05 September 2016

Arian Leka: Shqipëri dadaiste - 100 vjet DADA

Arian Leka: Shqipëri dadaiste


1.

Dadaizmi, si lëvizje kulturore dhe artistike e avantgardës europiane e fillimit të shekullit XX, që ndikoi fuqimisht mbi artistët e kryeqendrave kulturore të kontinentit, ndryshe nga sa mund të besohet, nuk ka qenë një zonë krejt e panjohur për shqiptarët para Luftës së Dytë botërore dhe në vitet mes saj.

Në shtypin letrar shqiptar mes viteve '30-'40 gjenden tekste, gjurmë dhe përmendje mbi dadaizmin si dhe cilësohen disa prej emrave përfaqësues të lëvizjes së parë të artit konceptual e cila, përmes poezisë sonore, fotomontazhit, objekteve ready-made, kolazhit, poezisë simultane, fotogramës, mizikës, baletit, skulpturës, pikturës dhe modës iu kundërvunë gjithçkaje që, sipas dadaistëve, shkaktuan dhe mbështetën masakrën e Luftës së Parë Botërore, përfshi këtu edhe ato vlera dhe artin e sponsorizuar nga klasa sunduese.

Thuajse një dekadë largësi nga fundi i lëvizjes dadaiste dhe në vijim, në disa organe letrare si "Përpjekja shqiptare", "Bashkimi i kombit", "Hylli i Dritës", "Tomori", "Shkëndija", "Fryma"  apo edhe te "Kultura islame", u botuan artikuj që e përmendin dhe e shtjellojnë jehonën e lëvizjeve moderniste në art, duke u ndalur tek dadaizmi, veçmas dhe jo vetëm në një rast.

Disa prej artikujve në këto organe të shtypit shqiptar kanë autorësi, një prej të cilëve është edhe Dr. Krist Maloki. Disa artikuj të tjerë janë shkruar me pseudonime letrare, si "Aldër" apo edhe me iniciale herë të identifikuar dhe herë jo, si në rastin e tekstit me titull "Poezia frange e kësokoëëshme", nënshkruar me E.F.

Sidoqoftë, përmendja, dijenia apo informacionet rreth rrymave dhe lëvizjeve moderniste të kohës, të cilat shfaqën në shtypin shqiptar gjatë viteve në fjalë, me gjithë sprovat apo dëshirën e tyre të mirë për t'u bërë vend autorëve shqiptarë pranë autorëve të kohës, nuk ofrojnë argumente të mjaftueshëm se modernizmi në arte, futurizmi, dadaizmi apo surealizmi më pas, gjetën zbatim e përkrahje në Shqipëri.


Koha kur një poet shqiptar i kushtonte poezi modernizmit dhe korifeut të saj, madje edhe pse futurizmi ende nuk ishte shpallur, siç studiuesi Pierfranco Bruni na bën me dije, kur sjell rastin e anonimit arbëresh, që i kushtoi Marinetti-t ("Pour mon ami F.T. Marinetti") poezinë "Ti jee yyl é ti jee drit…" ("Tu es l'étoile"), botuar së pari në revistën "Poezia" të vitit 1905, kishte mbetur pas.


Modernizmi u ndal në Shqipëri, siç ndalet një fe apo një besim, që nuk i kapërcen dot disa territore, pas të cilave profetët e saj përndiqen dhe shpallen të rremë. Asnjëra prej rrymave dhe lëvizjeve nuk mbërriti ose së paku nuk mbërriti kurrë në kohë. Dhe, jo vetëm gjatë komunizmit, artistët modernistë u cilësuan "xhambaza t'artit", "spekullatorë", "pseudorevolucionarë". Fundja, a mund t'i besohej e t'i shkohej pas një shenjtori si Marchel Duchamp, mrekullia e të cilit ishte një oturak-shurrëtore, titulluar "Fontaine"?

Ndaj më i pranueshmi mes mendimeve mund të jetë ai që, duke e mbajtur larg mitologjinë, na rrëfen se, ndonëse përballë lëvizjeve të artit modern europian artistët shqiptarë ishin të vonuar në krijimtari, një farë ngushëllimi vjen duke përmendur se ata ishin pothuajse bashkëkohës në lexime dhe në informacion. Kështu, së paku del nga qëmtimet në revistat letrare të paraçlirimit apo të kartelave personale të autorëve të besuare, që tërhiqnin libra nga fondi-rezervat i bibliotekës së Lidhjes së Shkrimtarëve, i bibliotekës së Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri apo edhe të Bibliotekës kombëtare.

Shqiperia përbën një rast unik në Europë, po të mendojmë se mbi shtetasit e saj u zbatua jo një, por dy lloje ateizmi: ateizmi religjoz dhe ateizmi ndaj artit modern e "profetëve të tij". Në mënyrë sarkastike dhe plot çiltërsi, shpjegimi për modernizmin që nuk mbërriti kurrë në Shqipëri struket në komunikimin med dy dadaistëve në vitin 1921. Man Ray - ky kontributor i rëndësishëm i dadaizmit, i drejtohej Tristan Tzara-s, njërit prej themeluesve dhe figurave qendrore të lëvizjes dada, kur dadaizmi kishte hyrë në SH.B.A., duke u shprehur gjithë pezmatim se dadaizmi nuk mund të jetojë në New York, pasi i gjithë New York-u është dada dhe se, për këtë shkak, ai nuk do të lejojë të ketë përballë tij asnjë rival... Ky komunikim përligj dhe shpjegon edhe rastin e autoritarizmit shqiptar.

Dadaizmi nuk mbërriti, siç edhe modernizmi e postmodernizmi e ka të vështrirë të mbërrijë, pasi Shqipëria, me të gjithë realitetet e saj, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vend, një shtet dhe një DADA shoqëri. Por mund të ketë edhe një tjetër shpjegim empirik, përse dadaizmi, veçmas rrymave të tjera moderniste, u ndal dhe u ndalua në Shqipëri. 

Dadaizmi ishte kundër artit proletar. Në "Manifest Proletkunst" të vitit, hartuar nga Theo van Doesburg dhe që mban nënshkrimin e Tzara-Arp-Spengemann-Schwitter shkruhej: "Ç'është art proletar? Art i bërë nga vetë proletarët? Art që u kushtohet atyre dhe vihet në shërbim të proletariatit? Apo art i projektuar për të zgjuar instinktet (revolucionare) proletare? Arti i krijuar nga proletarët nuk ekziston, sepse një proletar që krijon art nuk është më një proletar, por një artist. Një artist nuk është as proletar as borgjez dhe vepra që ai krijon nuk i përket as të proletariatit, as të borgjezisë, por të gjithëve…". Vetëm për kaq, dadaizmi nuk duhej të mbërrinte.

2.

