11 August 2016

Një Dadaist në Durrës dhe Sarandë

http://www.mapo.al/2016/08/nje-dadaist-ne-durres-dhe-sarande/1

 

Një Dadaist në Durrës dhe Sarandë


Raymond Duncan – balerin, artist, poet, filozof dhe estet amerikan, njeri që ngrohte sallën e tij të shfaqjeve para se të mblidheshin dadaistët, kishte krijuar në atë kohë Akademinë e Artit në Paris. Ishte pikërisht ai që shëtiste rrugëve të Parisit, veshur me një cohë të bardhë dhe me sandale, si nxënësit e Sokratit. Ishte ai që solli ambasadorin amerikan nga Athina në Durrës, pranë qeverisë shqiptare në 1913, që ky të shikonte se ç'ishte ky shtet i ri dhe hallet e Pavarësisë shqiptare Raymond Duncan ishte pikërisht ai që solli në Sarandë motrën e tij, balerinën e famshme Isadora Duncan, yllin e baletit parisian. "Ai më bindi mua për t'u bashkuar me ata atje", shkruan në librin e saj "My life" Isadora Duncan. Raymond, bashkë me gruan e tij, Penelope dhe me fëmijën e vogël, jetuan gjatë një viti aty, duke ndihmuar ata mijëra njerëz që zbarkonin në atë mol të mjerë nga Epiri, për t'u ikur luftërave ballkanike, veçanërisht nga Janina dhe duke punuar për refugjatët.  Ky njeri do të bëhej një humanist i madh për banorët e qytetit të vogël shqiptar, i cili ende dhe sot e kësaj dite nuk e di se cili ishte Raymond Duncan – artisti që asokohe fliste "dada".

Nën përkthimin e punës së tij nga Luan Rama, Duncan ka sjellë përshkrime nga Shqipëria, një dadaist me lidhje intuitive me çfarë festivali letrar organizuar nga Poeteka pritet të nisë më 26 shtator në Tiranë. 

Një pjesë të librit Isadora Duncan, "My life" është propozuar për lexime nga Poeteka, duke njohur një realitet pothuaj të shmangur nga vështrime tona të përditshme.

 

Ja fragmenti nga libri "My life", përkthyer nga Silvana Leka:


"Raymond-i u kthye nga Shqipëria. Ai ishte, si zakonisht, i mbushur me entuziazëm. 'I gjithë vendi është në nevojë. Fshatrat janë shkatërruar;…. Fëmijët janë të uritur. Si mund të qëndroni këtu, në pikëllimin tuaj egoist?! Ejani dhe ndihmoni t'i ushqejmë fëmijët, të qetësojmë gratë?".

"Lutja e tij ishte frytdhënëse. Unë vesha sërish tunikën time greke, mbatha sandalet dhe ndoqa Raymond-in drejt Shqipërisë. Ai kishte mënyrat e tij të veçanta për të organizuar një fushatë në ndihmë të refugjatëve shqiptarë.

Shkoi në sheshin e tregut në Korfuz dhe bleu lesh papërpunuar. E ngarkoi mbi një avullore të vogël, të cilën e kishte marrë me qira, dhe u nisi drejt Sarandës, porti kryesor për refugjatët."

"Po si do t'i ushqesh të uriturit, Raymond," i thashë, " me lesh të papunuar?"

"Prit", tha Raymond-i, "do e shihni, nëse çoj bukë, do të jetë vetëm për sot… Por po u çoj atyre këtë ngarkesë me lesh të papërpunuar, që është për të ardhmen."

"…Ne zbarkuam në bregdetin shkëmbor të Sarandës, ku Raymond-i kishte organizuar një qendër. Me një shenjë ai tha: "Kush do të tjerrë këtë lesh, do të marrë një dhrahmi në ditë."

Një varg i vobektë, të drobiturash, gra të varfra e të vuajtura urie, u formua me shpejtësi. Me dhrahmi ata do të blejnë misër të verdhë, të cilin qeveria greke ua shiste në port…"

"…Pastaj Raymond-i e pilotoi varkën e tij të vogël përsëri drejt Korfuzit. Atje ai i urdhëroi marangozët të prodhonin tezgjahë për të dhe, pas kësaj, u kthye sërish në Sarandë: "Kush dëshiron ta endë me motive fillin e leshit për një dhrahmi në ditë?…"

"…Turma e të uriturve kërkoi ta bënte këtë punë. Për motivet, Raymond-i u dha detaje nga motivet e vazove të Greqisë së lashtë. Shpejt ai arriti të ngrinte pranë detit një linjë grash-endëse, të cilave u mësonte si të këndonin në unison me ritmin e endjeve të tyre.

Kur thurima ishte endur, ato e kthyen mbrapsht dhe prej aty u pa se ato ishin mbulesa të bukura shtrati, të cilat Raymond-i dërgoi në Londër, për t'i shitur me 50 përqind fitim. Me këtë fitim ai hapi një furrë dhe shiti bukë të bardhë 50 përqind më lirë se sa qeveria greke shiste misrin e verdhë, dhe kështu e krijoi ai aty fshatin e tij…"

"Ne jetuam në një tendë të kthyer nga deti. Çdo mëngjes, në agim, u zhytëm në det dhe notuam. Prej atëherë dhe më pas Raymond-i kishte mbiprodhim buke dhe patatesh, ndaj dhe, duke kapërcyer kodrat, u nisëm nëpër fshatra, për t'u shpërndarë bukë të uriturve…"

 

Nga «Manifesti Dada, 23 mars 1918»


« … Dashuria për të renë është si kryqi simpatik dhe ajo është provë e një moskokëçarje naive, shenjë pa shkak, diçka kalimtare, pozitive. Por, dhe kjo nevojë është vjetruar gjithashtu. Duke i dhënë artit impulsionin e një thjeshtësie supreme, pra të renë, ne tregohemi humanë dhe të vërtetë ndaj kënaqësisë që ndjejmë për artin, tregohemi impulsivë dhe dinamikë për të kryqëzuar mërzinë, aty, në kryqëzimet e dritave, vigjilentë e të vëmendshëm ndaj viteve të kaluara në pyll.

Shkruaj një manifest dhe nuk them asgjë, e megjithatë them disa gjëra dhe në princip unë jam kundër manifesteve, ashtu siç jam gjithashtu kundër principeve (decilitra për vlerat morale të çdo fraze – shumë komoditet; përafërsia u shpik nga impresionistët). E shkruaj këtë manifest për të treguar se mund të bëjmë aksione të kundërta së bashku, në të njëjtën frymëmarrje të freskët; unë jam kundër veprimit; jam për kontradiktën e vazhdueshme; për afirmimin gjithashtu; unë s'jam as për po e as për jo dhe nuk shpjegoj këtë, pasi unë e urrej «bonsensin…».

«…Rendi – ç'rregulli; unë – jo unë; pohimi – mohimi; shkëlqime supreme të një arti absolut. Absolut në pastërtinë e kaosit kozmik dhe të përcaktuar me rregullsi, e përjetshme në globulën e dytë pa afat, pa frymëmarrje, pa dritë, pa kontroll. Më pëlqen një vepër e vjetër për të renë që ajo dëshmon. Vetëm kontrasti na lidh me të kaluarën. Shkrimtarët që japin mësime morali dhe që diskutojnë e përsosin bazën psikologjike, veç dëshirës së fshehtë për të fituar, kanë dhe një njohje qesharake të jetës, të cilën ata e kanë klasifikuar, ndarë e kanalizuar…»

 

Përgatiti dhe përktheu nga frëngjishtja Luan Rama

 

06 August 2016

ARIAN LEKA - Eksodet letrare: Bakër Spaçi për antena dhe pushkë erotike

http://www.mapo.al/2016/08/eksodet-letrare-baker-spaci-per-antena-dhe-pushke-erotike/1

Arian Leka - Bakër Spaçi për antena dhe pushkë erotike

                                                                                          parfum dhe plumb

Asgjë nuk i ngjan njeriut më shumë se deti përballë të cilit jeton. I nënshtruar, kokëulur, i bindur, i mundur, mëditës, i kërrusur dhe argat: det i shfrytëzuar deri në palcë, det që punonte me tre turne për të sjellë bukë të zezë në shtëpi. Imazhi i rrënuar i këtij deti zhelan e shndërroi heroin e fëmijërisë sime në një hamall pa vlerë, që mbante mbi shpinë vetëm anije të rëndomta mineralidhe mallrash. Detet e të tjerëve përkundnin jahte, hotele lundrues, anije me vela të bukura dhe iluzionin tim për një botë ku jetohej më mirë.

