19 March 2018

“Nga Austria me dashuri”, Kartolinat letrare si format komunikimi mes kulturave

"Nga Austria me dashuri", Kartolinat letrare si format komunikimi mes kulturave

Fatmira Nikolli – Kartolina letrare që nën titullin "Nga Austria me dashuri", nuk do të shërbejnë vetëm si komunikim përmes imazheve, siç është bërë tashmë një rutinë sot.

Këtë ide ka propozuar "Poeteka" në përurim të vitit kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë, mbështetur nga ambasada e austriake në Tiranë dhe partnerët e saj. Nuk do të jetë thjesht një ngjarje e veçuar kulturore, por një sërë veprimtarish që, duke filluar nga 20 marsi, do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2018, duke hedhur çdo muaj në qarkullim një kartolinë dhe duke e ofruar atë në mjedise publike të Tiranës dhe Shkodrës.

Veprimtaria i drejtohet publikut të gjerë, nxënësve dhe studentëve, por veçanërisht lexuesve dhe përkthyesve, të cilëve u dhurohet një mjet të ri komunikimi, siç është komunikimi përmes kartolinave dhe të rejave që përcjellin ato. Nuk bëhet fjalë për mesazhe të shkurtra, por tekste të plota letrare si dhe për portretet e autorëve që i krijuan ato. Por mënyra e përdorimit të kartolinave letrare "Nga Austria me dashuri", nuk kufizohet vetëm me leximin apo koleksionimin e tyre.

Ato fare mirë mund t'u dërgohen njerëzve të dashur në formën e kartolinave me mbishkrim, me shënime vetiake, por edhe si një mënyrë që nxit dhurimin e poezive për ngjarje të veçanta të jetës së gjithsecilit, kulturë kjo mjaft e përhapur në Europë. Te kjo prirje mund të shohim edhe një element alternativ që promovon shkrimin dhe leximin jashtë mjeteve të botës virtuale, që nxit dorëshkrimin dhe leximet në mjedise intime dhe të hapura.
Kjo nismë që përuron të dy kulturat, vjen në kuadrin e veprimtarive që zhvillohen nën moton "2018 – një vit plot ngjarje kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë", që ambasada e Austrisë në Tiranë organizon në bashkëpunim me "POETEKA", si pjesë e programit Poetry Card – From Austria to Albania with Love".
U zgjodh pikërisht formati i kartolinave letrare dhe jo ndonjë format tjetër komunikimi, pasi Austria njihet në Europë si një prej atyre vendeve që i përdorën që herët kartolinat si mjet komunikimi mes kulturave. Kjo prirje e tyre nuk u ndërpre madje as në vite të vështirë, si vitet mes dy luftërave. Tashmë ky komunikim përmes imazhit dhe tekstit që ofron kartolina, përbën një traditë të gjerë dhe të pasur prej 115-vjeçare në atë hapësirë.

POETEKA e rikthen këtë traditë përballë publikut shqiptar në një format të ri, kushtuar promovimit të kulturave përmes teksteve letrare, përmes përkthimit dhe leximit të autorëve austriakë dhe shqiptarë. Si pjesë e këtij programi "POETEKA" ka përgatitur një seri me kartolina kushtuar autorëve austriakë, krijimtarisë së tyre të përkthyer në shqip, por edhe disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri.
Disa prej emrave të autorëve që përurohen përmes kartolinave letrare janë të njohur, pasi një pjesë të krijimtarisë e kanë të lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët. I tillë është rasti i shkrimtarit austriak Joseph Roth, reportazhet e të cilit u botuan për herë të parë në vitin 1927 në faqet e gazetës gjermane "Frankfurter Zeitung" dhe që në shqip është përkthyer nga Lindita Arapi.
Por mes tyre do të ketë edhe autorë të tjerë, klasikë dhe bashkëkohorë, duke filluar me Rilke, te Jelinek, me Mira Lobe, te Klemens Renoldner, nga autorja për fëmijë Christine Nöstlinger apo edhe autorë që e kanë vizituar Tiranën më herët përmes rezidencës letrare "POETEKA", si artisti grafik dhe botuesi Christian Tanhäuser apo Ilir Ferra.
Veçanti do të përbëjë edhe fakti që disa nga kartolinat letrare do të përurohen gjatë kohës kur autorët të gjenden në Shqipëri, siç është rasti i shkrimtares dhe përkthyeses Andrea Grill apo i shkrimtarit Karl Markus Gauß, që do të jetë në Tiranë gjatë muajit tetor 2018.

Të gjithë së bashku, autorë, përkthyes dhe lexues komunikojnë mes tyre me ndërmjetësinë e kartolinave, imazheve të ballinave të librave dhe portreteve të autorëve dhe përkthyesve.
Përmes formatit të "fjalës fluturake", rivendoset një marrëdhënie e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe me leximin. Ata që do i marrin në dorë kartolinat letrare, do të njihen jo thjesht me portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtarinë e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanishten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit. Por përmes kartolinave letrare u kushtohet vëmendje e posaçme edhe përkthyesve, si urë mjaft e rëndësishme komunikimi.
Nisma e promovimit të kulturave përmes projektit "Poetry-Card" – kartolina letrare, e çon datën e komunikimit letrar mes Austrisë dhe Shqipërisë jo vetëm në marrëdhëniet e sotme, por vendos si kufi të kësaj nisme një datë historike prej më shumë se 70 vjet.

Vetë programi, i shtrirë përgjatë gjithë vitit 2018, përmban mjaft befasi. Por takimi përurues i formatit të kartolinës letrare, qe mbahet në "Hemingway", ditën e martë, më 20 Mars, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë, bëhet tejet i veçantë, pasi bashkë me portretin në formë pulle të poetit të shquar austriak Rainer Maria Rilke, si autori që çel serinë e kartolinave letrare, publikut i bëhet e njohur edhe ballina e një reviste letrare të Shqipërisë së vitit 1944. Këto të dhëna i ofrohen publikut si pjesë e një kërkimi që ka bërë në shtypin e viteve 1930-1940 shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka.

Në këtë revistë letrare, pavarësisht nga vitet e vështira politike, janë promovuar vlera të kulturës letrare austriake. Bashkë me to, kureshtja e këtij përurimi shtohet përmes përkthimit në shqip të një poezie të Rilkes, nënshkruar me pseudonim letrar nga një autor e përkthyes i njohur më pas, që asokohe ishte në hapat e tij të parë të krijimtarisë.
Për një komunikim më të gjerë me publikun programi "Poetry Card – From Austria to Albania with love" do të bëhet i njohur përmes takimeve dhe bisedave në shkolla, në qoshkat letrare dhe kafe-libraritë e kryeqytetit dhe të disa qyteteve të tjerë, në institucione të ndryshme kulturore, në galeri arti, autobusë turistikë, të cilat do e mbështillnin qytetin me këtë atmosferë të rrallë të komunikimit përmes kulturave.

POETEKA - Poetry Card – From Austria to Albania with Love

Në kuadrin e këtyre veprimtarive dhe nën moton: 2018 - një vit plot ngjarje kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë - Ambasada e Austrisë në Tiranë, në bashkëpunim me POETEKA dhe partnerë të tjerë, çel Programim "Poetry Card – From Austria to Albania with Love". 

U zgjodh ky format pasi Austria njihet si një prej atyre shteteve që i përdorën kartolinat si mjet komunikimi mes kulturave që herët. Komunikimi përmes imazhit dhe tekstit, që ofron kartolina, përbën një traditë të gjerë dhe të pasur 115-vjeçare. POETEKA e rikthen këtë traditë përballë publikut shqiptar në një format të ri, kushtuar promovimit të kulturave përmes teksteve letrare, përmes përkthimit dhe leximit të autorëve austriakë dhe shqiptarë.
Të gji
thë së bashku, autorë, përkthyes dhe lexues komunikojnë mes tyre me ndërmjetësinë e kartolinave. Përmes formatit të "fjalës fluturake", rivendoset një marrëdhënie e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe me leximin. 
Ata që do i marrin në dorë kartolinat letrare, do të njihen jo thjesht portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtarinë e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanishten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit. 
Fillon me një poezi të Rainer Maria Rilke-s, përkthyer nga "Ars", botuar në revistën "Fryma", Shkodër, 1944, për të vijuar përgjatë një viti të plotë kulturor me emra të tjerë si, Joseph Roth, i njohur për tekstet e tij kushtuar Shqipërisë në periudhën mes dy luftrave, shkrimtarë për fëmijë si Christine Nöstlinger, artistë që e kanë vizituar Shqipërinë si fitues të bursës për rezidencën letrare "POETEKA – Tirana in Between", si artisti grafik dhe botuesi Christian Tanhäuser apo Ilir Ferra, autorë të botuar në gjuhën shqipe, si Andrea Grill apo shkrimtarë si Karl Markus Gauß, që do të jetë në Tiranë gjatë muajit tetor 2018 .

Takohemi nesër, ora 19, më 20 Mars, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë, te "Hemingway Bar", Rruga "Kont Urani", Tiranë.


http://www.mapo.al/2018/03/poeteka-kartolinat-letrare-si-format-komunikimi-mes-kulturave/




13 March 2018

Arian Leka Si e zhdukin ballkanasit fqinjin nga harta

Dr. Arian Leka Si e zhdukin ballkanasit fqinjin nga harta?!

