03 June 2017

Arian Leka botohet në Berlin - “Qeli prej Letre” - "Die Zelle aus Papier"


Arian Leka botohet në Berlin

"Qeli prej Letre" - "Die Zelle aus Papier"

Në antologjinë letrare "Glückliche Wirkungen"

Tregimi Arian Lekës, i cili e hap këtë antologji, titullohet "Qeli prej letre". Në gjuhën gjermane ky tregim është përkthyer nga Zuzana Finger dhe mban titullin "Die Zelle aus Papier". Të dy hartuesit e antologjisë, Alida Bremer dhe Michael Krüger, jo vetëm që kanë përzgjedhur krijimtarinë e autorëve dhe janë kujdesur për botimin, por edhe kanë shkruar për secilin nga krijimet e paraqitura në këtë antologji.

Ky botim i fundit u publikua falë përzgjedhjes dhe kujdesit të dy emrave të njohur për letërsinë në atë vend: të shkrimtarit, poetit e përkthyesit gjerman Michael Krüger, i cili është dhe gjithashtu edhe President i Akademisë Bavareze të Arteve të Bukura si dhe të shkrimtares, përkthyeses dhe kritikes letrare gjermano-kroate Alida Bremer.


Alida Bremer: "A si alfa dhe A si Albania. A është Alfa e kontinentit tonë, ndoshta atje, në rrugën e Otrantos, përpara bregdetit shqiptar të Mesdheut, ku ka pasur kaq shumë histori? A edhe si Antologjia.
Ne në gjermanisht e quajmë Antologji (Blütenlese), në latinisht ajo quhet Florilegium, në greqisht Anthologia, dhe është kjo antologji që mbledh përgjigje për pyetjen mbi imagjinatën për një botë më të mirë. Buqeta me lule e priftit dhe përkthyesit të dikurshëm Haxhimihali nga tregimi i Arian Lekës shënon fillimin e një Ere të Re në Shqipëri – një detyrë e vështirë kjo.

Michael Krüger: "Shqipëria, ky është vendi i shqiptarëve, është një vend i shkundur fuqishëm nga ideologjitë totalitare të shekullit XX. "Si mundi Zoti të lejonte që ne të qeshim dhe të qajmë me të njëjtët lot?" pyet veten Haxhimihali. Lindin pyetjet mbi rolin e fesë, që edhe pas fundit të ideologjive ende nuk kanë gjetur përgjigje."

Është hera e tretë në pak vjet që proza e shkrimtarit Arian Leka, zë vend disa prej antologjive europiane. Së pari kjo krijimtari është botuar në "BEST EUROPEAN FICTION", 2011, (London, Illinois). "Vëllezër në brisk" (Brothers of the Blade) titullohet tregimi i përkthyer nga Sara Lynn Smith, përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon me parathënie nga romancieri irlandez Colum McCann.

Më pas kjo botimet kanë vijuar me antologjinë "Das Hemd" (Leykam) Graz, Austri, 2014, ku Arian Leka botoi "Në kërkim të këmishës së humbur".
Së fundmi sapo është botuar edhe në Gjermani nga edicioni Propyläen "Ullstein Buchverlage Berlin" antologjia letrare me titull "Glückliche Wirkungen".


Dy fjalë për antologjinë:
Titulli i antologjisë është "Glückliche Wirkungen" dhe është shkëputur nga letërkëmbimi i datës 21 Qershor  1798, mes poetit dhe mendimtarit Johan Woflgand Goethe me poetin tjetër gjerman Friedrich Schiller. Pjesë e antologjisë ku është botuar edhe krijimtaria e Arian Lekës, janë shkrimtarë të njohur dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, si Charles Simic (SHBA), Mircea Cartarescu (Rumani), Jeremy Adler (Britani e Madhe) Stefan Hertmans (Belgjikë), Helene Dorion (Kanada), Serhij Zhadan (Ukraninë), Cécile Wajsbrot (Francë), Colm Tóibín (Irlandë), Gerogi Gospodinov (Bullgari), peter Schneider (Gjermani), Ivana Sajko (Kroaci),  Andrej Nikoladis (Mal i Zi), Karl-Markus Gauß (Austri), Viktor Jerofejew (Rusi), Javier Cercas (Spanjë) etj.


Synopsisi i tregimi "Qeli prej letre": Kjo prozë rrëfen jetën e një prifti-përkthyes (Haxhimihali, emri i personazhit), i burgosur në vitet e diktaturës të cilit, gjatë periudhës së burgut i duhet të përkthejnë në gjuhët e Europës jo letërsinë më të mirë shqiptare, edhe letërsinë e atyre që i kishte shokë qelie dhe që ishin burgosur për shkak të letërsisë. Ai duhet të përkthente me porosi të shtetit letërsinë zyrtare të realizmit socialist, të atyre që nuk ishin në burg, por që as të lirë nuk ishin.
Letërsinë "e lirë", të përkthyer nga Haxhimihali i burgosur, regjimi i përdorte si propagandë, duke e dërguar madje edhe në Panairet Ndërkombërarë të Librit në Europë. Pas lirimit, menjëherë pas rënies së regjimit, Haxhimihalit, tashmë të liruar nga qelia, i vjen propozimi për të hartuar dhe përkthyer një antologji letrare, ku shkrimtarëve të dikurshëm, t'i bashkonte autorët e ndaluar ata që nuk e kishin parë kurrë jo dritën e botimit, por as të diellit, shkrimtarë  që kishin hyrë në burgje, por jo në ndonjë antologji.
Këtu fillojnë dilemat e përkthyesit-prift Haxhimihali: A ishte e drejtë të ishin bashkë, në të njëjtën antologji ata që iu hap gjoksi nga plumbi në zemër, me të tjerët që gjokset iu shpuan nga vrimat e medaljeve të praruara? Si do të ndiheshin në të njejtin libër ata që u lidhën me litarë dhe ata që librat i patën me lidhje speciale dhe të qepur me pe? A duheshin të ishin bashkë në të njëjtin libër, nën të njëjtin kapak? Si mund të ishte titulli i antologjisë? A do i ngante libri një kampi përqendrimi apo kopshtit botanik, të mbushur me lulet utopike? Këto dyshime e shoqërojnë vetminë e Haxhiamihalit, derisa e dorëzon antologjinë. Mes ndjenjës së drejtësisë hyjnore të Bibla që kishte studiuar e që rrëfehente mbi të ujkun që lodron me qengjin, fëmijë që luan me gjarprin në strofullën e tij dhe luanin dhe demin, që ushqeheshin së bashku me kashtë të artë dhe drejtësisë në një shoqëri, së cilës komunizmi i kishte premtuar Mbretërinë e Qiejve, kur të zhdukeshin  klasat dhe lufta mes tyre.

Vlerësime kritike.

Të trija antologjitë ku është botuar krijimtaria e Arian Lekës janë shoqëruar me reçensa dhe shënime vlerësuese.

