01 June 2022
Petar Denchev në "Tirana in Between", mbështetur nga TRADUKI
Çmimi ndërkombëtar “Opera Omnia – autorë të huaj - Tudor Arghezi” për shkrimtarin shqiptar Arian Leka
Çmimi "Opera Omnia – për autorë të huaj" për shkrimtarin Arian Leka |
Shkrimtari shqiptar Arian Leka vlerësohet me çmimin e lartë letrar "Tudor Arghezi" për vitin 2022, dhënë në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Rumani. Veprimraria e rëndësishme letrare u zhvillua në qytetin rumun Târgu Jiu mes datave 19 dhe 22 maj 2022, si pjesë e edicioni 42 të Festivalit. Përveç vlerave letrare të lidhura me poezinë, ky qytet është mjaft i njohur, pasi "strehon" Ansamblin Monumental "Tryeza e Heshtjes", "Porta e Puthjes" dhe "Kolona e Pafundme", krijuar nga patriarku i modernizmit në skulpturë Constantin Brâncuși.
Këtë vit fitues i Çmimit "Opera Omnia – Autorë të Huaj" ishte shkrimtari shqiptar Arian Leka, të cilit iu vlerësua vepra poetike dhe ajo eseistike, botuar tashmë me sukses në disa gjuhë të huaja e veçmas në rumanisht (me vëllimin "Anija e Gjumit" / "Nava Somnului" dhe "Biblioteka lundruese" / "Biblioteca plutitoare" – antologji autori).
Në vlerësimin e saj për çmimin ndërkombëtar "Tudor Arghezi" juria, Juria, e kryesuar nga Horia Gârbea (poet, dramaturg dhe përkthyes i mirënjohur i veprës së Shakepeare) çmoi lart risitë stilistike e tematike, si dhe thellësinë befasuese të poetikës së Arian Lekës, jo vetëm si përfaqësues i letrave shqipe, por edhe i atyre europiane. Përveç librave të Arian Lekës, botuar më herët në gjuhën rumune, juria vlerësoi shumë edhe publikimet e shpeshta të shkrimtarit shqiptar gjatë viteve 2020-2021 në revistat më të rëndësishme rumune, si NEUMA (Pionieri, gabeli, si traficanti de femei), ROMÂNIA LITERARĂ (Mai presus de cuvinte), CONVORBIRI LITERARE (Auschwitz maritimo; De unde a venit Lumina?; ) LUCEAFĂRUL DE DIMINEAŢĂ (Poetul în piaţă) etj, në të cilat Arian Leka botoi ese nga libri "Në kërkim të këmishës së humbur" dhe poezi nga libri "Hartë memece për të mbyturit".
Festivali "Tudor Arghezi" organizohet nga Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë dhe në ceremoninë e çmimeve mori pjesë e Akad. Nicolae Manolescu, president i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Festivali mban emrin e njërit prej klasikëve të letërsisë rumune, Tudor Arghezi (pseudonim letrae i Ion Nae Teodorescu-t, 21 maj 1880-14 korrik 1967). Poet, prozator, dramaturg dhe gazetar gjenial, Arghezi vlerësohet si njëri ndër tre autorët rumunë që e e sprovuan rumanishten deri në skajet e saj shprehimore, duke i zbuluar mundësi e fuqi metaforike të panjohura më parë (bashkë me Eminescu-n dhe Nichita Stănescu-n). Autor i një vepre poetike me thekse moderniste e simboliste, i një proze tejet të pasur, i disa librash tashmë mitologjikë për fëmijë, i mjaft pamfletesh të shndërruar në pika referimi, por edhe zbulues e botues talentesh të reja, Arghezi ndikoi mbi mjaft autorë të shquar dhe në jetën letrare rumune për mbi gjysmë shekulli. Ishte akademik, kandidat për Çmimin Nobel, por edhe prani e fuqishme në hapësirën anekdotike të bohemës rumune.
Falë përkushtimit të organizuesve ndaj vlerave estetike e artistike, laureatët e Çmimit Arghezi gjatë këtyre 42 edicioneve janë emra të mëdhenj të letërsisë rumune, mes të cilëve edhe Ana Blandiana, Nichita Stănescu dhe të disa letërsive të tjera europiane.
Arian Leka është i pari autor shqiptar që fiton këtë çmim të rëndësishëm ndërkombëtar.
Në këtë edicion të Festivalit, poeti Arian Leka u paraqit me librin "Hartë memece për të mbyturit", libër ky i përkthyer në mjaft revista letrare në gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht si dhe në disa gjuhë të rajonit i vlerësuar veçanërisht për poemën "Auschwitw detar", përuruar në tetor të vitit 2021 në Coruña në një nga skenat më të rëdësishme të përfaqësimit të poezisë në botë "Poetas Di(n)versos".

