22 June 2020

Tadeusz Różewicz - nga BOTIMET POETEKA

BOTIMET POETEKA - Tadeusz Różewicz - poezi mbi POEZINË. "Poezia-vazelinë, që u lëngëzon sytë lexuesve, që të bën të mendosh mirë për shpirtin tënd, për hënën, yjet, rendin e botës – një poezi e tillë nuk do të dilte kurrë nga penda e Różewicz-it." (nga Tom Paulin) 

- Poezia ime

shpjegon asgjë
sqaron asgjë
nuk sakrifikon
nuk i përmbledh fare të gjitha
nuk përmbush asnjë shpresë
nuk krijon rregulla të reja loje
nuk merr pjesë në ndonjë lojë
ka një vend të përcaktuar
që duhet ta zërë
nëse nuk është një gjuhë e kriptuar
nëse nuk flet pa origjinalitet
nëse nuk mbart ndonjë surprizë
qartësisht mbetet ashtu si duhet të jenë
e bindur në vetë nevojën
vargun e vet dhe kufizimet
ajo humbet kështu edhe ndaj vetes
nuk i zë hapësirën një poezie tjetër
as edhe nuk ia merr një tjetre
e hapur për të gjithë
por i mungon misteri
e ka shumë detyra
të cilat s'do t'i bëjë dot kurrë


* * *
kur mbaron poezia
fillon
pafundësia
dëgjoj me kujdes
është shndërruar
për të falurit
tek Zoti
për poetin
një hon hapet
e jeta
vithiset
drita
e heshtur e hënës
dergjet në fund
mbyllur brenda vetë
poetit
një objekt
i vendosur mënjanë
nga ndërtuesit
e urdhrit
të ri
do jetë e pamerituar
balta
pluhuri dhe toka
e hequr
një gur nga qielli
një meteor
i munguar zjarrit


- Lindja e një poezie të re

Dy poezi
nguten nëpër natë
kapur te
njëra-tjetra
format e këtyre poezive
janë moderne
dhe precize
interiorët ndriçohen
përshtatshëm dhe eksperimentalisht
ato bien mbi njëra-tjetrën
të verbra
imazhet
e caktuara
të plasura
të tendosura
pluhurzuar
ndërfutur
forma të shuara
thyejnë linjën
i zënë frymën
ndrydhin tej fjalët
e tresin tej karakteristikat
një përplasje
një poezi e re
poezia e tretë
e lindur në agoni
rrjedh tani përmes
ujërave të fetusit
të njerëzimit
i sapolinduri
me një buzëqeshje misteri
të fshehur
duket i helmuar për rritjen
e krejt - papritur.


- Përshkrimi i një poezie

U përpoqa ta kujtoj
atë poezi
të përkryer
e të pashkruar
gati të pjekur
e formuar natën
e prekshme
ajo zhytej
dhe tretej në dritë të diellit
ajo nuk
ekziston
kohërave kur e ndjeja
mu në majë të gjuhës
e me ankth
ulesha me penën
në dorë
duke pritur me durim
derisa të bindesha
se ishte thjesht iluzion
dhe largohesha tutje
poezia ndoshta ish
një poezi për vetveten
si një perlë
që flet për perlat
dhe një flutur për fluturat
nuk ishte poezi dashurie
as elegji
nuk vajonte
as lavdëronte

nuk përshkruante
as gjykonte
ajo poezi
që më shmangte në dritë të diellit
fshihej tek vetvetja
vetëm ngandonjëherë
ndjej hidhësinë e saj
dhe ngrohtësinë e brendshme
por unë nuk e heq nga
honi i errët e i thellë
mbi bregun e sheshtë
të realitetit
e palindur
ajo mbush boshësinë
e një bote të çakorduar
me një gjuhë të panjohur