"Vëllezër në brisk" - Brothers of the Blade

Peter Byrne, nën titullin "Nonstandard Tales From The Real Europe", shprehet: "Arian Leka na tondit me rrëfimin e tij, tek na përball me peshën e përgjegjësisë që mund të rëndojë mbi familjen shqiptare. Veçse një barrë e atillë rëndon po aq edhe në një mori vendesh të tjera europiane. Ështe interesant portretizimi i ndjerë i anoreksisë nga Hilary Mantel, që vëzhgon një familje britanike në kahun "perëndimor" të Europës, ndërkohë që familja te tregimi i Arian Lekës është e njësuar dhe nënkupton "edukim prindëror", ndërsa në Shqipëri ajo merr kuptimin e "detyrimit fisnor".
Brandon Wicks, shkrimtar dhe studiues letrar, duke shkruar rreth antologjisë "Best European Fiction" në "Art & Literature", nënvijëzon: "Vëllimi përfundon me një tekst të shkurtër, ngarkuar me tension të pabesueshem, me tregimin elegant "Vëllezër në brisk" i autorit Arian Leka, ku si në një ritual, personazhi është i detyruar rruajë fytin pa qime të të vëllait në ditën që atë do ta bëjnë dhëndër – një çast i vogël domethënës, i ngarkuar me ankth dhe me dëshirasublime."

Kevin Frazier, kritik dhe shkrimtar, në tekstin botuar në "A Map of Faces", duke parashtruar për lexuesin synopsisin tregimit thekson edhe se "…Në paraqitjen shqiptare, "Vëllezër në brisk" nga Arian Leka, vëllai i madh duhet të rruajë vëllain më të ri në një akt të ndërlikuar përkushtimi dhe keqardhjeje, përshkruar me nëntinguj të dhunshëm dhe që na kujtojnë skenën e të njëjtit rit nga "Benito Cereno" e Herman Melville-it. Vëllai i vogël, një njeri guximtar dhe tërësisht njerëzor, për vite me radhë ka qenë shtylla e familjes, por që tash, kur martohet, i duhet të ndahet prej saj. "Pas gjithe kësaj" - vëllai i madh ngarkohet me dilemën – "…nësë vëllai ynë i vogël nuk do të jetë më babá për ne, cili do të jetë ati ynë i vërtetë? Po unë kush do të jem? Çdo të jemi ne të gjithë, babai, motra, nëna dhe unë vetë, kur ai të mos jetë më ky që është? Kur të mos na përkasë më ne, por njerëzve të tjerë, atyre që sot po bëhen gati të mësyjnë në jetën e tij, duke na flakur ne të gjithëve, familjarëve të tij jashtë nga parajsa jonë." Teksa mediton me brisk në dorë mbi fytyrën e vëllait të vogël, akti na kthen mbrapsht, në të kaluarën e familjes: "…kudo plagë, vraja, blana, lytha të vegjël, gropëza, të çara e vijëzime sa do të mjaftonte vetëm një kalim i pakujdesshëm brisku, që fytyra të lahej në gjak. Dhe sakaq, fëmijëria, koha e pakthyeshme kur ata ishin të pandarë, i kaloi brenda një çasti. Mes gishtërinjve dhe në hapësirën mes dy plagëve iu faneps një tjetër kohë: koha kur ata llangosnin njëri-tjetrin me bojë këpucësh e me kolinoz në gushë, nën hundë e në faqe për t'u bërë sa më shpejt burra me mustaqe të sajuara..." Historia mbyllet me një shënim që do të shërbente si një epigraf për të gjithë përmbledhjen: "Ne ndryshojmë veten për shkak të të tjerëve, ne paguajë çmim të lartë vetëm për të qenë së bashku ..."

"Në kërkim të këmishës së humbur" - Auf der Suche nach dem verlorenen Hemd.
Kleine Zeitung: "Kjo është një ndërthurrje e historisë personale të një fëmije të lindur me këmishë, me historinë e një vendi me zonat e tij më tramautike të tij, si humbja e lirive themelore, fjala, lëvizja, prona, besimi, ateizmi, kolektivizimi (si ironi e globalizimit primitiv) privatja etj. Sa me fat mund të quhej një fëmijë i rritur në një vend absurd si ky…?"



29 May 2017

Interview: Jasna Dimitrijević - POETEKA - Tirana in Between - Writer in Residence PROGRAMME

Jasna Dimitrijević: Të shkruash për të lënët mënjanë


27 May 2017 

Nëse do të kishte dy elemente që do e identifikonin Dimitrijeviç si shkrimtare do të ishte proza e shkurtër dhe subjektet e marra nga jeta margjinale. Tregimet e saj sillen gjithnjë rreth grupeve margjinale; emigrantë, refugjatë, gay, njerëz nga shtresa të varfra, me probleme sociale. 
Tregimtarja serbe flet se si hoqi dorë nga kritika letrare për t'iu përkushtuar krijimtarisë, vështirësitë në botim të një zhanri që nuk përfillet shumë nga botuesit e mëdhenj dhe hapat e ngadaltë për ndërtimin e urave mes letërsisë së dy vendeve, Serbisë e Kosovës... 

