25 August 2021

Ballkanasit lexojnë / Lexojmë ballkanasit: READING BALKANS - POETEKA - Tirana in Between - Writers in Residence Programme

Ku jemi ?... nesër te Hemi - Eja në Hemingway Bar, e Enjte, dt. 26 gusht, ora 19. 
Sonja Porle - Arian Leka - Anna Kove.

Pas qëndrimit njëmujor në Rezidencën e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë "POETEKA Tirana in Between", autorja dhe studiuesja sllovene Sonja Porle do të ndajë përshtypjet e saj me auditorin shqiptar dhe orën letrare me shkrimtaren dhe përkthyesen Anna Kove, e cila sapo është kthyer nga Rezidenca letrare në Novo Mesto, Slloveni.  

Titulli i veprimtarisë "I wanna be a paperback writer" - Ballkanasit lexojnë / Lexojmë ballkanasit !
Përveç leximeve nga autoret e ftuara, pjesë e programin ishte edhe dialogu rreth temës "Libri dhe leximi në epokën digjitale"

Ndër vite, programi i rezidencave letrare READING BALKANS mbështetet nga programi "EU - Creative Europe" dhe nga rrjeti TRADUKI. Për këtë program bashkëpunojnë partnerë rajonalë si Goga (Slloveni), Goten (Maqedoni e Veriut), Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Kroaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), Qendra PEN (Bosnjë-Hercegovinë).

#CreativeEurope4Books

24 August 2021

Projekti TiM - ‘Translation in Motion’ në faqet e Publishing Perspectives

Projekti Translation in Motion, pjesë e të cilit, mes partnerëve të tjerë nga rajoni dhe Europa, është edhe POETEKA, u prezantua në faqet e së mirënjohurës Publishing Perspectives, duke u paraqitur gjithashtu edhe në buletinin e tyre të përditshëm. 

Një bashkëbisedim mes Yana Genova-s, presidente e sapozgjedhur e rrjetit të qendrave europiane të përkthimit letrar RECIT dhe Publishing Perspectives, revista kryesore dhe burimi më i rëndësishëm  i lajmeve dhe informacionit për industrinë ndërkombëtare të librave dhe botimit.

Artikulli i plotë në gjuhën angleze mund të lexoni në linkun në vijim...:
You can read the full article here.


Translation in Motion (TiM), ky projekt i ri në fushën e përkthimit letrar, u krijua për të zgjeruar prurjet e letërsisë së përkthyer mes Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian. 

Përveç rezidencave të përkthyesve letrarë, veprimtaria e të cilave tashmë kanë filluar, projekti synon të organizojë edhe punëtori të përkthimit, që pritet t'i rrisin në mënyrë të dyjanshme përpjekjet e përkthyesve dhe ekipeve të specializuara që punojnë në këtë fushë. 

Projekti është i bashkëfinancuar nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian, që për për tre vjet  me radhë do të vazhdojë të bëjë thirrje të hapura për aplikim për në rezidencat e përkthimit, që shpallen çdo vit. 

Gjatë kohëzgjatjes së planifikuar trevjeçare të projektit, do të zhvillohen gjithësej tre thirrje të hapura, nga të cilat ajo e vitit 2021 ka përfunduar dhe në vjeshtë, bujtës në Rezidencën e Përkthyesve Letrarë të Tiranës do të jenë përkthyeset Zuzana Finger che Eleana Zhako.

RECIT është një rrjet europian i qendrave letrare të përkthimit, që ofron rezidenca për përkthyesit dhe organizon takime publike midis shkrimtarëve dhe përkthyesve.

#CreativeEurope4Books




19 August 2021

Fwd: BOTIM NË REVISTËN GJERMANE ABWÄRTS -


Revista ABWÄRTS, me qendër në Berlin, në Nr. 41, Korrik 2021, boton tekstet e Arian Lekës, sjellë në gjermanisht nga Dr. Zuzana Finger, përkthyesja e mirënjohur që, me mjaft përkushtim, ka bërë të mundur që letërsia e shkruar në gjuhën shqipe dhe autorët shqiptarë të lexohen gjerësisht në botën gjermanishtfolëse.  