Çmimi "Tudor Arghezi" është çmimi i tretë ndërkombëtar për poetin Arian Leka, i cili më parë është vlerësuar me "Skepri poetik", dhënë nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë së Veriut (Shkup, 2019) dhe çmimin "Poet i kryeqytetit poetik të Rumanisë" (Çmim i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rumanisë (Iasi, 2019). Ndërkohë, libri "Hartë memece për të mbyturit" do të botohet brenda vitit 2022 në greqisht (përkthyer nga Andrea Zarballa), serbisht (përkthyer nga Merima Kriezi) dhe e maqedonisht (përkthyer nga Ilir Ajdini).
Veç këtyre, Arian Leka kumtoi edhe mbi një studim të vitit 1944, me autor Mitrush Kutelin, kushtuar poetit kombëtar të Rumanisë, Mihai Eminescu dhe "fenomenit Eminescu" , të cilin Kuteli e vlerëson si "poet, shkrimtar e luftëtar në sheshin e ideologjive", krijues të gjuhës letrare rumune së cilës i fali kryevepra, duke shkaktuar "një tërmet të math, vazhduar prej një vepre krijonjëse edhe më të madhe…. Sikur të kish ngjarë një gjë e tillë në fushën e jetës shoqërore edhe politike, fushë në të cilën Eminescu hodhi shumë shkëndija nga gjeniu i vet, pa fjalë se gjendja e vëndit të vet do ish krejt e ndryshme nga e sotmja," thekson Kuteli. Në takim Arian Leka foli edhe mbi një botim të veçantë në revistën rumune "Convorbiri Literare" të vitit 1939 ku, veç studimit të Kutelit mbi Eminescu-n, poezi të poetit të madh janë publikuar edhe në versionin shqip.
Sipas traditës, fotot e fituesve të çmimit letrar ndërkombëtar "Tudor Arghezi – Opera Omnia" vendosen në një dhomë të veçantë të Muzeut të poetit më të shquar rumun të shekullit XX: një shtëpi e fshehur mes qetësisë së natyrës në Târgu Cărbuneșt, larg zhurmës dhe trafikut ë të rënduar, në sallat e të cilës ruhet skrivania, dorëshkrime, letërkëmbimi, një pjesë e bibliotekës, pikturat e skica grafika të realizuara nga Arghezi ndër vite si dhe sende të përdorimit vetjak, që i japin vlerë të jashtëzakonshme kësaj shtëpie muze.
https://fjala.al/2022/05/28/cmimi-opera-omnia-per-autore-te-huaj-per-shkrimtarin-arian-leka/
20 May 2022
Balkan Translations Collider Academy - Përmbledhje e veprimtarive
E premte - 13 maj 2022 | Dita e Parë
Në Strugë të Maqedonisë së Veriut filloi punimet Akademia "Balkan Translations Collider", e cila ka në fokus Menaxhimin Letrar dhe Promovimin përmes Përkthimit. Kjo Akademi, çeli veprimtaritë e saj sipas një programi intensiv dhe mjaft profesional, pjesë e të cilit janë punëtori krijuese, panele me dialogë e diskutime, sesione interaktive me profesionistë të fushës së menaxhimit letrar, përkthimeve dhe politikëbërjes kulturore është edne në proces pune dhe do të vijojë deri në datën 18 maj 2022.
Shkëmbimi kulturor përmes përkthimeve, në kuadër të sesionit të parë të kësaj Akademie, vështrohet si një fillim frutdhënës për të qartësuar më mirë njohuritë, shkëmbyer përvojat letrare mes vendeve të Ballkanit dhe për të bërë të dukshme kushtet, jo rrallë kaotike, në të cialt puneohet në politikat e përkthimit dhe menaxhimit në rajon.
Akademia synon t'i kanalizojë dhe rrjetëzojë këto të dhëna e prirje në një drejtim e mendësi të re krijuese, kur bëhet fjalë për praktikat e menaxhimit letrar, angjentëve dhe agjencive letrare të fushës, që kanë në vëmendje autorin, të drejtat e autorit, përkthyesin dhe procesin përkthimor.
Akademia Balkan Translations Collider bëjet jashtëzakonisht e rëndësishme dhe, në thelb, tejet e domosdoshme për nevojat që kanë për letërsinë e "gjuhëve të vogla", duke i vënë ato në marrëdhënie me njëra tjetën dhe duke ofruar hapje ndaj vendeve të BE-së.
Akademia synon të krijojë e të vendosë gjithashtu kritere e praktika të reja pune e bashkëpunimi, në mënyrë që letërsia e rajonit të Ballkanit të bëhet më tërheqëse dhe e njohur në hapësira më të gjerë letrare. Pjesë e këtyre veprimtarive janë edhe shqyrtimet e hollësishme të të dhënave, analizave mbi kritere shkencore, përfundimeve dhe rekomandimeve që dolën falë studimit të fluksit të përkthimeve të autorëve të Ballkanit drejt gjuhëve të njëri-tjetrin dhe të vendeve të BE-së në harkun kohor 2015-2020, pjesë e së cilës është edhe Studimi "Letërsia shqiptare e përkthyer në gjuhët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, përgtitur nga ekspertët e fushës: Ardian Kyçyku, Arian Leka, Astrit Beqiraj dhe një rrjet e gjerë institucionesh e bashkëpunëtorësh të përkthimit letrar dhe studimit të letërsisë!
