02 September 2016

Zvonko Karanović - Serbi - në dadaEAST - DADAdays POETEKA Festival

oeti dhe prozatori Zvonko Karanović, i lindur Niš, Serbi, në vitin 1959, ashtu si gjithë poetët e Gjeneratës Beat, nga e cila ky autor mori frymëzimin, ka udhëtuar anembanë Europës, duke ndërruar shpesh punët dhe profesionet. Ai ka punuar si gazetar, redaktor, DJ dhe organizues koncertesh. 

Për 13 vite ai ka pasur gjithashtu në pronësi një dyqan muzikor. Për shumë vite ka qenë një personazh kult underground dhe ka ndikuar fort mbi gjeneratën e poetëve të rinj. 

Shkrimet e tij të hershme dallojnë për ndikimin nga letërsia Beat, nga filmat dhe kultura pop, nga e cila ai zhvilloi një stil që është përshkruar si "neo-ekzistencializmi i erët." 
Bordi i organizatës "The PEN" e ka quajtur Zvonko Karanović-in "një ikonë kulturore kontroversale [I cili ] shkruan në një gjuhë të gjallë e të sofistikuar për dëshirat, dhe kulturën dhe ndryshimet politike."

Zvonko Karanović ka publikuar shtatë vëllime me poezi. Romani i tij triologjik, "Ditari i të arratisurëve", është i pari projekt në llojin e vet në letërsinë serbe të shekullit të 21. Vepra e tij është pjesë e antologjisë "Poetët e rinj europianë" (2008). Poezitë e tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme europiane. Ai aktualisht jeton në Beograd. 

___________

Dhoma e ekove

Ishte një ëndërr, një makth, një marrje fryme, një marrje fryme e stërzgjatur,
pakësimi i ajrit, nën formën e rrëfimit të njeriut 
të tmerruar përballë vdekjes, i shpërfytyruar në momentin
e rënies drejt humnerës, vështrimi i saj 
i tmerruar, sytë e saj të shqyer ndërsa bie në heshtjen më të shurdhër,
në terr

në terr
në errësirën më të kobshme
në vendin ku u ndal
në tokën e askujt

pas qiellit gri mbinte një qiell tjetër i verdhë
xhamat ndaleshin në gjatësinë e fytyrës
kush do t'i çlirojë gjithë këto kafshë?
Kush do t'i ndihmojë gjithë këta njerëz?

M'u beh ëndrra ime në mendje
ndjehesha sikur t'isha zëdhënësi im
një herë kohë më parë
drejtues të përgjumur rimorkiosh
duke kërkuar për një rrufepritëse të artë
takime me mure e dyer
asgjë me rëndësi, të paktën atje ku jetoja 

e asfiksuar, e asfiksuar, e asfiksuar e tëra
fole lepuri plot, të gjitha vrimat të mbushura krejt

merresha 
me transferim periferishë
me bishtin tim përkëdhelja hënën
duke qëndruar larg nga palaçot epileptikë
dhe zhapikët e tejdukshëm 
ecja mbrapsht, në drejtim të lindjes
tani duke u hedhur
tani duke u tërhequr zvarrë
kupolat e arta të përëndimit
të dorëzuara, pa dhëmbë, përplot me copëza perlash
Shikonin në qiellin e shqyer

ah, ah, ah, buzëqeshte mamaja
piramida është detyra e fundit
qëllimi
takimi me Vejushëm
monstra me kokën e rruar
që shtrihet mbi jastëk metalikë
dhe djersit me shumicë

nuk i kam besuar
dukej një shaka, një kërcënim, një mënyrë për të t'frikësuar
ose një tjetër mistifikim

kujtoja, përkundrazi duhet të harroja
i bija
citofonëve të personave të panjohur 
dëgjoja thirrje për ndihmë
bare sushi
të vegjël
iu lehja rrugëve të ndriçuara
pëshpërisja pranë jetëve të shenjtorëve

shoqëria e të barabartëve bazohet në solidaritet 
çanta ime Hermes, ulërinte

bëhej fjalë për një makth, për një marrje fryme të gjatë, për mungesë ajri,
nën formën e rrëfimit të një njeriu të tmerruar përballë asaj që sheh,
e braktisur nën veprimin çnjerëzor të diellit, të dhunshëm
i ngrohtë nëntori, vështrimi i tij, vështrimi i tij i pandjeshëm
ndërsa bie në muzg, në heshtjen e shurdhër

ëndërroja tim at që ngjiste malin
ecte i vendosur si një personazh biblik
një personazh mitologjik, një personazh me një mision
e shikoja ndërsa i palodhur shkelte
shkurre e shkëmbinnjë
çfarë po kërkon?
I kujtohet?
Për çfarë kujtohet?

Ai ecën me shpjetësi
ecën i vendosur mbi gurë, pluhur 
i palodhur shkel dëborën
që shkëlqen mantel i hënës së zbehtë
i bashkohet fshatit , fshati i mbështjellë me dëborë
troket në derë
hyn në dhomën e ngrohur
tre gra lajnë flokët në një vaskë plot me ujë
një e re me sy të trishtë e frikësuar
bëhet gruaja e tij
më pas gjithçka lëviz në ngjitje

duhet të lëshojmë rraketat, thotë mamaja
nekrologët nuk mund të presin

kur mbeti e ve
e ëma iu përkushtua shkatërrimit të kujtimeve
e ndihmoja në këtë vazhdoj të shënoj
mezi mbeta gjallë
përrallat popullore që shpërndaheshin nga atopolanti
(kujdes me atë sëpatën, Eugene)
shkuma e ditës që kthehej në shkumë të natës
masha e harruar në zjarr
rënia e vlerës së parave
eksplozivi
idetë e çmendura që më 
vinin ndërmend duhej t'i zhdukja

mamaja diktonte
isha mbajtësja më e bindur e procesverbaleve
ndryshonte të dhënat e realitetit
e shkuara e familjes pa fillim as fund
pse e bënte?

