Përcjellja e letërsisë së një kulture drejt një kulture tjetër vijon me ftesën që POETEKA i bën sërish lexuesit shqiptar, të cilit i sjell më pranë krijimtarinë e shkrimtares dhe përkthyeses austriake Andrea Grill. Janë sërish kartolinat letrare, një mjet që jo vetëm ringjall traditën e komunikimit, por edhe sjell një risi.
Sapo është hedhur në qarkullim seria e gjashtë të botimeve që përurojnë kulturën përmes kartolinave letrare. Ky publikim është pjesë e Programit "PoetryCard" 2018. Nisma origjinale e ideuar dhe e realizuar nga POETEKA, që mbështetet nga Ambasada e Austrisë në Tiranë (Austrian Embassy Tirana) dhe nga partnerë të tjerë, si ADD Albania, Ama Caffè, Rauch Albania, ka gjetur përkrahje në mjediset ku kjo iniciativë ka mbërritur, duke u bërë e kërkuar në mjediset publike ku njerezit takohen si dhe në mjedise universitare.
Nisma nxit njohjen përmes leximit të autorëve austriakë në Shqipëri, por edhe paraqet krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri, që shkruajnë në gjuhën shqipe e në gjuhën gjermane, duke vijuar fenonenin e bilinguitetit në letrat shqipe.
Nga ana tjetër programi "Poetry Card – Nga Austria me dashuri - From Austria to Albania with Love 2018", bën të njohur edhe punën e shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë që kanë sjellë në gjuhën shqipe këta autorë, mes të cilëve Arshi Pipa,Lindita Arapi,Admira Poçi, Oriona Kraja Zylja,Majlinda Çullhaj etj.
Pas suksesit me edicionet pararendëse të kartolinave letrare, ku u publikuan ballina e revistës "Fryma", 1944, në të cilën u paraqit një poezi e Rainer Maria Rilke-s, përkthyer nga Ars, botimet vijuan me nobelisten austriake Elfriede Jelinek (2004), e më tej me me kartolinën e shkrimtarit dhe gazetarit të mirënjohur austriak, Joseph Roth, veshur me kostum tradicional shqiptar, me krijimrarinë poetike në dy gjuhë të shkrimtarit dhe përkthyesit Ilir Ferra dhe me esenë e artist austriak Christian Thanhäuser-it kushtuar multikulturalizmit dhe arsyeve që e bëjnë të kthehet në Shqipëri.
Editioni i gjashtë i botimeve "Poetry Card – Nga Austria me dashuri - From Austria to Albania with Love ", përuron krijimtarinë e Andrea Grill përmes tregimit "Hallë Lulja në Europë" (Tante Lulja in Europa). Ky trgim, si edhe të tjerë nga krijimtaria e kësaj autoreje, që priten të botohen së shpejti, është përkthyer në shqip nga Majlinda Çullhaj.
_____________
Andrea Grill
Hallë Lulja në Europë/
Tante Lulja in Europa
(fragment tregimi)
«Çfarëdo që të thuhet nëpër librat e shenjtë, kur burrave ju gëlon aty, aha!» - thoshte halla. Halla ishte motra e asaj hallës tjetër. Dëgjoi dikë në radio që thoshte se bota perëndimore zotin e kishte shkundur nga shpatullat prej kohësh, ndërsa tek myslymanët ai rrinte ngjitur si rrodhe e rëndonte më shumë se një elefant. Pasi e dëgjoi, halla u tërbua fare. «Mos më merrni për budallaqe vetëm se ju jetoni në Europë e unë jo» - i bërtiti radios. E mori radion nga bufeja dhe e tërhoqi deri sa doli nga priza. «Qentë e krishterë nuk janë hiç më të mirë se ne, e jo, e pa shih, ja ku rri ai zoti i tyre, më i rëndë se kurrë e madje çon së fundmi dhe emaila, po pra!». Halla s'kishte shumë që kishte marrë vesh se mua më vinin emaila nga Kisha katolike. Kishte marrë vesh se Kisha më kërkonte të bëja pagesa pa vend. Pasi i kishte mprehur veshët mirë më parë, halla më tha: «Kjo Kishë ka neps të madh, s'ka zot që e pëlqen këtë». E pastaj: «Emaila në qiell nuk ka, sepse engjëjt s'kanë energji elektrike». Halla thoshte se ishte myslimane dhe ia mbushte vetes një gotë verë. Halla thithte cigaren dhe thoshte se edhe zoti vetë kishte ndryshuar. Halla thoshte «qentë e krishterë», por s'e kishte as me mua e as me të vëllain që ishte i pagëzuar gjithashtu.
Halla ishte një grua e urtë, mirëpo disa gjëra e acaronin vërtetë shumë. Halla ishte myslimane, por në dhomën e ndenjjes mbante varur një pikturë me kokën e Krishtit me kurorë me gjemba. Në parmakun e dritares kishte një xhami të vogël. Në mbrëmje e fuste kabllin e xhamisë në prizë dhe dritaret e saj lëshonin një ngjyrë jeshile të errët në terrin e natës përjashta. Por thellë-thellë ajo besonte vetëm atë që i tregonte fundi i filxhanit. Dhe atë e lexonte vetë. Banonte në Tiranë dhe gjatë gjithë jetës nuk ishte larguar
Suadela Balliu- "Doja të bija në kontakt me shkrimtare të reja gra, kryesisht poete.", thotë poetja sllovene, e ulur në karrigen e ballkonit me fytyrë nga mali i Dajtit, teksa pi me gllënjka të vogla nga filxhani i çajit.
Ishte miku i saj, përkthyesi dhe poeti Gašper Malej, i cili kur u kthye në Lubjanë pasi kishte kaluar muajin shtator në kryeqytetin shqiptar, si shkrimtar në Rezidencën "Tirana in Between", organizuar nga POETEKA dhe rrjeti TRADUKI, ua rekomandoi të gjithëve. "Ishte aq euforik. Na tha se ka njerëz të mirë, me ide shumë të thella dhe vendi është ideal për të punuar." Dhe kështu aplikova në "Traduki"", vijon ajo, ndërsa shkrimtari Arian Leka, organizator i kësaj nisme prej gjashtë vitesh tashmë, e kontaktoi për t'i thënë se e kishte fituar bursën një mujore të qëndrimit në Tiranë. "Zgjodha të vij në korrik", shton Barbara Korun, poete dhe kritike letrare e njohur jo vetëm në Slloveni, por në të gjithë hapësirën e Europës Qendrore.