Hapësira e rrethuar nga telat me gjemba, përballë së cilës jetuam, që ruhej me armë nga ushtarët dhe që mbrohej me anije luftarake, mund të quhet port po aq sa i burgosuri do të quhej person i lirë. Ndaj dhe gëzimet për ato që mbërritën dikur prej andej, vijnë të ndotura, sa herë kujtoj mëtimet e dështuara për të thyer kufirin detar, vejushat dhe fëmijët e mbetur jetim, ikjet kuturu me not drejt ujërave ndërkombëtare, të humburit, të cilëve deri nuk ua ktheu kurrë trupat, ndëshkimet e atyre që tentuan të arratisen dhe eksodet e vitit 1991.

Pas portit zinte fill një hapësira e zbrazët, asgjëja blu deri në fund të horizontit. Asnjë velë. Asnjë anije turistike. Asnjë notar. As marinarë të huaj, nga ata që, esëll apo tapë, i gjen mbi çdo mol. Dikush përshëndeste në gjuhë të huaj, nxitonte dhe, si të qenkësh nga lloji i kometave me bisht, nuk linte pas vetes dritë e flakë, por një aromë të  këndshme, me të cilën identifikuam të huajin, Perëndimin. Gëzimi strukej, sapo kujtoje se jo shumë kohë më parë dy poetë, Blloshmi dhe Leka, ishin ekzekutuar se lexuan letërsinë e Perëndimit dhe mësuan frëngjisht. Në revistat me humor politik kisha parë karikatura me trupin e kapitalizmit kufomë. Përplasje përfytyrimesh. Kapitalisti shëtiste në bregun e detit shqiptar. Kufoma e kapitalizmit shëtitës mbante aromë të mirë. Plumb dhe parfum.

Për shumëçka mund të mos jesh i sigurt, por ato që e mbrojtën portin nuk ishin armët. Sidomos pushkët në duart e ushtarëve, me të cilët kisha të njëjtën moshë. Prekja për herë të parë e armës ishte njohje me trupin erotik. Koha kur filluam të mësojmë diçka mbi anatominë e trupit femëror përkoi me vitin kur mësuam pjesët e pushkës model 57. Jo vetëm gjinia ishte femërore tek pushka. Në orën e provimit, kur duhej të emërtonim pjesët e pushkës, secili mbyllte sytë, si për t'u përqendruar dhe përsëriste në jerm: Gushaaa… Qafaaa… Këëëmbëzaaa… Shtjeeekëëzaa…

Vështruar me ata sy, trupi i pushkës dilte se qe më sensual se trupi i shoqes së bankës. Pushka kishte gushë (të lëmuar). Kishte qafë (të gjatë). Kishte grykën, kishte shtjekëzën (si të buzëve), kishte edhe këmbëz të vogël në mes të çarkut, pa përmendur thepin që hovte përpjetë. Dhe, si të qenkësh vajzë e sprovuar me aventura dhe udhëtime, arma luftarake me të cilën stërviteshim mbartte një botë imtësish femërore: kishte krehër dhe gjilpërë, kishte shishen me vaj për të lyer pjesë të veçanta të trupit, kishte çantë (për karikatorin), kishte pece, kishte dhe fishekët që, edhe pse metalikë, s'na kujtonin gjë tjetër veç të kuqin e buzëve.

Si kishte mundur pra, që ky trup ndjellës dhe ata ushtarë hollakë, të na trembnin dhe të na mbanin larg nga porti, nga deti, anijet dhe lundrimet? Porti nuk u pushtua nga ne. Porti "ra, siç bie një trup i vdekur". Ndërkohë, kishin filluar eksodet e para vetiake. Arratisesha çdo mbrëmje, kapërceja kufirin, por kthehesha në mëngjes. Formë eksodi ishte edhe zhytja nën det.

                                                                                    maska dhe antena

Mes xhamit të maskës së zhytjes dhe ekranit të televizorit ka ngjashmëri. Të dy i zbukurojnë pamjet dhe janë një lloj tabele emulacioni. Në ballkon nuk dilja gjatë ditës, por natën. Shkak bëhej antena. Duhej rrotulluar. Nga mali i Dajtit drejt detit, prej nga depërtonin sinjalet e televizioneve të Perëndimit. Teksa kërkoja sinjal të qartë televiziv, unë nuk e dija se bakri i shufrave të antenës që sillnin tek ne ato sinjale prodhohej nga minerali që nxirrnin në Spaç të burgosurit politik. Takon absurdin po ta ndjekësh këtë përfytyrimin. Bakër i burgosur në thellësi të galerive të minierës.

Të burgosur që shtyjnë vagonë. Minerali dilte jashtë burgut, por jo nxjerrësit e tij. Përmes barkrit të antenave të burgosurit ndihmonin të shihnim imazhet e Europës së penguar me zhurmues sinjalesh. Imazhet e Perëndimit kapërcenin detin, thyenin kufirin detar, mbërrinin dhe na shijonin si çdo gjë e ndaluar. Por hera-herës ekrani mjegullohej.

Në ekran mbërrinin zhurma që të kujtonin ngashërimat. Aty shfaqeshin fasha dhe rripa të zinj, që të kujtonin veshjet e të burgosurve që nga koha e Chaplin-it. Duhet kthjelltësi mendore, jo magjepsje dhe mistikë, për ta besuar se kanë qenë duart e poetëve, të artistëve, të piktorëve, të klerikëve, të përkthyesve dhe të mendimtarëve të burgosur që zgjateshin nga galeritë. Ato duar rrotullonin tubat që antenat, të cilat ditën drejtoheshin nga Tirana dhe natën nga stacionet perëndimore – prej nga mbërrinin pamje të klonuara të Shqipërisë bahçe me lule dhe të parajsës së reklamave – të ktheheshin drejt burgjeve dhe kampeve. Grykat e galerive nuk u bënë dot ekrane prej nga mund të shihej më thellë. Tunelet e nëndheshëm nuk u bënë dot tejqyrë për të parë më larg. Burgjet politik u hapën në të njëjtën kohë me eksodet, kur ajo që ishte rrënuar u shthur dhe, ata që duhet të rrinin në vend, ikën larg.

Duhej shpikur një tjetër realitet dhe për këtë lipsej maska. Nuk është thjesht kureshtje filologjike të kujtojmë se një nga kuptimet e fjalëve "persona" në gjuhën latine do të thotë maskë dhe nga fjala ''persona'' me gjasë burojnë edhe fjalët personazh, personalitet. Dikush vuri mbi sy një maskë saldimi apo maskën kundra gaz dhe e pranoi fatin si detyrim apo thjesht si fat. Ndokush e zgjidhi duke vënë mbi fytyrë maskat e përshtatjes. Në duhej të mbroja veten dhe për këtë më lipsej një maskë.

Zhytja nën ujë u duk një farë shpëtimi. Nëndeti u bë një lloj bunkeri i lëngshëm ku, megjithëse e kujtesën e merrje me vete, rrezatimin ideologjik nuk ishte aq i fortë Ishim një grup shokësh, që pjesën më të madhe të ditës verore e kaluam të zhytur në det. Në mos arrati, ishte një formë naive e largimit nga realiteti. Ndiheshim më të sigurt nën ujë? Ishim më të mbrojtur nga brohorimat, nga euforia dhe nga britmat e gjyqeve politike, që vërshonin përmes altoparlantëve nga kinematë drejt shesheve ku luanim ne? Aspak. Zhytja ishte shmangie, jo shpëtim.

Veçse kërkimi i parajsave vetjake në komunizëm doli po aq jetëshkurtër sa mbajtja e frymës nën ujë me mushkëri. Kushdo që ka vënë në sy një maskë detare e di se ajo zmadhon gjithçka. Guriçkat të duken shkëmbinj, gropat përngjajnë me shpellat dhe peshqit e vegjël bëhen përbindësha detarë. Humbja e peshës krijon mashtrimin se ikja ishte e lehtë dhe se gjithçka bëhej e mundur. I zhytur nën ujë ndjen se diçka heroike, sfiduese të mbështjell si mantel dhe të jep fuqi. Kur del në breg manteli është zhdukur, heroi të ka lënë vetëm, mbi dy këmbë, me po atë shpirt dyshues, por jo të bindur dhe trim sa të mendoje se fabrikat, shkollat dhe spitalet mund t'i kishim më të mira edhe pa bunkerët dhe burgjet. Arsimi falas mund të mos vinte i kushtëzuar urdhërat "mos fol", "mos dëgjo muzikë të huaj", "si ata mos u vish".

Zhytjet nën det nuk kishin heroizëm, as patetikë. Heroika, si çdo element tjetër i jetës, ishte shtetëzuar, nuk kishte për të gjithë. Heroizmi nuk ishte për këdo. Heroizmin e kryenin të besuarit dhe të pëlqyerit. Zhytja mbeti një akt shpëtimi. Nëndeti ishte placenta, jeta platonike në shpellë. Mund të kem qenë kundër mungesës së drejtësisë, por nuk kam qenë kundështar, ndonëse kundërshtoja të bëja atë që bënin të gjithë.

