08 November 2017

“Alle da!”, të gjithë së bashku, një histori emigrimi

"Alle da!" - "Të gjithë së bashku" - Një histori emigrimi... 

"Alle da!", të gjithë së bashku, një histori emigrimi 

- Gazeta Shqiptare Online | 

Autor i tekstit Anja Tuckermann; 
Ilustroi  Tine Schulz. 
Përktheu në shqip Eljana Mankollari.
Redaktimi dhe kujdesi në botim Silvana Leka
Botimet "Poeteka", 2017
 

Gjerdanit të Botimeve "Poeteka" për fëmijë dhe të rinj i shtohet edhe një libër i ri. Titulli i këtij libri është "Alle da! – Të gjithë së bashku! – dhe është vlerësuar nga lexuesit dhe nga kritika si një nga prurjet më të suksesshme të letërsisë gjermane të këtij zhanri, botuar gjatë viteve të fundit. Ky botim vjen në një format të veçantë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, pasi të dy tekstet, origjinali dhe përkthimi ofrohen përballë, në gjermanisht dhe në shqip, gjë që ia rrit vlerën librit, zgjeron mundësitë e përdorimit jo vetëm për kënaqësi lexime, por ai u drejtohet gjithashtu edhe atyre që dëshirojnë të mësojnë apo të zgjerojnë njohjen ndaj gjermanishtes. Përveç këtyre, vlerë tjetër e librit është edhe një sfidë përkthimore, pasi gjithkush mund të sprovohet ta përkthejë tekstin edhe vetë tekstin, duke e vështruar si një version i hapur dhe ushtrimi ndaj një lloji specifik të përkthimeve. Kjo për faktin se librat e kësaj kategorie për fëmijë dhe të rinj përdorin një gjuhë të veçantë komunikimi dhe mjetesh shprehëse. Libri me ilustrime "Alle da!" – "Të gjithë së bashku" është një vepër e rëndësishëm e komunikimit dhe edukimit të sotëm me fëmijët dhe të rinjtë, ku kjo kategori moshe nuk mbahet larg ndodhive dhe çështjeve ku përfshihet "shoqëria e të rriturve". Përmes librave ngulmohet që edhe fëmijët të marrin pjesë si qytetarë europianë. Tema është frymëzuese. Ajo mbështetet në ngjarjet aktuale të valës së emigrimit masiv që ka përfshirë Europën sot, duke bërë, si rrallë më parë, edhe fëmijët në përjetimin, vlerat dhe pasojat e kësaj ngjarjeje. Libri është tërheqës dhe gjithëpërfshirës në lexim. Ai vërtet u drejtohet fëmijëve dhe adoleshentëve të moshave shkollore dhe është konceptuar për t'u lexuar edhe në klasa, me grupe, por ai është një ftesë për t'u lexuar bashkë me prindërit, në shtëpi, pasi jep kënaqësi në lexim dhe këshilla të shkëlqyera rreth temës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe tolerancës. Përveç kësaj, libri jap informacion mbi gjeografinë e vendeve, mbi historinë e shteteve, të cilat vijnë jo si leksion, por përmes rrëfimit të personazheve. Përmes ndodhive të disa fëmijëve të ardhur nga skaje të ndryshme të botës, ky libër na ndihmon të kuptojmë çfarë kanë të përbashkët mes tyre njerëzit dhe çfarë i bën ata të ndryshëm, si lindin dhe çfarë i mban gjallë paragjykimet, çfarë na e bën të vështirë integrimin në jetët e njëri tjetrit, sidomos ku vijmë nga kultura të ndryshme! Libri të mban të mbërthyer deri në fund të historisë dhe shkruar me gjuhë të thjeshtë e me humor. Komunikimi ndihmohet nga ilustrimet plot fantazi. Por të gjitha së bashku, gjuha e tekstit dhe ilustrimet, të ushqejnë me mendime dhe informacion të këndshëm falë tekstit të Anja Tuckermann dhe ilustrimeve të Tine Schulz. Libri u përkthye në shqip nga Eljana Mankollari. Redaktimi che kujdesi në botim u krye nga Silvana Leka, si pjesë e Botimet "Poeteka", 2017

