04 August 2021

SONJA PORLE - READING BALKANS 2021 – POETEKA – Tirana in Between !

READING BALKANS 2021 – POETEKA – Tirana in Between !


Autorja sllovene Sonja Porle do të qëndrojë në Tiranë gjatë muajit gusht, si fituese e bursës "Reading Balkans 2021" dhe bujtëse në Rezidencën e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë.


Sonja Porle (1960) është një shkrimtare dhe eseiste e njohur sllovene, që jeton në Škofja Loka. Para se të rikthehej në vendlindje, ajo punoi në Oksford (Angli), ku kaloi 21 vjet të jetës së saj. Megjithatë, fokusi i shkrimeve të saj, qoftë  në letërsinë krijuese, qoftë në letërsinë studimore e dokumentare, i kushtohet  kryesisht Afrikës, kontinentit që ajo e vizitoi për herë të parë në 1983.


Prej asaj kohe Sonja Porle është kthyer e rikthyer atje edhe shumë herë të tjera, për t'u vendosur në fund të viteve 1980 në Ganë. Për dy vjet ajo kreu punë kërkimore në terren mes grupit fisnor Asanti. Hulumtimi i Sonja Porle u njoh dhe u vlerësua nga UNESCO me një çmim të veçantë, kushtuar Tezës së mbrojtur në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Lubjanës (1989).


Që në debutimin e saj letrar Sonja Porle meritoi çmimin e rëndësishëm letrar slloven "Zlata ptica", për veprën "Engjëlli i Zi, kujdestari im". Në motivacionin e çmimit shënohej se vlerësimi jepej "për arritje të mëdha kulturore" dhe shpjegimin se autorja kishte bërë "për kuptimin e Afrikës nga sllovenët, pakrahasimisht më shumë se gjithkush më parë". Libri u bë gjithashtu vepra më i shitur e vitit në Slloveni. Që prej asaj kohe libri është ribotuar pesë herë dhe është përkthyer në kroatisht (1998) che në gjermanisht (2006). Libri i dytë i shkrimtares Sonja Porle, "Ngjyra e çokollatës së ëmbël" (1998), mori gjithashtu një vlerësim të gjerë kritik dhe popullor. 


Përveçse në "Nova Revija" dhe "Etnolog" (Slloveni), reportazhet dhe prozat e saj të shkurtra janë botuar edhe në revista të mirënjohura jashtë Sllovenisë, përfshi këtu "African Writing" dhe "Edinburg Review" (Britani e Madhe); "Ferald Tribune", "Svet" dhe "Godine Nove" (Kroaci); "Knižni Novinsky", "Host" (Republika Çeke); "Top 22" (Austri); "Daily Times", West Africa", "Newswatch" (Nigeri).


Veç botimeve, krijimtaria e Sonja Porles është bërë mjaft e njohur edhe falë leximeve publike, ku vlen të përmenden paraqitja në "Festivalin e Shkrimtarëve të Pragës", 2003 (Republika Çeke) dhe ajo në "Festivalin e Shkrimtarëve" në Dublin, 2004 (Irlandë). Ajo merr pjesë shpesh edhe në emisionet radiofonike, përfshi mes të tjerësh "BBC World Service" (Britani e Madhe), "Radio Freetown" (Sierra Leone).


Një nga pasionet e Sonja Porles është dhe koleksionimi i lodrave, prodhuar me materiale të ricikluara, krijuara nga fëmijët afrikanë. Ajo ka qenë kuratore e shtatë ekspozitave të hapura në Slloveni dhe jashtë saj, mbështetur në koleksionin e saj mbi këtë tematikë.


Vitet e fundit Sonja Porle i ka kushtuar vëmendje të posaçme promovimit të letërsisë afrikane dhe sllovene në Angli, duke vijuar njëkohësisht të organizojë veprimtari kulturore dhe artistike në Slloveni.