Dadaizmi pra, si reagim artistik e social ngriti plot mendjemprehtësi sarkastike pyetje të reja lidhur me rolin, qëllimin dhe vendin e artit e artistit në shekullin e ri, duke ironizuar botën trashamane dhe materialiste që po mbërrinte atyre viteve. Kabaresë në Zyrih, stofullës së Huho Ball ku dadaistët mblidheshin për të mbajtur gjallë lëvizjen, jo rastësisht iu dha emri "Cabaret Voltaire". Sigurisht që ishte në nder të filozofit, por më fort i drejtohej autorit të "Kandidit", njeriut që përqeshi sundimin e përjetshëm të idiotësisë.

Ky qëndrim takonte me frymëzimin dadaist të të qenit kundër formave të vjetra artistike, kundër të qenit "politikisht korrekt", kundër dorëzimit ndaj depresionit e mërzisë, kundër komformizmit, kundër tabuve, kundër autoritarizmit, kundër manipulimit nga religjioni, kundër peshkut të prishur që shitësi-bamirës u shpërndan të varfërve, kundër popullit të urtë, kundër shtetit dhe gjuhës false të zyrave, kundër industrisë së kulturës së masave, kundër ideologjive dhe propagandave, kundër artit proletar, madje ishte edhe antidada dhe kundër vetë atyre që e themeluan dadaizmin: Tzara-s dhe Breton-it, kundër skulptorit Jean Arp, piktorëve Francis Picabia dhe Max Ernst, kundër fotografëve-piktorë Raoul Hausmann dhe Man Ray apo kolazhistit Kurt Schwitters.

Duke iu rikthyer argumentit te gjurmëve, pranisë dhe përmendjes së lëvizjeve artistike moderniste në shtypin shqiptar të viteve '30 -'40, vërehet se modernizmi aty paraqitet si art me pritshmëri të gjerë, ku nënvijëzohet se letërsia "dadaiste e futuriste merren vesht dhe shijohen prej çdo kushi dhe prej çdo kombi", siç e ndeshim në artikullin "A asht poet Lasgush Poradeci", me autor Dr. Krist Maloki, botuar në revistën "Përpjekja shqiptare", në vitin 1939.

Po aty, ky autor plotëson argumentin e tij, duke vënë përballë artin dhe "lirikën e vërtetë" dhe modernizmin: "Katër sheshe t'Artit të përgjithshëm: këcimi, figurimi, muzika dhe dekoratura mund të paraqiten, të shprehen dhe të zavendsohen nga gjuha e jonë, pa me qenë nevoja që të kenë fjalët dhe fjalijt e sajë kuptime logjike, apor përcaktime të veçanta mendtare. Me një fjalë: çdo gjuhë mund të bahet mjet arti (e sidomos mjet poezije) po u shfrytzuene elementet e saja esthetike natyrale - në daç edhe pa asnjë kuptim. Kështu e kan zakon me vjershnue fëmijt ner lodra e poeziëna fillestare, kështu poetizojn da-da-istat ala Marinetti me shokë, kështu belbëzojn shumë herë do futurista, por në kët mëndyrë vepron pak a shumë edhe çdo poet i vërtetë dhe sidomos poeti i lyrizmave."

Po aty dhe në vijim theksohet edhe ide mbi se "Poezija e vërtetë"  përballë belbëzimeve të dadaistave të Marinetit me shokë do fitojë dhe se "Lyrika e vërtetë - si desht me filozofue një theorië e vjetër - ban efekt edhe ner njasi njerzësh që s'e kuptojn as pak gjuhën e sajë. Marinetti vet ka një besim të ngulun se poeziënat e tija dadaiste e futuriste merren vesht dhe shiejohen prej çdo kushi dhe prej çdo kombi. Por sido qoft neve na mjafton këtu t'a e diejm se mund të jetë deri diku edhe fare e përgjithëshme, fare internacjonale, a ma mirë: fare gjithënjerëzore."

Duke iu larguar rasteve të analizimit të veprës dhe gjetjes apo zhbërjes së lidhjeve të një autori shqiptar me paraardhës e bashkëkohës europianë e botërorë, siç ishte rasti i polemikës letrare mbi Lasgush Poradecin, mes Dhimitër P. Paskos në "Tomori i vogël" të vitit 1942 dhe artikulli "Poetë dhe detraktorë", botuar në  "Revista Letrare",  1944 dhe Dr. Krist Malokit, revista të tjera të kohës sjellin një panoramë më të plotë e më të plotë, duke i kthyer sytë mbi realitetet artistike europiane, kryesisht mbi modernizmin dhe dadaizmin në veçanti.

botimet e para për vitin 1942, revista "Hylli i Dritës" ofron një vëzhgim interesant kur bën këtë trajtim: "Mjes kubizmit e dedaizmit u vû ndermjet, si lëvizje në vetí e jo si urë kalimi, futurizmi ase kulti i bukurís mekanike, qi, po të kishte vijue per ndo'i kohë të gjatë, do t'i kishte dhanun Francës nji trajtë të ré poezije. Dadaizmi, i themeluem në Zürích vjetin 1916 prej Tristan Tzara e - me Tzara morën pjesë në kët lvisëje Loris Aragon, Francis Picabia, Soupault e Breton - duel prej mosbesimit në menden e njerit (l'intelligence est une manie Dada est Dada) e kerkote me anen e njij anarkie sá per dukë, me mërrijtë në nji rend të ri. Këjo gjâ megjithëkëta nuk i pengoi disá me bashkveprue me ekspresjonizmin gjerman. Pa mujtë me xanë vend kund, Jean Cocteau anon herë kah kubizmi herë kah dadaizmi, mjes Picasso e De Chirico, Debussy e Stravinski."

Këtu pra, ndeshim jo vetëm emrat e themeluesve dhe të atyre që kontribuan shumë për modernizmin, por krijohet edhe harta e lëvizjeve artistike, me Zyrihun si kryeqendrën e dadaizmin, Parisin e Berlinin. Edhe qëllimet e lëvizjes dadaiste paraqiten aty, por duke e qortuar si art që "kërkonte me anën e nji anarkie sá për dukë, me mërrijtë në nji rend të ri".

Një tekst që tërheq vëmendjen është edhe ai i revistës "Fryma", ku në numtat 7-8 të verës së vitit 1944, botohet mes të tjerash edhe një artikull në rubrikën "Bisedime rreth shtypit t onë". Titulli i artikullit është "Fjalët dhe iderat" dhe është nënshkruar nga Dr. Samim. Në këtë artikull  ndeshim shënimin: "...bota kulturore mbas luftës botnore ka bënë edhe perparime. Janë krijuar vepra te reja që pa dyshim u afrohon veprave klasike. Shkolla e rryma të ndryshme  artistike, si p. sh. epresjonizmi, neoempresionizmi, kubizmi - Turizmi – futurizmi - dadaizmi - syrealizmi c tjera nuk kanë kaluar pa lënë një si shenjë dhe nuk u lindën dhe vdiqcn pa lenë gjurma në fytyrën e artit njërzor. Disa artista nga këto shkollat e rryma moderne kanë nxjerrë në shesh disa shije të reja, vëzhgime origjinale nuk haseshin ne veprat e vjetra. Këto me të vërtetë ishin disa frymezime të holla qe shkriheshin ne bardhësinë e zemrës dhedridheshin ne botën e kaltër të shpirtit. Por kaq ... Për fat të keq kanë qenë tepër të pakta dhe kurr nuk mbërrijtën të kenë atë sundim të përjetshëm të veprave klasike".

