07 May 2018

REVSTA POETEKA 47 - EUROZINE PARTNER - ARTI I ANGAZHUAR NE SHEKULLIN XXI

Poeteka Nr. 47






































































Përmbajtja (No. 47: 2018) 


Status

Fq. 4 Silvana Leka - Letërsi e angazhuar – art politik


Letërsi në shekullin XXI

Fq. 10 Jazra Khaleed - 7 poezi dhe 1 prozë poetike

Përktheu Eleana Zhako

24 Miloš Živanović - 13 Poezi

Përktheu Ben Andoni

Fq. 48 Ardian-Christian Kyçyku - Pjesa e pakripur e lotëve - rrëfim

Fq. 53 Gentjana Minga - 10 poezi


Kritikë letrare

Fq. 64 Raffaele Taddeo - "Ciao mama: Un saluto di Bolzano"


Studim

Fq. 58 Albert Gjoka - Parateksti kundër tekstit


Ad Honorem

Fq. 82 Jean d'Ormesson - Pse duhet lexuar Jean d'Ormesson sot?

Fq. 86 Kronologji:

Fq. 87 "Një ditë do iki pa i thënë të gjitha"

Fq. 95 Jean d'Ormesson përmes 8 librave m. t. lexuar

Përktheu Miriam Neziri - Angoni

FactFiction

Fq. 104 Arian Leka - Luftë e Ftohtë në bibliotekë


Ballkanologji

Fq. 116 Aleksandar Pavlović - Çfarë mund të mësojnë gjermanët dhe francezët prej serbëve dhe shqiptarëve?

Fq. 126 Jeton Neziraj - Faruk Begolli, jeta mes Beogradit e Prishtinës

Fq. 132 Saša Čirić - Braktisja çerdhes së gjarprit

Fq. 146 Dushko Lopandić - Lidhjet dinastike serbo-shqiptare në Mesjetë


In Memoriam

Fq. 155 Et'hem Haxhiademi - Skënderbeu - tragjedi


Expo - Graf

Fq. 178 Meri File Arti i nudos

06 May 2018

Revista gjermane, Arian Leka: Kufoma e kapitalizmit mban erë të mirë

Revista gjermane - Arian Leka: Kufoma e kapitalizmit mban erë të mirë

(mbi artikullin e shkrimtarit Arian Leka, Bakër Spaçi për antenna, dhe pushkë erotike"- ("Kupfer aus Spaç für Antennen und erotische Waffen – Schizophrenes aus einem untergehenden Staat), botuar në revistën gjermane "Gerbergasse 18"

Revista gjermane e përtremuajshme që i kushtohet historisë dhe politikës bashkëkohore, dhe që ka në vëmendje trashëgiminë historike evropiane të shek. XX, rivlerësimin e proceseve historike në Gjermani, dhe të diktaturave në Evropën Juglindoren, por në këtë numër i kushtoi vëmendje tematikave që lidhen me vitin 1968, ku në këtë kontekst boton edhe artikullin "Bakër Spaçi për antena", të Arian Lekës

Revista "Gerbergasse 18" që botohet në qytetin universitar të Jenas në Gjermani ka publikuar një ese të shkrimtarit shqiptar, Arian Leka me titull "Bakër Spaçi për antenna, dhe pushkë erotike". Në gjuhën shqipe kjo ese politico-kulturore është botuar në 2016, ndërsa është përkthyer në gjermanisht nga Zuzana Finger. Kjo revistë e përtremuajshme që i kushtohet historisë dhe politikës bashkëkohore, ka veçanërisht në vëmendje edhe trashëgiminë historike europiane të shekullit XX, rivlerësimin e proceseve historike në RDGJ dhe të diktaturave në Europën Juglindore, por në këtë numër i kushtoi vëmendje tematikave që lidhen me vitin 1968. Vëmendja kryesore e këtij numri i përket "Pranverës së Pragës", por tematikat zgjerohen drejt protestave të rinisë në mbarë botën, vrasjet politike në SHBA, përfaqësimin e Gjermanisë me dy ekipe sportive të ndara në Olimpiadë, lufta në Vietnam, pjesë e së cilës bëhet edhe tematika shqiptare përmes artikullit "Kupfer aus Spaç für Antennen und erotische Ëaffen – Schizophrenes aus einem untergehenden Staat", i cili shoqërohet nga foto dokumentare nga arti shqiptar i realizmit socialist, skulptura e mozaik, si dhe slogane murale të Shqipërisë nën diktaturë,  të cilat ishin në fokusin e punës së artistit austriak Christian Thanhauser dhe të Neviana Dostit.

Artikulli i Arian Lekës "Bakër Spaçi për antena dhe pushkët erotike" shqyrton të kaluarën komuniste në Shqipëri, por nuk ndalet vetëm aty. Autori lidh vitin e tij të lindjes (1966) me lëvizjen ateiste dhe antiklerikale shqiptare (1967), me daljen e Shqipërisë nga "Traktati i Varshavës" (1968), me liberalizimin jetëshkurtër të jetës në Shqipërinë diktatoriale, me kujtesën rreth "Pranverës së Pragës", kur ambasada e Shqipërisë në Çekosllavaki, siç kujtojnë, përdesh u pushtua nga trupat sovjetike, gjë që në gjuhë simbolike donte të thoshte pushtim në distancë edhe i Shqipërisë. Pjesë e kësaj ese bëhen gjithashtu edhe kampet, vendinternimet dhe burgosjet politike, sidomos të artistëve, të shkrimtarëve dhe të përkthyesve, të cilat vendosen në kontekstin e eksodeve masive të viteve 1990-1991, kur portet u pushtuan jo nga ushtria e NATO-s, po nga shqiptarë që lanë shpresëhumbur vendin e tyre. Në teskt gjen jo thjesht kujtime, por refleksione ndaj asaj kohe kur "…në revistat me humor politik shihje karikatura mbi kapitalizmit, me trupin kufomë, një përplasje përfytyrimesh, pasi sendet-simbole që detarë sillnin prej perëndimit kapitalist mbane aromë të mirë. Kufoma e kapitalizmit mbante aromë të mire". Për të shtjelluar përfytyrimin e tij nga ajo kohë Arian Leka përdor mineralin e bakrit që të burgosurit politikë nxirrnin nga thellësia e minierave dhe antenat me te cilat kapeshin sinjalet televizive të Perëndimit. "Por, teksa kërkoja nëpër natë imazh të qartë televiziv, unë nuk e dija. As nuk e merrja me mend se bakri prej nga prodhoheshin tubat e antenave, prodhohej nga minerali që nxirrnin në Spaç të burgosurit politikë. Takon absurdin po ta ndjekësh këtë përfytyrimin", shkruan Leka. Pjesë e këtyre vëzhgimeve bëhen edhe rrezikimi i demokracisë nga autoritarizmi dhe dhuna në kushtet e një shoqërie që funksionon jashtë kornizës së ligjit dhe të një shteti me institucione të personalizuara. Më herët, krijimtaria e Arian Lekës është botuar edhe në anglisht. Në vitin 2011 tregimi i tij me titull "Vëllezër në brisk" (Brothers of the Blade) përkthyer nga Sara Lynn Smith, është bërë pjesë e antologjisë "Tregimi më i mirë europian" (Best European Fiction, Dalkey Archive Press), përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon me parathënie nga romancieri irlandez Colum Mçann.

