22 August 2022

Vjen në shqip Wolfgag Hilbig – i panjohuri i madh i letërsisë gjermane

Botimet POETEKA hedhin së shpejti në qarkullim krijimtarinë e poetit dhe shkrimtarit të mirënjohur gjerman Wolfgag Hilbig (Meuselwitz, 31 gusht 1941 / Berlin, 2 qershor 2007). Vepra me titull "Gjethet dhe hijet", që mbështetet nga rrjeti letrar TRADUKI, vjen e përkthyer prej origjinalit nga Anna Kove, për t'iu bashkuar gjerdanit "Poezi e zgjedhur europiane", seri kjo e konceptuar nga Silvana Leka ku, më herët, janë publikuar edhe emra të tjerë të shquar, mes të cilëve Tomaž Šalamun, Tadeuš Ruževič, Rose Ausländer  etj.

 

Dy fjalë për autorin: Asgjë më të fuqishme se krijimtara e Wolfgang Hilbig nuk prodhoi RDGJ-ja letrare në vitet e ekzistencës së saj. Përveç romaneve dhe tregimeve autorin e shoqëruan deri në fund poezitë e bukurisë së errët dhe ëndërrimtare; ato ishin fillimi dhe fundi i shkrimeve të tij.

Mbështetur në traditat e romantizmit, simbolizmit, ekspresionizmit dhe i formuar nga përvojat e përditshme të jetës së punës në RDGJ, Hilbig krijoi gjuhën e tij: pasionante dhe plot dëshirë të zjarrtë, elegjiake, të menduar, të butë, rebele, kundërshtuese; duke folur përmes poezive herë si qëndrestar, herë si i plagosur; herë si humbës ëndrrash, por assesi i shpresës.

Ai, punoi kaldajist, lexoi me etje poezinë e letërsisë moderne botërore dhe, në ballafaqim me të, gjeti gjuhën dhe formën mes të cilave mundi t'u flasë njerëzve për veten e tij (me ritëm të lirë, në sonete klasikë apo në lirika të gjata e të shkurtra).

Poezitë e Wolfgang Hilbig orientohen tematikisht drejt krizës artistike dhe ekzistenciale. Butësia e imazheve të autorit qëndron në kontrast me trishtimin e thellë e të pamatë që përhapin tekstet e tij. Me motive që të kujtojnë romantizmin dhe surrealizmin, me tone të thyera himnesh, Holbig përshkruan realitetin e ftohtë, në të cilin dyshimi, mosbesimi dhe lufta kundër mungesës së vlerave janë vendimtare. Poezitë e tij këmbëngulin në shpresën e patundur për një realitet tjetër "pa hijet e përndjekjes", që e shndërrojnë individin në mungesor, si edhe në mallin e zjarrtë për praninë.

Ndryshe nga bashkëkohësit e tij dhe shkrimtarët e tjerë, si Volker Braun, Heiner Müller apo Christa Wolf, Wolfgang Hilbig në asnjë çast të jetës së tij nuk besoi në reformimin e socializmit të praktikuar në RDGJ. Ai ishte dhe mbeti jokonformist, pasi nuk arriti të familjarizohej as me sferat utopike të socializmit shtetëror, ku premtimet largoheshin gjithnjë e më shumë nga realiteti, por as me sallat e një bote perëndimore të konsumit, që dinin të kënaqnin të gjitha nevojat, por jo ato që i jepnin kuptimin e plotë vlerave jetësore të individit, siç Hilbig i kërkonte dhe që i gjeti përfundimisht vetëm në tryezën e tij të shkrimit.

Wolfgang Hilbig është nderuar me dhjetëra çmime të rëndësishme letrare për veprat e tij të cilat, që nga fillimet e deri në fund, janë botuar nga S. Fischer Verlag. "Gjethet dhe hijet", është publikimi i parë poetit Wolfgang Hilbig në gjuhën shqipe, sjellë nga Botimet POETEKA me rastin e përvjetorit të lindjes së autorit.