Pa një arsye nuk mund të nisë. Por ndonjëherë nuk mjaftojnë as dy. Shkak i parë për shkrimin e këtij teksti u bë harta alegorike e njëqind vjetëve më parë, që mban titullin shënimin Europa lindore, 1917.

Gjëja që bie në sy është një rul që drejtohet nga ariu i bardhë rus dhe kontinenti si një zoopark i madh në panik. Mbi atë hartë shfaqet edhe portreti i një njeriu, shqiptari në përfytyrimin e kartografit, i cili duket sikur po del nga territori mbi të cilin shkruhet ALBANIA.

Hollësia e dytë lidhur me shkrimin i përket kujtimit të një mikeje, e cila disa vjet më parë, më tha diçka që e kam mbajtur mend:

Nuk ndihem serbe, tha. Ndihem jugosllave. Kupton? Edhe pse Jugosllavia nuk ekziston më në asnjë hartë, unë jugosllave jam, – vazhdoi ajo dhe, duke më vështruar në sy, shtoi: – E di ti se cila është fjala më e bukur në jugosllavisht? Jo? Dëgjoje. si tingëllon! Dui-ššoo!

Është fjala më e bukur e gjuhës jugosllave, edhe pse jugosllavishtja nuk mësohet më në asnjë shkollë. Duu–šš–oo! Të gjithë kombet që dolën pas shpërbërjes së Federatës e përdorin ende fjalën dušo! Kjo na mban të bashkuar, edhe pse nuk jemi më bashkë. E kupton rëndësinë e kësaj fjale, prijatelju moj? Jo? Have a nice flight, Dušo!, i dha fund monologut dhe, teksa largohej, përshëndeti me dorë, duke shtuar: – Mos e keni edhe ju në shqip, fjalën Dušo? Jo?! Sa keq! A jetohet pa dušo, my Albanian friend?!

Ato ishin fjalët e fundit që dëgjova prej poetes serbe, me të cilën kisha qenë në të njëjtin festival poetik. Më ishte dhënë rasti fatkeq të bëhesha pjesë e atyre gjykojnë. Francis Scott Fitzgerald-i nuk kishte patur të drejtë. Jo vetëm fytyrat e grave amerikane mbi të tridhjetat u ngjajnë hartave të pakënaqura. Tiparet në fytyrën e mikes sime ishin rrudhur dhe ruanin dhimbjen e hartës së vogël, që nuk përputhet me territorin.

Me të hyrë në dhomën e hotelit fillova të kërkoj në Google se ç'kuptim mund të kishte fjala dušo që, sipas saj, i mbante ende bashkë kombet e ndarë të ish–Jugosllavisë. Për ne shqiptarët, Jugosllavia ishte zhdukur prej hartës së miqësisë që prej vitit 1948. Bashkë me të po zhdukeshin edhe ata që e mbanin mend kohën e simbolikave me yllin e kuq pesëcepësh dhe të sloganeve të përbashkëta Smrt fašizmu – Sloboda narodu / Vdekje fashizmit – Liri popullit.

Po veniteshin edhe kujtimet e korrikut të vitit 1946, kur Enver Hoxha, teksa kthehej nga vizita e tij në Beograd, udhëzonte Koci Xoxen të merreshin masa për organizimin e një manifestimi madhështor në sheshin kryesor të Tiranës në të cilin, populli i ngazëllyer nga ky takim historik, të tundte flamuj të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, të ngrinte lart parullat kushtuar "marrëveshjes mes popullit shqiptar dhe popujve të Jugosllavisë" dhe "vëllazërimit të ushtrisë kombëtare shqiptare dhe ushtrisë heroike jugosllave", ndërkohë që mikrofonët e megafonët të shpërndanin kudo thirrjet "Enver -Tito".

Që prej asaj kohe ishim ndarë prej Titos dhe çdo gjë jugosllave dhe prej Jugosllavisë kishte hyrë në mënyrë klandesitine në Shqipëri. Thelbi i armisësisë së re, në kohërat moderne, shpjegohet nga karikatura me titull "Pija e preferuar e Titos", të cilën gazetari gjerman Harry Hamm fotografoi në Shkodrën e vitit 1961. Edhe sot slogani lexohet qartë. Klika revizioniste e Titos ushqehet me dollarët e imperializmit amerikan.

Kisha shkruar vetëm Duš.. në tastjerë, kur Google sugjeroi: Do you mean Dušan? Stefan Dušan the Mighty? Nuk po kërkoja Stefan Dušan-Ngadhënjyesin, nën sundimin e të cilit Serbia njohu kulmin e zgjerimit territorial, politik e kulturor i cili, "shtini nënë sunimin e tij mpronjat bizantine në Shqipëri", siç shkruhej në shtypin shqiptar1. Burimet përmendnin se ndërroi jetë në Devollin shqiptar, si pasardhës i Stefan Deèanski-t, emri i të cilit shfaqet sa herë që përmendet Manastiri i Deçanit në Kosovë. Po kërkoja kuptimin e një fjale të vetme: Dušo. Shkrova sërish Duš…, kur Google sugjeroi versionin e dytë: Do you mean Dušman? Në monitor levova: Düºmen – huazim prej turqishtes otomane. Dushmán!

Përveç shpjegimit në fjalorin etimologjik2 fjalën dushmán e kisha ndeshur edhe si emër krahine a fisi. Po atë fjalë aspak të panjohur për mua, e kisha ndeshur edhe te Theodor Ippen i cili, siç saktësova në kthim, kishte botuar artikullin "Shqipërija e ndarë në zotëní regjionale",3 ku mes të tjerëve, përmendej edhe "Luk Dushmani, zotëni i Pultit, mbi bregun e veriut të Drinit"4.
Kisha lexuar gjithashtu edhe shkrimin "Në shka fajíset Skânderbegu?", ku P. Marin Sirdani përmendte Lekë Dushmanin, princin e Zadrimës i cili, "bashkë me princa tjerë toskë e gegë", iu bashkua Lidhjes së Princave Shqiptarë, ku "Skënderbeu u zgjodh një zani kryetar i saj e kryegjeneral i ushtrisë së federatës".5 Vijimi i artikullit me njohu edhe me një dushman tjetër, me emrin Gjergj, që ndryshe nga i pari, "mbajti anën e Venedikut".
Por nuk mbaronte me aq. Dushmanët kishin zënë vend mirë në kulturën shqiptare, duke filluar që nga Eposi i Kreshnikëve, ku në këngën e Ali Bajraktarit – "Konstandini i vogëlith i këngeve akrite [që] ndërrohet në Shqiperinë pasturke e bëhet në Toskeri Ymer Ago, në Gegëri Aga Imeri dhe Ali Bajraktari"6 – se "n'Bjeshkë të Nalta dushmani â dalë/n'medis t'udhës kamkryq–o ish nalë" e deri në Kangën e Dytë te Lahuta e Malsisë, ku djelmt shqiptarë lëvdoheshin se kishin qenë "ma t'parët n'fushë t'mejdanit" dhe "ma të rreptë n'ballë t'dushmanit".


Veçse "dushmanët tanë" paskëshin qenë jo vetëm të jataganit, por edhe njerëz si ipeshkvi i Pultit, Pal Dushmani që, pavarësisht se për Papatin quhej Paolo Dusso/Dusmanus e për serbët Pavle Dušman, kishte qenë edhe autor kronikash e biografish dhe besohej se ndikoi në pajtimin mes Skënderbeut dhe Lekë Dukagjinit.7.
Por fjala dušman nuk gjendej e izoluar vetëm në një gjuhë e në një kulturë. Ajo i kishte bërë ballë aksioneve që mëtuan spastrimin nga çdo gjurmë dhe prani e të huajve në gjuhët e Ballkanit. Fjala dušman ishte treguar aq këmbëngulëse sa, jo vetëm që nuk u zhduk, por ruajti të njëjtin kuptim si për shqiptarët ashtu edhe për serbët, malazezët, maqedonasit, kroatët e boshnjakët. Edhe pse kishte kaluar më shumë se sa një shekull që prej pavarësimit nga Turqia, fjala dushman vazhdonte t'i mbante ballkanasit sërish bashkë, siç peri mban tespihet. Përmes kësaj fjale, ballkanasit kandidatë për në Bashkimin europian, duhet të kujtonin se ana tjetër e sloganit modern "të bashkuar në diversitet", donte të thoshte, veç të tjerash edhe "të bashkuar në armiqësi". Mikja serbe kishte pyetur mos kishim ndonjë Dušo të fshehur edhe në shqip? Kërkova në YouTube, derisa dëgjova zërin e një shkodrani, që këndonte: Shyqyr Dush–o' që t'kam kojshie / Kur t'mërzitem, o vij e rrije. Dy skaje litari mbi humnerën e fqinjësisë: Dušo – Shpirt; Dušman – Armik.