Fragmente nga eseja "Bakër Spaçi për antenna": 

  1. "Ç'eksportohej si mineral, rikthehej në formë tubash në Shqipëri. Cikli i jetës përfundonte mbi tarraca e apartamenteve të njerëzve të tjeshtë, ku antenat futnin klandestinë në shtëpi. Ishin sinjalet televizive të Perëndimit. Ishte evolucioni i grimcave prej bakri që, përmes të burgosurve politikë, na ndihmuan të shihnim përtej. Por hera-herës ekrani mjegullohej. Në shtëpi mbërrinin zhurma që të kujtonin ngashërimet. Shfaqeshin fasha dhe rripa të zinj, si veshjet e të burgosurve, të kohës së Chaplin-it. Sot duhet kthjelltësi mendore, jo ekzotikë, për ta besuar se nuk mund të kenë qenë të tjera duar veç duarve të poetëve, të artistëve, të piktorëve, të klerikëve, të përkthyesve dhe të mendimtarëve të burgosur ao që zgjateshin nga galeritë për të rrotulluar antenat drejt sinjaleve të qartë. Ishin ato duar që nuk bënë sa ne dëshironim, por bënë sa mundën që, antenat e drejtuara ditën nga Tirana dhe natën nga stacionet e Perëndimit – prej nga mbërritën pamje të klonuara të Shqipërisë bahçe me lule dhe të parajsës së reklamave – të ktheheshin drejt asaj që ndodhte në kampe, në burgje dhe nëpër të gjithë Shqipërinë. Ata e kishin bërë pjesën e tyre të mundimit. Në kohën e Perdes së Hekurt, u përpoqën të na hiqnin perden nga syri."
  2. "Por me gjithë mundimin, grykat e galerive nuk i vështruam dot kurrë grykat prej nga buron drita dhe as si ekrane prej nga mund të shihej më thellë dhe më mirë. Tek tunelet e nëndheshëm dhe te galeritë nuk dalluam tejqyrat për të parë më larg. Burgjet politikë u hapën në të njëjtën kohë kur u thyen portet, kur filluan eksodet, kur ajo që ishte rrënuar u shthur dhe, kur ata që duhet të rrinin në vend, ikën larg. Me të rënë perdja, dalluam se të gjithë kishim qenë brenda të njëjtës zonë përndjekjeje dhe keqtrajtimi. Kemi jetuar të gjithë në të njëjtin kamp përqendrimi, dëgjoj të thonë. Ndoshta po, ose po. Por kishin qenë jo pak ata që "kampi" vetiak i përqëndrimit i kishte qëlluar me pamje nga deti apo me pamje nga bota. Po. Brenda këtij hapësire të rrethuar me tela gjemborë, nga porti tek piramida më e fundit në kufi, mund të kishim përjetuar ndjesinë e të burgosurit, por vetë pak kishin qenë ata që provuan burgimin dhe jo të gjithë të burgosurit vuajtur të njëjtin burg."
  3. "Me gjithë ndonjë regëtimë dhe përpjekje për t'i bërë bërë ekzotike dhe të jetueshme fundin e viteve '60, ne shqiptarët nuk u bëmë dot pjesë e Pranverës së Pragës dhe as e lëvizjeve studentore të Parisit 1968, që filluan me tri fjalë: Egalité! Liberté! Sexualité! Jazz. Seks. Drogë. Këto ishin fjalët që pëshpëriteshn te ne, duke ndryshuar liberalizimin e jetës me lirinë. Këto tri fjalë gjuha shqipe nuk i shqiptonte dot, sidomos në publik. Kaq për në tokë. Në det nuk kishte fjalë: ishin tri linja fuçish. Fuçia e parë. Fuçia e dytë. Fuçia e tretë. Askush nuk u ikte dot. Ishin kode të një alfabeti minimalist. Fuçitë ishin gjuha e parë e huaj që kam mësuar. Shkronjat latine të alfabetit shqip dhe notat muzikore i mësova më vonë. Fuçitë të para, që ndodheshin vetëm pak metra larg bregut, ishin "fuçitë këshilluese". Fëmijët, por dhe ata që notonin disi, mund të shkonin, madje mund të çlodheshin duke u kapur pas tyre. Ajo ishte zona komforte e notimit – hapësira e pëlqyer. Gjithçka në rregull me çdo gjë dhe me të gjithë.Rreshti i "fuçive të dyta" ndodhej disi më thellë. Kordoni i tyre ishte rreshti i "fuçive paralajmëruese". Pluskonin rreth 200 metra larg bregut dhe ishin për notarët e mirë. Deri aty lejohej. Për të sfiduar veten, por jo tjetërkënd. Por më e rëndësishmja mes radhëve të fuçive ishte rreshti i tretë. Pakkujt i shkonte mendja ta shpërfillte këtë radhë fuçish. Ata që i kapërcyen guxuan, por nuk patën fat të mirë. Asgjë nuk e pasqyronte më qartë izolimin e Shqipërisë se ato fuçi të vetmuara, mbërthyer pas fundit ranor të detit. Prania e tyre ishte e frikshme, agresive, si të luaje mbi mina detare. Përtej "fuçisë së tretë" ishte deti i hapur dhe se pas detit të hapur ishin "botët e lira" të cilat, si të ishin vise përrallash, shfaqeshin në ekran vetëm pas mesnate, kur kthenim antenat prej bakrit drejt detit.

Arian Leka botohet në revistën gjermane “Gerbergasse 18”

Arian Leka: Bakër Spaçi për antena dhe pushkët erotike

Revista e përtremuajshme gjermane "Gerbergasse 18", që botohet në Jena dhe që i kushtohet historisë dhe politikës bashkëkohore, por që ka posaçërisht në vëmendje edhe trashëgiminë historike europiane të shekullit XX, në No. 86 të saj (1/2018) boton artikullin e Arian Lekës me titull "Bakër Spaçi për antena dhe pushkët erotike". Artikulli u përkthye në gjermanisht nga Zuzana Finger. Veç tekstit, artikulli përmban fotodokumente nga arti shqiptar i realizmit socialist dhe slogane murale të Shqipërisë nën diktaturë, të cilat ishin në fokusin e punës së artistit austriak Christian Thanhauser dhe të Neviana Dostit.
Në këtë numër përurues "Gerbergasse 18", që është një platformë botuese që merret në mënyrë të veçantë me rivlerësimin e proceseve historike në RDGJ dhe të diktaturave në Europën Juglindore, u kushton vëmendje të posaçme tematikave që lidhen me vitin 1968.
Në të gjejnë vend tekste mbi Europën dhe botën në një vit mjaft të veçantë për historinë si dhe disa nga momentet kyçe dhe më kulmore të asaj trashëgimie politike, historike dhe kulturore, prej së cilës tanimë jemi distancuar në 50 vjet. Kjo largësi ka dhënë mundësi për studime, artikuj dhe analiza specifike, siç vijnë edhe në artikullin e Arian Lekës "Bakër Spaçi për antena dhe pushkët erotike".