Gjykata në unanimitet vendosi
që të gjitha ditët të shpalleshin ditë zie

në hapësirë pashë krejt trion
gishtat nervozë prej druri
gishtat prej druri të tyre të mpirë
ishin në lavaman
një brisk
një gisht fëmije prej plastike
dhe një personazh shenjti prej plastike

në një farë mënyre gjithçka më dukej e njohur
më ngjante sikur nuk kisha zgjidhje

bëhej fjalë për një ëndërr, një makth, marrje fryme, marrje fryme e stërzgjatur
nën formën e rrëfimit të një njeriu të humbur, të mashtruar
në një kthesë të gjerë ekosh, vështrimi i tij i pandjeshëm 
ndërsa kërkonte të fshihej në gjumë, në fantazi
që për një moment ngadalësonte rënien, zgjaste shpresën

u pregatita në pak minuta, sikur të arratisesha 
në një zonë të mbrojtur muri i ndërtesës i ngjante
një kanavace të Mondrian
në hyrjen e Bllokut 46
Drita artificiale 
Agu
një shteg i bezdisshëm
hëna pëshpëriste me pasqyrat
dhe me aparatet fotografikë të qëndrueshëm
edhe 

edhe pse përreth kishte male betoni 
prej së largu vinte më e rënda , zë i ngjirur i një sirene në bord

për sa gjëra kam heshtur?
Një ëndërr pa fillim pa fund
kam zgjedhur arragostën për të komunikuar me kode
kam vendosur anijet e mia në krye të tryezës
çdo natë shkoja në pishinë
plot me lule dhe të qeshura të thella të zeza 

mund të thuhet se isha e lumtur
doja të më lejonin të flija në tarracë
ma lejuan
kërkova të përdorja përkrenaren dhe levat
më lejuan
këtu je mirë
thoshin
thoshin
diellit i shtuam edhe dy të tjerë
vesha maskën prej gome
të presidentit të shëndoshur
shkova në një bar karaoke
dhe recitova poezinë e chiëaëas së vdekur
duke menduar për vete
ishte gjithçka mund të bëja

kthesa e madhe që kisha shmangur 
më priste sërish
fluturoja
e dukej sikur 
mbetesha vazhdimisht pa frymë
vrapoja
e dukej sikur 
anija më përshkonte, dilte prej meje
dëgjoja të gjithë ata persona 
që flisnin e thoshin se ishin në kopshtin e kënaqësisë
qënie të reja që paralajmëroheshin
kjo sqaron gjithçka

Platoni, një emër i bukur për një qen
Katatonia, një emër i bukur për një anije

Përktheu Sabina Veizaj


Tanja Bakić - në dadaEAST - DADAdays POETEKA Festival

POETEKA - dadaEAST / dadaDAYS - Tanja Bakić - Mal i Zi 

Shkruaj në vendin tim. Ka pak rëndësi - është kështjellë magjike apo shtëpizë e vogël fare. S'ka gjë nëse jehon era apo melodia e harpës. Nuk ka rëndësi nëse çmendem prej diellit apo nga pluhuri. S'ka pikë rëndësie nëse shkopi që kam në dorë është magjik apo thjesht shkop. Që të shkruaj, unë duhet të jem dhe jo të mos jem, të kem dhe jo të mos kem, të shoh dhe jo të mos shoh, të dëgjoj e jo të mos dëgjoj, të ndjej e jo të mos ndjej. Duhet të jem vetvetja, thellë Malit të Zi.

Herë-herë mendoj me vete për ndonjë botë tjetër, për një qiell tjetër. Ndonjëherë rrezet e një dielli tjetër shkëlqejnë mbi mua. Lagem nga pikat e një tjetër shiu, flladi i një tjetër ere më përkëdhel. Është bukur të shohësh një tjetër botë, t'i buzëqeshësh një tjetër qielli. Veç unë dua diellin tim, detin tim dhe vendin tim, që për dreq quhet "male të zeza"! (Mal i Zi - Monte Negro)

Dhe gjuha në të cilën shkruaj mban emrin e vendit. Gjuha vetë është si vetë vendi – e ndjej dhe nuk e ndjej, e dëgjoj dhe nuk e dëgjoj, e shoh dhe më humbet nga sytë. Jam e mallëngjyer, e humbur prej kësaj gjuhe. Ndjehem e mrekulluar kur vij rrotull prej gjuhës e cila më çon tutje, më jep formë. Kështu krijohem, i jap kuptim mendimeve, më vërtetësisht se shkopi magjik, më fuqishëm se qielli. Mendimi im është Mali i Zi. Lotët e mi janë Mali i Zi. Poezia ime është Mali i Zi.

Nëse ia del, si William Blake - poeti, të shohësh botë në kokrrizën e rërës, do ia dalësh të dëgjosh edhe zogjtë duke kënduar, të gjesh një grimcë të fshehur për shumë kohë në ndjesitë e tua, të pastrohesh dhe nga ujërat e kristalta që rrjedhin egër në brendësi. 
Do ia dalësh t'i bësh të gjitha këto, nëse e ke të hapur zemrën në këtë vend të quajtur Mali i Zi (njëlloj siç bëri edhe zonja Moore në 'Foster's A passage to India').

Të jesh shkrimtar në Mal të Zi do të thotë të ecësh në të dyja shtigjet njëherësh. Njëri të çon drejt kështjellës, tjetri të mban larg prej saj. Është një rrugë që të jep gjithçka dhe nuk kërkon prej teje asgjë si shkëmbim. Është një rrugë që të bën me flatra, që herë-herë të bën të fluturosh nga një botë në tjetrën, por të kthehesh sërish, atje ku po ajo kokrrizë pret ta gjesh botën tek ajo. Dhe bota kurrë nuk ka qenë aq e qartë në sytë e tu.