Ideologjia ia behte, të gjente edhe zhytur nën det. Gjithë sa linim mbi tokë kur zhyteshim i rigjenim sapo nxirrnim kokën për të marrë frymë. Pallatet e punëtorëve, ndërtuar mbi prona të konfiskuara me kontribut vullnetar, kisha e kthyer në teatër kukullash dhe xhamia e shndërruar në birrari për të rinjtë ateistët, këta hedonistë politikë. Aty ishin rrugët që të çonin drejt portit të rrethuar me tela gjembaçë, drejt detit të ruajtur me bunkerë, ushtarë dhe fuçi.

Por nën ujë gjendej edhe vetmia, intimiteti dhe heshtja të cilat, njëlloj si porti dhe lundrimet, ishin gjendje të kontrabanduara. Ndaj dhe lirizmi i kuajve dhe kandilat detarë, që ngjanin me kërpudha lundruese, i lulezambakëve si prej mermeri të bardhë apo tufave e leshterikëve të zinj e të gjatë, që tundeshin si flokët e Meduzës, venitej aq shpejt.

Nuk notova për të ikur larg. U zhyta, sërish, ndërkohë që në krye dolën ata që nuk e kishin njohur kurrë fundin dhe ata që nuk kishin ndenjur ndonjëherë në bisht. Për shkak mungesave dhe pengimeve refuzimin e notit nuk mundem ta paraqes si mosbindje, indisiplinim dhe dalje nga rreshti.

Në një ligjëratë mbi kohën, Borges përmend asgjësimin e shqisave. Të tillë ishin ne – brezi i parë i fëmijëve ideologjikë. Ndryshe edhe nga moshatarët tanë në Perëndim ne nuk ushqeheshim nga goja. Ushqimin e merrnim nga veshët dhe nga sytë. Vitaminat e rritjes ishin shkronjat kapitale të sloganeve dhe zërat që mbërrinin nga altoparlantët e lajmeve, sloganeve dhe fjalimeve.

Ai fëmijë lexoi një tabelë e madhe, vendosur përballë detit: ALBANIA, THE UNIQUE AND UNBREAKABLE CASTLE ON THE ADRIATIC COAST.  Ishte një parullë aq e madhe sa për ta lexuar, të huajt mund ta lexonin me sy të lirë edhe nga vendet e tyre në brigjet matanë. E veçanta e sloganit ishte, se qe e vetmja parrullë e shkruar në gjuhë të huaj në të gjithë vendin. Edhe në kohën e krizës më të thellë, porti shërbente për diçka. Vendosja e atij slogani buzë detit, përballë shteteve fqinjë, nuk ishte naiv dhe sa ç'u duk kur u shfaq. Ishte superprodukti që persona si ne, eksportuam drejt Perëndimit. Dhe e bëjmë sërish. Fjala persona në latinisht ka edhe kuptimin maskë.

            perëndimi artificial dhe falsEuropa

Por kishte dhe raste kur deti bëhej i mirë. Sidomos kur pas lundrimeve im atë sillte "klandestinë" në  shtëpi. Nuk i fshihni i vendosnim në vende të dukshme. Ishin objekte të rëndomta, por më fort se vetë objektet e zbrazura nga lënda, ne adhuronim vendlindjet e tyre.

"Made in Italy". "Made in France". "Made in Germany". Deti dhe objektet që solli ai u bënë fjalorë xhepi, prej të cilëve krijova përfytyrimet e para mbi europianët: Gjermanët janë të fortë! Po italianët? Italianët kanë shije të holla! Francezët? Francezët janë elegantë! Holandezët, futbollistë shtatlartë! Jugosllavët, slloboda! Anglezët, udhëtarë…! Europianët janë… – Europianë të vërtetë jemi vetëm ne, që kishim biblioteka kur europianët ishin në shpellë…Edhe pamjen e kanë ndryshe. Gjithë lesh. Si Bajlozi i Zi. E dimë përmendësh Bajlozin, apo jo, fëmijë? – Po si t'i njohim, mësuese? – Bajlozi i Ri////// do kërkojë një bazë ushtarake për çdo krahinë dhe nga një vajzë të re, për ta çuar në qytetet e tyre me drogë e krim. Kuptuat, fëmijë?

Historia përsëritej. Katallanë do shfaqeshin sërish në brigjet tona për të rekrutuar djemtë në divizionin luftarak të FC Barcelonës, që luftonte në Camp Nou.

Bajlozi i Zi do të merrte ushtarë në trupat paqeruajtëse në Afganistan. – Homo homini lupus est! Përsërite! Njeriu për njerin, ujk!  Ky ishte leksioni i parë. Jo në orën e latinishtes. Në orën e ekonomisë politike brenda letërsisë së realizmit kritik.

Ndonëse nuk është shënuar, eksodi i parë ka ndodhur në vitet '60. Nuk ikëm ne. Erdhën europianët. Ishin grupe të rinjsh nga Gjermania, Franca, Italia, Portugalia, Anglia, Belgjika, Spanja, Austria, Holanda, Danimarka, Zvicra madje edhe nga SHBA dhe Australia e kangurit të kuq. Perëndimi i vërtetë kishte mbërritur.

Veçse ndryshe nga ç'prisnim dhe kishim ëndërruar, këta europianë ishin të rruar, të qethur, pa mustaqe mbi buzë, pa flokë të gjatë. Nuk kishin bluxhinse të ngushta.

Nuk kishin as T-shirt me stampa dhe fjalë. Nuk ishin aspak të shpenguar. Nuk ishin snobë apo indiferentë. Na përshëndesnin me mirësjellje dhe tregonin kureshtje për sharjet në gjuhën shqipe.

Nuk u desh shumë kohë për t'u kuptuar se turistët ishin grupe të rinjsh me bindje marksiste, të cilët Shqipëria i paguante për shërbime imazhi nga "Fondi i solidaritetit". Vakanca politike. Pushime ushtarake pa pagesë. Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni në Durrës! Pranvera shqiptare dhe ai liberalizëm jetëshkurtër mes viteve '60-'70, kishte lule artificiale. Përveçse me vonesë, liria europiane mbërriti dhe e klonuar.

                                                             fuçitë e shpëtimit dhe minat e detit

Jazz. Seks. Drogë. Gjuha kishte këto tri fjalë që nuk i shqiptonim dot në publik. Në det nuk kishte fjalë: ishin tri linja fuçish. Fuçia e parë. Fuçia e dytë. Fuçia e tretë. Ishin kode të një alfabeti minimalist. Fuçitë ishin gjuha e parë e huaj që kam mësuar. Shkronjat latine të alfabetit shqip dhe notat muzikore i mësova më vonë.

Fuçitë të para, që ndodheshin vetëm pak metra larg bregut, ishin "fuçitë këshilluese". Fëmijët, por dhe ata që notonin disi, mund të shkonin, madje mund të çlodheshin duke u kapur pas tyre. Ajo ishte zona komforte e notimit – hapësira e pëlqyer. Gjithçka në rregull me çdo gjë dhe me të gjithë.

Rreshti i "fuçive të dyta" ndodhej disi më thellë. Kordoni i tyre ishte rreshti i "fuçive paralajmëruese". Pluskonin rreth 200 metra larg bregut dhe ishin për notarët e mirë. Deri aty lejohej. Për të sfiduar veten, por jo tjetërkënd.

Por më e rëndësishmja mes radhëve të fuçive ishte rreshti i tretë. Pakkujt i shkonte mendja ta shpërfillte këtë radhë fuçish. Ata që i kapërcyen guxuan, por nuk patën fat të mirë.

Asgjë nuk e pasqyronte më qartë izolimin e Shqipërisë se ato fuçi të vetmuara, mbërthyer pas fundit ranor të detit. Prania e tyre ishte e frikshme, agresive, si të luaje mbi mina detare. Përtej "fuçisë së tretë" ishte deti i hapur dhe se pas detit të hapur ishin "botët e lira" të cilat, si të ishin vise përrallash, shfaqeshin në ekran vetëm pas mesnate, kur kthenim antenat prej bakrit drejt detit.

 

                                                                          regjistri i të mbyturve tanë

Një Shqipëri tjetër, veç asaj që rri mbi brigje dhe rrëzë maleve, është mbytur dhe është fundosur tashmë prej shekujsh dhe historikisht nën det. Në këtë kontekst më vjen ndërmend një imazh poezie, në të cilën shqiptarët, në vend të këpucëve dhe opingave mbathin në këmbë varka, anije, sanallë dhe çdo mjet lundrimi, për të nisur në arrati. Imazhi i njerëzve që largohen nga vendet të tyre, duke mbathur këpucë-gomone apo duke lundruar mbi fuçi, është bërë i shpeshtë. Sa herë që antenat apo satelitet sa sjellin pamje eksodesh në ekrane, ne nuk takojmë njerëz, por emigrimet, ikjet, humbjet në det dhe menimin se këto nuk janë kujtesë e largët për shqiptarët që, prej 25 vjetësh, vazhdojnë të ikin.