Akademia Ndërkombëtare për Menaxhimin Letrar dhe Promovimin e Përkthimit është pjesë e projektit Balkan Translations Collider, bashkëfinancuar nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian.
Në këto veprimtari Shqipëria përfaqësohet nga POETEKA, me cilësinë e partnerit, nga Instituti i Librit dhe i Promocionit (znj. Irena Toçi), nga Shoqata e Përkthyesve shqiptarë (z. Rexhep Hida) dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (z. Fari Lacka). Në vitin 2023 Akademia "Balkan Translations Collider" do i zhvillojë veprimtaritë e saj në Shqipëri.
- Përkthimi e bën të dallueshme në shkallë të gjerë një vepër letrare.
- Çdo përkthim zbulon thesaret jo vetëm të librave, por edhe të rajoneve dhe të vetë autorëve.
- Përkthimi letrar duhet të jetë gjithashtu pjesë e strategjisë kulturore të çdo vendi.
E shtunë - 14 maj 2022 | Dita e Dytë
Tematika e ditës së dytë të Akademisë (Translations Collider Academy), zhvilluar më 14 maj 2022, e cila u drejtua nga Diana Walters - eksperte dhe konsulente ndërkombëtare e trashëgimisë kulturore, ishte "Komunikimi Letrar Ndërkombëtar dhe Promovimi i Përkthimit".
Sesionin e hapi shkrimtari i njohur Vladislav Bajac - drejtues i shtëpisë botuese "Geopoetika" dhe një profesionist me përvojë të gjerë në fushën e botimeve dhe të përkthimit.
Në fjalën e tij, Bajac trajtoi çështje të faktorëve kryesorë dhe më domethënës, të cilët ndikojnë që autorët e "gjuhëve të vogla" të jenë të dukshëm në një kontekst më të gjerë kulturor.
Gjatë panelit të sesionit të dytë "Mapping the Field" u shtruan 3 pyetje të rëndësishme:
1. Cilat janë përfitimet e një promovimi më gjerë të letërsisë së përkthyer nga gjuhët "të vogla"?
2. Cilat janë pengesat për prodhimin dhe promovimin më të madh të letërsisë së përkthyer nga gjuhët e 'vogla'?
3. Cilët janë aktorët/agjentët kryesorë të ndryshimit që mund të forcojnë leltërsinë e shkruar në "gjuhëte vogl"'?
Dita dytë e punimeve të "Balkan Collider Academi" - Struga, 13-18 maj 2022, përfundoi me sesion "Open Mic", gjatë së cilit u bënë prezantime të shkurtra nga pjesëmarrësit - Catherine Fragou, Ana Marija Grbić, Stanislava Nikolić Aras, Thanos Gogos, Rexhep Hida, Jasmina Topić, Dányi, Dániel, Irena Toci, Todora Radeva, Ivan Sršen, Manol, Rexhep Hida, Marija Dejanoviq, Sasho Ogenovski të cilët ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre me kolegët dhe të pranishmit.
Moment i rëndësishëm i ditës intensive dhe produktive të Akademisë ishte konkluzioni se botuesit, autorët dhe përkthyesit duhet të jenë një pasqyrë e thellë të kontekstin letrar në të cilin punojnë dhe, promovimi i veprave letrare, është kulmi i këtij procesi.
E dielë - 15 maj 2022 | Dita e Tretë
Aktivitetet e ditës së tretë të Akademisë u fokusuan në agjencitë letrare dhe paraqitjen e autorëve pjesëmarrës. Sesioni u drejtua nga Ivan Sršen (agjencia Sandorf, Kroaci).
Në pjesën e parë, Andrej Hočevar (Goga, Slloveni) dhe Ivan Sršen, bashkëbiseduan mbi përvojat e tyre në prezantimin e autorëve nga hapësira e ish-Jugosllavisë.
Në pjesën e dytë, Catherine Fragou, agjente letrare nga Greqia dhe Peter Bolza, agjent letrar nga Hungaria, ndanë pvrvojat e punës së tyre, duke u ndalur te për parakushtet kryesore për një përfaqësim sa më cilësor të shkrimtarëve që vijnë nga vendet "të vogla" dhe "gjuhë të vogla" në kontekstin letrar ndërkombëtar. Bolza theksoi se, kur bëhet fjalë për Hungarinë, veprat nga letërsia e vendeve fqinje janë kryesisht të përkthyera, ndërsa Catherine Fragou nënvizoi faktin se ndërtimi i një marrëdhënie cilësore mes autorit, agjentit letrar dhe shtëpisë botuese është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit të prezantimit të autorit, për të mbërritur deri te botimi dhe më pas promovimi i veprës së tij.