Nga Suadela Balliu 

Gjatë studimeve për Letërsi nuk shkroi as edhe një rresht krijimtarie. Ngurrim që e mori me vete për dhjetë vite. Derisa një ditë, u ul përpara kompjuterit për t'u ngritur prej aty me një tregim të shkurtër. E kish mbajtur gjatë brenda vetes për ta çliruar në një ditë të vetme. "Ishte historia e një emigranti në Holandë" kujton Jasna Dimitrijeviç, prozatorja serbe, e cila muajin maj e kaloi si vizitore në kryeqytetin shqiptar, si fituese e rezidencës letrare "POETEKA – Tirana in Between – 2017", program që mbështetet nga rrjeti europian për letërsinë dhe librat – TRADUKI, nuk marrin pjesë Austria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtejn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.
Kanë kaluar shtatë vite nga ai tregim i shkruar, që më pas u përkthye edhe në gjuhën gjermane, e prej atëherë ajo ka botuar librin e parë me tregime "Prepoznavanja" (Njohje) dhe pret të botojë së shpejti të dytin, sërish me tregime. Nëse do të kishte dy elemente që do e identifikonin Dimitrijeviç si shkrimtare do të ishte proza e shkurtër dhe subjektet e marra nga jeta margjinale. "Në Serbi tregimet nuk janë trend, që të bësh emër në fushën e letrave duhet të shkruash një roman. Është pak ofenduese kur njerëzit më thonë shpesh kur unë u them kam botuar një libër, reagimi është: "Oh, një roman!" Jo, u them, me tregime. Pastaj thonë -dhe kjo është më fyesja- "Kur do e presim romanin?". Dhe unë u them: "Kurrë". Nuk jam njeri romanësh. E di se tregimet janë sfond për roman. Mund të jenë romanë, por përse duhet?! Dua të eksploroj më shumë në tregime". Tregimet e saj sillen gjithnjë rreth grupeve margjinalë; emigrantë, refugjatë, gay, njerëz nga shtresa të varfra, me probleme sociale. "Janë histori vendëse, me sfond në Serbi apo në rajon. Sigurisht që pas tyre ka diçka rreth shoqërisë dhe politikës".
Megjithëse ka qenë aktiviste në organizata me bazë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk e quan veten të tillë, kur e pyet mbase është ky ndikimi i fortë mbi prozën e saj. "Nuk e quaj veten aktiviste. Jam në disa raste, por kur e them më duket sikur gënjej. Nuk jam gjithnjë aktive. Ka kohë që e kaloj në izolim, kur nuk dua të di se çfarë ndodh me shoqërinë apo me botën dhe nuk mendoj se jam gjithnjë gati të merrem me probleme sociale apo padrejtësi, por është gjithnjë diku në mendjen time dhe në sfond të prozës sime. Jam e ndikuar gjithnjë nga këto subjekte" –thotë ajo, duke shtuar se mendon se përmes trillit të saj letrar, i duket se po gjen zgjidhje të problemeve në botë. "Së pari, dua të bëj veten njeri më të mirë përmes letërsisë sime", thotë ndërsa shton se këtë nuk e ka deklaruar kurrë më parë, e aq më pak në gjuhën angleze, si i vetmi mjet komunikimi mes dy njerëzish në Ballkan, ku e intervistuara nuk di shqip e as intervistuesja nuk njeh kurrfarë fjale në serbisht. Mesazhi që përçon ecën gjithnjë me dëshirën për të bërë art. Ajo nuk e harron qëllimin apo ambicien për të qenë shkrimtare. "Unë dua të krijoj art, së pari. Stili dhe kompozicioni është shumë i rëndësishëm për mua. Kështu gjej mënyrën si ta them një mesazh. Kur ka vetëm një mesazh të thjeshtë, nuk dua të botohet. Kjo është më shumë një empati sesa mesazh". Një nga tiparet dalluese të të shkruarit të saj, është dëshira për ta ditur gjithnjë fundin e një tregimi. "Nuk ulem të shtyp pa e ditur fundin". Edhe pse mund të tingëllojë si e fiksuar për të pasur gjithçka nën kontroll, jashtë spontanitetit, nuk i shpëton dot njëjtësimit me personazhet. "Shpesh e vendos veten në pozitën e karakterit kryesor që është i shtypur, ndonjëherë në petkat e dikujt që po shtyp. Ndonjëherë më ndodh të shkruaj në vetë të tretë dhe ato janë momentet ku bëhem shumë emocionale dhe duhet ta shkëpus veten nga personazhi. Por më pëlqen kur shkruaj në vetë të parë, sepse mund të jem më ironike dhe kur jam ironike me personazhin në vetë të tretë duket si cinike dhe moralizuese, e moralizimin përpiqem ta shmang". Të shkruarit e sheh si një rrugë për të kuptuar botën, për ta parë në një kënd ndryshe, për të hyrë në lëkurën e një tjetrit. "Ndonjëherë iu jap personazheve diçka nga kujtimet e mia personale, mendime, objekte, sende dhe kur ia dedikoj një personazhi të keq është e dhimbshme por dua ta bëj, si për shembull t'i jap këngën e fëmijërisë një njeriu të keq". Përpara se të njihej si shkrimtare, Jasna Dimitrijeviç njihej si kritike letrare. "Kam shkruar kritikë letrare, më shumë reviews, sepse ishte një pozicion pak i vështirë të shkruaj kritikë, ndërsa po përpiqem të jem vetë shkrimtare. Në një pikë, kuptova se isha shumë e butë me ta dhe ishte shumë keq për kritikën, por edhe për mua. Kështu që hoqa dorë". Ka kontribuuar në kolonën e kritikës letrare në revistën serbe "Beton" e më pas në revistën kroate "Booksa". "E lashë sepse doja të bëja diçka që të më përmirësonte mua si lexuese, njeri dhe shkrimtare dhe jo të lexoj gjithçka, edhe letërsi të keqe. Pikërisht në kohën kur hoqi dorë nga të shkruarit kritikë letrare lindi zyrtarisht shkrimtarja. Libri i saj i parë me tregime u botua pasi u shpall fitues i vendit të parë në konkursin e krijimtarisë në dorëshkrim, organizuar nga Biblioteka Karlo Bijelicki (Sombor), si dhe u përzgjodh në shortlistën e librave më të mirë që konkurronin për çmimin kombëtar Biljana Jovanoviç dhe Dusan Vasiljev (2015), e prej këtej më pas u bë fitues i çmimit Mirko Kovaç për shkrimtarët e rinj, në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
"Tani po punoj për një libër të ri. Kam pesë e gjashtë tregime dhe i kam lënë vetes një afat, deri të dielës, sepse të hënën kthehem në shtëpi dhe dua ta kem gati për ta çuar te botuesit. Erdha këtu me idenë për të shkruar tregime rreth punëve të reja, të shpikura këto 20 vitet e fundit". Kur flet për këto punë apo 'profesione' që ajo i quan të reja ka parasysh ata që punojnë si audiencë në talk show, ata që paguhen për ti bërë pazarin në market dikujt, një maskotë, një shkrues anonim i komenteve pozitive për një kompani në rrjetet sociale. "Këta shkrues anonimë shpesh përdoren nga politikanët dhe në Serbi, shpesh tallemi me këtë fenomen, duke i quajtur këta njerëz botë, shkurtim i robotë. Këto tregime ka dy vjet që i mbaj me vete. Po punoja mbi diçka tjetër, por këto subjekte ishin në mendje dhe nuk mund t'i shmangia. Kam qenë gjithnjë e magjepsur nga një fenomen matematikor si Sekuenca e Fibonaçit dhe shkrova një tregim me këtë titull. Kështu dua ta titulloj edhe librin, por varet nga botuesit". Si kritike letrare i kanë rënë në duar autorë jo vetëm serbë, por të hapësirës ish-jugosllave, ndërsa si lexuese, letërsinë shqipe e njeh pak. "Nga Shqipëria i përkthyer është vetëm Kadareja", thotë ajo, ndërsa nga fqinjët, autorë të Kosovës rrëfen se ka lexuar disa, ndër ta Veton Surroin për të cilin shprehet se fare mirë mund të kuptohej e perceptohej nga lexuesi serb. "Kam lexuar gjithashtu një libër nga Dori Basha dhe Red Bajraj që ishte i pari i përkthyer pas luftës. Kam lexuar edhe poezi nga Arben Idrizi. Gjuha është një tjetër mur me Kosovën. Ndaj patëm idenë e konkursit "Biber". Deshëm ta thyenim atë barrierë e të gjenim një shteg". Jasna Dimitrijeviç ishte bashkë organizatore e konkursit të parë "Biber", mbi tregimin më të mirë shkruar rreth pajtimit, konkurs i organizuar për tregimet e shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, malazeze, kroate dhe serbe, ku nga Shqipëria konkurrente ishte shkrimtarja e re Lindita Komani.
"Me vendet e tjera të rajonit mbajmë kontakte nëpërmjet festivaleve të ndryshme letrare, por na ndihmon edhe gjuha. Në Kosovë është festivali "Polip" dhe mendoj po ndodh diçka, një urë. Po shkojmë diku por me hapa të vegjël, shumë të vegjël". Deri tani nismat thotë ajo vijnë nga individë, ndërsa shteti vetë nuk ka ndërmarrë ndonjë të tillë që do i afronte dy vendet, të paktën përmes artit. Në Tiranë është hera e parë që vjen dhe thotë se qytetin, për thuajse një muaj ka mundur ta njohë duke u futur në rrugicat e panjohura, aty ku ka pak luks e më shumë varfëri. "Kjo e bën qytetin të gjallë dhe kjo më shijon. Një ditë udhëtova drejt Shkodrës dhe pata një përvojë të paharrueshme. Njoha një grua rreth të tetëdhjetave, ulur pranë meje. Biseduam gjatë gjithë rrugës dhe u morëm vesh për bukuri, vetëm me duar. Ajo më pyeti nga vija dhe unë i tregova, më pyeti në isha e martuar dhe më qortoi pse isha veshur aq hollë pasi binte shi dhe ishte ftohtë e më pas u përpoq të më ngrohte. Mendova: "Ajo grua është Ballkani!". Mendoj se do shkruaj diçka rreth kësaj ndodhie", përfundon ajo. Lexuesit shqiptar krijimtaria e saj deri më tani i ka ardhur në formën e poezive të përkthyera nga Qerim Ondozi dhe botuar online në faqen e Facebook të Poetekës. "Por nuk mund të them se jam poete. Më duket sikur po gënjej. Shkruaj poezi vetëm kur nuk shkruaj dot një tregim të shkurtër, kur kam disa materiale por nuk janë mjaftueshëm për një tregim e kështu shkruaj një poezi. Tregimi i shkurtër është formati im, aty ndihem vetja dhe për këtë jam e emocionuar. Nuk dua ta lë tregimin e shkurtër, nuk dua të shkruaj roman e as poezi. Mendoj se kam qenë gjithnjë aty, te tregimi", përfundon Dimitrijeviç, e cila duket se nuk do i ndahet as prozës së shkurtër e as subjekteve që vijnë nga margjinat. Mbase janë më të çiltër, mbase prekin më shumë në thelb të problemeve sociale, mbase krijojnë më shumë empati, mbase të tilla personazhe është e lehtë t'i gjesh kudo, pavarësisht gjuhës, pavarësisht vendeve nga vijnë…