PIRATEN UND PRIVATE dhe BARACKE II – DIE KÜSTE VON LAMPEDUSA (fragment nga "Auschwitz Detar"), janë pjesë e librit të Arian Lekës, "Hartë memece për të mbyturit", Botimet POETEKA, 2019. 

Më herët, po me përkthimin e Dr. Zuzana Finger, krijimtaria e Arian Lekës është botuar edhe në revistat letrare Stadtgelichter (Gjermani), Lichtungen (Austri), die Horen (Gjermani), Herzattacke (Gjermani), Gerbergasse 18 (Gjermani), si dhe në antologjitë Das Hemd (Austri), Glückliche Wirkungen (Gjermani), Projekt Freiraum (Goethe Institut, A good European), etj.
 

16 August 2021

READING BALKANS / Sonja Porle / POETEKA - TIRANA IN BETWEEN

READING BALKANS: Mik në Shtëpinë e Shkrimtarit dhe përkthyesit Letrar – POETEKA TIRANA IN BETWEEN, Gusht, 2021 ! 


Sonja Porle: "Engjëlli i Zi, kujdestari im" - roman udhëtimi


Shkrimtares dhe studiueses sllovene Sonja Porle i pëlqen të udhëtojë. Madje që në shkollën fillore ajo kishte ëndërruar të endej në toka të largëta. Që në moshë të re, 23 vjeçare, ajo do të vizitonte së pari Afrikën. Ndodhi në 1983, kur ajo, për të mos u shqetësuar vendasit, siç shkruan, u nis fshehtazi. 

Prej asaj kohe ajo u sëmur me atë që quhet e "mal de l'Afrique". Ndryshe do të thuhej se Sonja Porle u dashurua marrëzisht me Afrikën. Ajo do të kthejej vazhdimisht atje, duke jetuar për një kohë të gjatë mes miqsh afrikanë. Nga Afrika dhe pas kthimit prej saj, Sonja Porle shkroi artikuj dhe ndodhi të jetuara, mbajti ditar dhe dha intervista, të cilat u botuan në revista të ndryshme. 

Ajo promovoi në radio muzikën dhe performancat rituale afrikane si dhe hapi ekspozita të shumta, në të cilat vizitorëve u jepej mundësia të shihnin nga afër dhe të vlervsonin krijimtarinë e fëmijëve afrikanë, të cilët bënin kukulla dhe lodrat e tyre nga materialet e mbetjeve që gjendeshin në shtëpi.


Në romanin e saj të udhëtimit "Engjëlli i Zi, kujdestari im", Sonja Porle bashkoi përshtypjet dhe përvojat e veta nga Burkina Faso dhe Gana. Libri ndahet në tre kapituj: Presidenti që këndon; Përgjatë rrugës drejt yllit dhe Rumba mbi pluhur dhe kthimi. Kapitujt ndëthurin përvojat e saj të udhëtimit me historitë e rrëfyera nga miqtë saj afrikanë me vëzhgime të mprehta mbi tiparet sociale che gjeografike të Afrikës. 


Me t'u botuar (1997) vepra u bë menjëherë vepra më vlerësuar nga kritika dhe libri më i shitur në Slloveni, duke bërë që Sonja Porle të meritojë për këtë vepër çmimin prestigjioz kulturor të vitit "Zlata ptica" (Zogu i Artë).


Romani u ribotua disa herë gjatë viteve në vijim, duke mbetur gjerësisht i lexuar. Ai u përkthye i plotë në kroatisht dhe gjermanisht, ndërkohë që fragmente të tij u përkthyen dhe u publikuan në anglisht, çekisht dhe rusisht.


Sonja Porle i përshkruan njerëzit dhe vendet në mënyrë  të këndshme, delikate, me humor, duke qenë ndonjëherë edhe pak ironike. Ajo ka ndjenjën e detajit në përshkrim. Një vit më vonë u botua edhe libri i saj i dytë mbi Afrikën, i titulluar "Ngjyra e çokollatës së ëmbël" (1998), i cili është një përzgjedhje e artikujve të saj të udhëtimit mbi Afrikën. Si një njohëse e jashtëzakonshme e Afrikës, ajo u prezantoi sllovenëve "kontinentin e zi" në një mënyrë të re, të freskët dhe "femërore", siç e vlerëson kritika.