 

Wolfgag Hilbig

Gjethet dhe hijet

 

Udha prej nga nisesh jo s'është e re

ç'të është dhënë kahmot e rimerr

dhe e përcjell:

si në dashurinë që tash më mungon

në çdo shqisë: e kuqe si gjethet e ahut të hapërdara

pirgje skaj rruge, ku ecja pa zbardhur drita...

shtegut që s'e njihja

dhe ende s'e njoh

ku s'e njoh as fëmijën e hijes që rend para meje

asgjë s'di për diellin, ari i praruar i të cilit

digjet në gjeth.

Asgjë s'di më as për vjeshtën

që shpinës më çapitet hijerëndë - hija e saj

isha: hije e ngjizur gjithmonë njësoj vjeshtash pambarim.


Vanja Šunjić në rezidencën letrare POETEKA Tirana in Between

Vanja Šunjić është fituesja e tretë e bursës për qëndrim në Rezidencën e Shkrimtarëve "Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA. Ajo do të qëndrojë në kryeqytetin shqiptar gjatë muajit gusht  2022. 

Vanja Šunjić  është shkrimtare, gazetare dhe aktiviste nga Bosnjë-Hercegovina. Përmes angazhimit të saj, që fokusohet në artin bashkëkohor dhe kulturën e rezistencës ajo, ndonëse punon për t'i realizuar, shfaq skepticizëm mbi perspektivat e reja dhe emëruesit e përbashkët të hapësirës kulturore që  bashkëndajmë në Ballkan, përfshi edhe mundësitë e pastrimit të shpejtë së shkuarën dhe vizionit të një ardhmeje përbashkuese.  

Vanja Šunjić shkruan për disa media rajonale, ku publikon kritikë letrare dhe filmike. Ajo është bashkëthemeluese e Književna Zadruga (një kolektiv jo i formalizuar), zëdhënëse e Festivalit të Letërsisë dhe Kulturës "Slovo Gorčina" Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë "Polygon". Ka fituar çmimin e publikut në Konkursin për tregimin e shkurtër (2018) dhe aktualisht ndjek shkollën doktoraturës pranë Universitetit të Lubjanës (Departamenti i Studimeve Ballkanike). 

Vanja Šunjić është autore e librit "Zemra ka formën e një trekëndëshi", ndërkohë që libri i saj më i ri "Asimptote autodestrukcije" trajton qëndrimin e autores ndaj qyteteve të Ballkanit që ajo viziton, dashuritë që takon në to dhe i lë aty pas largimit dhe vëzhgimin e marrëdhënies në 3 brezni familjare.  

Rezidenca letrare për shkrimtarë e përkthyes "Tirana in Between", funksionon që nga viti 2013. Falë bashkëpunimeve me Tradukin dhe Creative Europe të BE-së, si programet Reading Balkans, Translation in Motion, si dhe me Ambasadën e Gjermanisë, Goethe Zentrum, Ambasadën e Austrisë dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, për më shumë se një dekadë, duke mirëpritur 49 shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e BE-së kanë vizituar kryeqytetin shqiptar si miq në rezidencën letrare "Tirana in Between", organizuar nga POETEKA ndër vite.
 
#traduki
#writersINresidence
#poeteka

06 July 2022

Adina Popescu në rezidencën letrare POETEKA Tirana in Between.

Shkrimtarja  dhe regjisorja Adina Popescu është fituesja e dytë e bursës për qëndrim në Rezidencën e Shkrimtarëve "Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA. Ajo do të qëndrojë në kryeqytetin shqiptar gjatë muajit qershor 2022.

E lindur në Bukuresht të Rumanisë, në vitin 1978, Adina Popescu u diplomua për regji filmi. Ajo e filloi punën si gazetare kulturore që në moshën 18 vjeçare, duke shkruar për revistën "Dilema Veche", që është një nga botimet më të rëndësishme të Rumanisë përsa i përket analizimit të jetës sociale, politike dhe kulturore.