Disa nga veprat kryesore të Sonja Porles në gjuhën origjinale janë: "Črni, varuh moj" (1997), "Barva sladke čokolade" (1998), "V dobrih starih časih" (2001), "Zaljubljeni moški" (2004),  "Spremna besedica" (2009), "Pri Dovjakovih je bilo podobarstvo zmeraj doma" (2014), "V ženskih rokah" (2019).


Gjatë qëndrimit të saj në Rezidenën Letrare "POETEKA – Tirana in Between", Sonja Porle do të bashkëpunojë me shkrimtarë, studiues dhe perkthyes shqiptarë, për ndarë me ta përvojat e qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, të udhëtimeve të saj nëpër Shqipëri si dhe për të organizuar veprimtari të përbashkëta letrare,


Programi "READING BALKANS" mbështetet nga "Creative Europe" i Bashkimit Europian dhe rrjeti TRADUKI, Për realizminin e tij bashkëpunojnë partnerë si Goga (Slloveni), Goten (Maqedoni e Veriut), Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Kroaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), Qendra PEN (Bosnjë-Hercegovinë).


* Sonja Porle (foto Žiga Koritnik)



02 August 2021

Fwd: Ballkanasit lexojnë / Lexojmë ballkanasit: READING BALKANS - POETEKA - Tirana in Between - Writers in Residence Programme


Ballkanasit lexojnë / Lexojmë ballkanasit !  Ky është titulli i veprimtarive në kuadër të programit READING BALKANS - POETEKA - Tirana in Between - Writers in Residence, që shenjon dhe rikthimin në Tiranë të Rezidencës së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë.


Në datën 28 korrik 2021, POETEKA organizoi në Hemingway Bar Tirana një mbrëmje leximi mes poetes nga Mali i Zi, Marija Dragnić dhe poetes shqiptare Olimbi Velaj, të cilat ndanë me publikun lexime autori, përkthime, përvoja rreth jetës së përditshme të qytetit, skenës së tij kulturore gjatë periudhës së mbylljes për shkak të pandemisë si dhe përshtypje nga takimet me kolegë dhe miq.


Përveç leximeve nga autoret e ftuara, pjesë e programin ishte edhe dialogu rreth temës "Libri dhe leximi në epokën digjitale", me titullin "I wanna be a paperback writer" – që do të jetë tema e takimeve vjetore. Mbrëmja u moderua nga shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka.


Ndër vite, programi i rezidencave letrare READING BALKANS mbështetet nga programi "EU - Creative Europe" dhe nga rrjeti TRADUKI. Për këtë program bashkëpunojnë partnerë rajonalë si Goga (Slloveni), Goten (Maqedoni e Veriut), Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Kroaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), Qendra PEN (Bosnjë-Hercegovinë).

 

28 July 2021

BOTIMET POETEKA – LIBËR I RI


Autor: Ilir Hysi

Titulli: Sonete Drite

Faqe 180

Çmimi 1000 lekë

ISBN 978-9928-230-45-4

Botimet POETEKA,

Qershor, 2021.

 

Ftesë për lexuesin: Një ditë të zakonshme të fillimvitit 1998, shkoja një trotuari të pashtruar dhe gunga-gunga të një rruge afër stacionit të linjës së autobuzave " Tirana e re ". I shoqëruar në këtë rrugëtim nga njëra prej motrave të mia dhe i "armatosur" me një fletore të zhubrosur (prodhim turk), po drejtohesha ndesh një të panjohure, në këtë fund të mijëvjeçarit të dytë.

Pallatet e rrënuara pesëkatëshe më tejçonin një rrezatim të veçantë. Në një nga këto pallatekasaforta të sigurisë më të lartë, qëndronte i fshehur një diamant i pagdhendur. Shkallët prej çimentoje më përcollën në mënyrë të pjerrët drejt një dere të mbyllur, të bërë prej një dërrase fare të lëkundur. Zilja tingëlloi si përpara hapjes së siparit në teatër. Tri trokitjet u dëgjuan gjithashtu. Vijoi një pritje e ndrojtur në një shkallë të ndriçuar keqas. Më në fund disa hapa u dëgjuan dhe dera u hap. Kalova pragun dhe hyra në botën e dijes letraro-poetike, të ruajtur me aq xhelozi nga Athina-Minerva-Fatime Shehu.

