30 December 2025

Mirko Božić: Recension mbi dy librat e Arian Lekës në kroatisht

Shkrimtari dhe krikitu letrar Mirko Božić, sjell edhe një tjetër recension mbi dy librat e Arian Lekës, botuar në Kroaci: "Ana e fshehtë e kopshtit socialist shqiptar", (Fraktura - najbolja literatura", 2025) dhe "Në kërkim të këmishës së humbur" (Neolit, 2025). Faleminderit Mirko Božić për analizimin me nivel të lartë profesional të veprave në rrafshin interpretativ, stilistik dhe kontekstual.
"Arian Leka arriti të më tërheqë vëmendjen mbi një temë për të cilën di shumë pak, të cilën ai e sjell përmes përvojës së vet personale, që jep autenticitet… Një teleskop politik, që shikon në dy drejtime në të njëjtën kohë. Në një epokë, kur është e vështirë të përqendrohesh vetëm në një gjë, ky është një ndryshim i mirëpritur, i cili është gjithashtu virtyti më i madh i të gjithës si e tillë..."
"Falë stilit, në të cilin nuk ka hipertrofi emocionale, librat mund të lexohen vërtet si një autobiografi ideologjike, por jo thjesht në vend të një libri tjetër historie, nga të cilat, në 30 vitet e fundit, ka pasur më shumë sesa kërpudha pas shiut. Sigurisht, secila prej këtyre abetareve të vajtimeve pretendon të drejtën e autoritetit përfundimtar, por Leka, për fat të mirë, nuk ka ambicie të tilla: ai sjell një nga diagnozat më të mira të sëmundjes kronike të quajtur Ballkan... Ballkani si temë - si në kontekste letrare ashtu edhe në kontekste të tjera - është zvarritur nëpër kaq shumë perspektiva, analiza dhe manipulime të ndryshme saqë mund të supozohet lehtësisht se mezi ka mbetur "brumë" për një petullë të mirë. Megjithatë dhe pavarësisht gjithçkaje, autori shqiptar Arian Leka i ka shtuar asaj një shtresë tjetër të rëndësishme përmes dy librave të tij. Në to, ai analizon të kaluarën shqiptare të së tashmes dhe të tashmen e së kaluarës, si të thuash, në një vend që, pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, ngjashëm me fqinjët e tij nga vendet e ish-Jugosllavisë, përjetoi purgatorin e tij tranzicional nga i cili përfitonin të gjithë përveç atyre që luftuan për atë liri..."
"Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar" është, në një farë mënyre, edhe një studim sociokulturor dhe pritja e tij varet nga interesi i lexuesit në kontekstin e historiografisë së një hapësire, që është një tjetër viktimë e asaj që mund ta quajmë Orientalizëm i Ri: përtacia intelektuale e kulturave perëndimore, që e futin perceptimin e tyre për botën në një sirtar të etiketuar si tensione ekzotike ose të përhershme.
Si argumente të një lloji në këto ese, autori i referohet edhe të tjerëve, siç është Gustav Weigand dhe rishqyrtimi i tij i "kujtesës detare". Edhe pse Perëndimi i ndriçuar dhe liberal është i fiksuar pas identitetit deri në atë pikë sa e redukton karakterin kompleks njerëzor në një kategori politike, identitetet në anën e gabuar të Murit të Berlinit janë zhdukur plotësisht nga fokusi i tij, dhe kjo ka filluar të ndryshojë vetëm kohët e fundit. Nga ana tjetër, kjo e ka rifetishizuar tribalizmin, sepse identiteti nënkupton përkatësinë në një tërësi ose koncept më të madh se individi.
Libri "Në kërkim të këmishës së humbur", Leka trajton gjerësisht edhe marrëdhënien midis Europës dhe Ballkanit, jo vetëm si një dikotomi historike, por edhe si një dikotomi kulturore, e cila ndoshta sot është më e theksuar se kurrë më parë, përveç se tani perdja nuk është më prej hekuri, por prej indinjatës, si në kapitullin "Lufta në Bibliotekën e shtëpisë", ku raftet shndërrohen në një fushë beteje midis Lindjes dhe Perëndimit..."
"Filozofi grek Platoni foli për atë Shpellë të famshme si një lloj prizmi përmes të cilit bota e jashtme filtrohet në një formë mjaft të shtrembëruar. Në këtë kuptim, të dy librat e lartpërmendur janë një lloj i asaj shpelle, pasi ato tregohen, në një farë mënyre, nga pozicioni i një fuçie, një hapësirë e fshirë midis Shqipërisë dhe hapësirës së padefinuar, të imagjinuar të lirisë, që fshihet aty ku as mendimet e tyre, e lëre më këmbët, nuk duhet. Është shumë e rëndësishme që në këta libra, ndryshe nga shumica e këtij lloj, eseizmi me të cilin jemi mësuar, nuk ka hidhërim, hakmarrje apo fetishizim të viktimës që reduktohet në monedhë politike..."

REZIDENCA LETRARE POETEKA TIRANA IN BETWEEN - 2026

Kalina Maleska, shkrimtare maqedonase, profesoreshë e letërsisë angleze në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup, studiuese e letërsisë dhe përkthyese, është gjithashtu fituese e bursës së rezidencës letrare "POETEKA - Tirana in Between" 2026. Krijimtaria e saj letrare përfshijnë tregime, romane, dramaturgji dhe tregime për fëmijë dhe përkthime të shumta. Romani i saj "Bota që zgjodha" u vlerësua me si "romani më i mirë i vitit 2024", çmim i dhënë nga Fondacioni për Promovimin e Vlerave Kulturore "Slavko Janevski". Ajo është bashkëredaktore e koleksionit ndërkombëtar "Awake not Sleeping: Reimagining Fairy Tales for a New Generation" (2021), organizuar dhe botuar nga UN Women (ECA), në të cilin ajo përfaqësohet me dy tregime.
Tregimet e shkrimtares Kalina Maleska janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë botuar në revista dhe antologji në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë vendit. Tregimi i saj i shkurtër " A Different Kind of Weapon" " është përfaqësuar në antologjinë Best European Fiction, 2018. Gjithashtu, dy nga tregimet e saj për fëmijë janë përshtatur për skenë dhe janë interpretuar nga teatri për fëmijë "Hije dhe Re". Në fushën e përkthimit letrar, Kalina Maleska ka sjellë nga anglishtja në maqedonisht autorë si Laurence Sterne, Ambrose Bierce, Claire Keegan, Lea Ypi.
Veprat më të përmendura të kësaj autoreje janë: Tregime - Keqkuptime (1998), Emërtimi i insektit (2008), Itar Peyo, armiku im (2016) dhe Shkupi në zonën e lartë (2021); Romanet - Bruno dhe ngjyrat (2006), Shfaqjet me fije argjendi (2014) dhe Bota që zgjodha (2024); Dramaturgji - Një Ngjarje midis shumë të tjerave: Hipatia e Aleksandrisë (2010); Libra për fëmijë - Arno ama (2018) dhe I Huaj Lu-Ru-Su (2021).
Kalina Maleska është gjithashtu redaktore dhe bashkautore e studimit "Kon-tekstot: Digital Reviews" (Letërsia maqedonase në dy dekadat e para të shekullit XXI" (2023), bashkëredaktore e botimit "Vizualizimi i Letërsisë Bashkëkohore Maqedonase" (2024), dhe redaktore dhe bashkautore e librit të bazuar në kërkimin në metodologjinë e mësimdhënies "Nxitja e leximit funksional në mësimdhënie (2025). Ajo ka kontribute edhe në fushën e teorisë dhe kritikës letrare, veçanërisht në studimeve mbi letërsinë e utopive dhe atë postkoloniale. Ajo ka botuar studimet letrare "Format e pushtetit në letërsinë bashkëkohore" (2020) dhe "Vizioni, transformimi: Utopitë, distopitë dhe botë të tjera imagjinare." (2023). Artikujt e saj në lidhje me kërkimin letrar janë botuar në revista akademike vendase dhe ndërkombëtare.