PËRMBAJTJA NË PAK RADHË

Ne të gjithë vijmë nga diku tjetër. Në qoftë se kthehemi pas në kohë dhe në histori, mësojmë se kemi ardhur nga larg. Samira erdhi me një anije që u nis nga Afrika dhe një kamion. Amadit i mungojnë shokët e futbollit që kishte në Irak, por për shkak të luftës, ai duhej të largohej nga vendi i tij. Tani ai shënon gola me miqtë e rinj në Düsseldorf. Dilara ka lindur në Berlin, por flet rrjedhshëm turqisht dhe pëlqen të festojë "festivalin e sheqerit". Familja e saj erdhi vite më parë nga Anadolli, sepse në Gjermani kishte më shumë mundësi për të gjetur punë. Tani ne jetojmë të gjithë së bashku, në të njëjtin vend. Kjo mund të jetë emocionuese, por nganjëherë kjo është edhe e vështirë. Sidoqoftë, jeta bëhet më e gjallë kur njerëzit nga të katërta anët e botës dhe të gjitha sferat e jetës bashkohen. Të gjithë së bashku, pra! Alle da!



28 October 2017

Të gjithë së bashku! Alle da! - një libër - shqip gjermanisht për fëmijë che të rinj - nga BOTIMET POETEKA -

Ne të gjithë vijnë nga diku tjetër. Në qoftë se kthehemi pas në kohë dhe në histori mësojmë se kemi ardhur nga larg. Samira erdhi me një anije që u nis nga Afrika dhe një kamion. Amadit i mungojnë shokët e futbollit që kishte në Irak, por për shkak të luftës, ai duhej të largohej nga vendi i tij. Tani ai shënon gola me miqtë e rinj në Düsseldorf.

Dilara ka lindur në Berlin, por flet rrjedhshëm turqisht dhe pëlqen të festojë "festivalin e sheqerit". Familja e saj erdhi vite më parë nga Anadolli, sepse në Gjermani kishte më shumë mundësi për t'u gjetur punë.

Tani ne jetojmë të gjithë së bashku, në të njëjtin vend. Kjo mund të jetë emocionuese, por nganjëherë kjo është edhe e vështirë.

Sidoqoftë, jeta bëhet më e gjallë kur njerëzit nga të katër anët e botës dhe të gjitha sferat e jetës bashkohen.

Të gjithë së bashku! Alle da!  -

____________________________________________________________


Alle da!  - Të gjithë së bashku! Jeta jonë shumëngjyrëshe.


Një libër nga Anja Tuckermann. Ilustrimet nga Tine Schulz.


Përktheu Eljana Mankollari.


Redaktimi dhe kujdesi në botim Silvana Leka


Një libër gjermanisht - shqip për bibliotekën e të fëmijëve dhe të rinjve.


"Botimet Poeteka", 2017 

17 October 2017

- READING BALKANS - APLIKO TANI - APPLY NOW

a Good News - READING BALKANS - 

APLIKO TANI - APPLY NOW - shkrimtarë dhe përkthyes 

Poeteka është e lumtur të mirëpresë në Tiranë edhe gjatë vitit 2108 shkrimtarë dhe perkthyes nga Europa dhe nga rajoni ynë.

The TRADUKI-supported Writers-in-Residence Programs in Belgrade, Novo Mesto, Prishtina, Sarajevo, Skopje, Split, and Tirana have developed a joint program called "Reading Balkans", for which they received the support of the Creative Europe Program of the European Union. 

They invite interested writers (prose, poetry, drama, and essays) from Albania, Bosnia and Herzegovina, Bulgaria, Kosovo, Croatia, Macedonia, Montenegro, Romania, Serbia, and Slovenia to apply for four-week stays in one of the seven cities. Available are 21 fellowships in the period from March 1 and July 31, 2018. 

Deadline for applications is October 25, 2017.

Candidates are to apply via this application form: https://goo.gl/ee5kva. 

