i shkrimtarëve duket sa vjen e bëhet më i zbehtë. Po të nisemi konkretisht nga ne, vendi ynë a nuk ndjen të njëjtën gjë?

Suksesi ndahet më lehtë se dështimi. Ndodh pak a shumë si me plaçkën e luftës nga Antikiteti në Mesjetë, secilit nga pak. Por pas çdo dështimi priremi të gjejmë jo rrugëzgjidhje, përmirësime apo zgjerim të bashkëpunimit, por fajtorët dhe armiq që na pengojnë të shkëlqejmë. Pas fqinjëve, "armiqve të përhershëm kulturorë", që na shpërfillin dhe na keqtrajtojnë, shteti, politikat kulturore dhe qeverisja mbetet të jenë fajtori ideal. Dhe pse jo?

A nuk ka dashur vetë politika ta marrë rolin "protektor" dhe a nuk ka zgjedhur ajo të jetë jo partner, por investitori dhe koncesioneri kryesor i "produktit kulturor shqiptar"? Faktorët e tjerë kontribues në fushën e librit, me gjithë nismat, nuk kanë ofruar ende modele alternative të qëndrueshme e të pavarura, që nuk do ta lejonin shtetin të merrte formën e një korporate sponsorizuese, që josh dhe shpërblen vetëm "artistët e tij". Madje vetë faktorët e skenës alternative të librit dhe të përurimit, priren të imitojnë shtetin, duke prikuar edhe ata listat me "artistët e tyre". Kjo reminishencë ka shije të hidhur, jo vetëm për kujtesën dhe lidhjen me totalitarizimin e artit dhe çdo strukture të tij. Me shumë për simetrinë, për përsëritjen e përhershme të të njëjtit gabim, edhe kur e kemi provuar se kjo skemë nuk do të na çojë larg.

-Poeteka, apo Festivali i Ndërkombëtar i Letërsisë, që organizoni, mbahet mbi leximet publike. U jemi drejtuar dhe herë të tjera për këtë raport me lexuesit, dhe mjaft herë ka pasur debat sa lexojnë shqiptarët. A nuk krijojnë një "hartë" të izoluar, qoftë hapësirave por edhe interesit për librin?

E kemi prekur edhe herë të tjera së bashku këtë temë dhe këtë çështje a problematikë, quajeni si të doni në një intervistë. Në vend të fjalës publike do të përdor fjalën lexime autori apo lexim autorial. Ka një dallim të dukshëm tek ajo që kemi bërë, që po bëjmë dhe që dëshirojmë ta bëjmë edhe në vijim. Nxitjen e leximit nga autori. Leximin e autorit, ku autori lexon përballë publikut të tij, kjo është prirja jonë. I jemi drejtuar atij publiku që vjen i pashtrënguar drejt këtij autori dhe pa asnjë detyrim a kushtëzim, i palistuar dhe i paskeduar, dhe që nuk i kërkohet llogari nëse vjen vetëm një herë apo që  është vizitor i shpeshtë dhe që nuk ia thërrasin publikisht emrin të lexojë, me komandë apo me urdhër, plus një buzëqeshje, si një spektakël. I kemi dhënë rëndësi leximit pa ndërmjetësim. Pra jo thjesht lexim publik, apo lexim në publik apo leximi i njerëzve publikë për lexuesit që dinë të lexojnë dhe që nuk kanë nevojë për këshillim. Autori, shkrimtari lexon, as aktori për autorin, as iniciativat politike, prej të cilave shpesh nuk kemi të dhëna se sa për qind u rrit leximi, as leximet rituale, për të cilat kujtohemi sa herë që vjen 21 marsi, 22 prilli apo 32 gushti…Autori lexon, përderi sa kemi mundësinë dhe luksin e madh ta kemi përballë autorin. Tingëllon bukur edhe kur lexuesi a përkthyesi lexon autorin e tij, sidomos në prani të vetë autorit. Këto prirje kemi përuruar. Dhe jo shumë javë më parë, në çelje të iniciativës "PoetryCard", ku në "Hemingway Bar "u përurua rishtasi revista "Fryma" e vitit 1944, Rilke në mbërritjet e tij më të para në shqip  dhe Arshi Pipa përkthyes, apo kur  në "Friend's Book House" u përurua përmes leximesh autor-përkthyes lexues krijimtaria e shkrimtarit Miroslav Čurćič apo leximi e creative-ëriting me poetin kroat Marko Pogaçar, që do të zhvillohet këtë muaj. Por përsëri është pak, ndonëse mund të jetë një fillim i mirë. Me gjasë.