Që prej vitit 2013, POETEKA, me mbështetjen e rrjetit europian Traduki, që lidh vendet e Europës Juglindore me botën gjermanofolëse nëpërmjet letërsisë, ka ndërtuar për më shumë se një dekadë një nga hapësirat më të rëndësishme të mikpritjes dhe krijimtarisë letrare në Tiranë, duke bashkuar rreth 70 shkrimtarë, përkthyes letrarë dhe artistë nga rajoni dhe Europa dhe duke lënë një gjurmë të qëndrueshme në jetën kulturore të kryeqytetit. Programi letrar "POETEKA - Tirana in Between" mbështet përkthimin letrar, botimin dhe shkëmbimin kulturor në Europën Juglindore dhe Lindore me vendet e BE-së, ka bashkëpunuar ndër vite edhe me programin Europa Krijuese (Creative Europe), Goethe Zentrum Tirana, Ambasadën e Austrisë dhe Ambasadën e Gjermanisë në Shqipëri si dhe të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të projekteve "Reading Balkans" dhe "Translation in Motion", duke e përfshire rezidencën "POETEKA – Tirana in Between" në Hartën e Rrjetit Europian të Rezidencave të Përkthimit Letrar (RECIT).

Foto e autores: Aleksandar Zlatev.

27 December 2025

REZIDENCA LETRARE POETEKA TIRANA IN BETWEEN - 2026

Me kënaqësi të veçantë njoftojmë se fituesit e granteve të rezidencës letrare "POETEKA - Tirana in Between" për vititn 2026 janë: Magdalena Blažević (Bosnjë-Hercegovinë), Jerko Bakotin (Kroaci) dhe Kalina Maleska (Maqedoni e Veriut). Duke filluar prej vitit 2013 rezidenca letrare "POETEKA – Tirana in Between" mbështetet nga TRADUKI, për ta shndërruar këtë nismë në hapësirë mikpritjeje dhe krijimtarie afatgjatë për rreth 70 autorë shkrimtarë, përkthyes letrarë dhe artistë nga rajoni dhe Europa, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në jetën kulturore të Tiranës. Autorja e parë që do të mbërrijë në rezidencën  "POETEKA - Tirana in Between" është Magdalena Blažević. 

Magdalena Blažević (1982) lindi në qytetin e vogël Žepče, të Bosnjës së Mesme,  ku dhe u rrit. Në vitin 2000 ajo u zhvendos në Mostar, ku përfundoi studimet dhe, që prej asaj kohe, ka jetuar atje.  Libri i saj i parë "Svetkovina" u botua në vitin 2020 në Kroaci, nga shtëpia e mirënjohur botuese "Fraktura", duke u përkthyer menjëherë edhe në gjermanisht. Shtatë tregime të kësaj autoreje janë përkthyer në anglisht dhe janë botuar në antologjinë "Take Six: Six Balkan Women Writers".  Romani i parë i shkrimtartes Magdalena Blažević "U kasno ljeto" u botua në vitin 2022, po nga  "Fraktura". Romani "U kasno ljeto i Sezona berbe" dhe është përkthyer dhe botuar edhe në anglisht, frëngjisht, italisht, maqedonisht, sllovenisht dhe në gjuhën katalanase. Për këtë roman Magdalena Blažević u vlerësua me çmimin letrare "Tportal", si romani më i mirë kroat në vitin 2022. Vepra u nominua gjithashtu edhe për Çmimin Letrar të Dublinit dhe Prix des Étudiants d'Études slaves de la Sorbonne.  Romani i dytë i  Magdalena Blažević " U kasno ljeto i Sezona berbe", u botua në vitin 2023 nga Fraktura dhe u përkthye në katalanisht. Vepra u rendit në listën e ngushtë për çmimin letrar "Tportal". Të tre librat u renditën në listën e ngushtë të përzgjedhjes për çmimin prestigjioz "Fric".  Libri më i fundit të kësaj autoreve sapo është botuar në Kroaci me titullin "Shtëpia e Ujkut" (Fraktura, 2025), është një përmbledhje me tregime. Magdalena Blažević ka fituar gjithashtu edhe disa çmime të3 tjerë letrarë për tregimin më të mirë të shkurtër.

Me mbështetjen e përhershme të rrjetit europian TRADUKI, programit Europa Krijuese të BE-së si dhe në bashkëpunim me Goethe Zentrum Tirana, Ambasadës së Austrisë dhe Ambasadës së Gjermanisë në Shqipëri dhe Ministrisë së Kulturës, programi letrar  "POETEKA - Tirana in Between është zhvilluar në kuadër të projekteve "Reading Balkans" dhe "Translation in Motion", duke e përfshire rezidencën "POETEKA – Tirana in Between" në Hartën e Rrjetit Europian të Rezidencave të Përkthimit Letrar (RECIT).

15 December 2025

Mediat e rajonit mbi dy librat e Arian Lekës në kroatisht

Pas botimit në gjuhën kroate të librave të Arian Lekës "Skrivena strana albanskog socijalističkog vrta" (Fraktura, shtator 2025) dhe "U traganju za izgubljenom košuljicom" (Neolit, tetor 2025), në shtypin e huaj janë publikuar disa artikuj, recensione dhe intervista, fragmente të të cilave gjenden në vijim. Një falënderim i përzemërt ndaj autorëve të këtyre shkrimeve dhe juve për vëmendjen.