"Arsyeja pse jam e interesuar te shkrimtaret femra është edhe vetë historia ime…", e çon edhe njëherë bisedën aty ku e nisi, ndërsa me sytë blu, flokët e gjatë e të lëshuar që përhimen me ndonjë fije të argjendtë, zërin e ngrohtë e të shtruar bashkëbisedor tek qëndron e kthyer në profil, në atë verandë të apartamentit që pret e përcjell çdo muaj një shkrimtar të ri nga Ballkani e Europa, ngjan si të ishte udhëheqësja shpirtërore e një lëvizjeje të re që synon paqen dhe barazinë mbi tokë. Jo se përshtypja i qëndron aq larg së vërtetës. "Dikur lundroja në spiritualitet", thotë duke buzëqeshur, ndërsa duart bëjnë lëvizje të ajërta sikur notojnë mbi retë e pasdites, diku pranë rrugës "Hoxha Tahsin".
Më pas kur ndjeu pabarazitë në lëkurën e saj, si grua, kur lexoi autore që kishin ngritur zërin për të luftuar mbi të drejtat e barabarta, feminizmi u bë një cilësor tjetër, krahas poetes. Nuk e ndan nëse poezia u bë mjet për feminizmin apo ky i fundit shprehje e ideve në poezinë e saj. Në të dy rastet, feminizmi i saj është ai i një lloji pak të ndryshëm prej rrymave kryesore; është ai i njeriut të ndershëm që lufton për lirinë dhe të drejtat e të gjitha qenieve, edhe kafshëve, edhe bimëve. "Kam nisur të shkruaj qysh në moshë të re, por pastaj u martova dhe poezia ime mbeti e paprekur thuajse për 15 vite. Kur nisa të botoja ishte në mes të të tridhjetave dhe libri im i parë doli kur isha 36 vjeç. Kuptova se, në shoqëritë tona, gratë nuk inkurajohen të angazhohen në letërsi, poezi apo në çështje serioze si politika, etj., por inkurajohen të jenë lule të bukura në tavolinën, ku burrat drejtojnë rolet kryesore."
Libri i saj me poezi "Ostrina Miline" botuar më 1999-ën, fitoi çmimin e Panairit Kombëtar të Librit si vëllimi më i mirë debutues në poezi, duke u bërë kështu gruaja e parë që e ka marrë atë çmim. Deri në fund të shekullit XX, fituesit kishin qenë vetëm shkrimtarë burra.
"Mendoj se vendet tona ngjajnë, si vende të dala nga sistemet komuniste. Gjatë regjimit socialist mbaj mend se çdo grua në lagjen time bënte dy punë, një në shtëpi dhe një jashtë dhe një të tretë, madje; të mbante më këmbë shtëpinë. Dikur mendoja se gratë mungojnë në jetën publike, sepse nuk janë të afta sa burrat, por nuk është kështu; është sfondi social, i pafavorshëm për gratë."- thotë ajo, duke shtuar se pas viteve 2000 tabloja ka nisur të marrë të tjera ngjyra, me penën e shkrimtareve gra. Poezia e saj është përkthyer në njëzet gjuhë dhe është botuar në më shumë se 50 antologji anembanë Europës dhe ShBA. U zgjodh për të përfaqësuar poezinë sllovene ndër 27 poetët më të mëdhenj europianë, si pjesë e projektit "RUHR- Kryeqyteti Europian i Kulturës 2010". "Për shkak të përvojave të ndryshme të burrave dhe grave mbi botën, pikëpamja e këtyre të fundit për jetën është e ndryshme dhe, për mua është përvojë shumë e vyer. Nëse do të mundesha do të doja të sillja në vëmendjen publike zërat e atyre grave. Do të më pëlqente të përktheja disa nga shkrimtaret e reja në Shqipëri." , thotë poetja, e cila në vendin e saj është një nga figurat kryesore të gjeneratës së poetëve të rinj radikalë në Slloveni.
Historia sot, nuk është ajo e mbretërve apo e liderëve të fuqishëm botërorë. Është historia e përditshmërisë; si të mbijetosh, si të rrisësh fëmijë, si të bësh vend për marrëdhëniet, si të bësh vend për të vërtetën e çdo dite.
Teksa flet, ka në duar letra të printuara me poezi në gjuhën shqipe. Është takuar me disa prej poeteve të reja shqiptare, të cilave u ka kërkuar versionet në dy gjuhë të poezisë, në shqip dhe në anglisht dhe kalon orë të tëra në apartamentin e saj të Tiranës duke biseduar me to e duke përkthyer fjalë pas fjale, duke i pyetur mbi kuptimet e para dhe ato në nënshtresa. Është e kënaqur nga takimet dhe përvoja dhe kur poetet lexojnë në gjuhën shqipe, thotë se i tingëllon aq melodike kjo gjuhë, si e bërë enkas për poezinë. Prej vitesh bashkëpunon me poetë nga vende të ndryshme në përkthimin e poezisë së tyre në gjuhën sllovene, së pari në Festivalin ndërkombëtar të Letërsisë Vilenica dhe më pas si të ftuar në punëtorinë e përkthimit "Varka e Artë" në Slloveni. Me t'u kthyer në vendin e saj, rrëfen, do të vijojë punën që nisi në Tiranë, me përkthimin e këtyre poezive nga autoret e reja, të cilat shpreson vërtet t'u japë një dorë në promovim.
Cili është ky realitet, ky këndvështrim i ndryshëm për botën që pikturojnë gratë me letërsinë e tyre? A bëhet fjalë për atë botën romantike, siç është parë kryesisht letërsia femërore?