Libri i parë i botuar prej Adina Popescu-t ishte libri për fëmijë, me titull "Vetëm një fluturim mbi botë", duke e dëshmuar që herët interesin e saj për këtë zhanër të letërsisë. Ky botim u pasua nga libra të tjerë, kryesisht me tregime të shkurtra komike. Në vitin 2015 Popescu botoi "Tregime nga Calea Moşilor", një libër i shkruar fillimisht për të rritur, por që grishte edhe fëmijët për të gjetur një makinë kohe e për të kryer një udhëtim përgjatë viteve 1980, në regjimin komunist.

Libri "Historia sekrete e vendit të vampirëve", shkruar nga Adina Popescu është një trilogji e zhanrit të letërsisë fantastike, që fitoi "Trofeun Arthur" në konkursin letrar kombëtar rumun. Libri i parë i kësaj trilogjie, kishte sukses të madh dhe u shit në një tirazh me mbi 15.000 kopje. Libri i dytë i trilogjisë u botua ë vitin 2019, ndërkohë që i treti është ende në proces .

Shkrimi i kësaj trilogjie kërkoi prej autores rreth 10 vjet punë por, ndërkohë, Adina Popescu botoi edhe disa libra të tjerë, mes të cilëve vëllimet "Pritja" - tregime të shkurtra për të rritur (Herg Benet, 2018) dhe "Pse rumunët nuk janë si gjermanët?" (Curtea Veche, 2019) – një libër ky i shkruar në bashkëpunim me shkrimtarin gjerman Jan Cornelius (i përkthyer dhe botuar edhe në gjermanisht, Weisar Verlag, 2021.)

Libri më i fundit i Adina Popescu-t "Festa po vjen me tren nga Franca" (Editorial Art, 2022) është një radiografi e detajuar e pushimeve socialiste në vitet 1980 në Rumani. Ky është një "libër familiar", që mund të lexohet nga fëmijët së bashku me prindërit e tyre, që fëmijërinë e kaluan në regjimin komunist.

Adina Popescu është gjithashtu autore e "Manuali i Rryshfetit" − raporte hetimore mbi korrupsionin e vogël, pjesë e lëvizjes "Mos jep ryshfet!" fushatë kjo e financuar nga Programi PHARE-Shoqëria Civile. Aktualisht ajo është redaktore e lartë në "Dilema Veche", për të cilën shkruan editoriale javore dhe bën filma dokumentarë. Artikujt e shkruar nga Popescu janë vlerësuar me çmime të rëndësishme, një prej të cilëve është Çmimi i OKB-së për mass-mediat.

Rezidenca letrare për shkrimtarë e përkthyes "Tirana in Between", funksionon që nga viti 2013. Falë bashkëpunimeve me Tradukin dhe Creative Europe të BE-së, si programet Reading Balkans, Translation in Motion, si dhe me Ambasadën e Gjermanisë, Goethe Zentrum, Ambasadën e Austrisë dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, për më shumë se një dekadë,  duke mirëpritur 49 shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e BE-së kanë vizituar kryeqytetin shqiptar si miq në rezidencën letrare "Tirana in Between", organizuar nga POETEKA ndër vite.

 

#traduki

#writersINresidence

#poeteka

www.traduki.eu

www.facebook.com/traduki.eu

 

 

01 July 2022

11 Ese Akustike të Arian Lekës në gjuhën boshnjake

Botohet në gjuhën boshnjake libri "Njëmbëdhjetë ese akustike" : Reflektime mbi muzgun e europianizmit. Me botimin e ri nga "Artisticum", me qendër në Suedi e Bosnjë&Hercegovinë, libri i shkrimtarit Arian Leka, botuar për herë të parë në gjuhën angleze në vitin 2016, sjell sërish disa nga pikat nevralgjike të historisë shqiptare dhe shoqërisë moderne. Në vijim disa pagagrafë nga artikulli i porsabotuar në OSLOBOĐENJE.