They should attach a short biography, list of published work, a recommendation letter, and a synopsis of the project.

http://german.traduki.eu

04 October 2017

Vladimir Vojinović - në Tiranë

Nga Arian Leka

 

Një ëndërrimtar zgjedh ecjen në vend të fluturimit

  

Tregimet nga Montanari të shkrimtarit Vladimir Vojinović, botuar në  Shkodër nga "Fiorentia", 2016, mbahen të lidhur mes tyre përmes aspekteve çehoviane mbi jetën dhe përgojimet e njeriut futur në këllëfin ballkanik, duke shfaqur sakaq larminë dhe vogëlsitë provinciale, jetën e shtirur, që fshihet pas shenjtërisë false, pikërisht siç është në tregimin "Ikona". Pra asgjë më pak se pamjet e asaj amze më madhe, që gëlon në jetën plot luftë, urrejtje dhe dashuri të ballkanasve.

Ky format jete vjen si përzierje e formave të një qytetërimi të ri. Ishte më i ftohtë se Lufta e Ftohtë që kaloi duke lë vraga, më e ashpër se luftërat ndëretnike, që i ndau njerëzit që deri asokohe nuk kishin patur kufinj mes tyre, që nuk kishin patur himne të ndryshëm, që nuk kishim njohur flamuj me simbole të tjerë, që kishin besuar se kishin të njëjtën gjuhë, që kishin krijuar të njëjtë kulturë të përbashkët, të njëjtin ekip përfaqësues dhe të njëjtën pasaportë.

Skizma politike, sociale, fetare e gjuhësore ishte futur midis tyre si një gërshërë jo për t'i bërë njerëz të tjerë, as njervz më të mirë, por për t'i ndarë në humbës dhe fitues, në të varfër dhe në të pasur. Këto shprehen qartë dhe haptazi në Tregimet nga Montanari.

Kjo "botë e re" u shfaq befas dhe i zuri të papërgatitur të gjithë personazhet që lexojmë në "Tregime nga Montanarit". Secili prej atyre që ndeshim ato proza ngriu aty ku u gjend.

Dikush ngriu në burg, dikush u shtang në rrugë, dikush tjetër ngeci në një festë. Dikush nga personazhet ngriu duke bërë kryqin, teksa mendoi një blasfemi, dikush duke bërë betim të rremë.

Dikush mes fletëve te librit nuk doli më dot nga ëndrrat që iu kthyen në makth, një tjetër ngeci në një post a në një vend ku nuk do të kishte dashur të ndodhej, duke përfytyruar karrierë në bankë e dikush, edhe pse dëgjoi haré dasme, kishte tinguj funebër në shpirt. Një tjetër mbeti në një zyrë e dikush u shtang, duke menduar se çfarë do të ishte më mirë: – të bënte shkencë apo tregti (!?).

Vendimet ishin marrë.

Të gjithë ata kanë ngecur brenda këtij qytetërimi. Nuk lëvizin dot më prej tij edhe pse e kuptojnë se ai qytetërim ruan ndaj tyre vetëm dy ndjenja: shpresa të kota dhe mëshirë. Kjo është pakashumë galeria e personazheve të Vladimir Vojinović-it.

Në këto tregime është një përzierje e jetesës në kushtet e shpresës së humbur, një mënyrë të jetuarit të dyfishtë, siç ndodh në shtetet ballkanikë multiklturorë dhe multietnikë, ku gjithçka sillet mes besimit pagan, ndërthurur me interesin ndaj zotërve të rinj politikë.

Është kjo që i bën të dallueshëm edhe nga larg këta personazhe levantinë të Vojinović-it, që u shmangen detyrimeve dhe që nxitojnë t'i largohen jetës që bëjnë, pa ngulmuar ta ndryshojnë atë.

Por ndërkaq kjo galeri përfaqësohet nga njerëz të thjeshtë, të zhveshur nga pushteti dhe përgjegjësitë e tyre, janë thjesht njerëz në punë dhe në hall të vet, që  detyrohen të bëjnë luftë për fitore të vogla. Kështu i ndeshim edhe në tregimin "Demantet".