Nuk është aspak ai realiteti romantik. Ato janë të guximshme dhe nuk kanë frikë të hapin jetët e brendshme në sytë et të tjerëve dhe ajo që është me rëndësi për mua – ndërsa flas kështu, mund jetë e stereotipizuar, por jeta e kombeve është parë përmes syve të përditshmërisë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Historia sot, nuk është ajo e mbretërve apo e liderëve të fuqishëm botërorë. Është historia e përditshmërisë; si të mbijetosh, si të rrisësh fëmijë, si të bësh vend për marrëdhëniet, si të bësh vend për të vërtetën e çdo dite. Gjatë ditëve këtu në Tiranë, jam frymëzuar nga Eavan Boland, poete irlandeze, tek të shtatëdhjetat, e cila qe e para që hapi këto tema për irlandezët dhe me shembullin e saj ftoi të tjera shkrimtare femra. Në librin e saj " Object lessons", sheh sesi bota e irlandezëve nuk është parë me sytë e përditshmërisë së grave. Dhe kur flisnin me zërin e grave ishte e mbushur me heroizëm, me sakrifica për kauza, ose lirika romantike, dashuri, por kjo nuk ishte e vërteta. Sepse, në fakt gratë ishin furnizueset e përditshmërisë; ato furnizuan themelin mbi të cilin u ndërtua bota. Në zërin e saj kishte diçka shumë tërheqëse për mua. Ajo përshkruan një pasdite në një park lodrash për fëmijë dhe e gjithë historia e Irlandës vjen e rrëfyer përmes asaj pamjeje. Ishte diçka krejt e ndryshme. Shumë e guximshme për ta bërë dhe që ta lexosh dhe respektosh, duhet të ndryshosh syzet. Vetëm ashtu mund të kuptosh se për çfarë bën fjalë një poezi e mirë dhe kjo ka nevojë për pak kohë. Dhe, këto syze ishin të rëndësishme për mua sepse mendoj se përmes atij mendimi të ri do të ishte kuptimi për një shoqëri më të mirë dhe të ardhme më të mirë. Këtë shpresoj.
Po ju, për çfarë shkruani në poezitë tuaja? Cilat janë temat që ju kanë tërhequr dhe angazhuar?
Libri im i parë, të cilin nuk e pëlqej më –jam shumë kritike si çdo grua –flet për gjuhën dhe dashurinë. Këto janë dy temat qendrore dhe, për kohën kur u botua, u konsiderua haptas erotik. Mendoj se për kohën kur u shkrua përshtatej, mendoj se nuk isha gati për një libër më intelektual.
Ju gjithashtu jeni edhe kritike letrare në vendin tuaj dhe feministe e shpallur. Si e keni parë letërsinë e vendit tuaj, jo më nga pozita e poetes, por ajo e kritikes dhe feministes?
Kur libri im i parë doli isha në një revistë elitare "Nova Revija" quhej, por e gjeta shumë patriarkale dhe më dukej si ndodhesha në një qeli shumë të ngushtë për mua. U largova për të provuar revista më "underground" siç ishte "Apokalipsa", por pas dhjetë vitesh aty vendosa të largohem e të mos angazhohesha më në institucione. Isha pak e zhgënjyer prej institucioneve. Ndërkohë njohja shumë shkrimtare të zonja gra, por edhe burra që na mbështesnin ne, feministet e shpallura. Kur nisa të shkruaja, ky term kishte ngjyresë pak negative, por ngadalë ndryshoi dhe kam luftuar që, termi 'feministe' të kishte kuptimin e një njeriu të ndershëm që lufton për të mirën e të gjithëve. Kjo është pikëpamja ime për feminizmin. Jam me feminizmin që promovon lirinë, jetën dhe barazinë e të gjithë qenieve, përfshirë kafshët dhe bimët, një lloj feminizmi ekologjik do ta quaja.
Ngjan më shumë si një lëvizje shpirtërore drejt një bote utopike, ideale…
Fillimisht kam lundruar në spiritualitet, por me kohën nisa të admiroj shkrimtaren afro-amerikane June Jordan. Kam ndier në poezinë e saj çfarë ka ndier ajo si poete, si feministe, si grua me ngjyrë dhe biseksuale mbi lirinë e seksualitetit të cilitdo orientim, lirinë e barazisë, të pasurisë (që të mos ketë njerëz të varfër)…Një aktiviste e madhe që, kishte ndier se poezia e saj kishte fituar besimin e njerëzve dhe për këtë nuk duhej vetëm të ishte mirënjohëse, por të bënte diçka për ata njerëz, duke gjetur në poemat e saj perspektiv të reja për t'u dhënë forcë njerëzve me ngjyrë dhe fatit të tyre.
A mundet të shihet poezia si armë për të luftuar mbi të drejtat e grave?
Nuk do e quaja armë, sepse në gjuhën e metaforave do të thotë agresion dhe nuk më pëlqen asgjë që ka të bëjë me dhunën. Do e shihja si një mjet. Poezia është transformuese; mund të të ndryshojë mënyrën si e sheh jetën. Kjo është pjesa më interesante e poezisë. Hyn në hapësira të mendjes ku nuk ke qenë më parë. Kjo është më ngazëlluesja. Është diçka e re. Përmes gjuhës i shtyn kufijtë e mundësive pak më tutje. Të shkruash poezi dhe të kujdesesh për gjuhën është veprimtaria më e sofistikuar e trurit dhe procesi më kreativ- sipas mendimit tim, ndaj jam poete.
Është një qiell i shtatë kjo përvojë këtu në Tiranë dhe do të doja të jepja diçka pas; të promovoja disa autorë shqiptarë
Ju thoni se, poezia ka kaq forcë të madhe transformuese?!