Më tej autori ndalet edhe mbi gjendje e edukimit shkollor të shqiptarit të atyre viteve. Ai identifikon dy zona problemore: përkatësisht zonën turmave tona "…që nk kanë mbërrijtur ende as shkallën fillestare të qytetërimit perëndoimor dhe ende janë në mëkmbje e sipër e kështu që s'ka se si të interesonet  me lëvizjet moderne modrne ose klasike. Problemi kuluror shqiplar, në pjesën dërmonjëse, për fat të keq ende gjindet në fusha të ulta, për vërtetim mund të merret velëm fakti se turma e jonë e soţme 80-90 % ësht analfabete..." Dhe, siç mund të merret me mend, paralelisht me turmat qortohen edhe elitat, "Shkrimrët mentarët, që para kohës na sjellin disa probleme te huaja, do te ishte shumë më mirë te zbrisnin poshtë, dukë lënë tonin eks kathedra, edhe duke sosjalizuar me punërat e turmave."

Ndërkohë, ajo që tërheq vëmendjen është edhe fakti se në shtypin e paraluftës gjenden jo vetëm tekste të plotë dhe fragmente pohuese, si ato që u cituan, por edhe edhe tekste që shprehen haptazi dhe krejtësisht kundër lëvizjeve moderniste.

Thuajse në prag të çlirimit të Shqipërisë, Nexhat Hakiu, që së bashku me Mitrush Kutelin, Vedat Kokonën dhe Sterjo Spassen themeluan "Revistës letrare" në vititn 1944, i njohur asokohe dhe më pas si poet lirik e përkthyes i Giosuè Carducci-t, Ada Negri-t, Pirandelo-s dhe Tagore-s, shpreh teza befasuese në një test që mban titullin "Letërsia kombëtare, botuar në gazetën "Bashkimi i kombit"."

Prej këtij teksti mund të kapen fillesat e asaj fryme që do e e gjejmë edhe më pas të shprehur si qëndrim të hapur kundër artit modern dhe modernizmit, si prirje e tedencë e institucionalizuar me Konferencën

e III-të të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.  Në këtë artikull të nënshkruar me pseudonimin lerar "Adlër", modernizmi vihet përkundrejt artit letrar kombëtar.

Në kundërvënien klasicizëm - modenizëm autori i artikullit i paraqet lëvizjet moderniste si arte "fallse dhe të lyera me bojë", ndërsa artistët e këtyre lëvizjeve si "xhambaza t'artit". Këshillimi i tij ndaj shkrimtarëve të rinj është për: "Një studim serioz i folklorit do të vlente shumë më tepër nga mendimet e kritikëve që përpiqen t'a ndajnë e t'a përçajnë artin e shkrimit nëpër kallëpe!" Ai i orienton autorët të mbështeten në folklor, ku "kanë për të gjetur të gjitha motivet e jetës shqiptare" dhe se nuk duhet të lexojnë tekste që "kanë një frymë të huaj, një ton shpirtëror të botës, një imitim të shëmtuar që në të vërtetë e ka degjeneruar artin e shkrimit!". I plotë paragrafi vjen kësisoj: "Të gjithë ata që nuk janë në gjendje të kuptojnë ose të shkruajnë, siç kanë shkruajtur të vjetrit, mundohen si e si të nxjerrin motive nëpër forma të tjera për t'i treguar botës diçka të re dhe origjinale: të gjitha këto janë fallse dhe të lyera me bojë: Futurizmat, dadaizmat, ermetizmat e tjera kësodore lindin e perndojnë, kurse arti i vërtetë përmes klasikvet, ka lindur dhe ka mbetur përjetë. Prandaj të rinjt nuk duhet të influencohen nga këta xhambaza t'artit, të cilët spekulojnë në bazë të revolusionit letrar që pretendojnë! Është e vërtetë se lëçitja e autorvet të huaj do t'u hap orizonte të ra, do t'u zgjerojë ndjenjën dhe do t'i pajisë me material të ri, porse nuk duhet t'influencohen kaqë shumë se bëhen kopja e degjeneruar e atyre."

Në po këtë tekst ndeshen edhe paragrafë që e përdorin emërtesën e lëvizjes në shumësin e vet, në formën "dadaizma", si për të shprehur përmes kësaj modelimin e qëndrimit ndaj artit modernist në Shqipëri.

Ky vlerësim, i bërë vetëm pak muaj para çlirimit të Shqipërisë, nuk tingëllon larg mendësisë, që do e shoqëronte qëndrimin e politik dhe estetik të paslufës, lidhur mbi dëmin që i sjell modernizmi artit të vërtetë. Formulime të atilla si: "…futurizmat, dadaizmat, ermetizmat e tjera kësodore lindin e perndojnë, kurse arti i vërtetë përmes klasikvet, ka lindur dhe ka mbetur përjetë"  duket sikur udhëhoqën qëndrimet politike dhe estetike prej viteve 1945-1950, deri në vitet '60, me ashpërsime të egra pas vitit 1972.

Edhe në materialet e botuara të Konferencës së III-të të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë gjenden paragrafë befasues, madje të shprehur nga artistë, përkthyes e studiues të formuar, disa prsj të cilëve edhe u dënuam më pas, ku sulmohet haptazi modernizmi, për të cilin mes të tjerash shkruhet:  "…në veprat e disa shokëve, janë dukur mbeturina të dekadentizmit. Fraza e perjoda, karaktere e trajtime të tëra temash, me frymë simboliste, impresioniste, surealiste, futuriste etj…"

Kjo frymë u instucionalizua si qëndrim zyrtar kur, pas mbylljes së revistave "Bota e Re" dhe "Literatura jonë" revista "Nëntori" botoi tekste që sot ruajnë vlerën e dokumentit. Ato tekste vijnë si tekste qortuese, këshilluese e ndëshkuese, por bashkohen tek i njëjti qëndrim: "…futuristët me shokë deshën të varrosnin çdo gjë të trashigimit kultural dhe artistik të së kaluarës. Edhe sot izmat e ndryshme, që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim të plotë, nuk lënë gur pa lozur në këtë drejtim".

Kjo frymë antimoderniste u mbart nga tekstet kritike drejt krijimtarisë e letrare të realizmit socialist,ku vargjet kundër "poezisë së deklasuar" dhe pro modelit të "poetit, që mëson si një nxënës i heshtur të rri gju më gju me popullin" u bënë udhërrëfyese dhe ruajtën vlerën e modelit për letërsinë zyrtare dhe të laureuar.

3.