Shpikësit e hedonizmit mbështjellë me placentën e armiqësisë

Kur udhëton nëpër Ballkan duhet t'i përshtatesh klimës dhe të jesh i përgatitur për çdo ndodhi. Një flakërimë a krismë në qiell mund të jetë paralajmërim i një shtrëngate, po aq sa ç'mund të jetë edhe shenjë e fillimit të një lufte botërore. Vetëtimat përforconin mendimin se atentati është një gjendje e përhershme e një vrasjeje, pavarësisht nëse krimi ndodh në tokë, në kokë apo në qiell dhe se orët e fundit të pritjes para kthimit të shtëpi përmbajnë ankthe e mendime që nuk ndjellin mirë. Shkreptima e parë: Po sikur, për shkak të reshjeve të dendura të anulohen fluturimet drejt Tiranës?


Për të larguar dyshimet mora telekomandën dhe fillova të kërkoj ndonjë stacion televiziv, që transmetonte rubrikën e parashikimit të motit. Nuk kisha nevojë të njihja gjuhën. Shigjetat mbi frontet atmosferike mjaftonin, thua se nuk bëhej fjalë për klimën, por për fronte luftimesh që ndodhnin mbi hartën e vendeve fqinjë.
No 1 në telekomandë: BHT 1–Sarajevo. No. 2: Vojvodina–ÂÅÑÒÈ Novi Sad. Më pas Ljubjana. Shkupi. Podgorica. Emisione porno me shenjën +18. Rubrika me produkte bio, të kushtueshme për banorët e rajonit të varfër europian. Debat politik. Enë kuzhine dhe bizhuteri në shitje online. Rubrika gatimi pa hurdha e qepë, që i lejojnë njerëzit të puthen, pa drojën e duhmës kutërbuese dhe të gromësimës ekzotike të ngopjes ballkanase. Kishte gjithçka, po jo atë që doja.
Kur nuk pritej, në ekran u shfaq një valle e kënduar, motivin e së cilës e kisha dëgjuar teksa udhëtoja nga Shkodra drejt Malit të Zi. "Ajde Jano, 'ajde dušo, kolo da igramo. Ishte një 7/8 i qetë i cili, që kur ballkanasit filluan luftën nën ritme marciale, mbeti pa përkatësi etnike. Një Jano i panjohur i këngës ftohej të merrte pjesë në gëzim, të dalldisej, të kërcente bashkë me të dashurën, ta shisnin kalin dhe shtëpinë, vetëm për të mos e lënë në mes vallen. Por a çmendej kush për dashurinë? As serbët me emonodinë e tyre dhe as shqiptarët me polifoninë e Jugut që premtuan "Do marr sharrën / Do sharroj selvinë / Ty të t'bej sehirë/ Kur mbledh trëndafilë, moj / O, për dashurinë", nuk çmendeshim më. Koha kur njerëzit rrëmbenin jo armën, por sharrën, për të sharruar selvinë, e cila e pengonte të dashuruarin të shihte fqinjën e bukur të shtëpisë përtej, ishte kohë poetike brenda formës së kohës. Ndaj dhe dashnorët serbë nuk e shesin kalin, nuk shesin as shtëpinë. Ndaj dhe dashnori shqiptar nuk e mori kurrë sharrën. Nga shpikës të hedonizmit dhe të komedisë, ballkanasit ishin bërë placentë ushqyese për armiqësinë dhe pakush e kujtonte se kur kishte filluar ajo armiqësi mes fqinjëve në Ballkan?
Gazetat, ekranet dhe politikanët përmendin qindravjeçarë luftërash dhe shekuj urrejtjeje, ardhur prej kohërave kur "n'mëni t'sho'shoqit kemi le / kemë ndërmjet nji qiellë e'i dhe!". Prej këtej krijohej përshtypja sikur dikush mezi që pret t'i japë kuptime shoviniste Marko Kraljeviæ–it, (heroi kulturor që, për llogari të Sulltanit, me ndihmën e Zanës së vet dhe me thikën e fshehur në brez, vrau kreshnikun shqiptar me tri zemra a me tre gjarpërinj në gjoks), siç e gjejmë në eposin e Vuk Stefanoviæ Karadžiæ–it, në të cilin ndodhet edhe vargu pendesëtar: "Zot i mëshirshëm! Paskam vrarë një më të mirë se vetja". Dhe sa herë që dëgjon fjalimet apo një lajm mbi martesat ndëretnike në Ballkan, të duket se dikush do të të kujtojë gruan e Mark Kraleviæ–it, e cila i ankohet të shoqit se nuk i paskë sjellë "ndoj shqyptar të ri gjallë me ma kishe pru / e dadicë na fëmive do t'ja bajshim", siç del te Kanga e Gjergj Elez Alis në botimin e "Ora e Shkodrës" në vitin 1939.

Një shtet klimatikisht i varur dhe i papërfaqësuar në hartë
Këto vargje po sillja ndërmend, duke pritur që emisioni i motit të shfaqej në ndonjë ekran. Ishte agim kur stacioni që po transmetonte Ajde Jano, filloi lajmet dhe fill pas lajmeve, u shfaq sigla e rubrikës së shumëpritur: RTRS TV-Televizija Republike Srpske. Një burrë mbi të pesëdhjetat, që e mbushi ekranin me trup, filloi të shpjegonte tabelat sinoptike të motit mbi Ballkan. Kishte pamjen e pakënaqur të atyre që jeta i detyron të ndërrojnë profesionin në moshë të shkuar. Me gjithë lodhjen e lexueshme në fytyrë, ai shfaqej fuqiplotë, sa dukej sikur kishte nën kontroll jo vetëm territorin, por edhe zonat operative të presioneve atmosferike.
Diçka e pabesueshme m'u duk se ndodhi atë çast para syve të mi. Rrymat ajrore që kishin mbuluar hapësirën e Ballkanit i zhdukën kufijtë mes shteteve dhe retë e reshjet e shiut u duk sikur po rithemelonin Federatën Meteorologjike e ish–Jugosllavisë. Shtetet e ndara me luftë nga harta federative, duke lënë viktima e varre nga pas, sikur i bindeshin thuprës së njeriut që ndiqte veprimet e masave ajrore njëlloj siç një strateg ndjek lëvizjet e ushtrisë mbi hartat topografike. Prej aty, parashikuesi i motit dukej sikur urdhëronte mësymjen e armatës së reve, shpërthimin e stuhisë apo kundërsulmin e repartit të shirave të rrëmbyer mbi rajonin më të trazuar të Europës.

Çudia filloi më pas. Si mbaroi punë me vranësirat dhe reshjet, parashikuesi i motit filloi leximin e temperaturave. Beogradi 7 gradë celsius. Podgorica 10. Shkupi 8. Athina 13. Sofia 12. Bukureshti 11. Ankaraja 20 gradë. Budapesti 9. Pas kësaj leximi, ai përshëndeti me kokë dhe e mbylli duke thënë Hvala… i laku noæ! Kaq.
Prishtina ishte zhdukur sa hap e mbyll sytë nga harta e motit të televizionit serb. Për shkak të mosnjohjes formale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, e merrja me mend pse Prishtina zhdukej nga harta e reshjeve të rajonit tonë. Përderisa emisioni transmetohej në një ekran me financim shtetëror, Kosova ishte dhe duhet të mbetej Serbi jo vetëm në edicionet politike, por edhe për parashikimin e motit. Kosova nuk mund të ishte as klimatikisht një shtet i pavarur. Klima dhe moti ishin monopol shtetëror dhe pjesë e klimës politike. Ajo duket të mbetej krahinë autonome në hartën e reshjeve të Serbisë. Për cilën arsye duhet të ndaheshin në qiell ata që kishin qenë dhe do të jenë përjetësisht bashkë në Tokën e Shenjtë, siç shpallej nga militantët në sheshet e mitingjeve elektorale dhe nga tifozët në shkallët e stadiumeve?! Kjo ishte hakmarrja meteorologjike.
Duke parë se si një shtet i pavarur u zhduk aq lehtësisht nga harta meteorologjike, fillova të kërkoj të njëjtën rubrikë edhe në stacionet e tjerë. Ljubjana. Zagrebi. Beogradi. Sarajeva. Shkupi. Ato qytete nuk ishin zhdukur. Kishin ende vend në hartën e reshjeve. Por, pikërisht kur thupra e parashikuesit të motit duhej të ndalej mbi Tiranë, ndodhi më e pabesueshmja. Thupra e tejkaloi Tiranën, u shmang dhe qëndroi mbi Athinë. Cili do të ishte fati i kryeqytetit shqiptar dhe i një milion banorëve të tij, mbetur të papërfaqësuar në hartë dhe jashtë ndodhive klimaterike? Do të futeshin ata nën mëngën e errët të xhaketës së parashikuesit të motit, si dikur hebrenjtë nëpër kampe, si emigrantët afrikanë sot në Europë, për t'u zhdukur fillimisht nga harta e motit dhe më pas edhe nga harta antropogjeografike e racave dhe popujve?

Tani po, tani mund të shijoje një hartë pa shqiptarë, të pastër dhe të spastruar mirë. Vërtet që sot askush nuk të përjashton dot nga harta politike, por për të të zhdukur nga harta e parashikimit të motit nuk duhet mund i madhe. Çdo folës i zymtë apo folëse e brishtë e ekraneve në Ballkan, mund të të zhdukë nga harta e zhvillimeve sinoptike.