Fokusi qendror i këtij numri të revistës mbetet "Pranvera e Pragës" dhe zhvillimet në Çekosllovaki, por tematikat zgjerohen drejt protestave të rinisë në mbarë botën, vrasjet politike në SHBA, përfaqësimin e Gjermanisë me dy ekipe sportive të ndara në Olimpiadë apo luftën në Vietnam.
Artikulli i Arian Lekës analizon dhe përpunon të kaluarën komuniste në Shqipëri, duke lidhur vitin e lindjes së autorit (1966) me lëvizjen ateiste dhe antiklerikale shqiptare (1967), me daljen e Shqipërisë nga "Traktati i Varshavës" (1968), me liberalizimin jetëshkurtër të jetës në Shqipërinë diktatoriale, me kujtesën rreth "Pranverës së Pragës", kur ambasada e Shqipërisë në Çekosllovaki, siç kujtojnë diplomatët, përdesh u pushtua nga trupat sovjetike, gjë që në gjuhë simbolike donte të thoshte pushtim në distancë edhe i Shqipërisë. Pjesë e trajtimit në artikullin e Lekës bëhen gjithashtu edhe burgosjet politike, sidomos të artistëve, shkrimtarëve dhe përkthyesve, të cilat vendosen në kontekstin e eksodeve masive të viteve 1990-1991 dhe rrezikimi i demokracisë nga autoritarizmi dhe dhuna në kushtet e një jete që funksionon jashtë kornizës së ligjit dhe rregullave dhe të një shteti me institucione të personalizuara.
Nuk është hera e parë që krijimtaria e Arian Lekës botohet gjermanisht. Pas publikimit në Austri të vëllimit me tregime "Ein Buch, Ein Meer", botimet e këtij autori pasurohen me teksteve të tjera botuar në Gjermani. Mes tyre veçohen artikuj dhe shkrime të tjerë me natyrë studimore dhe letrare, të tillë si DURRËS, GEOEMOTIONEN (Von der Multikultur der Autarkie zur Monokultur der offenen Stadt), GEBOREN IN DER PROVINZ (Ein Geschenk mit Namen Durrës – Eine Stadt mit dem Rücken zum Meer), MEER DES ARGËOHNS (Albanien und der Rest der Ëelt – Schönheit, Hoffnung und Grauen), QUADRAT IM SCHLACHTFELD (Illyrer, Myrmidonen, Aromunen und Zigeuner – Balkanische Erinnerungen), përkthyer nga Loreta Schilock për revistën e njohur të Berlinit "Lettre International". Vetëm disa muaj më parë tregimi "Die Zelle aus Papier" (Qeli prej letre) i Arian Lekës u bë pjesë e antologjisë me titull "Glückliche Ëirkungen", botuar nga Ullstein Buchverlage-Berlin dhe sjellë në gjermanisht nga Zuzana Finger.


Më herët, krijimtaria e Arian Lekës është botuar edhe në anglisht. Në vitin 2011 tregimi i tij me titull "Vëllezër në brisk" (Brothers of the Blade) përkthyer nga Sara Lynn Smith, është bërë pjesë e antologjisë "Tregimi më i mirë europian" (Best European Fiction, Dalkey Archive Press), përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon me parathënie nga romancieri irlandez Colum Mçann.
Tregimi "Brothers of the Blade" i Arian Lekës ka pasur recensione e shënime kritike vlerësuese. Mes të cilave dallon teksti i shkrimtarit Peter Byrne, nën titullin "Nonstandard Tales From The Real Europe". Ndër të tjera, autori shprehet: "Arian Leka na trondit me rrëfimin e tij, tek na përball me peshën e përgjegjësisë që mund të rëndojë mbi familjen shqiptare. Veçse një barrë e atillë rëndon po aq edhe në një mori vendesh të tjera europiane. Është interesant portretizimi i ndjerë i anoreksisë nga Hilary Mantel, që vëzhgon një familje britanike në kahun "perëndimor" të Europës, ndërkohë që familja te tregimi i Arian Lekës është e njësuar dhe nënkupton "edukim prindëror", ndërsa në Shqipëri ajo merr kuptimin e "detyrimit fisnor".
Shkrimtari dhe studiuesi letrar Brandon Wicks, në "Art & Literature", duke shkruar rreth antologjisë "Best European Fiction" nënvijëzon, duke e përfunduar mendimin e tij me një vështrim mbi krijimin e Arian Lekës: "Vëllimi përfundon me një tekst të shkurtër, ngarkuar me tension të pabesueshëm, me tregimin elegant "Vëllezër në brisk" i autorit Arian Leka, ku si në një ritual, personazhi është i detyruar rruajë fytin pa qime të të vëllait në ditën që atë do ta bëjnë dhëndër – një çast i vogël domethënës, i ngarkuar me ankth dhe me dëshira sublime".

Kritiku dhe shkrimtari Kevin Frazier, në tekstin botuar në "A Map of Faces", duke parashtruar për lexuesin sinopsin e tregimit thekson gjithashtu: "…Në paraqitjen shqiptare, 'Vëllezër në brisk' nga Arian Leka, vëllai i madh duhet të rruajë vëllain më të ri në një akt të ndërlikuar përkushtimi dhe keqardhjeje, përshkruar me nëntinguj të dhunshëm dhe që na kujtojnë skenën e të njëjtit rit nga "Benito Cereno" e Herman Melville-it. Vëllai i vogël, një njeri guximtar dhe tërësisht njerëzor, për vite me radhë ka qenë shtylla e familjes, por që tash, kur martohet, i duhet të ndahet prej saj. "Pas gjithë kësaj" – vëllai i madh ngarkohet me dilemën – "…nëse vëllai ynë i vogël nuk do të jetë më baba për ne, cili do të jetë ati ynë i vërtetë? Po unë kush do të jem? Çdo të jemi ne të gjithë, babai, motra, nëna dhe unë vetë, kur ai të mos jetë më ky që është? Kur të mos na përkasë më ne, por njerëzve të tjerë, atyre që sot po bëhen gati të mësyjnë në jetën e tij, duke na flakur ne të gjithëve, familjarëve të tij jashtë nga parajsa jonë". Teksa mediton me brisk në dorë mbi fytyrën e vëllait të vogël, akti na kthen mbrapsht, në të kaluarën e familjes: "…Kudo plagë, vraja, blana, lytha të vegjël, gropëza, të çara e vijëzime sa do të mjaftonte vetëm një kalim i pakujdesshëm brisku, që fytyra të lahej në gjak. Dhe sakaq, fëmijëria, koha e pakthyeshme kur ata ishin të pandarë, i kaloi brenda një çasti. Mes gishtërinjve dhe në hapësirën mes dy plagëve iu faneps një tjetër kohë: koha kur ata llangosnin njëri-tjetrin me bojë këpucësh e me kolinoz në gushë, nën hundë e në faqe për t'u bërë sa më shpejt burra me mustaqe të sajuara…". Historia mbyllet me një shënim që do të shërbente si një epigraf për të gjithë përmbledhjen: "Ne ndryshojmë veten për shkak të të tjerëve, ne paguajmë çmim të lartë vetëm për të qenë së bashku…".
Këto u paraprinë botimeve të pritshme të Arian Lekës në polonisht, ku së shpejti do të botohet një artikull kritik mbi letërsinë shqiptare në kuadrin e "letërsive të vogla" si dhe përmbledhjes me tregime "Shpina e Burrit", që do të botohet brenda vitit 2018 në Beograd.

*Artikulli botohet në revistën gjermane për historinë e politikën bashkëkohore

Emina Žuna - READING BALKANS-2018 - TIRANA's WRITERS IN RESIDENCE

Emina Žuna është autorja që vijon Programin READING BALKANS-2018, që organizohet nga POETEKA me mbështetje nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian dhe TRADUKI. Ky program mirëpret dhe bashkon në një platformë të vetme poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Europa Juglindore (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia.