Askush dhe asgjë nuk mund të arratiset nga DADA, thuhet se qenkësh shprehur Tristan Tzara, kur Andreé Breton-i, me formim më të plotë politik dhe me qëllime ndaj artit tërhoqi dadaistët drejt surrealizmit. Ai i tha një formë asaj që për dadaizmin ishte një gjendje që merrte çdo trajtë, duke e shndërruar në një metodë krijuese gjithë ëndrrat, shpirtin improvizues, dalldinë, rebelizmin, haliçinacionin, çudinë, gjallërinë, lojrat pa kuptim të fjalëve dhe tingujve, mungesën e kompromisit dhe moskompromentimin e artit dada.

Ishte jo Tzara, por Breton-i ai që lëshoi thirrjen e njohur:  "Braktisni Dada"- nëse doni një jetë të kamur me atë që ju propozon një të ardhme. Për Breton-in, politika ishte art. Edhe sipas Bismarck-ut politika ishte art, por art i kompromisit. Për arsye të ngjashme ndoshta, dadaizmi gjerman u bë i afërt me politikën, jo vetëm krahasuar me Zvicrën politikisht neutrale, por me çdo vend tjetër ku u zhvillua lëvizja dadaiste.

Ndaj, tashmë, nuk përbën kureshti fakti se disa nga emrat përfaqësues të dadaizmit u joshën dhe përdorën nga politika e majtë apo se disa nga lëvizjet projektuan idealin vizual të "Gruas së Re" dhe "Njeriut Dada. Prej kësaj fryme lindi grotesku, liria e përqeshjes së figurave politike, si në veprat e Hannah Höch-ut, ku ajo, te "Kreu i Shtetit" pikturoi barkalecë të tillë si presidenti gjerman dhe ministri i mbrojtjes me mbathje banje, vendosur mbi një model qëndisme të një gruaje me ombrellë.

Ishte e dyanshme. Kompromisi kërkoi prej artistëve dada ta çonin më tej revolucionin kulturor, që ata vetë e kishin filluar. Veç paradoksalisht, mosmarrëveshjet që çuan në fundin e dadaizmit dhe themelimin e surrealizmit, lindën pikërisht saje angazhimit të artistit në politikë dhe artit proletar. Filloi çarja, fundi, edhepse në vitet 1920-22 dadaizmi, nga kryeqyteret e Europës perëndimore, trokiti edhe në derën e fqinjëve tanë veriorë, me termin "Jugo-Dada" ku, veç artivitetit publike, u publikuan "Dada Tank" dhe "Dada Jazz".

I padëshiruar dhe i ndëshkuar nga bolshevikët, "si art borgjez, modern", "perëndimor"; i urryer edhe më fort nga nazistët, i denoncuar në "Mein Kampf" si "kulturë bolshevike", "art dekadent" dhe "devijim e çmenduri shpirtërore", dadaizmi nuk mbërriti kurrë në Shqipëri. Të gjithë: bolshevikët internacionalistë, nazistët dhe nacional-komunistët shqiptarë, kishin rënë në një mendje. Takoheshin tek i njëjti "aleph": te "dadaizmat" - ky mishërim i dekadentizmit më të rrezikshëm.

Ky frymëzim "përligj" urdhrin e lëshuar nga qeveria e re e Hitlerit, në vitin 1933, drejtuar kujdestarëve të muzeve publike e private, të cilët u detyruan të hiqnin nga muret "krijimet më barbare të një njerëzimi të degjeneruar dhe të një brezi 'artistësh' patologjikë". Kjo frymë "përligj" qarkoren e Ministrisë së Arsimit e Shkencës, pas hapjes së ekspozitës së Mynihut (1937), që e cilësonte dadaizmin, futurizmin, kubizmin dhe izmat e tjera si "lule të helmëta të një bime parazitare hebreje".

Është e njëjta "përligjjeje" edhe ndaj ndëshkimeve të kryera mbi artistët shqiptarë me prirje moderniste, të cilët, vend të "Odeon Cafe&Bar", njohën errësirat e qelive të Spaçit, Burrelit e të Qafë-Barit dhe që në vend të surrealizmit në art, përjetuan surrealitetin e jetës në Shqipëri, ku fryma nihiliste e dadaizmit sundoi, por modernizmi nuk mbërriti.

Shqipëria ishte dhe ndoshta mbetet vendi më "dadaist" në Europë. Luftë, rebelim, revoltë dhe anarki ndaj institucioneve dhe vlerave, por jo kundër përgjegjësve që shkaktuan dhe mbështetën dhunimin e lirisë dhe vlerave njerëzore. Shqipëria ishte dhe mbetet një vend dadaist. Gjenialiteti i dikurshëm për të prishur marrëdhëniet thuajse me të gjithë, është shndërruar në miqësi dhe tolerancë servile ndaj të gjithëve dhe gjithçkaje.

Ky vend, që ishte aq surrealist, sa përndoqi fjalën e mendimin e lirë, zhduku pronën private, ndaloi çdo valë e sinjal, që vinte nga Perëndimi dhe burgosi e vrau poetët që lexuan, shkruan dhe përkthyen poezi moderniste, sot është po aq dada me filozofinë e vet qëllimisht negativiste e nihiliste, të afta për të provokuar dhe nxitur jo mendim, por instinkte.

Letërsia autorëve të realizmit socialist, edhepse ideologjikisht takon me shpirtit e vonuar dhe ikonoklasitik të avantgardave të fillimit të shekullit XX, vjen me të gjitha mangësitë që sjell vonesa. Si e tillë, ajo krijimtari mbetet më shumë socialiste se realiste, një projekt kushtuar artit proletar, që nuk krijoi lidhje me ato pak gjurmë të mehura të modernizmit, që nisi të hyjë  në Shqipëri mes viteve '30, por që nuk u lejua të zërë vend, falë

prirjes sonë për t'u bindur dhe "xhambazave t'artit, që spekuluan në bazë të revolusionit letrar të pretenduar". E gjithë Shiqipëria ishte dhe mbetet ende nje DADA dhe, për këtë shkak, nuk lejon ta sfidojë dikush a diçka tjetër.  

"Shqipëri, ç'do bëjmë me lirinë e madhe, me këtë grua tradhtare të ndërgjegjes?", shkruan Evgjenij Jevtushenko në një poezi kushtuar këtij vendi, shkrimtarët e të cilit, njëlloj si dikur dadaistët, i mohuan vlerat e shoqërisë së vjetër, kishin frymëzime antiborgjeze, antikapitaliste e antiklerikale, ishin antimilitaristë, madje ishin edhe antishkencës perëndimore, që prodhonte "raketa, armë dhe bomba". Edhepse autorët e realizmit socialist, po njëlloj si dadaistët, ishin pranë Bakuninit dhe pasionin për shkatërrim e shihnin si pasion krijues, dadaizmi nuk mbërriti mes nesh.