IVANA GOLJANIN: Në njëmbëdhjetë esetë e tij, njëmbëdhjetë rreshta nga jeta e shoqërisë shqiptare dhe europiane, Arian Leka përmbledh dhe konfirmon përfundimin e arritur edhe nga Žarko Paić, në tekstin e tij "Stinë në ferr: Refugjatët, Terrori, Europa", lidhur me krizën e përhershme të veprimit etik dhe politik të humanitarizmit, pasi tashmë jemi përballur me trashëgiminë e asaj që vetë e krijuam: "globalizimi i indiferencës" (term i marrë nga Zygmunt Bauman).

Esetë e botuara në librin "Njëmbëdhjetë ese akustike" janë fokusuar në tematizimin e historisë (socialiste) të Shqipërisë, prangat e së tashmes europiane, të shprehura përmes potencialit simbolik dhe real të detit.

Në esetë e Arian Lekës, deti shihet shpesh si një vend qytetërimi e strehimi, por edhe totalitarizmi. Ai përcaktohet nga paqëndrueshmëria, nga njëra anë, por Leka shkruan gjithashtu për "mbytjet shqiptare", për largimin e njerëzve nga vendi, për ikjet e tyre drejt një vend tjetër, ku "ujërat janë të qeta, më të pastra e më transparente", por nga ana tjetër për detin shkruhet edhe si një shembull i rëndësishëm i identitetit dhe kulturës së një vendi si Shqipëria.

Prandaj, libri i shkruar nga Arian Leka mund të shihet edhe sot si jashtëzakonisht aktual - si udhëzime për gjykimin përfundimtar që një ditë do të na duhet të shqiptojmë mbi realitetin e vrenjtur të Europës.

https://www.oslobodjenje.ba/magazin/kultura/knjizevnost/knjiga-jedanaest-akusticnih-eseja-ariana-leke-refleksije-o-sumraku-evropejstva-771747?fbclid=IwAR2C_o31g7JIZQZPBwKyZeOSTC8YbZOhyR3GLW8ejDZduOKHzMqjFShafKM

________

ĐORĐE KRAJIŠNIK: Letërsia e Arian Lekës na tregon se në Shqipëri ekziston një shkrimtar që është zëri të gjithëve ne, zëri i gjithë atyre që në tmerret e botës së sotme mëtojnë të gjejnë përgjigje për çështjet thelbësore të ekzistencës sonë. I gjithë mikrobotëve që, në epokën e kompjuterizimit asfiksues dhe cunamit globalizues, mbijetojnë në kërkim të vendit të vet nën diell, në kërkim të të drejtës së vet për të mbijetuar dhe fisnikëruar planetin.

Mund të themi më tepër akoma që ai është një autor përçues, që me letërsinë e vet sjell atë pikë kyçe të persistencës universale kozmike, që gjithsesi është strehë për njeriun, pavarësisht pikës gjeografike të globit ku gjendet ai. Thelbësore është kjo:  Leka, në letërsinë e tij, gjurmon ekzistencën autentike njerëzore, që nuk është shndërrruar në robot të epokës së materializmi neoliberal, por mbetet një lëvizje çliruese e pandalshme energjie, që ekziston si një proces i papërfunduar në kohë (...)

https://www.bokus.com/bok/9789198686074/jedanaest-akusticnih-eseja/?fbclid=IwAR2m4Q-iNOxboawlvFMhcEN3bjy-FgR9bcUnqqIhBNPCtQ4SLBmtGXMN36s

 

http://gazetashqiptare.al/2019/04/07/hapesire-plasaritje-te-imta/

 

29 June 2022

A Farewell Reading - Petar Dentchev

Bashkëbisedimit mbi teatrin e letërsinë!


Të premten, më 1 korrik 2022, në orën 19, te Hemingway Tirana, POETEKA ju fton të përshëndetemi përmes leximeve, me studiuesin, regjisorin, dramaturgun e shkrimtarin Petar Dentchev. 