Marko Pogaçar, i pari në Reading Balkans

Poeti kroat Marko Pogačar është autori i parë që çel programin e Shkrimtarëve në Rezidencë Reading Balkans 2018. Është hera e dytë që ky autor viziton Tiranën. Hera e parë i takon qëndrimit të tij njëjavor, ku ai, me ftesë të Festivalit Ndërkombëtar të letërsise Poeteka dhe me rastin e "DadaFestLiterature 2016", performoi poezitë e tij në disa pika të rëndësishme për kujtesën historike dhe kulturore të kryeqytetit, si te  "BunkArt 1" në "PostBllok" dhe te "Reja", ndërkohë që rikthimi i Marko Pogačar në vitin 2018 lidhet me angazhime për bashkëpunime më të gjera letrare. Marko Pogačar (Split, 1984) studioi letërsi të krahasuar dhe histori në Universitetin e Zagrebit. Ai është autor i njëmbëdhjetë librave me poezi, ese dhe prozë, për të cilët është vlerësuar me çmime letrare në Kroaci dhe çmime të tjerë ndërkombëtarë. Mes të tjerësh janë të mirënjohur librat me poezi "Pijavice nad Santa Cruzom" (2006, 2009), "Poslanice obicnim ljudima" (2007) "Predmeti" (2009) si dhe libri me ese "Atlas glasova" (2010).  Nga motivet e natës, zjarrit, erës, tymit dhe ziftit autori thur një labirint të zymtë të kohës së sotme. Libri "Crna pokrajina" (Vend i Zi) i Marko Pogačar-it  është botuar në gjermanisht me titull "Schëarzes Land", në përkthimin e Alida Bremer-it, pranë botimeve "Edition Korrespondenzen", Vjenë. Në vitin 2014 Marko Pogačar përgatitit antologjinë e "Lirikës së re kroate". Ai është redaktor i revistës së njohur letrare "Quorum" si dhe i revistës online për çështje kulturore dhe sociale "Proletter.me". Marko Pogačar është ndër të tjera bashkëpunëtor Literarische Colloquium Berlin, Passa Porta, Internationales Haus der Autoren Graz, Civitella Ranieri, Récollets-Paris, Milo Dor, Brandenburger Tor, Krokodil Beograd dhe Literaturhaus NÖ. Libra dhe tekste e tjerë nga Marko Pogačar janë përkthyer dhe botuar në më shumë se tridhjetë gjuhë. Poezitë dhe tekste të tjerë të autorit kroat Marko Pogačar janë përkthyer në shqip nga Ben Andoni, Anton Berishaj, Suadela Balliu janë në revistën letrare "Poeteka", partner me Eurozine. Brenda një kohe shumë të shkurtër Marko Pogačar është bërë një figurë kyçe në skenën poetike të Europës Juglindore. Vëllimi i tij me titull "Crna pokrajina" është një përballje sensuale dhe njëkohësisht intelektuale me kushtet në të cilat njeriu fiton lirinë. Historia, tregon  Pogačar, është detyra e çdo individi, një gjë intime, për të cilën duhet të luftosh – është "hapësira nën thonj".

 

Marko Pogačar

 

REVOLUCIONI PERMANENT I GJUHËS SË POEZISË SË DASHURISË 

TROCKISTËVE TË LODHUR

Si, në vitin 2007, të shkruash poezi dashurie?

kjo është kohë e dendur nga dashuria.

të gjithë, në të vërtetë, na duan me masë.

teoria flet për mungesën e plotë të lëvizjes.

tregu thotë: nëse flet për dashurinë,

flet për zotin, ose anasjelltas.

Pogaçari është i mendimit: gjithçka është zot , zoti është asgjë.

bombardues përplot domethënie të rrezikshme.

por diku në cepin e asaj dashurie, kur ta mbërthesh pas murit,

del diç e papërmbajtur.

rezervat i marrjes dhe dhënies.

dhe në të një baobab nëpër kurorën e të cilit ngjitesh në qiell.

në fund e di: e vemja gjë më e tmerrshme se fashizmi

është fashizmi i matur.