Dhe, thuajse njëlloj si 100 vjet më parë - kur Tristan Tzara u largua nga Rumania drejt Zyrihut, për shkak se kultura në Rumani u politizua dhe se froma e vetme e jetës aty njihte jeta politike - Shqipëria DADAiste, ia ka aritur t'i largojë nëpër botë artistët e vet, ngaqë për më shumë se një shekull si shtet i pavarur dhe si shoqëri, nuk mundi t'u krijojë mundësi e hapësira normale krijimtarie, pune e promovimi as atyre që ikën dhe as atyre që ndenjën.

Ndaj edhe, si një vend tipik DADA, Shqipëria ka brohoritur, duartroket dhe gjen kënaqësi mazokiste në mburrjen që artistët e ikur shkëlqyen dhe shkëlqejnë diku tjetër, por jo në vendin e vet.


(botuar në "Milosao", 4 shtator 2016)

03 September 2016

Jani Johann Oswald - Slloveni / Austri - POETEKA dadaEAST / dadaDAYS / 26-30/09/'16

WHO is WHO në POETEKA dadaEAST / dadaDAYS / 

Jani Johann Oswald - Slloveni / Austri


Si një trashëgimtari i frymës dada, Jani Oswald shkruan me pseudonimet letrare Šodrov Janez, Slavko Korošec, Norbert Novak, Brez Imena, Ficko Spacek, Anatol Doppel... etj.


Lindi në vitin 1957 në Klagenfurt, studioi në Vjenë ku edhe jeton, kryesisht.

Në 1980 ai ishte botues dhe redaktor i revistës letrare sllovene "mladje", në të cilën botoi forma të poezisë eksperimentale, sound poetry, visual poetry, poezi konkrete dhe ese. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e lidhur me modernizmin dhe veçanërisht lëvizjen DADA.


Ka botuar mjaft libra me poezi, mes të cilëve "Andante Mizzi", "Achillesverse", "Quaran Tanja" tij. Kjo e fundit ( "Quaran Tanja"), botuar në vitin 2013, është përgjigje poetike ndaj ngjarjeve të pasigurta sociale, të cilat kanë linja komplekse faji, jo vetëm për mjedisin e ngushtë austriak dhe slloven.

Poetika e kësaj vepre është e një krijimtarie tipike (post)moderniste, që ribashkon vlerat më të mira të këtij arti, zhvilluar drejt një gjuhë të re poetike, plot aluzione dhe forma shumëdimensionale.


Disa nga veprat e tij janë:

- Zaseka (Verhacktes). Gedichte. Klagenfurt/Celovec-Triest: ZTT, 1985.

- Babylon/Babilon. Gedichte (deutsch/slowenisch). Klagenfurt/Celovec: Drava, 1992.

- Pes Marica. Liederbuch. Klagenfurt/Celovec: Wieser, 1994.

- Achillesverse. Kein Heldenepos. Gedichte. Klagenfurt/Celovec: Drava, 1996.

- Frakturen. Gedichte. (mit CD "Buhštabenzupe") Klagenfurt/Celovec: Drava, 2007.

- Andante Mizzi. Allegretto disgustoso. Solo adagio. Quasi moderato.

Morendo ma non troppo. Klagenfurt/Celovec, Wien/Dunaj: Drava, 2010.

- Quaran Tanja. Homeland Eastland West Lend Fremd End konec. Klagenfurt/Celovec: Drava, 2013.

02 September 2016

Marko Pogačar - Kroaci - POETEKA dadaEAST / dadaDAYS / 26-30/09/'16

REVOLUCIONI PERMANENT I GJUHËS SË POEZISË SË DASHURISË. TROCKISTËVE TË LODHUR

Si, në vitin 2007, të shkruash poezi dashurie? 
kjo është kohë e dendur nga dashuria.

të gjithë, në të vërtetë, na duan me masë.
teoria flet për mungesën e plotë të lëvizjes.

tregu thotë: nëse flet për dashurinë,
flet për zotin, ose anasjelltas.

Pogaçari është i mendimit: gjithçka është zot = zoti është asgjë.
bombardues përplot domethënie të rrezikshme.

por diku në cepin e asaj dashurie, kur ta mbërthesh pas murit,
del diç e papërmbajtur.

rezervat i marrjes dhe dhënies.
dhe në të një baobab nëpër kurorën e të cilit ngjitesh në qiell.

në fund e di: e vemja gjë më e tmerrshme se fashizmi
është fashizmi i matur.

TEKNIKA E VJERSHËS

Presidenti i parë kroat theret me harrimin
hunta e tij me supën tepër të nxehtë dhe shërbëtorët e vdekur
që i anashkalojnë me këmbëngulje; derisa eci qytetit në drejtim
të kundërt me vdekjen, blej gazetat, blej kafe në
kiosk e dëgjoj sharmin tim grindavec, karakterin e butë
dhe grupin Haustor; kroati mesatar theret me bashkëjetesën,
tolerancën, me gojën plot borë – mbi të shtrihet smogu 
i gjerë dhe i lehtë dhe e merr me vete, bashkë me gjithë atë vjeshtë, me të
errëtin e saj, ujin që ngjitet qafës sate,
ujin material dhe të butë; kisha theret me citimin e përhershëm
të Krishtit, me dashurinë e pakusht dhe të gjatë; derri zhduket
vetvetiu, fishket, në vaktësinë e frymës së vet, një grusht gjak që rrjedh
para përvojës; vjersha theret me Drago Shtambukun, nëna
siç është përshkruar në disa shkrime precize; asgjë nuk mbetet asgjë
ai diell shkëlqyes i bërë shkrumb.

Përktheu: Anton Berishaj

Patrick Dubost - Francë - POETEKA dadaEAST / dadaDAYS / 26-30/09/'16

Nga "Manifest për një teatër modern"

Neni 13
...
Tu kaptush ashta nji okt e bykyr dhi o gaxumshim.
Ta kiptash ushtë njo ukt u bokor dhu goxamshem.
Të kuptosh është një akt i bukur dhe i guximshëm.

Neni 15

Flitet shpesh për teatër të gjallë për
autorë të vdekur. Por flasim gjithashtu
për teatrin e vdekur për autorët e gjallë.
Le të mbushim një sallë me 700 kufoma,
le t'i veshim me ngjyra të gjalla dhe të
bërtasim jashtë, bashkë me nja njëzet
drejtorë (të gjallë), teatrosh (të vdekur):
"Ne kërkojmë autorë të gjallë për një
teatër gurësh varri!"

Neni 21

Teatri ka lidhje me gjinitë e mëposhtme: poezia dhe
krijimi letrar në përgjithësi, akusmatika dhe muzika
në përgjithësi, gjithësia e së zëshmes në
përgjithësi, ajo që përfshin operën gjenerali im, ajo
që përfshin zërin gjenerali im! Ah, zëri. Por edhe
dritën! Objektet! Trupat! Koreografinë! Videon! Ata
që përgjigjen në telefon! Radiofoninë! Radiologjinë!
Radioastronominë dhe përgjithësisht gjithçka që
ka lidhje nga afër ose nga larg me njërën nga të pesë shqisat!!!