Programi "READING BALKANS" mbështetet nga "Creative Europe" i Bashkimit Europian dhe rrjeti TRADUKI, Për realizminin e tij bashkëpunojnë partnerë si Goga (Slloveni), Goten (Maqedoni e Veriut), Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Kroaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), Qendra PEN (Bosnjë-Hercegovinë).

04 August 2021

SONJA PORLE - READING BALKANS 2021 – POETEKA – Tirana in Between !

READING BALKANS 2021 – POETEKA – Tirana in Between !


Autorja sllovene Sonja Porle do të qëndrojë në Tiranë gjatë muajit gusht, si fituese e bursës "Reading Balkans 2021" dhe bujtëse në Rezidencën e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë.


Sonja Porle (1960) është një shkrimtare dhe eseiste e njohur sllovene, që jeton në Škofja Loka. Para se të rikthehej në vendlindje, ajo punoi në Oksford (Angli), ku kaloi 21 vjet të jetës së saj. Megjithatë, fokusi i shkrimeve të saj, qoftë  në letërsinë krijuese, qoftë në letërsinë studimore e dokumentare, i kushtohet  kryesisht Afrikës, kontinentit që ajo e vizitoi për herë të parë në 1983.


Prej asaj kohe Sonja Porle është kthyer e rikthyer atje edhe shumë herë të tjera, për t'u vendosur në fund të viteve 1980 në Ganë. Për dy vjet ajo kreu punë kërkimore në terren mes grupit fisnor Asanti. Hulumtimi i Sonja Porle u njoh dhe u vlerësua nga UNESCO me një çmim të veçantë, kushtuar Tezës së mbrojtur në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Lubjanës (1989).


Që në debutimin e saj letrar Sonja Porle meritoi çmimin e rëndësishëm letrar slloven "Zlata ptica", për veprën "Engjëlli i Zi, kujdestari im". Në motivacionin e çmimit shënohej se vlerësimi jepej "për arritje të mëdha kulturore" dhe shpjegimin se autorja kishte bërë "për kuptimin e Afrikës nga sllovenët, pakrahasimisht më shumë se gjithkush më parë". Libri u bë gjithashtu vepra më i shitur e vitit në Slloveni. Që prej asaj kohe libri është ribotuar pesë herë dhe është përkthyer në kroatisht (1998) che në gjermanisht (2006). Libri i dytë i shkrimtares Sonja Porle, "Ngjyra e çokollatës së ëmbël" (1998), mori gjithashtu një vlerësim të gjerë kritik dhe popullor. 


Përveçse në "Nova Revija" dhe "Etnolog" (Slloveni), reportazhet dhe prozat e saj të shkurtra janë botuar edhe në revista të mirënjohura jashtë Sllovenisë, përfshi këtu "African Writing" dhe "Edinburg Review" (Britani e Madhe); "Ferald Tribune", "Svet" dhe "Godine Nove" (Kroaci); "Knižni Novinsky", "Host" (Republika Çeke); "Top 22" (Austri); "Daily Times", West Africa", "Newswatch" (Nigeri).


Veç botimeve, krijimtaria e Sonja Porles është bërë mjaft e njohur edhe falë leximeve publike, ku vlen të përmenden paraqitja në "Festivalin e Shkrimtarëve të Pragës", 2003 (Republika Çeke) dhe ajo në "Festivalin e Shkrimtarëve" në Dublin, 2004 (Irlandë). Ajo merr pjesë shpesh edhe në emisionet radiofonike, përfshi mes të tjerësh "BBC World Service" (Britani e Madhe), "Radio Freetown" (Sierra Leone).


Një nga pasionet e Sonja Porles është dhe koleksionimi i lodrave, prodhuar me materiale të ricikluara, krijuara nga fëmijët afrikanë. Ajo ka qenë kuratore e shtatë ekspozitave të hapura në Slloveni dhe jashtë saj, mbështetur në koleksionin e saj mbi këtë tematikë.