Poezia më ka ndryshuar jetën. Mbase nuk e ndryshon të të gjithëve, por jam ndikuar nga poezitë e shumë njerëzve dhe ka ndryshuar mënyrën sesi i shoh gjërat rreth meje. Mendoj se është e mundur. Nuk do të më pëlqenin ndryshimet që vijnë nga mënyra të tjera si demonstrata apo revolucione. Kur mblidhen shumë njerëz bashkë është e vështirë të mbahet kjo krijimtari. Poezia mund të të hapë sytë apo të ta bëjë të menduarit më fleksibël dhe më të mbushur me përkujdesje për të tjerët dhe veten. Ky është unitet; jo luftë kundër dikujt tjetër, por bashkëpunim. Do të ishte mirë që shoqëria globale ta zbulonte se nëse njerëzimi ka mbijetuar ka qenë përmes bashkëpunimit dhe jo luftërave. Dhe mendoj se gratë e kanë zhvilluar këtë sens bashkëpunimi. Mbase kjo që po them do të më bëjë të shkoj tek stereotipat biologjikë – gjë që nuk e pëlqej –por jam mama e dy fëmijëve dhe përvoja e shtatzënisë, përkujdesja brenda meje, lindja, nevoja fizike për t'u përkujdesur, më ka ndryshuar. Por nuk them se çdo grua duhet ta provojë me çdo kusht këtë përvojë. Kam lexuar një intervistë të Anais Nin-it, e cila thoshte se gratë kanë zhvilluar një sens shumë të mirë bashkëpunimi dhe kjo duhet ruajtur. Gratë nuk e kanë atë egon e madhe "Unë, unë, unë!" siç e kanë burrat.
A mendoni se me kulturën e argëtimit që po fiton terren çdo ditë e më shumë, audienca apo lexuesit e poezisë po tkurret?
Mendoj se me globalizimin kultura është bërë një lloj argëtimi; Duhet të jetë e lehtë, të mos mendosh shumë, të mos angazhohesh shumë. Nuk duhet të kërkojë përpjekje të mëdha për të kuptuar apo të të angazhojë intelektualisht; duhet të jetë ose argëtuese, ose tronditëse. Nëse janë këta elementë bëhen spektakle të mëdha, që për mua janë të zbrazëta dhe futen aq shumë para për këto spektakle dhe për punën e përditshme krijuese ka gjithnjë e më pak para dhe vëmendje. Kur isha e re, kishim një revistë javore për kulturën dhe mendimin dhe çdo libër që dilte, do të kishte të paktën një kritik që do të shkruante dy deri në katër faqe. Ndërsa tani për kritikët ka, në rastet më të mira 1500 fjalë, por zakonisht as aq, mbase 500 fjalë; duhet ta bësh të shkurtër dhe të thjeshtë dhe kjo nuk është e mirë për gjërat komplekse, të cilave u qasemi. Shoqëria po bëhet gjithnjë e më e larmishme dhe që ta bësh bashkë, nevojitet mendimi kritik, koha dhe hapësira. Kjo mungesë mendimi, vendi dhe kohe apo vullneti për të dëgjuar anën e kundërt, bëhet e rrezikshme për shoqërinë.
A ndihet edhe në Slloveni se njerëzit po i largohen letërsisë?
Me atë që nuk është i ngjashëm, njerëzit ndihen në rrezik dhe bëhet e lehtë të luftohet kundër apo të ndërtohen fortesa dhe kur nuk ka komunikim, nuk ka zgjidhje . Që komunikimi të vijë te zgjidhja e përbashkët duhet të jetë i hapur dhe i qetë. Ky është problemi edhe me emigrantet që vijnë në Slloveni dhe politikat e qeverisë janë të ashpra. E Majta dhe e Djathta janë ndarë në mes për këtë çështje. Të shohim ç'do të ndodhë! Politik që ka vendosur telat me gjemba në kufij është e tmerrshme dhe ajo çka Orban i Hungarisë ka thënë në parlament se çdo emigrant do të persekutohet, ngjan me Luftën e Dytë Botërore. Kur Sllovenia u pranua në Bashkësinë Europiane kishte GDP-në më të lartë ndër 15 shtetet e pranuara, ndërsa tani jemi diku nga fundit. Të rinjtë nuk kanë punë dhe nuk kanë ku të shkojnë dhe kjo është një grabitje e dytë që i bëhet vendit.
A shkruani për politikë në poezinë tuaj?
Po e bëj gjithnjë e më shumë. E kam nisur në mënyrë lirike, por ndjeva në lëkurën time se nuk trajtohesha në mënyrë të barabartë me kolegët e mi meshkuj për problemet sociale, por edhe për seksin – kam disa shoqe lesbike dhe shkruar rreth përvojës së tyre në shoqëri. Është puna ime e përditshme. Në revistën 'Poeteka' janë botuar tetë poezi të miat, të përkthyera nga Silvana Leka- janë monologë, kushtuar grave si Mbretëresha Elizabetë e Parë –një nga heroinat e mia apo gruaja e Noes, së cilës as i është përmendur emri në Bibël…Këtë mungesë të vëmendjes ndaj grave e kam parë nga qasja feministe. Pse nuk ka gra? Ku janë ato? Pse antologjia e poezisë sllovene është në 93 përqind me burra? Çfarë po ndodh këtu? Kisha lexuar një artikull mbi një grua amerikane, e cila u persekutua se kishte vrarë një oficer policie, gjë që nuk e kishte bërë dhe qëndroi për një krim që nuk e kishte kryer për 35 vjet në burg. i ati luftoi gjatë për lirinë e saj, u përpoq për një gjyq tjetër dhe ia doli më në fund, por ishte aq e lodhur sa vdiq para se të dilte. Kam shkruar një poezi rreth kësaj. Gjithçka që përjetoj përmes syve të mia dhe trupit tim, vjen në poezi.
Kam luftuar që, termi 'feministe' të kishte kuptimin e një njeriu të ndershëm që lufton për të mirën e të gjithëve. Kjo është pikëpamja ime për feminizmin.
Kam lexuar se keni realizuar një CD ku ndërthuret poezia dhe xhazi. A është edhe muzika një pasion?