Neni 23

Shkrimtari e do letrën, të folmen, rrëmujën,
djallosjen, të thënën, bëmën, mendimin, përparimin,
ndjenjën, përjetimin, gërmimin në brendësi me të
gjitha mjetet që gjen, i verbër, s'ka rëndësi si, mjaft
që të gërmojë!

Neni 24

Një shkrimtar rrëmujaxhi
e ka ndonjëherë shansin
për të qenë modern.

Neni 25

Të shkruash për
teatrin
do të thotë të flasësh
me zë të lartë
pa bërë
asnjë zhurmë,
të sajosh miq
në fund të një
humbëtire.

Neni 35

Teatri modern nuk është sëmundje ngjitëse,
përkundrazi. Për çdo të sëmurë të ri, ka 3
mundësi shërimi.

Neni 48

Regjisorët e teatrit janë inteligjentë... Ose kanë një
zgjuarsi që i përshtatet detyrës... Ose kanë një
mangësi zgjuarsie të maskuar me një ligjërim
korrekt... Ose kanë mungesë zgjuarsie
mallëngjyese dhe që duhet kompensuar me shumë
vullnet... Ose kanë një marrëzi të rëndomtë,
komunikuese, pra edhe të kënaqshme, ...Ose kanë
një budallallëk të pakufijshëm dhe fenomenal,
robërues, metafizik, të bujshëm!

49 

Të kujdesesh që të ketë gjithmonë, në mes të
publikut, disa "puçi berberuzi" (poçe barbaroze),
dhe "kefshi shtipoeki" (kafshë shtëpiake).

Përktheu nga frëngjishtja Kopi Kyçyku

(më shumë... në dadaEAST - dadaDAYS)

Dorian Steinhoff - Gjermani - dadaEAST / dadaDAYS / 26-30/09/'16

Dorian Steinhoff, lindur në vitin 1985 në Bon, është autor dhe mediator letrar. Ai shkruan, lexon përpara audiencave, me kërkesë universiteteve, institucioneve të lira kulturore shkollave, universiteteve. Ai moderon letërsinë dhe proceset letrare, organizon dhe mban workshop-e dhe seminare në lidhje me temat e të shkruarit krijues, të slam-poetry dhe poetikën në përgjithësi. Për punën e tij është nderuar me shumë çmime. 
Botimi i tij fundit është një vëllim me tregime me titull "Drita e flakëve në fytyrat tona" (DAS LICHT DER FLAMMEN AUF UNSEREN GESICHTERN), një vëllim me tregime, botuar në gjermanisht nga shtëpia botuese "mairisch Verlag". Në gjuhën shqipe kjo vepër do të botohet nga "Botimet Poeteka", përkthyer nga Sokol Mici. 
Përveç pjesëmarrjes në festivalin dadaEAST – dadaDAYS, Dorian Steinhoff do të qëndrojnë në Tiranë gjatë muajit tetor, si i fitues i Rezidencës letrare "POETEKA – Tirana in between". Ky qëndrim u realizua në bashkepunim me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri. 

Vlerësime mbi veprën e Dorian Steinhoff:
'Kushdo që vlerëson veprat e Alice Munro, duhet të lexojë Dorian Steinhoff".

(Alain-Claude Sulzer, Basler Zeitung)

"Tregimet e tij janë shkruar aq mirë dhe në mënyrë intriguese, saqë do humbitnit dhe stacion ku do zbrisnit nga autobusi, vetëm e vetëm për t'i mbaruar". 

(Christoph Gurk, Bayerischer Rundfunk) 

"Dorian Steinhoff ka dy kërkesa në lidhje me një tekst: "A është shkruar mirë? Dhe a më prek? Përgjigjja për të dyja këto kërkesa ndaj tregimeve të tij është një PO e madhe. Libri i tij është pothuajse po aq adiktiv sa dhe të gjithë serialet e dramave të famshme amerikane të kohës tonë".

(Verena Meis, Titel Magazine)

"Duke lexuar këtë tregime si lexues mund të mësoni shumë për kohën tonë të tanishme ".

(Rainer Moritz, Norddeutscher Rundfunk)

"Dorian Steinhoff ka aftësinë për të na kuptuar ne, njerëzorët, dhe për t'i përkthyer në letërsi veprat dhe bisedat tona në një mënyrë të atillë sa na bën të dukemi se ja vlen të na duan."

(Nora Gomringer, Winner of the Bachmann-award 2015)

Zvonko Karanović - Serbi - në dadaEAST - DADAdays POETEKA Festival

oeti dhe prozatori Zvonko Karanović, i lindur Niš, Serbi, në vitin 1959, ashtu si gjithë poetët e Gjeneratës Beat, nga e cila ky autor mori frymëzimin, ka udhëtuar anembanë Europës, duke ndërruar shpesh punët dhe profesionet. Ai ka punuar si gazetar, redaktor, DJ dhe organizues koncertesh. 

Për 13 vite ai ka pasur gjithashtu në pronësi një dyqan muzikor. Për shumë vite ka qenë një personazh kult underground dhe ka ndikuar fort mbi gjeneratën e poetëve të rinj. 

Shkrimet e tij të hershme dallojnë për ndikimin nga letërsia Beat, nga filmat dhe kultura pop, nga e cila ai zhvilloi një stil që është përshkruar si "neo-ekzistencializmi i erët." 
Bordi i organizatës "The PEN" e ka quajtur Zvonko Karanović-in "një ikonë kulturore kontroversale [I cili ] shkruan në një gjuhë të gjallë e të sofistikuar për dëshirat, dhe kulturën dhe ndryshimet politike."

Zvonko Karanović ka publikuar shtatë vëllime me poezi. Romani i tij triologjik, "Ditari i të arratisurëve", është i pari projekt në llojin e vet në letërsinë serbe të shekullit të 21. Vepra e tij është pjesë e antologjisë "Poetët e rinj europianë" (2008). Poezitë e tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme europiane. Ai aktualisht jeton në Beograd. 

___________

Dhoma e ekove

Ishte një ëndërr, një makth, një marrje fryme, një marrje fryme e stërzgjatur,
pakësimi i ajrit, nën formën e rrëfimit të njeriut 
të tmerruar përballë vdekjes, i shpërfytyruar në momentin
e rënies drejt humnerës, vështrimi i saj 
i tmerruar, sytë e saj të shqyer ndërsa bie në heshtjen më të shurdhër,
në terr

në terr
në errësirën më të kobshme
në vendin ku u ndal
në tokën e askujt

pas qiellit gri mbinte një qiell tjetër i verdhë
xhamat ndaleshin në gjatësinë e fytyrës
kush do t'i çlirojë gjithë këto kafshë?
Kush do t'i ndihmojë gjithë këta njerëz?