https://www.mapo.al/2017/05/jasna-dimitrijevic-te-shkruash-per-te-lenet-menjane/1

27 May 2017

- Mirupafshim- Doviđenja - Goodbye: Jasna Dimitrijević >>> Erina Çoku


Mbrëmje leximesh: POETEKA - TRADUKI

- Mirupafshim- Doviđenja - Goodbye: 
Në përfundim të qëndrimit të saj 1 mujor në rezidencën e shkrimtarëve "POETEKA - Tirana in between", Jasna Dimitrijević vjen në një mbërmje të përbashkët me poeten Erina Çoku, për të ndarë me miqtë krijimtarinë dhe përshtypjet nga udhëtimet dhe takimet nëpër Shqipëri. 

Mbrëmje leximesh në shqip, përkthime dhe krijimtari në gegnishten letrare dhe në serbisht. 

Në program: Jasna Dimitrijević >>> Erina Çoku >>> Ndre Mjeda >>> Ernest Koliqi >>> Martin Camaj >>> Gjergj Fishta >>>

Poezitë e Jasna Dimitrivić u përkthyen nga Qerim Ondozi

Modetator: Arian Leka

25 May 2017

“Qelia prej letre” i Arian Lekës botohet në Berlin


Fatmira NIKOLLI 

"Qelia prej letre" rrëfen jetën e një prifti-përkthyes (Haxhimihali, emri i personazhit), i burgosur në vitet e diktaturës, të cilit gjatë periudhës së burgut i duhet të përkthejë në gjuhët e Europës jo letërsinë më të mirë shqiptare, edhe letërsinë e atyre që i kishte shokë qelie e që ishin burgosur për shkak të letërsisë – ai duhet të përkthente me porosi të shtetit letërsinë zyrtare të realizmit socialist, të atyre që nuk ishin në burg, por që as të lirë nuk ishin.
Është hera e tretë në pak vjet që proza e shkrimtarit Arian Leka zë vend disa prej antologjive europiane. Së pari, kjo krijimtari është botuar në "BEST EUROPEAN FICTION", 2011, (London, Illinois). "Vëllezër në brisk" (Brothers of the Blade) titullohet tregimi i përkthyer nga Sara Lynn Smith, përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon, me parathënie nga romancieri irlandez Colum Mçann.
Më pas botimet kanë vijuar me antologjinë "Das Hemd" (Leykam) Graz, Austri, 2014, ku Arian Leka botoi "Në kërkim të këmishës së humbur" e së fundmi sapo është botuar edhe në Gjermani nga edicioni Propylaen "Ullstein Buchverlage Berlin" antologjia letrare me titull "Glückliche Wirkungen".
Ky botim i fundit u publikua falë përzgjedhjes dhe kujdesit të dy emrave të njohur për letërsinë në atë vend: të shkrimtarit, poetit e përkthyesit gjerman Michael Krüger, i cili është gjithashtu edhe President i Akademisë Bavareze të Arteve të Bukura si dhe të shkrimtares, përkthyeses e kritikes letrare gjermano-kroate Alida Bremer. Titulli i antologjisë është "Glückliche Wirkungen" dhe është shkëputur nga letërkëmbimi i datës 21 qershor 1798, mes poetit dhe mendimtarit Johan Woflgand Goethe me poetin tjetër gjerman Friedrich Schiller.
Pjesë e antologjisë ku është botuar edhe krijimtaria e Arian Lekës janë shkrimtarë të njohur e vlerësuar ndërkombëtarisht, si Charles Simic (SHBA), Mircea Cartarescu (Rumani), Jeremy Adler (Britani e Madhe), Stefan Hertmans (Belgjikë), Helene Dorion (Kanada), Cécile Wajsbrot (Francë), Peter Schneider (Gjermani), etj.
Tregimi Arian Lekës, i cili e hap këtë antologji, titullohet "Qeli prej letre". Në gjuhën gjermane ky tregim është përkthyer nga Zuzana Finger. Të dy hartuesit e antologjisë, Alida Bremer dhe Michael Krüger, jo vetëm që kanë përzgjedhur krijimtarinë e autorëve dhe janë kujdesur për botimin, por edhe kanë shkruar për secilin nga krijimet e paraqitura në këtë antologji.
Tregimi "Qeli prej letre"
Letërsinë "e lirë", të përkthyer nga Haxhimihali i burgosur, regjimi i përdorte si propagandë, duke e dërguar madje edhe në Panairet Ndërkombëtarë të Librit në Europë. Pas lirimit, menjëherë pas rënies së regjimit, Haxhimihalit, tashmë të liruar nga qelia, i vjen propozimi për të hartuar dhe përkthyer një antologji letrare, ku shkrimtarëve të dikurshëm, t'i bashkonte autorët e ndaluar, ata që nuk e kishin parë kurrë jo dritën e botimit, por as të diellit, shkrimtarë që kishin hyrë në burgje, por jo në ndonjë antologji.
Këtu fillojnë dilemat e përkthyesit-prift Haxhimihali: A ishte e drejtë të ishin bashkë, në të njëjtën antologji, ata që iu hap gjoksi nga plumbi në zemër, me të tjerët që gjokset iu shpuan nga vrimat e medaljeve të praruara? Si do të ndiheshin në të njëjtin libër, ata që u lidhën me litarë dhe ata që librat i patën me lidhje speciale dhe të qepur me pe?
A duheshin të ishin bashkë në të njëjtin libër, nën të njëjtin kapak? Si mund të ishte titulli i antologjisë? A do i ngjante libri një kampi përqendrimi apo kopshtit botanik, të mbushur me lulet utopike? Këto dyshime e shoqërojnë vetminë e Haxhiamihalit, derisa e dorëzon antologjinë. Mes ndjenjës së drejtësisë hyjnore të Biblës, që kishte studiuar e që rrëfente mbi ujkun që lodron me qengjin, fëmijë që luan me gjarprin në strofullën e tij dhe luanin me demin, që ushqeheshin së bashku me kashtë të artë dhe drejtësisë në një shoqëri, së cilës komunizmi i kishte premtuar Mbretërinë e Qiejve, kur të zhdukeshin klasat dhe lufta mes tyre.




