- Mbi sipërfaqe dhe brenda një poezie

Pirg i bardhë kripe
mbi pjatëzën e xhamtë
gishtërinjtë gjurmojnë
rrëpirën e hijeve
xixëllimat e kristaleve të imta
Kripa e bardhë
mbi pjatëz
gishtërinjtë e gropojnë
hijezojnë
lëbyrjen (e dritës)
kripa
mbi pjatëz
gishtërinjtë gjurmojnë
dritat e hijeve
shkëlqimin
në hirtore
(bojë-hiri) freskuar mirë
qëndrojnë sasi hiri
verdhëreme e t'bardha
zhubrosen
vërtiten me
fund - cigare
gjurmë të buzëve
në hirtore
turma të hirit gri
shuhen
verdhëreme - të - bardhë
një fund-cigare
thërrmuar me një gisht
aty-këtu gjurmë të buzëve
në hirtore
gunga të ftohura
të hirit
një fund - cigare e bardhë
gishtërinjtë - thërrmuar
gjurmë buzëkuqi
qyp i mbushur me reçel
tufë e roztë
me lagështinë e errët
të së brendshmes
anët transparente
bimët e errëta
përgjatë anëve
lagështia djersit
gungën në qypin jeshil
pikëza drite
fara të dobëta të errëta
mbi një pjatë
të bardhë kineze
mbas një limoni me pore
një vezë
dy domate e mbulojnë
brenda një lëkurë të kuqe tendosur
mbi një pjatë të bardhë
një vezë (e zbehtë) e lëmuar
një limon me një brendësi transparente
dy domate të kuqe
një gotë zbrazur prej çaji
në lugën e xhamtë
nikel - shkëlqyes
në fund të gotës
llumi i një çaji të zi
një gotë
një lugë metali
kafe të lagësht
gjethe çaji
rast spektakli
blu
ditar xhepi
mbishkrim të bardhë
1970
Një mizë mbi një (shkrepëse -)
e pastron kutinë
me krahët e vet transparentë
termusi kinez
gri - bardhë me shenjat e çuditshme
të germave
kontrata e një natyre të qetë
të vockël resht
kuron
sendet për gjumë
miza rregullisht
prek xhamin
pika mban gurin
mbi një pjatë të vockël
kërpudha

kapela të ngrohta kafe
rrënjë të ashpra
spërkatur me tokë
gjysma e vogël e
natyrës - të - qetë në dritë
tjetra pjesë në hije
miza prek dritaren
pas të cilës qëndron
nëna e madhe natyrë
me një grumbull pemësh
një rrugë
dhe një postier
që vjen fare pranë
tek mua
(kah shtëpisë)

- Me ikjen e poetit dhe një treni pasagjerësh

                                            Për Jerzy Lisowski-n
Ai nuk e dinte
sesi do dukej poezia e tij e fundit
as edhe
si do ishte dita e parë
në një botë pa poezi
ndoshta do të binte shi
ndoshta do kishte shfaqje të Shekspirit
dhe një supë domatesh për drekë
apo supë pule me kokërrza
pas një shfaqje të Shekspirit
dhe shiut
muzat nuk i japin as edhe një garanci
se bashkë me frymën e tij të fundit
ai do nxjerrë një mendim të frymëzuar
të kthjellët
shumë më të ndritshëm dhe kështu me radhë
në të gjitha rastet
ai do largohet
tamam si
një tren pasagjerësh
që i ikën koha
prej nga Radomsko deri në Paris
përmes Zebrzydowice


Përkthyen: Astrit Beqiraj dhe Ben Andoni


ALEKSANDRI - Vepra 4 e ETËHEM HAXHIADEMIT

ETËHEM HAXHIADEMI - Vepra 4: "Aleksandri" - tragjedi me 5 akte

Edhe 3 vepra të tjera të tragjedianit të shquar shqiptar-atit të tragjedisë në gjuhën shqipe, Etëhem Haxhiademi, në duart e lexuesit shqiptar. 

Tragjeditë "Aleksandri" - Vepra 4; Skënderbeu - Vepra 5; Diomedi - Vepra 6  i shtohen publikimit të mëhershëm të "Lyra"- Vepra 1; "Pirrua"- Vepra 2; "Abeli" – Vepra 3, sjellë për lexuesit nga "Botime POETEKA" si pjesë e gjerdanit të botimeve "Klasikët e letërsisë shqiptare". 

Vepra 4 - "Aleksandri" - tragjedi me 5 akte, botuar më 1931, sikurse të gjitha veprat e Etëhem Haxhiademit në këtë paraqitje, vjen sipas publikimin e tyre të parë. 

Përveç tekstit autorial, 72 faqe në botimin fillestar, edicioni i vitit 2020 nga "Botime POETEKA"sjell 32 faqe të reja, duke e paraqitur veprën e Haxhiademit në 104 faqe. Kjo paraqitje  zgjeron interesimin e lexuesit të gjerë dhe të studiuesve jo vetëm se kthehet pas 89 vitesh me shijen e origjinalit, estetikën, stilistikën dhe gjuhën e veçantë të këtij autori të shquar, por edhe sepse botimi sjell edhe hulumtime të reja, duke publikuar rishtas 15 skanime profesionale të vitit 1931, 4 artikuj kritikë dhe bibliografi nga Branko Merxhani, Jup Kastrati e Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), 8 faksimile nga revistat letrare të kohës ("Leka", "Rilindja", "Përpjekja shqiptare"), që kanë shkruar mbi Etëhem Haxhiademin dhe tragjedinë "Aleksandri", pamje nga posteri, bileta e premierës së tragjedisë "Aleksandri", paraqitur në Konkursin Filodramatik, Tiranë, 1930 si edhe autografë e dedikime të autorit, kushtuar të bitit, Eminit, të cilat i paraqiten publikut për herë të parë. 

Përgatitën botimin: Hortensia Haxhiademi Pellumbi,  Dr. Silvana Leka dhe Dr. Arian Leka.