Të mësuar me shpërngulje, vrasje dhe vare masive, shikuesit as që do e vënë re një ndryshim kaq imcak sa zhdukjet popujve nga hartat e reshjeve. Madje as që do e marrin seriozisht se bëhet fjalë për kanosje, agresion, shantazh apo kërcënim. Fundja çfarë ndodh? Qesharake ta besosh. Ballkanasit nuk janë më ata, që merrnin gjak në vetull, që këndonin se t'i hanë mëlçitë gjallë dhe që i ndryshonin kufijtë si të ishte lesa e derës së kopshtit. Dëbimet nga harta klimaterike nuk ishin shenjë e mirë për ballkanasit. Ishin zbutur. Aplikonin forma të tilla forma elegante kërcënimi dhe hakmarrjeje? Nuk trashëgonin asgjë nga tiparet e paraardhësve. Të jenë ballkanasit aq të squllur e spitullaqë sa të ankohen se dikush i kërcënon me zhdukje nga harta e parashikimit të motit për sot, për nesër dhe për ditët në vijim? Por në Ballkan gjithçka fillon nga e vogla, si një rrufe e vetmuar në qiell, si atentati në Sarajevë, në Mitrovicën e ndarë apo mbi urën mbi lumin Vardar. Por a e kishte besuar kush se vrasja e diplomatit gjerman prej një hebreu polak, me banim në Paris për më shumë, diku në nëntor të vitit 1938 apo një Kristallnacht do të vinte në lëvizje një Holokaust aq të heshtur dhe aq elegant!?

Kill that Eagle! – Töte den adler! – Dikush mungon në hartë
Derisa mbërriti ora e nisjes drejt aeroportit, e shtyva kohën duke këqyrur hartat fantazmagorike me shtete dhe qytete të zhdukur, mbi të cilat lexoheshin fjalët vrit shqiponjën. "Kill that Eagle!" "Töte den adler!". Ishin alegoritë ngjethëse të Paul Hadol, të Fred W. Rose dhe të karikaturistëve të tjerë, ku fuqitë europiane dhe fqinjët ballkanikë personifikohen si arinj, rrëqebuj, majmunë, cerberë dykokësh, qyqe, lakuriqë nate, korba, kukuvajka e oktapodë.
Ky kishte qenë dikur përfytyrimi për tjetrin dhe për fqinjët tanë. Por nisur nga fakti i zhdukjes së tjetrit nga meteo–harta për shkak të shovinizmit meteorologjik, pas kthimit në Tiranë kërkova të di se si trajtoheshin fqinjët në rubrikat shqiptare të parashikimit të motit në ekranet kombëtare. A kishte edhe në Shqipëri raste të hakmarrjes meteorologjike, ku "tjetri ynë" fshihej nga harta, sikur të kishim të bënim jo me motin, por me strategji të spastrimit etnik?
Për fat të keq, edhe në ekranet e shumtë kombëtarë të Shqipërisë, ndodhte e njëjta dukuri. Gjithmonë dikush mungon në hartë, qoftë kjo edhe hartë e parashikimit të motit. Herë mungon Athina, herë Beogradi dhe herë Shkupi mungon në hartën tonë. Shpagimi ndodh çdo orë, me ngulmin e një përbetimi. Zhdukje, mospërmendje e emrit, sidomos ndaj fqinjit të dyshimtë.
Teleshikuesit e vendeve të Ballkanit – këta nxënës që e mësojnë historinë e urrejtjes nga mitingjet elektorale dhe gjeografinë nacionaliste nga rubrika sportive si dhe nga parashikimi i motit në ekran – e kishin tanimë armën sekrete për asgjësimin e fqinjit. Procesi zgjat fare paks, si të gjitha anestezitë. Disa fraksione kohe kushtuar të shpërfilljes së përditshme të tjetrit-fqinjë mjaftonin për të na mëkuar me qumështin e zi të Paul Celan–it dhe të urrejtjes që marrim çdo mëngjes e çdo mbrëmje nga ekranet, në kujtim të flokut tënd të artë Margaretë, që u bë i përhimtë, si floku yt, Sulamith.
Sakaq në ekran ishin shfaqur zyrtarë të lartë të shteteve ballkanike që, me buzëqeshje të ngrira dhe zell të shtirur ndaj ofertës europiane, shtrëngonin duart duke përsëritur sloganet për normalizim marrëdhëniesh mes fqinjëve dhe tejkalimin të armiqësimit shekullor. Ndërmend format e fshehura, por ngulmuese të propagandave, elaborateve me bazë gjenocidiste që, njëlloj si populizmi, militantizmi, autoritarizmi dhe autokracia, janë ringjallur në rajonin ballkanik dhe shumëfishohen nga ekrani në ekran.

Kujtoj me këtë rast një fotografi të periudhës së izolimit komunist, në të cilën dy njerëz krejt të panjohur, por të ngjashëm me prindërit tanë, për t'u mbrojtur nga dielli përvëlues i plazheve të Adriatikut shqiptar, rrinë strukur jo nën një çadër, por nën hijen e një tabele të llamarintë. Mbi llamarinën e ngjashme me një billboard apo ekran prej teneqeje, me shkronja kapitale, pa pikë dhe presje, por me ngjyra kombëtare kuq e zi, ishte shkruar një slogan. Edhe sot mund të lexohet i njëjti mesazh: "QËLLIMI I TELEVIZIONIT BORGJEZO–REVIZIONIST ËSHTË TË DEGJENEROJË MASAT!". Ata dy njerëz të ngratë, por dhe gjithë të tjerët që u strehuan nën llamarinat e sloganeve, besuan se llamarina do i mbronte nga rrezatimi i televizioneve armiqësore të fqinjëve.
Lupus in fabula. Ekranet me hartat e qyteteve të zhdukur të fqinjëve rrinë varur në muret e shtëpive, të zyrave dhe të kafeneve tona, siç vëreheshin dikur hartat në klasat ku zhvillohej lënda e gjeografisë. Perandoria e ekranit kujdeset në mos krijojë vakum. Secilit hartën e vet. Secili mund ta mbajë hartën e tij në telefonin celular, por edhe mund ta shpërndajë me një të prekur të gishtit tregues shumëfunksional (i njëjti me gishtin e këmbëzës së atentateve.)
Perandoria e ekraneve dikur do e përsosë aq shumë artin e kartografisë, sa mendjet ripërtyëse nuk do e kuptojnë më "dallimin thelbësor mes realitetit dhe përfaqësimit". Kemi qenë të paralajmëruar nga Jorge Luis Borges për këtë. Atëherë në kujtesën tonë të ekzistojë vetëm një formë harte: harta pa fqinj, harta me shigjeta dhe ngjyra dhe e ngjashme me hartat e veprimeve luftarake.
Në këtë ngut dhe me këtë uri për njoftime dhe lajme, pakkush do e vërë re dhe më të paktë do jenë ata që do e ndjejë mungesën shqiptarëve, serbëve, malazezëve, maqedonasve, boshnjakëve, grekëve apo kroatëve të zhdukur përmes vrasjeve virtuale që ndodhën brenda një fraksioni prej pesë minutash në brendësi të hartës meteorologjike. Pas kësaj, gjithçka, me gjasë, mund të përputhet me ëndrrën që Walter Benjamin-i shënoi në Ditarin e datës 6 Mars të vitit 1938.
Kur e pa veten përballë një harte me peizazh tmerrësisht të zymtë dhe aq të zhveshur, ai nuk e kuptoni nëse kishte të bënte me një djerrinë të ashpër apo atë me një tokë të populluar nga shenjat dhe shkronjat kapitale të shkruara mbi hartë. E dinte që atë çast ose e kuptoi më vonë se gjendej brenda labirinthit të makthit të tij. Por tmerri iu shumëfishua kur, edhe pas zgjimit, harta që pa në ëndërr nuk ishte zhdukur. Kishte mbetur aty. Një hartë skëterre dhe shkretimi. Gjurmë e pashlyer në kujtesë. Shenja e mungesës së një pranie të padallueshme, siç do të shprehej Derrida, edhe për fqinjin e zhdukur, që do i mungojë përgjithmonë kujtesës sonë.

Shënime
1 Revista "Dituria" e Lumo Skëndos. Numri 12, tetor 1928 në, f. 378.
2 Shih Eqrem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes III(C-D), Tiranë, 1987, f.365.
3 Po aty, f. 382.
4 Po aty, artikulli i Theodor Ippen. Dy shekëll e gjysn1ë nga histori e Shqipërisë. ff. 374-384
5 Shih "Hylli i Dritës", Nr. 1, viti 1936. Për më shumë rreth Lekë Dushmanit shih "Hylli i Dritës", Nr. 2, Dhjetor 1932.
6 Shih Eqrem Çabej: Për gjenezën e literaturës shqipe, Hylli i Dritës", Nr. 3-7, Marc-Korrik, 1939, f.158.
7 Më shumë rreth Pal Dushmanit shih artikullin e studiuesit Shaban Sinani Statutet e Drishtit dhe e drejta urbane në periudhën arbërore, botuar në revistën "Perla", Nr. 4, f. 27-57, Tiranë, 2005.

11 March 2018

Rihapet në Tiranë Shtëpia e Shkrimtarëve dhe e Përkthyesve letrarë - TRADUKI & POETEKA

Rihapet për të gjashtin vit shtëpia e shkrimtarëve në Tiranë 

- TRADUKI & POETEKA

Rifillon rezidenca për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë "POETEKA Tirana in Between". Për të gjashtin vit radhazi ky program kulturor mbështetet nga Traduki, një rrjet europian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtajn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.

