30 December 2021
Arian Leka botohen në revistën rumune LUCEAFARUL DE DIMINEATA
Publikohet në Beograd përmbledhja me poezi bashkëkohore shqiptare “Glasovi preko ograde”
Sapo është publikuar në Beograd përmbledhja me poezi bashkëkohore shqiptare, titulluar "Glasovi preko ograde". Janë 25 autorë shqiptarë që, në këtë antologji me format audiobook, përfaqësohen përmes 50 poezive: dy poezi për secilin autor. Përmbledhja ofron poetika të ndryshme dhe formon një mozaik të skenës bashkëkohore të poezisë në Shqipëri.
Letërsia bashkëkohore shqiptare në këtë përmbledhje bashkon krijimtarinë e poetëve Plator Ulqinaku, Eleana Zhako, Julia Enkelana, Arti Lushi, Maklena Nika, Elona Çuliq, Ilir Paja, Entela Tabaku, Enton Bido, Manjola Nasi, Alban Tartari, Eneida Mjeshtri, Eljan Tanini, Erina Çoku, Mariklena Niço, Gentiana Minga, Sabina Veizaj, Andi Meçaj, Armanda Hysa, Lindita Arapi, Sokol Çunga, Arlinda Guma, Ornela Musabelliu, Ana Kove, Manjola Brahaj.
Botimi i bë i mundur nga Organizata Letrare ARGH në kuadër të programit READ, themeluar nga Bashkimi Europian! Përzgjedhja nga: Arian Leka; Përkthimi nga: Igor Stanojević; Redaktimi letrar nga: Ana Marija Grbić; Poezitë u lexuan nga: Boris Milanović
ISBN 978-86-902194-7-6
COBISS.SR-ID 55082249
Për ta dëgjuar përmbledhjen me poezi bashkëkohore shqiptare, titulluar "Glasovi preko ograde" ndiqni:
16 December 2021
TRANSLATION in MOTION (TiM) ELEANA ZHAKO mbyll qëndrimin në Rezidencën e Përkthyesit Letrar, Tiranë
Përkthyesja e njohur Eleana Zhako, fituese e bursës ndërkombëtare të Programit Translation in Motion (TiM), pjesë e Projektit Creative Europe, mbështetur nga BE dhe realizuar në Tiranë nga "Poeteka", e mbylli qëndrimin e saj në Rezidencë me një sërë veprimtarish, ku bëjnë pjesë punëtori përkthimore, intervista në radio dhe televizione të ndryshme, takime me shkrimtarë, kolegë përkthyes e bashkëpunëtorë, pjesëmarrje në kuadër të veprimtarive të Panairit të Librit dhe, mbi të gjitha, punë e pavarur mbi projektin e saj për hartimin e antologjisë së eseistikës bashkëkohore shqiptare.
Përveç këtyre, Eleana Zhako i kushtoi rëndësi edhe paraqitjes së punës së saj ndër vite si përkthyese nga gjuha shqipe në greqisht dhe anasjelltas. Kjo formë prezantimi u përdor si platformë në takimin me studentët e nvelit master të Departamentit të Greqishtes në Universitetin e Tiranës. Përmes këtij formati, kjo punëtori përkthimore, konceptuar si ndërthurje mes teorisë dhe ndarjes së praktikave, Eleana Zhako bëri të njohura përkthimet e saj të botuara tashmë në greqisht, paraqiti shkrimtarët shqiptarë të përkthyer në Greqi, duke shpjeguar me këtë rast edhe përvojat që duhen ndjekur me këtë rast.
Përkthyesja Eleana Zhako zhvilloi gjithashtu edhe një veprimtari të gjerë prezantuese përmes medieve, duke dhënë intervista në një program radiofonik për minoritetet, në dy programe televizive, respektivisht në MCN Channel (me gazetaren Gazmira Sokoli) dhe për Televizionin Publik Shqiptar (me gazetaren Arta Marku).
Në këto hapësira ajo bashkëbisedoi mbi rolin e projektit "Translation in Motion", përkthimet e saj nga shqipja në greqisht, si projekte me krijitarinë e Mitrush Kutelit, Gëzim Qëndros, Fatos Lubonjës, Arian Lekës, Elona Gjergos etj., si dhe pritjen që i është bërë në mjedisin letrar shqiptar përkthimeve të saj nga greqishtja në shqip.