Pjesa praktike e sesionit iu kushtua një punëtorie letrare në të cilën pjesëmarrësit e Akademisë krijuan një portofol të autores imagjinare Renata Stambolin dhe ua prezantuan atë botuesve imagjinarë në formën e një romani imagjinar të titulluar "Yjet e Durmitorit".
Ushtrimi ishte mjaft I dobishëm,pasi parashtroi dhe shqyrtoi dilemat që kanë afaktorët e ndryshëm të përfshirë në procesin letrar, duke theksuar e spikatur aspektet më të rëndësishme në paraqitjen e një vepre letrare nga vendet e Ballkanit përballë botuesve të huaj, mënyrat më të volitshme se si mund të botohen dhe promovohen, duke shitur të drejtat autoriale te agjencitë letrare. Më tej u krijuar një dialog mes pjesëmarrësve mbi interesin e përgjithshëm për autorët nga rajoni I Ballkanit dhe si mund të tërhiqrt vëmendja e një shtëpie të madhe botuese ndaj një vepre nga letërsia 'e vogël'.
E hënë - 16 maj | Dita Katërt
Dita e katërt e Akademisë Collider (Translations Collider Academy), e cila ka në fokus Menaxhimin Letrar dhe Promovimin përmes Përkthimit, iu kushtua politikave kulturore, diplomacisë kulturore dhe "eksportit" letrar .
Tematikat e ditës ishin: – Përvijime të politikave kulturore, diplomacisë kulturore, "eksportit" letrar dhe një vështrim mbi rezultatet e ditës së dytë të Akademisë (nga Renata Zamida); – Politika kulturore, diplomacia kulturore dhe "eksporti letrar: filozofia e mbështetjes publike të përkthimeve (paraqitur nga Renata Zamida); – Panel diskutimi mbi programet e mbështetjes publike (Andrej Lovsin, Fari Lacka, Yana Genova - moderatore Renata Zemida); – Si të bëhesh "shkrimtar i huaj"? (nga Ivana Bodrožić dhe dialog pyetje/përgjigje).
Fillimi i ditës së katërt të Akademisë iu kushtua temës së politikave kulturore të institucioneve dhe fondacioneve publike, që merren me ofrimin e mbështetjes sistematike kushtuar përkthimit, botimit dhe qarkullimit të veprave letrare. Në seancën e parë u theksua roli i ministrive të kulturës dhe agjencive kombëtare të librit, si aktorë kryesorë në krijimin e politikave kulturore publike cilësore.
Seanca online, e drejtuar nga Renata Zamida, ish-drejtoreshë e Agjencisë së Librit Publik (Javna agencija za knjigo), shqyrtoi modelet e mbështetjes publike për përkthimin e veprave nga letërsitë kombëtare drejt gjuhëve të huaja, duke nënvizuar faktin se financat nuk janë të rëndësishme sa cilësia e mbështetjes ofruar nga palë të tjera të interesuara në procesin e botimit dhe promovimit të një vepre të caktuar letrare.
Andrej Lovšin (rrjeti Traduki) rishikoi rolin që ka luajtur ky network gjatë 10 viteve të fundit në procesin e mbështetjes së autorëve nga Europa Juglindore, proces ky që përfshin jo vetëm mbështetjen për botimin e përkthimeve, por edhe rezidencat letrare, pjesëmarrjen e organizuar në panairet e librit dhe mbështetjen për festivalet letrare në Rajon.
Fari Laçka (Qendra Kombëtare e Librit, Tiranë) vuri në dukje sfidat me të cilat përballet ky institucion kombëtar, lidhur me praninë e pamjaftueshme të përkthyesve cilësorë, që do të përkthenin nga shqipja drejt një gjuhe europiane, si dhe interesin e pamjaftueshëm të botuesve të huaj për letërsinë që shkruhet në gjuhën shqipe. Lacka vuri gjithashtu në dukje se Qendra është duke krijuar një strategji të re që, në të ardhmen, do e përqendrojë punën në zvogëlimin e këtyre dobësive.
Në gjysmën e dytë të programit të Akademisë, shkrimtarja Ivana Bodrožic (Kroaci) foli nga këndvështrimi i një autori. Ajo theksoi se është thuajse e pamundur që një autor të kalojë kufijtë e letërsisë së tij kombëtare pa mbështetje serioze institucionale, e cila duhet të plotësohet nga përkthyes cilësorë dhe agjentë të mirë letrarë.
E martë - 17 maj | Dita e Pestë
Dita e pestë dhe e fundit e Akademisë Translations Collider u drejtua nga Dea Vidović, Drejtore e Fondacionit Kultura Nova (Kroaci) dhe Kryetare e Rrjetit Tematik të Arteve dhe Kulturës Philea dhe Zëvendës-Kryetare e Bordit të ENCATC (Rrjeti Europian për menaxhimin e kulturës dhe politikave)).