Blake pretendon ende se mund ta kapësh Përjetësinë në një çast. Edhe unë ashtu e ndjej. Më pas ti mund ta fshish forcërisht atë grimcë të vërtetë, duke i lejuar vetes të kuptosh lagështirën e saj të brendshme - mendimet t'i kesh të ndrydhura nga vetëtima e bubullima shumë të vjetra. Nuhatja jote mund të jetë frymëzuar prej gjetheve ngjyrëgështenjë të vjeshtës dhe fushat e largëta bojëmanushaqe. 
Sytë e tu të jenë pushtuar prej pulëbardhave që fluturojnë atje lart, ku deti takon qiellin. Shija jote mund të jetë e kënaqur me fiqtë dhe rrushin e mrekullueshëm prej vreshtave të hershme. Trupi yt mund të çohet rrëmbimthi prej mendimeve të mia e të rendë drejt tij.
Kështu është Mali i Zi. Dhe ja ç'do me thënë të jesh shkrimtar në Mal të Zi. Shkrimtar që zbret me këmbë në tokë pasi ka përmbushur ëndrrën. 
Një shkrimtar që shkruan në një gjuhë jo të madhe, por unike, që pushton çdo zemër të vetmuar, çdo shkëmb të fortë, çdo pulëbardhë, çdo fik, çdo rrush, çdo mëngjes, çdo sy, çdo gjëmim, çdo vetëtimë, çdo gjethe vjeshte, çdo det dhe çdo pikëz loti.

Përktheu nga anglishtja Silvana Leka

(fragment nga assegai "
...to see a world in a grain of sand..." - W.Blake


30 August 2016

ARIAN LEKA NË “Mbrëmjet poetike të Strugës” - EDICIONI 55

Pas botimit të romanit "Gjarpri i shtëpisë" në gjuhën maqedonase, publikuar nga "Goten", Shkup dhe i shoqëruar me pasthënien e shkrimtarit Luan Starova, ku mes të tjerash shënohet se ky libër është një metaforë për rrëzimin dhe ngritjet e jetës shqiptare, humbjet mes brezave të ndryshëm, në kohë të ndryshme, për të kaluarën e ngarkuar me faj, dëshpërimin që i shoqëroi njerëzit dhe shpresat në fazën post-totalitare, poeti Arian Leka mori pjesë në festivalin "Mbrëmjet poetike të Strugës", një veprimtari e rëndëshishme kjo për poezinë në nivel ndërkombëtar, e cila këtë vit celebroi edicionin e vet të 55-të.

Festivali u mbajt në datat 24 deri në 29 gusht 2016 dhe i zhvilloi veprimtaritë jo vetëm në Strugë, por edhe në disa qytete dhe qendra të tjerë historike dhe kulturore të vendit, si Ohër, Kalishtë, Shën Naum, Shkup.

Gjatë ditëve të festivalit poeti Arian Leka realizoi shtatë prezantime, në të cilat u lexuan pjesë nga krijitaria e tij.  

Veç leximeve ceremoniale në përurimin e hapjes dhe të mbylljes së festivalit, në pallatin e kulturës, mbi Urën e qytetit, ku buron lumi Drin i Zi, si dhe gjatë dhënies së çmimeve letrare "Kurora e Artë", "Vëllezërit Miladinov" dhe "Urat e Strugës", Arian Leka realizoi gjithashtu edhe një prezantim të moderuar të profilit të tij poetike në seksionin "Portrete poetike".

Një nga veprimtaritë më të veçanta të festivalit është gjithashtu edhe leximi në ceremoninë e mbjelljes së një peme, shoqëruar me poezi, që u organizua në nder të fitueses së "Kurorës së Artë" të festivalit, që këtë vit ishte shkrimtarja kanadeze Margaret Atwood.

Në festivalin e Strugës, Arian Leka lexoi dhjetë poezi të zgjedhura nga librat "Anija e gjumit" (2000), "Strabizëm" (2004), "Libër deti (2009) dhe "Ndreqje gabimesh" (2010).  Poezitë "Kur erdhe ti gjithçka ishte fikur", "Dashuria varet në dhëmbët e tu", "Vetëm", "Ndërkaq, dikush", "Ti", "Strabizëm", "Perpetum mobile", "Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe", "Hekzametër i ritmuar", "Portë e hapur drejt Balkanit" janë përkthyer në gjuhën maqedonase nga shkimtari Resul Shabani, ndërkohë që shënimet kritike mbi krijimtarinë janë nxjerrë nga vlerësimet e autorëve dhe kritikëve Xhevahir Spahiu, Ali Aliu, Ardian Kyçyku, Peter Byrne, Brandon Wicks dhe Kevin Frazier.

 

20 August 2016

TIRANAdada

POETEKA: dadaEAST / dadaDAYS - 26 - 30 shtotor 2016

- Dadaizmi, si lëvizje e madhe kulturore dhe artistike, kjo bombë që donte të shkatërronte gjithçka, duke krijuar sa më shumë, pati si frymëzues e nxitës shumë çifte artistësh.
- Ky është rasti i poetëve Celine Arnauld dhe bashkëshortit të saj Paul Dermée. 
- Është rast i çifteve në të cilët gruaja nuk u reduktua në rangun e Muzës apo objektit të denjë për t'i thurur vargje, por duke ekzistuar si artist në vetvete.
- E gjithë karriera artistike e Celine Arnauld është e lidhur ngushtë me lëvizjen Dada, e cila mund të konsiderohet si lëvizja letrare më feministe, nëse do të kishte ndonjë të tillë.
- Ngaqë Paul Dermée mori në sy rrezikun e shpërndarjes së revistës "Dada" në Zyrih, gjatë luftës, meritoi titullin "Proconsul Dada"... 