VLERËSIME KRITIKE

Të tria antologjitë, ku është botuar krijimtaria e Arian Lekës janë shoqëruar me recenca dhe shënime vlerësuese.
Mbi "Vëllezër në brisk", Peter Byrne, nën titullin "Nonstandard Tales From The Real Europe", shprehet se "Leka na trondit me rrëfimin e tij, tek na përball me peshën e përgjegjësisë, që mund të rëndojë mbi familjen shqiptare. Veçse një barrë e atillë rëndon po aq edhe në një mori vendesh të tjera europiane. Është interesant portretizimi i ndjerë i anoreksisë nga Hilary Mantel, që vëzhgon një familje britanike në kahun "perëndimor" të Europës, ndërkohë që familja te tregimi i Arian Lekës është e njësuar dhe nënkupton "edukim prindëror", ndërsa në Shqipëri, ajo merr kuptimin e "detyrimit fisnor".
Ndërsa Brandon Wicks, shkrimtar dhe studiues letrar, duke shkruar rreth antologjisë "Best European Fiction" në "Art & Literature" nënvijëzon: "Vëllimi përfundon me një tekst të shkurtër, ngarkuar me tension të pabesueshëm, me tregimin elegant "Vëllezër në brisk" i autorit Arian Leka, ku si në një ritual, personazhi është i detyruar rruajë fytin pa qime të të vëllait në ditën që atë do ta bëjnë dhëndër – një çast i vogël domethënës, i ngarkuar me ankth dhe me dëshira sublime".




































Kevin Frazier, kritik dhe shkrimtar, në tekstin botuar në "A Map of Faces", duke parashtruar për lexuesin synopsisin tregimit thekson edhe se "…Në paraqitjen shqiptare, "Vëllezër në brisk" nga Arian Leka, vëllai i madh duhet të rruajë vëllain më të ri në një akt të ndërlikuar përkushtimi dhe keqardhjeje, përshkruar me nëntinguj të dhunshëm dhe që na kujtojnë skenën e të njëjtit rit nga "Benito Cereno" e Herman Melville-it. Vëllai i vogël, një njeri guximtar dhe tërësisht njerëzor, për vite me radhë ka qenë shtylla e familjes, por që tash, kur martohet, i duhet të ndahet prej saj. "Pas gjithë kësaj" – vëllai i madh ngarkohet me dilemën – "…nëse vëllai ynë i vogël nuk do të jetë më baba për ne, cili do të jetë ati ynë i vërtetë? Po unë kush do të jem? Çdo të jemi ne të gjithë, babai, motra, nëna dhe unë vetë, kur ai të mos jetë më ky që është? Kur të mos na përkasë më ne, por njerëzve të tjerë, atyre që sot po bëhen gati të mësyjnë në jetën e tij, duke na flakur ne të gjithëve, familjarëve të tij jashtë nga parajsa jonë".
Sa i takon pjesës "Në kërkim të këmishës së humbur", Kleine Zeitung shkruan: "Kjo është një ndërthurje e historisë personale të një fëmije të lindur me këmishë, me historinë e një vendi me zonat e tij më tramautike të tij, si humbja e lirive themelore, fjala, lëvizja, prona, besimi, ateizmi, kolektivizimi (si ironi e globalizimit primitiv) privatja etj. Sa me fat mund të quhej një fëmijë i rritur në një vend absurd si ky…"?

Në fund për tregimin "Qeli prej Letre", Alida Bremer sqaron se, "A si alfa dhe A si Albania. A është Alfa e kontinentit tonë, ndoshta atje, në rrugën e Otrantos, përpara bregdetit shqiptar të Mesdheut, ku ka pasur kaq shumë histori? A edhe si Antologjia". Ajo shton se në gjermanisht e "quajmë Antologji (Blütenlese), në latinisht ajo quhet Florilegium, në greqisht Anthologia dhe është kjo antologji, që mbledh përgjigje për pyetjen mbi imagjinatën për një botë më të mirë. Buqeta me lule e priftit dhe përkthyesit të dikurshëm Haxhimihali nga tregimi i Arian Lekës shënon fillimin e një Ere të Re në Shqipëri – një detyrë e vështirë kjo".
Për Michael Krüger: "Shqipëria, ky është vendi i shqiptarëve, është një vend i shkundur fuqishëm nga ideologjitë totalitare të shekullit XX. "Si mundi Zoti të lejonte që ne të qeshim dhe të qajmë me të njëjtët lot?", pyet veten Haxhimihali. Lindin pyetjet mbi rolin e fesë, që edhe pas fundit të ideologjive ende nuk kanë gjetur përgjigje".