POETEKA, njëlloj si partnerë të tjerë në rajon dhe në Europë, zhvillon këtë program kulturor në Tiranë dhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, brenda të cilit shkrimtarë dhe përkthyes nga gjuhët e rajonit drejt gjuhës shqipe, aplikojnë për një bursë qëndrimi katërjavor në kryeqytetin shqiptar.
Që prej vitit 2013, rruga "Derhemi" në Tiranë, ku dhe është vendosur apartamenti i shkrimtarëve të ftuar në rezidencën letrare, ka krijuar tashmë një trashëgimi vlerash kulturore. Këto vlera i bashkëngjiten historisë së kësaj zone të veçantë të Tiranës, por ajo bëhet gjithashtu edhe pjesë e historisë letrare të kryeqytetit shqiptar, që i ka mirëpritur këta shkrimtarë dhe përkthyes. Përtej kësaj marrëdhënieje fluide, shpesh jo lehtësisht të kapshme, ekziston edhe një marrëdhënie më e qëndrueshme dhe e shprehur dukshëm dhe drejtpërsëdrejti, pasi pjesa më e madhe e autorëve kanë lënë tekste të tyre në poezi dhe prozë kushtuar qyteteve të Shqipërisë.

Gjatë kësaj periudhe rezidenca letrare "POETEKA Tirana in Between", ka mirëpritur 30 autorë nga Ballkani dhe Europa, të cilët janë përfshirë në skenën artistike të vendit, duke ofruar lexime publike të ndryshme në Tiranë, Shkodër, Berat, Durrës, kanë lënë dhjetëra fletë të botuara apo ende në dorëshkrim, kushtuar përshtypjeve të tyre në Shqipëri si edhe kanë bashkëpunuar me përkthyes, për t'u publikuar më pas në shqip.
Mes tyre Tiranën e kanë vizituar shkrimtarë të shquar dhe të njohur si Luan Starova, Daša Drndiç, Bogomil Gjuzel, Jasna Šamiç, Jovan Nikolaidis, Nikola Madžirov apo Dan Coman si dhe autorë të rinj dhe mjaft të rinj si Tanja Bakiç, Daim Miftari, Barbara Poga?nik, Olya Stoyanova, Robert Perišiç, Jasna Dimitrijeviç, Shpëtim Selmani, Gašper Malej, Elena Prendjova, Bojan Krivokapiç, Ervina Halili. Këtij grupi autorësh i janë bashkuar edhe shkrimtarë dhe artistë të tjerë si Karen Köhler (Gjermani), Maurus Federspiel (Lihtenshtein), Christian Thanhouser (Austri), Dorian Steinhoff (Gjermani).
Disa nga autorët që kanë vizituar rezidencën letrare janë, botuar madje edhe në formën e librave të plotë, mes të cilëve libri me poezi "Kartagjena nuk mposhtet" i Luan Starovës, romani dokumentar "Fëmijët e dashurisë dhe urrejtjes", nga Daša Drndiç, librat me tregime "Drita e flakës në fytyrat tona", nga Dorian Steinhoff dhe "Ne i kapëm raketat me grep" nga Karen Köhler. Por nuk mbyllet e gjitha këtu dhe me një histori të arkivuar, pasi libra dhe përkthime të tjera janë në proces. Mes tyre vlen të veçohet përkthimi edhe më pas edhe botimi i romanit mjaft të suksesshëm "Paula" i autores gjermane Sandra Hoffmann, e cila do të vizitojë Tiranën në vjeshtë të vitit 2018, si pjesë e bashkëpunimit të "Goethe Zentrum", Tirana dhe "POETEKA".

AUTORI I MARSIT


Autori që çel vitin letrar ""POETEKA Tirana in Between, 2018" është tregimtari Miroslav Çurçiç. Ai lindi në vitin 1966 në Beograd (Serbi). Tregimet e tij janë botuar në mjaft revista letrare dhe antologji të tregimit të shkurtër. Miroslav Çurçiç është pjesëmarrës aktiv i turneut të madh të autorëve të tregimeve të shkurtra në kuadrin e KIKINDA SHORT FESTIVAL dhe ka botuar përmbledhjen me tregime Vdekja në Bashaid. Tregime nga ky libër, nën përkthimin e Merima Kriezi, janë botuar edhe në gjuhën shqipe (revista "Poeteka" dhe suplementi letrar "Milosao"), ku mes të tjerëve veçohen "Hipnoza" dhe "Si mbeta pa gishtin e madh…" Në proces botimi janë edhe tregimet "Uria" dhe "Luna" Libri i Miroslav Çurçiç Vdekja në Bashaid është pritur mjaft mirë nga kritika në vendin e tij dhe me entuziazëm nga lexuesit. Tregimet janë shkruar me mprehtësi dhe vijnë si provokim ndaj lexuesit.

Autor i drejtohet brezave të ndryshëm përmes humorit dhe karaktereve melankolikë, të cilët ai i ndërton me shkathtësi dhe që në thjeshtësinë e tyre paraqiten mjaft kompleksë. Tregimet e Miroslav Çurçiç ruajnë cilësitë e performancës dhe komunikojnë gjerë me audiencat në leximet autoriale. Autori e ka paraqitur krijimtarinë e tij në përmes leximeve të shumta në Novi Sad, Sombor, Zrenjanin, Podgoricë, Beograd, Timisoara etj. Miroslav Çurçiç jeton në Beograd. Qëndrimi në rezidencën letrare "POETEKA Tirana in Between" i jep këtij autori një mundësi më shumë për të shkruar shënimet e tij të udhëtimit për jetën e kryeqytetit shqiptar, si dhe për të punuar mbi një dorëshkrim të ri. Bëhet fjalë për një roman të shkurtër, që ka një temë Ballkanin. Kujtimi i ditëve kur njerëzit në të gjithë Europën gjatë natës zgjoheshin për të parë ndeshjet e boksierit Muhammad Ali, ndërthurur me kohën e sotme, historitë e përditshme familjare, humbjet dhe shpengimet në dashuri.

Qëndrimi në Tiranë do i hapë këtij autori mundësi të tjera për t'u njohur me një skenë letrare të pasur dhe të larmishme, larg rutinave të zakonshme si dhe do i ofrojë shkrimtarit Miroslav Çurçiç mundësi bashkëpunimi me përkthyes shqiptarë, si dhe intervista në media dhe publikime të ndryshme në shtyp.

PJESË TREGIMI


Miroslav Çurçiç: Si mbeta pa gishtin e madh të dorës së majtë


Para gjysmë ore erdha nga spitali. Rri në errësirë dhe pi duhan. Po të mos kisha frikë, do të zbrazja një gotë konjak; më kanë dhënë një antibiotik të fortë dhe gjilpërë kundër tetanusit. Mbi tryezë është një tavllë e rëndë kristali në të cilën dredh cigaren. Gjysma e pluhurit bie anash. Nervat veprojnë çuditshëm; dora e djathtë nuk pushon së dridhuri. Telefoni po bie pa pushim. Me siguri kanë dëgjuar, lajmet e këqija përhapen shpejt. Nga rruga depërton drita, tamam sa të shoh dorën e majtë të mbështjell me fashë. Nën këndin e çuditshëm në krahasim me gishtërinjtë e tjerë dallohet diçka që do të duhej të ishte gishti i madh. Prej tij del një thep që i ngjan dhëmbëkrueses për sufllaqe. Ajo bashkon copën e prerë me pjesën tjetër të dorës. Shpresoj të jetë prej rostfraji. Nuk do të ishte mirë të ndryshkej. Deri sa po shikoj në instalacionin mjekësor, më bien ndër mend fjalët e Zhika Beçanit:
"Dëgjo, vogëlush, të q…a artistin, arti i të cilit nuk e shënon për gjithë jetën".

Zhika ishte mishtari i njohur nga Jakova; thika e parë e Sremit. Me kokë të madhe, sy të imët, i shëndosh, por i shkathët; kombinim vrasësi. I duheshin shtatëmbëdhjetë minuta për ta kthyer derrin nga vatha në përpunim francez. Ky është rekord në disiplinën solo që vlen edhe sot e kësaj dite. Unë jam nxënësi i tij më i dalluar. Lirisht pyetni për Millan Mushaktiroviçin të quajtur Pangler. Për mua dinin të gjithë, nga Kuzmini deri te Surçini. Shumë therej në atë kohë. Derrin nga dyqind kile e përfundonim për më pak se një orë. I pastë ndjesë shpirti, Zhika ishte artist në punën e vet. Arti i tij ia mori tre gishta.

* * *
Mjekut në spital i tregoja se tërë jetën kam qenë mishtar. Shtatë vitet e fundit punoja në hipermarketin e qendrës tregtare, pas vitrinës së akullt. Mjeku më ngushëllonte, më thoshte se kjo u ndodhte edhe profesionistëve më të mëdhenj. Derisa bisedonim, ma nguli gjilpërën në dorë. "Kjo do të të dhemb pak", shtoi.
Nga dhembja u vrenjta dhe e ktheva kokën anash. Dhembi si të më kafshonte vetë djalli. Shikoja në gishtin e madh të prerë. E solla të mbështjellë në facoletën e përgjakur. U bë sterrë dhe dukej disi i huaj. E njoha vetëm nga thoi. Thonjtë i prisja deri te nervat, për shkak të higjienës.
Mjeku tha se kam bërë prerjen e saktë. Vegël profesionale, flisja me veten, satri gjerman "Giesser". Buzëqeshte derisa me kujdes e fuste perin në gjilpërën e shtrembër. Ngulte këmbë t'i tregoja si ndodhte e gjitha.