Céline Arnauld 

PARALAJMËRIM

(botuar në revistën "Z")

Ndjenjat
Tapete përgjatë shtratit në shtëpinë
së antikuarit

Mëngjes
Krahët e aeroplanit
Lëkundin zgjimin e dashurive
si shina treni
Binarët qajnë
inteligjenca çakërdiset
dhe moskokëçarës mekanikët grinden
për këngët e vagonëve të gjumit
Miqtë e mi miqtë e mi
Mos i besoni shkëndijës
zjarri përhapet kudo
edhe në trurin tuaj

Ndalesa në stacionin e parë
përgjegjësi i stacionit pa arsye
- mos është vallë nga dielli
mbi dritaret e vagonit
apo frymëzimi anti-alkool  
i mëngjesit të vështirë -
endet me kutitë 
mbushur tumbllas me kafen e zgjimit
Fuqia e katapultave
Thyen krahët tejet të brishtë të aeroplanit
kolovajze ndjenjash të vjetra
O miqtë e mi të dashur 
Mbi ndjenjat e tapeteve përgjatë shtratit 
koha shkon
shiu bie i dyshimtë dhe koprrac
Fjalët tuaja janë si predha
mbi kokat e lulediellit
varrezat zgjaten deri tek bari i tharë...
Kini kujdes nga varret e hapura.

Përgatiti dhe përktheu Amantia Kapo

Më shumë se kaq... - në shtator - POETEKA 41

arti KUNDËR

POETEKA: dadaEAST / dadaDAYS - 26 - 30 sHtAtoR 2016

100 vjet më parë - DADA - arti kundër formave të vjetra artistike, kundërshtar i kompromisit me ligjin, me shtetin, me institucionin, pra kundër të qenit "politikisht korrekt", formula e re e artit kundërshtar - antidada. ... dadaTIME 100 - kundër artit dhe shoqërisë - kundër dorëzimit dhe depresionit - kundër vetë artit - kundër Tzara-s - kundër Breton-it - kundër komformizmit - kundër tabuve - kundër barbarizmave të luftës - kundër autoritarizmit - kundër manipulimit nga religjioni - kundër papunësisë - kundër peshkut të prishur që shitësi-bamirës u shpërndan të varfërve - kundër popullit të urtë - kundër mërzisë - kundër shtetit - kundër zyrave false të asistencës dhe përkujdesjes - kundër çdo ideje të progresit në art - kundërvënie industrisë së kulturës së masave - kundër dogmave, ideologjive dhe propagandave - kundër të gjitha modeleve e normave të kulturës mondane - kundër artit proletar...

"Ç'është art proletar? Art i bërë nga vetë proletarët? Art që u kushtohet atyre dhe vihet në shërbim të proletariatit? Apo art i projektuar për të zgjuar instinktet (revolucionare) proletare? Arti i krijuar nga proletarët nuk ekziston, sepse një proletar që krijon art nuk është më një proletar, por një artist. Një artist nuk është as proletar as borgjez dhe vepra që ai krijon nuk i përket as të proletariatit, as të borgjezisë, por të gjithëve…" (Manifest Proletkunst) 

"Dada! Sepse ne jemi - antidadaistë! "(nga Manifesti i Dadaizmit)

16 August 2016

40 Poeteka: Të mos jesh i rrezikuar nga leximi

40 Poeteka: Të mos jesh i rrezikuar nga leximi


nga Violeta Murati

 

Revista letrare Poeteka del në treg numri i 40-të, një përkim artistik për një situatë të vështirë mbijetese në treg edhe pse ka krijuar natyrshmërinë e një transfuzioni letrar mes autorëve shqiptarë e të huaj; përkime letrare që kanë zgjeruar qoshkun e vështrimeve deri në letërsinë e ndaluar, dhe studime albanologjike

 

Ishin ditë kur për poezinë nuk ishin ngritur "institucione" për ta celebruar dhe poetit për t'i dhënë statujën e rezistencës. Fjala është për edicionet e para të Festivalit të Poezisë, që mori zë nga brigjet e Adriatikut, në qytetin e Durrësit duke krijuar një tryezë unike në Shqipëri ndoshta që prej ndërprerjes së viteve '30-'40 të klubeve letrare…e më vonë e izoluar në kështjella e heshtjes ndaj censorit.

Kjo lëvizje dalëngadalë, e zhvendosur në kryeqytet në kërkim të një frymëmarrje tjetër, u bë një nxitje për të ndërtuar një revistë të posaçme: Poeteka! Të gjitha kopertinat që vështrohen nga një retro 10-vjeçare aq sa shënon jetë kjo revistë, dhe regjistron në numrin e saj të ri, rekordin Poeteka 40 – No brain/no pain, si një lajmës letrar i konsoliduar tani, dhe në konture të vetëmjaftueshme leximi në prozë, poezi, studime, krahasime e përballje autorë e vepra. Nuk është totalisht poezi. Poeteka ka shqyrtuar atmosferën letrare si qëndrime që kanë nxitur zhanret e rrezikuara si ajo e esesë apo duke na sjellë në numra specifikë poezia të panjohura, nga gjuhë më pak të përkthyera, si gjuhës holandeze dhe sllovene.

Në kontekstet e një tradite, që për fat të keq ndërpreu jetën për 45 vite, kjo revistë por dhe të tjera që janë në tregun shqiptar qëndrojnë në zgrip të mbijetesës, dhe pse tani flitet për konsiderata institucionale, të drejtuar nga poeti Arjan Leka.

Mjaft numra, special nga autorë shqiptarë e të huaj, në jo pak raste kanë nisur rrugëtimin e parë letrar me këtë revistë: Nr.39 – Dialogu ne Ballkan; 37 – 70 vjet pas Luftës së Dytë; 36 – Sometimes we feel european..; 32 – Shkrimtarët në Luftën e Parë; 20 – Letërsia në Ballkan; 33 – Dossier – disidenca shqiptare: Robert Prifti; 34 – Dossier – disidenca shqiptare: Et'them Haxhiademi; 35 – Amazone – Amazine – autoreet & përkthyeset e tyre; 22 – Avan-tgard…

18 – E ndaluara ne letrat shqiptare; 17 – Liter(natura); 19 – Meta(L)f(L)ora  – fati i lirikes në letërsinë e realizmit socialist; 14 – F(l)uturizmi…

Udhëtimi klasik i kësaj reviste ka krijuar një model letrar në ambicien e zgjerimit natyror të komunitetit letrar, tërheqjes në zona të rrezikuara, dhe në autorë të rezistencës ndaj një letërsie të penguar dhe të ndaluar prej diktaturës komuniste.