Emina Žuna lindi në vitin 1981 në Jajcë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo shkruan prozë, ese, dramaturgji dhe artikuj mbi letërsinë dhe kinematografinë. U diplomua në Sarajevë për Psikologji, sudime të cilat i kreu në vitin 2005. Nje vit më pas, gjatë vitit 2006 ajo përfundoi studimet edhe për Letërsi Krahasimtare, përfshi edhe Studime mbi Bibliotekat.

Në vitin 2004 Emina Žuna u bë fituese e çmimit "Karim Zaimović", si meritë për studime të suksesshme në Kolegj. ​ Në vitin 2011 ajo fitoi bursën dyvjeçare Erasmus Master Mundus, falë së cilës kreu studime dhe specializime të thelluara Master mbi Kulturën Letërsinë dhe Europiane,  pranë Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të e Strasburgut.

Emina Žuna ka fituar disa çmime për prozën dhe tekstet e saj skenike. Tregimet e saj janë përkthyer në gjuhën angleze dhe në sllovenisht. Romani "Planjax" (2016) fitoi u bë fitues i konkursit të Fondacionit për Botimet në (2015), duke u cilësuar si një prej dorëshkrimeve më të mira vendase. Gjatë vitit 2016, krijimtaria e saj u përzgjogj për dy çmime rajonale: "Mirko Kovač", në kategorinë e autorit të ri dhe çmimin "Meša Selimović, në kategorinë e romanit më të mirë. Romani i saj i dytë, "Njeriu i së Ardhmes", është në përgatitjet e tij përfundimtare përpara botimit.

Emina Žuna publikuar shpesh në revista kombëtare dhe rajonale për letërsinë dhe kulturën (Sarajevske sveske, Zarez, Odjek, Tema, Bosna franciscana, Avlija, Behar, Treća, Polja, Zeničke sveske, Idiot, Ne-ma, etj). Ajo është gjithashtu aktive në mjaft revista online apo në portalet në internet (Afirmator, Etna, portal Strane, voxfeminae, e-novine etj), duke bashkëpunuar gjithashtu edhe me emisione radiofonike si Da sam Šejn - Zagreb, Tragovima bosanskog kraljevstva - Zenica, Zabilježene – Sarajevo.

Emina Žuna punon gjithashtu si psikologe dhe gazetare e pavarur. Pjesa më e madhe e artikujve të saj në gazetari përfshijnë komentet, rishikime mbi median, shqyrtimet letrare dhe filmike.

Programi READING BALKANS 2018 i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë.

 

25 April 2018

Një kartolinë nga nobelistja Elfriede Jelinek për lexuesin shqiptar në Ditën Botërore të Librit

Një kartolinë nga nobelistja Elfriede Jelinek për lexuesin shqiptar

Prej ditës së djeshme, një kartolinë me tregimin e nobelistes Elfriede Jelinek qarkullon në mjediset letrare si gjest i veçantë për këtë autore. Ky është programi nga "Nga Austria me dashuri" që vjen në "vitin kulturor" mes Austrisë dhe Shqipërisë; një muaj më parë nga revista shqiptare "Fryma" u zbulua përkthimi i parë nga gjuha austriake, që mbante firmën e Arshi Pipës

Ditën Botërore të Librit, 23 prill 2018, Poeteka e ka përkujtuar me një gjest të veçantë letrar, duke publikuar për lexuesit një kartolinë me portretin e nobelistes austriake Elfriede Jelinek dhe një tregim të saj. Në këtë mënyrë vijon bashkëpunimi mes Poetekës, Ambasadës së Austrisë në Tiranë dhe partnerëve të tjerë, vendës dhe të huaj. Ky program nisi një muaj më parë, më 20 Mars, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë, duke çelur "Vitin kulturor" mes Austrisë dhe Shqipërisë.

"Edhe në rastin e publikimit të kartolinës letrare "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love ", me portretin dhe tekstin e Jelinek, u zgjodh një ditë me vëmendje të plotë ndërkombëtare, siç është Dita Botërore e Librit, 2018 e cila, përveçse hedh edhe një hap tjetër domethënës për vijimësinë e programit, ruan edhe kuptimësi të tjera që e përfshin këtë ngjarje letrare të organizuar nga POETEKA në kalendarët e tjerë që nder të Ditës së Librit që organizohen kudo nëpër botë", thotë Arjan Leka ideatori i këtij programi.
Kartolina e dytë letrare me Elfriede Jelinek pason botimin e ballinës së revistës "Fryma" ku u botua një poezi e Rainer Maria Rilkes, nën përkujtimin e Ars, u botua në numrin 7 dh 8 të revistës, në vitin 1944. Por kartolina me portretin e Elfriede Jelinek vjen jo vetëm si ftesë dhe nxitje ndaj lexuesit, por edhe si një format i leximeve shëtitëse në Ditën Botërore të Librit. Teksti letrar i Elfriede Jelinek, që i ofrohet lexuesit, së bashku me kartolinën "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love " është një prozë e shkurtër, me titullin "Paula, gjatë leximit të një libri, ku historia zhvillohet në fshat dhe ku ajo luan rolin kryesor". Teksti, që përmban tipare të spikatura të prozës së Elfriede Jelinek, është përkthyer nga origjinali nga Admira Poçi. Formati i përurimit të letërsisë përmes kartolinave, siç është bërë e njohur nga Leka, ka lidhje me faktin se Austria dëshmohet si një prej atyre vendeve ku kartolina u përdor hershëm për komunikim ndërkulturor. Kartolina për Austrinë ka një traditë 115-vjeçare. Por përparësi e kartolinës letrare në rastin e programit "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love" është ndërthurja e imazhit-portret autori me tekstin letrar. "Poeteka e rikthen këtë traditë përballë publikut shqiptar në një format të ri, kushtuar promovimit të kulturave përmes teksteve leximit, dhurimit të teksteve letrare, si një nxitje në përkthim dhe ftesë në njohjen e kulturave të tjera përmes letërsisë, si në rastin mes autorëve austriakë dhe shqiptarë". Sipas organizatorëve lexuesit njihen jo thjesht portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtarinë e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanishten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit.

Përveç Rilkes dhe Jelinek, autorë të tjerë që do të përurohen muaj pas muaji në formatin "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love" do të jenë Joseph Roth, Christine Nöstlinger, Christian Tanhäuser, Ilir Ferra, Andrea Grill apo Karl Markus Gauß, autori fitues i Rezidencës Letrare "Poeteka" – Tirana in Between" gjatë muajit tetor 2018.