Përktheu: Anton Berishaj

03 April 2018

READING BALKANS 2018 – Marko Pogačar

READING BALKANS 2018 –

Filloi në Tiranë programi READING BALKANS 2018.
Poeti kroat Marko Pogačar është autori i parë që çel programin Shkrimtarëve në Rezidencë READING BALKANS 2018. Është hera e dytë që ky autor viziton Tiranën. Hera e parë i takon qëndrimit 1 javor, me ftesë të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë "Poeteka", me rastin e "DadaFest 2016", ndërkohë që ky rikthim në vitin 2018 lidhet me bursën e qëndrimit 1 mujor si pjesë e projektit READING BALKANS 2018, që organizohet nga Poeteka dhe bashkëfinancohet nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian dhe Traduki.

Marko Pogačar (Split, 1984) studioi letërsi të krahasuar dhe histori në Universitetin e Zagrebit. Ai është autor i njëmbëdhjetë librave me poezi, ese dhe prozë, për të cilët është vlerësuar me çmime letrare në Kroaci dhe çmime të tjerë ndërkombëtarë.
Në vitin 2014 Marko Pogačar përgatitit antologjinë e "Lirikës së re kroate". Ai është redaktor i revistës së njohur letrare "Quorum" si dhe i revistës online për çështje kulturore dhe sociale "Proletter.me".
Marko Pogačar është ndër të tjera bashkëpunëtor Literarische Colloquium Berlin, Passa Porta, Internationales Haus der Autoren Graz, Civitella Ranieri, Récollets-Paris, Milo Dor, Brandenburger Tor, Krokodil Beograd dhe Literaturhaus NÖ.

Libra dhe tekste e tjerë nga Marko Pogačar janë përkthyer dhe botuar në më shumë se tridhjetë gjuhë. Poezitë dhe tekste të tjerë të autorit kroat Marko Pogačar janë përkthyer në shqip nga Ben Andoni, Suadela Balliu, Anton Berishaj, dhe janë në suplementin letrar "Milosao" të "Gazeta shqiptare" dhe në revistën letrare "Poeteka", partner me EUROZINE.

Projekti READING BALKANS 2018 mirëpret dhe bashkon në një platformë të vetme poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Europa Juglindore (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia). Projekti READING BALKANS 2018

Programi READING BALKANS 2018 i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë.

Rezidencat Letrare në kuadër të Programit READING BALKANS 2018 vijnë si bashkëpunim i Shtëpisë Botuese Goga (Slloveni), Goten Publishing (Maqedoni), Udruženje Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Croaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), PEN Qendra (Bosnjë-Hercegovinë) dhe partnerë të tjerë.

29 March 2018

Miroslav Ćurčić - Lexim autori - Traduki - Poeteka - Tirana in Between

Nga takimi i mbrëmshëm në Friend's Book House: Mirupafshim - Dovidenia - Good Bye me tregimtarin nga Beogradi Miroslav Ćurčić, i cili, gjatë muajit mars, qëndroi në Rezidencën letrare "Tirana in Between-2018", si pjesë e programit për shkrimtarë e perkthyes letrarë mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA.

Pas një muaji qëndrim në Rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, "POETEKA - Tirana in Between", prozatori nga Beogradi, Miroslav Ćurčić u përshëndetet me miqtë dhe lexuesit e tij përmes një mbrëmjeje letrare në Friend's Book House. Të pranishmit, shkrimtarë, përkthyes, gazetarë dhe lexues, ndoqën bashkëbisedimin e autorit me shkrimtarin Arian Leka, me përkthyesin e gazetarin e kulturës, Ben Andoni dhe studiuesen e antropologjisë Armanda Hysa, të cilët folën mbi veçanitë e prozës së këtij autori, mbi çështje të kulturës dhe përkthimit në raonin e Ballkanit, mbi praninë e autorëve shqiptarë dhe serbë në projektet botuese dhe mbi mënyrën se si e kanë parë dhe se si e shohin "TJETRIN" në kulturën shqiptare dhe serbe. Tregimet e Miroslav Ćurčić u lexuan në shqip dhe në serbisht. 
Tregimitari Miroslav Ćurčić rrëfeu përvojat e tij gjatë qëndrimit në Tiranë, përshtypja nga vizita në qytetin e Durrësit si dhe shfletoi disa fletë nga ditari në dorëshkrim, që autori ka mbajtur gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar. Ndërmejet këtyre, Miroslav Ćurčić interpretoi në guitalele mizikë, si formë përshëndetjeje për të ftuarit në këtë mbrëmje.
Miroslav Ćurčić ka botuar se fundmi përmbledhjen me tregime "Vdekja në Bashaid", vepër kjo e mirëpritur nga kritika. Tregime nga ky libër, nën përkthimin e Merima Kriezi, janë botuar edhe më herët në gjuhën shqipe në revistën "Poeteka" dhe në suplementi letrar "Milosao", ku mes të tjerëve veçohen "Hipnoza" dhe "Si mbeta pa gishtin e madh…". Gjatë qëndrimit të tij në rezidencën letrare, Miroslav Ćurčić u përfshi në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar, bëri udhëtime në qytete të Shqipërisë, krijoi lidhje me përkthyes dhe njerëz të kultures, mbajti një ditar udhëtimi dhe zhvilloi hobin e tij mbi fotografinë e qendrave dhe të periferive.
Me këtë autor, programi i Rezidencës së shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë hyri në vitin e gjashtë, si bashkëpunim i rrjetit TRADUKI dhe Shoqatës POETEKA. Gjatë kësaj periudhe Tirana është vizituar nga 33 shkrimtarë e përkthyes nga Ballkani dhe Europa.