IVICA IVANIŠEVIĆ – publikuar në SLOBODNA DALMACIJA: "Fut gishtin e këmbës në det dhe lidhesh me gjithë botën. Këtë shprehje duhet ta kem dëgjuar kur isha parashkollor. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, nuk munda të lidhesha dot. E kuptova më në fund se deti na afron me botën vetëm në një nivel të paqartë, simbolik. Prandaj u gëzova shumë kur lexova librin e Arian Lekës "Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar". Pavarësisht gjithçkaje, magjepsja e tij me masën e madhe e të gjerë blu, nuk kufizohet në një kënaqësi entuziaste. Përkundrazi. Edhe pse e tërhoqi shumë, deti e ka tronditur gjithmonë autorin. Libri i Lekës nuk është thjesht rrëfim, por një përmbledhje shumë e lirshme esesh, në të cilat kujtimet janë vetëm nxitja për të reflektuar. Po aq sa me interpretimin e të "përkryerit socializëm shqiptar", Leka është gjithashtu i shqetësuar edhe ndaj "kohëve të reja", madje jo vetëm në vendin e tij, por edhe zona shumë më të gjera. Ajo që kemi përjetuar gjatë dhjetë viteve të fundit është veçse një zgjerim i markës së një prirjeje për të cilin Leka, sigurisht që ka diçka për të thënë. Kjo e bën librin e tij një lexim shumë aktual i cili, edhe kur trajton episode nga ajo që në shikim të parë duket si një e kaluar e largët, në fakt flet për ne sot."

https://slobodnadalmacija.hr/kultura/knjizevnost/skrivena-strana-albanskog-socijalistickog-vrta-hvatali-su-signale-stranih-tv-kuca-nisu-imali-hrabrosti-ukljuciti-ton-1517023?fbclid=IwY2xjawOqGg5leHRuA2FlbQIxMABicmlkETFieUNJU1hSNTkxbG1od25lc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHk20C0LL1yuHh4BnN5N7tvW1sz1Jxqkhfs3vOP-b5o6h6vAGwZVyhn96W7rZ_aem_0GXY0c0arIx5Rqth7gGngA

JAGNA POGAČNIK – publikuar në BESTBOOK: "Titulli 'Në kërkim të këmishës së humbur' është mjaft "i fortë" për të ngjallur tek lexuesi shoqërimin e një shkrimtari që vihet në kërkim të kohës së humbur si dhe pritjen se, pavarësisht se është veç një këmishë, ajo do të jetë gjithashtu një lloj kërkimi në të kaluarën. Faqet e para të librit, kur një shtëpi botuese franceze i kërkoi të shkruante një autobiografi, oftojnë shtysën e autorit për të shkruar. Ai, në fakt, ka një qëndrim ambivalent, por korrekt, pasi e sheh autobiografinë si "një kohë të shkrimit të detyrueshëm" dhe vetë zhanrin si "një teknikë të tmerrshme të postmodernizmit". 'A duhet t'u tregoj lexuesve të huaj plagët e vërteta apo plagët e zbukuruara?` Pyetje e përshtatshme. A nuk kemi lexuar tashmë një numër të konsiderueshëm librash, që merren me fëmijërinë, rritjen në vendet pas "perdes së hekurt" dhe a nuk kemi menduar ndonjëherë njëlloj si Leka, se ato tekste janë shkruar përmes asaj lenteje që prek lexuesin e huaj, siç ai dëshiron – përmes kujtimeve ekzotike." Duke shmangur stereotipet e lartpërmendura, Leka ka shkruar një libër në të cilin motivet që, në rastin më të keq, bëhen stereotipe nga vetë shkrimtarët, tek ai "marrin frymë", e kështu ne lexojmë një libër shumë personal dhe në të njëjtën kohë shumë publik dhe politik. "Kujtimet" e tij e bëjnë atë një ndërmjetës midis realitetit dhe realitetit të formësuar artistikisht... Çfarë duhet të bëjmë sot me nostalgjinë për ato vite? Çfarë duhet të bëjmë me optimizmin e ditëve të para pas rënies së komunizmit?, pyet veten Leka dhe vendos për një lloj metode përzgjedhjeje, që rezulton të vijë si kujtesë e romanizuar, ku e kaluara dhe e tashmja afohen, por në atë mënyrë siç autori e sjell, të kolazhuara me mjeshtëri, të interpretuara dhe të formësuara në një libër me arkitekturë të kujdesshme, ku ato bëhen një pasqyrim i rrallë i një mërgimi të brendshëm që ndonjëherë është më kompleks se ai i jashtëm.

https://express.24sata.hr/kultura/u-albaniji-su-upravo-pisci-dezurni-krivci-a-svi-su-albanci-pisci-31454

https://neolit.hr/trgovina/u-traganju-za-izgubljenom-kosuljicom/?fbclid=IwY2xjawOqGqZleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFieUNJU1hSNTkxbG1od25lc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHrnwQoQmRVI55sQJQTl0pjscFJY7LxgTs3NsKePgk9du8zhGVHUGIbt-5lEK_aem_XfsKqO13iFpFtYmQvCMIGg

ĐORĐE KRAJIŠNIK – publikuar në OSLOBODJENJE: Pavarësisht nëse shkruan poezi, tregime apo ese, shkrimtari shqiptar Arian Leka ka disa linja tematike vetjake ngulmuese në veprën e tij krijuese, të cilave ai u rikthehet, i ndërton, i rindërton dhe i transformon në motive gjithmonë të pranishme në opusin e tij letrar. Përmes tyre temave, ky shkrimtar kërkon të na japë një vizion të botës që buron nga përvoja komplekse historike dhe kulturore e popullit shqiptar, por që në thelb është një histori shumë më e gjerë dhe më e thellë për të kaluarën dhe të tashmen e të gjithëve ne, në këtë pjesë të Europës dhe ndërthurjen e tyre në përsëritje të pareshtur.
Dhuntia e Arian Lekës për të gjetur histori të mëdha në mikro-detaje, në nxtje dhe çarje të vogla, që rezononë universalisht dhe na prek e na nxjerr nga rehatia dhe pamja e përgjumur e kohës sonë, përçohet si një konstante në të gjitha veprat e tij. Këtu ai ofron një zbulim kritik dhe të thellë: duke folur për Shqipërinë, izolimin dhe mbylljen e saj gjatë kohës së socializmit atje, ai mbyll edhe një rreth tematik e semantik shumë më të gjerë, që pëkon me sfidat më të mëdha të modernitetit tonë.

https://www.oslobodjenje.ba/kun/umjetnost/citanje-u-sebi-podrugljivo-proturjecje-povijesti-1084660/?fbclid=IwY2xjawOqIotleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFieUNJU1hSNTkxbG1od25lc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHk20C0LL1yuHh4BnN5N7tvW1sz1Jxqkhfs3vOP-b5o6h6vAGwZVyhn96W7rZ_aem_0GXY0c0arIx5Rqth7gGngA