M'u beh ëndrra ime në mendje
ndjehesha sikur t'isha zëdhënësi im
një herë kohë më parë
drejtues të përgjumur rimorkiosh
duke kërkuar për një rrufepritëse të artë
takime me mure e dyer
asgjë me rëndësi, të paktën atje ku jetoja 

e asfiksuar, e asfiksuar, e asfiksuar e tëra
fole lepuri plot, të gjitha vrimat të mbushura krejt

merresha 
me transferim periferishë
me bishtin tim përkëdhelja hënën
duke qëndruar larg nga palaçot epileptikë
dhe zhapikët e tejdukshëm 
ecja mbrapsht, në drejtim të lindjes
tani duke u hedhur
tani duke u tërhequr zvarrë
kupolat e arta të përëndimit
të dorëzuara, pa dhëmbë, përplot me copëza perlash
Shikonin në qiellin e shqyer

ah, ah, ah, buzëqeshte mamaja
piramida është detyra e fundit
qëllimi
takimi me Vejushëm
monstra me kokën e rruar
që shtrihet mbi jastëk metalikë
dhe djersit me shumicë

nuk i kam besuar
dukej një shaka, një kërcënim, një mënyrë për të t'frikësuar
ose një tjetër mistifikim

kujtoja, përkundrazi duhet të harroja
i bija
citofonëve të personave të panjohur 
dëgjoja thirrje për ndihmë
bare sushi
të vegjël
iu lehja rrugëve të ndriçuara
pëshpërisja pranë jetëve të shenjtorëve

shoqëria e të barabartëve bazohet në solidaritet 
çanta ime Hermes, ulërinte

bëhej fjalë për një makth, për një marrje fryme të gjatë, për mungesë ajri,
nën formën e rrëfimit të një njeriu të tmerruar përballë asaj që sheh,
e braktisur nën veprimin çnjerëzor të diellit, të dhunshëm
i ngrohtë nëntori, vështrimi i tij, vështrimi i tij i pandjeshëm
ndërsa bie në muzg, në heshtjen e shurdhër

ëndërroja tim at që ngjiste malin
ecte i vendosur si një personazh biblik
një personazh mitologjik, një personazh me një mision
e shikoja ndërsa i palodhur shkelte
shkurre e shkëmbinnjë
çfarë po kërkon?
I kujtohet?
Për çfarë kujtohet?

Ai ecën me shpjetësi
ecën i vendosur mbi gurë, pluhur 
i palodhur shkel dëborën
që shkëlqen mantel i hënës së zbehtë
i bashkohet fshatit , fshati i mbështjellë me dëborë
troket në derë
hyn në dhomën e ngrohur
tre gra lajnë flokët në një vaskë plot me ujë
një e re me sy të trishtë e frikësuar
bëhet gruaja e tij
më pas gjithçka lëviz në ngjitje

duhet të lëshojmë rraketat, thotë mamaja
nekrologët nuk mund të presin

kur mbeti e ve
e ëma iu përkushtua shkatërrimit të kujtimeve
e ndihmoja në këtë vazhdoj të shënoj
mezi mbeta gjallë
përrallat popullore që shpërndaheshin nga atopolanti
(kujdes me atë sëpatën, Eugene)
shkuma e ditës që kthehej në shkumë të natës
masha e harruar në zjarr
rënia e vlerës së parave
eksplozivi
idetë e çmendura që më 
vinin ndërmend duhej t'i zhdukja

mamaja diktonte
isha mbajtësja më e bindur e procesverbaleve
ndryshonte të dhënat e realitetit
e shkuara e familjes pa fillim as fund
pse e bënte?

Gjykata në unanimitet vendosi
që të gjitha ditët të shpalleshin ditë zie

në hapësirë pashë krejt trion
gishtat nervozë prej druri
gishtat prej druri të tyre të mpirë
ishin në lavaman
një brisk
një gisht fëmije prej plastike
dhe një personazh shenjti prej plastike

në një farë mënyre gjithçka më dukej e njohur
më ngjante sikur nuk kisha zgjidhje

bëhej fjalë për një ëndërr, një makth, marrje fryme, marrje fryme e stërzgjatur
nën formën e rrëfimit të një njeriu të humbur, të mashtruar
në një kthesë të gjerë ekosh, vështrimi i tij i pandjeshëm 
ndërsa kërkonte të fshihej në gjumë, në fantazi
që për një moment ngadalësonte rënien, zgjaste shpresën

u pregatita në pak minuta, sikur të arratisesha 
në një zonë të mbrojtur muri i ndërtesës i ngjante
një kanavace të Mondrian
në hyrjen e Bllokut 46
Drita artificiale 
Agu
një shteg i bezdisshëm
hëna pëshpëriste me pasqyrat
dhe me aparatet fotografikë të qëndrueshëm
edhe 

edhe pse përreth kishte male betoni 
prej së largu vinte më e rënda , zë i ngjirur i një sirene në bord

për sa gjëra kam heshtur?
Një ëndërr pa fillim pa fund
kam zgjedhur arragostën për të komunikuar me kode
kam vendosur anijet e mia në krye të tryezës
çdo natë shkoja në pishinë
plot me lule dhe të qeshura të thella të zeza 

mund të thuhet se isha e lumtur
doja të më lejonin të flija në tarracë
ma lejuan
kërkova të përdorja përkrenaren dhe levat
më lejuan
këtu je mirë
thoshin
thoshin
diellit i shtuam edhe dy të tjerë
vesha maskën prej gome
të presidentit të shëndoshur
shkova në një bar karaoke
dhe recitova poezinë e chiëaëas së vdekur
duke menduar për vete
ishte gjithçka mund të bëja

kthesa e madhe që kisha shmangur 
më priste sërish
fluturoja
e dukej sikur 
mbetesha vazhdimisht pa frymë
vrapoja
e dukej sikur 
anija më përshkonte, dilte prej meje
dëgjoja të gjithë ata persona 
që flisnin e thoshin se ishin në kopshtin e kënaqësisë
qënie të reja që paralajmëroheshin
kjo sqaron gjithçka

Platoni, një emër i bukur për një qen
Katatonia, një emër i bukur për një anije

Përktheu Sabina Veizaj


Tanja Bakić - në dadaEAST - DADAdays POETEKA Festival

POETEKA - dadaEAST / dadaDAYS - Tanja Bakić - Mal i Zi 

Shkruaj në vendin tim. Ka pak rëndësi - është kështjellë magjike apo shtëpizë e vogël fare. S'ka gjë nëse jehon era apo melodia e harpës. Nuk ka rëndësi nëse çmendem prej diellit apo nga pluhuri. S'ka pikë rëndësie nëse shkopi që kam në dorë është magjik apo thjesht shkop. Që të shkruaj, unë duhet të jem dhe jo të mos jem, të kem dhe jo të mos kem, të shoh dhe jo të mos shoh, të dëgjoj e jo të mos dëgjoj, të ndjej e jo të mos ndjej. Duhet të jem vetvetja, thellë Malit të Zi.