26 March 2018

POETEKA - PostCard-Poetry - revista "Fryma", Rilke...

Nënshkrimi i fshehur: Pas 70 vitesh zbulohet "firma" e Arshi Pipës si përkthyes i Rilkes

Takimi tek bar "Heminguej", e shndërruar si një qoshkë letrare, e thyerje rregullash si poezia lexohet rëndom, e klishe dha një vlerë 70 vjeçare të fshehur, se çfarë janë në gjendje të transformojnë ngulmimet kulturore, si gjesti i këtij komunikimi 200- vjeçar me Austrinë.

Viti 1944 – aromë baruti, ankthe, lufta, qepena të ulur dhe njerëz që turren për t'u zhdukur, shpëtuar kokën…Në këtë atmosferë të errët dikush injoronte realitetin duke mbledhur poezi shprese, e mbajtur shpirtin gjallë: "….që të shohim pakëz dritë- Naimi". Dhe më i rrallë, e domethënës, bëhej ky nënshkrim në krye të revistës "Fryma", që dilte në ato ditë lufte si e përmuajshme, letrare kulturore, në korrik të '44-ës, në Shkodër.

"Fryma" që merrte vargun e një rilindasi toskë, cituar nga Naimi, duke kuptuar vetëm nga emri emblemën e padiskutueshme të ridimensionimit human e shpirtëror.

"Shkuam te revista "Fryma", kur njerëzit në kohë të mira e të këqija postonin pamje, e ndanin kartolina letrare. Dhe kjo ndodhte në vitin 1944, kur kjo reviste botohej me shpresën dhe mirësinë se ka jetë në këtë vend", tregon befasinë poeti Arjan Leka, përballë njerëzve që me të njëjtën rezonancë ndanë në ditën e poezisë një ngjarje të rrallë.

Një poet austriak, Rilke që krijonte aurën e një lirizmi plot dhimbje, shpresë e frymë jete kalon vjen nga një traditë, një aventure letrare 115 vjeçare, dhe pas 70 vitesh kujtohet në një kontekst pothuaj "të shenjtë" shqiptare, e njëkohësisht po aq rrugëtim nga një aventurë letrare.

Poezia është "Ditë vjeshte", dhe viti 1944 shënon hyrjen e tij në Shqipëri, me shfaqjen shqip e nënshkruar me përkthimin të "Ars". "Ishte një kryevepër në miniaturë, dhe na ka marrë jo pak kohë dilema se kush ishte "ars"", thotë Leka duke e vendosur këtë dilemë mes dy përkthyesve shkodranë, Arshi Pipës dhe Pashko Gjeçit, por që argumentet letrare, bindëse e kanë përcaktuar se bëhej fjalë për Arshi Pipën, si përkthyes i parë duke e reflektuar në ta parën kartolinë letrare, në postcard.