Po, së bashku me kompozitorin dhe perkursionistin e jazz-it Zlatko Kaučič. Më pëlqeu të eksperimentoja me leximin vokalisht, ndërsa ai ka eksperimentuar me muzikën. Recitova poezitë e një poeti shumë të mirë, Srecko Kosovel. Edhe pse ka 100 vjet që ka vdekur, ajo çka ai ka për të thënë është aktuale edhe sot. Është avanguardist me një zemër të madhe, një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Nuk i pëlqej etiketimet si 'poeti më i madh', por nëse do e bëja do të thosha emrin e tij si poeti më i madh i të gjitha kohërave. E shijova shumë këtë përvojë dhe më pëlqen shumë xhazi, improvizimi. Kur një bandë është në skenë dhe improvizon i duhet të gjithëve të mbajnë vesh njëri-tjetrin për të ruajtur harmoninë. Je i vetëm, por edhe pjesë e gjithësisë. Mendoj se kjo do të ishte një metaforë për demokracinë. Nga përvoja ime me takimet e leximit kur njerëzit ulen bashkë e dëgjojnë sho-shoqin, ngadalë mendimi shkon në një drejtim që nuk do të kishte shkuar nëse do të ishte një mendim i vetëm.
Ju organizoni këto lexime të poezisë, ku mblidhen shumë njerëz. Sa ndryshon të kuptuarit individual nga ajo çka del prej këtyre takimeve?
Drejtoj për të shtatin vit, leximin e poeteve sllovene dhe janë afro dyqind njerëz që vijnë herë pas here. U dërgoj versionet elektronike të librave për të cilët diskutojmë, ftoj autorin dhe mblidhemi. Kushdo që do të vijë dhe që e ka lexuar librin dëgjon autorin dhe rrëfehet se çfarë ka ndier kur e ka lexuar, cila poezi u ka pëlqyer… Ka këndvështrime aq të ndryshme për të njëjtën poezi dhe të gjithë respektojnë mendimin e njëri-tjetrit, qëndrojmë duke biseduar për afro tri orë. Jam lexuese me përvojë e poezisë, por gjithmonë mësoj diçka të re. Kjo është arsyeja pse jam aq entuziaste, nuk ka parà në mes. E bëjmë në kohën e lirë. Aty vijnë njerëz me doktoratë, kuzhinierë të dalë në pension, poetë, inxhinierë, gra edhe burra që e duan poezinë. Kushdo është i ftuar të thotë të paktën një fjali.
E cilësoni veten si shkrimtare në profesion të lirë. Ç'do të thotë kjo? Parapëlqeni të mos vareni nga shtëpitë botuese dhe kërkesat që ato kanë? A mund të jetohet vetëm me letërsinë, në terma ekonomikë?
Këtu, në Tiranë kam shkruar disa poezi për librin tim të ri. Kam kohë të lirë mjaft tani, sepse si freelancer më duhet të bëj diçka tjetër për të mbijetuar. Kudo në botë mendoj se është e vështirë të mbijetosh me poezi. Edhe në ShBA, Gjermani apo gjetkë, po të jesh. Më duhet të bëj çdo gjë tjetër; kritikë, gazetari, redaktori, etj. Çfarëdo që më vjen në dorë, e marr. E bëj për të pasur kohë për veten, për librat, për poezitë e mia. Është një qiell i shtatë kjo përvojë këtu në Tiranë dhe do të doja të jepja diçka pas; të promovoja disa autorë shqiptarë.
Nga Austria drejt Shqipërisë – Letërsi në kartolinë
Hedh sytë prapa, në fëmijërinë time dhe shoh si u zgjua kureshtja ime për të huajën dhe se si u skicua rruga ime nga Austria veriore për në Shqipëri. Një ditë Maji me diell në vitet 70-të isha në lundrim mes Patras dhe Brindizit, në ngushticën detare mes Korfuzit e Butrintit dhe, pashë për herë të parë Shqipërinë. Bregdeti më la një përshtypje përrallore .Atëherë vendi për ne ishte i paarritshëm, por unë e dija se më vonë do ta shkelja atë vend….Ky fragment i shkëputur nga eseja "Vetëm kufijtë e luhatshëm nuk janë mure" e shkrimtarit austriak Christian Thanhäuser, sjellë në shqip nga përkthyesja Oriona Kraja Zylja është pjesa e pasme e një kartoline, të sapodalë në qarkullim. Për të gjithë ata që do qeshnin apo do të mendonin se bëhet fjalë për ndonjë gabim, ku në këtë sezon veror vizituar aq dendur nga turistë – të huaj apo shqiptarë jashtë trojeve –kartolinat më të kërkuara mund të ishin ato me pamje të qyteteve bregdetare, kështjellave historike apo peizazheve nga natyra e Shqipërisë.
Por, 'Poeteka' dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë kanë menduar të sjellin një kartolinë të një forme tjetër; për të promovuar kulturat përmes teksteve letrare. Programi "Poetry Card – From Austria to Albania with Love" ka nisur në fillim të vitit, cilësuar si viti kulturor mes Austrisë e Shqipërisë me kartolinën e parë kushtuar Reiner Maria Rilkes dhe poezisë "Vjeshta" Kjo kartolinë e parë ku edhe u trupëzua nisma, solli të shtypur ballinën e e revistës "Fryma", (1944) ku edhe ishte botuar më së pari poezia e Rilkes, përkthyer nga Arshi Pipa i cili do të firmoste asokohe me emrin e artit, Ars.
Formati i letërsisë në kartolinë u zgjodh mes revistës kulturore e letrare 'Poeteka' dhe përfaqësisë diplomatike të Vjenës, duke qenë se Austria njihet si prej atyre shteteve që i përdorën kartolinat si mjet komunikimi mes kulturave që herët. Komunikimi përmes imazhit dhe tekstit, që ofron kartolina, përbën një traditë të gjerë dhe të pasur 115-vjeçare.
Autorë, përkthyes dhe lexues komunikojnë mes tyre me ndërmjetësinë e kartolinave. Kartolina si fjalë fluturake, rreket të rivendosë marrëdhënien e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe më leximin. Jo thjesht portrete poetësh e prozatorësh, por edhe një shije nga krijimtaria e tyre përkthyer në gjuhën shqipe, ndërsa ata që njohin gjuhën gjermane mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale.