Temat kryesore të diskutimit të saj ishin dialogu politik dhe hartimi i politikave kulturore gjithëpërfshirëse. Në pjesën e dytë të sesionit, ajo drejtoi punëtorinë 'Si t'i realizojmë gjërat frymëzuar nga thënia se 'gjithçka është e mundur'.
Në mbyllje të Akademisë u organizua prezantimi i Mbrëmjeve emblematike të Poezisë strugane nga drejtori i këtij aktiviteti Todorce Tasevski. Mbrëmjet e Poezisë së Strugës është festivali më i vjetër ndërkombëtar i poezisë në Maqedoninë e Veriut, i themeluar në vitin 1962 dhe ngjarja kryesore e jetës kulturore në qytetin e Strugës, ku u mbajt dhe sesioni i parë i Akademisë Translations Collider. Sesioni i dytë i tij do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2023.
Akademia Ndërkombëtare për Menaxhimin Letrar dhe Promovimin e Përkthimit është pjesë e projektit Balkan Translations Collider, i bashkëfinancuar nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian
Foto: Sonja Stavrova.
#CreativeEurope4Book
#BalkanTralnslationsCollider
#CreativeEurope4Book
#BalkanTralnslationsCollider
Për më shumë información klikoni në këtë link:
https://m.facebook.com/NextPageFoundation/albums/5339527456066398/
15 May 2022
Kronikë: Translations Collider Academy - Dita e dytë
Translations Collider Academy - May 13 - 18, 2022 - Struga, North Macedonia
09 May 2022
COLLIDER: Si përçohet letërsia shqipe në botë, çfarë dhe si përkthehet?
Si përçohet letërsia shqipe në botë: çfarë dhe si përkthehet? | JavaNews.al
Nga Astrit Beqiraj
"Letërsia shqiptare, përkthyer në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, (të dhëna, vëzhgime dhe analiza: 2015-2020)" është titulli i studimit të botuar së fundmi nga POETEKA, me mbështetjen e BE-së, në kuadër të projektit Balkan Translations Collider, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe(European Union in Albania).
Si çështje e dialogut dhe e debatit shkencor, studimi mbi përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhë të huaja e vë theksin mbi procesin përkthimor, përkthyesit, letërsinë e migracionit dhe atë të dygjuhësisë, për të krijuar prej këtej panoramën e funksionimit të kësaj letërsie në kulturat pritëse. Nga ata tjetër Studimi jo e vetëm konstaton, por edhe e merr në analizë procesin, për të nxjerrë prej aty përvojat.
Përmes kësaj synohet të bëhen të dukshme arritjet dhe problemet e hasura gjatë procesit si dhe mungesat apo vështirësitë me të cilat ballafaqohet sot letërsia shqipe gjatë përkthimit.
Studimi nuk mëton të jetë shterues, por paraprijës dhe fillesë e një rrugëtimi më të gjatë, që do të pasurohet dita-ditës me zgjerimin e zonës së kërkimit dhe elemente të tjerë më gjithpërfshirës.
Nga pikëpamja e gjeografisë së kërkimit studimi prek hartën kulturore të 25 shteteve të kontinentit europian, duke shqyrtuar 19 gjuhë të gjeozonës. Organizimi i lëndës zhvillohet nën termat e dendësisë së shkëmbimit, duke veçuar: I. Zonën e shkëmbimit të lartë; II. Zonën e shkëmbimit të mesëm; III. Zonën e shkëmbimit të ulët. Këtij kriteti i bashkëngjitet edhe ai i intensitetit në shkëmbim, duke veçuar: I. Zonën – letërsi e mirënjohur; II. Zonën – letërsi e njohur; III. Zonën letërsi pak e njohur. Prej këtej, termat "letërsi të vogla", "letërsi të mëdha", "gjuhë minore" apo edhe "literaturë e njohur / e panjohur", paraqiten si referenca identifikuese.
Veç tekstit, Studimi ofron edhe tabela të veçanta për Shqipërinë dhe Kosovën, lidhur me frekuencën e përkthimeve shqiptare drejt gjuhëve të shqyrtuara të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor si dhe grafikë përgjithësues e lista emërore të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, që kanë libra të dhe botime publikuar në organe shtypi gjatë viteve 2015 – 2020, duke besuar se japim një ndihmesë nistore në përmirësimin e skenës letrare të letërsisë shqiptare në përkthim dhe vendosjen e këtij procesi mbi baza të kriteriale të konfirmuara, serioze e domethënëse.