Me poezinë e Rilkes vjen kartolina e parë simbolike, format i krijuar në komunikimin mes kulturave, jo vetëm në marrëdhëniet e sotme, por duke vendosur si kufi një datë historike për çeljen e projektit "Poetry-Card- from Austria to Albania with love", organizuar nga ambasada austriake, në bashkëpunim me "Poetekën", që mban vitin kulturor mes dy vendeve, dhe do pasojë me takimet e biseda, qoshka letrare, kafe-librari të kryeqytetit e qytete të tjera, galeri arti, autobusë turistikë, për të dhënë atmosferën e përkundërt të '44-ës, por me asnjë diferencë të shijes letrare, e nostalgjisë së rrallë.

"Autorë, përkthyes dhe lexues komunikojnë mes tyre me ndërmjetësinë e kartolinave. Përmes formatit të "fjalës fluturake", rivendoset një marrëdhënie e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe me leximin. Ata që do t'i marrin në dorë kartolinat letrare, do të njihen jo thjesht portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtarinë e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanishten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit."

Janë dy mijë karta letrare për autorë austriake dhe shqiptarë që do postohen drejt njëri tjetrit, një poezi e dhuruar nga kulturat e njëri tjetrit, e promovuar leximin nga gjuhët origjinale.

Rasti i Rilkes zbuloi një histori, që jo pak herë janë ndeshur në kulturën shqiptare. Kujtojmë shpërthimin e përkthimeve të "Mbreti i Tulës" të Gëtes, duke njohur 18 përkthyes, apo poezia "Në mundsh" e Kipling, tjetër poezi "Korbi" të Eluarit…

"Ditë vjeshte" e Rilkes që zbulon përkthimin e parë me Arshi Pipën tek revista "Fryma" e 44-ës, pason me 11 versione në shqip, e fundit nga poetja Lindita Arapi. Por, edhe nga shkrimtari Betim Muço njihet një version tjetër nga Rilkja, e përkthyer si pjesë e "Antologji e poezisë botërore të shekullit XX", bashkë me 7 poezi të tjera të Rilke-s.

Takimi tek bar "Heminguej", e shndërruar si një qoshkë letrare, e thyerje rregullash si poezia lexohet rëndom, e klishe dha një vlerë 70 vjeçare të fshehur, se çfarë janë në gjendje të transformojnë ngulmimet kulturore, si gjesti i këtij komunikimi 200 vjeçar me Austrinë.


Dy versione përkthimi të R.M Rilke-s 


Ditë vjeshte

O Zot, është koha. Mbaroi madhështi e verës.

Rrëzoi mbi orët diellore hijet e ftohta.

Dhe le të fryjnë të egra erërat nëpër fusha.

Urdhëroi rrusht e vonë ta nxitojnë pjekjen

Bekoi ata me dy ditë më shumë diellnxehta

Dhe detyroi të arrijnë përkryerjen, ëmbëlsinë,

Atë pasuri të fundme e të rëndë, te vera.

Kush është pa shtëpi tani, s'do ta ndërtojë kurrë

Dhe kush është i vetmuar, i tillë do të mbetet gjatë,

Do zgjohet, do lexojë, do shkruajë letra të vetmuara

Do endet pa qëllim rrugëve të shkreta

Pa gjetur ngushëllim te gjethet erërendëse


Nga Betim Muço


Ditë vjeshte

O Zot, asht koha. Shum e nxehtë qe vera,

Mbi meridian hijen tande shtroje,

e len t'valojë përmbi fushat era.

Urdhno të jenë të plota t'mbramet fryte,

falu atyne edhe nja dy ditë të buta,

ban qi të piqen sa ma parë e shtrydhe

n'venën e randë ma t'mbramen ambëlsi.

Kush nuk ka strehë tash, kurrma s'e ka ngrehë.

Kush asht vetun, gjatë ashtu ka mbetun.

Do rrij pa fjetun, do lexojë e letra

t'gjata do shkruej, do andet kndej e andej

pa gjetun paqe rrugash

kur shkon tuj tretun gjetht era përtej

Përkth: Ars

1944

19 March 2018

“Nga Austria me dashuri”, Kartolinat letrare si format komunikimi mes kulturave

"Nga Austria me dashuri", Kartolinat letrare si format komunikimi mes kulturave

Fatmira Nikolli – Kartolina letrare që nën titullin "Nga Austria me dashuri", nuk do të shërbejnë vetëm si komunikim përmes imazheve, siç është bërë tashmë një rutinë sot.