Ngjajnë si mbetje të jetës, si njerëz që idealizojnë madje edhe burgun, që krijojnë idhujtari ndaj proletarëve të qelive dhe filozofëve të "universiteteve të jetës" dhe që ngatërrojnë mjaltin me mutin, suksesin me dështimin, ikjen me qëndresën, siç ndodh në tregimin "Ikja" apo në prozën "Tregimi i Vitit të Ri". Gjendet te këta njerëz diçka nga afmosfera e filmit Birdman of Alcatraz, me Burt Lancaster dhe John Frankenheimer, ku të burgosurit e vërtetë dhe të burgosurit në atë formë të ngurtë jete çfarë nuk sajojnë për te thyer monotoninë. Disa prej tyre madje, njëlloj si birdman kërkon të shkruajë një libër dhe ëndërron ta quajnë gjeni. Ato personazhe janë të dënuar të kalojnë nga një formë burgu i sigurisë së lartë, në formën e burgut të jetës që nuk ofron siguri.

Ky lloj sjelljeje i bën ata të duken edhe komik, teksa e fshehin dramën e vet.

Por në thelb të krijohet përshtypja se prozat e këtij libri kanë vetëm një personazh- nomadik. Ai është arketipi që shtegton duke kërcyer nga tregimi në tregim, duke na shfaqur gjendje të shumta të të njëjtit portret.

Herë është i humburi, herë është plot shpresa, herë është një tuhaf, një gjynahqar dhe një ëndërrues që në vend të lakmojë fluturimin, zgjedh ecjen brenda së ardhmes së karrierave të mbyllura.

Njollat e jetës së dikurshme, krimet dhe fajet e pandëshkuara, jeta dhe varri, gota e zbrazur me shokë dhe fishekzjarrët e festave boshe në familje dhe në qytet. Është rekuizita shoqëruese e asaj që të mbetet në mendje kur prozave të mësipërme u shton edhe leximin e tregimit  "Ëndrra" apo të tregimit "Refleksion".

Megjithse autori përdor disa herë edhe gjuhën alegorike, madje edhe stilin relatues-eseistik, atmosfera dhe ndikimi i fakteve reale të një jete të zbrazur, por njëkohësisht të vrazhdë e të kotë, ndihet.

Personazheve u duhet të kalojnë përmes ndryshimeve që nuk i kishin çuar as nëpër mend, i duhet të jetojnë ndryshimin e sistemeve. Dhe sistemi, siç besonte Niklas Luhmann, pulson pak a shumë duke krijuar vazhdimisht tepricë dhe përzgjedhje. Është e qartë. Personazhe të tillë janë gjithmonë përzgjedhje dhe jo tepricë.

Njerëz të tepërt, që nuk i hyjnë askujt në punë, veç letërsisë.

Këtyre personazheve u duhet të bejnë restart, të riformatohen. Për të mbijetuar u duhet të deformojnë karakteret. U duhet të marrin vendime të padrejta, të bëjnë zgjidhje të gabuara.

Jo për t'ia dalë jetës, por që të vazhdojnë tranzicionin.

Ky tipar i të qenit tranzit, përveç aspekteve të njeriut në këllëfin ballkanik, është një tjetër fill-bashkues për tregimet e librit "Tregimet nga Montanari" të shkrimtarit malazez Vladimir Vojinivić. Ky fill i bashkon subjektet dhe personazhet e prozave të sipërcituara me tregimet "Tranzicioni", "Hotel Grand" dhe "Montanaro jazz".


http://www.mapo.al/2017/09/nje-enderrimtar-qe-zgjedh-ecjen-ne-vend-te-fluturimit/1

 

25 September 2017

Gašper Malej - një përkthyes dhe poet në Rezidencën letrare "POETEKA Tirana in Between"