Christian Thanhäuser është autori i pestë i këtyre botimeve letrare në kartolinë, ndërsa krijimtaria e tij dallohet veçanërisht për punimet grafike realizuar përmes teknikës së gdhendjes së dru. Ai është gjithashtu ilustrues i shquar librash dhe botues. Veç këtyre Christian Thanhäuser vijon të japë kontribut të përmes leksioneve të hapura nëpër Europë dhe Kinë, ku bashkëpunon me studentë mbi teknikat e artit grafik, bashkë-organizon workshop-e apo master class-e mbi ilustrimin e librave, një të tillë e ka mbajtur edhe në Universitetin e Arteve të Tiranës, kur arriti ta shkelë njëmendi vendin të cilin së pari e kundroi në ngushticën mes Korfuzit e Butrintit.
Të tjerë autorë që janë sjellë në vëmendje të publikut këtë vit kulturor mes dy shteteve, kartolina të cilat ata që duan t'i dhurojnë apo mbajnë për vete si suvenire të artit të të shkruarit i gjejnë në libraritë e kryeqytetit, kanë qenë nobelistja austriake Elfriede Jelinek (2004), kartolina me një tregim nga krijimtaria e saj u botua në Ditën Botërore të Librit, më 23 Prill. Më tej ishte kartolina e shkrimtarit dhe gazetarit austriak, Joseph Roth, i njohur për tekstet e tij kushtuar Shqipërisë në periudhën mes dy luftërave ku shfaqet i veshur me kostum tradicional shqiptar e po ashtu edhe shkrimtarit dhe përkthyesit Ilir Ferra, me origjinë shqiptare, por që e zhvillon karrierën e tij në Austri e po ashtu shkruan në gjuhën austriake. Kartolina e tij erdhi e shoqëruar me një poezi në të dy gjuhët, ku autorësia dhe përkthimi mbante të njëjtin emër.
Të tjerë shkrimtarë e poetë që pritet të dalin të shtypur në formën e një kartoline janë edhe shkrimtarja për fëmijë Christine Nöstlinger, apo edhe autorë të botuar në gjuhën shqipe, si Andrea Grill apo shkrimtarë si Karl Markus Gauß, që do të jetë në Tiranë gjatë muajit tetor 2018 si fitues i rezidencës letrare "Poeteka -Tirana in Between".
Nisma nxit jo vetëm njohjen dhe leximin e autorëve austriakë në Shqipëri, por edhe paraqet krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri dhe që shkruajnë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën gjermane. Nga ana tjetër programi "Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love ", bën të njohur edhe punën e shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë që kanë sjellë në gjuhën shqipe këta autorë, të tillë si Arshi Pipa, Lindita Arapi, Admira Poçi, Oriana Oriona Kraja Zylja, Majlinda Cullhaj në vijim e të tjerë që do të vazhdojnë programin.
"POETEKA", një revistë letrare dhe kulturore që botohet që nga vitit 2005, boton numrin 49. Në rubrikat e këtij numri u botua krijimtaria letrare dhe artikujt studimorë të 12 autorëve dhe e 11 përkthyesve.
Poeteka është pjesë dhe partner e rrjetit të revistave kulturore europiane. Editor, Arian Leka.
Përmbajtja (no. 49: 2018)
Status
Fq. 4 Arian Leka - Teatri si formë ndëshkimi
Letërsi
Fq. 16 Wislava Szymborska - 4 poezi
Përktheu Pandeli Çina
Fq. 22 Leonard Veizi - Marrëdhënie bojrash
Fq. 31 Lidija Dimkovska - 21 poezi
Përktheu Daim Myftari
Tekstit Përballë
Fq. 64 Miruna Vlada - 11 poezi
Përktheu Ardian-Christian Kyçyku
Ad Honorem
Fq. 88 Mateja Matevski - Dy fjalë për poetin...
Fq. 90 Mateja Matevski - 19 poezi
Fq. 111 Mateja Matevski – Intervistë me gazetaren Delvina Kërluku
Ballkanologji
Fq. 118 Srdjan Atanasovski - Religjioni i identitetit në Kosovë
Fq. 124 Jelena Lončar - Takimet e grave të Serbisë dhe të Kosovës
In Memoriam
Fq. 132 Daša Drndić - Me Shqipërinë në xhep: Sapere aude
Fq. 143 Daša Drndić - Belladonna
Fq. 151 Daša Drndić - Sonnenschein
Përktheu Ben Andoni
Përkujtim - Gjergj Kastrioti – Skanderbegu në 550-vjetorin e vdekjes
Fq. 182 Eqrem Çabej - Një epos për Skënderben
Fq. 184 Martin Bielski - Gjergj Kastrioti Skënderbeu princi shqiptar
(Fragment nga libri i historianit polak, Krakow 1564)
Përktheu Arqile Teta
Fq. 192 Aleks Luarasi - Skęnderbeu: Aleat apo vasal i Alfonsit të Napolit?
POETEKA hedh në qarkullim edicionin e ri të programit "Poetry Card – Nga Austria me dashuri - From Austria to Albania with Love ".
Edicioni vijon me shkrimtarin dhe përkthyesin Ilir Ferra.
Kartolina e katërt letrare pason publikimin e ballinës së revistës "Fryma", 1944, ku u botua një poezi e Rainer Maria Rilke-s, vijoi me nobelisten austriake Elfriede Jelinek (2004), për të vazhduar më tej me kartolinën e shkrimtarit dhe gazetarit të mirënjohur austriak, Joseph Roth, veshur me kostum tradicional shqiptar.
Kartolina letrare publikon në version dygjuhësh një poezi nga Ilir Ferra.
Ndonjëherë më duket sikur shoh qiellin,
por në fakt shoh vetëm ajër,
përzierje gazrash,
të përbërë nga atome, që
po të humbin ekuilibrin
përpijnë njëri-tjetrin.
Ndonjëherë marr frym', dhe mendoj
se ësht' ajër, por në fakt
ësht' një cop' qiell, të cilin
në të vërtet' as që e meritoj.
Thjesht bëhet pjesë e imja
duke u ndarë nga vetvetja
kjo pjesë e vogël e qiellit
mbetet brenda meje.