Shqiptarët e eksodeve të marsit dhe të gushit 1991 janë afrikanët që mbyten sot në det. Dhe jeta që vazhdon të imitojë letërsinë. Gratë që humbën jetën e tyre në Mesdhe, në detin Egje, në Adriatik, në detin Tirren, në Jon, në gjirin e Korintit apo të Mesinës, mund të kenë parë të njëjtat makthe dhe ëndrra si Ofelia e mbytur e Shakespeare-it. Fëmijët që u mbytën me lodra në dorë, do të kenë qeshur me siguri me mendimet e çuditshme të Pinocchio-s në barkun e balenës. Jo pak nga burrat që lanë vendet e tyre janë si hijet e Javert të Hugo-it, që u mbytën të rënduar nga dyshimet se bashkë me ta fundosën shpresat, iluzionet dhe detyrat dhe detyrimet. Emrat e vajzave të mbytura në detet tona rëndojnë si gurët në xhepat e Virginia Woolf, që fundoset dhe çdo i mbytur në brigjet e Ligurias bëri sfidën e Percy Bysshe Shelley, që humbi jetën gjatë një stuhie detare në gjirin pranë Livornos, pasi kishte shkruar "Në detin e thellë të mjerimit".

Naufragus të përjetshëm. Dënimi ka mbetur i njëjtë: miniera të errta, prej nga nxirren diamante, mineral për kupolat e satelitëve dhe fundosje nën det. Edhe parajsa artificiale ku takohemi të gjithë ka mbetur e njëjta.

Ekrani i televizorit – e vetmja rrafshinë ku të humburit në det, renditen të parët në edicionet e lajmeve dhe të kryelajmit të gazetave. Edhe pse të humbur dhe të mbytur, ata ndihen të barabartë mes të barabartëve. Për herë të parë në jetë. Po aq të rëndësishëm sa terroristët dhe kriminelët. Po aq të njohur sa vrasësit serialë. Njëlloj me përdhunuesit dhe banditët. Janë bashkë me të famshmit që grabisin banka. Në të  njëjtën lartësi me politikanët. Për këtë çdo aventurë e rrezikshme tundimi ia vlen. Askush nuk doli i humbur. Në fund e në krye të gjithë zunë faqen e parë –  kryet e vendit. Aty ku proletarët e të gjitha vendeve bashkoheshin dikur.


POETEKA 40 - NË LIBRARI

Poeteka 40 - NO BRAIN / NO PAIN - së shpejti në librari

Përmbajtja (no. 40: 2016)

Status: monolog / ese - 25 vjetori i eksodit detar
f. 4 Arian Leka, Fuçia – bunkeri dhe pushka erotike

Letërsi shqipe
f. 12 Ben Andoni, All–llahu ekber...
f. 18 Darien Levani, Balada e Shemo hajdutit...

I ftuar
f. 30 Aleksandar Hemon, Dirigjienti
Përktheu Sokol Mici

Writers in Residence / Tirana in Between
f. 48 Daša Drndić, Maks Velo, Edmond Tupja dhe të tjerë
Lulet e së keqes dhe Tetëdhjetë-lekshat
Përktheu Ben Andoni
f. 58 Petra Rosandić, Poezi
Përktheu Silvana Leka

Këndi përkthyesit
f. 64 Emily Dickinson, Poezi
Përktheu Arben Dedja

Përballë tekstit
f. 84 Gioconda Belli, Poezi
Përktheu Suadela Balliu

Studime
f. 98 Gëzim Qëndro, Aura kripto-teologjike e trupit politik
f. 132 Aleksandër Zotos,  Xhevahir Spahiu, kundër rrymës
Përktheu Feride Papleka

Drama
f. 140 Eli Krasniqi, Citycide

Kujtesë
f. 170 Kasëm Trebeshina ,10 soneta dhe poezi të tjera

ilustrimet e këtiij botimi, Enkelejd Zonja 


28 July 2016

Ilija Djurović në rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between"

Fituesi i bursës për rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between" gjatë muajit korrik-gusht 2016 është autori malazaz ILIJA DJUROVIĆ. 

Në vitin 2014 Ilija Djurović botoi në Mal të Zi librin e tij të parë me tregime, titulluar "Oni të tako Divno Rade u velikim ljubavnim romanima" (eng. "They Do It So Beautifully in the Great Love Novels"). Ky libër u prit mjaft mirë nga lexuesit dhe u vlerësua nga kritikët. Suksesi i këtyre prozave është dëshmuar në lexime të shumta publike si dhe në festivale letrare. Pas botimit të librit e tij të parë Ilija Djurović ka shkruar drama, një libër me poezi si dhe ka në dorë një tjetër libër me proza të shkurtra. 
Gjatë vitit 2016, tregimi i tij "Pet udovica" (The Five Widows), i përkthyer në anglisht nga Will Firth, u botua në antologjinë prestigjoze amerikane "Best Euroepan Fiction".
Para publikimit të librave ky autor ishte bërë i njohur për publikun në Mal të Zi dhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë përmes krijimtarisë së publikuar në revista të ndryshme letrare brenda dhe jashtë vendit të tij. Kjo falë edhe faktit se ai ishte dy vjet me radhë fitues për tregimin në konkursin letrar "Deti i fjalëve" (Barcelonë, 2010 dhe 2011).
Që prej vitit 2014 Ilija Djurović punon si editor, përkthyes dhe designer për shtëpinë botuese "Žuta kornjača" (Mali i Zi). Ai shkruan komente, shënime dhe opinione për disa revista dhe gazeta të përditshme, të tilla si "LUD Literatura", "Air Beletrina" (Sloveni), "Vijesti" (Mal i Zi), "Beton" (Serbi), "H-Alter" (Kroaci) etj. Ka përkthyer një libër të Thomas Bernhard. Që nga viti 2013 jeton në Berlin, Gjermani.

Residence letrare "POETEKA - Tirana in Between" e zhvillon aktivitetin e saj prej katër vitesh, mbështetjur ngarrjeti europian për letërsinë dhe librat - TRADUKI dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.

26 July 2016

POETEKA – dadaEAST / dadaDAYS - festival - 2016

POETEKA – dadaEAST / dadaDAYS

Në shtator, Tirana bëhet Dada

Prej datës 26 e deri më 30 shtator, Shoqata kulturore "Poeteka" me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Rrjetin Europian për letërsi dhe libra "Traduki", në bashkëpunim me  Pavijonin e Serpentine "Reja" Festivalin e Letërsisë dhe Performancës, titulluar  "DadaEast/Dada-Days" Ky edicioni i dhjetë  i kushtohet Dadaizmit në Europë dhe veçanërisht në Ballkan  në  100 vjetorin e lëvizjes së artit avangard europian  1916-2016

Prej  5 shkurtit e gjithë bota është përfshirë në kremtimet e njëqindvjetorit të Dada-së, lëvizjes më të rëndësishme artistike në zhvillimin e arteve, filozofisë si edhe politikës. Jo vetëm në vendin ku u themelua, Zyrih e jo vetëm në pikat ku u përhap me shpejtësi marramendëse si Paris, Berlin apo Nju Jork…Në javën e fundit të shtatorit edhe Tirana bëhet Dada. Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë Poeteka  ia kushton këtë edicion të dhjetë të tijin kësaj lëvizjeje që i dha formë të re artit dhe mendimit artistik  në Ditët kushtuar Dadaizmit dhe gjurmëve të saj të forta në Europën Lindore e Juglindore.