KORANA SVILAR – publikuar në NEOLIT: Te libri "Në kërkim të këmishës së humbur" kujtesa e romanizuar bashkëjeton me kujtesën kolektive - lojë mbi rrëfimin, që e ndryshon vazhdimisht fokusin e vet. Arian Leka përdor një gjuhë mbresëlënëse për të zhytur në të kaluarën e tij intime, por edhe në të kaluarën e vendit pas Perdes së Hekurt, duke i ofruar lexuesit herë një teleskop e herë një mikroskop - nëse vështrimi kthehet nga e tashmja.
Loja e Lekës është njëkohësisht ëmbël dhe e hidhur. Bukuria fshihet në imazhin e një djali që hedh kripë mbi hartën gjeografike, ku është shënuar deti, që anija e tij prej letre të lundrojë, pafundësisht. Sepse edhe kur na marrin detin, duhet të vazhdojmë lundrimin."

https://neolit.hr/trgovina/u-traganju-za-izgubljenom-kosuljicom/?fbclid=IwY2xjawOqImZleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFieUNJU1hSNTkxbG1od25lc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHlXbcS9xHTCfrZxYlGH4AfyejNLSGJgM4BgOf4AknIrKvZj5H0ZvB2438k2E_aem_Xt0O6QAq3k_K98ezGwK3Sg

ZLATKO KRAMARIĆ – publikuar në ARGUMENTUM: "Arian Leka thekson se Europa ekzistonte në imagjinatën shqiptare si koncept, por mungonte kryesisht si përvojë e jetuar. Ky dallim është thelbësor për të kuptuar nacionalizmin shqiptar: ndërsa kombet e tjera europiane zhvilluan identitetin përmes kontaktit dhe shkëmbimit kulturor, Shqipëria zhvilloi modernitetin përmes izolimit, duke prodhuar një efekt "ishulli mendor"…
Sloterdijk dhe Bauman theksojnë se hapja hapësinore është thelbësore për modernitetin; paradoksi i Lekës ilustron se si izolimi politik formëson vetëdijen kulturore dhe mendore. Deti përfaqëson gjithashtu horizontin mendor të Europës së imagjinuar, por praktikisht të papërjetuar. Është një metaforë për lirinë intelektuale, reflektimin kritik dhe kufijtë e hapjes kulturore në Shqipërinë post-totalitare… Leka analizon nacionalizmin shqiptar si të tillë që ka një funksion të dyfishtë: Emancipues dhe pohues të identitetit - anti-osman dhe ndërtim kombi…Pa integrimin në rrymat europiane, nacionalizmi mbeti i varfëruar kulturorisht, ndërsa fryma europiane u zhvillua përmes angazhimit subversiv me veprat letrare dhe filozofike. Leka e përshkruan këtë si një punë mendore të vetë-emancipimit. Krleža shërben në esetë e Lekës si një kanal i rrallë drejt Europës. Përmes përkthimeve kosovare, intelektualët shqiptarë fituan qasje në teknikat narrative moderniste, njohuri mbi kritikën dhe reflektimin shoqëror, një kornizë për krahasim kritik me përvojën kombëtare shqiptare… Ismail Kadare e interpreton Europën si një horizont qytetërimi, duke përdorur narrativa alegorike dhe duke universalizuar historinë shqiptare. Fatos Kongoli e portretizon Europën si traumatike dhe kryesisht të paarritshme, duke u përqendruar te individi post-totalitar. Arian Leka sintetizon të dy perspektivat, duke shtuar një shtresë filozofiko-eseistike. Ai thekson se Europa është përvojë dhe proces, jo një etiketë retorike; ajo kërkon reflektim kritik, punë mendore dhe angazhim aktiv me historinë dhe kufijtë mendorë të përvetësuar."

https://www.argumentum.al/en/arian-leka-and-the-european-spirit-sea-isolation-and-national-imagination-in-post-totalitarian-albania/

Publikuar në CROLENS: "Përkthimi i ri në kroatisht i librit "Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar" hap një vështrim mbresëlënës në jetën e përditshme të Shqipërisë komuniste, vend që – megjithëse i rrethuar nga deti – jetoi në izolim të plotë për dekada të tëra. Libri nuk ndalet vetëm te kujtimet. Autori reflekton gjithashtu mbi migrimet bashkëkohore, duke kujtuar se turma shqiptarësh kaluan Adriatikun me anije të improvizuara që në vitin 1991, duke hapur rrugën për një trend që e njohim sot në një zonë shumë më të gjerë."

https://www.crolens.hr/c/albanski-pisac-arian-leka-razotkriva-tihe-ekrane-diktature

DARKO VLAHOVIĆ – publikuar në EXPRESS dhe 24 SATA:

https://www.pressreader.com/croatia/express-0962/20250912/281775635301547

https://www.24sata.hr/news/staljin-i-tito-posvadali-su-se-poput-glumaca-koji-vise-nikako-ne-zele-dijeliti-pozornicu-1073957

KARMELA DEVČIĆ – publikuar në JUTARNJI LIST

https://www.jutarnji.hr/kultura/knjizevnost/skrivena-strana-socijalistickog-raja-zivjeli-smo-u-strahu-nismo-znali-je-li-nam-prvi-susjed-spijun-a-ove-su-nam-ljude-predstavljali-kao-turiste-15621815?fbclid=IwY2xjawOqKUNleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFieUNJU1hSNTkxbG1od25lc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHrnwQoQmRVI55sQJQTl0pjscFJY7LxgTs3NsKePgk9du8zhGVHUGIbt-5lEK_aem_XfsKqO13iFpFtYmQvCMIGg

Publikuar në – FRAKTURA: Në librin "Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar", Arian Leka, një nga shkrimtarët, poetët dhe eseistët më interesantë bashkëkohorë shqiptarë, analizon me mprehtësi dhe qartësi gjuhën, kulturën dhe pikëpamjen e tij mbi Perëndimin, por edhe pikëpamjen tonë për "të Tjerët". Stili i tij i mprehtë e detyron lexuesin të rishqyrtojë idetë e veta për Shqipërinë, për kufijtë, për identitetin. Duke filluar me pohimin se Shqipëria është "një nga vendet e pakta në Europë, të cilit i është mohuar haptazi lidhja me detin", Leka pyet me humor dhe thellësi: si u bë Mare Nostrum një Mare Monstrum?; Pse hartat meteorologjike kombëtare fshijnë vende dhe qytete të tëra, sikur moti të ishte një kategori politike?"