Pra është normale që
gjatë ndalesave nëpër rrugica
ajri ose qielli të bëhen
pjesë e jotja. Ne raste të tilla
tridhjetë, gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë
vite të duken hiçgjë, dhe bota
përreth këthehet në vjershë
për dikë që ti as nuk e njeh.
Tani zgjohu, o njeri, zgjohu!
Kërko pasqyrimin tënd
në pellgjet e shiut. Kërko
një cop' qiell. Izolo ç'do gjë.
Evito ç'do rastësi.
Izolohu nga vetvetja,
dhe merr frymë.
____________________
Manchmal meine den Himmel zu sehen,
dabei ist es nur Luft, nichts
für ungut, ein Gemisch von Gasen,
gestapelt nach Schichten,
zusammengesetzt aus Atomen, die
sich gegenseitig vernichten.
Manchmal atme ich und meine,
es sei Luft, dabei ist es
ein Stück Himmel, das ich nicht
einmal so sehr verdiene,
Ganz einfach wird es mir
zum Teil, geteilt von Rest seines
Seins, ein Stück Himmel
für mich ganz allein.
Es wird dich überraschen,
wenn du dann in einer
Ecke der Stadt kurz einhältst
und dort siehst, dass alles
Entweder Luft oder Himmel ist,
sobald ein Stück davon
in dich hineingekrochen ist.
Dreißig, sechzig, neunzig
Jahre bedeuten dann nichts.
Alles erscheint ein Gedicht
für jemanden, der niemals da
gewesen ist.
Wach auf, kleine Maus.
Finde dein Spiegelbild
in der nächsten Regenpfütze.
Mach alles dicht,
damit nichts Zufälliges
in dich hineindringt.
Alles mach dicht und atme.
Program letrar "PoetryCard" organizohet nga POETEKA dhe mbështetet nga Ambasada e Austrisë në Tiranë, si edhe partnerë te tjerë, si ADD Albania, Ama Caffè, Rauch Albania, të cilët ofruan ndihmë bujare dhe të çmuar për këtë projekt sfidues.
Poetry Card – Nga Austria me dashuri - From Austria to Albania with Love " është një cilkël veprimtarish që zhvillohen në kuadrin e vitit kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë, të cilat kanë nisur në muajin Mars 2018 dhe që do të vijojnë deri në fund të vitit.
Pas paraqitjes së suksshme të shkrimtares maqedonase Lidija Dimkovska me programin READING BALKANS, rezidenca letrare "POETEKA-Tirana in Between" vijon në muajin Korrik me poeten e mirënjohur nga Sllovenia Barbara Korun.
Kjo rezidencë organizohet prej 6 vjetësh me mbështetjen e rrjetit TRADUKI.
Barbara Korun është poete dhe kritike letrare e nderuar në Slloveni dhe në Europën Qendrore. Ajo është një nga figurat kryesore të gjeneratës së poetëve të rinj radikalë në Slloveni. Ka studiuar gjuhë sllovene si dhe letërsi krahasuese në Universitetin e Lubjanës dhe ka punuar si pedagoge dhe dramaturge.
Barbara Korun ka shërbyer si sekretare e PEN Qendrës së Sllovenisë, ka qenë anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Sllovenisë si dhe ka dhënë ndihmesën e saj në redaksitë e revistave të njohura letrare "Nova Revija" dhe "Apokalipsa", duke shkruar artikuj, komente letrare, ese kritike dhe poezi. Poezia e Barbara Korun është përkthyer në njëzet gjuhë dhe është botuar në më shumë se 50 antologji anembanë Europës dhe SHBA. Libri i saj me poezi "Ostrina Miline",1999 fitoi çmimin e Panairit Kombëtar të Librit si vëllimi më i mirë debutues në poezi, çmim ky që jepet çdo vit në Slloveni. Ajo është gruaja e parë që e ka marrë atë çmim. Libri i saj "Pridem takoj", 2011 mori dy vlerësime sllovene: çmimi "Zlata Ptica" për arritje të jashtëzakonshme në letërsi dhe çmim "Veronika" për librin më të mirë të poezisë së vitit.
Ajo u zgjodh për të përfaqësuar poezinë sllovene ndër 27 poetët më të mëdhenj europianë, si pjesë e projektit "RUHR- Kryeqyteti Europian i Kulturës 2010", ku mes autorëve ishine dhe fituesit e çmimit Nobel, si Seamus Heaney dhe Wislawa Szimborska. Së bashku me kompozitorin dhe perkusionistin e jazz-it Zlatko Kaučič, ajo regjistroi një CD me titullin "Vibrato Tištine", 2006, me poezi të poetit avant-gardist slloven Srecko Kosovel.
Nga viti 2008 deri në vitin 2016 Barbara Korun botoi edhe dhjetë libra të tjerë me poezi në gjuhët angleze, kroate, boshnjake, çeke , italiane etj.
Barbaba Korun bashkëpunon me poetë nga vende të ndryshme në përkthimin e poezisë së tyre në gjuhën sllovene, së pari në Festivalin ndërkombëtar të Letërsisë Vilenica dhe më pas si të ftuar në punëtorinë e përkthimit "Varka e Artë" në Slloveni. Kohët e fundit ajo ka punuar si këshilltare e gjuhës pranë Teatrin Kombëtar slloven, ku jep ndihmesën në përdorimin e gjuhës sllovene për veprat skenike si dhe përkthen artikuj për botimet e teatrit. Barbara Korun është shkrimtare në profesion të lirë.
Lajm i mirë nga EUROZINE për lexuesit e revistës POETEKA. Përmes një recensioni vlerësues revista POETEKA është renditur sërish mes revistave më të mira kulturore europiane.
Ky është një lajm i mirë për autorët, përkthyesit, të gjithë ata që bashkëpunuan për No. 47 të revistës si dhe për lexuesit e revistës POETEKA.