Në këto biseda ajo e vlerësoi si shumë të frytshme qëndrimin në Rezidencën e Përkthyesit Letrar në Tiranë, duke theksuar se, falë kësaj mundësie, ajo kishte pasur rastin të takohej me shumë autorë të rëndësishëm të fushës së letërsisë vendase, për të diskutuar me ta projekte mbi të ardhmen e letërsisë shqiptare përtej kufijve dhe mundësinë e zgjerimit të komunikimit kulturor mes Greqisë dhe Shqipërisë përmes letërsisë dhe përkthimeve letrare.
http://www.mcntv.al/2021/11/18/mungesa-e-kritik-s-varf-ron-let-rsin-e-p-rkthyer-video
https://www.youtube.com/watch?v=CP25N9UHbhQ
#CreativeEurope4Books
#PoetekaAlbania
#TranslationinMotion
#Everything is translation
01 December 2021
Autorë shqiptarë përkthyer në gjuhën maqedonase
29 November 2021
Fwd: TRASNLATION in MOTION: Eleana Zhako - veprimtari në Departamentin e Gjuhës Greke
Tematika e dhe praktikat përkthimore në këtë veprimtari u bashkëndanë mes përkthyeses Eleana Zhako, Prof. Maklena Nika - gjithashtu përkthyese e njohur nga greqishtja - dhe studentëve, që sapo kanë krijuar përvojat e para në përkthimtari.
Qëllimi i seminarit ishte njohja e studentëve pjesëmarrës me teoritë bashkëkohore të përkthimit dhe bashkëbisedimi mbi rolin e përkthyesit si ndërmjetësues mes autorëve shqiptarë dhe lexuesit të gjuhës greke.
Gjatë seminarit, përkthyesja Eleana Zhako u ndal në përvojat e saj në përkthimin e autorëve shqiptarë, që tashmë janë botuar në greqisht. Ndërkohë, workshop-i shërbeu për të bashkëpunuar me studentët mbi çështje se si mund të trajtohen, zgjidhen dhe kapërcehen vështirësitë jo thjesht të përkthimit të fjalëpërfjalshëm, por edhe të karakterit kulturor. Si ilustrim Eleana Zhako solli shembuj nga praktika e saj në procesin e përkthimit të autorëve Mitrush Kuteli, Gëzim Qëndro, Fatos Lubonja, Elona Gjergo, Arian Leka, Ardian Vehbiu, Jeton Neziraj, Ylli Demneri, Elvira Dones etj.
Në fund të takimit përkthyesja Eleana Zhako paraqiti për të pranishmit projektin e saj lidhje me autorët shqiptarë që shkruajnë eseistikë dhe përfaqësimin e tyre përmes librave të veçantë apo një antologjie të eseistikës përkthyer në gjuhën greke.
#CreativeEurope4Books
#PoetekaAlbania
#TranslationinMotion
#Everything is translation
28 November 2021
HAMID GJYLBEGAJ - Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike
23 November 2021
TRANSLATION in MOTION: Eleana Zhako - intervistë në MCN TV
Intervistë e Eleana Zhakos, përkthyese nga gjuha shqipe në gjuhën greke dhe anasjelltas, fituese e Projektit TRANSLATION in MOTION (TiM),për qëndrim në Rezidencën për përkthyes letrarë në Tiranë (nëntor 2021) në një intervistë në MCN TV shprehet se, veç institucioneve e faktorëve të tjerë ndihmës e lehtësues në përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të huaja, edhe vetë shtëpitë botuese duhet të investojnë më tepër në që librat e autorëve që ata publikojnë në shqip të përkthehen dhe botohen në gjuhë të huaja të vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Një arsye të mosfunksionimit si duhet të një sistemi të vlerave letrare dhe të përkthimit, përkthyesja Eleana Zhako e gjen te mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare në Shqipëri. Kjo mungesë sjell pengesa që te lexuesi të mbërrijë i gjithë spektri i autorëve më të mirë, por sidomos edhe i autorëve të rinj, por premtues.
Gjatë intervistës ajo rrëfen aspekte të punës në lidhje me përkthimin e disa autorëve shqiptarë në greqisht, të tillë si Gëzim Qëndro, Fatos Lubonja, Elona Gjergo, si dhe paraqet projektin e vet më të ri mbi esestikën bashkëkohore shqiptare, të cilin ka në proces. Në intervistë ajo parashtron gjithashtu edhe faktin kur autorë që i përkasin minoritetit grek, të cilët kanë gjetur suksesin në shtetin fqinj, edhe pse të përkthyer në shqip, në shumë raste kalojnë pa u vënë re.