21 May 2020

JOVAN NIKOLAIDIS - NGA POETEKA No. 54

JOVAN NIKOLAIDIS - SIMETRIA BALLKANIKE E KLEROFASHIZMIT

Jetoj mes intelektualëve faqezi e mjeranë, të cilëve kryetari Milo Đukanović u ka bërë favore si pakkush. Deri sa Milo Đukanović është nisur për në betejë, shumë lëpirës të tij sot tkurren, heshtin, përgjojnë nga fundi, maten dhe mezi pëshpërisin. Besoj dhe e di se ai do e fitojë betejën, sepse ata që mbesin vetëm janë trima! 
Sikur të kisha vdekur para ndonjë dekade nuk do ta dija se mes nesh ka kaq shumë intelektualë-bishtpërdredhës e mjeranë. AASHMZ, AASHD, OJF të fuqishme, ndonjë britmë e rastësishme vjen nga e ledhatuara e pushtetit - Vatra malazeze, PEN-i, Universisteti, pothuaj të gjithë ata, që e kanë për detyrë e që në mënyrë të vet t'i dalin zot me dinjitet Malit të Z: Fitimtarit nga e gjithë kjo çmenduri. 
Për shkak të këtyre bastardëve të lidhur pas dere të mbërthyer në mornica prej tre dekadash, flas hapur për të gjitha ligësitë e të ashtuquajturit populli heroik si dhe për gabimet e pushtetit. Me theks në fushën e kulturës dhe emancipimit të malazezëve në përgjithësi. 
Prej zhurmës së çetnikëve dhe fanatikëve të çartur, sot, malazezëve u ka mbrritur puna deri aty sa që nuk dihet më ku është fundi e ku mesi i lëmshit. Po kur ka filluar të shpështillet kjo gjë? Këtë e dimë të gjithë: që nga momenti kur fitimtarët filluan të përkëdhelin humbësit. Madje edhe t'u lëpihen... 
I besoj të vërtetës së përhershme, parimit të Ciceronit: Sa herë që mbretërit bëjnë marrëzira, akejtë paguajnë. Me fjalë tjera: Sa herë që prijësit gabojnë, populli e vuan. E drejta, që e zotërojnë dhe mbajnë udhëheqësit, nuk duhet të jetë asgjë më shumë se detyrimi i tyre. Përgjegjësia e prijësve shihet në kënaqësinë e popullit...
...Kemi mundur që, për 14 vjet pavarësi, ta rregullonim sipas një plani shtetin tonë të vogël, duke e lulëzuar dhe bërë më të mirë jetesën për qytetarët dhe kështu do kishim ngritur edhe reputacionin e Ballkanit. Kurse ne, në të vërtetë, u lëshuam në gara se kush do të bëhet – milioner.
Po sikur të më pyes dikush: e çfarë tani?, lehtë do ia jepja përgjigjen. Nëse është e vërtetë se Mali i Zi ka afro shtatëdhjetë milionerë (mëdyshja më pëshpërit: i ka, o poeti naiv, madje edhe më shumë) si është e mundur që nga të dyja anët edhe ata që sulmojnë edhe nga ata që mbrojnë, përballen vetëm dy milionerë: krimineli Amfillohije, i cili do të shkatërrojë, përballë mbrojtësit, Kryetarit të shtetit, për të cilin thonë se, poashtu, është milioner. Ku kanë mbetur milionerët tjerë të Malit të Zi? 
Mos janë edhe intelektualët tanë milionerë? Apo ndoshta milionerët ua kanë mbyllur gojën me diçka e kështu që kanë mbetur pa fjalë? Unë nuk pata kurrë vështirësi të zgjedh një anë: si gjithmonë – jam për shtet multikulturor, demokratik, me kishën e ndarë nga shteti dhe me pasaportë të pranueshme europiane. Jam shkrimtar malazez, i përçmuar nga inteligjenca malazeze, sepse i njoh "si xhepin tim". Megjithatë, sërisht do ftoja pavarësistët, elitën dhe akademikët tanë, mendimtarët e blerë e të stërpaguar, që të ngrejmë zërin së bashku. Le të çohen edhe pakicat etnike me zërin dhe qëndrimin e tyre e le të thonë se janë për ruajtjen e bashkëjetesës mes popujve e kështu, të gjithë së bashku, ta ruajmë Malin e Zi. 
...Dhe po e përsëris, së bashku me intelektualët, të cilëve ua kanë mbyllur gojën. Detyrë jona është të mbrohet shtetësia e Malit të Zi, e këtij vendi në Ballkanin perëndimor, nga milioneri Amfillohije, i cili i ruan me çdo kusht milionat e vet, duke synuar ta poshtërojë, ta përulë dhe ta shkatërrojë shtetin.
Paraja është lodër e rrezikshme, kërkon lojtarë të jashtëzakonshëm. Të tjerëve, të gjitha paratë dhe pasurinë, do ua marrë djalli – nuk ishin të denjë për milionat që kishin... E për Zotin!? Kush nuk mbolli qepë, nuk i shijoi! Nëse për momentin kthejmë kokën kah vetja – edhe vetë Zoti do habitej me marrëzirat tona, duke parë te ne besimatarë të devotshëm, që nuk kanë shërim. Të gjithë shetitës e shkuar shetitësit, analfabetë ortodoks.