Kjo hyrje nuk do të jetë një përshkrim në vetëpëlqim i jetës dhe "bëmave" të mia, por një çelës fare i vogël për të ndihmuar në kuptimin e strukturës së këtij botimi me poezi.

Poezia më ka shoqëruar dhe vazhdon të më shoqërojë në jetën time të përditshme dhe jashtë profesionale. Përgjatë këtyre viteve kam arritur të grumbulloj një sërë vargjesh dhe më në fund vendosa të krijoj një përmbledhje të parë me poezi, e cila është e përqendruar në një formë të veçantë të kësaj të fundit, që është Soneti.

Ndarjet dhe nyjet në vijim i përkasin një ecurie kohore të shpjegueshme fare lehtë. Rrethi i parë përfshin poezitë e shkruara gjatë periudhës së maturës 1999-2000, në Tiranë. Rrethi i dytë dhe i tretë shtrihen përgjatë viteve 2000- 2007, të cilat përkojnë me studimet e mia të larta në Paris. Rrethi i katërt shënon rikthimin tim tek Soneti përgjatë dy viteve të fundit. Më tej, rrethi i pestë i largohet strukturës së Sonetit për të mbyllur dhe rimbyllur këtë cikël kohor.

Poezitë e këtushme janë pa moshë dhe jashtëkohore. Por, shpjegimet dhe përsiatjet e mëtejshme do të ishin veç një humbje kohe. Kalojmë në faqet e pasme.

 

Nga autori (në ajër diku në qiellin e Europës).

1st AUTHORIAL READING BALKANS 2021: I WANNA BE A PAPERBACK WRITER

EJA sot: Lexime autori: Marija Dragnić & Olimbi Velaj

– 28 Korrik, 2021 
Hemingway Tirana
– ora 19.00

Marija Dragnić 


[3.]


dikur gjyshi im vrau

një nepërkë që më preu rrugën 

ai lidhi një shkrepëse

në nofullat e hapura

dhe vuri një cigare në gojë.

gjarpri rrëmbimthi u bë kulaç,

derisa i plasi koka.

 

e vërteta është

se kjo është e vetmja gjë

që kujtoj prej tij edhe sot.

 

gishtat e errët të poezisë sime

thyen gishtat e plot dritë të poezisë.

gjithçka ndodhi në një fushë të lagësht

prej nga ngrihej një mjegull e gjelbër.

prej diku vinte erë e djegur.

E regjistrova të gjithë ngjarjen.

 

gishtat e errët të të dashurti tim

zbresin poshtë meje

ndërsa unë vendos një gjarpër

nën shtratin tonë.

 

Përleshemi mes çarçafësh të bardhë. 

në një çast,

koka ime varet buzë shtratit,

dhe kjo shton shanset

e një dorëzimi përfundimtar.

 

gishtat e mi me dritë tërheqin flokët e errët

nga qafa e të dashurit tim,

ai puthit gishtin e madh të errët

mes buzëve të mia të përflakura.

njërin prej nesh e kafshon gjarpri.

 

video e regjistruar duket si një film porno

me një aktore shumë të eksituar.

u bë një hit i vërtetë.

ishin yjet e ftuar të çdo festivali,

fituan të gjitha çmimet lokale.

zogu ishte një sukses i vërtetë.

 

[4.]

 

 

ky është shënimi i tretë

rreth gjyshin tim të cilin

e njihja fare pak.

 

mami çuditet

sesi unë ende nuk e shoh

lidhjen

midis këtyre dy fakteve.

 

gishtat e errët të poezisë së dikujt tjetër

ngatërrohen përballë gishtave të errët të poezisë sime

e që papritur kthehen në komedi.

një tufë e shtangur buzëqeshjesh ulet

në fytyrat e aktorëve kryesorë dhe publikut.

 

gishtat e errët të të dashurit tim

kujdesen për gishtat e mi të ndriçuar.

gishtat e mi të ndriçuar, errësohen

për shkak të, le të themi tymit të duhanit.

aktorja kryesore vë maskën e një djali bukurosh.

dritat shuhen.