Publikuar : 23/05/2017

Arian Leka: autori që ka një det për të jetuar dhe një qiell për të vdekur








Nga Ledia Dushi

Me poezinë e Arian Lekës jam njohur në vitin 1997 në një vëllim me ese dhe poezi. E kujtoj sepse shpesh njeriu pasi krijon poezi, mundohet ta justifikojë atë me dritën e arsyes i armatosur me dijet e tij. Këtë përshtypje pata pasi e lexova. "Një sqep i bardhë lejleku / bie mbi pullazin tim".  Me këto dy vargje fillojnë poezitë e këtij vëllimi. Me sa duket ky sqep i bardhë trokiti edhe tek unë. 
Është një dëshirë e imja, poezitë kur më pëlqejnë i lexoj për herë të dytë, kështu bëra edhe me këtë vëllim. E bëj sepse kam bindjen se poezia që në leximin e dytë s'të jep një kënaqësi, më shumë është si pema që s'prodhon fruta. Në pasthënien e ketij libri ai dëshiron të jetë vazhdues i atyre që shkruan më parë, vjershëtorëve të cilët kanë pëlqyer jo tingullin, por akordin, jo blunë por ngjyrat që duke u përzier dhanë blunë. Mendoj se autori i mban të shtrira të dyja duart që të jetë i gatshëm të kapë dhe të marrë vazhdimësinë.
Në shkrimet e mia nuk kam si qëllim t`i bëj poetët më të njohur se librat e tyre. Në vitet e para të mbas viteve `90 e jo rrallë edhe sot, lexon shkrime me plot lavde që më shumë i bëjnë dëm atyre që mundohen të vjershërojnë. Me poezinë e Arian Lekës jam njohur në vitin 1997 në një vëllim me ese dhe poezi. E kujto,j sepse shpesh njeriu pasi krijon poezi, mundohet ta justifikojë atë me dritën e arsyes i armatosur me dijet e tij. Këtë përshtypje pata pasi e lexova. "Një sqep i bardhë lejleku / bie mbi pullazin tim".  Me këto dy vargje fillojnë poezitë e këtij vëllimi. Me sa duket ky sqep i bardhë trokiti edhe tek unë.
Në vitin 2000 botohet vëllimi "Anija e gjumit ". E lexova këtë vëllim dhe gjëja e parë që ndjeva ishte dëshira të lexoj të tjera poezi nga ky libër.
Në poezinë "Me Vela" shkruan꞉
Përpiqem si zjarri nën gur
të shpikë
për veten e re në lundrim
Pianoforten me Vela.
Është një dëshirë e imja, poezitë kur më pëlqejnë i lexoj për herë të dytë, kështu bëra edhe me këtë vëllim. E bëj sepse kam bindjen se poezia që në leximin e dytë s'të jep një kënaqësi, më shumë është si pema që s'prodhon fruta. Në pasthënien e këtij libri ai dëshiron të jetë vazhdues i atyre që shkruan më parë, vjershëtorëve të cilët kanë pëlqyer jo tingullin, por akordin, jo blunë por ngjyrat që duke u përzier dhanë blunë.
Mendoj se autori i mban të shtrira të dyja duart që të jetë i gatshëm të kapë dhe të marrë vazhdimësinë.
Në vitin 2004 boton vëllimin "strabizëm". Në këtë vëllim duket sikur ecën në tokë, ku jetën e shikon si një zakon që duhet respektuar e përmbushur, e për këtë duhet të "zbulosh".  Në fund e ndjen se je duke zbuluar për ditë vetveten. Në poezinë "Shajni" shkruan:
Hëna në ditën e dasmës / Pi syrin e burrit / Që mbushet nga lart / Nëpër palcën e shpinës / Nëpër eshkën e brinjës / Thëthin dritë gjarpërushe në asht.
Në vitin 2009 boton librin "Libër deti". Peshkatarët kur duan të vlerësojnë kanë një shkallë të tyren; thonë  "krejt bukur". Ky është dhe përcaktimi im për këtë libër. Pasi e lexon librin shtron pytjen: A është e rrethuar toka nga deti apo deti nga toka?
"Gjuha me rrënjë në zemër nxori lule / Mblodhi bletë ". Kështu shkruan autori ne këngën e XVI dhe mua me pëlqejnë sa lulet aq dhe bletë. Lulet sepse janë lule dhe bletët sepse të pickojnë dhe sjellin mjaltin e ëmbël.  "Njeriu i ujërave foli më pak nga sa ka ndërmend të flasë", kështu thotë fjala e urtë e marinarëve. Ata si tinguj na vinë në vesh dhe si këngë në zemër. Dhe pastaj fshihen në detin e madh në shpirtin e autorit.
"Askush s'mund të ndjejë ç'peng lë një dallgë
Kur braktis brigjet e veta dhe vjen të vdesë në brigje të tjera".
Dallgët lëpijnë kujtesën dhe pastaj kujtimet vinë si dallgë. Përplasen në shpirtin dhe mendjen. Ulërasin, qetësohen dhe pastaj ecin drejt zemrës së detit ku jeta koncentrohet si kripa. Prandaj është deti i njelmët. Prandaj ai vjen tek të gjithë ne, ndryshe jeta është pa shije.
Në vitin 2010 boton vëllimin "ndreqje gabimesh". Ndoshta gjëja e parë që dëshiron të ndreqë është se tani
"Dashuria bredhe e uritur / gjer në fund të pranverës" ( fq. 21 ). Ndoshta engjëlli s'erdhi tek ne për të qenë ne engjëj, por që ta shikojmë si model. Djalli s'erdhi tek ne për të qenë ne djaj, por thjesht për të shpëtuar prej tij. Me sa mundem të kuptoj unë, djalli ka ardhur bashkë me ne dhe ne e vemë re kur dallojmë engjëllin. Poezia e tij është edhe këndvështrimi me të cilin ai sheh botën.
"Trupi yt-formë e verbër, e përkryer gabimi" ( Fq. 30 ) Dhe pastaj njeriu ikën; këtu mbetet jeta. Të tjerët e jetojnë atë. Shumica e njerëzve e kryejnë këtë detyrë pa ditur për ata që jetuan më parë e as për ata që do të vinë më vonë. Thjesht ata s'kanë jetuar. Këtë gjë më mirë se kurrkush mund ta kryejnë poetët.
Poezitë e tij i ngjajnë një deti ku bën pjesë Toka dhe Deti bashkë. Deti dhe toka ndërfuten tek njëri tjetri duke sjellë te ne një vepër që është sa gjuhë aq dhe muzikë, sa qetësi aq dhe gjëmim. Figurat e tij ndihmojnë njëra tjetrën ashtu sikur Dielli ndihmon Hënën. Si era ndihmon velën kur vozit  dhe e ruan me shumë kujdes se mos era tërbohet dhe prish gjithçka. Dallgët e detit vrapojnë mbas njëra tjetrës e aty ku ndeshen, krijojnë krisje plotkuptimshe që t'i  ngjasojnë imagjinatës skandaloze të popujve që krijuan mitologji.  Na sjell një stil gjuhësor të lirë e të mbushur me diell vere, me muzikën e detit ku lulëzon një valle e lehtë hyjnore. Vjen si marinari i cili me dëshirën për jetë lodron me vdekjen. Ndjen frymën romantike me të cilën të thërret deti por dhe dashurinë për jetën me të cilën toka thërret marinarin që shikon varkën e vogël të shpëtimit. Të duket sikur humbet pushtetin mbi veten, ndjen sikur çahen digat që njeriu ndërton për t`i bërë ballë jetës. Është një muzikë hyjnore para së cilës vdekja bëhet e vogël.
Vargu i tij vjen si burim muzike që ndërton shpirti i tragjedisë. Fjalët përplasen e shpesh krijojnë thyerje me thirrje drejt një magjie të lartë. Lodron vargjesh një nuhatje e hollë, një ndjeshmëri e veçantë për duhmat e kalbta e të dekompozuara  të vorfnisë shpirtnore që ka zënë për fyti artin.
Poezia e tij është më lartë se liria e tij. E ndërton si kerkesë të pakushtëzuar në raport me vetveten ndoshta dhe me lexuesin e mundshem. Vjen e identifikuar me vullnetin e mirë të Kantit ku në çdo rrethanë e trajton njeriun si qëllim dhe jo si mjet. Vjen si akt i një jete të brendshme e trajtuar me plot magji. Vjen jo si një përpjekje vetmie, por duket sikur autori iken nga ne duke na lënë një mjedis ku ndjehet prania shpirtërore dhe trupore, duke vendosur një lidhje reale ndërmjet mjetit dhe natyrës.
Poetët e duan kujtesën dhe shpesh duke vozitur në të iu merret fryma. Thjesht ngatërrojnë kujtesën me ato çka kujtimet kanë shkruar në shpirtin e tyre. Kjo gjë e bën kujtesën poezi dhe shkruesin poet. Këtë gjë bën edhe Arian Leka.  " ndërtojnë varka në fushë / lundërtarët e vjetër / se ka një det për të rrojtur / dhe një qiell për të vdekur."
Mapo: 21 May 2017

24 May 2017

POEZI nga Daim Miftari - shkruar në Rezidencën lerare "POETEKA - Tirana in Between", prill 2017"

Autori që çeli veprimtaritë në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between - 2017" ishte poeti shqiptar nga Maqedonia, Daim Miftari. 