Në mbëmjen e fundit të qëndrimit të tij në Rezidencën letrare "POETEKA Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA, Peter Dentchev do të dialogojë me studiuesen, përkthyesen dhe regjisoren Anxhela Çikopano. Në takim do të shkëmbehen mendime mbi çështje të teatrit, dramaturgjisë e letërsisë në realitetet bashkohore ballkanike dhe më gjerë. 


Arian Leka do të paraqesë për të pranishmit disa nga tiparet e krijimtarisë letrare të shkrimtarit Petar Dentchev, ndërkohë që aktori i teatrit "Metropol", Kastriot Ramollari, do të lexojë pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e shkrimtarit Petar Dentchev.


Petar Dentchev është prozator, poet, regjisor teatri, studiues dhe publicist nga Bullgaria. U diplomua për regji skenike në vitin 2010, pranë Akademinë Kombëtare të Arteve të Teatrit dhe Filmit në Sofje dhe më pas përfundoi edhe  Programin Master për Artet Teatrore (2017). Në vitin 2021 Petar Denchev mbrojti tezën doktorale me titullin "Hapësira në shfaqjen teatrale" (Akademia e Shkencave të Bullgarisë - Instituti i Studimeve të Artit). 


Ju ftojmë të merrni pjesë!

01 June 2022

Petar Denchev në "Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI

Fituesi i parë i bursës për qëndrim një mujor në Rezidencën e Shkrimtarëve "Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI dhe realizuar nga POETEKA, është shkrimtari Petar Denchev. Ai do të qëndrojë në kryeqytetin shqiptar gjatë muajit qershor 2022.  
Ai është prozator, poet, regjisor teatri, studiues dhe publicist nga Bullgaria. U diplomua për regji skenike në vitin 2010,  pranë Akademinë Kombëtare të Arteve të Teatrit dhe Filmit në Sofje dhe më pas përfundoi edhe  Programin Master për Artet Teatrore (2017). Në vitin 2021 Petar Denchev mbrojti tezën doktorale me titullin "Hapësira në shfaqjen teatrale" (Akademia e Shkencave të Bullgarisë - Instituti i Studimeve të Artit). 

Gjatë vitete 2007-2021 Petar Denchev ka shkruar katër romane, "Siç një burrë puth gruan që do" (2007), "Dielli i heshtur" (2012), "Zoti i vogël i tërmetit" (2019) dhe "Kthimi" (2021) , për të cilin është vlerësuar me çmime letrare. 
Ai është gjithashtu autor i përmbledhjes me tregime "Tregime në të shkuarën " (2011). Vepra letrare e Petar Denchev është përkthyer në anglisht, gjermanisht, maqedonisht, sllovenisht, serbisht dhe farsi. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare për letërsinë, përfshi edhe  një dorëshkrim romani, për prozë të shkurtër dhe disa çmime për poezie.
 Si regjisor  ai ka vënë në skenë shfaqje në pjesën më të madhe të teatrove kryesore bullgare, duke përfshirë vepra të Anouilh, Dreyer dhe Euripidi, Edward Albee, Marc Crehuet, Sarah Ruhl, Maja Pelević, Alejandro Jodorowski.
Gjatë periudhës 2017-2018 ka qenë dramaturg në teatrin shtetëror në Varna dhe, që nga viti 2020 është regjisor i Teatrit Dramatik Shtetëror "Stefan Kirov", Sliven. 
Petar Denchev është gjithashtu lektor i ftuar për regjinë teatrore në Akademinë Kombëtare të Arteve të Bukura në Sofje.

Rezidenca letrare për shkrimtarë e përkthyes "Tirana in Between", funksionon që nga viti 2013. Falë bashkëpunimeve me Tradukin dhe Creative Europe të BE-së, si programet Reading Balkans, Translation in Motion, si dhe me Ambasadën e Gjermanisë, Goethe Zentrum, Ambasadën e Austrisë dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, për më shumë se një dekadë,  duke mirëpritur 48 shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e BE-së kanë vizituar kryeqytetin shqiptar si miq në rezidencën letrare "Tirana in Between", organizuar nga POETEKA ndër vite.

Total Pageviews