 

gishtat e errët të poezisë sime ndërthuren me gishtat e dritës së poezisë sime.

nëse gishtat e errët e mundin dritën, ato s'do mund të shkonin asnjë grimë

përtej skajeve të thonjve.

feksin kamerat

nga një pikë strategjike mes audiencës, ato ndriçojnë vetëm kostumet

dhe siluetat e peizazheve

 

gishtat e errët të të dashurit tim

ngërthen me gishtat e mi tashmë të errët në pozicionin e fillimit.

ndizen dritat

aktori kryesor është i vetëm në skenë

aktorja kryesore papritur është mes publikut, dhe ka mbetur e shtangur.

 

gishta e errët të të dashurit tim

dhe gishta me dritë të poezisë sime në një vallëzim prej djalli.

zemra është nëna e përsëritjes, bërtasin ata në pikë kulmore.




Olimbi Velaj

Macja 

Ajo ngre sytë e qelqtë e më hedh një shtizë drite
më duket sikur aty janë pamjet e tërë shpirtrave
me të cilët nuk munda të flisja kur qemë të gjithë gjallë
Macja e vogël me gëzof ngjyrë kafeje të ëndërrt 
më bën ta dua vetëm me një vështrim të ngulët
pastaj sheh punën e vet, kthehet e vëzhgon oborrin
duke ndenjur mbi dy këmbët e pasme mbi parvaz
nuk mund të rri pa e përkëdhelur pak 
ajo vjen para derës, si një njeri që i ke dhënë shpresë
që është i bindur se do ta presësh, por ka turp të trokasë
është aq e bukur, të mbërthen në çudi
dhe as që e di sa shtangëse bëhet hijeshia e saj 
Më prek vështrimi, më ndërmend Billin e vogël
maçokun tim të bardhë që fliste me sy
sa mendonim: ai nuk është i familjes së maceve
dhe gjithmonë besoj: këto krijesa magjike
ecin si shpirtra mbi tokë, shfaqen si frymë 
largohen pa e ditur, si venitja e bukurisë nëpër kohë
Macja e vogël më fërkohet nëpër këmbë
dhe shkon, si dikush që sapo të ka përqafuar...

Njerëz të periferisë

Burri i tha gruas të thërriste fëmijët emigrantë
ndoshta do të mbërrinin para se të jepte shpirt
dhe "mos nxirr lajmërim vdekjeje, këtu askush s'na njeh"
Ishin njerëz që nuk i përkisnin qytetit
patën ardhur aty prej vetmisë
apartamenti i ngushtë me fqinjë indiferentë
i trishtonte përditë, siç çmend qelia të burgosurit pa faj
E  patën ndarë jetën me të tjerë që tani endeshin dherave të huaj
 ose periferive në qytetet që kurrë s'i jetuan
Vdekjet nuk ishin më dhimbje që kaloheshin me miq
dhe në varreza qëllonte që s'kish mjaftueshëm tokë
një nga të afërmit u varros në rrugicën midis parcelave
 dheu qe i përzier me asfalt, përmbi, lule plastike 
pastaj iu shfaq i ati, që pat vdekur në fshat
pasi u takua me të gjithë e la amanetet
dhe varri i tij mes të tjerëve, në tokën e stërgjyshërve
në krye të lagjes, mes qeparisëve dhe luleve të egra
Midis dhimbjes u përgjum një grimë kohe 
në ëndërr i dolën lisa të shkulur me rrënjë në qiell 



READING BALKANS 2021: AND I WANNA BE A PAPERBACK WRITER !

READING BALKANS 2021  POETEKA – Tirana in Between

 

Rezidenca e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë

 

... AND I WANNA BE A PAPERBACK WRITER !