Këtë ide ka propozuar "Poeteka" në përurim të vitit kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë, mbështetur nga ambasada e austriake në Tiranë dhe partnerët e saj. Nuk do të jetë thjesht një ngjarje e veçuar kulturore, por një sërë veprimtarish që, duke filluar nga 20 marsi, do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2018, duke hedhur çdo muaj në qarkullim një kartolinë dhe duke e ofruar atë në mjedise publike të Tiranës dhe Shkodrës.

Veprimtaria i drejtohet publikut të gjerë, nxënësve dhe studentëve, por veçanërisht lexuesve dhe përkthyesve, të cilëve u dhurohet një mjet të ri komunikimi, siç është komunikimi përmes kartolinave dhe të rejave që përcjellin ato. Nuk bëhet fjalë për mesazhe të shkurtra, por tekste të plota letrare si dhe për portretet e autorëve që i krijuan ato. Por mënyra e përdorimit të kartolinave letrare "Nga Austria me dashuri", nuk kufizohet vetëm me leximin apo koleksionimin e tyre.

Ato fare mirë mund t'u dërgohen njerëzve të dashur në formën e kartolinave me mbishkrim, me shënime vetiake, por edhe si një mënyrë që nxit dhurimin e poezive për ngjarje të veçanta të jetës së gjithsecilit, kulturë kjo mjaft e përhapur në Europë. Te kjo prirje mund të shohim edhe një element alternativ që promovon shkrimin dhe leximin jashtë mjeteve të botës virtuale, që nxit dorëshkrimin dhe leximet në mjedise intime dhe të hapura.
Kjo nismë që përuron të dy kulturat, vjen në kuadrin e veprimtarive që zhvillohen nën moton "2018 – një vit plot ngjarje kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë", që ambasada e Austrisë në Tiranë organizon në bashkëpunim me "POETEKA", si pjesë e programit Poetry Card – From Austria to Albania with Love".
U zgjodh pikërisht formati i kartolinave letrare dhe jo ndonjë format tjetër komunikimi, pasi Austria njihet në Europë si një prej atyre vendeve që i përdorën që herët kartolinat si mjet komunikimi mes kulturave. Kjo prirje e tyre nuk u ndërpre madje as në vite të vështirë, si vitet mes dy luftërave. Tashmë ky komunikim përmes imazhit dhe tekstit që ofron kartolina, përbën një traditë të gjerë dhe të pasur prej 115-vjeçare në atë hapësirë.

POETEKA e rikthen këtë traditë përballë publikut shqiptar në një format të ri, kushtuar promovimit të kulturave përmes teksteve letrare, përmes përkthimit dhe leximit të autorëve austriakë dhe shqiptarë. Si pjesë e këtij programi "POETEKA" ka përgatitur një seri me kartolina kushtuar autorëve austriakë, krijimtarisë së tyre të përkthyer në shqip, por edhe disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri.
Disa prej emrave të autorëve që përurohen përmes kartolinave letrare janë të njohur, pasi një pjesë të krijimtarisë e kanë të lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët. I tillë është rasti i shkrimtarit austriak Joseph Roth, reportazhet e të cilit u botuan për herë të parë në vitin 1927 në faqet e gazetës gjermane "Frankfurter Zeitung" dhe që në shqip është përkthyer nga Lindita Arapi.
Por mes tyre do të ketë edhe autorë të tjerë, klasikë dhe bashkëkohorë, duke filluar me Rilke, te Jelinek, me Mira Lobe, te Klemens Renoldner, nga autorja për fëmijë Christine Nöstlinger apo edhe autorë që e kanë vizituar Tiranën më herët përmes rezidencës letrare "POETEKA", si artisti grafik dhe botuesi Christian Tanhäuser apo Ilir Ferra.
Veçanti do të përbëjë edhe fakti që disa nga kartolinat letrare do të përurohen gjatë kohës kur autorët të gjenden në Shqipëri, siç është rasti i shkrimtares dhe përkthyeses Andrea Grill apo i shkrimtarit Karl Markus Gauß, që do të jetë në Tiranë gjatë muajit tetor 2018.