Gjatë muajit shtator, mik në Rezidencën letrare POETEKA Tirana in Between është jetë përkthyesi dhe poeti slloven  Gašper Malej. Kjo rezidencë, që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit europian për letërsinë dhe librat TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendas. Gašper Malej lindi në vitin 1975, në Koper, Slloveni, qytet ku dhe jeton e punon. Në vitet 2004 dhe 2009 ai botoi dy librat e parë në gjuhën sllovene: Otok, slutnje, poljub (Ishull, paralajmërime, një puthje) u propozua për çmimin "librit të parë më të mirë në Slloveni". Pas tij erdhi libri Rezi v zlatem, nëërkohë që gjatë vitit 2017 ai ka bërë gati për botim edhe librin e tij të tretë me titull Pod to celino (Nën këtë kontinent).

Poezia e Gašper Malej u përkthye që herët dhe me përhapje të gjerë, në njëzet gjuhë të huaja, duke u përfshirë në disa prej antologjive të botuara në Slloveni dhe jashtë saj. Falë kësaj njohjeje ai u ftua të merrte pjesë në shumë festivale letrare në Europë dhe në botë, mes të tjerësh në festivalin e Poezisë në Pekin, në Nikaragua apo në Kolumbi. Ai është ftuar të bashkëpunojë gjithashtu edhe në atelie të shumta për poetë dhe përkthyes letrarë, ku ushtrohen teknikat e shkrimit krijues dhe të përkthimit letrar.

Për krijimtarinë e tij Gašper Malej është vlerësuar shpesh me çmime. Në vitin 2008 ai u nderua me Grantin e Ministrisë së Kulturës së Sllovenisë "për autorë të shkëlqyeshëm të letërsisë", çmim ky që në vitin 2016 vijoi me Grantin e Agjencisë Sllovene të Librit (JAK) "për autorë të shkëlqyeshëm të letërsisë". Po ashtu edhe në vitet 2007, 2010 dhe 2015 ai u nderua me çmime e grante pune nga Organizata Sllovene e Përkthyesve Letrarë. Për meritat e punës së tij si përkthyes, në vitin 2011 Gašper Malej u nderua me çmimin prestigjioz "Zogu i Artë" për përkthimin e romanit P. P. Pasolini-t "Petrolio". Në vitin 2016 atij iu dha edhe një çmim i veçantë kombëtar për përkthim, akorduar nga Ministria Italiane e Kulturës dhe Turizmit.

Përveç çmimeve dhe nderimeve letrare, në vitet 2013 dhe 2016 Gašper Malej fitoi bursën për qëndrim njëmujor në Ventspils (Letoni) si autor në Rezidencën për Shkrimtarë dhe Përkthyes. Në qershor të vitit 2015 ai ishte i fuar në Rezidencën e Shkrimtarëve në Vjenë, mbështetur nga Ministria Sllovene e Kulturës dhe  në dhjetor të vitit 2016 ai fitoi të drejtën për të qëndruar në rezidencë pranë Qendrës Baltike për Shkrimtarë dhe Përkthyes (Visby, Suedi).

Pas krijimtarisë, veprimtaria kryesore e Gašper Malej është përkthimi i fiction dhe non-fiction bashkëkohor italian, ku përfshihet poezia, narrative, drama, esetë etj.

Bibliografia e përkthimeve të tij nga gjuha italiane në atë sllovene është mjaft e pasur dhe përfshin rreth 30 libra të zhanreve të ndryshme. Krahas këtyre janë edhe mbi 150 përkthime të shkrimtarëve sllovenë, të cilët janë botuar në revista letrare, në gazeta si dhe janë lexuar në Radion Kombëtare. Ai ka përkthyer edhe pjesë për teatër.

Gašper Malej është gjithashtu një nga anëtarët-themelues dhe, prej vitit 2009, është edhe kryetar e redaktor ekzekutiv i KUD AAC Zrakogled - një shoqatë kulturore jofitimprurëse me qendër në Koper, e cila që nga viti 2011 boton serinë "Helia", kushtuar përkthimit të librave fiction të autorëve bashkëkohorë të Mesdheut, të tillë si D. Drndić, N. Milani, F. Ebejer, Z. Zateli, JJ Millas, J. Nikolaidis, D. Velikiq, N. Fabrio. Ndër autorët italianë të përkthyer prej Gašper Malej përmenden Dino Campana, Cesare Pavese, P.P.Pasolini, Paolo Ruffilli, F. T. Marinetti, Dario Fo, Antonio Tabucchi etj.