Edicionet e Poetekës në numrat e fundit kanë pasur zgjerime tematikash dhe zhanresh, bashkëshoqëruese e ngjarjeve letrare që ende kanë mbetur nënzë.

Duke zënë vend në qoshkun e ideve, Poeteka gardualisht ka kryer detyrën e misionarit rajonal, por dhe më gjerë. Situata letrare e tjetrit është zhvendosur për të perceptuar jo vetëm kulturën, por, duke  njohur nga afër çfarë po ngjet me një letërsi të panjohur?Mjaft autorë ballkanas kanë pasur kontributin e tyre në këtë përfshirje, pse pas edicioneve të Poetekës vullneti letrar ka përjashtuar "shtetin" si të pamundur për të shtigje të kësaj natyre. Të përkthyer në gjuhën shqipe, tashmë kemi kolanën ballkanike tek botimet "Poeteka", autorë të cilët e kanë shkelur Shqipërinë.

Ka ndodhur në këtë areal letrar, ashtu siç e quan Leka, një lloj transfuzioni letrar, autorë të huaj të ardhur në gjuhën shqipe, e shqiptarë të lëvizur në gjuhë respektive. Kjo natyrë është e para në revistat letrare në vend, duke çliruar në 40 kopertina energjinë kulturore, që historikisht ka lënë në stanjacion situatat politike duke u bërë pjesë e rrjetit më të madh të revistave kulturore europiane "Eurozinë", në partneritet me 80 revista letrare me revista dhe institucione që bashkëpunojnë mes tyre pothuaj në të gjitha vendet e europiane.

Teksti përballë, është qoshku i hapësirës së Poetekës ku letërsia në prozë apo poezi ballafaqohet me gjuhën origjinale dhe përkthimin, duke iu dhënë mundësinë përkthyesve të rinj për ta konsideruar këtë mjeshtëri si art, pasuruar me prurje të reja.

Ky vit, ka shënuar pak më herët dhe dhjetëvjetorin e revistës, dhe ballafaqimi mbetet një shtrëngate e pashmangshme për botuesin, sa i takon potencialit dhe mundësisë realizuese. Liria, mitet, totemet e diktaturës, realizmi socialist, shoqëria sot, propaganda, populizmi, kultura masive, europianizmi, pushteti,  shoqëria e spektaklit, depolitizimi, depersonalizmi, nënshtrimi estetik, kundërshtarët, feminizmi…etj fjalë kyçe që shkaktojnë debatin dhe nxisin format e krijimit janë përplasur si përvojë estetike dhe shqyrtimi në botimet e Poetekës, por duke pritur një farë refleksioni dhe jashtë saj, si çështje dite, si çështje retroje dhe shqetësime të së ardhmes.

Rezidencat letrare të ndërtuar si shmangie kufijsh në hyrje, është nga gjurmët e rralla si një autor mbledh kujtime dhe realitete njëkohësisht nga Shqipëria, për të krijuar një mënyrë tradicionale të vështrimit njerëzor, si trashëgimi që padyshim do gjendet në bibliotekën e këtij botimi.

Dhjetë vjet mund të jenë një kapsitje sysh e Zotit, mund të duket sikur ka qenë vetëm dje e gjithë kjo përvojë…Koha shpesh e humbet nocionin për atë që lundron në dete…edhe kur ky ka ngjyrën e letrës dhe shijen e poezisë, por ajo çka mbetet pas është një histori…e cila nuk ka në plan të mbetet në nostalgjinë e së shkuarës. Organizatorët kanë nisur punën dhe përgatitjet si velat e anijes që u shtrinë atëmot, më 2005 –ën.

 

Botohen sonetet e Trebeshinës

 

Në numrin e saj të 40 revista Poeteka ka zbuluar për herë të parë sonetët e panjohura të Kasem Trebeshinës, krijimtari që thuhet se janë shkruar në vitet '50-të

Poezia e Trebeshinës dhe pse bëhet e ditur se ka 18 vëllime të shkruara e tashmë janë dorëshkrim, ka mbetur jashtë antologjive. Vetëm katër prej tyre kanë parë dritën e botimit. Konkretisht vëllimet poetike të botuara janë "Artani dhe Milja", poemë e shkruar në vitin 1959, dhe e botuar në vitin 1961; "Lirika dhe satira" e shkruar në vitet 1937-1944, botuar më 1994; "Polimnia dhe Melpomena", I,II, botuar në Prishtinë, në vitin 2006 dhe "Këngë për Kosovën" poema botuar në 2007. Studiuesit e pranojnë se jehona e këtyre librave nuk është përcjellë dhe janë të pakta studimet për të. Janë konsideruar arsye përjashtimi dhe mospëlqimi me çfarë përfaqëson kjo poezi, duke i parë jashtë kontekstit estetik. Por është deri tani ka qenë të panjohura edhe sonetët e Trebeshinës. Në rubrikën "Kujtesë", no. 40 i revistës Poeteka ka botuar pjesë nga krijimtaria poetike e Kasëm Trebeshines.

Janë Sonetat – një zone letrare pak e njohur dhe pak e studiuar kjo në krijimtarinë e gjerë të këtij autori. Janë 112 soneta të plota dhe 1 sonet i "pambaruar", shkruar mes viteve 1952-1959…

Kasëm TREBESHINA

 

6.

Ja, Hëna po anon nga perëndimi!…

Po dridhen drurët, diç për ne po thonë!

"Ësht' von'! Ësht' von'!…" Dhe s'e pranon mendimi.

"Ësht' von'! Ësht' von'!… Dhe për të keqen tonë!"