https://fraktura.hr/proizvod/skrivena-strana-albanskog-socijalistickog-vrta/?fbclid=IwY2xjawOqJydleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFieUNJU1hSNTkxbG1od25lc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHrnwQoQmRVI55sQJQTl0pjscFJY7LxgTs3NsKePgk9du8zhGVHUGIbt-5lEK_aem_XfsKqO13iFpFtYmQvCMIGg

Takime në zonat kufitare


Marci Shore: Jetojmë në një botë ku kufijtë midis një gjuhe dhe një tjetre, mes realitetit dhe jo-realitetit, njerëzores dhe jo-njerëzores, po mohohen. Si një kujtesë për ndryshimin dhe hapje ndaj takimit, përkthimi mund të jetë një antidot kundrejt nihilizmit të mungesës së kufijve.
Kur u themelua Eurozine, në vitet ´90, bota e sotme ishte e paimagjinueshme. Një optimizëm ngazëllyes  mbizotëronte asokohe në qarqet intelektuale perëndimore: shtriga e keqe kishte vdekur dhe të gjithë do të jetonim përgjithmonë të lumtur. Por, siç shkruajnë Stephen Holmes dhe Ivan Krastev në "he Light that Failed", mbi një të ardhme të ndritur demokratike, shumëkush në Perëndim "ngatërronin mungesën e pengesave me praninë e parakushteve". Ata besonin se sapo të përmbysej autoriteti komunist, "demokracia liberale do të dilte si buka e thekur nga një bukëpjekëse".

Për më shumë: EUROZINE 👇

Gjuha e të shprehurit gjatë periudhave represive

Alina Kovalev - Gjuha e të shprehurit gjatë periudhave represive
Përgjatë gjithë historisë, në kohë të vështira, bjellorusët u janë drejtuar traditave të tyre të pasura folklorike. Ajo që mund të duket si një periudhë stanjacioni kulturor shpesh është moment qëndrese dhe ringjalljeje krijuese. Këtu vala aktuale e teksteve, muzikës dhe vallëzimit popullor bjellorus nuk bën përjashtim....Gjatë periudhave shpypëse, të flasësh për kuptime të reja, siç dolën në dekadat e mëparshme para krizës, bëhet e rrezikshme. Kësisoj, folklori shërben si e vetmja formë e pranueshme dhe e sigurt e ekzistencës dhe ruajtjes kulturore. Prej tij rritet një brez i ri që çon në kryengritje ose 'drejt një shkrirje' tjetër, dhe ky cikël përsëritet.

Për më shumë: 

03 December 2025

Arian Leka - botim në spanjisht - Escenografías abandonadas

Në 18 nëntor 2025, gjatë ditëve artistike të programit "Casa de Mono", u përurua libri në gjuhën spanjolle "Escenografías abandonadas" – një botim i veçantë letrar dhe vizual, që bashkon prozë dhe poezi nga autorët Arian Leka, Gašper Malej dhe Juan Pablo Velásquez.
Arian Leka paraqitet në këtë botim me prozat "Djali që humbi detin - El niño que perdió el mar" dhe "Prej nga vjen drita? - ¿De dónde viene la luz?", zgjedhur nga libri "Hartë memece për të mbyturit", përkthyer e botuar më herët edhe në anglisht (Peter Constantine), gjermanisht (Zuzana Finger), greqisht (Andrea Zarballa), kroatisht (Zeljka Somun), italisht (Robert Shkurti), maqedonisht (Ilir Ajdini), sllovenisht (Gašper Malej).
Vlerë të veçantë botimit i jep artistja Alejandra Ramírez, e cila krijoi 10 ilustrime origjinale, të frymëzuara nga tekstet e autorëve, duke e shndërruar botimin në një libër-arti.

02 December 2025

Fwd: Poezia - një makth për modelet e inteligjencës artificiale.



Poezia, e paparashikueshme nga ana gjuhësore dhe strukturore, një makth për modelet e inteligjencës artificiale. 
Këto janë gjetjet e fundit të studiuesve nga Icaro Lab - Itali, iniciativë e një kompanie të vogël të inteligjencës artificiale e quajtur DexAI. 
Ata testuar efikasitetin e modeleve të inteligjencës artificiale përmes 20 poezive në italisht dhe anglisht...

27 November 2025

Miriam Rasch: Against storytelling

Çfarë kanë të përbashkët shkrimtarët Rebecca Solnit, Olga Tokarczuk dhe Amitav Ghosh? Të tre kanë shkruar mbi nevojën e shkrimit të  historive për të shpëtuar botën. Në një artikull rreth krizës klimatike,  botuar në Guardian më 12 janar 2023, Solnit pohon hapur se "çdo krizë është pjesërisht një krizë rrëfimi historish". Histori të reja dhe më të mira do t'i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë se një botë ndryshe është e mundur. Në Leksionin e saj për Çmimin Nobel, Tokarczuk pohon se bota është krijuar nga fjalët; ajo që nuk tregohet, zhduket. Ajo bën një thirrje për histori që shkojnë përtej perspektivës së vetës së parë, për trillim shumështresor që thyen dallimin e ngushtë midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, dhe në këtë mënyrë i stërvit njerëzit në humanizëm. Amitav Ghosh e sheh si detyrë - madje barrë - të artistëve dhe shkrimtarëve të përdorin histori për të kundërshtuar antropocentrizmin që kërcënon të shkatërrojë të gjithë jetën, përfshirë edhe tonën. Është çështje 'urgjence morale imperative' të dëgjosh edhe zëra jo-njerëzorë, dhe mënyra për ta bërë këtë është përmes historive, shkruan ai në Mallkimi i Nutmegut (2023).

Për më shumë: Against storytelling, EUROZINE, 5 November 2025
Botuar së pari në "De Nederlandse Boekengids"


13 November 2025

Libri i Arian Lekës, "Në kërkim të këmishës së humbur", në kroatisht

Shtëpia botuese kroate NEOLIT, e drejtuar nga shkrimtari i njohur Marko Gregur, publikoi së fundmi librin e Arian Lekës, me titull "U traganju za izgubljenom košuljicom / Në kërkim të këmishës së humbur" Përktheu: Mendu Imeri, përshtati: Željka Somun, redaktimi: Korana Svilar. Faqe 328. NEOLIT njihet për botimin e letërsisë së cilësisë së lartë, kryesisht veprat autorëve bashkëkohore, vendas dhe të huaj.