Si përkthyese fituese e bursës së programit TRANSLATION in MOTION (TiM), Eleana Zhako po punon për realizimin e projektit të saj mbi përkthimin e autorëve të tjerë shqiptarë në greqisht. Ky qëndrimi i saj në rezidencën e përkthyesit letrar në Tiranë i shërben njohjes, kontaktit me autorët, mbledhjes së materialit letrar, punës përgatitore dhe zgjedhjes së krijimtarisë së autorëve shqiptarë që lëvrojnë kryesisht eseistikën bashkëkohore shqiptare.
Projekti TiM bën pjesë në programin Creative Europe, mbështetur nga BE dhe realizuar në Shqipëri nga POETEKA.
#CreativeEurope4Books
#PoetekaAlbania
#TranslationinMotion
#Everything is translation!
16 November 2021
TRANSLATION in MOTION - Eleana Zhako - NË PROCES
PËRKTHIME NË PROCES: ELEANA ZHAKO – Rezidenca e Përkthyesit Letrar, Tiranë – Nëntor 2021.
Fatos Lubonja, fragment nga "Ridënimi" (Botimet Pērpjekja)
Origjinali në gjuhën shqipe: Sa e pyeta në ishte i martuar më tregoi për Vllastën që ishte në Pragë. "S'ka zot të na ndajë", më tha. Pastaj më tregoi se, kur e kishin thirrur në Komitetin e Partisë dhe i kishin kërkuar të bënte divorc, u qe përgjigjur duke i treguar për një zog i cili, kur i vdes partneri, ngjitet në lartësi, mbyll krahët dhe lëshohet gjersa përplaset me dheun, ku bëhet copë e thërrime. E ritakova përsëri në fillim të viteteve '80 në kampin e Ballshit. I kishin shtuar edhe dhjetë vjet të tjera, por Vllastën nuk e hiqte nga goja.
Përkthimi në greqisht:
Φατός Λουμπόνια, «Η επανακαταδίκη», Εκδόσεις Πληθώρα (ongoing).
Mετάφραση: Ελεάνα Ζιάκου
Μόλις τον ρώτησα αν ήταν παντρεμένος, μου μίλησε για τη Βλάστα, η οποία βρισκόταν στην Πράγα. «Ούτε ο θεός ο ίδιος δεν μπορεί να μας χωρίσει», μου είπε. Μετά μου αφηγήθηκε ότι όταν τον είχαν καλέσει στην Επιτροπή του Κόμματος και του είχαν ζητήσει να πάρει διαζύγιο, τους απάντησε μιλώντας τους για ένα πουλί, το οποίο όταν πεθαίνει το ταίρι του, ίπταται ψηλά, μαζεύει τα φτερά του και αφήνεται στην πτώση μέχρι που προσκρούει στο έδαφος και γίνεται κομμάτια. Τον συνάντησα ξανά στις αρχές του '80, στο στρατόπεδο του Μπαλς. Του είχαν προσθέσει άλλα δέκα χρόνια, μα οι αναφορές στη Βλάστα δεν είχαν τελειωμό.
Eleana Zhako është përkthyesja fituese e bursës së programit TRANSLATION in MOTION (TiM), për realizimin e një projekti mbi përkthimin e autorëve shqiptarë në greqisht. Qëndrimi i saj në rezidencën e përkthyesit letrar në Tiranë i shërben punës përgatitore dhe njohjes me krijimtarinë e autorëve shqiptarë që lëvrojnë kryesisht eseistikën, prozën dhe studimet mbi artin, me projektin e përzgjedhjes, përkthimit e publikimit të eseistikës bashkëkohore shqiptare në greqisht. Projekti TiM bën pjesë në programin Creative Europe, mbështetur nga BE dhe realizuar në Shqipëri nga POETEKA.
#CreativeEurope4Books
#PoetekaAlbania
#TranslationinMotion
#Everything is translation!
Për më shumë informacion:
https://poeteka.blogspot.com/2021/11/translation-in-motion-eleana-zhako-ne_9.html