 

Lexime autori: Marija Dragnić & Olimbi Velaj

 

28 Korrik, 2021 – Hemingway Tirana, ora 19.00

 

Marija Dragnić ka botuar në  revistat letrare më të rëndësishme të vendeve të ish-Yugosllavisë. Në vitin 2019 ajo ishte fituese e çmimit të parë në konkursin letrar "PAF-POEZI", duke e u cilësuar si autorja e  poezisë më të mirë të pabotuara në Malin e Zi. Në vitin 2019 Marija Dragnić u shpall fituese e çmimit të  parë në konkursin e "Mbrëmjet e Poezisë, Ratković", një veprimtari kjo me karakter rajonal.

Ajo ka qenë gjithashtu fituesje e çmimit të dytë nërkonkursin poetik rajonal letrar "Ulaznica" 2016. Marija Dragnić është mësimdhënëse e gjuhës angleze dhe redaktore në shtëpinë botuese "PPM Enclave" dhe revistës poetike në internet "Enklava".

 


Olimbi Velaj është autore e vëllimeve poetike Çastet vdesin nën akrepa orësh, "Eurorilindja", Tiranë, 1998; dhe Qenia pasdite (Being in the afternoon), vëllim dygjuhësh (shqip-anglisht), "Aleph", Tiranë, 2003. Vëllimi (shqip-anglisht) Lumturia e të tjerëve (The others happiness), "Aleph", Tiranë, 2021.

Poezia e Olimbi Velajt është botuar në 15 gjuhë në disa revista letrare dhe antologji. Ka qenë pjesëmarrëse në një numër festivalesh poetike ndërkombëtare të rëndësishme dhe ka e vlerësuar apo e nominuar për çmime letrare shumë herë në Shqipëri dhe jashtë saj. Olimbi Velaj kontribuon në përkthimin e poezisë bashkëkohore. Ka punuar si gazetare për dy dekada dhe nga viti 2008 është lektore në Departamentin e Letërsisë, pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu", Durrës dhe ka ligjëruar Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqipe në Universitetin e Beogradit, Departamenti i Albanologjisë.

15 July 2021

# Collider Study on Translation: What does this study mean for you ?

"... Unë besoj se Projekti Collider mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen gjithnjë e më të lartë të cilësisë së letërsisë së përkthyer nga gjuhë të rralla, veçanërisht ato nga Ballkani Perëndimor, botuar në Evropën e sotme. Unë gjithashtu mendoj se studimi dhe projekti mund të zhvendosin vëmendjen nga inercia e përkthimeve / botimeve drejt cilësisë së tyre, duke shënuar  një hap drejt njohjes edhe më të thellë Lindje-Perëndim..." -  Dr. Ardian Kyçyku 


"… megjithatë, sa herë që shqiptojmë termin" gjuhë e vogël ", ne pajtohemi se, nën "globalizmin kulturor ", krijimi letrar në këto "gjuhë të vogla" e humbet autonominë e tij, duke u bërë i varur nga përkthimet dhe përkthyesit. Kjo varësi ka qenë e pranishme që nga fillimi në letërsinë e shkruar në Shqipëri, e cila shpesh përshkruhet si një "letërsi e vogël". Ja pra cila është arsyeja pse studimi i ndërmarrë nga Projekti Collider është kaq i rëndësishëm… " - Dr. Arian Leka.

#balkantranslationscollider #CreativeEurope4Books  #Poeteka

Collider Study on Translation

What does this study mean for you ?


" ...I believe that the Collider Project can have a direct impact on ever-increasing the quality of literature translated from rare languages, especially those from the Western Balkans, published in Europe today. I also think that it can shift the focus  from the inertia of translations / publications to their quality and be a step towards even deeper East-West recognition..." - Dr. Ardian Kyçyku  

Collider Study on Translation

What does this study mean for you ?


"…nevertheless, whenever we define the term "minor language," we agree that under "cultural globalism," literary creation in these languages loses its autonomy, It becomes dependent on translations and translators. This dependence has been present since the very beginning in the literature written in Albania, which is often described as a "minor literature." This is why the study undertaken by the Collider Project is so important …" – Dr. Arian Leka


#balkantranslationscollider #CreativeEurope4Books  #Poeteka

Total Pageviews