Paula, gjatë leximit të një libri, ku historia zhvillohet në fshat dhe ku ajo luan rolin kryesor

Elfriede Jelinek

më parë bëja ende gjimnastikë që shërbente për të pasur bark të sheshtë dhe të fortë dhe për ta mbajtur atë. më pas ndjeva një shtatzëni që po afronte dhe hoqa dorë sërish nga këto ushtrime të rëndësishme, të cilat i kisha prerë nga një revistë. isha si e krijuar për t'u bërë nënë, kështu isha një njeri i plotë. kështu thonë, një shtatzëni kërkon një njeri të plotë. ndoshta bëra gabim që i lashë ushtrimet, kur e ndjeva se po bëhesha nënë, sepse nuk duhet t'i lësh ushtrimet, madje kur e ndien se po bëhesh nënë, duhet t'i bësh ato. përndryshe, në vend të një njeriu të plotë, je më shumë një gjysmak apo i ndarë. ndoshta kjo ndikoi disi që nisa të bëhesha e huaj për burrin tim, çka u shpreh me një krizë martesore. druaj se e lashë veten pas dore, kur e ndjeva se në mua po rritej një jetë e re. nuk duhet të përqendrohesh aq shumë te jeta e re që po rritet në ty, duhet t'i përkushtohesh edhe burrit, sepse përndryshe ai ndihet i lënë pas dore. ai nuk duhet të mendojë se tani ai luan rol dytësor e jo më parësor. jeta e re në mua rritej pra dhe rritej, ndërsa unë shpërfytyrohesha gjithnjë e më shumë, në përpjesëtim të drejtë me jetën e re që rritej. shto dhe detyrën e vështirë të kursit që në fakt nuk e pengonte jetën e re të rritej, mua ama më mbante larg e më larg kujdesit të përditshëm minimal që duhet të kryeja. unë s'isha as 16 vjeçe, por sa më e madhe bëhej jeta e re në mua, aq më shumë flokë dhe dhëmbë më binin nga koka, çka nuk do të kishte ndodhur nëse do t'i kisha ndjekur ato hilet e vogla të kozmetikës që duhen ndjekur për t'i mirëmbajtur flokët dhe dhëmbët. nuk isha fare e shpërfytyruar. isha përpjekur gjithmonë për shembull ta mbaja në punë trurin nëpërmjet programeve televizive, por tani më duhej që në kohën kur mund të shihja televizor, gjithnjë e më shpesh të merrja bashkëshortin tim nga kafeneja e ta sillja në shtëpi, në kohën e programit të mbrëmjes, ai ishte gjithmonë tapë. rruga nga kafeneja në shtëpi ishte rrugë e vështirë, shpesh binim bashkë mbi pengesat e rrugës ose ai ma fuste me grusht e më rrëzonte përdhe. megjithatë isha e lumtur që e kisha sjellë në shtëpi shëndoshë e mirë. nëse do të ishte dehur më vonë, nuk do ta kisha ngritur dot nga krevati për të shkuar në punë në mëngjes. ndërsa kështu të paktën ai ia dilte ta kryente këtë hap të vështirë. edhe unë duhet t'ia dilja së shpejti të bëja hapin e vështirë drejt spitalit, për të kryer lindjen. në kohën kur ndjeja se po bëhesha nënë, nisi pra largimi nga burri im që shtohej me hapa gjigantë dhe përfshiu të gjitha fushat e jetës së përditshme. sepse kapitali im i vetëm, trupi im që dikur ishte i hollë dhe për këtë arsye lehtësisht i kontrollueshëm, si nga ana kozmetike ashtu dhe për sa u përket veshjeve, nuk po më bindej më. domethënë s'kishte më elegancë. gjëja më e rëndësishme është gjithmonë që të ketë të paktën një bazë, mbi të cilën të ndërtohet, në rastin tim kjo bazë ishte trupi im i hollë që tani nuk ishte më. burri im nisi të më godiste, herë atje e herë këtu. ndonjëherë kisha fat, ai gjente ndonjë pjesë të trupit që dhembte më pak, si kofshët apo të ndenjurat, por ndonjëherë nuk kisha fat dhe ai më gjuante në ndonjë pjesë që më dhembte shumë, jashtë mase shumë, për shembull barkun. madje edhe gjatë shtatzënisë sime, barku im nuk ishte diçka e shenjtë për të me sa dukej, që në fakt duhej të ishte, por ishte diçka jo e shenjtë që mund të goditej. megjithatë shtatzënia nuk u ndërpre. gjimnastika duhet vazhduar me çdo kusht. 

Përktheu nga origjinali: Admira Poçi.

11 April 2018

‘Reading Balkans’ në Tiranë: Marko Pogačar - Arian Leka

'Reading Balkans' në Tiranë: Intelektuali në kushtet e "hapësirës nën thonj"

Intervistoi: Violeta Murati

Po të huazojmë përballjen që poeti kroat Marko Pogaçar vendos individin, poezia e tij është një histori sipas të cilit çdo individ lufton, historia është një gjë intime, është "hapësira nën thonj". Në këto kushte shfaqet intelektuali që fiton lirinë e tij. Në këtë hapësirë sollëm një figurë kyçe në skenën poetike të Evropës Juglindore, ku Pogaçar pritet të jetë i pari në projektin Reading Balkan, dhe hera e dytë që viziton Tiranën, ku në fillim të këtij muaji nisi rrugëtimin programi letrar Reading Balkans 2018. Ky program, që do të zhvillohet gjatë këtij viti në kryeqytetin shqiptar, i bashkohet projektit që sapo ka nisur njëkohësisht edhe në disa kryeqytete të tjerë të Europës Juglindore.

Projekti përmban lexime publike, leksione, urdhëtime në krijim të hartave letrare, ëorkshop dhe masterclass mbi shkrimin krijues, do të drejtohet nga shkrimtari Arian Leka dhe të ftuarit e tjerë që do të vizitojnë Tiranën, emra të njohur të skenës letrare të rajonit, të tillë si Marko Pogaçar, Lidija Dimovska, Emina Zuna etj. Programi Reading Balkans 2018  i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë. Reading Balkans organizohet nga Poeteka, si pjesë e Programit "Creative Europe" të Bashkimit Europian, duke vazhduar traditën që Poeteka vijon prej gjashtë vjetësh me rezidencen për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë "Tirana in Betëeen", mbështetur nga rrjeti Traduki. Projekti Reading Balkans 2018, dhe rezidencat letrare në kuadër të programit Reading Balkans 2018 vijnë si bashkëpunim i Shtëpisë Botuese Goga (Slloveni), Goten Publishing (Maqedoni), Udruženje Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Croaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), PEN Qendra (Bosnjë-Hercegovinë) dhe partnerë të tjerë. Në intervistën e mëposhtme Leka tregon kontekstin e "Reading Balkans", si raporti me lexuesin dhe autorin kanë krijuar një hapësirë të re marrëdhënie, edhe pse rajoni nuk ka luftra, urrejtje por vazhdon të përcjellë më hezitim njëri tjetrin.

– Ç'është programi "Reading Balkans", ky term do një shpjegim; si është përfshirë në këtë hartë kryeqyteti shqiptar?