Vitet e fundit Sonja Porle i ka kushtuar vëmendje të posaçme promovimit të letërsisë afrikane dhe sllovene në Angli, duke vijuar njëkohësisht të organizojë veprimtari kulturore dhe artistike në Slloveni.


Disa nga veprat kryesore të Sonja Porles në gjuhën origjinale janë: "Črni, varuh moj" (1997), "Barva sladke čokolade" (1998), "V dobrih starih časih" (2001), "Zaljubljeni moški" (2004),  "Spremna besedica" (2009), "Pri Dovjakovih je bilo podobarstvo zmeraj doma" (2014), "V ženskih rokah" (2019).


Gjatë qëndrimit të saj në Rezidenën Letrare "POETEKA – Tirana in Between", Sonja Porle do të bashkëpunojë me shkrimtarë, studiues dhe perkthyes shqiptarë, për ndarë me ta përvojat e qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, të udhëtimeve të saj nëpër Shqipëri si dhe për të organizuar veprimtari të përbashkëta letrare,


Programi "READING BALKANS" mbështetet nga "Creative Europe" i Bashkimit Europian dhe rrjeti TRADUKI, Për realizminin e tij bashkëpunojnë partnerë si Goga (Slloveni), Goten (Maqedoni e Veriut), Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Kroaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), Qendra PEN (Bosnjë-Hercegovinë).


* Sonja Porle (foto Žiga Koritnik)



02 August 2021

Fwd: Ballkanasit lexojnë / Lexojmë ballkanasit: READING BALKANS - POETEKA - Tirana in Between - Writers in Residence Programme


Ballkanasit lexojnë / Lexojmë ballkanasit !  Ky është titulli i veprimtarive në kuadër të programit READING BALKANS - POETEKA - Tirana in Between - Writers in Residence, që shenjon dhe rikthimin në Tiranë të Rezidencës së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë.


Në datën 28 korrik 2021, POETEKA organizoi në Hemingway Bar Tirana një mbrëmje leximi mes poetes nga Mali i Zi, Marija Dragnić dhe poetes shqiptare Olimbi Velaj, të cilat ndanë me publikun lexime autori, përkthime, përvoja rreth jetës së përditshme të qytetit, skenës së tij kulturore gjatë periudhës së mbylljes për shkak të pandemisë si dhe përshtypje nga takimet me kolegë dhe miq.


Përveç leximeve nga autoret e ftuara, pjesë e programin ishte edhe dialogu rreth temës "Libri dhe leximi në epokën digjitale", me titullin "I wanna be a paperback writer" – që do të jetë tema e takimeve vjetore. Mbrëmja u moderua nga shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka.


Ndër vite, programi i rezidencave letrare READING BALKANS mbështetet nga programi "EU - Creative Europe" dhe nga rrjeti TRADUKI. Për këtë program bashkëpunojnë partnerë rajonalë si Goga (Slloveni), Goten (Maqedoni e Veriut), Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Kroaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), Qendra PEN (Bosnjë-Hercegovinë).

 

28 July 2021

BOTIMET POETEKA – LIBËR I RI


Autor: Ilir Hysi

Titulli: Sonete Drite

Faqe 180

Çmimi 1000 lekë

ISBN 978-9928-230-45-4

Botimet POETEKA,

Qershor, 2021.

 

Ftesë për lexuesin: Një ditë të zakonshme të fillimvitit 1998, shkoja një trotuari të pashtruar dhe gunga-gunga të një rruge afër stacionit të linjës së autobuzave " Tirana e re ". I shoqëruar në këtë rrugëtim nga njëra prej motrave të mia dhe i "armatosur" me një fletore të zhubrosur (prodhim turk), po drejtohesha ndesh një të panjohure, në këtë fund të mijëvjeçarit të dytë.