Me këtë rast ky Studim u përurua në mjediset e "Goethe Zentrum-Tirana, ku morën pjesë studiues të fushës së letërisë, përkthyes, përfaqësues të botës akademike e universitare, përfaqësues të institucioneve publike e private, botues, gazetarë etj. Për t'i dhënë një dimension më të plotë dhe për ta pasuruar me të dhëna më të gjera hartën e kërkimit shkencor mbi letërsinë e përkthyer shqiptare, veprimtarisë iu bashkuan të ftuar nga Kosova (studiuesja dhe përkthyesja e njohur Nerimane Kamberi dhe studiuesja e letërsisë Lindita Tahiri), nga Maqedonia e Veriut (shkrimtari dhe përkthyesi Lulzim Haziri), nga Mali i Zi (lektorja e letërisë dhe shkrimtarja Dragana Tripković), shkrimtari dhe studiuesi Ardian Kyçyku, i cili iu bashkua veprimtarisë përmes fjalës përshëndetëse, drejtuesja e Katedrës së gjermanistikës Prof. Marsela Likaj, shkrimtarja dhe përkthyesja Manjola Nasi, përkthyesi Astrit Beqiraj-gjitashtu ekspert mbikëqyrës i Studimit, përkthyesja Elda Gjana-Boriçi, përkthyesi dhe gazetari Ben Andoni, punonjësi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Fari Laçka, botuesi dhe drejtuesi i shoqatës së përkthyesve shqiptarë Rexhep Hida, botuesi Mehmet Gëzhilli, përkthyese me përvoja më të reja, si Armanda Hysa e Jonida Burba, gazetarja e kulturës Dhurata Hamzaj etj., të cilët bashkëbiseduan përgjatë dy orëve me përkthyesin e njohur Edmond Tupja dhe shkrimtarin e studiuesin Arian Leka, që moderuan takimin.
Në takim u theksua se, më shumë se sa mbledhja e të dhënave dhe krijimi për herë të parë i statikës nistore mbi letërsinë shqiptare të përkthyer që, jashtë çdo dyshimi, kanë vlerë të veçantë, Studimi e vështron procesin si çështje të dialogut dhe e debatit shkencor, duke e vënë theksin mbi hallkat e rëndësishme që e shoqërojnë veprimtarinë përkthimore, kriteret që ndiqen në përzgjedhjen e autorëve, rolin e përkthyesit, të institucioneve që operojnë me fonde publike në mbështetje të përkthimit, strategjitë për promovimin e letërsisë së përkthyer shqiptare drejt kulturave pritëse etj.
U theksua gjithashtu se vlerë e Studimit janë referencat, listat emërore të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, që kanë libra të dhe botime publikuar në organe shtypi gjatë viteve 2015 – 2020, të dhëna që organizohen në tabela e grafikë ilustrues, që qartësojnë vështrimin mbi gjendjen, por edhe mbi prirjet e letërsisë shqiptare në përkthimin e saj drejt gjuhëve të shqyrtuara.
Përtej këtyre, Studimi thekson se duhet që "përmes kërkimesh e vëzhgimesh shkencore, të nxjerrësh nga një sasi cilësinë, jo anasjelltas, dhe të ndjekësh ecurinë e cilësisë", siç theksoi Ardian Kyçyku në "Disa fjalë e pyetje rreth letërsisë dhe statistikave", duke e ditur tashmë se vetë kriteret e vlerësimit të letërsisë në Ballkan, përfshi edhe Shqipërinë, janë shpesh të ndryshëm nga kriteret që përdoren në Europën Perëndimore e më gjerë. Kriteret e atyshme nuk janë përjashtuese, por as nuk bëjnë kompromise në kërkim të një të mesmeje të artë, për t'ia lëshuar hapësirën vendimarrëse jo kriterit estetik dhe vlerës letrare, por polikave të ekonomisë së tregut e prej nga, në shumicën dërrmuese të rasteve, përzgjedhjen e librave të autorëve shqiptarë për përkthim e botim në gjuhët e shqyrtuara e kanë diktuar financat, gjeopolitika, idhujtaria letrare, inercia kulturore dhe snobizmi, duke ndikuar në ecurinë jo normale të letërsisë shqiptare drejt kulturave të tjera e duke bërë që kjo letërsi të përjetojë vonesa, të mos ketë ende një fizionomi të qartë, të përfaqësohet kryesish me libra mesatarë dhe jo me vepra me vlerë e me rëndësi të veçantë, jo vetëm për kulturën kombëtare, por edhe më gjerë.
Përveç ndarjes së përvojave mes të pranishëmve, në takim u propozuan edhe mënyra alternative se si letërsia e përkthyer shqiptare mund të përfaqësohet e përurohet më mirë, rolin e revistave letrare dhe përurimeve jo thjesht në Shqipëri, por në kulturat pritëse ku veprat përkthehen, krijimin e një çmimi kombëtar për përkthyesin e librit më të mirë drejt gjuhëve të huaja, vlerësimin e posaçëm të përkthyesve nga shqipja drejt gjuhëve të huaja, përmes flesave për qëndrim në rezidenca letrare apo në punëtori përkthimore etj.