Siç edhe shpallet dukshëm që në titull, programi kulturor e letrar "Reading Balkans" përfaqëson një projekt kulturor që zhvillohet përmes shkrimtarëve dhe letërsisë. Ky zhvillim i ri ka dy njësi vepruese. Së pari dhe më kryesorja, mbetet prania e gjallë e shkrimtarëve në shtatë kryeqytete dhe qendra kulturore të rajonit tonë. Së dyti, por jo me më pak rëndësi, krijimi i një platforme digjitale përmes së cilës autori komunikon jo vetëm me ata që ndodhen pranë por, falë teknologjisë edhe përmes komunikimit të audienceve në distancë. Çdokush që interesohet se cili autor ndodhet në Tiranë, Split, Beograd apo Prishtinë, për shembull, mund të informohet rreth tij, të marrë informacione, por edhe të hyjë në komunikim. Projekti është një formë propozimi që letërsia e Jugut dhe Lindjes europiane të shkojë drejt njëra tjetrës dhe njëkohësisht të takohet me Perëndimin. Kjo platformë promovon idenë e letërsisë me prani, pra jo vetëm të njohim librat, por edhe autorët dhe përkthyesit e tyre. "Reading "Ballkans" i kushtohet autorëve dhe letërsive të shoqërive pas konfliktit. Ky trem kërkon një  shpjegim. Duket sikur rajoni ynë  i ka lënë pas konfliktet e hapura, nuk ka më luftra, dhunë, vrasje, varre masive. Sigurisht që të tilla nuk ka më, por konflikti ka mbetur, madje është po aq i mprehtë dhe shkatërrues, pasi konflikti është drejtuar në kulturë. Mospranimi i tjetrit, shpërfillja kulturore, keqkuptimet stereotipet dhe klishetë me prirje nacionaliste janë të pranishme në rajonin tonë. Forma më e dukshme e tyre është mosbesimi se në kulturën fqinje, të kulturën e "tjetrit", mund të ketë letërsi të mirë. Ky konflikt mban në këmbë mitet kulturore, ushqen modelet e superioritetit në kulturë dhe trajtimit të tjetrit si kulturë inferiore. Të gjitha këto dhe format e tyre të ngjashme bëhen parakushte për rikrijimin e konflikteve të dhunshme. Programi është i hapur dhe ka mirëpritur shkrimtarë, poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Shqipëria, të cilët, falë konkurimit, tashmë kanë filluar të jetojnë në "shtëpinë e tjetrit".

Rezidencat letrare të programit të lexojmë Ballkanin dhe shkrimtarët ballkanikë ka futur në bashkëpunim elementë të pasur të skenës alternative kulturore dhe kjo është me mjaft rëndësi. Pra nuk kemi të bëjmë me një program të "privatizuar nga shteti", siç ndodh shpesh  me shtetin a me qeveritë në vendet e rajonit tonë, të cilët pushtojnë dhe zhdukin çdo hapësirë publike dhe alternative. Programi "Reading Balkans" ka bashkuar në një platformë disa shtëpi botuese, si "Goga" në Slloveni dhe "Goten" në Maqedoni, Qendrën Multimedia në Kosovë, e njohur për kontributin e vet në botime, festivalin "Polip" dhe sidomos në punën me teatrin si mjet i drejtpërdrejtë komunikimi, PEN Qendra në Bornjë dhe Hercegovinë Shoqatën kulturore "Krokodil" në Serbi dhe "Kurs" në Kroaci, dhe "Poeteka" në Shqipëri. Bëhet i rëndësishëm edhe fakti se autorët e fitues të bursës për rezidencën letrare dhe ata që do të fitojnë, do të kenë një agjent letrar, që do t'u krijojë atyre mundësi komunikimi, kontakte dhe publikimi. Ky element, përveçse është risi dhe koncept lehtësues për autorët, bëhet edhe ndihmë për të kuptuar se si mund dhe duhet të funksionojë një skenë e pavarur letrare, e pasponsorizuar dhe e painvestuar nga kontribute jashtëletrare.

-Ju jeni drejtues i këtij projekti, dhe mund të themi një  nga njerëzit që në përpjekjet tuaja lexojmë një veprimtari dinamike për njohjen reciproke të autorëve, letërsive në rajon. Ne këtë, si lexues shqiptarë e ndjejmë, mbase jemi vend i vogël, ose kryeqyteti është një rreth i qendërzuar sa njihen më shpejt njerëzit e marrin më shumë rëndësi. Si ka qenë kjo ndërsjellje letrare, pritshmëria në vendet ku ka shkuar letërsia shqipe?

E kemi shqiptuar tanimë se, me gjithë një hapje paksa më të madhe dhe përpjekjet me ngulmim që kemi bërë, letërsitë e rajonit tonë ende pak të njohura, për shkak të botimeve të kufizuara edhe mungesave që i kemi përmendur, qoftë mungesa e prkthyesve të shumtë, qoftë mungesa e mendimit. Por mbi këto fakte unë do të theksoja fort se letërsia e rajonit tonë mund të jetë e palexuar, por jo e palexueshme, pasi prej kësaj letërsie, vetëm kohët e fundit janë botuar kryevepra të mirëfillta letrare.

Një rast i tillë, ndër më të fundit, është ai i autores kroate Daša Drndić, prej të cilës është botuar vepra e shquar "Sonnenschein" dhe është në projekt "Belladona", që pasi ka hyrë në listën e ngushtë prej 3 kandidatë, vetëm pas pak ditësh, më 10 Prill 2018, mund të shpallet autore fituese për veprën më të mirë letrare të përkthyer nga gjuha origjinale në anglisht dhe të botuar nga një botues në Mbretërinë e Bashkuar.

Me këtë dua të them se nuk ka "letërsi të vogla dhe të mëdha", "kultura të vogla dhe të mëdha", "gjuhë të vogla dhe të mëdha", ka vetëm autorë, botues, përkthyes dhe lexues të mirë, që "përgjojnë" kryeveprat letrare dhe që e kthejnë në qëllim futjen e këtyre kryeveprave në fondin e artë të letërsisë së një vendi. Letërsia shqiptare, larg çdo entusiazmi dhe euforie, por merr pak më shumë vëmendje, pra nuk është një ishull utopik, por po zë pak më shumë vend në hartën reale të përkthimeve.

Në perceptimin e lexuesit të huaj  ajo mbetet e lexuar pak dhe vetëm përmes disa emrave që, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthore, falë rrugëve institucionale dhe punës gjurmuese të shtëpive botuese apo saje njohjeve njerëzore të llojit shortcut, ka mundur të përkthehet në gjuhë të ndryshme të Europës. Ka ftesa dhe lëvizje, por letërsia që shkruhet në gjuhën shqipe duket si e gozhduar (jo e kryqëzuar, se nuk e ka mbërthyer kush, siç edhe nuk na ka shenjtëruar) në termat "e vogël" / "e panjohur".  Pra, lutje për më pak eufori për përpjekjet e pamjaftueshme, por sidomos më pak zhurmë e zulmë, por sidomos për arritjet e pakta, të cilat bëjnë më shumë zhurmë sesa punë.

– Creative Europe, Traduki, apo çmimet letrare që vijnë nga Europa si projekte të BE-së, a nuk "selekton" letërsinë, nuk i jep liri lexuesit, ose dyshoj se bëhet më politike?

Çdo iniciativë, çmim e vlerësim është dhe do të mbetet e mirëpritur, përderisa prej nesh, pra prej faktorit shqiptar që merret me to në nivelin e partnerit lokal, do të ketë përkushtim, sinqeritet dhe marrëdhënie të sinqertë me veten dhe jo me çmimin letrar, me bursën a me projektin. Të gjitha këto janë rekomanduese, jo detyruese, lexuesi nuk futet në asnjë shtrëngim të lexojë një autor me çmim prej stukturave të tilla apo të marrë pjesë në një veprimtari të mbështetur nga rrjete si këto.  Letërsia shqiptare, nuk është, por bëhet e padukshme. Ajo demonstron sjellje asociale, mungesë vetëvlerësimi e përfaqësimi dhe vazhdon të rrijë e strukur brenda zonës së saj gjuhësore, duke mos marrë pjesë sa duhet dhe sa mundet në përfaqësimet që zhvillohen në rajon dhe në Europë. Në këtë lëvizje, rrjeti Traduki dhe iniciativat "Creative Europe" kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë dhënë ndihmesë domethënëse, pa shpërfillur nisma të brendshme, si ajo Ministrisë së e Kulturës mbi përkthimin e letërsisë shqiptare, që po zë vend.