Pallatet e rrënuara pesëkatëshe më tejçonin një rrezatim të veçantë. Në një nga këto pallatekasaforta të sigurisë më të lartë, qëndronte i fshehur një diamant i pagdhendur. Shkallët prej çimentoje më përcollën në mënyrë të pjerrët drejt një dere të mbyllur, të bërë prej një dërrase fare të lëkundur. Zilja tingëlloi si përpara hapjes së siparit në teatër. Tri trokitjet u dëgjuan gjithashtu. Vijoi një pritje e ndrojtur në një shkallë të ndriçuar keqas. Më në fund disa hapa u dëgjuan dhe dera u hap. Kalova pragun dhe hyra në botën e dijes letraro-poetike, të ruajtur me aq xhelozi nga Athina-Minerva-Fatime Shehu.

Kjo hyrje nuk do të jetë një përshkrim në vetëpëlqim i jetës dhe "bëmave" të mia, por një çelës fare i vogël për të ndihmuar në kuptimin e strukturës së këtij botimi me poezi.

Poezia më ka shoqëruar dhe vazhdon të më shoqërojë në jetën time të përditshme dhe jashtë profesionale. Përgjatë këtyre viteve kam arritur të grumbulloj një sërë vargjesh dhe më në fund vendosa të krijoj një përmbledhje të parë me poezi, e cila është e përqendruar në një formë të veçantë të kësaj të fundit, që është Soneti.

Ndarjet dhe nyjet në vijim i përkasin një ecurie kohore të shpjegueshme fare lehtë. Rrethi i parë përfshin poezitë e shkruara gjatë periudhës së maturës 1999-2000, në Tiranë. Rrethi i dytë dhe i tretë shtrihen përgjatë viteve 2000- 2007, të cilat përkojnë me studimet e mia të larta në Paris. Rrethi i katërt shënon rikthimin tim tek Soneti përgjatë dy viteve të fundit. Më tej, rrethi i pestë i largohet strukturës së Sonetit për të mbyllur dhe rimbyllur këtë cikël kohor.

Poezitë e këtushme janë pa moshë dhe jashtëkohore. Por, shpjegimet dhe përsiatjet e mëtejshme do të ishin veç një humbje kohe. Kalojmë në faqet e pasme.

 

Nga autori (në ajër diku në qiellin e Europës).

1st AUTHORIAL READING BALKANS 2021: I WANNA BE A PAPERBACK WRITER

EJA sot: Lexime autori: Marija Dragnić & Olimbi Velaj

– 28 Korrik, 2021 
Hemingway Tirana
– ora 19.00

Marija Dragnić 


[3.]


dikur gjyshi im vrau

një nepërkë që më preu rrugën 

ai lidhi një shkrepëse

në nofullat e hapura

dhe vuri një cigare në gojë.

gjarpri rrëmbimthi u bë kulaç,

derisa i plasi koka.

 

e vërteta është

se kjo është e vetmja gjë

që kujtoj prej tij edhe sot.

 

gishtat e errët të poezisë sime

thyen gishtat e plot dritë të poezisë.

gjithçka ndodhi në një fushë të lagësht

prej nga ngrihej një mjegull e gjelbër.

prej diku vinte erë e djegur.

E regjistrova të gjithë ngjarjen.

 

gishtat e errët të të dashurti tim

zbresin poshtë meje

ndërsa unë vendos një gjarpër

nën shtratin tonë.

 

Përleshemi mes çarçafësh të bardhë. 

në një çast,

koka ime varet buzë shtratit,

dhe kjo shton shanset

e një dorëzimi përfundimtar.

 

gishtat e mi me dritë tërheqin flokët e errët

nga qafa e të dashurit tim,

ai puthit gishtin e madh të errët

mes buzëve të mia të përflakura.

njërin prej nesh e kafshon gjarpri.

 

video e regjistruar duket si një film porno

me një aktore shumë të eksituar.

u bë një hit i vërtetë.

ishin yjet e ftuar të çdo festivali,

fituan të gjitha çmimet lokale.

zogu ishte një sukses i vërtetë.

 

[4.]

 

 

ky është shënimi i tretë

rreth gjyshin tim të cilin

e njihja fare pak.

 

mami çuditet

sesi unë ende nuk e shoh

lidhjen

midis këtyre dy fakteve.