Disa nga përfundimet e këtij Studimi lidhen me sjelljen e fakteve se Letërsia e shkruar në gjuhën shqipe është e rrethuar nga zona me fluks të ulët ndërveprimi, duke qenë jo mjaft aktive dhe jo fort e pranishme në fushën e përkthimit / botimeve në gjuhë të huaja të vendeve Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor. Në rastet më të shpeshta dhe për një kohë të gjatë, ajo është shfaqur dhe vetëparaqitur si një "letërsi pak e njohur", ndërsa përsa u përket zhanreve, në të gjitha hapësirat e hulumtuara të letërsisë shqiptare të përkthyer, botimet më të shpeshta janë kryesisht të zhanrit letrar prozë (romane dhe tregime), ndërkohë që poezia, proza e shkurtër, skica dhe ese, përfshi edhe ato me natyrë kritike, shoqërore, ose filozofike, botohen shumë më tepër në revista letrare-kulturore, sesa si vëllime më vete – libër, format elektronik apo audio-book. Vihet re një përpjekje autorësh ende të pakonfirmuar për t'u zhvilluar më parë nga jashtë, sesa brenda letërsisë prej nga rrjedhin, si prirje për t'iu imponuar sistemiut dhe për të ngjizur hierarki vlerash të paverifikuara vetë brenda sistemit letrar. Ndër përkthyesit që sjellin letërsinë shqipe në gjuhët e shqyrtuara, pak vijnë nga fusha të kualifikimit mirëfilli letrar, sa të mund të cilësohen plotësisht të formuar e të paanshëm. Të dhënat dëshmojnë se, deri tani, shumica e vendimeve lidhur me përzgjedhjen e librave për përkthim nga shqipja e botim në gjuhë të huaja, në vend që të merren nga ekspertët e letërsisë, janë marrë nga nëpunësit e tregut të librit dhe të gjeostrategjive, ose nga qarqe politiko-letrare të interesuara të ruajnë sa më gjatë një status quo, pa mundësi zgjedhjesh të tjera. Mungesa e një baraspeshe estetike dhe logjike mes kritereve dhe vendimeve të përzgjedhjes nuk kanë lejuar që procesi i përkthimit nga shqipja në gjuhët e tjera t'i nënshtrohet harmonisë së cilësisë. E përfaqësuar si më sipër, letërsia shqipe krijon bindjen se paraqit veçse një interes të kufizuar letrar.
#CreativeEurope4Books
#BalkanTranslationsCollider
#CreativeEurope
#StudimiMbiPërkthimin
#LetërsiaShqip
COLLIDER: "Letërsia shqiptare, përkthyer në gjuhët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor
Përurohet studiumi "Letërsia shqiptare, në gjuhët e BE-së dhe të Ballkanit
Për herë të parë ndërmerret një analizë studimore….
Në mjediset e Goethe Zentrum – Tirana u përurua Studimi me titull "Letërsia shqiptare, përkthyer në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, (të dhëna, vëzhgime dhe analiza: 2015-2020)" botuar së fundmi nga POETEKA, me mbështetjen e BE-së, në kuadër të projektit Balkan Translations Collider, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe (European Union in Albania).
Promovimi u moderua nga përkthyesi i njohur Edmond Tupja dhe botuesi Arian Leka, bashkautor i këtij studimi.
"Përkthimi është një nga rrugët e rralla për të pajtuar njerëzimin me vetevevetm. Përkthyesit janë si kuajt e postës, ata e çcojnë përpara qytetërëimin", tha Edmond Tupja.
Ndërsa u përshëndetën dhe u diskutuan vlerat e këtij botimi, botuesi Arian Leka falënderoi të pranishmit dhe bashkëpunëtorët e këtij botimi; përkthyesen e njohur Nerimane Kamberi dhe studiuesen e letërsisë Lindita Tahiri nga Kosova, shkrimtarin dhe përkthyesin Lulzim Haziri nga Maqedonia e Veriut, shkrimtaren Dragana Tripković nga Mali i Zi, përkthyesin Astrit Beqiraj, etj.
Në përurimin e parë të këtij studimi morën pjesë studiues të fushës së letërsisë, përkthyes, përfaqësues të botës akademike e universitare, përfaqësues të institucioneve publike e private, botues, gazetarë etj. Veprimtarisë iu bashkuan të ftuar nga Kosova (përkthyesja e njohur Nerimane Kamberi dhe studiuesja e letërsisë Lindita Tahiri), nga Maqedonia e Veriut (shkrimtari dhe përkthyesi Lulzim Haziri), nga Mali i Zi (shkrimtarja Dragana Tripković), shkrimtari dhe studiuesi Ardian Kyçyku, përmes fjalës përshëndetëse, drejtuesja e Katedrës së gjermanistikës Marsela Likaj, shkrimtarja dhe përkthyesja Manjola Nasi, përkthyesi Astrit Beqiraj-gjitashtu ekspert mbikëqyrës i studimit, përkthyesja Elda Gjana-Boriçi, përkthyesi dhe gazetari Ben Andoni, punonjësi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Fari Laçka, botuesi dhe drejtuesi i shoqatës së përkthyesve shqiptarë Rexhep Hida, botuesi Mehmet Gëzhilli, përkthyese me përvoja më të reja, si Armanda Hysa e Jonida Burba, të cilët bashkëbiseduan përgjatë dy orëve me përkthyesin e njohur Edmond Tupja dhe shkrimtarin e studiuesin Arian Leka.