Përktheu nga origjinali: Gazmend Çitaku

Fragment nga artikulli - RUAJU DORËS QË VEPRON NË HIJE
© Copyright: Revista POETEKA, No. 54, Maj 2020

15 May 2020

Tregimi i Arian Lekës botohet në Vjenë

Në Vjenë u botua libri "Circle-Surface-Sun: from somewhere in the Mediterranean", në të cilin, krahas teksteve të autorëve të tjerë nga Mesdheu, gjendet edhe një tregim i ri nga Arian Leka, titulluar "Prej nga vjen Drita?" (Where Does Light Come From?) përkthyer në anglisht nga Peter Constantine. Libri prej 224 faqesh shoqërohet me piktura nga Irena Eden dhe Stijn Lernout. Botues SCHLEBRUGGE.EDITOR (Maj, 2020).

"Prej nga vjen Drita?" është një ndërthurje e prozës poetike, esesë dhe meditimit filozofik, që krijon një "dataism". Përmes kalendarit të të dhënave të dikurshme, tre individët e përfshirë në rrëfim (babai, gjyshja, nëna), sjellin kuptimet e tyre rreth asaj që ata kanë quajtur "Dritë" në jetët e tyre të shkuar. Prej nga buronte "Drita" në jetët e tyre në diktaturë? 
Koha e katërt e rrëfimit, që si personazh ka autorin, dhe nga rrëfimi në regjistrin e vetës së tretë (Ai/Ajo) kalon në vetën intime (Unë) nuk e trajton të kaluarën e tyre si çast nostalgjik, prej nga prodhohet keqardhje. Pjesa përmbyllese e kësaj proze i kushtohet fabrikimit të optimizmit të rremë, deytrimit për të qenë doemos të lumtur përballë asaj që ndodh sot e kësaj dite, në brigjet mesdhetare. 
Dritat që vërshojnë sot nga realitetet pamore dhe linguistike të specialistëve të ideologjisë dhe "zotat e mediave" kanë i dobësuar pamjet tronditëse që vijnë nga tragjeditë në Adriatik, Jon dhe në Mare Nostrum. Njëlloj si në kohën e propagandës fashiste e komuniste, hiperrealiteti, i fabrikuar si lumturi, u jepet përdoruesve si ushqim i vërtetë. Të gënjyerit vazhdojnë të gënjehen.

Released in Austria. Book from the Mediterranean basin writing stories of light with the drawings of Irina Eden & Stijn Lernout.

CIRCLE SURFACE SUN

From Somewhere in the Mediterranean

Edited by Irena Eden & Stijn Lernout

English/Div., 224 pages, 18 × 25,5 cm, numerous illustrations in color, softcover

May 2020

ISBN 978-3-903172-50-0


https://www.schlebrugge.com/en/content/circle-surface-sun?fbclid=IwAR37PmUei4wSXWyFTiAwr_1wN2x8ZH4j-LHLUL8a1m6HxjRDNkQ6qrtAcGo


13 May 2020

IN MEMORIAM: Takimi i Maks Velos me Daša Drndić - Shtëpia e Maks Velos

Arian Leka - Takimi i Maks Velos me Daša Drndić

Nuk e vumë re se kishte rënë mbrëmja. Për rreth dy orë Maks Veloja kishte rrëfyer me imtësi mbi vitet e tij në burgun e Spaçit. Interesimit të shkrimtares së shquar kroate, Daša Drndić, ndaj jetës së artistëve shqiptarë në kohën e diktaturës, akuzave të ngritura kundër tyre dhe dëshmitarët, formulimit të pretencave, provave ndaj artistëve në gjyq, implikimeve të tyre dhe ligjeve të kohës Maksi u qe përgjigjur pa shfaqur shenja lodhjeje e padurimi. Përkundrazi.

Si të kishte gjetur, më në fund, njeriun e duhur, të cilit mund t'ia besonte të fshehtat dhe, sikur befas mbi tokë të kishte zbritur krijesa që ai kishte pritur për t'u rrëfyer gjatë gjithë jetës, Maksi fliste duke i ndihmuar fjalët me lëvizje të vrullshme që, më shumë se gjithçka tjetër të sillnin ndërmend një valle primitive. Pëllëmbët dhe krahët çanin ajrin, si për të krijuar kufirin ndarës mes saj që ai kishte jetuar dhe miteve të krijuara më pas, nga njerëz që vazhdimisht shtonin, hiqnin apo përmirësonin diçka nga historia e burgjeve shqiptare. Tema e falsifikimit të historisë, fabrikimi i heroizmit të vonuar a të munguar dhe retushimi i së vërtetës, mbetej çështje së cilës Maksi i rikthehej shpesh, siç iu kthye edhe gjatë asaj mbrëmjeje.