"Pasi Marcel Proust kafshoi biskotën e tij franceze, galeria e letërsisë europiane u mbush me kujtimesh të trilluara. Por çfarë ndodh kur një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë - Arian Leka - vesh këmishën letrare të Marcelit dhe kthehet në fëmijërinë e tij, gjatë sundimit të Enver Hoxhës? Hapet një dollap plot me uniforma të ndryshme, pak a shumë të njohura për ne: kapele dhe shalle pionierësh, bluza vajzërore joshëse, kostume në dukje bosh, t-shirt me imazhe vrasësish që vetëm për të papërgatiturit janë të pakuptimta. Teksa shqyrton, përzgjedh dhe hedh mënjanë, narratori e ndjen thellësisht mungesën e asaj këmishe origjinale, placentës në të cilën lindi e që simbolizon supersticionin se ai kishte lindur nën një yll me fat.
Te libri "Në kërkim të këmishës së humbur" kujtesa e romanizuar bashkëjeton me kujtesën kolektive - lojë mbi rrëfimin, që e ndryshon vazhdimisht fokusin e vet. Arian Leka përdor një gjuhë mbresëlënëse për të zhytur në të kaluarën e tij intime, por edhe në të kaluarën e vendit pas Perdes së Hekurt, duke i ofruar lexuesit herë një teleskop e herë një mikroskop - nëse vështrimi kthehet nga e tashmja.
Loja e Lekës është njëkohësisht ëmbël dhe e hidhur; Bukuria fshihet në imazhin e një djali që hedh kripë mbi hartën gjeografike, ku është shënuar deti, që anija e tij prej letre të lundrojë, pafundësisht. Sepse edhe kur na marrin detin, duhet të vazhdojmë lundrimin." - Korana Svilar, nga pasthënia e botimit.

Një kapitull nga libri në kroatisht:
https://neolit.hr/wp-content/uploads/2025/09/leka-ulomak.pdf
https://neolit.hr/trgovina/u-traganju-za-izgubljenom-kosuljicom/
https://neolit.hr/autori/arian-leka/

30 October 2025

Letërsia dhe politika në dialogun me shkrimtarëve Theresia Töglhofer dhe Arian Leka

📚 Java Kulturore Austriake në Shqipëri – Bashkëbisedim mes autorëve Theresia Töglhofer dhe Arian Leka.

🗓 Data: 30 Tetor 2025
📍 Vendi: Hemingway Bar, Tiranë
⏰ Ora: 18:00

Kemi kënaqësinë t'ju ftojmë në një mbrëmje të veçantë letrare, në kuadër të Javës Kulturore Austriake, organizuar nga POETEKA, pjesë e rezidencës letrare "Poeteka – Tirana in Between". Një udhëtim i hapur në botën e brendshme të një shkrimtareje që lëviz mes kulturave dhe politikës.

Theresia Töglhofer, një zë i ri i spikatur i letërsisë bashkëkohore austriake dhe shkrimtari shqiptar Arian Leka, do të zhvillojnë një bashkëbisedim rreth romanit "Tatendrang /Dalldia e aksionit" (Residenz Verlag, 2024), me të cilin Theresia Töglhofer debutoi në skenën e letërsisë europiane.

E specializuar në politikën e jashtme dhe zgjerimin e BE-së, ajo reflekton rreth idesë së një paqeje të synuar mes vendeve dhe, me humor të hollë, hedh dritë mbi gjuhën e përdorur nga institucionet politike, si dhe dalldinë e kudondodhur për veprim, madje edhe aty ku realiteti flet për krejt të kundërtën e asaj që pritet. A ka më vend për optimizëm, apo është pesimizmi qëndrimi më i sinqertë?

Rreth autores: Theresia Töglhofer ka lindur në Graz dhe ka studiuar histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare Graz, Paris). Karriera profesionale e ka çuar në qytete të ndryshme europiane – Beograd, Bruksel, Vjenë, Osijek dhe Berlin – duke i dhënë veprës së saj një dimension ndërkulturor dhe një sens të veçantë europian. Kritika vlerëson stilin energjik, humorin delikat dhe thellësinë në trajtimin e realiteteve politike dhe ballkanike.

Çfarë do të diskutohet: Përjetimet ndërkulturore dhe marrëdhënia mes politikës dhe letërsisë; Dalja nga "zona e komfortit", Metaforat dhe mesazhet e fshehura të politikës së zgjerimit dhe të kufive; Përplasja mes idealizmit të rinisë dhe realitetit politik të institucioneve; "Poezia e vogël" e përditshmërisë; Stili letrar përballë gjuhës së ngurtësuar të institucioneve...

Theresia Töglhofer do të lexojë në gjermanisht pjesë nga romani e saj, ndërkohë që, veç dialogut me Arian Lekën, do të ketë edhe pyetje-përgjigje me publikun.

Pjesëmarrja është e hapur për të gjithë. Mos e humbisni mundësinë të zhyteni në një bisedë të gjallë, ku letërsia takon politikën, bashkimi - ndarjen, idealizmi - cinizmin burokratik dhe ku fjalët kthehen në mjete për të kuptuar botën.

27 October 2025

Theresia Töglhofer dhe romani i saj "Tatendrang"

Theresia Töglhofer ështe autorja në Rezidencën Letrare POETEKA - Tirana in Between, si fituese e bursës për autorë e përkthyes letrarë dhe si pjesë e bashkëpunimit kulturor që POETEKA ka prej vitesh me Ambasadën e Austrisë në Tiranë. 


Ka lindur në Graz, studioi histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Graz dhe Paris dhe pas kësaj periudhe ka punuar në qarqe të ndryshme europiane (Beograd, Bruksel, Vjenë, Osijek dhe Berlin), përvoja të cilat shfaqen në romanin e saj të parë, me titullin "Tatendrang".  


Ajo është një zë bashkëkohor i letërsisë austriake, që vjen nga Lindja e Austrisë dhe jeton ndërmjet qyteteve europiane dhe të Ballkanit Perëndimor, duke sjellë perspektiva ndërkulturore dhe profesionale në prozën e saj. Në krijimtarinë e vet ajo ndërthur letërsinë me përvojën si eksperte e politikave të zgjerimit. 


Romani "Tatendrang" u publikua më 2024 nga "Residenz Verlag". Në qendër të tij është një brez të ri që sheh Europën si terren mundësish, por që shpesh ëndrrat u kërcënohen nga mekanizmat politikë dhe diplomatikë. Romani është pranuar si debutim me jehonë të mirë në skenën letrare gjermane dhe recensentët vënë re stilin energjik dhe njohurinë e politikës.

Vlerësimet e kritikës e përshkruajnë veprën si të shkruar me humor të thellë, po ashtu me njohuri të plota mbi politikat e zgjerimit dhe realitetet e Ballkanit.  


Gjatë qëndrimit të saj njëmujor në rezidencën shqiptare Töglhofer do t'i përkushtohet krijimtarisë letrare dhe do të marrë pjesë në aktivitete publike - lexime autori, bashkëbidesime apo veprimtari letrare në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe veprimtari të tjera letrare të organizuara nga POETEKA në kuadër të Javës Kulturore Austriake 2025, mes të cilave edhe një bashkëbisedim me shkrimtarin Arian Leka, në HemingwayBar, 30 tetor 2025, ora 18.00.