E çfarë të të them? Jam i vetmi burrë pas vitrinës së ftohtë. Punoj, doktor, me dy budallica. Njëra është në seksionin e djathërave, e tjetra me delikatesa. Kanë bërë një komplot kundër meje, sikur e njëjta nënë i ka lindur. Shpesh pinë kafe së bashku. Unë nuk jam mësuar kështu. Vrapoj, i zëvendësoj atje te vitrinat, i pres djathërat, sallamet, sa s'më del shpirti nga puna. Por, nuk mund të ankohem. E di punën, por diplomën nuk e kam. Zhika Beçani nuk ma siguronte.
Sot këto të dyja e kanë marrë një alkool në depo. Në dyqan ishin vetëm dy-tre myshterinj. Femrat kanë hapur një shishe Jägermajster dhe e kanë pirë me lezet. Por, pija e ëmbël mund të të mashtrojë. Ia hoqën frerët gojës; flisnin për shumë gjëra; për politikë, estradë, horoskop, derisa i erdhi radha temës së përjetshme – seksit. E mora vesh që në atë moment se ku do të dilnin. Nga nervozizmi e hoqa nga grremçi një brinjë derri dhe fillova t'i bija me satër.
Filluan tregimet për meshkujt. U shkulën së qeshuri si të çmendura. Dëgjova si njëra prej tyre thoshte si e eksitonin burrat me mustaqe. Çmendej pas tyre. Tjetra, pra, ishte e dhënë pas tipave të shëndoshë. 

Përktheu nga serbishtja në shqip, Merima Krijezi.

http://www.gsh.al/2018/03/10/rihapet-shtepia-e-shkrimtareve-ne-tirane/


09 March 2018

Rezidenca letrare "POETEKA Tirana in Between” - Miroslav Ćurčić

Rifillon në Tiranë Rezidenca për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë "POETEKA Tirana in Between". 
Për të gjashtin vit radhazi ky program kulturor mbështetet nga Traduki, një rrjet europian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtajn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra. 

Autori që çel vitin letrar ""POETEKA Tirana in Between, 2018" është tregimtari Miroslav Ćurčić. Ai lindi në vitin 1966 në Beograd (Serbi). Tregimet e tij janë botuar në mjaft revista letrare dhe antologji të tregimit të shkurtër. 

Miroslav Ćurčić është pjesëmarrës aktiv i turneut të madh të autorëve të tregimeve të shkurtra në kuadrin e KIKINDA SHORT FESTIVAL dhe ka botuar përmbledhjen me tregime "Vdekja në Bashaid". Tregime nga ky libër, nën përkthimin e Merima Kriezi, janë botuar edhe në gjuhën shqipe (revista «Poeteka» dhe suplementi letrar «Milosao»), ku mes të tjerëve veçohen «Hipnoza" dhe "Si mbeta pa gishtin e madh..." 

Në proces botimi janë edhe tregimet «Uria» dhe «Luna» Libri i Miroslav Ćurčić "Vdekja në Bashaid" është pritur mjaft mirë nga kritika nëvendin e tij dhe me entuziasëm nga lexuesit. Tregimet janë shkruar mprehtësi dhe vijnë si provokim ndaj lexuesit. 

Qëndrimi në Tiranë do i hapë këtij autori mundësi të tjera për t'u njohur me një skenë letrare të pasur dhe të larmishme, larg rutinave të zakonshme si dhe do i ofrojë shkrimtarit Miroslav Ćurčić mundësi bashkëpunimi me përkthyes shqiptarë, si dhe intervista në media dhe publikime të ndryshme në shtyp.

30 December 2017

HISTORIA E SHQIPËRISË PËRMES KARIKATURËS - The history of the Albania in cartoons

BOTIMET POETEKA - një dhuratë e çmuar për ata që dhurojnë libra edhe në fund të vitit. HISTORIA E SHQIPËRISË PËRMES KARIKATURËS (The history of the Albania in cartoons) 

Libër dy gjuhësh në shqip dhe anglisht nga BEN ANDONI 

Në vend të parathënies: ...Shqiptarët, të mësuar me ikonografi shumë patetike,me simbole të fortësh, që nuk i shkojnë fare përmasave të trupit të vendit tonë të brishtë, e kanë të paqartë vetë identitetin e tyre. Duket se shqiptarët rrallë e kanë parë veten si duhet në pasqyrën e historisë. Autori për t'u çliruar nga kjo ikonografi zgjodhi pikërisht ndihmën e karikaturës për të udhëtuar në historinë e identitetit shqiptar në 150 vitet e fundit. 
Një udhëtim i bukur dhe tejet i vështirë...

In place of the foreword:...The Albanians being used to high pathetic iconography and the symbols of "the strong" which do not suit their country's fragile body, have a vague image of their own identity. This means that they have rarely viewed their image in the mirror of history. The author trying to break free from this iconography chose exactly the help of the cartoon to travel in the history of the Albanian identity in the last 150 years. It was a beautiful and extremely difficult journey...

Seria: Libri studimor / Histori - Albanologji
Titulli: Historia e Shqipërisë përmes karikaturës 
Autor: Ben Andoni
Redaktore: Silvana Leka
Faqe 244 (të ilustruara me ngjyra)
Çmimi 2000 lekë
BOTIMET POETEKA, Tiranë, 2017

18 December 2017

Bukuria e “tradicionalistëve” e poetëve të viteve '50 VS Bukurisë së Re – për një estetikë ndryshe - vitet 60 në poezinë shqiptare

Nga Arian Leka


Studimet letrare kanë hedhur dritë mbi dokumente që dëshmojnë se, pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste shqiptare, Bukuria – si kategori estetike – do të merrte më pak vëmendje sesa qëllimi që iu ngarkua letërsisë së re në përmbushjen e misionit në jetën politike, shoqërore dhe kulturore. Letërsia e atyre viteve ofroi gjuhë të koduar dhe ikonografi të veçantë jo vetëm në artet figurative, por në të gjitha format e shprehjes artistike, përfshi këtu edhe poezinë si art i fjalës, duke implikuar brenda skemës zyrtare të artit jo vetëm të angazhuarit e militantët e vetëshpallur, por edhe artistë apolitikë, të çliruar nga marrëdhëniet detyruese, siç ishte rasti i Lasgush Poradecit apo i Ali Asllanit.

Kjo shpërfillje ndaj Bukurisë nuk erdhi si pasojë e ndonjë refuzimi që i bënte kësaj kategorie faktori postmodernist i viteve '40-'50 – i cili i nënvleftësoi format e bukurisë pararendëse e tradicionale, bashkë hierarkinë e saj. Refuzimi erdhi për shkak të përfshirjes së artit të ri në të njëjtën strukturë me ideologjinë. Përmbi këto mospranimi i estetikës së trashëguar ndodhi sidomos për shkak të zëvendësimit të "bukurisë së trashëguar" me socializmin, i cili u trajtua si përmasa më e lartë, sublime e Bukurisë, siç nënvizon studiuesja Nina Dimitrieva.

Një qasje e tillë ndaj konceptit estetik e bën më të dallueshme kundërvënien mes së Bukurës tradicionale dhe Bukurisë së Re, me të cilën do të përfaqësoheshion poetët shqiptarë mes viteve '60, te të cilët vërehen zona ngjashmërie me rrymat letrare moderne të mesit të shekullit XX.

Lidhur me këto ngjashmëri, historishkrimi i letërsive të ngjashme ka arritur në përfundimin se arti i prodhuar nën metodën e realizmit socialist paraqitet i ngjashëm në disa pika jo vetëm me artin totalitar të Gjermanisë naziste, por edhe me surrealizmin, realizmin magjik, ku elementet e avangardave shfaqen jo në rrafshin letrar, por në atë psikologjik, siç pohon studiuesi Boris Groys.

Në këtë këndvështrim edhe poetët shqiptarë të viteve '60 krijuan atë formë të realizmit, që në të vërtetë ishte një realizëm atipik, një (anti)realizëm, (i)realizëm a hiperrealizëm, që abstragon realitetin në dobi të së ardhmes. Bashkë me realizmin ai art krijoi realitete imagjinare, të pritshme, futuristike, të cilat nuk kanë lidhje me ndonjë realitet imediat, duke prodhuar kështu dukurinë e simulacrum-it në letërsi. Ndërkohë që poetët paraardhes të viteve '45-'50 kishin krijuar thjesht një simulim të realitetit, si pasqryrim / imitim të një procesi që ndodh realisht në jetë dhe që për t'u dëshmuar nuk ndiente nevojën e artit revolucionar. Prej këtej bëhet interesant vëzhgimi i pranisë së reales brendashkruar letërsisë së realizmit socialist (a ka realizëm), por edhe këqyrja e cilësisë së këtij realizmi, lloji i këtij realizmi dhe roli i tij i veçantë (ç'lloj realizmi?). Thënë ndryshe: a ishte përnjimend realizëm ai i realizmit socialist, apo "e vetmja gjë absolutisht e re në lidhje me realizmin socialist ishte vetëm termi" (Katerina Clark).