 Përgatiti: Suadela Balliu 

Nuk e dimë nëse, siç pohojnë zëshëm ithtarët e saj, arti do të kish qenë i njëjtë pa Dada-në, por e sigurt është që kjo lëvizje artistike e lindur në mes të Luftës së Parë Botërore, i ndryshoi përjetësisht drejtimin dhe qëllimin artit dhe mendimit artistik siç e njohim sot. Ishin pikërisht fatkeqësitë e shkaktuara nga lufta dhe terri që kishte kapluar thuajse të gjithë Europën, që çuan drejt mërgimit një pjesë të mirë të artistëve. Artistët dhe intelektualët, të cilët ishin kundër  luftës, kërkuan strehë në Zyrih, qyteti i cili  u kthye në pikë grumbullimi i avangardës artistike.  Dadaizmi do të lindte  nga fryma e revoltës kundër absurditetit të luftës dhe dëshira për liri, e shumë shpejt do të kthehet në revolucionin Dada.E megjithatë dadaistët që mbinë si revoltë në mes të luftës, nuk erdhën për të sjellë paqe…por luftë.   Më 14 korrik të vitit 1916 ( fiks njëqind vjet e një javë)  poeti Hugo Ball shpalli manifestin e një lëvizjeje të re. Emri i saj: Dada. Synimi: " Të çlirohemi nga gjithçka që bie erë gazetarie, krimbash, gjithçka të mirë dhe të drejtë, bllokuese, moralizuese, europianizuese dhe e përnderuar…". Ky synim mund të arrihej thjesht duke thënë: "Dada".  Ball dhe disa miq artistë  mërgimtarë takoheshin në  Cabaret Voltaire, një klub në Zyrih, themeluar nga Ball dhe bashkëshortja e tij e ardhshme Emmy Hennings.  Përveç banorëve të Zyrihut, jo shumë e dinë se lëvizja artistike Dada është themeluar në zemër të Qytetit të Vjetër të Zyrihut. Grupi u krijua në  Spiegelgasse 1, në lagjen  "Niederdörfli" . Këtu, në legjendaren  Cabaret Voltaire – e hapur edhe njëherë  për publikun këtë vit – mori jetë një lëvizje ironike e zëshme dhe e larmishme, e cila nga baza e saj në Zyrih doli të pushtonte botën. Figura kryesore të lëvizjes përfshinin   Hugo Ball, Emmy Hennings, Hans Arp, Raoul Hausmann, Hannah Höch, Johannes Baader, Tristan Tzara, Francis Picabia, Richard Huelsenbeck, George Grosz, John Heartfield, Marcel Duchamp, Beatrice Wood, Kurt Schwitters, Hans Richter, Max Ernst, e të tjerë. Performancat dadaiste ofronin shpërthim poezie, muzike dhe teatri politik – poezitë të prera me fjalë pakuptim, muzikë e çliruar nga melodia dhe deklarata në të cilat mesazhet kanibalizoheshin nga absurditeti i gjuhës. Pra nëse Dada ishte në zemër, një protestë kundër qytetërimit Europian të vendosur mbi luftën, gjithashtu lajmëroi veten si një anti-art.

Dadaistët, ashtu siç e quanin veten, eksperimentuan me poezi të njëhershme  dhe zanore, kolazhe dhe fotomontazhe. Nga baza e tyre në Zyrih, ata pushtuan botën- Berlin, Paris dhe Nju Jork me humorin dhe ironinë e tyre. Dada  lindi kështu nga një nevojë pavarësie, mosbesimi kundrejt komunitetit. Ata që janë me ne, ruajnë lirinë e tyre. Shenjë dalluese e tyre bëhet fakti se ata ishin njëkohësisht grupim, lëvizje artistike, sociale, politike, por gjithaq edhe individë të fuqishëm me profile të fuqishme, që i jepnin grupit, por duke mbetur individë. "Dada nuk është asgjë, nuk ka pretenduar të jetë ndonjë gjë, Dada nuk është asgjë dhe bëhet diçka nga momenti kur me të vërtetë nuk kuptojmë asgjë, ja pra në këtë mënyrë duhet të konsiderohet Dada-ja" shprehej dikur  Paul Neuhuys,  një poet belg Dada. "Një nga ato që mbetet pa përgjigje deri sot, por që do të ishte një mënyrë për sjelljen dhe rolin e artistëve në ditët tona, është fakti se si arritën dadaistët t'i bënin ballë ashpërsisë së kohës, diktaturës, autoritarizmit, luftës, përjashtimit artistik dhe social, përndjekjeve të komunizmit, fashizmit dhe nazizmit për t'i unifikuar? Duke qenë aq shumë kritikë ndaj shoqërive totalitariste, si arritën të mbijetojnë si lëvizje avangardë që bënte thirrje për të mos respektuar asnjë sistem dhe për të sfiduar apo vënë në dyshim dhe në pozitë të vështirë, madje edhe përmes formave të forta provokuese e deri edhe subversive  çdo rend, trashëgimi, hierarki apo normë politike, sociale, akademike, artistike dhe gjithë moralin?"- shprehet Arian Leka, ndërsa rrëfen se puna për Edicionin e Dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të  Letërsisë "Poeteka" kushtuar Lëvizjes Dada ka kohë që ka nisur dhe gjithçka është gati për javën e fundit të shtatorit, ku kryeqyteti do të përfshihet në atmosferën dhe performancat e artistëve dadaistë që do të vijnë nga e gjithë bota.

Përse kjo lëvizje jetëshkurtër, e lindur njëqind vjet më parë rikthehet në vëmendjen e qarqeve artistike? A është thjesht një kremtim apo kjo lëvizje gjen ende vend  në ditët e sotme. Leka thotë se Dada  vazhdon të sfidojë edhe sot gjithë trashëgiminë artistike. ". ..sidomos atë që priret të krijojë institucion, duke ngritur pikëpyetje mbi çdo paraardhës, mbi çdo individ që mëton të merret me art, duke u kujtuar atyre llojin e përfitimit vetjak apo kolektiv (konto bankare apo detyra, funksione apo poste në pushtet) apo formën e (sh)përdorimit që pushtetet i bëjnë artistit, sa herë që i afrohen/ofrohen për t'i dhënë diçka në shkëmbim të mungesës së protestës, së  mosrebelimit, të konformizmit, të rehatisë mbi tema e stilistika" –mendon Leka, duke shtuar se  pa dadaizmin nuk do të  viheshin në  lëvizje asnjë nga rrymat e shkollat te modernizmit, përfshi këtu edhe teatri absurd e postmodernizmi etj., apo edhe vetë  surealizmin."Në këtë kuptim dadaizmi, besoj se luajti mbi botën moderne të e artit të njëjtin rol që  kishte luajtur "Big Bang" në krijimin e botëve. Ndryshe si ta shpjegojmë pa dadaizmin atë energji shpërthyese që  solli artin mbi skenë, në kafenetë artistike dhe nëpër rrugë e sheshe apo atë ndryshim substancial në  rolin, kuptimin, vlerën dhe përdorimin e artit dhe zhvillimet që  ndodhen në poezi, muzike, teatër e  balet?".

E nisur si një lëvizje artistësh migrues, sot Dada gjen kuptim edhe në zhvillimet globaliste, sipas Lekës.  "Dadaizmi ishte një propozim i artistëve emigrantë, thuajse askush nuk ishte në vendin e vet të  lindjes kur filloi të  vepronte dadaizmi. Kjo ka domethënien e vet ne kontekstin e artit dhe të  shoqërive te sotme, në  sfondin e rizgjimit të kulturës ksenofobike. Dadaizmi si embrion vjen jo prej Europës perëndimore, por që  zhvillohet në shtratin e saj. Edhe kjo e dhënë ka interpretimet dhe kontekstin e vet në rikompozimin e shoqërisë se sotme europiane".

Dadaizmi, përtej lëvizjes, siç kishte qenë  më  parë  futurizmi, dha kuraje dhe solli çlirimin e energjive nën presionin dhe provokimin e luftës. Teza e mëvonshme e Adornos mbi pamundësinë e ekzistencës së poezisë pas holokaustit, do u shkonte më  së miri dadaistëve që u krijuan në mes të  Luftës së  Parë  Botërore dhe që  shtegtuan nga një vend neutral, drejt vendeve te përfshira thellësisht në  konflikt në  lindje dhe në  perëndim të  kontinentit, ku lufta u paraqit thuajse me vlerën e një produkti kozmetik të  sofistikuar.Kjo energji e çliroi artin, por sidomos mënyrën e jetesës nga vartësia e politikës, ajo e pavarësoi  kulturën alternative, kulturën që  zhvillohet e pa sponsorizuar nga strukturat shtetërore, nga klientelizmi, nga klisheizmi dhe standardi, duke i kundërvënë absurdit të  luftës një absurd të  ofruar përmes artit si dhe protestën si formë  kundër produktit të  vetëm qytetërimit europian të asaj kohe. Dadaizmi u ofrua si një forcë vetëmbrojtëse ndaj absurditetit koleksionuar nga shekuj deri asokohe. "Nëse politika qenkësh art i marrëveshjes dhe i kompromisit, propozimi i dadaizmit ishte se artit i mbetej të  bënte të kundërtën. Por midis atij qytetërimi dhe qytetërimit të  sotëm mund të  hiqen shumë. Për çfarë tjetër mund t'i jemi mirënjohës dadaizmit përveç interesit të  veçantë  të  interpretimit, forcën e artit të  performancës, abstragimin e mjetit shprehës artistik, legjitimimin e zhurmave përkrah tingujve dhe të  lojës tingullore në  trup të fjalës, përballë fjalës logjike dhe te veshur me petka te bukur stilistikore, përdorimit të trupit njerëzor si vepër arti?"- shprehet Arian Leka, ndërsa shpjegon veçoritë në zemër të kësaj lëvizjeje.