Foto © Heike Steinweg


https://poeteka.blogspot.com/2025/10/theresia-toglhofer-ne-rezidencen.html


Intervistë e shkrimtarit Arian Leka në Jutarnji list - Kroaci

Shkrimtari Arian Leka është intervistuar nga gazeta "Jutarnji list" në Zagreb lidhur me librin e tij të ri "Skrivena strana albanskog socijalističkog vrta" / Ana e fshehtë e kopshtit socialist shqiptar (Fraktura, 2025), përkthyer në kroatisht nga anglishtja prej Zeljka Somun. Në bisedën me gazetaren Karmela Devčić, Leka thekson rëndësinë e kujtimeve personale dhe të traumave të përditshme nën regjime totalitare, duke nxjerrë në pah atë që shpesh mbetet e fshehur nga historia.
Në intervistë autori rrëfen se libri synon të zbulojë "të padukshmen" e jetës në një epoke të vështruar kryeshisht përmes dimensioneve të mëdha – politike, heroike, madhështore, – duke lënë në hije njerëzoren dhe detajet e jetës së zakonshme. Ai nënvizon se nuk mjafton të dimë "historinë e madhe" politike, por duhet të kuptojmë edhe kujtimet personale, traumat dhe telashet e përditshmërisë, që mbyten dhe fshihen pa e ngritur zërin dhe pa gjetur jehonë në regjimet totalitare. "Duhet të shkruajmë për të padukshmen, për kujtimet dhe ankthin që nuk u shfaqën kurrë në librat e historisë," thotë Leka. "Jo rrallë ato na kanë bindur se janë dëshmi të forta për dhunën dhe propagandën, po aq sa tortura."
Sipas intervistës, libri paraqitet si një ndërmjetësues që, duke analizuar diktaturën dhe nxit lexuesin të refuzojë harresën e qëllimshme. Pikërisht kjo harresë krijon terren për rikthimin e praktikave autoritare në forma bashkëkohore. Vetë vepra është një "skanim" i së kaluarës, por edhe një ftesë për të menduar mbi teknologjitë e fshehjes dhe manipulimet e sotme kolektive.
Leka nuk e sheh diktaturën komuniste si kujtim muzeal, por si një sistem që gjen forma të reja shfaqjeje dhe tregon se është gjallë. Ai vëren se diktaturat e djeshme kishin kufij të dukshëm – censurë, survejim, tela me gjemba, klone, ligje ndalimi – ndërsa autoritarizmi i sotëm nxit varësinë nga mediat dhe ushtron presion ekonomik e kulturor. "Sot nuk ka nevojë për ushtrim të dukshëm dhune për të ndaluar fjalën e lirë," shprehet ai. "Mjafton frikësim i opinionit publik, përqeshje, kotësim i veprimeve, polarizim i jetës dhe autocensura që njerëzit të heshtin." Këto, sipas Lekës, janë instrumente kontrolli shoqëror dhe tregues të vazhdimësisë së frikës kolektive, një frikë që shoqëritë post-komuniste ende nuk e kanë tejkaluar plotësisht.
* Jutarnji list është një nga mediat më prestigjioze dhe me ndikim në Kroaci, e njohur për gazetarinë cilësore dhe analizat kulturore e politike në rajon.
* Karmela Devčić - ndër zërat më të respektuar të gazetarisë kulturore kroate, e njohur për reportazhet dhe shkrimet e saj mbi kulturën, identitetin dhe historinë e vendeve të Ballkanit.


19 October 2025

“Tatendrang”: Europa midis ëndrrës dhe realitetit.



Theresia Töglhofer është shkrimtarja fituese e bursës për qëndrim në ë Rezidencën Letrare POETEKA - Tirana in Between, tetor 2025, veprimtari si që vjen si pjesë e bashkëpunimit kulturor që POETEKA ka prej vitesh me Ambasadën e Austrisë në Tiranë.

Romani i saj "Tatendrang" (Residenz Verlag, 2024) sjell një pasqyrë të mprehtë të brezit të ri europian që hyn në skenën institucionale të BE-së me idealizëm dhe dëshirë për ndryshim, por përballet me realitetin kompleks të burokracisë, interesave të fshehta dhe kompromisit politik.

Përmes historisë së Hanna Fürst, një praktikante në "Europäische Außenzentrale", autorja shpalos kontrastin mes vizionit për një Europë të bashkuar dhe pengesave që e mbajnë atë pezull.

Projekti për paqe mes dy shteteve bëhet metaforë e procesit të integrimit europian – përplasja mes ëndrrës dhe realitetit, mes idealizmit të rinisë dhe kufizimeve të sistemit. Një reflektim i thellë mbi ambicien, moralin dhe mënyrën si ndryshimi kërkon më shumë se vetëm dëshirë.

Më shumë rreth kësaj vepre do të flitet në bashkëbisedimin mes shkrimtarëve Theresia Töglhofer dhe Arian Leka, më 30 tetor 2025, në Hemingway Bar, ora 18.00.

Gjatë qëndrimit të saj njëmujor në rezidencën shqiptare Töglhofer do t'i përkushtohet krijimtarisë letrare dhe do të marrë pjesë në aktivitete publike - lexime autori, bashkëbisedime apo veprimtari letrare në Tiranë dhe Shkodër — të organizuara nga POETEKA në kuadër të Javës Kulturore Austriake 2025, si dhe një takim me lexues në Prishtinë.

Në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Shqipëri, POETEKA ka sjellë prej më shumë se një dekade në Tiranë autorë, përkthyes e artistë të shumtë, si Robert Menasse, Erwin Einzinge, Christian Thanhauser, Ilir Ferra, Laura Freudenthaler, Evelyn Bubich si dhe ka realizuar programe të larmishëm kulturorë, si PostCard: "From Austria With Love", Festivali DADA, etj.