19 September 2017

Së shpejti në librari - Përkthyes Shqiptarë – Shkrimtarë Europianë - Shtator 30 September – International Day of Translation – Dita e Përkthimit

Përmbajtja (No. 45: 2017)

 

Shtator 30 September – International Day of Translation – Dita e Përkthimit

 

Status

f. 4 Ardian Kyçyku - Presspektiva dhe ese të tjera


Kronikë

f. 26 Arian Leka  - Përkthim dhe letërsi e panjohur nga Shqipëria drejt Beogradit

"Strategji" letrare: lexuesi i huaj VS lexuesit vendas

Motivi i thuprës: e pamjaftueshme përqeshja - edhe fshikullimi

Letërsia e Ballkanit mes Lindjes dhe Perëndimit

 

Qoshku i Përkthyesit - International Translation Day

 

Përkthyes Shqiptarë –  Shkrimtarë Europianë: 

European Writers – Albanian Translators

 

f. 28 Olga Tokarczuk Bilanc Gjuetie - fragmente romani

Përktheu Astrit Beqiraj

f. 51 Elfriede Jelinek Tregim

Përktheu Admira Poçi

f. 57 Jasna Šamic Poezi

Përktheu Silvana Leka

f. 67 Rodge Glass Tregime

Përktheu Suadela Balliu

f. 85 J:K:Ihalainen Poezi

Përktheu Silvana Berki

f. 101 Lucia Copertino Poezi

Përktheu Gentiana Minga

f. 107 Jasna Dimitrijević Poezi

Përktheu Qerim Ondozi

 

Intervista

f. 116 Claudio Magris  - Përkthimi është rikrijim / Përkthyesit janë bashkautorë

Bashkëbisedoi Beti Njuma

Studime - Albanologji - Ballkanologji

f. 134 Rigels Halili Ne, bijtë e kombit / Intelektualët si gjenerues të ideve dhe

programeve kombëtare shqiptare dhe serbe

 

Ad - Honorem  - Et'hem Haxhiademi

f. 158 Elvira Taro  - Etehem Haxhiademi

f. 163 Jup Kastrati  - Etëhem Haxhiademi: tragjedist

17 September 2017

Vladimir Vojinović - Tregimet e Montanarit - MAPO

Vladimir Vojinovic: Nëpunësit e Çehovit dhe njerëzit e thjeshtë nga Mali i Zi

(Mbi modernen në Tregimet e Montanarit të shkrimtarit malazez, Vladimir Vojinović

Nga Skënder Temali

Vladimir Vojinović është një shkrimtar bashkëkohës nga Mali i Zi. Bashkëkohëse e moderne njëkohësisht është edhe proza e tij. Në fakt unë kam lexuar vetëm këtë libër nga disa që ai ka botuar, po që të provosh cilësinë e një buti me verë, s'ka përse t'i nxjerrësh fundin, mjafton të degustosh vetëm një gotë.

Më ka befasuar mënyra moderne e perceptimit të realitetit, ku flasin pa e ndërprerë njëra-tjetrën e sotmja dhe e nesërmja. Si ke mbyllur faqen e fundit të vëllimit, jo veç lexuesi ideal, por edhe ai real, e ka lehtësisht të verifikueshëm se personazh kryesor është mbase vetë autori, pra një shkrimtar a intelektual e kjo ka e s'ka gjithaq rëndësi.

Në dymbëdhjetë tregimet që autori na paraqet, përmes narratorit, sidomos përmes dialogësh e monologësh, na përcjell mesazhe, heraherës edhe të mbuluara nga një tis filozofik impresionues.