Në takim u theksua vlera e veçantë që ka krijimi për herë të parë i statikës nistore mbi letërsinë shqiptare të përkthyer
Studimi e vështron procesin si çështje të dialogut dhe e debatit shkencor, duke e vënë theksin mbi hallkat e rëndësishme të që shoqërojnë veprimtarinë përkthimore, kriteret që ndiqen në përzgjedhjen e autorëve, rolin e përkthyesit, të institucioneve që operojnë me fonde publike në mbështetje të përkthimit, strategjitë për promovimin e letërsisë së përkthyer shqiptare drejt kulturave pritëse etj.
Gjatë bashkëbisedimit u theksua se, nga pikëpamja e gjeografisë së kërkimit studimi prek hartën kulturore të 25 shteteve të kontinentit europian, duke shqyrtuar 19 gjuhë të gjeozonës, ndërkohë që nga pikëpamja e organizimit të lëndës Studimi operon nën termat e dendësisë së shkëmbimit, prej nga veçohen 3 zona: I. Zonën e shkëmbimit të lartë; II. Zonën e shkëmbimit të mesëm; III. Zonën e shkëmbimit të ulët. Këtij kriteri i bashkëngjitet edhe ai i intensitetit në shkëmbim, duke bërë të dallueshme se në cilat gjuhë pritës letërsia shqiptare përfshihet në: I. Zonën - letërsi e mirënjohur; II. Zonën - letërsi e njohur; III. Zonën letërsi pak e njohur.
U theksua gjithashtu se vlerë e Studimit janë referencat, listat emërore të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, që kanë libra të dhe botime publikuar në organe shtypi gjatë viteve 2015 – 2020, të dhëna që organizohen në tabela e grafikë ilustrues, që qartësojnë vështrimin mbi gjendjen, por edhe mbi prirjet e letërsisë shqiptare në përkthimin e saj drejt gjuhëve të shqyrtuara të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Përtej këtyre, siç u theksua në takim, Studimi priret që statistikat të bëhen ndihmëse për të qartësuar mendimin se duhet që "përmes kërkimesh e vëzhgimesh shkencore, të nxjerrësh nga një sasi cilësinë, jo anasjelltas, dhe të ndjekësh ecurinë e cilësisë", siç theksoi Ardian Kyçyku në "Disa fjalë e pyetje rreth letërsisë dhe statistikave", duke e ditur tashmë se vetë kriteret e vlerësimit të letërsisë në Ballkan, përfshi edhe Shqipërinë, janë shpesh të ndryshëm nga kriteret që përdoren në Europën Perëndimore e më gjerë, ku ato nuk janë përjashtues, por as nuk pranojnë gjetjen e një të mesmeje të artë, për t'ia lëshuar hapësirën vendimmarrëse jo kriterit estetik dhe vlerës letrare, por polikave bashkëpunuese me ata të ekonomisë së tregut e prej nga, siç konstatohet jo me kënaqesi në këtë Studim dhe, siç u theksua në bashkëbisedimin mes Edmond Tupes, Astrit Beqirajt dhe Arian Lekës, Lulzim Hazirit, Lindita Tahirit, Nerimane Kamberit, Marsela Likës, Manjola Nasit etj., në shumicën dërrmuese të rasteve, përzgjedhjen e librave të autorëve shqiptarë për përkthim e botim në gjuhët e shqyrtuara e kanë diktuar financat, gjeopolitika, idhujtaria letrare, inercia kulturore dhe snobizmi, duke ndikuar në ecurinë jo normale të letërsisë shqiptare drejt kulturave të tjera e duke bërë që kjo letërsi të përjetojë vonesa, të mos ketë ende një fizionomi të qartë, të përfaqësohet kryesish me libra mesatarë dhe jo me vepra me vlerë e me rëndësi të veçantë, jo vetëm për kulturën kombëtare, por edhe më gjerë.
Përveç ndarjes së përvojave mes të pranishëmve, në takim u propozuan edhe mënyra alternative se si letërsia e përkthyer shqiptare mund të përfaqësohet e përurohet më mirë, rolin e revistave letrare dhe përurimeve jo thjesht në Shqipëri, por në kulturat pritëse ku veprat përkthehen, krijimin e një çmimi kombëtar për përkthyesin e librit më të mirë drejt gjuhëve të huaja, vlerësimin e posaçëm të përkthyesve nga shqipja drejt gjuhëve të huaja, përmes flesave për qëndrim në rezidenca letrare apo në punëtori përkthimore etj.