– Përkundër letërsisë që përpiqet të gjejë të ngjashmit mes vendeve të Ballkanit, politika sheh në të kundërt, dhe roli i shkrimtarëve duket sa vjen e bëhet më i zbehtë. Po të nisemi konkretisht nga ne, vendi ynë a nuk ndjen të njëjtën gjë?

Suksesi ndahet më lehtë se dështimi. Ndodh pak a shumë si me plaçkën e luftës nga Antikiteti në Mesjetë, secilit nga pak. Por pas çdo dështimi priremi të gjejmë jo rrugëzgjidhje, përmirësime apo zgjerim të bashkëpunimit, por fajtorët dhe armiq që na pengojnë të shkëlqejmë. Pas fqinjëve, "armiqve të përhershëm kulturorë", që na shpërfillin dhe na keqtrajtojnë, shteti, politikat kulturore dhe qeverisja mbetet të jenë fajtori ideal. Dhe pse jo?

A nuk ka dashur vetë politika ta marrë rolin "protektor" dhe a nuk ka zgjedhur ajo të jetë jo partner, por investitori dhe koncesioneri kryesor i "produktit kulturor shqiptar"? Faktorët e tjerë kontribues në fushën e librit, me gjithë nismat, nuk kanë ofruar ende modele alternative të qëndrueshme e të pavarura, që nuk do ta lejonin shtetin të merrte formën e një korporate sponsorizuese, që josh dhe shpërblen vetëm "artistët e tij". Madje vetë faktorët e skenës alternative të librit dhe të përurimit, priren të imitojnë shtetin, duke prikuar edhe ata listat me "artistët e tyre". Kjo reminishencë ka shije të hidhur, jo vetëm për kujtesën dhe lidhjen me totalitarizimin e artit dhe çdo strukture të tij. Me shumë për simetrinë, për përsëritjen e përhershme të të njëjtit gabim, edhe kur e kemi provuar se kjo skemë nuk do të na çojë larg.

-Poeteka, apo Festivali i Ndërkombëtar i Letërsisë, që organizoni, mbahet mbi leximet publike. U jemi drejtuar dhe herë të tjera për këtë raport me lexuesit, dhe mjaft herë ka pasur debat sa lexojnë shqiptarët. A nuk krijojnë një "hartë" të izoluar, qoftë hapësirave por edhe interesit për librin?

E kemi prekur edhe herë të tjera së bashku këtë temë dhe këtë çështje a problematikë, quajeni si të doni në një intervistë. Në vend të fjalës publike do të përdor fjalën lexime autori apo lexim autorial. Ka një dallim të dukshëm tek ajo që kemi bërë, që po bëjmë dhe që dëshirojmë ta bëjmë edhe në vijim. Nxitjen e leximit nga autori. Leximin e autorit, ku autori lexon përballë publikut të tij, kjo është prirja jonë. I jemi drejtuar atij publiku që vjen i pashtrënguar drejt këtij autori dhe pa asnjë detyrim a kushtëzim, i palistuar dhe i paskeduar, dhe që nuk i kërkohet llogari nëse vjen vetëm një herë apo që  është vizitor i shpeshtë dhe që nuk ia thërrasin publikisht emrin të lexojë, me komandë apo me urdhër, plus një buzëqeshje, si një spektakël. I kemi dhënë rëndësi leximit pa ndërmjetësim. Pra jo thjesht lexim publik, apo lexim në publik apo leximi i njerëzve publikë për lexuesit që dinë të lexojnë dhe që nuk kanë nevojë për këshillim. Autori, shkrimtari lexon, as aktori për autorin, as iniciativat politike, prej të cilave shpesh nuk kemi të dhëna se sa për qind u rrit leximi, as leximet rituale, për të cilat kujtohemi sa herë që vjen 21 marsi, 22 prilli apo 32 gushti…Autori lexon, përderi sa kemi mundësinë dhe luksin e madh ta kemi përballë autorin. Tingëllon bukur edhe kur lexuesi a përkthyesi lexon autorin e tij, sidomos në prani të vetë autorit. Këto prirje kemi përuruar. Dhe jo shumë javë më parë, në çelje të iniciativës "PoetryCard", ku në "Hemingway Bar "u përurua rishtasi revista "Fryma" e vitit 1944, Rilke në mbërritjet e tij më të para në shqip  dhe Arshi Pipa përkthyes, apo kur  në "Friend's Book House" u përurua përmes leximesh autor-përkthyes lexues krijimtaria e shkrimtarit Miroslav Čurćič apo leximi e creative-ëriting me poetin kroat Marko Pogaçar, që do të zhvillohet këtë muaj. Por përsëri është pak, ndonëse mund të jetë një fillim i mirë. Me gjasë.

Marko Pogaçar, i pari në Reading Balkans

Poeti kroat Marko Pogačar është autori i parë që çel programin e Shkrimtarëve në Rezidencë Reading Balkans 2018. Është hera e dytë që ky autor viziton Tiranën. Hera e parë i takon qëndrimit të tij njëjavor, ku ai, me ftesë të Festivalit Ndërkombëtar të letërsise Poeteka dhe me rastin e "DadaFestLiterature 2016", performoi poezitë e tij në disa pika të rëndësishme për kujtesën historike dhe kulturore të kryeqytetit, si te  "BunkArt 1" në "PostBllok" dhe te "Reja", ndërkohë që rikthimi i Marko Pogačar në vitin 2018 lidhet me angazhime për bashkëpunime më të gjera letrare. Marko Pogačar (Split, 1984) studioi letërsi të krahasuar dhe histori në Universitetin e Zagrebit. Ai është autor i njëmbëdhjetë librave me poezi, ese dhe prozë, për të cilët është vlerësuar me çmime letrare në Kroaci dhe çmime të tjerë ndërkombëtarë. Mes të tjerësh janë të mirënjohur librat me poezi "Pijavice nad Santa Cruzom" (2006, 2009), "Poslanice obicnim ljudima" (2007) "Predmeti" (2009) si dhe libri me ese "Atlas glasova" (2010).  Nga motivet e natës, zjarrit, erës, tymit dhe ziftit autori thur një labirint të zymtë të kohës së sotme. Libri "Crna pokrajina" (Vend i Zi) i Marko Pogačar-it  është botuar në gjermanisht me titull "Schëarzes Land", në përkthimin e Alida Bremer-it, pranë botimeve "Edition Korrespondenzen", Vjenë. Në vitin 2014 Marko Pogačar përgatitit antologjinë e "Lirikës së re kroate". Ai është redaktor i revistës së njohur letrare "Quorum" si dhe i revistës online për çështje kulturore dhe sociale "Proletter.me". Marko Pogačar është ndër të tjera bashkëpunëtor Literarische Colloquium Berlin, Passa Porta, Internationales Haus der Autoren Graz, Civitella Ranieri, Récollets-Paris, Milo Dor, Brandenburger Tor, Krokodil Beograd dhe Literaturhaus NÖ. Libra dhe tekste e tjerë nga Marko Pogačar janë përkthyer dhe botuar në më shumë se tridhjetë gjuhë. Poezitë dhe tekste të tjerë të autorit kroat Marko Pogačar janë përkthyer në shqip nga Ben Andoni, Anton Berishaj, Suadela Balliu janë në revistën letrare "Poeteka", partner me Eurozine. Brenda një kohe shumë të shkurtër Marko Pogačar është bërë një figurë kyçe në skenën poetike të Europës Juglindore. Vëllimi i tij me titull "Crna pokrajina" është një përballje sensuale dhe njëkohësisht intelektuale me kushtet në të cilat njeriu fiton lirinë. Historia, tregon  Pogačar, është detyra e çdo individi, një gjë intime, për të cilën duhet të luftosh – është "hapësira nën thonj".