Kureshtja përbënte një nga tiparet e dallueshme të tij. Aq e shprehur ishte ajo, sa nuk do të quhej teprim nëse në pasaportë, te shënimi "shenja të veçanta", kureshtja t'i shënohej si shenjë identifikuese. Për shkak të kureshtjes pra, para se të takoheshim me Daša Drndić në "Friend's Book House", ai kërkoi të dinte diçka mbi "njeriun që do të takonim" dhe me të cilin Maksi do të bisedonte.

Në vend që të përshkruaja personalitetin e Daša Drndić-it, m'u duk më e arsyeshme ta shfaqja atë përmes romaneve të saj. Natyra e Daša-s të bënte ta nderoje e ta dashuroje njëkohësisht, pasi ajo ishte ndër ato raste kur mes veprës dhe krijuesit nuk ka dallime: një njeri i bukur, një grua e fuqishme, që nuk kishte bërë kompromise as në kohë të vështira të regjimeve në ish-Jugosllavi, një autore që ndiqte të vërtetat dhe që të heshturit, ata që mundën, por as shkruan dhe as folën i interesonin po aq sa edhe përgjegjësit e drejtpërdrejtë të krimeve.

Maksi dëgjonte pa folur. Përvoja ndoshta, zhgënjimet sidomos, mund ta kishin detyruar ta mbante nën kontroll entuziazmin ndaj takimeve me të panjohur, për të mos thënë se çdo bisedë e llojit pyetje-përgjigje, nga ato që zhvillonte rëndom me gazetarët, i kujtonte, qoftë edhe së largu, hetuesinë.

Më duhet t'ia kujtoja: – Është shkrimtare, romanciere, jo gazetare, Maks, i thashë dhe, si për t'ia bërë të besueshme, shtova se romani "Sonnenschein" i Daša Drindić, përveçse ishte përkthyer në mjaft gjuhë e së shpejti do të vinte edhe në shqip nga Ben Andoni, i vendoste disa nga ndodhitë e tij në Shqipëri, në Sarandë, Vlorë e Tiranë. Është periudha e pushtimit, Lufta e Dytë Botërore. – E prek temën e kolaboracionistëve? – pyeti. Pastaj heshti sërish. Por, sapo unë përmenda se romani "Belladonna" i kushtohej jetës në burgun e Burelit, Maksi filloi të pyesë, sidomos kur mësoi se disa nga personazhet e romanit të Daša Drndić-it ishin emra realë e të njohur të skenës publike shqiptare. – Takohemi nesër pasdite, atëherë, po këtu? – tha.

Gjatë kohës kur Maksi fliste, Daša mbajti shënime në një bllok. Disa herë më kërkoi të shihja nëse i kishte shkruar saktë emrat që Maksi kishte përmendur: sidomos ata që kishin shkronjat "sh, zh, th, ll". – Jam duke mbledhur fakte për një roman historik mbi Shqipërinë – tha ajo dhe – para se të shkruaj 'fiction', dua që të dhënat të jenë korrekte, që të mos më ndodhë edhe mua si ata që shkruajnë romane nga harta.

Para se të ndaheshim, porositëm konjak "Skënderbeu" dhe kafe, për të saktësuar orën dhe vendin e takimit të nesërm. Maksi na ftoi në shtëpinë e tij. Rruga "Hoxha Tasin", numër… Maksi tha një numër. Unë përktheva. Daša e shënoi në bllok, duke më pyetur: – Do të vish?

Tani, që trupi i Maks Velos e ka një shtëpi dhe shpirti i tij është në udhë, pasi i kthehem rrëfimit të Daša Drndić, shkruar për të, gjatë kohës kur ajo banoi në rezidencën letrare "Tirana in Between" dhe u vu ta gjente vetë se ku banonte ai, më forcohet përshtypja se, edhe atëherë edhe tani, Maks Velo sikur nuk ka dashur të tregojë se ku mund ta gjejmë dhe se ku e ka me të vërtetë shtëpinë.

Mundësitë janë të hapura: Maksi mund ta ketë thënë gabim numrin e shtëpisë së tij, unë mund t'ia kem përkthyer gabim Daša-s, Daša mund vetë ta ketë shënuar gabim ose ashtu kishte qenë e shkruar të ishte. Të mundoheshim për ta gjetur. Njëlloj si tani, kur Maks Velo prehet larg njerëzve, nën një lëndinë, më pranë Dajtit se sa qytetit.