Në thuajse 200 faqet e saj revista botoi krijimtari nga 15 autorë shqiptarë dhe europianë, ku vend të rëndësishëm mes tyre zunë Jean d'Ormesson,Ardian-Christian Ky.yku, Miloš Živanović, Et.hem Haxhiademi. Por ky numër tërhoqi veçanërisht vëmendjen për për Silvana Lekën, autore e artikullit "Let.rsi e angazhuar – art politik" e cila, në statusin kryesor të botimit, pyet se ku qëndron përkushtimi politik në letërsinë e shekullit XXI, përballë vërshimit të emigrantëve, kthimit të histerisë masive, pranisë së kamimpeve në Evropë dhe cili është ndikimi i 'luftërave në Siri dhe valës në rritje të fashizmit politik dhe kapitalizmit agresiv në vendet e Europës Juglindore?.
Gjithashtu ishte vleresim edhe për dramaturgun Jeton Neziraj, që në shkrimin e tij "Faruk Begolli, jeta mes Beogradit
e Prishtinës" shkruan mbi jetën e aktorit që "ngeci" mes Prishtinës dhe Beogradit. Po kështu iu kushtua vëmendje poezive të fuqishme të Jazra Khaleed, përkthyeser mjeshtërisht në shqip nga Eleana Ziakou, ku mund të veçojmë vargjet e "Iku Siria, iku!". Poetja Gentiana Minga çmohet për krijimtarinëe saj dhe përshëndetjet poetike që dërgon nga Bolzano nënës së saj në Durrës.
Studiuesit Albert Gjoka iu vlerësua trajtimi i tij në artikullin 'Letrër gruas sime të vdekur". Shkrimtari Arian Leka ishte pjesë e vlerësimit, për fact/fiction-in e tij "Luftë e ftohtë në bibliotekë.
Lajm i mirë i recensës në EUROZINE ishte gjithashtu për të gjithë shkrimtarët, përkthyesit, studiuesit dhe artistët pamorë me të cilët revista POETEKA bashkëpunon prej 14 vjetësh.
Për më shumë información shihni linkun dhe tekstin në vijim. Për më mirë lexoni artikujt në POETEKA No. 47.
POETEKA - (Albania) No. 47 (2018)
Poeteka focuses on 'committed literature'. Silvana Leka's leading article asks where political commitment stands in the twenty-first century, 'faced with the subject of migrants, the return of mass hysteria, and the presence of camps in Europe'. What is the effect of 'the wars in Syria, and the growing wave of political fascism and aggressive capitalism in the countries of South-East Europe?'
The author looks back at the fraught history of literary commitment, from the socialist realism imposed under Albanian communism and Sartre's contemporaneous littérature engagée to the erosion of overt commitment by the discourses of post-modernism. She finds that the nature of commitment is being reshaped, while readers 'thirst more for information than literature'.
She has chosen for Poeteka writing 'dedicated to ideals that have survived the centuries, especially that of freedom', including translations of the radical Chechen poet Jazra Khaleed, who writes in Greek, and of Serbian writers who reflect on the troubled but not always conflicted Serbian-Albanian relations. The Kosovar playwright Jeton Neziraj writes movingly on the life of the film actor Faruk Begolli, caught between Prishtina and Belgrade, and not fitting into either nationalist camp.
Fluidity: Writers with a shifting national identity express the journal's anti-nationalist spirit. The Albanian poet Gentjana Minga writes in Italian and sends a poetical greeting to her mother in Durrës from Bolzano. This kind of fluidity is not new: Albert Gjoka unearths the extraordinary history of 'Letter to My Dead Wife', written pseudonymously and in German under the name of G. Maranaj and published in Tirana in 1943. Attempts to pin down this author to his biographical details do the text a disservice.
Canons: Arian Leka meditates on inclusions and exclusions on Albanian bookshelves. Albania's historical experience has involved extreme isolation yet simultaneously the sense of being at the centre of geopolitical and ideological storms. The author recalls his 'uncle from Russia' filling the house with Russian classics of Russian literature, with his father pitting against these books writers from western Europe. 'East against West! Western literature against Eastern! The people's democracies of the East against progressive writers of Europe! Jacobins against literary girondistes [...] but neither my 'Russian' uncle nor my father understood the absurdity that dogged them both.' For both these literatures were strictly within the bounds of official toleration. Nor has the disappearance of censorship realized the Borgesian vision of paradise as a library.
Dasa Drndic u nda nga jeta më 5 qershor. Një mbrëmje letrare organizuar nga POETEKA dhe me pjesëmarrjen e veçantë të poetes maqesonase Lidija Dimkovska, fituese e bursës letrare "Poeteka - Tirana in between", kujton në Tiranë, shkrimtaren kroate, që përveçse një autore e madhe ishte edhe një mike e shqiptarëve.
Romani i saj i njohur "Sonneschein" erdhi në shqip me titullin "Fëmijët e urrejtjes dhe dashurisë", me dëshirën e vet autores, botuar nga Poeteka. Ky nuk është vetëm një libër mbi holokaustin, por ai është një roman i madh i letërsisë bashkëkohore i aftë për të lidhur nëpërmjet regjistrave të ndryshëm gjuhësorë një tregim gjithëpërfshirës mbi pushtimin nazist të Italisë veriore edhe më gjerë.
"Do të na duhet shumë kohë, jo për tu mësuar me emrin Dasha, por për t'u mësuar me foljen është dhe ishte. Do ta kemi shumë të vështirë ose nuk do ta pranojmë ndonjëherë që me një njeri, i cili qëndroi vetëm një muaj në qytet si Tirana, do të na lidhnin shumë fije, falë saj dhe jo falë nesh. Ajo mbërriti në Shqipëri e ngazëlluar si pakkush për të lexuar njerëzit", shprehet Arjan Leka.
"Po të lexosh veprën e saj e kupton që ajo jetën e jeton për të tjerët. Për fatet e të tjerëve, për të treguar jetët e tjerëve. Kjo ndodh rrallë", thotë Maks Velo.
Dasha Drndic është quajtur si një ndër shkrimtaret me nivelin më të lartë evropian.
Kur erdhi në Shqipëri ajo kishte shkruar më se paku dy libra për Shqipërinë, këtë e bëri duke shfrytëzuar çdo histori apo libërth që i binte në dorë.