Dadaizmi prishi trashëgiminë e shekullit XIX, shthuri kufijtë e ngurosur mes arteve, zhduku largësinë mes zhanreve  dhe bashkoi, publiken me privaten, artin me politikën, modën me artin. Me këtë lëvizje propozohen artistë  që  janë persona, personazhe dhe e njëkohësisht edhe personalitete. Me dadaizmin forcohet më shume personaliteti i femrës artiste, si dukuri që  kërkoi të  zinte vend në  skenën artistike botërore të  zotëruar nga meshkujt. Duhet të  kalonin dekada që  botës  së artit t'i riktheheshin personalitete si Elsa von Freytag-Loringhoven. "Pra Dada mund të  trajtohet jo thjesht si një lëvizje jetëshkurtër artistike dhe kulturore po si një modus operandi, si shtysë  ngacmuese, që  çliroi gjymtyrën e fjetur anti, pasi dadaizmi ishte anti-autoritet, anti-normalitet, anti-konformizëm, anti-tradicionaliste, anti-konformiste, anti-luftë, anti-kapitalizëm, anti-logjikë, anti-monopolizim të  mendjeve dhe lirisë, sidomos lirisë krijuese, madje edhe anti-dada, prandaj, pasi turbulloi dhe shqetësoi botën, doli nga skena, duke jetuar vetëm 8 vjet, aq sa ç 'është përjetësia për një lëvizje artistike".

A ka një rikthim të  tematikave të diskursit botëror apo territori ngjason përpikërish me hartën? "Në  kontekstin shqiptar përkundrejt zërave se pse dhe a duhet të  kujtohet edhe nga ne dhe çfarë domethënieje ka ky ekskursion i rikthimit në Dada, veç argumenteve të mësipërm që e na bëjnë edhe ne pjesë të  botës,  rikujtimi i kësaj lëvizjeje, përveç plotësimit të  një vendi bosh ne hartën e kremtimeve botërore që  i bëhen dadaizmit në  100 vjetor, evokon edhe një fakt tjetër: atë të rikthimit te burimet, në  të  cilët ndeshim se në vitet '30-40 dadaizmi nuk ka qenë një lëvizje e panjohur dhe e pashqiptuar,  përkundrazi  rreth dadaizmit kanë  shkruar gazetat dhe revistat e kohës, të  tilla si "Fryma", "Hylli i Dritës", "Bashkimi i kombit" apo "Përpjekja" etj.,"- zbulon Leka, ndërsa gjatë Festivalit do i kushtohet hapësirë edhe gjurmëve dadaiste në Shqipëri.  Megjithëse jetëshkurtër, figurativisht Dada përbën diçka të ngjashme me shpërthimin e energjisë së Big Bangu-ut, kur vjen fjala për Modernizmit, duke bërë që të lindin më pas lëvizje si  Surrealizmi, Fluxus, Punk –u, por  i dha  dhe kuptim asaj çka është e mundshme në  artin  bashkëkohor. Dada ka vdekur?! Rroftë Dada dhe liria për të kundërshtuar!

Prej datës 26 e deri më 30 shtator, Shoqata kulturore "Poeteka" me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Rrjetin Europian për letërsi dhe libra "Traduki", në bashkëpunim me  Pavijonin e Serpentine "Reja" Festivalin e Letërsisë dhe Performancës, titulluar  "DadaEast/Dada-Days" Ky edicioni i dhjetë  i kushtohet Dadaizmit në Europë dhe veçanërisht në Ballkan  në  100 vjetorin e lëvizjes së artit avangard europian  1916-2016


POETEKA - TIRANA: DadaEast, Dada-Days 

Shumë qytete europiane si Vjena, Zyrihu, Berlini, Këlni, Parisi, Roma janë  përgatitur për të kremtuar këtë njëqindvjetor, për t'u kthyer në vende ku tradita dhe frymëzimi Dada është mbajtur gjallë. Por jo shumë e dinë se lëvizja artistike Dada, përveç qyteteve perëndimore ka qenë e përhapur edhe e zhvilluar në Europën Lindore  e atë Juglindore, e njohur si DadaEast apo JugoDada. Përmes këtij festivali , organizatorët dëshirojnë të prezantojnë një koncept të bashkuar të një Europe, e cila në perspektivë artistike shfaqet  pa kufizime dhe pa  kufij kulturorë, ku të gjitha vendet kontribuojnë bashkë .Prej datës  26 e deri më  30 shtator, Shoqata kulturore "Poeteka" me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Rrjetin Europian për letërsi dhe libra "Traduki", në bashkëpunim me  Pavijonin e Serpentine "Reja" Festivalin e Letërsisë dhe Performancës, titulluar  "DadaEast/Dada-Days"Ky edicioni i dhjetë  i kushtohet Dadaizmit në Europë dhe veçanërisht në Ballkan  në  100 vjetorin e lëvizjes së artit avangard europian  1916-2016, si edhe do të botojë një  numër special të revistës Poeteka (partner i rrjetit të revistave kulturore Eurozine) kushtuar autorëve e shkrimtarëve europianë dhe ata të Europës Juglindore , pjesëmarrës në Festivalin Dada-Days.

Formati dhe aktivitetet  e kthejnë kujtesën  në këtë periudhë të  hershme drejt një rrjedhe  aktive të aksionit në jetën tonë bashkëkohore dhe art, ashtu siç e ka realizuar Dada. Kujtesa,  por  gjithashtu  edhe përditësimi dhe prezantimi  i një qasjeje  në sfondin e ditëve të sotme është një nga objektivat për të realizuar në këtë  festival.  Festivali synon  të përfshijë qytetin në këtë program, njerëz dhe institucione,  dëshiron  të frymëzojë kombinimin e jetës së përditshme me artin ,kulturën dhe të jetuarit, për të frymëzuar komunikimin përmes arteve në sheshe dhe në bare letrare e muzikore. "Nuk është ideja e një bashkimi formal me qytete të tjerë europianë,  të cilët do të kremtojnë këtë përvjetor, por gjithashtu për ta bërë të dukshëm kontributin e qendrave të Europës Juglindore në këtë lëvizje"- pohon Leka, ndërsa të ftuarit janë  artistë nga Austria, Bosnje Hercegovina, Gjermania, Franca, Rumania, Zvicra, Mali i Zi, Holanda, Serbia, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Italia, Greqia,  si Jani Oswald, Ervina Halili, Zvonko Karanović, Demosteni Agrafiotis, Željko Barišić, Franko Bušić, Zunaza Finger-përkthyese nga gjuha shqipe edhe gjuhët sllave në gjermanisht, Patrick Dubost autor i tridhjetë librave dhe dy albumeve, Dorian Steinhoff, performues i poezisë slam, libri i të cilit "Drita e flakës në fytyrat tona" do të vijë në shqip në ditët e festivalit nën logon e botime "Poeteka" përkthyer nga Sokol Mici. Dada nuk resht së habituri as tani pas  100 vitesh. Peshkopi  ortodoks nga Maqedonia Metodij Zlatanov është një tjetër performues dadaist i ftuar në këtë festival. Fotografia e tij me  portretin e Hugo Ball në duar është një sensacion për të kuptuar sesa gjithëpërfshirëse është lëvizja Dada. Gjatë një javë sheshe, kafene, klube, pikëtakime në Tiranë do të përfshihen në diskutime, performanca,  ekspozita, simpoziume, lexime të hapura, video-poezi apo poezi zanore si edhe promovime librash dhe një edicion special i revistës "Poeteka".

 10 Fakte  Dada 

Pse u themelua në Zyrih dhe çfarë synonin Dadaistët?

 1. Një formë e re e artit. Një lëvizje letrare dhe artistike e themeluar më 1916 –ën. Nuk mund të reduktohet në një formë të vetme të shprehurit dhe është për pasojë thuajse e pamundur të përkufizohet. Megjithatë lëvizja atribuohet si anarkike dhe kundër borgjezisë, ndërsa arti Dada si i pakuptimtë, i çmendur dhe i egër.

2.U themelua në Zyrih. Më 1916 –ën Lufta e Parë Botërore kaploi thuajse të gjithë Europën. Kishte pak hapësirë për art. Si rezultat, shumë artistë dhe intelektualë u strehuan në Zyrih, në Zvicrën neutrale, e cila u bë epiqendra e avangardës europiane.

3.Cabaret Voltaire është vendlindja e Dada-së.  Më 5 shkurt1916 , Hugo Ball dhe gruaja e tij e ardhshme Emmy Hennings, hapën tavernën për artistët. U bë një vend takimi aq popullor për shumë artistë ndërkombëtarë që ndanin të njëjtën mendime si edhe intelektualë. Kabareja ishte vetëm pak blloqe larg apartamentit të Leninit, i cili qe në mërgim asokohe.