Herë-herë mendoj me vete për ndonjë botë tjetër, për një qiell tjetër. Ndonjëherë rrezet e një dielli tjetër shkëlqejnë mbi mua. Lagem nga pikat e një tjetër shiu, flladi i një tjetër ere më përkëdhel. Është bukur të shohësh një tjetër botë, t'i buzëqeshësh një tjetër qielli. Veç unë dua diellin tim, detin tim dhe vendin tim, që për dreq quhet "male të zeza"! (Mal i Zi - Monte Negro)

Dhe gjuha në të cilën shkruaj mban emrin e vendit. Gjuha vetë është si vetë vendi – e ndjej dhe nuk e ndjej, e dëgjoj dhe nuk e dëgjoj, e shoh dhe më humbet nga sytë. Jam e mallëngjyer, e humbur prej kësaj gjuhe. Ndjehem e mrekulluar kur vij rrotull prej gjuhës e cila më çon tutje, më jep formë. Kështu krijohem, i jap kuptim mendimeve, më vërtetësisht se shkopi magjik, më fuqishëm se qielli. Mendimi im është Mali i Zi. Lotët e mi janë Mali i Zi. Poezia ime është Mali i Zi.

Nëse ia del, si William Blake - poeti, të shohësh botë në kokrrizën e rërës, do ia dalësh të dëgjosh edhe zogjtë duke kënduar, të gjesh një grimcë të fshehur për shumë kohë në ndjesitë e tua, të pastrohesh dhe nga ujërat e kristalta që rrjedhin egër në brendësi. 
Do ia dalësh t'i bësh të gjitha këto, nëse e ke të hapur zemrën në këtë vend të quajtur Mali i Zi (njëlloj siç bëri edhe zonja Moore në 'Foster's A passage to India').

Të jesh shkrimtar në Mal të Zi do të thotë të ecësh në të dyja shtigjet njëherësh. Njëri të çon drejt kështjellës, tjetri të mban larg prej saj. Është një rrugë që të jep gjithçka dhe nuk kërkon prej teje asgjë si shkëmbim. Është një rrugë që të bën me flatra, që herë-herë të bën të fluturosh nga një botë në tjetrën, por të kthehesh sërish, atje ku po ajo kokrrizë pret ta gjesh botën tek ajo. Dhe bota kurrë nuk ka qenë aq e qartë në sytë e tu.

Blake pretendon ende se mund ta kapësh Përjetësinë në një çast. Edhe unë ashtu e ndjej. Më pas ti mund ta fshish forcërisht atë grimcë të vërtetë, duke i lejuar vetes të kuptosh lagështirën e saj të brendshme - mendimet t'i kesh të ndrydhura nga vetëtima e bubullima shumë të vjetra. Nuhatja jote mund të jetë frymëzuar prej gjetheve ngjyrëgështenjë të vjeshtës dhe fushat e largëta bojëmanushaqe. 
Sytë e tu të jenë pushtuar prej pulëbardhave që fluturojnë atje lart, ku deti takon qiellin. Shija jote mund të jetë e kënaqur me fiqtë dhe rrushin e mrekullueshëm prej vreshtave të hershme. Trupi yt mund të çohet rrëmbimthi prej mendimeve të mia e të rendë drejt tij.
Kështu është Mali i Zi. Dhe ja ç'do me thënë të jesh shkrimtar në Mal të Zi. Shkrimtar që zbret me këmbë në tokë pasi ka përmbushur ëndrrën. 
Një shkrimtar që shkruan në një gjuhë jo të madhe, por unike, që pushton çdo zemër të vetmuar, çdo shkëmb të fortë, çdo pulëbardhë, çdo fik, çdo rrush, çdo mëngjes, çdo sy, çdo gjëmim, çdo vetëtimë, çdo gjethe vjeshte, çdo det dhe çdo pikëz loti.

Përktheu nga anglishtja Silvana Leka

(fragment nga assegai "
...to see a world in a grain of sand..." - W.Blake


30 August 2016

ARIAN LEKA NË “Mbrëmjet poetike të Strugës” - EDICIONI 55

Pas botimit të romanit "Gjarpri i shtëpisë" në gjuhën maqedonase, publikuar nga "Goten", Shkup dhe i shoqëruar me pasthënien e shkrimtarit Luan Starova, ku mes të tjerash shënohet se ky libër është një metaforë për rrëzimin dhe ngritjet e jetës shqiptare, humbjet mes brezave të ndryshëm, në kohë të ndryshme, për të kaluarën e ngarkuar me faj, dëshpërimin që i shoqëroi njerëzit dhe shpresat në fazën post-totalitare, poeti Arian Leka mori pjesë në festivalin "Mbrëmjet poetike të Strugës", një veprimtari e rëndëshishme kjo për poezinë në nivel ndërkombëtar, e cila këtë vit celebroi edicionin e vet të 55-të.

Festivali u mbajt në datat 24 deri në 29 gusht 2016 dhe i zhvilloi veprimtaritë jo vetëm në Strugë, por edhe në disa qytete dhe qendra të tjerë historike dhe kulturore të vendit, si Ohër, Kalishtë, Shën Naum, Shkup.

Gjatë ditëve të festivalit poeti Arian Leka realizoi shtatë prezantime, në të cilat u lexuan pjesë nga krijitaria e tij.  

Veç leximeve ceremoniale në përurimin e hapjes dhe të mbylljes së festivalit, në pallatin e kulturës, mbi Urën e qytetit, ku buron lumi Drin i Zi, si dhe gjatë dhënies së çmimeve letrare "Kurora e Artë", "Vëllezërit Miladinov" dhe "Urat e Strugës", Arian Leka realizoi gjithashtu edhe një prezantim të moderuar të profilit të tij poetike në seksionin "Portrete poetike".

Një nga veprimtaritë më të veçanta të festivalit është gjithashtu edhe leximi në ceremoninë e mbjelljes së një peme, shoqëruar me poezi, që u organizua në nder të fitueses së "Kurorës së Artë" të festivalit, që këtë vit ishte shkrimtarja kanadeze Margaret Atwood.

Në festivalin e Strugës, Arian Leka lexoi dhjetë poezi të zgjedhura nga librat "Anija e gjumit" (2000), "Strabizëm" (2004), "Libër deti (2009) dhe "Ndreqje gabimesh" (2010).  Poezitë "Kur erdhe ti gjithçka ishte fikur", "Dashuria varet në dhëmbët e tu", "Vetëm", "Ndërkaq, dikush", "Ti", "Strabizëm", "Perpetum mobile", "Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe", "Hekzametër i ritmuar", "Portë e hapur drejt Balkanit" janë përkthyer në gjuhën maqedonase nga shkimtari Resul Shabani, ndërkohë që shënimet kritike mbi krijimtarinë janë nxjerrë nga vlerësimet e autorëve dhe kritikëve Xhevahir Spahiu, Ali Aliu, Ardian Kyçyku, Peter Byrne, Brandon Wicks dhe Kevin Frazier.

 

Total Pageviews