Ësht' von', por s'na bën zëmra për t'u ndarë,

pa njëri tjetrin s'jemi ne në botë!…

Un' shoh e shoh… Dhe s'ngopem duke parë!…

Mbi flokt' e tu një rreze Hëne lot!…

"Ësht' von dhe bota kushedi ç'do thonë!…"

dhe drurët mërmërijnë dhe s'thonë gjë!…

Ç'ësht' për të tjerët dashuria jonë?!…

Dhe ç'kan' me ne ?!… Ky hall' i yn' ç'i zë?!

Hajt ikim, ikim!… Dita ka një sy,

me mij' ka nata!… Keq për ne të dy!

 

11.

Tek shkoja anës detit i menduar,

dëgjoja valët… Dridheshin ngadalë.

Kërkoja gjurmët bregut të shkretuar

dhe valët po më flisnin mijë fjalë!…

Ato të kishin par' dhe po më flisnin,

po un' harruar fjalët s'u kuptoja!…

Qëndizma bregut ty po të qëndisnin,

un' shkoja anash, gjurmët po gjurmoja!…

Dhe bregut pash një bluz' që po zbardhonte

Dhe pantalont' e shkturtra porsi djalë!…

Nuk po nxitoja, zëmra po duronte…

Nuk kisha fjal'!… Kërkoji nëpër valë!…

Ne prap harruar bregut të shkretuar,

me valët bashk' drithtuam të malluar!…

 

14.

Kan' rënë ret' malit dashuruar,

si Perëndesha, duan ta rrëmbejnë.

S'arrin atje mendimi krahëshkruar,

se ëndrrat tona, mike, na gënjejnë!…

Më thuaj, ç'kanë retë, shqetësuar,

që malit qetësinë po ia ngrejnë?

I heshtur rri ky mali i qetuar,

nga ret' mbuluar që pushim nuk gjejnë!…

Dhe maj' e lart' e kredhur në mendime,

kur retë ikin, pamjen e çlirojnë,

ku valët treten larg në valëzime,

vështrimin hedh… Së largu e shikojnë!…

Kështu ësht' bota, shpresa pa takime

dhe kryqëzime që kurr s'na bashkojnë!…

 

34.

Nga dashuria, mike, nat' e ditë,

nga që të doja dhe s'të kisha pranë,

un' botën vodha… Me lul' e me dritë,

portretin tënd në vargje bota panë!…

Por tash, e dashur, s'dua krahasime,

s'më duhen yjt', as dhe trëndafila,

portretin tënd e kam në zëmrën time:

aty gjithnjë për ty këndojn' bilbila!

Kush flet më kot aty ku s'e dëgjojnë,

i çmëndur do të quhet padyshim!…

Kush ndjenjat ndan aty ku s'e kuptojnë,

i varfëruar shuhet në trishtim!…

Se fjalët dashurin' ton' s'e tregojnë,

me heshtjen vetëm flasim pambarim!…

 

81.

Akoma plak nuk jam, veç dhe i ri

në këtë mosh' nuk mund të numurohem!…

Një ëndrr' e keqe kur më nxjerr tek ti,

në zgjim mesnate, më bën të tërbohem!…

Por një mendim si gozhd' në mënd më rri…

Kjo rrug' pa rrug'… Aty qëndroj… Tmerrohem!…

Dikush aty do gjendet për çudi!…

Sikur… Nga shpres' e kot' më kot gëzohem!…

Akoma plak nuk jam, veç dhe i ri

nuk jam kështjella n'er' për të ndërtuar!…

Un' fatit i gëzohem përsëri…

Gëzohem për një shpres' të perënduar!…

Dhe zgjimi sjell me vete tirani,

Dhe jeta, si gjithnjë, më ndan nga ti!

 

112.

Dhe dit' e net' që bashk dikur i ndamë,

dhe ëndrr e par' më shpejt se në agim,

dhe puthjet fshehtas, fjalët që nuk thamë,

jan' më të shtrenjta se ky pambarim!…

Sonetat nisa lum' i turbulluar,

nëpër shkëmbejt' goditën me furri,

pastaj e ndalën vrullin e tërbuar

te fush' e gjër', aty ku dole ti!…

Nga vegjëlia nuk i kisha parë

as syt' e kaltër, as flokt' si flori!…

Të pash tashti, por s'jemi si më parë,

O mik' e ëmbël, s'jemi më fëmi!…

Sonetat nisa tjetër të këndoj,

me flokët si flori po i mbaroj!…

 

113.

Ja, syt' më mbyllen!… Gjumi po afrohet!…

Dhe prap më shfaqen yje panumrim!…

Po fle, po fle… Një tjetër ndofta zgjohet!…

Një këng' e re!… Mbarim dhe pambarim!…

……………………………………………………………..

Tiranë

1952 – 1959

15 August 2016

POETEKA + 40 - një histori vetmitare...

POETEKA + 40 - një histori vetmitare 


(fragmente të tekstit nga Ben Andoni & Arian Leka me rastin e botimit të No. të revistës "POETEKA)

...Vetëm keqdashjes, mosvlerësimit dhe padijes nuk i duhet vënë lupë zmadhuese për t'i bërë të dukshme në Shqipëri. Ato i sheh haptasi me sy të lirë, siç mund të vëresh kudo triumfin dhe dhunën e injorancës së veshur me xhaketë, jelek dhe kravatë. 

Në krye të themelimit të një reviste letrare asnjë nuk duket e zorshme, madje ka dyndje dhe eufori. Por më pas vëren se thuajse gjithçka ështe e vrerosur, e helmuar, që të kall të keqtë. Vëren autorët, të rinjtë dhe më të vjetrit që janë të prekur nga i njëjti çregullim: deliri i personalitetit narciz, mitomanisë, arroganca, megalomania dhe krijimin e personalitetit përmes profilit mediatik dhe përbuzjes së skenës që nuk ka në qendër atë vetë. 

- Më pas vëren se "I poeti laureati", që përmend Montale në poezinë "Limonët", të mbuluarit me dafinat që zunë ndryshk mbi metalet e çmimeve letrarë të së kaluarës sonë aspak të ndritur, mbi të cilat vërej se janë rehatuar dhe ndihen mirë pothuajse të gjithë, duke përfshirë vetë autorët, botuesit, botën akademike dhe medien, që i shumëfishon ata që kërkojnë të ruajnë me çdo kusht "terrenet letrare", edhe pse si trashëgim lanë ngecjen në klasicizëm apo modernizëm të vonuar, konformizmin dhe flirtimin me pushtetet... 