Foto © Heike Steinweg

Arian Leka në “Express”: Kujtesa si akt përballjeje, jo fshirjeje

Revista javore kroate "Express" publikoi një intervistë të gjerë me shkrimtarin dhe studiuesin shqiptar Arian Leka, me rastin e botimit në Kroaci të librit të tij me ese "Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar" (Fraktura, 2025; përkthyer nga Zeljka Somun; redaktore letrare Korana Svilar).
Në bisedën me gazetarin Darko Vlahovic, Arian Leka reflekton mbi lirinë, kujtesën, letërsinë dhe tranzicionin e shoqërisë shqiptare. Ai flet për trashëgiminë kulturore dhe politike të së kaluarës komuniste dhe paradokset e ndryshimit sot, duke vërejtur se Shqipëria gëzon më shumë liri fjale, por jo edhe dëshirë për të dëgjuar: "Ka më shumë informacion, por shumë më pak mendim", liria nuk është përjetuar ende dhe njerëzit "notojnë sërish me kujdes, sikur xhami i akuariumit të thyer të ishte po aty, në të njëjtin vend."
Duke e parë kujtesën si një akt përballjeje dhe jo fshirjeje, Leka kthehet te metafora e "kopshtit socialist", si një hapësirë politike, ku çdo "fije bari" mbartte qëllim dhe simbolikë politike të mbikëqyrur nga "kopshtarët" e aparatit shtetëror dhe të përkrahur nga "aristokracia kulturore". "Pas rënies së regjimit, u kuptua se disa nga 'barishtet e këqija' kishin qenë bimë shëruese, ndërsa disa nga 'lulet e parapëlqyera' kishin qenë të helmëta."
Në intervistë, autori i rikthehet metaforës së detit – një element i pandashëm në veprën e tij – që për shqiptarët përfaqëson njëherazi kufirin dhe urën, pengesën dhe mundësinë. Ai shton: "Ne dolëm nga kopshti socialist me frikëra dhe mitizime që i mbartim. Pushteti përpiqet të 'shtetëzojë' shpirtrat."
Në pjesën e dytë të bisedës, Leka ndalet te njohjen e tij me letërsinë dhe kulturën kroate, duke treguar interesimin e tij mbi "hapësirat letrare në marrëdhënie": komunikimi i Fishtës me Silvije Strahimir Kranjčević -in, botimet e Fishtës dhe Koliqit në Zarë (Zadar), lidhja e Mjedës dhe Xanonit me Kraljevicën si dhe "nyjet mes nesh" si Gjon Gazulli (Ivan Gazulić), Andrea Aleksi (Andrija Aleši), komunitetin arbanas, artistë si Valter Deshpali (Valter Dešpalj), Petrit Çeku, Luka Mjeda etj., si dhe leximet e autorëve të shquar kroatë, si  Šufflay, Krleža, Drndić, Ugrešić, Dralulić, Jergović e të tjerë apo bashkëpunimet me autorë kroatë në kuadër të programit POETEKA.

03 October 2025

Theresia Töglhofer në Rezidencën Letrare POETEKA-Tirana in Between

Gjatë muajit tetor 2025 shkrimtarja dhe analistja austriake Theresia Töglhofer do të qëndrojë në rezidencën letrare "POETEKA - Tirana In Between", si fituese e bursës për autorë e përkthyes letrarë dhe si pjesë e bashkëpunimit kulturor që POETEKA ka prej vitesh me Ambasadën e Austrisë në Tiranë.
Theresia Töglhofer është specializuar në politikën e jashtme dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ajo ka studiuar Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Graz e Paris dhe ka punuar në Beograd, Bruksel, Vjenë, Osijek e Berlin. Romani i saj i parë, "Tatendrang" u botua në vitin 2024 nga shtëpia botuese Residenz Verlag.
Ajo është vlerësuar me disa çmime dhe nderime letrare, përfshirë Çmimin e Jurisë për Prozë në edicionin e 23-të të Open Mike (2015), një bursë nga Kursi i Letërsisë në Klagenfurt (2017), pjesëmarrjen në Workshop-in e Shkrimit të Fondacionit Jürgen Ponto (2019), si dhe një nominim për Çmimin Wortmeldungen për Zëra të Rinj (2023).
Gjatë qëndrimit të saj njëmujor në rezidencën shqiptare Töglhofer do t'i përkushtohet krijimtarisë letrare dhe do të marrë pjesë në aktivitete publike - lexime autori, bashkëbidesime apo veprimtari letrare në Tiranë dhe Shkodër — të organizuara nga POETEKA në kuadër të Javës Kulturore Austriake 2025.
Në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Shqipëri, POETEKA ka sjellë prej më shumë se një dekade në Tiranë autorë, përkthyes e artistë të shumtë, si Robert Menasse, Erwin Einzinge, Christian Thanhauser, Ilir Ferra, Laura Freudenthaler, Evelyn Bubich si dhe ka realizuar programe të larmishëm kulturorë, si PostCard: "From Austria With Love", Festivali DADA, etj. 

POETEKA - Tirana in Between është një nga projektet kryesore të shoqatës POETEKA, përmes së cilës realizohet Programi Rezidencial për Shkrimtarë, Përkthyes Letrarë dhe Artistë. Që nga themelimi i saj, në vitin 2013, kjo rezidencë pritur më 61 shkrimtarë, përkthyes letrarë dhe artistët, duke u bërë një hapësirë unike në Shqipëri për shkrimtarët, përkthyesit dhe artistët e vendeve të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Programi "POETEKA - Tirana in Between" është zbatuar në kuadër të projekteve "Reading Balkans" dhe "Translation in Motion" të bashkëfinancuar nga TRADUKI, rrjeti europian për letërsinë dhe librat dhe Programi i "Europës Krijuese" të Bashkimit Evropian, si dhe nga Ambasada. të Gjermanisë, Goethe Zentrum Tirana, Ambasada e Austrisë dhe më hershëm edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Së fundmi, "POETEKA - Tirana in Between" është përfshirë në Hartën e Rrjetit Europian të Rezidencave të Përkthimeve Letrare (RECIT – Réseau Européen des Centres de Traducteurs).


Foto © Heike Steinweg
 
 

03 June 2025

Katarina Mitrović në rezidencën letrare “POETEKA - Tirana in Between

Katarina Mitrović është fituesja e grantit për qëndrim gjatë muajit maj në rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between" - 2025, mbështetetur nga TRADUKI dhe që drejtohet nga Poeteka.
Katarina Mitrović (1991) lindi në Beograd. Studioi në Fakultetin e Arteve Dramatike, Dega e Dramaturgjisë, ku u diplomua dhe tani po kryen studimet master. Ajo është autore e dy librave me poezi, "Mitra" (2017) dhe "Teksa pres të kalojë (2018).
Pas këtyre veprave të pritura ngrohtësisht nga kritika, ajo e sporovon veten në një zhanër hibrit, duke publikuar një roman të shkruar në vargje, titulluar "Jo të gjitha shtëpitë kanë oborr (2020). Më pas Katarina Mitrović boton romanin "Të gjitha Barbit e mira" (2024). Po gjetë vitit 2024, ajo fiton çmimin "Prof.Boško Milin" për interpretimin e tekstit "Lakuriq".
Katarina Mitrović punon si skenariste për seriale dhe filma artistikë, ku ka kontribute të çmuara, prodhime artistike këto që janë bërë tashmë gjerësisht të njohura për publikun e vendit të saj dhe të rajonit.

Total Pageviews