4. Dada, një kalë druri 

Origjina e emrin të çuditshëm "Dada" është mbështjellë në legjendë. Një teori e famshme është se një dadaist thjesht zgjodhi fjalën "dada" fjalën franceze për "kalë druri" ndërsa shfletonte një fjalor gjermanisht-frëngjisht. Një tjetër version pretendon se emri rrjedh nga rusishtja "da" që do të thotë "po". Ka edhe nga ata që mendojnë se dadaistët u frymëzuan nga një prodhues sapuni "Bergmann & co"., që kishin kalin e drurit si logo. Një manifest i Dadasë madje pohon " Dada është sapuni më i mirë me qumësht e zambak në botë".

5. Jehonë ndërkombëtare. Themeluesit vinin nga shtete si  Gjermani, Rumani, Francë.Vetëm

Sophie Taeuber Arp, e shoqja e Hans (Jean) Arp, ishte zvicerane.

6.Kundër luftës  dhe borgjezisë. Dadaistët po kërkonin një formë arti që mund të shëronte dhe çlironte njerëzit nga çmenduria e kohës. Ndërsa lufta vazhdonte në pjesën tjetër të Europës, në Zyrih Dadaistët eksperimentuan me stile dhe mjete të ndryshme dhe në mënyrën e tyre speciale me pakuptimin, humorin dhe ironinë protestuan kundër mizorisë dhe brutalitetit të luftës.

7. Dadaistët paraardhësit e poetëve slamAta eksperimentuan me stile, materiale dhe forma të ndryshme. Kur Hugo Ball paraqiti për herë të parë "vargjet pa fjalë" të ashtuquajturën poemë zanore ata i dhanë Dadaizmit një grimë misticizmi dhe për shumë njerëz u bë një lloj religjioni. Dadaistët ishin të parët artistë që përveç poemave zanore gjithashtu shpikën poemën se njëhershme ( ku vargjet lexoheshin në gjuhë dhe shpejtësi të ndryshme në të njëjtën kohë) dhe ishin pararendësit e Surrealizmit dhe poezisë slam të kohëve moderne. Gjithashtu dadaistët favorizuan përdorimin e kolazheve

8. Dada është pak budalla. Në Zyrih, Dadaistët shkaktuan një potere me artin e tyre aspak konvencional dhe aktivitetet e çuditshme. Ata tërhoqën vëmendjen ndaj vetes duke botuar raporte të rreme në gazetat e përditshme duke përfshirë një duel me pisqolla mes dy Dadaistëve në Kodrën Rehalp në Zyrih. Ata i hapnin dyert e tavernave me flakërim duke bërtitur "Dada!" me sa zë kishin dhe zhdukeshin sërish po aq shpejt sa kishin ardhur

9. Dada pushton botën. Dadaistët ishin komunikues të shkëlqyer. Përmes letrave, manifesteve dhe revistave, të cilat ua dërgonin miqve të tjerë artistë, ata ia dolën mbanë të përhapnin vizionin e tyre rreth globit. Shumë shpejt u krijuan grupime Dada në Berlin, Hamburg, Paris e madje edhe në Nju Jork. Dadaistë të mirënjohur lag Zyrihut ishin Man Ray, Marcel Duchamp, John Heartfield dhe Hannah Höch.

10. Dada ka vdekur. Rroftë Dada! Sa më e njohur dhe ndërkombëtare u bë lëvizja, aq më shumë pati kundërshti të shpeshta ritëm mes themeluesve përsa u përkiste synimeve dhe objektivave të Dadas. Hugo Ball e la grupin vetëm pas disa muajsh dhe iku në mërgim në Ticino, ku iu përkushtua krejtësisht katolicizmit mistik. Mosmarrëveshjet e brendshme e çuan Dadanë në një fund. Më 1923 –shin u themelua Surrealizmi, të cilit iu bashkuan shumë dadaistë.

 

14 July 2016

Traduki network meeting - BELGRADE, July 2016

Traduki network meeting in Belgrade with seven Writer-in-Residence Programs 
in Southeast Europe: 

- Skopje (Macedonia), 
- Split (Croatia), 
- Pristina (Kosovo), 
- Belgrade (Serbia), 
- Tirana (Albania), 
- Novo Mesto (Slovenia) 
- Sarajevo (Bosnia & Herzegovina). 

Impressive, isn't it?

4 YEARS "POETEKA  - TIRANA IN BETWEEN"
WRITERS AND TRANSLATORS IN RESIDENCE"

11 July 2016

Bogomil Gjyzel në rezidencën letrare "POETEKA – Tirana in Between 2016"

Bogomil Gjyzel (Maqedoni) ishte autori fitues i Rezidencës letrare "POETEKA – Tirana in Between 2016" për muajin qershor, rezidencë kjo e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, e cila ka zhvilluar veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, duke u ofruar mundesi krijuese dhe bashkëpunimi 22 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë dhe duke sjellë përmes tyre pasurimin e jetës dhe skenës kulturore shqiptare.

Bogomil Gjuzel është poet, prozator, skenarist, eseist dhe përkthyes. Ka lindur në vitin 1939 në Shaçak të Serbisë. Në vitin 1963 diplomohet për gjuhën angleze në Universitetin e Shkupit dhe kalon një vit akademik në Universitetin e Edinburgut si bursist i British Counsil. Ai ka punuar si dramaturg në teatrin Dramski të Shkupit në periudhat 1966-1971 dhe 1985-1998. Ka qenë pjesëmarrës në Programin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve në Iowa, SHBA dhe në një sërë festivalesh si ai i Roterdamit (1978 & 1996), San Francisco-s (1980), Herleen-it (1991) si dhe Mastrihtit dhe Valencias (2000).
Bogomil Gjyzel është një prej themeluesve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Pavarur të Maqedonisë dhe kryetar i parë i saj. Që prej vitit 1995 ai punoi si kryeredaktor i revistës periodike Nashe Pismo. Që prej vitit 1999 ai mbajti funksionin e drejtorit artistik të Festivalit ndërkombëtar Mbrëmjet e Poezisë, Strugë.
Botime poetike: Livadhi (1962 & 1971), Trëndafili alkimik (1963), Mbajtësit e libacioneve (1966) – laureuar me çmimin "Vëllezërit Miladinov" si libri më i mirë i vitit, Odisea në ferr (poezi të zgjedhura, 1969), Pusi i kohës (1972) - laureuar me çmimin "Vëllezërit Miladinov"; Rrota e vitit (1977), Realiteti është gjithçka (1980), Shtetrrethimi (1981), Hapësirë boshe (1982), Errësirë dhe qumësht (1986) - laureuar me çmimin "Aleksa Santić" për periudhën 1985-88, Duke rrëzuar murin (1989), Poezi të zgjedhura (1991), Jetë e zhveshur (1994), Kaos (1998), Ajo/Atë (poemë e gjatë, 2000), Poezi të zgjedhura - 1962-2002 (2002).
Përzgjedhje në gjuhën serbe dhe kroate: Qielli, toka dhe dielli (1963), Livadhi (1972) - botuar në dy gjuhë, Poema (1981). Përzgjedhje në gjuhën sllovene: Peshku i shqisës (1985).
Përzgjedhje në anglisht: Tre (1972), Mbetjet e rishqyrtuara (Chattanooga Chapbooks, Tennesse, 1997), Ujku tek porta (Xenos Books, California, USA, 2001). Që nga viti 1963 Bogomil Gjyzel, ka qenë pjesë e të gjitha antologjive për poezinë jugosllave dhe maqedonase.
Libra në prozë: Historia si njerkë (Esse, 1969), E gjithë bota është shtëpi (kujtime udhëtimesh nga Irlanda dhe SHBA, 1975), Histori mitike (tri pjesë teatrale, 1982), Legjenda (tregime, 1984), Legjenda dhe histori të tjera (2011), si edhe Vandaku (ese – në process botimi).
Si bashkautor me Ljubisha Geiorgievski ka botuar E zeza (një farsë tragjike, 1989).
Një përzgjedhje e poezisë së Bogomil Gjyzel është botuar në serinë 130 autorë maqedonas (An Island on Land, 44) në gjuhën maqedonase (2009) dhe në anglisht (2011); vepra e tij e zgjedhur (Bogomil Gjuzel: Vëllimi I dhe II).
Poezitë e tij janë përfshirë në të gjitha antologjitë me poezi maqedonase dhe jugosllave, botuar që prej vitit 1965 në më shumë se 20 gjuhë të huaja. Me poezinë e tij Lech Miodynski mbrojti dhe botoi disertacionin e doktoratës: "Bogomil Guzel, Poetycki dialog z naturan I kulturan (WYDAWNICTWO Universytetu Slanskiego, në Katowice 1994), përkthyer dhe botuar në gjuhën maqedonase, 1999.
Bogomil Gjyzel përzgjodhi antologjinë e poezisë bashkëkohore maqedonase publikuar në Belgjikë (në frëngjisht dhe në flemisht - Poètes Dix-Sept macedonnienes (L'arbre a Paroles, 1993).
Përkthime: Bogomil Gjyzel ka përkthyer 15 vepra nga Shakespeare, mes të cilave: Makbethi (1969), Mbreti Lir (1972), Hamleti (1980), Jul Çezari (1981), Ëndrra e një nate vere (1984), Nata e Dymbëdhjetë (1985), Shtrëngata (1992), Tit Androniku (1994) etj.
Po ashtu, Bogumil Gjuzel ka përkthyer dhe përshtatur një mori veprash të tjera dramaturgjike nga anglishtja si dhe poezi të përzgjedhura nga T. S. Eliot (1965), W. H. Auden (versionin dygjuhësh - 1971 dhe edicionin e dytë në vitin 2011), Charles Simić (1984), Emily Dickinson (1986), Seamus Heaney (2001), Walt Whitman (në proces botimi) si veprat skenike të S. Beckett, H. Pinter, E. O'Neil, S. Sheppard, E. Bond, B. Shaw etj. Në vitin 1978 ai ka përkthyer dhe redaktuar (së bashku me Louis Simpson dhe Serge Fauchereau) një Antologji të Poezisë Bashkëkohore Amerikane (edicioni i dytë dhe i riparë i së cilës është ribotuar më 1999)