- Pastaj mëson se ata që mund të mbështesin një revistë letrare i garantojnë asaj vështirësi dhe mosbesim, por jo mbështetje, sidomos mbërshtetje pa kushte, pa kërkuar "haraç", që nënkupton heshtje, flirt, shërbime... 

- Pas këtyre, dikush që merret me botimin e një periodiku letrare, nuk ndjen më vështirësi, por ndihet i tradhtuar, prej të gjithëve

nga pak. Sigurisht që është përshëndetur dhe do të jetë e mirëpritur sa herë të ofrohen nisma si ato të Ministrisë së Kulturës, që

mbështesin revistave letrare, një prej të cilave është edhe "Poeteka". Veçse ky bashkëpunim nuk mund të jetë i vetmi, nuk

mund të vijë i pakoordinuar me institucionet e edukimit dhe fondet nuk mund të dhurohet pa e vëzhguar dhe ndjekur ecurinë e ndikimin e këtyre revistave mbi krijuesit dhe publikun.(Arian Leka) 

- ...Le të mos tremben dhuruesit. Për të mbajtur një revistë letrare nuk lipsen fonde marramendëse. Siç e ka pikasur editori i revistës "Sodobnost", Evald Flisar, fondi për 60 revista letrare në Slloveni është thuajse sa kostoja e ndërtimit 1 kilometri rruge - jo rrugë tepër moderne dhe jo shumë të gjerë – vetëm me dy korsi. Kjo kosto është thuajse sa paga e dy ushtarëve paqeruajtës në zona konflikti. Në Shqipëri revistat letrare nuk janë 60. Ato numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë. 100 metra rrugë do të mjaftonin. Por edhe 10 goma rezervë të makinave të luksit bëjnë punë... (Arian Leka)

____________________

 

"Poeteka" e ka bërë këtë rrugë e vetme prej më shumë se 10 vitesh ekzistencë. Falë orientimit të duhur, por edhe përshtatjes me

nevojat e kohës dhe mbi të gjitha bashkëkohësisë së ideve. Dhe, vërtet, "Poeteka" ka meritën sesi askush e ka drejtuar me tematika prurjen e saj. Në përvjetore të caktuara kemi pasur prurjet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore; kemi pasur krahasimin e përkthimeve me origjinalin; të ashtëquajturën: e ndaluara në letërsinë shqipe - dossier Et'hem Haxhiademi, Robert Prifti, Jamarbër Marko, Visar Zhiti, Pano Taçi, Kasëm Trebeshina, Frederik Rreshpja; Fati i avantgardave letrare në globalizëm; Dialog mes fqinjësh në Ballkan; Meta(L)f(L)ora - fati i keq i lirikës në letërsinë e Realizmit Socialist e shumë e shumë tematika të tjera...

- Falë bashkëpunimit të gjerë dhe hapjes pa komplekse, POETEKA ka përfshirë rreth 8 mijë faqe botim dhe mbi 200 autorë, të cilët i kanë dhënë jo vetëm frymëmarrje por edhe gjeografi idesh dhe tematike "Poetekës". Një cak i mirë i saj ishte përfshirja në Eurozine, kurse sot, është vazhdimësia e punës. Kurse sfida mbetet mbijetesa, por më shumë se kaq apeli për krijuesit vendas për bashkëpunim dhe respekt të letërsisë së vendit...

- Mbase duket e thjeshtë, por është krejt e vështirë në mjedisin tonë të vogël, mbushur me gjoks-rrahës, kinse dhe megalomanë

pafund...

- Revista letrare "Poeteka" ka ardhur në ditët e fundit me numrin e saj të 40-të. Një histori e tërë, përgjatë të cilës, ajo ka përcjellë një larmi tematikash, por më shumë se kaq tema-linjash, një risi e këndshme në historinë e revistave letrare. Sot, ajo, është pjesë e EUROZINE, një rrjeti ndërkombëtar European periodikësh kulturorë... (Ben Andoni) 

_____________

 

Artikujt e plotë mund t'i lexoni në "Milosao" 14 gusht 2016

11 August 2016

Një Dadaist në Durrës dhe Sarandë

http://www.mapo.al/2016/08/nje-dadaist-ne-durres-dhe-sarande/1

 

Një Dadaist në Durrës dhe Sarandë


Raymond Duncan – balerin, artist, poet, filozof dhe estet amerikan, njeri që ngrohte sallën e tij të shfaqjeve para se të mblidheshin dadaistët, kishte krijuar në atë kohë Akademinë e Artit në Paris. Ishte pikërisht ai që shëtiste rrugëve të Parisit, veshur me një cohë të bardhë dhe me sandale, si nxënësit e Sokratit. Ishte ai që solli ambasadorin amerikan nga Athina në Durrës, pranë qeverisë shqiptare në 1913, që ky të shikonte se ç'ishte ky shtet i ri dhe hallet e Pavarësisë shqiptare Raymond Duncan ishte pikërisht ai që solli në Sarandë motrën e tij, balerinën e famshme Isadora Duncan, yllin e baletit parisian. "Ai më bindi mua për t'u bashkuar me ata atje", shkruan në librin e saj "My life" Isadora Duncan. Raymond, bashkë me gruan e tij, Penelope dhe me fëmijën e vogël, jetuan gjatë një viti aty, duke ndihmuar ata mijëra njerëz që zbarkonin në atë mol të mjerë nga Epiri, për t'u ikur luftërave ballkanike, veçanërisht nga Janina dhe duke punuar për refugjatët.  Ky njeri do të bëhej një humanist i madh për banorët e qytetit të vogël shqiptar, i cili ende dhe sot e kësaj dite nuk e di se cili ishte Raymond Duncan – artisti që asokohe fliste "dada".