Daša Drndić – Shtëpia e Maks Velos 

Unë banoj në rrugicën "Dërhemi" (në një godinë të re), në rruginën e që të nxjerr në Bulevardin "Hoxha Tahsin". Jam duke kërkuar për shtëpinë e Maks Velos që, siç më ka thënë ai vetë, mban numrin 57. Nisem për në fund të bulevardit, fillimisht në anën e majtë: 32, pastaj 167, pastaj 2, pastaj përsëri 2, 2, 2, dhe 1, 1, 1, pastaj vjen 18, me të është edhe 63.

Kaloj në anën tjetër: 47, 220, 13, 18, 74, 33. Futem në një farmaci (në Tiranë, ka shumë të tilla të padukshme, vetëm në këtë udhë, në një largësi prej 300 metrash, ka tri syresh) dhe pyes: Çfarë numri ka kjo farmaci?

S'ia kam fare idenë – thotë farmacisti. Rruga quhet "Hoxha Tahsim".

Si Nasta e çmendura endem lart dhe poshtë Rrugës "Hoxha Tahsin", e atëherë u drejtohem tre njerëzve që janë duke diskutuar diçka (gumëzhima ndalon), ndërsa dikush prej tyre më thotë: – Kam punuar në ambasadën amerikane, mos jeni vallë amerikane? – Nuk e di se ku gjendet numri 57, thotë tjetri. I treti është shurdh i vërtetë. – Po kërkoj Maks Velon. – Ah, Maks Velon! Atje sipër, njëqind metra përtej, ajo shtëpia e bardhë e madhe me çati të pjerrët.

Sikur të jem në Rijekë, në ndërtesat e të cilës vërtetë janë numrat dhe tabelat, por njerëzit nuk ia kanë fare idenë se çfarë shkruhet në to dhe, kur ti i pyet, së pari ata do të përgjigjen "Booh", pastaj nisin të të shpjegojnë (shumë të dobishëm janë me këtë, sjellje, si dhe shqiptarët).

Shtëpia në të cilën jeton Maks Velo është e vjetër, një banesë e rrënuar dykatëshe, me llaçin e saj në rënie, grilat i janë thyer, ballkoni gati sa nuk rrëzohet, nuk shoh se ku është hyrja, dhe mbi të shkruhet: 47…

Pasi është përmbysur garda e vjetër, u përpiluan listat e të dënuarve padrejtësisht, u formua një komitet, dhe ata që qëndruan më gjatë në burgje (kohë që llogaritej mes tetë dhe tridhjetë e pesë vitesh), do të ishin ndër të parët që do merrnin një banesë.

Komisioni për ndarjen e shtëpive tek përdoruesi-kandidat i të ardhmes (fshehtë), i kërkoi secilit zarfin, me të paktën tri mijë euro brenda.

Ata që kishin tri herë më shumë se tri mijë euro, fituan tre apartamente, nga të cilët dy menjëherë (me çmimin e tregut) i patën shitur. Maks Velos i mbeti të jetojë në katin e dytë të shtëpisë së rrënuar të babait të tij, së bashku me motrën e vet, e cila ka një numër të madh macesh.

Nuk është se qeveria e re shqiptare nuk po tregon kujdes mbi kompensimin për viktimat e qeverisë paranojake totalitare të Enver Hoxhës. Kështu u vendos, që për të dënuarit pa të drejtë, rehabilitimi financiar për çdo ditë të kaluar në burg të kishte vlerën e pesëmbëdhjetë eurove, e cila arrin shumën prej 5.500 eurosh në vit.

Edhe pse për shkak të mungesës kronike të fondeve në buxhetin e shtetit, është krijuar një shqetësim në pikëpamjen e pamundësisë së zbatimit së vendimeve parlamentare dhe atyre gjyqësore, megjithatë, me kompromis, është bërë riprogramimi i pagesave në mënyrë që t'i shkojë kursit të kohës (i vogël, e paguar në mënyrë të parregullt) dhe përparësi u jepet të vjetërve, pasi llogaritet se ata së shpejti do të vdesin.

Mund të them, simbolikisht, se po qëndroj me Maks Velon dhe Arian Lekën në bulevardin "Dëshmorët e Kombitˮ (në Bulevardin e Martirëve të Kombit), rrugën madhështore, e cila gumëzhin nga makina dhe përcjell historinë.

Na afrohet një farë Jean-Pierre, belg, i cili u hodh në Tiranë për të "vendosur koordinatat" për "projektinˮ e ardhshëm ndërkombëtar, lidhur me disa punëtori për popullatat shqiptare, që duhet të jenë të arsimuar më parë si duhet, sipërmarrje dhe pastaj demokracisë, të cilat kuptohet se do të drejtohen nga intelektualë vendës me honorare të turpshme për njëqind apo dyqind euro. Jean-Pierre sʼka asnjë ide se ku është, në veçanti sʼka asnjë ide se kush është Maks Velo. Ai është nga zona e Korçës ka lindur në Paris në vitin 1935.