Realiteti e simbolika që e rrethon këtë prozë, shpesh edhe si brerore pa e kaluar masën, të imponojnë që të mos lexosh shpejt, edhe pse i njëjti apo i përafërti personazh shtegton sa në njërin në tjetrin tregim, pasi individualizimi që u ka bërë na flet për pjekuri artistike të autorit.

Tregimet e këtij vëllimi i kanë të katër stinët, rrethi ciklik i të cilave të bën të perceptosh të katër stinët e jetës, duke filluar që nga dimri i saj, varri e deri tek burgu, që ka gota e zbrazur mes shokësh e deri tek fishekzjarrët ngazëllues. E bukura s'e ka të domosdoshëm komentin, e megjithatë në mënyrë të koncentruar, jo nga pozicioni i kritikut, por i shkrimtarit, do të përcjell disa mendime rreth vlerave ideoartistike të këtij vëllimi.

Do ta filloja me tregimin me titullin "Ikja", ku shkrimtari, një përfaqësues i brezit të ri "duke ndërruar teza me proletarët e burgut, ka dëgjuar aq shumë sa qelinë e ka përjetuar si hoje mjalti, në të cilat derdhet nektari më i mrekullueshëm".

Edhe pse tregimet ka në natyrën e një mozaiku, ky ndërtim kompozicional nuk e ka cenuar rrjedhshmërinë stilistike e subjektore, ku konvergojnë mendime të ndryshme e ku i lihet hapësirë edhe lexuesit të meditojë për hesap të vet e kjo, mendoj, nuk është pak për ta bërë dhe atë pjesë të perceptimeve e ndjesive estetike.

Thashethemet provinciale, që s'janë tjetër veçse pjesë e atyre ballkanike, mbrojtja e mendimit të lirë dhe e së vërtetës, pavarësisht kostos dhe qartësia e ekspresiviteti i frazës, do të na shoqërojnë në tregimin "Demantet", ndërsa tek "Ikona", autori lehtësisht ka depërtuar në budallallepsjen e turmave pas asaj që s'shihet, por edhe kur shihet-nuk besohet, pasi Shën Nikolla s'është askush tjetër që i faleshin veçse një njeri i thjeshtë, Backović-i.

Vojinović atë që shkruan e njeh, e njeh deri në inde realitetin, i cili, edhe pse i trishtë, në penën e tij, përpos trishtimit të pritshëm, të zgjon edhe shpresë e besim tek njerëzit e mirë të kësaj bote.

Personazhet e tregimeve janë, në përgjithësi, njerëz të thjeshtë, pa grada e ofiqe pushtetore. E shumta autori mbërrin deri tek Bozhoja (tregimi "Ëndrra") që të shfaqet si siluetë e nëpunësve të Çehovit. Ata përjetojnë një jetë me tallaze e fund të padëshirueshëm, siç i ngjet Zhivkos, edhe pse falë përshkrimit mjeshtëror të autorit, sikur ndjejmë mëshirë për të, pavarësisht njollave të jetës së tij të kahershme.

Më ka qëlluar të lexoj tregime të autorëve të ndryshëm ku ka kalime pindarike, e, në përgjithësi ato nuk më kanë pëlqyer, por në "Tregim i Vitit të Ri", ky kalim është i përligjur, prej emfazës së fundvitit e pas fishekzjarrëve për agimin e Vitit të Ri, tek jashtëqitjet e jetës. Mesazhi që përcjell autori se ka shumë mut e qelbësirë kjo jetë, era e rëndë që kutërbon për dike mund të jetë edhe parfum, shteg drejt

lavdisë, mbase dhe për Bozhon që të vrapojë drejt poltronit të drejtorit të bankës, edhe pse s'është as më shumë e as më pak për një mut në lëvizje e që ka koncentruar ligësitë e jetës, edhe të neurokirurgut, por jo të shkrimtarit-narrator, që ende s'është i bindur ta dorëzojë tregimin për shtyp.

E theksova se vëllimit autori i ka hedhur përsipër një tis apo mantel filozofik, quaje si të duash, pasi kjo përbën një vlerë që as duhet anashkaluar e as duhet të mbesë jetime.