BOGOMIL GJUZEL


POETI PROFESIONIST

Fjalën e fundit, gllënjkën e fundit
Dhe çohesh nga tryeza pas orarit të punës
Autobusit të stërngarkuar i hipën deri në kuzhinë
Nduk një copë buke dhe i merr erë furnelës.
Uri dhe plumb i shkrirë nëpër trup.
Ndize monitorin
prej kopshtit
Dhe shfleto shtypin e ditës
nga qielli.

Asgjë dhe asgjë
Lastarët e pjergullës
Lëkunden kot fare

Duhet të drejtohen me litarë nën strehë.
Bija të sjell karrige për të hipur.
"Tavolina gati", - thërret gruaja
Nga dritarja e një kohe tjetër.

Pas dreke, shëtit nëpër kopsht
Ti i vetëm në skafandër, yjet përreth
Dhe poshtë teje. Antenat duhet të shtrëngohen
Molla e shartuar do pleh.

Përsëri në studio –
"Babi ç'është ky
Përbindësh?". Fët, komanda dështon
Copa letrash fluturojnë si të çmendura.
Mbi tavolinë –
një fletë e re
Dhe lapsi i rëndë sa revolja.


TË SOGJUARIT

Mbaroi dhe një ditë.
Edhe pse nuk më shtyn njeri
Të kthehem në shtëpi
Qielli mbyllet si barku
I hapur para kohe
E grilat në horizont
Lëshohen me kërcëllimë.
U mbyll dyqani i botës.
Sonte më magnetizoi me lodhje
Dhe alkool. Një kothere buke dhe hi.
Ditën e vazhdoj me pagjumësi.

Fët, vatra ndizet
Mbase ndonjë diell mesnate
Dhe unë e shoh veten si po eci
Nëpër rrugicën e caktuar
Prej shkretëtirës së shuplakës sime.

...

Luanesha e këngës
S'do të ulet në karrige
Dhe kërcen mbi mua
Mbrohem me karriget e tjera
Me gjithçka që më mungon
As fishkëllima e kamxhikut
E fundit që dëgjoj për të
Është duartrokitja

...........................................................

Vrapoj nëpër hapësirën e çelur
Dhe meqë nuk dëgjova NDAL
U gjenda përballë mureve
Të lirisë sime

Nisën të më kërkojnë me reflektorë
Fët, muri u hap
Dhe unë hyra tek gruaja e panjohur
Kërcisnin përreth rafalët
E reflektorët u lodhën së rrotulluari
U këputën edhe shufrat me tela gjëmborë
Dhe posa e kalova
Bërrylin e rrëshqitshëm të murit
Më zuri papritmas plumbi i fundit

Por para se të zhgërryhem
Pashë përtej këndit
Një geto tjetër me mur rrethuar
Mbase i gjallë
Dhe kuptova –
Rrethimi është i plotë.

....................................

Nuk të paguhet të ndërtosh shtëpi mbi zall
Do të vijnë erëra shkretëtirash
Dhe do të shpërngulin

Themele duhet të gërmosh
Në çdo kokërr rëre –
Shkretëtira, thjesht, është e pabanueshme
Poshtë shkretëtirës është deti i shterur
Trupi yt
Dhe vetëm aty ngrehina lëshon rrënjë

Por unë jam gur
I hedhur nga ndërtuesit
Jetim i vejushës – materia e parë

Njerëzit e tjerë janë gurë të gjallë
Që shkrihen në ndërtim
Pa plasaritje

Tanimë edhe vetë u bëra erë
Që hakërron nëpër plasaritje
Qoftë edhe midis dy kokrrash rëre



ENDJE NËPËR TOKËN KARAVLASHKË

Qielli i rrëzon yjet
Ngadalë si të zgjasë amshuar
Me të dashurën përndiqemi
Nëëpr pyjet e errëta
Pa fat
Por me dalje në Karavlashkë

Hej moj tokë Karavlashkë
E fortë je prej pikëllimi

Ëndrrën s'e kam të pastër
Do të bëhem murtajë
Murtajë e zezë Maqedoni
Erë e kuqe Veriore
Dhe erë e ëmbël Bogomile

Njerëz, më pranoni si rebel
Jo dashnor të mrekullive
Do të fluturoj me erërat
Erëra të paqena shpresoj
Nëpër shkretëtirë

Hej nëpër atë fushë të shkretë Karavlashkë
Këngë do këndoj
Për gratë me mëkate
Hej mor bandill i sertë.

Yjet vdesin
Gjithnjë e më tepër pakësohen
Qentë lehin nëpër qiellin që rrëzohet
Tokën e djegin
Hej moj tokë, tokë Karavlashkë

Fis Karavlashk, njeri Karavlashk
Fundi s'iu gjetë pikëllimit.


LAVDËRIM PËR AJRIN

Të thith dhe – nuk të shfryj
Dhe në ty mbeten të hapura zgavrat
Kruspull mblidhen rreth grushtit tim
Si rreth ndonjë planeti të shkretë
Që së shpejti do të çelet me hapin e parë të jetës.

Në ty varre gjëmash!
Mumje eremiti,
Shpërthim i murit të zërit
Të gris e të bën leckë
Dhe sarkofagu bëhet pluhur.

Nëse të dal përpara
E të përqafoj për vdekje
Prapa meje inka e ciklonit
Më përndjek si hije.

Dëgjoj si kërcasin kockat urie
Të skeletit tënd të drobitur
Varrin e ke në kraharorin tim
Prej ku i gjallë s'do të dalësh dot.

2.
Megjithatë prej meje do dalësh
Ringjallur nga varri
Tradhtar

Më vodhe, më hëngre
Dhe me bukën e të vdekurve
Tani fryhesh si flluskë.


NËNA ITAKË

Përse kështu, nëna Itakë të stërshesin
Me pakicë e me shumicë e të gjallë
Me gjithë qimet, thundrat dhe bishtin
Me gjithë të kaluarën tënde të kuqe
Me gjithë vezët e papllenueshme brezash
Me gjithë klithjen e paçrrënjosur në bark?

Herë-herë shqelmon me të katra
Për t'ua prishur shigjetën e peshores
Por ata megjithatë do ta marrin masën
Do të copëtojnë varur në çengel
Dhe do të klasifikojnë nëpër paketa
Për nevojën e tyre dhe të të huajve

Bile do pandehin se të shitën shtrenjtë
Meqë të kanë blerë
Me gjithë shpirtin që të bën aq të rëndë
(Ose me frymën tënde të ndalur)
Derisa të shpien udhës së përndezur
Kah thertorja e lavdisë së tyre

Por shpirti yt, në fakt, është peshë negative
Që gjithë jetën ka luftuar kundër tokësores
Dhe kur njëherë do të ngjitesh përpjetë e çliruar
(Kah vëllazëria qiellore e popujve të zhdukur)
Ahere do ta kuptojnë se çfarë u ke lënë –
Peshën e tyre të trupit të vdekur.


KARAGJYZEL

1.
Qetësi!
T'i zbukurojmë kuajt
Për mejdanin e qetë të bukurisë
Mejdan apo?
Unë jam mejdan.

2.
Në majë të shtizës
Lind ylli

Zemër grabitqare
Tjetër zemër s'ka
Nuk gjendet

O luftë yjesh
Që po i vjedh.

3.
Hingëllima po i shemb themelet
Qielli përmbytet

O kalë largomë që këtej
Sa ka kohë.


Përktheu nga origjinali maqedonisht Resul Shabani

Total Pageviews