Maksi i përmend Jean-Pierre-it dhjetë vitet e tij në burgun famëkeq të Spaçit, që ndodhet në verilindje të Tiranës, ku ka punuar në një minierë bakri, gërmuar në mes të askundit, ku ende sot e kësaj dite është vështirë të arrihet, ndërsa Jean-Pierre-i tund kokën ngadalë dhe pastaj pyet: Ku mund të gjej diçka për të ngrënë?

Duke pasur parasysh faktin se Jean-Pierre-i, padyshim nuk ka kohë për të vizituar ndonjë gjë, përveç zyrave të së ardhmes së tij, partnerët e ardhshëm dhe ndonjë restorant "fancyˮ, do të doja tʼi propozoja atij që, të paktën të kthehej nga Muzeu Kombëtar i Historisë , i cili me ndërtesën e tij gjigande dhe mozaikun social-realist në krye, në mesin e sheshit të madh qendror "Skënderbeu", godet mu në mes të syve çdo kalimtar, pasi atje, në këtë muze, ekziston i ashtuquajturi "Pavioni i terrorit komunist", terror dyzet e pesëvjeçar, si dhe një botim i shkurtuar, abridged, i ndrydhur në disa mure, vërdalluar në disa vitrina, disa foto nga proceset gjyqësore farsë, ndonjë rrobë e përgjakur e ndonjë të arratisuri të bllokuar dhe dërrmuar dhe "rindërtiminˮ e një qelie burgu (nëse është në këtë masë horrori, në këtë lloj mënyre, mund edhe të rikonstruktohet – e kjo hap një çështje tjetër për prezantimin bashkëkohor të kujtimeve), sepse, ja dhe Shqipëria, shpejt do kapë hapin me botën, dhe do fillojë me zhvillimin e të ashtuquajturit Dark Tourism, atë që të huajt, kryesisht nga Perëndimi, do të vizitojnë vendet e ekzekutimit (në këtë rast, kopje e tyre) e të kapin zemrën dhe klithin: 'Oh, my god, unbelievable! Incroyable! Nicht zu fassen!' e, pas të cilës, shkojnë për në darkë në ndonjë restorant vendës, ku do të shijojnë specialitete kombëtare e të ndjejnë shpirtin e vendit që vizituan.

Asgjë nga këto sʼi kam thënë Jean-Pierre-it. U ktheva me Maksin dhe Arianin në "Friends Book House", në një librari-kafe, për kafe dhe konjak. Këtu jam edhe për dy javë.

06 May 2020

BOTIM I RI: Ekonomia Ekologjike dhe Shoqëria Harmonike nga "Botimet "POETEKA"

"Botimet POETEKA" sapo kanë publikuar dhe hedhur në qarkullim librin "Ekonomia Ekologjike dhe Shoqëria Harmonike", përkthyer nga Silvana Leka. 


Libri është pjesë e serisë "Lexime shkencore dhe enciklopedike". Ai publikohet sipas marrëveshjes me Akademinë e Shkencave Sociale, si përkthim i autorizuar nga botimi në gjuhën kineze. Autorët e librit, Futian Qu, Ruomei Sun, Zhongxing Guo dhe Fawen Yu, janë studiues të mirënjohur të fushave përkatëse.


Në 322 faqet tij, libri trajton çështje të mprehta dhe aktuale, që kanë të bëjnë me teorinë, politikat dhe studimet empirike në fushën e ekonomisë ekologjike, të cilat jo vetëm shtjellohen me hollësi, por edhe sugjerojnë zgjidhje për perspektivën, duke parashtruar teza dhe hapur debat me specialistët, studiuesit dhe studentët e këtyre fushave të dijes dhe zbatimit të praktikave. 


Libri është kompozuar në katër njësi. Pjesa e Parë i kushtohet teorisë dhe metodologjisë së ekonomisë ekologjike. Pjesa e Dytë shtjellon çështje të veçanta të ekonomisë ekologjike. Pjesa e Tretë sjell studime empirike mbi ekonominë ekologjike. Pjesa e Katërt paraqet vlerën e shërbimeve të ekosistemit dhe kompensimin ekologjik.  


Më hollësisht artikujt trajtojnë si metodologjinë e ekonomisë ekologjike ashtu edhe ecurinë e kësaj ekonomie, ndërlidhur me politikat që e mbështesin atë. 


Studimet ofrojnë gjithashtu një panoramë të gjallë të zhvillimit ekologjik në Kinë e, po ashtu, edhe çështje të ndryshimeve, që kanë ndodhur në këtë vend gjatë tri dekadave të fundit në këtë fushë.


