Radio 92FM në Zagreb sjell librin e Arian Lekës si biblioterapi për dëgjuesit kroatë. Veprat zgjedhen nga kritika letrare dhe lexueshmëria e publikut, që përdor audiolibrin si mënyrë për të diskutuar drejtpërsëdrejti mbi letërsinë dhe duke e shndërruar përvojën letrare të autorit në reflektim për audiencën kroate. Nën moton "Odloži brige na policu za knjige" ky emision shfrytëzon një mënyrë të njohur që në antikitet si hapësisë e veçantë për "shërimin e shpirtit", për t'i dhënë vëmendje librave dhe kuptimeve të thella që vijnë përmes leximit, duke "refuzuar të pranojnë fundin e njeriut." Emisioni me përvojë gjashtë vjeçare "Šiza kriza" e veçon librin e Arian Lekës "Në kërkim të këmishës së humbur / U traganju za izgubljenom košuljicom" si shembull të fuqisë së letërsisë dhe vlerave letrare në kohën kur humnera në të cilën vlerat njerëzore po bien është zgjeruar dhe kur libri po zëvedësohet nga komunikimi i rrjeteve sociale.
E përkthyer në kroatisht me titullin "U traganju za izgubljenom košuljicom" nga Mendu Imeri, përshtatur nga Zeljka Somun, redaktuar nga Korana Svilar dhe botuar nga "Neolit" në vitin 2025, vepra u prezantua përmes leximit të fragmenteve nga libri dhe citimi i kritikës letrare rreth saj, duke theksuar se "Arian Leka përdor një gjuhë mbresëlënëse për të zhytur në të kaluarën e tij intime, por edhe në të kaluarën e vendit pas Perdes së Hekurt, duke i ofruar lexuesit herë një teleskop e herë një mikroskop - nëse vështrimi kthehet nga e tashmja. Loja e Lekës është njëkohësisht ëmbël dhe e hidhur; Bukuria fshihet në imazhin e një djali që hedh kripë mbi hartën gjeografike, ku është shënuar deti, që anija e tij prej letre të lundrojë, pafundësisht. Sepse edhe kur na marrin detin, duhet të vazhdojmë lundrimin". 👇