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ky autor u bë pjesë e takimeve latrare të kryeqytetit, krijimtaria e tij është lexuar nga studentët e Fakultetit të dramaturgjisë, ndërkohë qënë Universitetin e Arteve Daim Miftari ka ndarë dy orë leksioni me shkrimtarin Arian Leka mbi temat e identitetit kulturor mes shqiptarëve.

Në vijim po publikojmë poezi që ky autor shkroi gjatë qëndrimit të tij në Rezidencën letrare në muajin prill. Krijimtaria e tij poetike u botua në  suplementin letrar "Milosao", e cila i kushtoi një faqe të veçantë, shoqëruar me kometin "prurja poetike e Daim Miftarit përcjell frymën urbane dhe ndjesinë e Tiranës. Një pjesë e poezive janë shkruar në Tiranë dhe i janë dedikuar asaj." Revista "Poeteka No. 43", pranverë 2017, botoi gjithashtu një profil tjetër të këtij autori, studimin letrar me titull "Eufonia në poezinë e Xhevahir Spahiut." Ndërkohë Daim Miftari realizoi  intervistën me titull "Historinë e jetës sime, ta shkruante Cvajg", dhënë gazetares Alda Bardhyli për "Shqip".  Qëndrimi dhe veprimtaria e tij në këtë Rezidencë u pasqyrua në shtypin shqiptar Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës.  


DAIM MIFTARI

 

POETI

nëna e kishte larë
me lot
të vogëlin
foshnjën e saj
që dot vajin
s'kishte mundur t'ia ndalë

kishte qarë
bashkë me të

o Zot
ç'profeci


Tiranë, 13 prill 2017


NËNË E BIR

mbylle atë derë për të
të thanë
mbylle atë derë të mallkuar
atë zjarr të çmendur në zemër
shuaje për të

mos u gëzo për të
mos vajto për të
mos jeto për të
mos vdis për të
as emrin mos ia përmend
 

harroje o harroje
t'u hakërryen
ai nuk është biri yt
nënë e tij s'je ti

e urrejmë këtë fëmijë
të thanë
që na qëlloi në prag

ai ka vdekur
e vramë
ja duart tona me gjakun e tij
të thanë

ah mynxyrat që panë sytë e tu nëna ime
mynxyrat që panë sytë e mi

më vjen të qaj Shqipëri
unë qaj
qaj

Tiranë, 17 prill 2017

NATË

natë është
flenë të gjithë

dhe sytë e mi ç'shohin
 
ç'dëgjojnë veshët e mi
 

e gjatë
pafund
 
kjo natë

Tiranë, 14 prill 2017.

(Në rezidencën e shkrimtarëve "Poeteka")

 

ELEGJI E TRETUR

nga malli për nënën si cigare e harruar ndezur digjem
për nënën si cigare e harruar ndezur digjem
si cigare e harruar ndezur digjem
e harruar ndezur digjem
ndezur digjem
digjem

Në Rezidencën e Tiranës, 9 prill 2017


LAKMI

lakmi ia kam
vetes sime
nganjëherë sidomos
si mund të jetë
aq e qetë
ndërsa mua
 
më vjen të ulërijë

Tiranë, 10 prill 2017


PO TAKOHEM ME TY SHQIPËRI

po takohem me ty Shqipëri
si ai që për herë të parë
nënën takon
i bërë burrë tashmë
mbushur fije të bardha kokën
në fytyrë gjurmët që vuajtja i ka lënë
dhe veten e pyet ashtu kot
vallë mendoi ndonjëherë për të
a thua ndjeu dhimbje në kraharor
dhe përrenj lotësh derdhi
çdoherë kur e solli ndërmend
kush i qëndroi mbi kokë kur u sëmurë
dhe ia ledhatoi ballin
a thua ç'emër i kanë lënë
kur filloi të ec
 
kush në këmbë e ngriti kur u rrëzua
 
dhe qau
sa është rritur
 
kujt i ngjan
kujt i thotë nënë

Në rezidencën e shkrimtarëve "Poeteka", Tiranë, 5 prill 2017

 

 

E DIEL

është e diel
në ballkon
taketukja e stërmbushur e duhanit
kundërmon aromë mendimesh të djegura
të një nate që shkoi

fëmijët kanë hapërdarë lodrat
 
nëpër dhomë
i shoh si lozin ata
dhe mallëngjehem për motrën time të vogël
 
loznim edhe ne kështu njësoj
dhe për nënën
 
për nënën që s'është më
që dheu e treti pamëshirë
ah nëna ime
zemra ime s'duron më dhe ia plas vajit
 
valë valë ngriten flakët
dhe plagët që m'i hapin
gjuhët e flakëve
o Zot ç'dhimbje

e diel është
 
përjashta bën mot i mirë
nëpër rrugën e përgjumur
e mbi qelqin e dritares
zgjaten rrezet ledhatuese të diellit
të dalim pak thotë gruaja
 
unë mendoj sa para i kam në xhep
duhet ta lyejmë apartamentin
thotë
janë zverdhur muret
tavani
i ka mbjështjellë myku dhomat
më kujton për gjërat që mungojnë
ushqimet që duhet blerë
fëmijët
kujtojnë atë që u ke premtuar mbrëmë
unë mendoj për një poezi që dot s'e shkruaj
dikush i bie ziles
ushqimi ftohet mbi tavolinë
unë nuk kam uri

Shkup/ Tiranë, mars/ prill 2017

http://www.kultplus.com/?id=5&l=20603


http://sh.time.mk/c/70becdb7db/poeti-daimi-miftari-nje-muaj-ne-rezidencen-e-shkrimtareve-ne-tirane.htmlhttp://sh.time.mk/c/70becdb7db/poeti-daimi-miftari-nje-muaj-ne-rezidencen-e-shkrimtareve-ne-tirane.html


http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/05/09/historine-e-jetes-sime-ta-shkruante-cvajg/



http://lajmpress.com/poeti-daimi-miftari-nje-muaj-ne-rezidencen-e-shkrimtareve-ne-tirane/


https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=145837


http://time.ikub.al/Lajme/17-03-16-Poeti-Daimi-Miftari-nje-muaj-ne-Rezidencen-e-Shkrimtareve-ne-Tirane.aspx




 

 

Jasna Dimitrijević - POEZI - Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between": TRADUKI

Jasna Dimitrijević


Shkrimtar në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between" - gjatë muajit Maj 2017 ishte tregimtareja dhe kritikja letrare nga Beogradi, Jasna Dimitrijević.

Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë Jasna Dimitrijević u përfshih në veprimtari dhe lexime publike, dha intervista për mediet dhe u bë pjesë e takimeve me studentë të Universitetit të Arteve. Jasna Dimitrijević (1979), ka studiuar Letërsi të Përgjithshme dhe Teori Letërsie. Ajo është kritike letrare dhe autore tregimesh të cilat janë publikuar në revista dhe antologji të botuara të rajonit tonë dhe Europës (Liceulice, Poučak o nizovima, Booksa, Beton, Ulaznica, Zarez, Beležnica, Novi kaos, Arteist, Urbani vračevi, Literatura, Lichtungen). Tregimet e Jasna Dimitrijević janë shpallur fitues në konkurse të ndryshme të prozës së shkurtër (në Vranac, Beležnica, Ulaznica), ndërkohë që libri i saj me tregime "Prepoznavanja" (Recognitions, 2015) u botua pasi u shpall fitues i vendit të parë në konkursin e krijimtarisë në dorëshkrim, organizuar nga Biblioteka "Karlo Bijelicki" (Sombor), si dhe u përzgjodh në shortlist-ën e librave më të mirë që konkuronin për çmimin kombëtar "Biljana Jovanović" dhe "Dušan Vasiljev" (2015). Prej këtej libri u bë fitues i çmimit "Mirko Kovač" për shkrimtarët e rinj ( në hapësirën e ish- Jugosllavisë). 

Jasna Dimitrijević është bashkëorganizatore e konkursit të parë "Biber", mbi tregimin më të mirë shkruar rreth temës së pajtimit, konkurs i organizuar për tregimet e shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, malazeze, kroate dhe serbe. Ajo është bashkëhartuese e përmbledhjes shumëgjuhëshe me tregime të zgjedhura. Qëndrimi i saj në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between", u mbështet nga rrjeti europian për letërsinë dhe librat - TRADUKI, në të cilin marrin pjesë Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtajn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.

 

 

ç'ka ka dashtë me thanë motra

 

që kam diçka në flokë
që mundem me ndejt edhe pak
që n'mëngjes i ka hapë sytë e ka pyet për mua
që s'ka ndryshime
që dyshemeja asht e lagun dhe me u kujdesë kur të dal
që me sjellë nji këmishë të pastër nate
që po i vjen keq
që kam vathë t'bukur
që mos me e harru çadrën
që vizita është për dhjetë minuta
që mos me ardhë kur s'asht koha për vizita
që me ia shiku kambët
janë ba mavi
s'janë ba mavi
që kemi buzë t'njajta, hundë, vetulla t'njajta
që s'kemi shumë kohë
që s'ka me u zgju
që ka me u zgju
që asht e kënaqun
që ka besu gjithë kohën
që mos me pasë frikë
që ma mirë po dukem me flokë t'shkurta
që me luftu
që mos me heqë dorë
që me e lanë duhanin
që me e skenu pasaportën kur dal jashtë
që ka pritë e ka pritë
e që s'ka me mbërri
që asht lodhë
që nuk varet prej saj
që kostumi asht n'dollap
që udhëzimi asht në këpucën e majtë
kamba hyn ma lehtë kur futet n'qese t'plastikës
falemnderit
krejt këto ka mujt me i thanë motra
n'korridorin e spitalit
në mes të tetorit
në mes të shiut dhe heshtjes
por veç m'ka shiku
m'ka matë e ka ngurru
e unë kam ikë
që krejt këto gjana
me qenë prapë të munduna

 

 

 

çka po dridhet mas murit

 

 

frigoriferi i markës obodin

flaka e qiriut me e thithë tymin

rrobat që thahen

zani i një gruaje kur pyet ku je

ku ke qenë

gishtat e burrit që po e kallë cigaren

e mas saj edhe nji tjetër

dridhet heshtja e tij

dridhet syni i tij i majtë

dridhet buza e saj e poshtme

dridhet gota e xhamit n'tavolinë

se atij po i k'cen gjuni

e po i k'cen dora e djathtë

e mbase ka me fluturu

nëse e pyet edhe nji herë

po ndij se krejt po dridhet

e prapë po flej thuajse është veç

frigoriferi i markës obodin

 

 

 

çka ndodhi sa isha në gjumë

 

terroristët sulmuan brukselin e bagdadin

bota ndryshoi

bota mbeti e njëjtë

dikush vdiq e dikush u lind

miqtë më braktisën

erdhën sejmenët

disa morrën vesh që i tradhtova

disa morrën vesh që s'vlej të humbin kohë me mua

erdhën faturat e ujit të telefonit të internetit

në frigorifer u prish djathi

një diktator u lajmërua nga lokacioni i sigurtë

mijëra njerëz vrapuan mas pokemonëve

 

e unë po rri kot

e ngathët

e palënduar

e panevojshme

 

 

 

 

çka kam n'duar

 

 

dy decilitra ujë t'ftohtë për me u zgju

nji palë çorape të lame

filxhanin e palamë ku e mbushi edhe nji kafe

lapsin dhe letrën për porosi

çelësin dhe syzet

dorezën n'dalje

ma shumë s'mundem me mbajt

krejt të tjerat ma të mëdha se këto

 

 

 

e nëse më mpihet muskuli

 

 

nëse mas nji ndeshjeje t'randësishme

mas vallëzimit a vrapimit mas fatit

muskuli përnjiherë nalet

kam me e fërku derisa të zbutet

kam me e ledhatu

kam me i tregu përralla

kam me u frikësu

e nëse edhe atëherë nuk e ndij pulsin

kam me e qitë n'dritare

që me zbritë zogjtë

me e çukit e me e ndukë

që macet me e rrokullisë n'oborr

që qentë me e gropu mas shtëpisë

me e dënu

derisa t'zgjohet

derisa t'përgjigjet

kam me e shiku botën në sy

kam me e pyet veten a ka ndryshu diçka

kam me kuptu se kurrgja s'ka ndryshu

kam me u kthy n'anën tjetër

kam me u ba thuajse kurrë s'e kam pasë

 

 

 

ku me e çu kartolinën

 

mbase në atë adresë ku e kam tavolinën me pajisje shkollore

me pasaportën e parë dhe emna t'skalitun përjetësisht n'drrasë

ku vij për pushime verore

me lujt letra e me e shajt pushtetin

apo në adresën e spitalit n'dritaret e s'cilit

gratë n'korniza ia tregojnë botës shamitë

pembe dhe mavi

apo në adresën e shkollës me g'shtenja n'oborr

dhe me hymjen në anën e gabume

e vonohemi edhe kur mbërrijmë me kohë

apo me e lanë dikush në park

ndërmjet bankës dhe çesmes

ku i gjuanim duqat e parë

apo në adresën e sh'pisë n'cep t'qytetit

ku nji plakë

me xhemper jeshil e me çorape të thuruna

me shami t'arnume n'kokë dhe me kaçik pule n'pjatë

po vdes n'këtë moment

fillikat vetë

kohëve të fundit u përmend veç për kokëfortësi

apo atje ku s'asht ma kurrkush

se unë jam n'rrugë

apo n'atë adresë në atë ndërtesë me portretin e aktorit të ndjerë

me fasadën socialiste

te vendi për heronjtë

ku asnjiherë nuk kam hy

por mrenda zemra po m'rrahë

dhe e pyes veten qysh po ndihet

njimend

ku të shkon mendja kur thua

shkruaji sh'pisë

 

 

 

Përktheu nga origjinali serbisht Qerim Ondozi

 

Total Pageviews