 

gishtat e errët të poezisë së dikujt tjetër

ngatërrohen përballë gishtave të errët të poezisë sime

e që papritur kthehen në komedi.

një tufë e shtangur buzëqeshjesh ulet

në fytyrat e aktorëve kryesorë dhe publikut.

 

gishtat e errët të të dashurit tim

kujdesen për gishtat e mi të ndriçuar.

gishtat e mi të ndriçuar, errësohen

për shkak të, le të themi tymit të duhanit.

aktorja kryesore vë maskën e një djali bukurosh.

dritat shuhen.

 

gishtat e errët të poezisë sime ndërthuren me gishtat e dritës së poezisë sime.

nëse gishtat e errët e mundin dritën, ato s'do mund të shkonin asnjë grimë

përtej skajeve të thonjve.

feksin kamerat

nga një pikë strategjike mes audiencës, ato ndriçojnë vetëm kostumet

dhe siluetat e peizazheve

 

gishtat e errët të të dashurit tim

ngërthen me gishtat e mi tashmë të errët në pozicionin e fillimit.

ndizen dritat

aktori kryesor është i vetëm në skenë

aktorja kryesore papritur është mes publikut, dhe ka mbetur e shtangur.

 

gishta e errët të të dashurit tim

dhe gishta me dritë të poezisë sime në një vallëzim prej djalli.

zemra është nëna e përsëritjes, bërtasin ata në pikë kulmore.




Olimbi Velaj

Macja 

Ajo ngre sytë e qelqtë e më hedh një shtizë drite
më duket sikur aty janë pamjet e tërë shpirtrave
me të cilët nuk munda të flisja kur qemë të gjithë gjallë
Macja e vogël me gëzof ngjyrë kafeje të ëndërrt 
më bën ta dua vetëm me një vështrim të ngulët
pastaj sheh punën e vet, kthehet e vëzhgon oborrin
duke ndenjur mbi dy këmbët e pasme mbi parvaz
nuk mund të rri pa e përkëdhelur pak 
ajo vjen para derës, si një njeri që i ke dhënë shpresë
që është i bindur se do ta presësh, por ka turp të trokasë
është aq e bukur, të mbërthen në çudi
dhe as që e di sa shtangëse bëhet hijeshia e saj 
Më prek vështrimi, më ndërmend Billin e vogël
maçokun tim të bardhë që fliste me sy
sa mendonim: ai nuk është i familjes së maceve
dhe gjithmonë besoj: këto krijesa magjike
ecin si shpirtra mbi tokë, shfaqen si frymë 
largohen pa e ditur, si venitja e bukurisë nëpër kohë
Macja e vogël më fërkohet nëpër këmbë
dhe shkon, si dikush që sapo të ka përqafuar...

Njerëz të periferisë

Burri i tha gruas të thërriste fëmijët emigrantë
ndoshta do të mbërrinin para se të jepte shpirt
dhe "mos nxirr lajmërim vdekjeje, këtu askush s'na njeh"
Ishin njerëz që nuk i përkisnin qytetit
patën ardhur aty prej vetmisë
apartamenti i ngushtë me fqinjë indiferentë
i trishtonte përditë, siç çmend qelia të burgosurit pa faj
E  patën ndarë jetën me të tjerë që tani endeshin dherave të huaj
 ose periferive në qytetet që kurrë s'i jetuan
Vdekjet nuk ishin më dhimbje që kaloheshin me miq
dhe në varreza qëllonte që s'kish mjaftueshëm tokë
një nga të afërmit u varros në rrugicën midis parcelave
 dheu qe i përzier me asfalt, përmbi, lule plastike 
pastaj iu shfaq i ati, që pat vdekur në fshat
pasi u takua me të gjithë e la amanetet
dhe varri i tij mes të tjerëve, në tokën e stërgjyshërve
në krye të lagjes, mes qeparisëve dhe luleve të egra
Midis dhimbjes u përgjum një grimë kohe 
në ëndërr i dolën lisa të shkulur me rrënjë në qiell 



Total Pageviews