14 May 2026

Hildegard E. Keller: Një zë i shquar i letërsisë europiane në Rezidencën "POETEKA - Tirana in Between".


Hildegard E. Keller (e lindur në Zvicër) është autore, regjisore, performuese dhe profesoreshë e letërsisë gjermane dhe rrëfimit multimedial. Duke ndërthurur kërkimin me intuitën dhe faktet me trillimin artistik, ajo arrin të ringjallë në mënyrë unike figura historike si Alfonsina Storni dhe Hannah Arendt, duke mbajtur një pozicion të rëndësishëm në edukimin letrar dhe kulturor europian. Ajo ka dhënë kontribute të shquara në fushën e dokumentarëve, romaneve dhe shfaqjeve performative. Që nga viti 1995 ajo ka organizuar shfaqje teatrale dhe lexime bazuar në letërsinë mesjetare.

Nga viti 2009 deri në vitin 2019 Hildegard E. Keller ishte anëtare jurie dhe kritike letrare në televizion për "Çmimin Bachmann" (ORF/3sat) dhe "Literaturclub" (Televizioni Zviceran SRF). Ajo ka dhënë leksione në shumë vende, duke përfshirë dhjetë vjet në Universitetin e Indianës Bloomington dhe më shumë se njëzet vjet në Universitetin e Zyrihut. Hildegard E. Keller ka qenë gjithashtu profesoreshë e ftuar në universitetet e Amsterdamit, Mynihut, Konias, Londrës dhe Buenos Airesit etj. Veprat e saj kanë fituar çmime të rëndësishme, tilla si, së fundmi edhe "Çmimi Ndërkombëtar i Medias Kreative" për biografinë e saj mbi trashëgiminë e Alfonsina Storni.

Gjatë muajit maj dhe qershor Hildegard E. Keller do të jetë autorja e ftuar në rezidencën "POETEKA - Tirana in Between" ku, falë bashkëpunimit dhe mbështetjes me DAAD Lektorat Tirana, Ambasadën Gjermane në Shqipëri, Ambasadën Zvicerane në Shqipëri dhe Goethe-Zentrum Tirana, POETEKA do të organizojë veprimtari të ndryshme, mes të cilave ligjërata universitare, shfaqjen e filmit "BRUNNGASSE 8 - Udhëtim në kohë drejt Cyrihut / Filmvorführung BRUNNGASSE 8 - Zeitreise nach Zürich" (19 maj 2026) si dhe dy bashkëbisedime publike me shkrimtarin Arian Leka (Tiranë 21 maj 2026 dhe Shkodër (28 maj 2026), kryesisht rreth veprave letrare të Hildegard E. Keller "Was wir scheinen", "Die weisen Tiere" dhe profilit krijues të saj.
Uploaded Image

Total Pageviews