Të gjithë së bashku, autorë, përkthyes dhe lexues komunikojnë mes tyre me ndërmjetësinë e kartolinave, imazheve të ballinave të librave dhe portreteve të autorëve dhe përkthyesve.
Përmes formatit të "fjalës fluturake", rivendoset një marrëdhënie e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe me leximin. Ata që do i marrin në dorë kartolinat letrare, do të njihen jo thjesht me portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtarinë e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanishten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit. Por përmes kartolinave letrare u kushtohet vëmendje e posaçme edhe përkthyesve, si urë mjaft e rëndësishme komunikimi.
Nisma e promovimit të kulturave përmes projektit "Poetry-Card" – kartolina letrare, e çon datën e komunikimit letrar mes Austrisë dhe Shqipërisë jo vetëm në marrëdhëniet e sotme, por vendos si kufi të kësaj nisme një datë historike prej më shumë se 70 vjet.

Vetë programi, i shtrirë përgjatë gjithë vitit 2018, përmban mjaft befasi. Por takimi përurues i formatit të kartolinës letrare, qe mbahet në "Hemingway", ditën e martë, më 20 Mars, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë, bëhet tejet i veçantë, pasi bashkë me portretin në formë pulle të poetit të shquar austriak Rainer Maria Rilke, si autori që çel serinë e kartolinave letrare, publikut i bëhet e njohur edhe ballina e një reviste letrare të Shqipërisë së vitit 1944. Këto të dhëna i ofrohen publikut si pjesë e një kërkimi që ka bërë në shtypin e viteve 1930-1940 shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka.

Në këtë revistë letrare, pavarësisht nga vitet e vështira politike, janë promovuar vlera të kulturës letrare austriake. Bashkë me to, kureshtja e këtij përurimi shtohet përmes përkthimit në shqip të një poezie të Rilkes, nënshkruar me pseudonim letrar nga një autor e përkthyes i njohur më pas, që asokohe ishte në hapat e tij të parë të krijimtarisë.
Për një komunikim më të gjerë me publikun programi "Poetry Card – From Austria to Albania with love" do të bëhet i njohur përmes takimeve dhe bisedave në shkolla, në qoshkat letrare dhe kafe-libraritë e kryeqytetit dhe të disa qyteteve të tjerë, në institucione të ndryshme kulturore, në galeri arti, autobusë turistikë, të cilat do e mbështillnin qytetin me këtë atmosferë të rrallë të komunikimit përmes kulturave.

POETEKA - Poetry Card – From Austria to Albania with Love

Në kuadrin e këtyre veprimtarive dhe nën moton: 2018 - një vit plot ngjarje kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë - Ambasada e Austrisë në Tiranë, në bashkëpunim me POETEKA dhe partnerë të tjerë, çel Programim "Poetry Card – From Austria to Albania with Love". 

U zgjodh ky format pasi Austria njihet si një prej atyre shteteve që i përdorën kartolinat si mjet komunikimi mes kulturave që herët. Komunikimi përmes imazhit dhe tekstit, që ofron kartolina, përbën një traditë të gjerë dhe të pasur 115-vjeçare. POETEKA e rikthen këtë traditë përballë publikut shqiptar në një format të ri, kushtuar promovimit të kulturave përmes teksteve letrare, përmes përkthimit dhe leximit të autorëve austriakë dhe shqiptarë.
Të gji
thë së bashku, autorë, përkthyes dhe lexues komunikojnë mes tyre me ndërmjetësinë e kartolinave. Përmes formatit të "fjalës fluturake", rivendoset një marrëdhënie e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe me leximin. 
Ata që do i marrin në dorë kartolinat letrare, do të njihen jo thjesht portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtarinë e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanishten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit. 
Fillon me një poezi të Rainer Maria Rilke-s, përkthyer nga "Ars", botuar në revistën "Fryma", Shkodër, 1944, për të vijuar përgjatë një viti të plotë kulturor me emra të tjerë si, Joseph Roth, i njohur për tekstet e tij kushtuar Shqipërisë në periudhën mes dy luftrave, shkrimtarë për fëmijë si Christine Nöstlinger, artistë që e kanë vizituar Shqipërinë si fitues të bursës për rezidencën letrare "POETEKA – Tirana in Between", si artisti grafik dhe botuesi Christian Tanhäuser apo Ilir Ferra, autorë të botuar në gjuhën shqipe, si Andrea Grill apo shkrimtarë si Karl Markus Gauß, që do të jetë në Tiranë gjatë muajit tetor 2018 .

Takohemi nesër, ora 19, më 20 Mars, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë, te "Hemingway Bar", Rruga "Kont Urani", Tiranë.


http://www.mapo.al/2018/03/poeteka-kartolinat-letrare-si-format-komunikimi-mes-kulturave/




Total Pageviews