Nëse për poetët e vitve '45-'50 përshkrimi i realitetit kishte si qëllim ta ndërtonte në mënyrë të menjëhershme dhe të atypëratyshme realitetin, për autorët e viteve '60 ky realitet i gatshëm letrar dhe faktik njëherazi – ky "ready made" i postmodernistëve – duhej transformuar sipas paradigmës që e shndërronte realitetin e së tashmes në utopinë letrare të së ardhmes, përpunuar si një skenar futurisik.

Janë të dukshme faktet e polemikës mes "poetëve të vjetër" dhe "letrarëve të rinj", të cilët iu kundërvunë, në disa raste pa lëshime, formës tradicionale të shfaqjes së Bukurisë të cilët, duke shpallur kundërshti ndaj "realizmës së gjallë, vepëronjëse", ndaj "realizmit progresiv", promovuan prirjen për "ta pasuruar botën me një bukuri e re" – strukturë mendimi kjo e futuristëve.

Por kjo polemikë lidhur me marrëdhënien e letërsisë ndaj realitetit nuk lindi pas luftës, sikundër mendohet ndonjëhrë, pasi teza se autorët e rinj duhet "të frymëzohen nga jeta jonë…e përditëshme" dhe se "futurizmat, dadaizmat, ermetizmat e tjera kësodore lindin e perndojnë" ndeshen më herët, si rastin e artikullit të Nexhat Hakiut, me titull "Letërsia kombëtare", botuar në "Bashkimi i Kombit", që në gusht të vitit 1944. Për ta zbuluar më qartë se cilat zona preku debati mes "të rinjve" dhe "të vjetërve", "tradicionalistëve" dhe "novatorëve" për një estetikë ndryshe, mund të shqyrtohet kronika letrare të kohës, duke filluar nga gazeta "Bashkimi" e vitit 1945 e cila, ndërsa vijoi me vite, arriti kulmin 15 vjet më vonë, me polemikat e botuara në gazetën "Drita" në verë dhe vjeshtën e parë të vitit 1961.

Por para kësaj mund të vërejmë se mënyra e ofrimin të modelit sovjetik në artin letrar nuk është një dukuri përjashtimisht shqiptare pasi, po të këqyrim më me vëmendje ndodhitë në Europën Lindore deri në vitet '50 do të vërejmë lëvizje të njëjta e të ngjashme, që nga krijimi i institucioneve artistike, organizimi i lëvizjeve me frymë zhdanoviste, përjashtime dhe ndëshkime të artistëve me formim të ndryshëm ideologjik, organizimin e konkurseve të para me tematikë të diktuar letrare apo shpallje të planeve 2 vjeçare për shkrimtarët e artistët, si në Poloni, në Çekosllovaki, në Hungari, në Gjermaninë Lindore ashtu edhe në Shqipëri.

Në brendi të dëshmive të letërsisë shqiptare mes viteve 1945 – 1961 vërehet se kundërvënia, polemika e debati mes "tradicionalistëve" dhe "novatorëve" nuk bëhej thjesht për metrikën, për vargun e lirë të të rinjve, për tetërrokshin apo dhjetërrokshin tradicional. Ajo polemikë bëhej mbi të gjitha për estetikë të re, më të përpunuar, brenda të vetmes formë të lejuar-imponuar të artit realist. Në tekstet e botuara më herët ishte vënë re dallimi, por polemikat në faqet e gazetës "Drita" të vitit 1961, shfaqën haptazi se mes brezave letrarë nuk kishte thjesht dallime, por mospajtime dhe kundërshti për estetikë dhe shprehi ndryshe.

Për të ilustruar këtë mospajtim ndaj tradicionalistëve, që ishin haptazi kundër frymës së sjellë në poezinë shqiptare prej "poetëve të rinj", do të ishte i mjaftueshëm citimi i disa prej titujve nga diskutimet e Ismail Kadaresë (Asgjë tragjike s'ka ndodhur, asnjë traditë s'është mohuar) dhe të Fatos Arapit (Nuk na e ka fajin vargu) botuar "Drita", korrik 1961.

Debati letrar përfshiu mes palëve hierarkinë më të lartë të shtetit, pa lënë mënjanë as Enver Hoxhën që, për të mos bërë të pakënaqur asnjërën nga palët, në mbledhjen e gjerë me shkrimtarët dhe artistët më 11 korrik 1961, deklaroi se "letërsia dhe artet janë zhvilluar në rrugë të drejtë dhe se ajo pasurohet çdo ditë e më shumë."

Është interesante të vëzhgohet ndërkaq se si shpërthimet e sulmeve të tradicionalistëve ndaj të rinjve fashiten përmes një akti: ngritjen simbolike të "flamurit të bardhë" nga Mark Gurakuqit, i cili përmes një poezie ku gjendet edhe vargu "dorëzimi i stafetës në dorë dhe të sigurt" shpall mbylljen e përkohshme të debatit, në dobi të poezisë së re. Vjersha me titull "Shokëve të rinj poetë" tingëllon e shkruar si me porosi. Ajo, bashkë me vjershën "Poezia" botohet më 3 shtator 1961, në faqen 2 të gazetës "Drita", në të njëjtin numër ku ishte botuar edhe atikulli i Dritëro Agollit, "Traditë, natyrisht, por jo shtampë", që i kundërvihej me shembuj ilustrues dhe jo pak përqeshës, prapambetjes së krijimtarisë së tradicionalistëve.

Shenja më e qartë e pranimit të humbjes dhe e shtrirjes së dorës së pajtimit ndaj "poetëve të rinj" janë vargjet e krijimit me titull "Poezi", në të cilin Mark Gurakuqi –një nga mbrojtësit e tradicionalizmit, të qëllimores dhe estetikës së vjetër në poezisë shqiptare – pohon se "rrug ma t'gjana don sot poezija". Për të dëshmuar daljen jo pa dhimbje nga muzeu i klisheve letrare të fazës së parë të realizmit socialist, ky autor merr hua fjalorin poetik të "avantgardës" së poezisë së re shqiptare, ky mes të tjerash ndeshen edhe fjalët sputnik, antena, korpus metalit, tension i naltë, bateri, torno uzinash, kozmos, anije kozmike – fjalor ky krejt i ri, modern dhe novator për poezinë shqiptare, i ndeshur më herët, që në janar të viti 1961, kur Ismail Kadare botoi në gazetën "Drita" poezinë "Skicë e qytetit t'arthmë".

Por nëse duhet kërkuar një pikënisje për ta hetuar dallimet mes poezisë së viteve 1945-1950 dhe poezisë së viteve '60 një fillim domethënës mund të ishte funksioni mimetik, qëllimi dokumentues dhe raportimi i ndodhisë. Poezia e viteve '45-'50, ishte vënë në rolin e dëshmitarit, që riprodhonte, por nuk abstragoi mbi realitetin. Ajo krijimtari u dha thjesht forma rimuara ideve politike, ngjarjeve të ditës dhe realitetit të ri, siç vërehet nga titujt e botuar në "Literatura jonë", "Letërsia jonë" "Nëntori" dhe "Drita" nga viti 1947 – 1961, të tilla si: Prak më prak, Bjeri çekiçit. Tak…Tuk…Po ngrihet fshati më i ri. Afshi i ri (Aleks Çaçi); Kremlini (Lame Kodra), Ndalo! Punëtorit (Zihni Sako) Stadium; Muratori; Qumshti i parë (Vehbi Bala). Pa mjete dhe kërkime të reja stilistikore, ajo poezi u formatua në përputhje me  "Planin dyvjeçar të shtetit dhe detyrave të shkrimtarëve", botuar në "Literatura jonë", No. 6. Gusht, 1949.

Poezia e viteve '60 i shpronësoi gjithashtu poetët e brezit paraardhës edhe nga tema e atdheut, që shihej si zona e sigurt tradicionalistëve. Me krijimtarinë e Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Dritëro Agollit apo Dhori Qirjazit, ajo temë, dhe pse me emfazë e pathos, njohu transformim, pasi atdheu i këtyre poetëve nuk ishte atdheu imediat, por atdheu dinamik, që i takonte së ardhmes (socialiste) – terma këto që janë pjesë frymëzimit dhe e aksionit futurist. Mimetizmit të paraardhësve ata i kundërvunë demiurgun e  avangardave, ndaj dhe poezia e tyre shpesh i adresohet qiejve dhe ruan frymëzimin mesianike të të dërguarve në tokë, që u flasin masave për të ardhmen.

Por ngjashmëria estetike me prejardhje nga "avantgardat" nuk kishte shpëtuar pa u vënë re edhe nga poetët tradicionalistë të viteve '50. Ata nuk e humbën rastin për t'i kritikuar, madje akuzuar poetët e rinj për temat kushtuar kozmosit dhe shkëputje nga realiteti. Kanosëse tingëllojnë cilësimet se përdorimi i "vargjeve të lira duhet parë si fenomen negativ" e bashkë me to mbërritën edhe qortimet për vargje  të shkruara në gjendje "gjysmë dehjeje" – kupto dalldia futuriste – dhe për "shthurjet që nuk duheshin lejuar në art", të cilave u bashkohen vërejtjet lidhur me "mbeturinat e dekadentizmit" dhe trajtime "temash me frymë […] surealiste, futuriste". Ndaj edhe si tipar, poezia e viteve '60 duket se vjen me pamjen e apokaliptike të një "avantgarde" (cilësuar si novatore), brenda qerthullit të mbyllur të poetikës shqiptare të atyre viteve.