Shformimi njerëzor tek pasqyra e thyer, i parë përmes simbolizmit, tek "Refleksion", ka më tepër konturet e një eseje se sa të një tregimi të mirëfilltë, e thënë me gjuhën e kritikës, një skicë tregimi. E kjo jo se autori nuk e njeh konstruktin tregimor, por se ashtu, të koncentruar ai e ka parë shformimin, pa i lënë të tjera ngarkesa emocionale.

Për këtë bindesh si ke lexuar "Tregim për takimin e fundit", ku ka një harmonizim mjeshtëror të mistikës me rravgimet në rrugët e disa episodeve historike të Malit të Zi, deri në ditët tona, ku e njohura dhe e panjohura janë në bashkëjetesë, duke e mbajtur në nënshtresë kuptimore epërsinë e tyre. Interpretimet e karakterit filozofik të hulumtuesit, priftit, Nikollës I na flasin për një penë të mprehtë e një letërsi serioze.

Bashkëjetesën e ekstremeve e has dendur në këtë vëllim. Ajo është e pranishme edhe tek tregimet "Montanaro jazz", "Tranzicioni" e "Hotel Grand". Tek i pari bashkëjeton gëzimi dhe hidhërimi, ndërsa tek dy të tjerët është fati i intelektualit në kryqëzimet dhe dilemat e jetës. Bota intelektuale e shkrimtarit dhe e shkencëtarit është bota e pikëpyetjeve. Përgjigja që marrim, ne, si lexues, se dinamika e ndërrimit të sistemeve s'është tjetër veçse një anomali më pak a më shumë në jetën e njerëzve, ka edhe protagonistët e saj. Përgjumja e shkencëtarit është ajo që pohuam më lart, e kontrastit të kërkesës për të ecur përpara me lavdinë e së kaluarës, që është ku e ku me kërkesën për progres shoqëror e shkencor e atë, pra lavdinë e kërkimeve shkencore të kahershme e të kapërcyera tashmë, s'ka se si ta absorbojë as hareja e një dasme që s'lë gjurmë.

Leksiku i pasur, madje edhe ai i zhargoneve tek disa personazhe, dinamika e dialogëve, koherenca e mendimit, thjeshtësia e rrëfimit sikur kompensojnë mungesën e përshkrimit, i cili është i kursyer në këtë vëllim e jo kurdoherë i domosdoshëm në tregimin e shkurtër.

Vojinović: Na dha një vëllim ku koha që jetojmë e sheh veten e saj në pasqyrë, herë reale, siç është e herë të deformuar, siç nuk do ta donim.

Përkthimi mjeshtëror i Dimitrov Popović-it nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe duhet përgëzuar dhe është një tjetër urë që lidh dy kulturat tona. E dëshiroj vazhdimësinë, jo për reciprocitet, por që me krijimtarinë tonë të njihen edhe lexuesit malazezë në gjuhën e tyre.

http://www.mapo.al/2017/09/vladimir-vojinovic-nepunesit-e-cehovit-dhe-njerezit-e-thjeshte-nga-mali-i-zi/1

Vladimir Vojinović - PROMOVIM - Nëpunësit e Çehovit dhe njerëzit e thjeshtë nga Mali i Zi

Bashkëbisedim i Vladimir Vojinović - autor nga Mali i Zi me përkthyesin Ben Andoni dhe shkrimtarin Jovan Nikolaidis - Prologu: Arian Leka

- Thashethemet provinciale, që s'janë tjetër veçse pjesë e atyre ballkanike...

- Njerëz të thjeshtë, pa grada e ofiqe pushtetore, të ngjashëm me nëpunësit e Çehovit...

- Njolla të jetës së kahershme, krime, faje...

- Jeta, burgu dhe varri, gota e zbrazur mes shokësh e deri tek fishekzjarrët ngazëllyes të festave boshe...

- Ndërrimi i sistemeve dhe anomalitë në jetën e njerëzve në tranzicion...

TIRANË - 18 Shtator -  HEMINGWAY BAR - ORA 19




Total Pageviews