 

Marko Pogačar

 

REVOLUCIONI PERMANENT I GJUHËS SË POEZISË SË DASHURISË 

TROCKISTËVE TË LODHUR

Si, në vitin 2007, të shkruash poezi dashurie?

kjo është kohë e dendur nga dashuria.

të gjithë, në të vërtetë, na duan me masë.

teoria flet për mungesën e plotë të lëvizjes.

tregu thotë: nëse flet për dashurinë,

flet për zotin, ose anasjelltas.

Pogaçari është i mendimit: gjithçka është zot , zoti është asgjë.

bombardues përplot domethënie të rrezikshme.

por diku në cepin e asaj dashurie, kur ta mbërthesh pas murit,

del diç e papërmbajtur.

rezervat i marrjes dhe dhënies.

dhe në të një baobab nëpër kurorën e të cilit ngjitesh në qiell.

në fund e di: e vemja gjë më e tmerrshme se fashizmi

është fashizmi i matur.

Përktheu: Anton Berishaj

03 April 2018

READING BALKANS 2018 – Marko Pogačar

READING BALKANS 2018 –

Filloi në Tiranë programi READING BALKANS 2018.
Poeti kroat Marko Pogačar është autori i parë që çel programin Shkrimtarëve në Rezidencë READING BALKANS 2018. Është hera e dytë që ky autor viziton Tiranën. Hera e parë i takon qëndrimit 1 javor, me ftesë të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë "Poeteka", me rastin e "DadaFest 2016", ndërkohë që ky rikthim në vitin 2018 lidhet me bursën e qëndrimit 1 mujor si pjesë e projektit READING BALKANS 2018, që organizohet nga Poeteka dhe bashkëfinancohet nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian dhe Traduki.

Marko Pogačar (Split, 1984) studioi letërsi të krahasuar dhe histori në Universitetin e Zagrebit. Ai është autor i njëmbëdhjetë librave me poezi, ese dhe prozë, për të cilët është vlerësuar me çmime letrare në Kroaci dhe çmime të tjerë ndërkombëtarë.
Në vitin 2014 Marko Pogačar përgatitit antologjinë e "Lirikës së re kroate". Ai është redaktor i revistës së njohur letrare "Quorum" si dhe i revistës online për çështje kulturore dhe sociale "Proletter.me".
Marko Pogačar është ndër të tjera bashkëpunëtor Literarische Colloquium Berlin, Passa Porta, Internationales Haus der Autoren Graz, Civitella Ranieri, Récollets-Paris, Milo Dor, Brandenburger Tor, Krokodil Beograd dhe Literaturhaus NÖ.

Libra dhe tekste e tjerë nga Marko Pogačar janë përkthyer dhe botuar në më shumë se tridhjetë gjuhë. Poezitë dhe tekste të tjerë të autorit kroat Marko Pogačar janë përkthyer në shqip nga Ben Andoni, Suadela Balliu, Anton Berishaj, dhe janë në suplementin letrar "Milosao" të "Gazeta shqiptare" dhe në revistën letrare "Poeteka", partner me EUROZINE.

Projekti READING BALKANS 2018 mirëpret dhe bashkon në një platformë të vetme poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Europa Juglindore (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia). Projekti READING BALKANS 2018

Programi READING BALKANS 2018 i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë.

Rezidencat Letrare në kuadër të Programit READING BALKANS 2018 vijnë si bashkëpunim i Shtëpisë Botuese Goga (Slloveni), Goten Publishing (Maqedoni), Udruženje Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Croaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), PEN Qendra (Bosnjë-Hercegovinë) dhe partnerë të tjerë.

29 March 2018

Miroslav Ćurčić - Lexim autori - Traduki - Poeteka - Tirana in Between

Nga takimi i mbrëmshëm në Friend's Book House: Mirupafshim - Dovidenia - Good Bye me tregimtarin nga Beogradi Miroslav Ćurčić, i cili, gjatë muajit mars, qëndroi në Rezidencën letrare "Tirana in Between-2018", si pjesë e programit për shkrimtarë e perkthyes letrarë mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA.

Pas një muaji qëndrim në Rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, "POETEKA - Tirana in Between", prozatori nga Beogradi, Miroslav Ćurčić u përshëndetet me miqtë dhe lexuesit e tij përmes një mbrëmjeje letrare në Friend's Book House. Të pranishmit, shkrimtarë, përkthyes, gazetarë dhe lexues, ndoqën bashkëbisedimin e autorit me shkrimtarin Arian Leka, me përkthyesin e gazetarin e kulturës, Ben Andoni dhe studiuesen e antropologjisë Armanda Hysa, të cilët folën mbi veçanitë e prozës së këtij autori, mbi çështje të kulturës dhe përkthimit në raonin e Ballkanit, mbi praninë e autorëve shqiptarë dhe serbë në projektet botuese dhe mbi mënyrën se si e kanë parë dhe se si e shohin "TJETRIN" në kulturën shqiptare dhe serbe. Tregimet e Miroslav Ćurčić u lexuan në shqip dhe në serbisht. 
Tregimitari Miroslav Ćurčić rrëfeu përvojat e tij gjatë qëndrimit në Tiranë, përshtypja nga vizita në qytetin e Durrësit si dhe shfletoi disa fletë nga ditari në dorëshkrim, që autori ka mbajtur gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar. Ndërmejet këtyre, Miroslav Ćurčić interpretoi në guitalele mizikë, si formë përshëndetjeje për të ftuarit në këtë mbrëmje.
Miroslav Ćurčić ka botuar se fundmi përmbledhjen me tregime "Vdekja në Bashaid", vepër kjo e mirëpritur nga kritika. Tregime nga ky libër, nën përkthimin e Merima Kriezi, janë botuar edhe më herët në gjuhën shqipe në revistën "Poeteka" dhe në suplementi letrar "Milosao", ku mes të tjerëve veçohen "Hipnoza" dhe "Si mbeta pa gishtin e madh…". Gjatë qëndrimit të tij në rezidencën letrare, Miroslav Ćurčić u përfshi në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar, bëri udhëtime në qytete të Shqipërisë, krijoi lidhje me përkthyes dhe njerëz të kultures, mbajti një ditar udhëtimi dhe zhvilloi hobin e tij mbi fotografinë e qendrave dhe të periferive.
Me këtë autor, programi i Rezidencës së shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë hyri në vitin e gjashtë, si bashkëpunim i rrjetit TRADUKI dhe Shoqatës POETEKA. Gjatë kësaj periudhe Tirana është vizituar nga 33 shkrimtarë e përkthyes nga Ballkani dhe Europa.

Total Pageviews