Veçse nga ana tjetër termi "avantgardë", me gjithë shpirtin ikonoklastik të poezisë së viteve '60 kundrejt poezisë thjesht realiste të paraardhësve, nuk e përmbush kuptimin e përgjithshëm të termit. Edhe pse me dallime të thella ndaj poezisë paraardhëse poezia shqiptare e vitveve '60 mbetet pjesë e një projekti artistik që i kushtohet artit me frymëzim ideologjik.

Kjo pasi, me gjithë qëllimet transformuese e ndonse ndihet natyrshëm një avantgardë estetike përballë paraardhësve, vetë skema e përgjithshme e realizmit socialist, ku kjo letërsi u përfshi, zyrtarisht dhe para së gjithash mbetet një projekt historik kushtuar historisë së artit proletar nën skemën e përgjithshme teleologjike të historisë marksiste, siç shton Groys, me ambicje për të zbatuar një projekt të qëllimshëm utopik, atë të telekomandimit të realitetit drejt së ardhmes, "futurizmit" vendas, lokal, e cili, duke iu kundërvënë formalisht artit të avantgardave, në fakt e imitoi atë dhe krijoi lidhje marrëdhënie në largësi.


Gazeta Mapo  - Postuar më: 16 December 2017 14:12


http://www.mapo.al/2017/12/bukuria-e-tradicionalisteve-vs-bukurise-se-re-per-nje-estetike-ndryshe/1


 

17 December 2017

EUROZINE - shënim mbi revistën POETEKA No. 46 - botuar në MILOSAO

"Numri dimëror i "Poeteka", që përkon me No. 46 të saj dhe që shënon njëkohësisht edhe vitin e 13 të botimit të revistës, ka përcjellë një përshkrim shumë inkurajues nga EUROZINE, duke veçuar disa nga krijimat dhe autorët që kanë botuar në këtë edicion.

"Poeteka", si partnere e rrjetit të revistave kulturore europiane, ka vite që bën udhëtimin e saj në këtë familje europiane kulturore, duke ngulmuar dhe kontribuar denjësisht me përmbajtjen dhe risitë e saj.

Siç njihet, EUROZINE është një nga rrjetet e rëndësishëm të revistave kulturore europiane, që lidh mes tyre më shumë se 80 revista partnere si dhe institucione bashkëpunuee pothuajse nga të gjitha vendet europiane.

EUROZINE është gjithashtu një net-magazine, që boton artikuj të përzgjedhur nga revistat e saj partnere, duke u shtuar atyre përkthime në një prej gjuhëve kryesore europiane. Ky botim, i cili bashkon 31 autorë e përkthyes së bashku publikon mes të tjerash edhe ese - tregime dhe poezi bashkëkohore shqiptare - përkthime të autorëve europianë e nga Amerika latine - kritikë letrare - letërsi nga Ballkani - recencione - 4 studime në albanologj si artikuj kushtuar Martin Camajt, Musine Kokalarit, realizmit socialist dhe miteve në muzikën shqiptare, një reçension nga akademik Luan Starova mbi romanin "Gjarpri i Shtëpisë" të shkrimtarit Arian Leka, me rastin e botimit në gjuhën maqedonase, dokumente dhe faksimile në 115 vjetorin e lindjes të dramaturgut, përkthyesit dhe publicistit Ethem Haxhiademin (Elbasan, 8 mars 1902 - Burgu i Burrelit, 17 mars 1965), ku një vend të veçantë si përzgjedhje zënë shënimet kritike nga Jani Lili, Valgjel Koça, Namik Resuli, Kudret Kokoshi, Sterjo Spasse, Vedat Kokona, Muhamet Bala, Elvira Tarro, Jup Kastrati  botuar në shtypin letrar të viteve, '30 - '40, të cilat mbyllen me vështrimin e studiuesit Robert Elsie." (nga Milosao)


NGA EUROZINE - Revistat kryesore kulturore të Europës në majë të gishtave tuaj.

http://www.eurozine.com/eurozine-review-trees-arent-just-supposed-to-grow/

 "Letërsia bashkëkohore e Ballkanit është nihiliste që nga fillimi e deri në fund", shkruan Shpëtim Selmani në numrin e ri të revistës letrare shqiptare "Poeteka", duke shprehur keqardhjen për rrënimin e nacionalizmit, fajin dhe gjendjen e rëndë të shoqërisë. Kontribuuesit e Poetekës shkojnë kah mundësive të tjera për t'i shmangur këto gracka lokale. Rrëfimet e tyre enden disi të lira në kohë dhe në hapësirë, me protagonistë të paidentifikuar të një identiteti të skicuar-ashpër dhe të paqartë. Fluturimet imagjinare të këtij lloji janë gjithnjë e më shumë të zakonshme në krijimet shqiptare, siç është ai që lidhet përshembull me romanin e fundit të zhanrit fantastik dhe nën-human "Ameba" të Rigel Rizajt.

Fiction: Rrëfimi "Ekuinoks" i Ben Andonit flet rreth kontaktit të një antropologu me një fis në një kontinent të paidentifikuar dhe përpjekjet e vazhdueshme për të paqtuar qiejt dhe për të penguar ekspeditat ndëshkuese të 'njeriut të zi "i cili periodikisht vjen të plaçkisë prodhimet e tyre. "Në fakt, ata e prisnin, sepse llogaritjet e tyre e lidhnin atë me kohën kur yjet ishin në një pozicion të caktuar dhe atë ditën e Perëndisë kur ajo barazohej me natën". Bariu i tyre profetik nuk është në gjendje për t'i mbrojtur ata nga një cikël i përsëritur i shkatërrimit.

Eneida Mjeshtri kontribuon me një pjesë prej tregimeve të numrit: një vajzë e zhveshur dhe një grua përballen me njëra-tjetrën në një dhomë të errët gjatë natës, nën sfondin e britmës së një bufi që na përsjell një prani ogurzezë. Vajza ka në plan të udhëtojë për dashuri. "Më vjen mirë që nuk do të shoh më gjysmë njerëz, apo gjysmë botëra. Jam e kënaqur që nuk do të ketë gardhe si këto që na mbajnë ne të ngërthyera ".Gruaja e inkurajon atë, por ekziston një ndjenjë se shfrytëzimi i vajzës është i mallkuar. Dhe në një bisedë për tre zëra të pagjini, një personazhi i kërkohet të dalë dhe të përballet me gjykimin, por cili i gjykon ata ose pse mbetet i fshehur, në një mister ankthi të fajit.

Në "Paramour" e Bledar Kurtit, një grua po bën dush me të dashurin e saj, i cili rezulton të jetë politikan, me gjasa kryeministri i ardhshëm shqiptar. Ai është i prirur ta braktisë atë teksa i premton një qëndrim të rehatshëm, por ajo dëshiron thjesht dashurinë e tij. Njeriu duhet të zgjedhë, por ne mbetemi në dyshim se si përfundon kjo histori e pushtetit che mashtrimit.

Historia letrare: Poeteka me shumë zell vazhdon objektivin e saj të rikujtimit të traditave të kaluara të letërsisë shqiptare që janë dëmtuar me kohë por edhe harruar, si edhe përkujton Et'hem Haxhiademin, një dramaturg dhe përkthyes të Virgjilit në vitin 1930 dhe '40, i cili u arrestua në vitin 1947 dhe vdiq në burg në vitin 1965."

Autorët që kontribuan në botimin e këtij numri janë: Ardian Kyçyku - ese - Mërgim i krahasuar, Ben Andoni - tregim – Ekuinoksi Eneida Mjeshtri - 4 tregime: E diela e fundit e kukumjaçkës - Gjykimi - Dialogë dramatikë me një akt – Nëntë Sazan Goliku - tregim - Hapeni, jam gjallë! Bledar Kurti -tregim  -Paramour - (Grimca hije-drite nga jeta e një politikani ) Belfjore Qose - 6 poezi -  Adam Zagajewski-4 poezi Pandeli Çina-përkthyes-Vladimir Vojinović - 3 trgime, Dimitrov Popović – përkthyes, Nazim Hikmet - Poezitë e orës 21-22, Alban Tartari – përkthyes, Jorge Luis Borges - ese - Varianti i parafundit i realitetit, Suadela Balliu – përkthyese, Luan Starova - kritikë letrare - Shpëtimi i njerëzores, Shpëtim Selmani - kritikë letrare - Kalda dhe mëkati i madh i ngjizjes, Silvana Leka - studim - Rasti Martin Camaj, romani "Dranja" përballë detit, Dorian Koçi - studim - "Muza" e rezistencës antikomuniste, Arian Leka - studim - Analogji dhe homologji në motive e figura, mitike në trupin e epikës popullore shqiptare, Blerina Shalarii - studim - Mitet në muzikën Shqiptare, Ethem Haxhiademi - in memoriam - shtypi letrar i viteve, '30 - '40 mbi krijimtarinë e Ethem Haxhiademit.

 

Total Pageviews