Pjesa teorike e librit hulumton sistemin e disiplinës së ekonomisë ekologjike. Në pjesën e studimeve empirike, të dhënat mbi Kinën janë përdorur për të shqyrtuar hipotezën themelore të kërkimit në fushën e ekonomisë ekologjike.


Libri trajton në hollësi tema të tilla si evolucioni dhe problemet e politikave të ekonomisë ekologjike në industritë pyjore, ekonomia ekologjike në tokat kullotë, ekonomia ekologjike në zonat moçalore etj.


Duke ndërthurur me sukses teorinë, zgjidhjet dhe udhëzimet konkrete e

praktike, libri ofron një burim të vlefshëm dijesh dhe informacioni për të

gjithë ata që janë aktivë në këtë fushë, që po zhvillohet me ritme mjaft

dinamike.

05 March 2020

POETEKA - READING BALKANS - MARS 2020 Nataša Sardžoska

READING BALKANS - MARS 2020 Nataša Sardžoska

Nataša Sardžoska Sarsowski përuron Rezidencën letrare "POETEKA Tirana in Between" për vitin 2020, një program ky që, prej 7 vjetësh mirëpret në kryeqytetin shqiptar shkrimtarë e përkthyes nga Ballkani dhe Europa.

Nataša Sardžoska është poete, prozatore, eseiste dhe përkthyese letrare. Ka lindur në Shkup, në vitin 1979, por falë krijimtarisë, studimeve dhe veprimtarisë së saj, ka jetuar për një kohë të gjatë në shumë qytete evropiane, si Milano, Lisbonë, Paris, Bruksel , Stuttgart.

Nataša Sardžoska ka botuar në maqedonisht libra me poezi, tregime dhe ese, të cilët janë përkthyer e botuar më pas dhe në SH.B.A., Itali, Kosovë etj. Duke përfshirë edhe antologjitë, krijimtaria letrare e Natasha Sardzoskas është përkthyer në më shumë se 15 gjuhë, duke merituar vlerësime e letrare.

Përveç profilit si poete dhe prozatore, Natasha Sardzoska ka përkthyer më shumë se 50 autorë nga gjuhët italiane, frënge, portugeze, katalanase dhe spanjolle, ndër të cilat edhe autorë si Saramago, Carnerio, Montale, Pasolini, Sanguineti, Boyunga, Margarit, etj. Për punën e saj krijuese në përkthim ajo ka fituar çmimin nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë për përkthimin më të mirë të librit Pinocchio nga Carlo Collodi.

Leximet poetike të Nataša Sardžoska-s kanë karakter interpretues dhe ndërveprues, që ndërthurin tekstin me eksperimente vokale, muzikë dhe vallëzim. Poezia e saj bashkon sensualitetin, ekspozon dhimbjen e brendshme, mërgimin dhe freskinë shpirtërore. Karakteri interpretues i poezive të saj e çon drejt dramaturgjisë poetike të teatrit të poezisë, duke I dhënë vlerë të veçantë ekzistencës njerëzore.

Natasha Sardzoska ka interpretuar në shumë festivale ndërkombëtare të poezisë, si në Ars Poetica në Galerinë Kombëtare të Bratislavës, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Genova, në Muzeun Revoltella në Trieste, në Qendrën Kulturore Maqedonase në Sofje; në Akademinë e Arteve në Berlin në kuadër të Festivalit të Poezisë në Berlin; në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë Sha'ar në Tel Aviv, duke performuar nën shoqërimin me saksofon, kontrabas dhe vallëzim bashkëkohore në teatrin Yaffa Arabo-Hebraik. Pjesë e këtyre veprimtarive janë edhe leximet letrare nëpër shumë qytete të Ballkanit (Beograd, Tiranë, Rijeka, Strugë etj.)

26 February 2020

Arian Leka: DUKE KËRKUAR DRITËN

Faqet qendrore të suplementi kulturor të "Oslobodenje" 16 janar 2020 iu kushtuan prozës së Arian Lekës. Rrëfimi mban
titullin "Plava grobnica nepovjerenja: Misleći na svjetlost". Para se të botohej në gjuhët sllave të rajonit, ky rrëfim është publikuar më herët në gjuhën gjermane në "Lettre International", me titullin "Meer des Argwohns" dhe në gjuhën angleze, me titullin "The Catalogue of our Drowned – Naufragus and the Labyrinth", nga botuesi i mirënjohur "Routledge Taylor & Francis Group."

Në këtę tekst autori rrëfen marrëdhënien e tij me qytetin e lindjes, Durrësin, me jetën e fshehtë të përditshmërisë dhe format e padukshme të institucioneve të tij morale e kulturore, të transformuara gjatë komunizmit dhe sot, përfshi këtu edhe kuptimet mbi detin dhe dritën te popujt bregdetarë rreth Adriatikut,

Në gjuhën shqipe ky tekst u botua për herë të parë në "Milosao", 22 Shkurt, 2020.

Total Pageviews