Nën përkthimin e punës së tij nga Luan Rama, Duncan ka sjellë përshkrime nga Shqipëria, një dadaist me lidhje intuitive me çfarë festivali letrar organizuar nga Poeteka pritet të nisë më 26 shtator në Tiranë. 

Një pjesë të librit Isadora Duncan, "My life" është propozuar për lexime nga Poeteka, duke njohur një realitet pothuaj të shmangur nga vështrime tona të përditshme.

 

Ja fragmenti nga libri "My life", përkthyer nga Silvana Leka:


"Raymond-i u kthye nga Shqipëria. Ai ishte, si zakonisht, i mbushur me entuziazëm. 'I gjithë vendi është në nevojë. Fshatrat janë shkatërruar;…. Fëmijët janë të uritur. Si mund të qëndroni këtu, në pikëllimin tuaj egoist?! Ejani dhe ndihmoni t'i ushqejmë fëmijët, të qetësojmë gratë?".

"Lutja e tij ishte frytdhënëse. Unë vesha sërish tunikën time greke, mbatha sandalet dhe ndoqa Raymond-in drejt Shqipërisë. Ai kishte mënyrat e tij të veçanta për të organizuar një fushatë në ndihmë të refugjatëve shqiptarë.

Shkoi në sheshin e tregut në Korfuz dhe bleu lesh papërpunuar. E ngarkoi mbi një avullore të vogël, të cilën e kishte marrë me qira, dhe u nisi drejt Sarandës, porti kryesor për refugjatët."

"Po si do t'i ushqesh të uriturit, Raymond," i thashë, " me lesh të papunuar?"

"Prit", tha Raymond-i, "do e shihni, nëse çoj bukë, do të jetë vetëm për sot… Por po u çoj atyre këtë ngarkesë me lesh të papërpunuar, që është për të ardhmen."

"…Ne zbarkuam në bregdetin shkëmbor të Sarandës, ku Raymond-i kishte organizuar një qendër. Me një shenjë ai tha: "Kush do të tjerrë këtë lesh, do të marrë një dhrahmi në ditë."

Një varg i vobektë, të drobiturash, gra të varfra e të vuajtura urie, u formua me shpejtësi. Me dhrahmi ata do të blejnë misër të verdhë, të cilin qeveria greke ua shiste në port…"

"…Pastaj Raymond-i e pilotoi varkën e tij të vogël përsëri drejt Korfuzit. Atje ai i urdhëroi marangozët të prodhonin tezgjahë për të dhe, pas kësaj, u kthye sërish në Sarandë: "Kush dëshiron ta endë me motive fillin e leshit për një dhrahmi në ditë?…"

"…Turma e të uriturve kërkoi ta bënte këtë punë. Për motivet, Raymond-i u dha detaje nga motivet e vazove të Greqisë së lashtë. Shpejt ai arriti të ngrinte pranë detit një linjë grash-endëse, të cilave u mësonte si të këndonin në unison me ritmin e endjeve të tyre.

Kur thurima ishte endur, ato e kthyen mbrapsht dhe prej aty u pa se ato ishin mbulesa të bukura shtrati, të cilat Raymond-i dërgoi në Londër, për t'i shitur me 50 përqind fitim. Me këtë fitim ai hapi një furrë dhe shiti bukë të bardhë 50 përqind më lirë se sa qeveria greke shiste misrin e verdhë, dhe kështu e krijoi ai aty fshatin e tij…"

"Ne jetuam në një tendë të kthyer nga deti. Çdo mëngjes, në agim, u zhytëm në det dhe notuam. Prej atëherë dhe më pas Raymond-i kishte mbiprodhim buke dhe patatesh, ndaj dhe, duke kapërcyer kodrat, u nisëm nëpër fshatra, për t'u shpërndarë bukë të uriturve…"

 

Nga «Manifesti Dada, 23 mars 1918»


« … Dashuria për të renë është si kryqi simpatik dhe ajo është provë e një moskokëçarje naive, shenjë pa shkak, diçka kalimtare, pozitive. Por, dhe kjo nevojë është vjetruar gjithashtu. Duke i dhënë artit impulsionin e një thjeshtësie supreme, pra të renë, ne tregohemi humanë dhe të vërtetë ndaj kënaqësisë që ndjejmë për artin, tregohemi impulsivë dhe dinamikë për të kryqëzuar mërzinë, aty, në kryqëzimet e dritave, vigjilentë e të vëmendshëm ndaj viteve të kaluara në pyll.

Shkruaj një manifest dhe nuk them asgjë, e megjithatë them disa gjëra dhe në princip unë jam kundër manifesteve, ashtu siç jam gjithashtu kundër principeve (decilitra për vlerat morale të çdo fraze – shumë komoditet; përafërsia u shpik nga impresionistët). E shkruaj këtë manifest për të treguar se mund të bëjmë aksione të kundërta së bashku, në të njëjtën frymëmarrje të freskët; unë jam kundër veprimit; jam për kontradiktën e vazhdueshme; për afirmimin gjithashtu; unë s'jam as për po e as për jo dhe nuk shpjegoj këtë, pasi unë e urrej «bonsensin…».

«…Rendi – ç'rregulli; unë – jo unë; pohimi – mohimi; shkëlqime supreme të një arti absolut. Absolut në pastërtinë e kaosit kozmik dhe të përcaktuar me rregullsi, e përjetshme në globulën e dytë pa afat, pa frymëmarrje, pa dritë, pa kontroll. Më pëlqen një vepër e vjetër për të renë që ajo dëshmon. Vetëm kontrasti na lidh me të kaluarën. Shkrimtarët që japin mësime morali dhe që diskutojnë e përsosin bazën psikologjike, veç dëshirës së fshehtë për të fituar, kanë dhe një njohje qesharake të jetës, të cilën ata e kanë klasifikuar, ndarë e kanalizuar…»

 

Përgatiti dhe përktheu nga frëngjishtja Luan Rama

 

Total Pageviews